ATV

Author: ATVLive

  • ​Zyrtare, Ibrahimovic kthehet te Milani

    ​Zyrtare, Ibrahimovic kthehet te Milani

    Zlatan Ibrahimovic është rikthyer në Milano dhe zyrtarisht janë zbuluar detyrat e tij si “Partner Operativ” dhe “Këshilltar i Lartë për Pronësi”.

    RedBird sapo kanë konfirmuar rikthimin e ish-sulmuesit në San Siro me një deklaratë zyrtare ku kanë shpjeguar edhe detyrat e Ibrahimovic në pozicionin e tij të ri.

    “Si një partner operativ në RedBird, Ibra do të bashkëpunojë me ekipin global të investimeve të RedBird për të mbështetur portofolin ekzistues të investimeve të firmës në sport, media dhe argëtim,” thuhet në deklaratë.

    “Ai do të ndihmojë në burimin dhe vlerësimin e mundësive të reja të investimit për firmën dhe do të këshillojë kompanitë e portofolit RedBird mbi projektet komerciale, strategjitë e përmbajtjes dixhitale dhe iniciativat strategjike të ndërtimit të markave për të zgjeruar praninë e tyre në baza globale.”

    Ish-sulmuesi do të ketë një rol kyç edhe te Milani, duke mbuluar fusha të ndryshme në klub, brenda dhe jashtë fushës.

    “Në AC Milan, Ibra do të shërbejë si Këshilltar i Lartë për Pronësinë, i cili udhëhiqet nga RedBird dhe përfshin Neë York Yankees, një nga partnerët më të vjetër të RedBird në sport,”

    Kjo do të thotë se suedezi do të ketë një rol aktiv si në Casa Milan, selinë e klubit, ashtu edhe në Milanello, ku ai do të përforcojë kulturën fituese të klubit dhe do të fokusohet në zhvillimin e lojtarëve.

    Me sa duket, Ibrahimovic është punësuar drejtpërdrejt nga RedBird, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Milani ende nuk e ka konfirmuar rikthimin e ish-sulmuesit në rrjetet sociale apo përmes faqes së tyre zyrtare.

    Ibrahimovic u tërhoq nga futbolli qershorin e kaluar duke konfirmuar vendimin e tij pas një fitoreje 1-0 ndaj Hellas Verona në San Siro.

    Ai shënoi 156 gola në 283 ndeshje në Serie A gjatë karrierës së tij si lojtar dhe fitoi dy tituj të Serie A në Milan, plus një Superkupë. Ai gjithashtu kishte ngritur Scudetton tre herë me rivalët e qytetit të Milanit, Interin përpara se të bashkohej me Barcelonën në 2009.

  • Dëshmitari serb në rastin Thaçi, prokuroria pretendon se ishte arrestuar në zonën e Suharekës

    Dëshmitari serb në rastin Thaçi, prokuroria pretendon se ishte arrestuar në zonën e Suharekës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Dejan Jeftiq, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pretendohet se ishte arrestuar nga shqiptarë të armatosur në zonën e Suharekës.

    Dëshmitari Jeftiq ka filluar të përgjigjet në pyetjet e përfaqësuesit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorit Cezary Michahlczuk.

    Prokurori, fillimisht lexoi një përmbledhje për këtë dëshmitar, për të cilin tha se është arrestuar nga shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza, të cilët më pas e kishin dërguar në Budakovë.

    “Me apo rreth 4 korrikut 1998, W01673 një person me etnicitet serb nga fshati Bulan i Suharekës, u arrestua së bashku me dy të afërm të tij afër… nga dy shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza. Tre serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë, ku janë lidhur sytë dhe i kanë pasur duart e lidhura, më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, lexoi prokurori.

    Prokurori Michalczuk tha se në vendin ku u dërguan tre serbët, të burgosur ishin edhe dy shqiptarë.

    “W01763 është marrë në pyetje nga policia në Muvlanë dhe i është thënë që ia kanë vrarë babain. Të dy serbët e tjerë po ashtu ishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë W01673 se konsideroheshin tradhtarë dhe se bashkëpunonin me policinë serbe. W01763 dhe bashkë të ndaluarit e tjerë serbë, janë lëshuar më 5 korrik 1998”, tha ai.

    Sipas prokurorit, dëshmitari më nuk ishte kthyer në fshatin e tij dhe kishte mësuar se shtëpia i ishte shkatërruar.

    “Mësoi që shtëpia e tij ishte shkatërruar pasi ishin larguar të afërmit e tij në qershor të vitit 1998. Ë01763 ka pasur nevojë për trajtim mjekësor për lëndimet e marra”, tha Michahlczuk.

