ATV

Author: ATVLive

  • ​Përndoqi një vajzë për disa muaj, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

    ​Përndoqi një vajzë për disa muaj, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

    Një 27-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi për disa muaj kishte përndjekur një vajzë në Shijak.

    Në kuadër të operacionit policor “Cross road”, u bë kontrolli në banesën e të riut A. C, ku u gjet një sasi municioni, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /tch

  • ​Shqipëri, në janar nis verifikimi i policëve të përfshirë në veprimtari kriminale

    ​Shqipëri, në janar nis verifikimi i policëve të përfshirë në veprimtari kriminale

    Në janar 2024 do të nisë plotësimi i formularit ku punonjësit e policisë do të duhet të vetëdeklarojnë nëse kanë përdorur rrjetin Sky dhe Encro Chat, duke specifikuar kohën dhe arsyen e përdorimit.

    Ky formular i cili duhet të plotësohet brenda 30 ditëve nga punonjësit e policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes policore do të jetë pjesë e dosjes së çdo punonjësi. Verifikimi për vërtetësinë e tij do të bëhet nga Agjencia e mbikëqyrjes policore.

    Gjatë veprimtarisë së saj mbikëqyrëse agjencia në bashkëpunim me institucionet e tjera ligj-zbatuese do të verifikoje vërtetësinë e të dhënave të deklarimit. Nëse konstatohet deklarim i rreme, sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë nga detyra.

    Për shkak të detyrës që mbajnë këta punonjës e kanë pasur detyrim edhe me parë për të deklaruar aparatet celularë që përdorin dhe rrjetet ku komunikojnë. Prandaj fshehja e përdorimit të Sky apo Encro Chat do t’i çojë ata drejt përjashtimit pasi këto rrjete janë përdorur masivisht nga grupet kriminale.

    Në rastet kur që në vitin 2020, 2021 kur ka funksionuar Sky, punonjësi i policisë e ka deklaruar se e përdor këtë rrjet duhet të bashkëlidhë me formularin motivet e përdorimit dhe prova për të faktuar deklarimet e tij.

    Përveç përdorimit të rrjeteve Sky dhe Encro Chat nga punonjësit e policisë, si dhe procesi i vettingut të gradave të larta, Agjencia e Mbikëqyrjes është para një sfide të madhe për të verifikuar informacionet në lidhje me një numër të konsiderueshëm punonjësish policie, të cilëve u është hequr certifikata e sigurisë apo nuk u është rinovuar pasi ka dyshime se janë të implikuar në aktivitete të paligjshme e grupe kriminale. /tch

  • Arrestohen dy persona të dyshuar për dy raste grabitje dhe lëndim trupor

    Arrestohen dy persona të dyshuar për dy raste grabitje dhe lëndim trupor

    Sot nga hetuesit policor të stacionit Qendra në Prishtinë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për dy raste grabitje dhe lëndim trupor që kanë ndodhë me datat 03.11.2023 dhe 01.12.2023 në platon e Pallatit të rinisë në Prishtinë.

    Në njoftimin e policisë thuhet se puna e hetuesve policor, është finalizuar sot (e martë), ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë personat të cilët dyshohet se në bashkëpunim edhe me disa bashkëmoshatarë të tjerë, duke i sulmuar fizikisht, nën kërcënimin e armës së ftohtë thikë nga viktimat kanë marrë me forcë shuma të parave (vlera e përgjithshme mbi 100 euro)

    “Personat e dyshuar që të dy të mitur me vendim prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 24 orë, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

  • ​Ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev në listën e zezë të SHBA-së

    ​Ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev në listën e zezë të SHBA-së

    Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev, është futur në listën e zezë të SHBA-së, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Angjushev është i papërshtatshëm për hyrje në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

    “Ndërsa shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev abuzoi me pozitën e tij zyrtare për të përfituar për interesat e tij private të biznesit, duke minuar besimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike. Hapi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, thuhet në deklaratë.

    Departamenti i Shtetit gjithashtu ndaloi gruan e tij Elisabetta dhe fëmijët Angel dhe Ognen të hynin në Shtetet e Bashkuara. Sergej Samsonenko, Orce Kamçev, Ratka Kamçeva, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski dhe Ramiz Merko janë në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit.

    Angjushev ishte zëvendëskryeministër nga viti 2017-2020, në qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaev. Ai është pronar dhe drejtor ekzekutiv i grupit Fero Invest dhe i fabrikës Brako. Në vitin 2014, revista ekonomike amerikane “Forbes” e shpalli Angjushev një nga pesë maqedonasit më të pasur./Alsat.mk

  • Abdixhiku shkon për ngushëllime te familja e Liridonës

    Abdixhiku shkon për ngushëllime te familja e Liridonës

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka shkuar për ngushëllime tek familja e së ndjerës Liridona Ademaj.

