ATV

Author: ATVLive

  • Enis Gashi, Kryeprokuror i ri i Prokurorisë Themelore në Gjakovë

    Enis Gashi, Kryeprokuror i ri i Prokurorisë Themelore në Gjakovë

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 9 vota për dhe një kundër ka zgjedhur Enis Gashi, Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, raporton EO.

    Gjithashtu KPK me 7 vota për, e ka zgjedhur Zejnullah Gashi për Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Fillimisht KPK e ka votuar Blerim Isufaj me nëntë vota për si Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

  • Rritet çmimi i naftës

    Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të hënën për shkak të planit të SHBA-së për të rimbushur Rezervat Strategjike të Naftës (SPR) në mënyrë që të përfitojë nga çmimet në rënie.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 76.41 dollarë për fuçi në orën 10:35 me orën lokale, një rritje prej 0.75% nga çmimi i mbylljes prej 75.84 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të premten.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 71.71 dollarë për fuçi, 0.67% më shumë nga mbyllja e së premtes prej 71.23 dollarë për fuçi.

    Departamenti Amerikan i Energjisë (DoE) zbuloi planin e tij të premten për të blerë deri në 3 milionë fuçi naftë bruto. Vendi kishte shitur sasi masive të naftës së papërpunuar vitin e kaluar për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të benzinës./AA

  • Haxhi Shala intervistohet nga Gjykata Speciale

    Haxhi Shala intervistohet nga Gjykata Speciale

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është ftuar të hënën për intervistim nga Gjykata Speciale.

    Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

    Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

    “E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga kjo zyrë.

    Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, i ka thënë REL-it se forcat e EULEX-it kanë mbërritur në mëngjes në shtëpinë e Haxhi Shalës në fshatin Banjë të Malishevës.

    Sipas tij, aty po zhvillohen bastisje.

    “Në mëngjes kanë ardhur forcat e EULEX-it në pronat e tij, si zakonisht Specialja siç bën, arsyet nuk i dimë. Bastisjet po vazhdojnë në shtëpinë në Banjë të Malishevës. Ai është marrë në pyetje, është dërguar në EULEX në Fushë Kosovë, për më shumë nuk dimë”, ka thënë Kryeziu.

    Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

    Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales “akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

    Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë.

    Pa dhënë shumë detaje, prokuroria në Hagë kishte bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Rastet tjera në këtë gjykatë

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

    Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

    Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

    Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

    Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

    Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Gucati është liruar ndërkohë, nën disa kushte. /REL

  • Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

    Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

    Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë nënshkruar marrëveshjen mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se buxheti total i këtij programi për periudhën 2021-2027 është 1.56 miliardë euro, në kuadër të të cilit mund të përfitojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet që kanë të drejtën e pjesëmarrjes.

    “Ky program i BE-së, që njihet me shkurtesën CERV (“Citizens, Equality, Rights and Value”), synon të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse. Këtu përfshihet shoqëria civile e fuqizuar, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes demokratike, qytetare e shoqërore dhe kultivimit të diversitetit të shoqërisë evropiane, bazuar në vlerat, historinë dhe kujtesën e përbashkët”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu thuhet se përfitues këtij programi mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe procesi i aplikimit bëhet drejtpërdrejt për grante në BE, për çdo thirrje të hapur.

    Programi CERV ka katër shtylla: Barazia, të Drejtat dhe Barazia Gjinore – ku përfshihet promovimi i të drejtave, mos diskriminimi, barazia (përfshirë barazinë gjinore) dhe avancimi i integrimit gjinor dhe jo-diskriminues; Angazhimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve – promovimi i angazhimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike të Unionit, shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të shteteve të ndryshme anëtare dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët evropiane; Dafne (Daphne) – luftimi i dhunës, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj fëmijëve; Vlerat e Unionit – ku përfshihet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian;

    Sipas njoftimit me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të mund të përfitojë në tri shtyllat e para, pra përveç shtyllës “Vlerat e Unionit”.

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e nënshkroi marrëveshjen në emër të Republikës së Kosovës këtë muaj, ndërsa Bashkimi Evropian e nënshkroi atë paraprakisht në datën 27 nëntor. Pas nënshkrimit, Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon procedurat e tjera të nevojshme për të siguruar ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.

  • Tetë të lënduar nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” kërkuan ndihmë mjekësore

    Tetë të lënduar nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” kërkuan ndihmë mjekësore

    Një aksident trafiku ka ndodhur në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje, në të cilin janë përfshirë 14 automjete dhe janë lënduar disa persona.

    Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla për Klan Kosova ka bërë të ditur se tetë persona të lënduar nga ky aksident kanë kërkuar ndihmë mjekësorë.

    Tutje, ai është shprehur se tashmë shtatë prej tyre janë liruar dhe njëri është duke marrë ende trajtim.

  • ​Dita Ndërkombëtare e Maleve

    ​Dita Ndërkombëtare e Maleve

    Duke mbuluar rreth 27 për qind të Tokës, malet luajnë rol vendimtar në lëvizjen e botës drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

    Dita Ndërkombëtare e Maleve u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor 2003, pas shpalljes së Ditës Ndërkombëtare të Maleve nga ana e OKB-së më vitin 2002, e cila vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e maleve.

    Malet jo vetëm që sigurojnë furnizimin dhe mirëqenien e 720 milionë njerëzve në male nëpër botë, por në mënyrë indirekte përfitojnë miliarda më shumë që jetojnë në zona urbane. Praktikisht, malet sjellin ujë të pastër, energji dhe ushqim – burime që do të jenë gjithnjë e më të pakta në dekadat e ardhshme.

