ATV

Author: ATVLive

  • ​Kelmendi e Selimi diskutojnë mbi bashkëpunimin e prokurorisë mes Policisë Ushtarake të FSK-së

    ​Kelmendi e Selimi diskutojnë mbi bashkëpunimin e prokurorisë mes Policisë Ushtarake të FSK-së

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar sot një takim me komandantin e Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Besnik Selimi dhe zyrtaren ligjore nga Shtabi i Përgjithshëm, Albana Çeku.

    Në takim u diskutua mbi autorizimet dhe mandatin që Policia Ushtarake e ka të përcaktuar me ligj në hetimin e veprave penale, të cilat kryhen nga pjesëtarët e FSK-së, bashkëpunimin profesional dhe ligjor ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe hetuesve të Policisë Ushtarake në fazat e procedurës penale, si dhe ofrimin e mbështetjes së ndërsjellë në çështjet që bien në kompetencë të institucioneve respektive.

    Kelmendi dhe Selimi diskutuan edhe për nevojën e mbajtjes së trajnimeve të përbashkëta dhe nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet të dyja institucioneve, thuhet në komunikatë.

  • ​I dyshuar për krime lufte, ftesë e aktakuzë për gjykim në mungesë për të akuzuarin Milan Jovanoviq

    ​I dyshuar për krime lufte, ftesë e aktakuzë për gjykim në mungesë për të akuzuarin Milan Jovanoviq

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ftuar për gjykim në mungesë të akuzuarin Milan Jovanoviq, i dyshuar për krime të luftës kundër popullatës civile.

    Në komunikatë thuhet se gjykata i bën thirrje të akuzuarit Milan Jovanoviq, të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar.

    Ftohet i akuzuari Millan Jovanoviq, nga i ati Stojan, i lindur në Ferizaj, ku edhe ka jetuar, tani me vendbanim të panjohur, me nacionalitet serb, ish polic në Stacionin policor në Ferizaj, me numër personal 0407976964759 i lëshuar nga Sekretariati i Punëve të Brendshme në Ferizaj, të marrë pjesë në seancë fillestare të caktuar më datës 21.02.2024, e mërkurë, në ora 9:30, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për çështjen penale të proceduar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të datës 27.11.2023, për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale në bashkëkryerje me persona tjerë të pa njohur, të uniformuar dhe të armatosur, krime lufte kundër popullsisë civile.

    Gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit Millan Jovanoviq, që t’ia komunikojë atë informacion Policisë së Kosovës, me qëllim të sigurimit të prezencës së akuzuarit Millan Jovanoviq në këtë çështje juridiko-penale.

  • Shoqata e të Drejtave të Pacientëve letër Kurtit, kërkon hapa konkretë drejt reformave në shëndetësi

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve letër Kurtit, kërkon hapa konkretë drejt reformave në shëndetësi

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti në të cilën kërkohen të ndërmerren hapa konkretë për reformat në sistemin e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore.

    Në Ditën ndërkombëtare të mbulimit universal me shërbime shëndetësore, Shoqata e të drejtave të Pacientët në Kosovë rikujton kryeministrin Kurti se qe nga takimi i fundit që ata kishin më 12 dhjetor 2019 e deri më tash, shumë pak është vepruar në drejtim të sigurimeve shëndetësore për qytetarët.

    “Qeveria sot as nuk është duke e bërë ndonjë matje rreth nivelit të mbulimit të popullatës me shërbime dhe as të nivelit të mbrojtjes nga risku financiar. Sot nuk kemi të dhëna se sa janë nevojat e paplotësuara me kujdes shëndetësor dhe as se sa janë shpenzimet katastrofike të qytetarëve në marrjen e këtyre shërbimeve”, thotë Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vërehet se për një periudhë pesëvjeçare, shërbimet në kujdesin parësor kanë rënë për mbi 20% ose rreth një milion vizita mjekësore më pak, ndërsa shërbimet stomatologjike kanë rënë për trefish apo mbi 60%. Kjo, sipas Shoqatës, tregon se rritja e buxhetit për shëndetësi nuk po ndikon në përkrahjen e qytetarëve në marrje të shërbimeve.