    Pas kësaj, dëshmitarit iu kërkua që në një hartë të shenjëzojë disa vende në zonën e Suharekës, duke përfshirë edhe vendin se ku ka banuar në atë kohë ai dhe dy serbët e tjerë, Kërsta Jeftiq dhe Stanko Stankoviq.

    Dëshmitari Jeftiq tha se fshati Muhlan i Suharekës nuk është më shumë se 5 kilometra larg nga Budakova. Ai tha se në kohën kur u arrestua ishte i papunë.

    Ndërsa, theksoi se asnjëri prej tre serbëve duke përfshirë edhe atë, nuk kishte asnjë lidhje me policinë serbe atë kohë.

    Deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në dhe ato nga seanca përgatitore së bashku me përkthimet, u pranuan si prova materiale në këtë çështje.

    Ndryshe ky dëshmitar sipas asaj që u kuptua në seancë, kishte dhënë deklaratë për ZPS-në më 4 shtator 2020.

  • Petkoviqi takohet me Lajçakun në Bruksel: Diskutuam për marrëveshjet e arritura dhe Asociacionin

    Petkoviqi takohet me Lajçakun në Bruksel: Diskutuam për marrëveshjet e arritura dhe Asociacionin

    Kryenegociatori i Serbisë në dialogun Prishtinë-Beograd, Petar Petkoviq, ka takuar sot në Bruksel përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

    Ai ka bërë të ditur se kanë folur me Lajçakun për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “Sot në Bruksel u takova me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak me të cilin kam diskutuar për të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani me theks të veçantë për formimin e Asociacionit, por edhe për deeskalimin e nevojshëm”, shkroi Petkoviq.

    “Ekspertët tanë si pjesë e delegacionit nga Beogradi morën pjesë në diskutimet për formimin e Asociacionit dhe hartimin e statutit, si dhe çështjen e të zhdukurve dhe tema të tjera të rëndësishme. Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë”.

  • Rusia synon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në territoret e pushtuara ukrainase

    Rusia synon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në territoret e pushtuara ukrainase

    Votimet në zgjedhjet presidenciale të Rusisë – proces në të cilin pritet të fitojë presidenti aktual Vladimir Putin – do të mbahen në katër rajone ukrainase që Kremlini pretendon se i ka aneksuar vitin e kaluar, ka thënë Moska.

    Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se procesi i votimit në mars, do të zhvillohet edhe në Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson – rajone ukrainase, në të cilat Rusia nuk ka kontroll të plotë ushtarak.

    “Vendimi është miratuar në mënyrë unanime”, ka thënë zëvendëspresidenti i komisionit Nikolay Bulayev, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

    Zgjedhjet do të mbahen tri ditë, prej 15 deri më 17 mars, vendim që sipas kritikëve të Kremlinit, e bën më të vështirë garantimin e transparencës.

    Putin nuk pritet të përballet me kundërkandidat të fortë në synimet e tij për të fituar një mandat të pestë, pasi shumica e pjesëtarëve të opozitës janë të burgosur ose në ekzil.

    Pesë parti janë lejuar që t’i çojnë përpara kandidatët e tyre për zgjedhjet e vitit 2024.

    Të gjitha e mbështesin Kremlinin, dhe luftën e Moskës në Ukrainë.

    Ukraina i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “që t’i dënojë me rezolutë qëllimet e Rusisë për t’i mbajtur zgjedhjet në territoret e pushtuara ukrainase”.

    Kievi, po ashtu, i ka bërë thirrej Perëndimit, që t’i sanksionojë individët që janë përgjegjës.

    Në të kaluarën, Rusia ka mbajtur zgjedhjet në rajonet e pushtuara në Ukrainë, proces që nuk është njohur nga Kievi dhe Perëndimi.

    Moska ka mbajtur proces votimi për zyrtarët lokalë në katër rajonet ukrainase, në shtator të këtij viti.

    Një vit më herët, Moska ka mbajtur “referendum” për t’i aneksuar territoret në fjalë.

    Të dyja proceset e votimit janë dënuar prej Kievit dhe Perëndimit.

    Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, dhe ka mbajtur zgjedhje atje qysh atëherë.

    Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

  • Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

    Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

    Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturinat Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht 2,79% në raport me vendimin e datës 4.12.2023, shkruan Telegrafi Maqedoni.

    Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 si dhe të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (ЕL-1) ulen për 2.00 den/litër.

    Nga data 12.12.2023, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

    EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 76,50 (denarë/litër)

    EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 78,50 (denarë/litër)

  • Reagon Faton Klinaku: Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën ZPS-ja

    Reagon Faton Klinaku: Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën ZPS-ja

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku, ka thënë se pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.

    Më tej Klinaku ka vazhduar kritikat ndaj ZPS-së, duke thënë së “bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin, Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”.