    Sidoqoftë, malet gjithashtu kanë shkallë të lartë të varfërisë, dhe janë jashtëzakonisht të prekshme nga ndryshimet klimatike, shpyllëzimet, degradimet e tokës dhe fatkeqësitë natyrore.

    Mbetet sfidë, identifikimi i mundësive të reja dhe të duhura që mund të sjellin përfitime të dyja, komuniteteve malore dhe atyre në ultësira, dhe që mund të çrrënjosnin varfërinë pa kontribuar në degradimin e ekosistemeve të brishta, malore.

    Ndryshe, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë përmes aktiviteteve të organizuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, të cilat synojnë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit për ruajtjen e cilësisë së jetës së njerëzve.

  • ​“Si në kohën e Millosheviqit”, Stradner kritikon Uashingtonin se po i beson Serbisë

    ​“Si në kohën e Millosheviqit”, Stradner kritikon Uashingtonin se po i beson Serbisë

    Analistja amerikane, Ivana Stradner ka reaguar pas një postimi të Ambasadës së ShBA-së në Serbi, dedikuar raporteve të mira ekonomike mes dy vendeve.

    Sipas saj, njëjtë si në kohën me Millosheviqin, Uashingtoni beson ende se ekonomia është problemi kryesor në Serbi. Derisa ka shtuar se qeveria serbe këtë po e shfrytëzon me kënaqësi.

    “Uashingtoni ende beson me naivitet se ekonomia është problemi kryesor në Serbi. E të mendosh se qeveria serbe po e shfrytëzon me kënaqësi. Këtë besonte Uashingtoni edhe në vitet ’90 me Millosheviqin… dhe mendonte se ekonomia e tregut të hapur do të parandalonte luftërat”, ka shkruar ajo në X, teksa ka shpërndarë postimin e Ambasadës amerikane në Beograd.

    Ndryshe, në postimin e kësaj ambasade thuhet se “marrëdhëniet tregtare amerikano-serbe janë të forta dhe bëhen më të forta. Kompanitë amerikane e dinë se Serbia e ka vendin në Perëndim. Pyetja e vetme është se sa shpejt do të arrijnë atje.”

  • ​Pioli rrezikon shkarkimin, Abate shihet si pasues i tij

    ​Pioli rrezikon shkarkimin, Abate shihet si pasues i tij

    Durimi ka filluar përfundojë për trajnerin e Milanit, Stefano Pioli dhe raportet sugjerojnë se përballja e ardhshme e Ligës së Kampionëve me Newcastle United mund të vendosë fatin e tij në klub.

    Kuqezinjtë pësuan një humbje të dhimbshme 3-2 ndaj Atalantës të shtunën, një rezultat që i lë ata nëntë pikë prapa liderit të ligës Interit pas 15 ndeshjesh. Ishte një rezultat tepër zhgënjyes për Piolin dhe lojtarët e tij, të cilët mund ta kenë përjashtuar veten nga gara për titull këtë sezon.

    Pozicioni i Milanit nuk është më i mirë në Ligën e Kampionëve, ku ata janë në fund të Grupit F me një ndeshje të mbetur për të luajtur. Skuadra e Piolit duhet të mposhtë Newcastle të mërkurën dhe shpreson që Borussia Dortmund të mundë Paris Saint-Germain për t’u kualifikuar në fazën eliminatore.

    Siç raportohet nga “TMË”, Pioli rrezikohet të shkarkohet nëse Milani pëson humbje ndaj Newcastle në ndeshjen e tyre të ardhshme në Ligën e Kampionëve, përcjellë KosovaPress.

    Drejtuesit e klubit kanë filluar të humbasin besimin te trajneri, i cili nuk ka arritur të stabilizojë skuadrën këtë sezon.

    Një raport i fundit sugjeroi se ish-sulmuesi Zlatan Ibrahimovic mund ta ndihmojë Milanin në një epokë pas Piolit, ndoshta duke punuar ngushtë me trajnerin e Primavera, Ignazio Abate, i cili do të bëhej trajneri i përkohshëm deri në fund të sezonit.

  • ​17 persona lëndohen nga përplasja e trenit në Itali

    ​17 persona lëndohen nga përplasja e trenit në Itali

    Një aksident që përfshin dy trena në linjën hekurudhore Bologna-Rimini pranë Faenza vonë të dielën shkaktoi lëndimin e 17 personave.

    Asnjë nga njerëzit nuk u lëndua rëndë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë shkakun e përplasjes me shpejtësi të ulët mes një treni me shpejtësi të lartë dhe një lokomotivë rajonale që po udhëtonin në të njëjtin drejtim.

    Operatori hekurudhor Trenitalia tha herët të hënën se trafiku në rrjetin e shpejtësisë së lartë ishte kthyer në normalitet pas disa orësh ndërprerje të shkaktuar nga përplasja.

  • ​Suharekë: Vdes një burrë pasi u rrëzua nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra

    ​Suharekë: Vdes një burrë pasi u rrëzua nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në Suharekë ka ndërruar jetë aksidentalisht.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se viktima ishte rrëzuar nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    “Suharekë. 10.12.2023 – 10:50. Është raportuar se viktima mashkull kosovar ishte rrëzuar nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve për ceremoni varrimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.