    “Qytetarët ose po drejtohen kah sektori privat dhe barrën e shërbimeve po e marrin vet, ose po heqin dorë nga marrja e shërbimeve, po vazhdojnë jetën me një shëndet më të lig e mbase po lëngojnë e edhe vdesin në heshtje, pa i hetuar sistemi”, thuhet në letrën e Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

    Për më tepër, Shoqata e të Drejtave të Njeriut konsideron se sistemi shëndetësor sot në Kosovë, lëngon nga mos zbatimi i ligjeve.

    “Sado që Ligji për Shëndetësi e kërkon një Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësor (SIISh), Kosova akoma vazhdon të mos e ketë një të tillë. Kjo edhe e pamundëson krijimin e një pasqyre të besueshme rreth gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë. Për më keq, në këtë gjendje Kosova nuk mundet as të bëjë krahasime me vendet tjera. Sado që Ligji për Shëndetësi kërkon mbikëqyrje të institucioneve shëndetësore, ajo nuk ndodh, sepse institucionet publike hartojnë raporte që nuk janë sipas standardit të Llogarisë Kombëtare Shëndetësore. Si të tilla, janë të varfra, të pasakta dhe të pakrahasueshme me vendet tjera. Institucionet private nuk raportojnë dhe nuk ka të dhëna se çka ndodh në atë sektor. Sado që Ligji kërkon që të gjitha institucionet të jenë të licencuara, sektorin publik e kemi të pa licencuar. Këtu nuk po zbatohet as Ligji, e as rekomandimi i Avokatit të Popullit për t’i licencuar institucionet publike shëndetësore,” thotë Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë.

    Sipas Shoqatës, reformat në sistemin e shëndetësisë po e pengojnë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ku ende pa hyrë në fuqi ky ligj ka nisur ndryshimi i tij.

    Shoqata del edhe me rekomandimet e saj në lidhje me reformimin në sektorin e shëndetësisë.

    “Dita 1 për reformën do të jetë kur të fillojnë institucionet shëndetësore të fusin të dhëna në SIISH. Dita 2 për reformën do të jetë kur do të publikohet raporti vjetor i punës dhe shpenzimeve të sistemit shëndetësor sipas modelit të rekomanduar nga OBSH. Dita 3 do të jetë hartimi i Paketës përfituese dhe kostimi i saj. Pas definimit të paketës përfituese do të duhej të fillojë pilotimi i saj që normalisht do të duhej të zgjaste jo më pak se 3 e jo më shumë se 5 vjet. Brenda kësaj periudhe do të duhej të kryheshin edhe shumë punë të tjera si rregullimi i regjistrit civil, rregullimi i trungut familjar, riorganizimi i institucioneve shëndetësore, hartimi i listave të pacientëve – përzgjedhja e mjekut familjar, licencimi i institucioneve publike shëndetësore, themelimi i Këshillit të pacientëve. Çdo aktivitet i shpalosur në skenë me pompozitet se “Këto janë sigurimet”, na bënë të dyshojmë se qasja ndaj reformës është joadekuate. Ne e patëm vlerësuar shumë krijimin e Komisionit Ekzekutiv për shëndetësi, pasi që parakushtet që u përmenden më lartë për të filluar në sigurim shëndetësor të mirëfilltë, shkojnë shumë përtej Ministrisë së Shëndetësisë, prandaj duhet të ketë një gjithëpërfshirje në këtë drejtim. Është dekurajuese pse ai Komision nuk e ka vazhduar punën”, përfundon letra.