    Abdixhiku vrasjen e saj e ka cilësuar ngjarje makabër.

    “Vrasja e Liridonës na ka tmerruar të gjithëve. Në emër të LDK-së i shpreh ngushëllime familjes, të afërmve e shoqërisë’’, është shprehur Abdixhiku gjatë vizitës për ngushëllime në Rracaj.

  • Valmir Elezi e konfirmon për ATV-në: Kemi pranuar e-maila për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve të komunave në veri

    Valmir Elezi e konfirmon për ATV-në: Kemi pranuar e-maila për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve të komunave në veri

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për ATV-në e ka konfirmuar se kanë pranuar tre e-maila, në të cilat kanë qenë të bashkëngjitur formularë të plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetareve të komunave në veri.

    “Mund t’ju konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtarë, kemi pranuar katër e-maila, tri prej të cilëve kanë të bashkangjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund të ju them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’ju informojmë për këtë”, tha Elezi në përgjigjen e tij për ATV-në. /atvlive.tv

  • Çun Lajçi emocionon me vargjet kushtuar Mirush Kabashit

    Çun Lajçi emocionon me vargjet kushtuar Mirush Kabashit

    Miq dhe familjarë e kolegë kanë ndarë dhimbjen përmes postimeve të tyre në rrjete sociale për vdekjen e Mirush Kabashit.

    Artisti shqiptar, Çun Lajçi ka qenë një ndër ata që ka emocionuar ndjekësit e tij me vargjet kushtuar Mirush Kabashit.

    “Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshtëm e do ta përfeksionojmë ate grimcë arti që s’arritëm ta ngrehim kurrë n’majen e duhun!”

    Çun Lajçi ka ndarë disa nga momentet e tyre së bashku, duke qenë i pakënaqur me vlerësimin që iu është bërë për karrierën e tyre të bujshme.

    “Dije, se nga sot e tutje për ty do t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar!”, ka shkruar Çun Lajçi në rrjetin social Facebook.

  • ​Shkencëtarët bullgarë do të bashkëpunojnë me NASA, CERN, universitetet dhe korporatat kryesore

    ​Shkencëtarët bullgarë do të bashkëpunojnë me NASA, CERN, universitetet dhe korporatat kryesore

    Instituti INSAIT në Universitetin e Sofjes është një nga rreth 50 organizatat në botë që kanë marrë ftesë për të marrë pjesë në Aleancën e parë globale historike për Inteligjencën Artificiale, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë.

    Projekti u iniciua nga IBM dhe Meta dhe të dy kompanitë e shpallën atë të hënën në SHBA. Ai synon të bashkojë mendjet më të mëdha në botë nga sektori privat, akademia dhe institucionet me qëllimin e ndërtimit të inteligjencës artificiale të hapur, të sigurt dhe të përgjegjshme.

    Numri i përgjithshëm i anëtarëve në themelimin e Aleancës u zgjodh me kujdes dhe përfshinte disa nga universitetet dhe qendrat më të forta të zhvillimit në botë, thuhet në deklaratën për shtyp të ministrisë.

    INSAIT iu bashkua institucioneve kryesore shkencore si NASA, CERN, universitetet e Harvardit, Yale, Berkeley, ETH Zurich etj., si dhe kompanive teknologjike si Sony, Linux, Intel, AMD dhe Dell.

    Instituti bullgar jo vetëm që do të marrë pjesë në Aleancë, por edhe e ka regjistruar emrin e tij ndër themeluesit e nismës. Ndikimi global i organizatave të përfshira është gjithashtu tregues i të dhënave të grumbulluara – buxheti i tyre total për aktivitetin zhvillimor tejkalon 80 miliardë dollarë në vit, ato punësojnë gjithsej një milion njerëz, si dhe mbi 400.000 studentë, tha Ministria e Arsimit.

    Në prezantimin e projektit, IBM dhe Meta theksuan se ky është një moment kyç për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe të ardhmen e saj. Këto teknologji po prezantojnë aftësi pothuajse çdo ditë që mund të përmirësojnë mënyrën se si njerëzit punojnë, jetojnë, mësojnë dhe ndër-veprojnë me njëri-tjetrin, thanë ata.

    Megjithatë, organizatat vunë në dukje se ky përparim i jashtëzakonshëm është bërë i mundur nga dekada të inovacionit në një ekosistem të hapur midis shkencës, bizneseve dhe institucioneve. Megjithatë, ndërsa inteligjenca artificiale përparon, njerëzimi duhet të zhvillojë gjithashtu aftësinë për të menaxhuar sigurinë. Ky është gjithashtu një prioritet kryesor për Aleancën.