    Operacionin ndaj Shalës e ka konfirmuar për ATV-në zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, (ZPS) Christopher Bennett, por pa dhënë detaje.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen nga ZPS.

    Ndërsa sa i përket intervistimit të Shalës, lajmin e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

    Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

    “E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

  • Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, PS-ja kërkon përjashtimin e shtatë deputetëve të tjerë të opozitës

    Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, PS-ja kërkon përjashtimin e shtatë deputetëve të tjerë të opozitës

    Partia Socialiste ka kërkuar për shkak të kaosit në Kuvend përjashtimin e 7 deputetëve të tjerë të opozitës. Vendimi pritet të jepet sot në orën 16:00.

    Deputetët për të cilët është kërkuar përjashtimi janë: Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenj, Isuf Çelaj, Luan Baçin dhe Xhelal Mziu.

    Më herët komisariati i etikës ka marrë vendimin për përjashtimin me 10 ditë të deputetëve: Sali Berisha, Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi, Edi Paloka.

    Vendimi për përjashtimin e deputetëve është marr pas trazirave të shkaktuara në Kuvend, ku janë hedhur tymuese ndërsa opozitarët kanë vijuar aksionin e tyre, duke e bërë të pamundur zhvillimin e një seance normale./euronews.al/

  • Haxhi Shala ende ndodhet në zyret e EULEX’it

    Haxhi Shala ende ndodhet në zyret e EULEX’it

    Ish deputeti, Haxhi Shala, i njohur edhe si komandant Topi, ndodhet ende në zyret e EULEX’it në Fushë Kosovë.

    Kështu tha Metush Kryeziu, kryetar i degës së OVL- UÇK’së në Malishevë.

    “Jam në kontakt me djalë të tij, por ende s’kemi informacione”, tha ai.

    Kur u pyet nëse ekziston mundësia që Shala të dërgohet sot në Hagë, Kryeziu tha “çka s’pritet prej tyre”.

    “Ende ndodhet në EULEX”, tha ai, derisa bëri të ditur se nuk e di se për çfarë dyshohet Shala.

  • Rohde e mirëpret arritjen e marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit

    Rohde e mirëpret arritjen e marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes së KEDS-it dhe Eletroseverit.

    Në një postim në llogarinë e tij në platformën X, Rhode ka shkruajtur se ky është një lajm i mirë dhe se tani duhet të ketë zbatim pa vonesa.

    “Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, është shprehur Rohde.

    Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian ditë më parë e ka mirëpritur nënshkrimin kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë, Elektrosever.

    Miroslav Lajçak me anë të një komunikate e ka quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.

  • Austria iu vendos kushte dy shteteve për lëvizje në zonën Schengen

    Austria iu vendos kushte dy shteteve për lëvizje në zonën Schengen

    Austria – e cila ka qenë në krye të kundërshtimeve brenda Bashkimit Evropian, që Rumania dhe Bullgaria të pranohen në zonën për lëvizje të lirë, Schengen – ka thënë të hënën, se mund ta ndërrojë mendjen, por vetëm për udhëtimet me aeroplanë, në këmbim të forcimit të sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së.

    Në një takim të ministrave të brendshëm të bllokut evropian, një vit më parë, në të cilin të dyja vendet kanë shpresuar se do të pranohen në zonën më të madhe në botë për udhëtime pa pengesa, Austria ka thënë se imigrimi ilegal është ende shumë i lartë dhe që Rumania dhe Bullgaria duhet të bëjnë më shumë.

    Partia konservatore austriake, Partia e Popullit, ka thënë me vite se luftimi i imigrimit të paligjshëm është çështje kyçe në fushatë.

    Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, ka qasje të njëjtë.

    Po, mund t’i imagjinoj ndryshimet, për aq kohë sa preken vetëm aeroportet, lidhur me Rumaninë dhe Bullgarinë”, ka thënë ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner për Radion ORF, duke shtuar se pozicionin e vendit të tij e ka dërguar në Komisionin Evropian dhe topi tani është në gjykatë.

    “Në anën tjetër, ka kushte të qarta për këtë gjë, kryesisht rritja e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së, kontrollet kufitare të vazhdojnë të zbatohen, dhe që azilkërkuesit të transferohen në Bullgari dhe Rumani”, ka thënë ai, duke iu referuar njerëzve që kalojnë në Austri, përmes atyre dy vendeve.

    Nëse plotësohen kushtet e tij, ai ka thënë se kontrollet e pasaportave mes Rumanisë, Bullgarisë dhe shteteve të Schengen-it mund të shmangen, por vetëm për udhëtimet me aeroplanë – zgjidhje, së cilës ai i është referuar si “Schengeni ajror”.