  • Reagon djali i Haxhi Shalës: Sot u informuam për transferimin e tij në Hagë, por nuk e dimë arsyen – jemi të bindur për pafajësinë e tij

    Reagon djali i Haxhi Shalës: Sot u informuam për transferimin e tij në Hagë, por nuk e dimë arsyen – jemi të bindur për pafajësinë e tij

    Djali i Haxhi Shalës, Flakroni ka reaguar për arrestimin e babait të tij nga Gjykata Speciale.

    Në një njoftim të bërë në Facebook, Flakroni thotë se ka marrë informacione se babai i tij është transferuar sot në Hagë.

    Tutje ai thotë se familja janë të bindur në pafajësinë e tij, pasi sipas tyre gjykata është e njëanshme.

    “Përshëndetje të gjithëve. Prej ditës së djeshme dhe sot kemi marrë shumë telefonata për gjendjen e babit nga media dhe nga miqtë e babit. Kërkoj falje që nuk e hapa telefonin pasi ne si familje kemi qenë në një situatë që nuk kishim asnjë informacion që nga intervista e prindërit. Sot kemi marrë informacione për transferimin e tij në Hagë me urdhër të prokurorit, e ne si familje ende nuk kemi informacion për arrestimin apo ndalimin,e as arsyet se pse ai po transferohet në Hagë. Ne jemi të bindur për pafajësinë e tij dhe të të gjithë çlirimtarëve që janë në atë gjykatë, sepse kjo gjykatë është e njëanshme sepse gjykon çlirimtarët që mbrojten vendin dhe të drejtat e tyre për liri. Me respekt, Familja Shala”, ka shkruar djali i Haxhi Shalës në Facebook.

  • Motra e Liridona Ademajt flet për herë te parë publikisht rreth vrasjes

    Motra e Liridona Ademajt flet për herë te parë publikisht rreth vrasjes

    Vrasja e Liridona Admeajt mbetet e rrethuar nga misteri, teksa bashkëshorti i saj Naim Murseli akuzohet si organizatoi i krimit.

    Motra e të ndjerës, në një deklarim në News 24, ka deklaruar se nuk di asnjë sekret për çiftin, e po ashtu se motra e saj nuk i kishte folur për ndonjë problem që ajo kishte me Naimin. Ajo e përshkroi Naim Murselin si një njeri të mbyllur e jo shumë social, por që me familjen sillej shumë mirë.

    Po ashtu, e reja theksoi se asnjë familjar i saji nuk ka kërcënuar Shaban Murselin, me gjakmarrje për vrasjen e Liridonës.

    “Unë di vetëm që ka pasur jetë të lumtur, ajo ka pasur një jetë të mirë me Naimin. Na kanë thënë të gjithë për këto që përfliten, ne nuk kemi asnjë sekret. Ne i kemi dëgjuar tani vonë fjalët se ai mund ta tradhtonte por nuk e dimë a është e vërtetë. Ajo ishte njeri i mbyllur por ajo nuk na ka treguar asgjë ne si familjarë, as mua personalisht. Të gjithë kemi debate me burrat, por kjo është temë tjetër. Ajo gjithmonë fliste në praninë tonë me të. Ata nuk kanë pasur ansjë debat të rëndë që të të bënte me dyshime se mund të ndodhte diçka e rëndë. Ata s’kanë pasur asnjë debat me Shaban Murselin, pra babain e Naimit. Asnjëherë nuk i ka përzënë nga shtëpia.

    Ne ja kemi lënë në dorë drejtësisë, nuk kemi dërguar fjalë as për besë. Emrat e përmendur janë të afërmit tanë, këto janë thjesht gënjeshtra, duan të na fusin në kurth. Ne ia kemi lënë drejtësisë. Xhaviti dhe Dervishi na kanë thënë që të gjithë bashkë do e kalojmë këtë, nuk kanë bërë as kërcënime asgjë. Asnjë gjë nga ato që thuhen nuk është vërtetë as sekrete as lidhjet intime. Ai ishte kunati im, kemi pasur marrëdhënie normale. Liridona dhe Naimi jetonin veç Shabanit në Suedi. Të gjitha këto dëshmi janë të rreme çfarë po thuhen.