    Një synim strategjik është gjithashtu zhvendosja e fokusit nga korporatat e mëdha që zhvillojnë teknologji me vizionin e tyre për inteligjencën artificiale. Kjo është arsyeja pse Aleanca e vendos fokusin e transformimit të ardhshëm pikërisht në bashkëpunimin e hapur dhe përdorimin e ekspertizës së gamës më të gjerë të mundshme nga organizata (kompani të vogla, qarqe akademike, agjenci shkencore, ndërmarrje të mëdha, institucione e të tjera), njëra prej të cilave është Instituti bullgar INSAIT, vuri në dukje Ministria e Arsimit.

    INSAIT, një institut për shkencën kompjuterike, inteligjencën artificiale dhe teknologjinë, i vendosur në Sofje, është instituti i parë në Evropën Lindore që ofron kushte pune të klasës botërore që korrespondojnë me ato të universiteteve dhe instituteve kryesore perëndimore.

    Instituti është i strukturuar si një njësi speciale e Universitetit të Sofjes dhe është krijuar në partneritet me ETH zvicerane të Cyrihut dhe EPFL, dy nga universitetet më të mira teknologjike në botë.

    Shkencëtarët kryesorë nga universitetet dhe laboratorët kërkimorë kryesorë amerikanë, evropianë dhe izraelitë drejtojnë dhe këshillojnë institutin. Fokusi kryesor i INSAIT është në përsosmërinë shkencore: kryerja e kërkimeve të klasës botërore, tërheqja e shkencëtarëve të shquar ndërkombëtarë dhe trajnimi i brezit të ardhshëm të studentëve dhe liderëve të teknologjisë. /BTA

  • ​Elbasan, arrestohet një 62-vjeçar për kontrabandë me bagëti

    ​Elbasan, arrestohet një 62-vjeçar për kontrabandë me bagëti

    Një 62-vjeçar është vënë në pranga për kontrabandë të bagëtive nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri.

    I.A. nga Prrenjasi u kap në Rrajcë, duke drejtuar automjetin tip “Mitsubishi”, ku mbante dy bagëti të trasha (viça) të dyshuara të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut.

    Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën gjashtë bagëti të tjera që dyshohet se janë marrë në të njëjtën mënyrë, duke qenë se ishin të pamatrikulluara konform rregullave përkatëse.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. /Tch

  • ​Edward Joseph: Daçiq në Shkup shkeli Marrëveshjen e Ohrit, ShBA e BE të jenë të vëmendshme

    ​Edward Joseph: Daçiq në Shkup shkeli Marrëveshjen e Ohrit, ShBA e BE të jenë të vëmendshme

    Eksperti i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan i Universitetit “John Hopkins” në Washington, Edward P. Joseph, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit, duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili në Shkup ditë më parë kishte thënë se Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e e OSBE-së.

    “Me afrimin e Këshillit Evropian – me konkluzionet kyçe për Serbinë dhe Kosovën në ekuilibër – Ministri i Jashtëm serb Daçiq vazhdon të avancojë kërkesën e Kosovës që Beogradi në fakt të nënshkruajë të tre propozimet e mbështetura nga BE/SHBA. Më 4 dhjetor, Daçiq nënvizoi deklaratën e presidentit Vuçiq se ai nuk e kishte nënshkruar propozimin franko-gjerman. Prandaj, Daçiq tha se, “kjo do të thotë se ne nuk pranojmë asnjë interpretim që nënkupton njohjen e Kosovës dhe se nuk ka hyrje në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në platformën X.

    “Por bllokimi i Serbisë nuk kufizohet vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB. Daçiq: “Ajo që është e mirë për OSBE-në është se Kosova nuk mund të bëhet kurrë anëtare e asaj organizate sepse për të kërkohet konsensus dhe Serbia nuk do të pajtohet kurrë me të. Procesi i vendimmarrjes është i tillë që vendimet merren unanimisht. Kjo do të thotë se Serbia duhet të pajtohet me të dhe Serbia kurrë nuk do të pajtohet me të. Është absolutisht e pamundur”, ka thënë Joseph.

    Ai tha se deklarata e ministrit serb është në kundërshtim ndaj Marrëveshjes së shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, teksa tha se ShBA e BE- duhet të jenë të vëmendshme ndaj kësaj deklarate.

    “Kjo është në kundërshtim flagrant me nenin 4 të Marrëveshjes së shkurtit BE/SHBA për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vërejtjet e Daçiqit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup javën e kaluar shkojnë përtej retorikës zgjedhore. Ato janë deklarata të qarta të politikës së kahmotshme serbe. Zyrtarët e SHBA/BE: kini parasysh.”, është shprehur profesori amerikan.