    Me fëmijët e Liridonës nuk jemi takuar fare ne. Nuk e di por nuk kemi pasur fare mundësi, ata janë larguar. Naimi ka qenë njeri i mbyllur më parë. Nuk është se ka pasur shumë miqësi. Ai sillej shumë mirë me ne, me gjithë familjen. Nuk ka pasur xhelozi për njëri-tjetrin, kanë qenë të lumtur. Nuk e dimë pse Liridona qëndroi shumë ditë së fundmi tek ne. Por ajo ka pasur shtëpinë e re në Kosovë pa mobilje fare dhe prandaj qëndroi tek ne”, tha ajo.

  • ​Në mungesë të votave nuk kalon draftligji për regjistrin e pronarëve përfituese

    ​Në mungesë të votave nuk kalon draftligji për regjistrin e pronarëve përfituese

    Në mungesë të votave ka dështuar të kalojë draftligji për regjistrin e pronarëve përfitues, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku po raporton ministrja Rozeta Hajdari.

    Sipas Hajdarit, miratimi i këtij projektligji do të mundësonte rregullimin e një fushe tejet të rëndësishme në një instrument të vetëm ligjor.

    “Projektligji për regjistrin e pronareve përfitues ka për qëllim krijimin, funksionimin, administrimin e regjistrit të pronarëve përfitues, përcaktimin e obligimeve të personave fizik, dhe subjekteve të detyruara të cilët regjistrojnë informacione të rëndësisë përfituese në regjistër, si dhe përcaktimin e masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të dispozitave të këtij ligji. Përmes krijimit të regjistrit të pronarit përfitues do të arrihet rritja e transparencës së rëndësisë përfitues si dhe identifikimi i pronarëve përfitues me qëllim që të dekurajohen personat juridik dhe marrëveshjet ligjore potenciale të ardhshme të cilat kanë si qëllim fshehjen e identitetit të individit dhe kryerjen e veprimtarive të paligjshme në Kosovë. Miratimi i këtij projektligji do të mundësonte rregullimin e një fushe tejet të rëndësishme në një instrument të vetëm ligjor. Kjo jo vetëm që do të lehtësonte punën e organeve zbatuese të ligjit, subjekteve të detyruara për aperkim, mirëpo dhe do të rregullonte qasjen në informacion të përshtatshëm mbi pronarët përfitues të bizneseve dhe subjekteve tjera juridike. Përmes miratimit të këtij projektligji për regjistrin e pronarëve përfitues, Republika e Kosovës do t’i bashkohej grupit të shteteve të cilat zbatojnë standarde të larta për transparencën e pronësisë përfituese dhe luftimin e krimeve ekonomike”, tha Hajdari.

    Deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku tha se kjo qeveri duke munduar të kontrollojë çdo gjë, po bie ndesh me ligjet.

    “Nuk munden OJQ që janë organizata jo përfituese me u fut në shoqërinë tregtare, sepse tek neni 3 flitet për OJQ ndërsa ekziston ligji për OJQ, bie që OJQ nuk janë përfituese…Tash mund të kthehemi në BE, se për që dëshironi të kontrolloni çdo gjë kjo po duket, por problemi është që po bini ndesh me ligjin ekzistues ”, tha Bunjaku.

    Këtë e ka kundërshtuar ministrja Hajdari. Sipas saj kjo qeveri është duke punuar me parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

    “Qeveria Kurti me parimet e transparencës dhe llogaridhënies është e dedikuar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që garanton më shumë transpozim të direktive që ofrojnë transparencë dhe llogaridhënie për qeverisje të mirë në Republikën e Kosovës”, tha Hajdari.

    Ndërsa, deputetja Bunjaku ja ktheu duke thënë se për transparencë mund të marrë pjesë në komisionin hetimor nga ora 13:00, duke shtuar se ministrja Hajdari po mundohet t’i ikë temës.

    “Atëherë për transparencën e juaj ora 13:00 kemi Komisionin Hetimor, nuk ke tema aty, ishte që ajo që keni paraparë, nuk mundeni të fshihni të BE, ndërsa të bini kundërshtim me ligjet ekzistuese, sepse OJQ nuk mund të jenë barabartë me shoqëri tregtare, dallon, mendoj se keni bërë lëshim ose gabim, apo qëllimisht sepse po doni të kontrolloni”, tha Bunjaku.

    Në këtë komision pritet të shqyrtohet edhe projekt-rezoluta për raportin vjetor të ZRRE-së për vitin 2022, dhe ku do të raportojë ministrja Rozeta Hajdari, për nivelin e zbatimit të Ligjit për tregti me jashtë. /kp

  • Dështon mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, mungojnë deputetë të LVV-së

    Dështon mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, mungojnë deputetë të LVV-së

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore për shkak të mungesës së kuorumit. Në këtë mbledhje kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Kryetari i këtij Komisioni, Rashit Qalaj theksoi se fatkeqësisht kjo mbledhje nuk mund të mbahet pa prezencën e anëtarëve të partisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se në këtë mbledhje në rend dite ishte paraparë të diskutohet për buxhetin e Komisionit dhe për angazhimin e ekspertëve.

    “Fatkeqësisht kemi mungesë të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk kemi kuorumin e duhur. Sot kemi pasur të diskutojmë dy pika të rëndësishme të rendit të ditës, që ka pasur të bëjë me buxhetin për këtë Komision si dhe për angazhimin e ekspertëve, të cilët do të na duheshin. Dhe po ashtu kemi pasur një pikë tjetër ku kemi pasur me diskutuar për çështjen e dokumentacionit për punën e këtij komisioni, mirëpo më pamundësi që të vazhdojmë me punë, ne duhet ta mbyllemi këtë tentativë të takimit, duke shpresuar që do ta mbajmë një takim tjetër shumë shpejt, ani se këto varen shumë nga prezenca e kolegëve nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse ne si deputet të opozitës nuk e kemi numrin e mjaftueshëm të votave. Kështu me keq ardhje do të mbyllim këtë takim për shkak të mungesës së deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi Qalaj.

    Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore ishte konstituar pas 7 tentimeve. /KP

  • ​SPAK i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e Sali Berishës

    ​SPAK i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e Sali Berishës

    Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon autorizimin nga Kuvendi për të ekzekutuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” ose “Arrest me Burg” për ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili po hetohet nga struktura e posaçme anti-korrupsion mbi procedurat e ndjekura për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”.

    Sipas burimeve zyrtare nga SPAK, bëhet me dije se ndryshimi i masës së sigurisë nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” apo “Arrest me burg”, ka ardhur pasi Ish Kryeministri Berisha nuk ka zbatuar masën shtrënguese të caktuar fillimisht nga organi posaçëm i akuzës, atë të detyrimit të paraqitjes. Kësisoj, në bazë dhe të parashikimeve ligjore të kodit të procedurës penale për këto raste, SPAK ka të drejtë të kërkojë dhe ashpërsimin e masës së sigurisë arrest shtëpie apo arrest me burg.

    “Kemi bërë kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, bën me dije SPAK për ATSH.

    Berisha akuzohet nga SPAK se ka konsumuar veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Sipas SPAK, Sali Berisha i cili në atë kohë mbante postin e kryeministrit, ka ushtruar presion ndaj administratës për përfundimin sa më parë të procedurave të privatizimit të ish-klubit “Partizani” nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro. /atsh/

  • Njoftim i rëndësishëm nga Ministria e Financave për pensionistët që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ’90

    Njoftim i rëndësishëm nga Ministria e Financave për pensionistët që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ’90

    Ministria e Financave ka bërë të ditur se të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë 15 vite stazh pune, mund të regjistrohen për kalim në pension parcial kontribuiv deri më 31 dhjetor të këtij viti.

    Sipas njoftimit, të gjithë ata që s’kanë pasur mundësi të aplikojnë përmes formularit elektronik, kanë mundësi që të aplikojnë duke u paraqitur fizikisht në Zyrat Pensionale në rajonin e tyre përkatës, duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

    “Vëmendje: pensioni parcial kontributiv do të jetë skemë e përhershme. Qytetarët që duan të përfitojnë në mënyrë retroaktive nga korriku 2023 duhet të aplikojnë deri më 31 dhjetor 2023. Ndërsa, për aplikimet pas kësaj date, kompenzimi bëhet nga muaji prej kur aplikuesi kualifikohet për pension parcial kontribuiv”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    📣 Njoftojmë të gjithë qytetarët se mund të regjistrohen për kalim në pension parcial kontribuiv deri më datë 31 dhjetor 2023

    Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë 15 vite stazh pune kanë mundësinë të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontribuiv.

    Të gjithë ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë përmes formularit elektronik, kanë mundësinë që akoma të aplikojnë duke u paraqitur në Zyrat Pensionale në Rajonin e tyre përkatës dhe dorëzuar dokumentacionin si në vijim:

    🔹Kopjen e letërnjoftimit të vlefshëm të Republikës së Kosovës; dhe
    🔹Dëshmi se janë larguar nga puna si rezultat i aplikimit të masave të dhunshme e cila mund të jetë njëra nga dokumentet në vijim:
    🔸Libreza e punës e mbyllur në vitet e aplikimit të masave të dhunshme, nga 01.01.1989 e tutje;
    🔸Vendimi i largimit nga puna si rezultat i aplikimit të masave të dhunshme;
    🔸Lista e punëtorëve të institucioneve dhe organizatave/sindikatave të pavarura, të larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme pas 01.01.1989, e vërtetuar nga institucioni përkatës;
    🔸Regjistri i protokollit të organizatave punuese që janë privatizuar, i vërtetuar nga institucioni përkatës;
    🔸Dëshmi nga ish BVI-ja e punësimit;
    🔸Dëshmi për reduktim të vendeve të punës, për shkak të masave të dhunshme të tepricës teknologjike;
    🔸Formulari M-2 për ndërprerjen nga sigurimi;
    🔸Çdo dëshmi tjetër të cilën pala e posedon dhe e cila dëshmon se i njëjti është larguar nga puna në vitet 90-ta si rrjedhojë e masave të dhunshme.

    ℹ️ Të gjithë qytetarët që kanë pyetje në lidhje me kalimin në pension parcial kontribuiv mund të kontaktojnë zyrat e pensioneve në rajonin e tyre përkatës.
    • Rajoni i Prishtinës: 038 213 268
    • Rajoni i Prizrenit: 0290 242 454
    • Rajoni i Pejës: 039 431 217
    • Rajoni i Gjilanit: 0280 324 555
    • Rajoni i Gjakovës: 0390 326 999
    • Rajoni i Mitrovicës: 028 533 010
    • Rajoni i Ferizajt: 029 320 403

    Vëmendje: pensioni parcial kontributiv do të jetë skemë e përhershme. Qytetarët që duan të përfitojnë në mënyrë retroaktive nga korriku 2023 duhet të aplikojnë deri më 31 dhjetor 2023. Ndërsa, për aplikimet pas kësaj date, kompenzimi bëhet nga muaji prej kur aplikuesi kualifikohet për pension parcial kontribuiv.

  • ​Papunësia në Shqipëri ulet në shifra historike

    ​Papunësia në Shqipëri ulet në shifra historike

    Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10.5%, në tremujorin e tretë 2023, duke pësuar një rënie historike.

    Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

    Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

    Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, raporton Monitor.

    Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.

    Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.

    Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve.

    Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Punësimi ulet me 2,5% në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

    Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2%.

    Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8%.

    Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2%.

    Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

    Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5%, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

    Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

    Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

    Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%.

    Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%. /TopChannel/