ATV

Author: ATVLive

  • ​Pesë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

    ​Pesë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

    Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018 miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

    Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

    Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

    Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”./kp/

  • ​Sot vendoset fati i Ballkanit në Evropë

    ​Sot vendoset fati i Ballkanit në Evropë

    Ballkani do ta zhvillojë sot ndeshjen vendimtarë në Ligën e Konferencës.

    Kampioni i Kosovës nga ora 21:00 do të luajë në udhëtim kundër Dinamos së Zagrebit, skuadër ndaj së cilës i nevojitet vetëm fitorja për t’u kualifikuar në raundin tjetër të kësaj gare, në të kundërtën, kampioni i Kosovës do të përshëndetej me arenën ndërkombëtare për këtë edicion, raporton KosovaPress.

    Në grupin C, Ballkani renditet i fundit me katër pikë, kurse Dinamo është e dyta me gjashtë sosh, andaj me një fitore eventuale, suharekasit do të vazhdonin tutje.

  • Agjencia për inteligjencë e FSK-së, ende larg themelimit

    Agjencia për inteligjencë e FSK-së, ende larg themelimit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Derisa ushtarët vazhdojnë të përballen me mungesë transporti nga shtëpia në kazermë, Qeveria, për Forcën e Sigurisë gjatë ditës ndau edhe dhjetëra miliona euro.

    “Me këtë ndarje, prej 40 milionë eurove, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje tejkalon nivelin 200 milionë euro, apo mbi 2 % të bruto produktit vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Por, pavarësisht buxhetit të lartë për ushtrinë, ende nuk është arritur të themelohet Agjencia e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri, meqenëse ligji për këtë institucion vazhdon të jetë në Kuvend.

    Derisa Kuvendi është në pritje të seancës për leximit të dytë, anëtarët e Komisionit për Siguri po mësojnë nga praktikat e shteteve në rajon, që Agjencia kurdo që themelohet, të jetë sa më funksionale.

    “Ishim në Shqipëri për të marrë praktikë, meqë ata e kanë që prej kohësh një institucion të tillë”, tha kryetari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli.

    Kryetari i Komisionit për Siguri nuk jep ndonjë datë se kur mund të themelohet Agjencia, por ministri i Mbrojtjes u shpreh më optimist.

    VOX: ENVER DUGOLLI, KRYETAR I KOMISIONIT PËR SIGURI
    “Vitin e ardhshëm besoj se kalon në lexim të dytë… pastaj themelimi besoj se do ndodhë”, tha Dugolli.

    Ligji për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri, në Qeveri u votua në fund të muajit mars, ndërsa në Kuvend në lexim të parë kaloi në fillim të korrikut.

  • ASK-ja në përgatitje të tabletëve për regjistrimin e popullsisë

    ASK-ja në përgatitje të tabletëve për regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Tabletët, për shkak të të cilëve u shty për disa herë procesi i regjistrimit të popullsisë, i morën. Më një ekip prej 45 personash, Agjencia e Statistikave e Kosovës ka filluar punën për funksionalizimin e 3 mijë e 500 tabletëve, me të cilët do të bëhet regjistrimi i popullsisë, proces që pritet të nisë më 5 prill të vitit të ardhshëm.

    Tabletët për të qenë të gatshëm do t’iu nënshtrohen disa proceseve, duke filluar nga vendosja e një kodi.

    Pas kësaj, tablatëve iu bëhet konfigurimi e instalimi i aplikacionit.

    Pasi tabletët të jenë gatshëm, ata do të shpërndahen me afro 1 mijë kuti, të cilat ASK-ja i mori nga Komisioni qendror i zgjedhjeve.

    Funksionalizmin e mbi 50 për qind të tabletëve, Limolli thotë se e kanë bërë derisa shton se në radhë është pranimi dhe trajtimi i regjistruesve.

    Regjistrimi i popullsisë me tablet do të bëhet për herë të parë në Kosovë.

    Ky proces është shtyrë për disa herë, pasi Agjencia e Statistikave nuk ishte e gatshme ta fillojë, ndër të tjera edhe për shkak të vonesave në pranimin e tabletëve.

  • Gati një vit nga Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE

    Gati një vit nga Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Më 15 dhjetor bëhet një vit prej kur kryeministri Albin Kurti dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit edhe nga opozita, por edhe nga njohës të politikave të Bashkimit Evropian, vlerësohet të jetë e gjatë.

    “Minimumi duhen 18 muaj kohë, derisa komisioni ta dorëzojë në këshill e duhet më pas një unanimitet i të gjitha vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian gjë të cilën nuk e ka Kosova këtë privilegj. Mandej nëse kalon një gjë e tillë duhet të kalojë në të gjitha parlamentet dhe më pas e autorizojnë komisionin për të shikuar nëse i kemi përmbushur kriteret”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

    Përpos që ishte i vetmi shtet që aplikon për anëtarësim e njëkohësisht nuk njihet si shtet nga 5 shtete anëtare të BE-së, Kosova është larg anëtarësimit edhe në aspektin e politikës së brendshme.

    “Kriteri më i rëndësishëm është sundimi i ligjit e ne jemi larg. Edhe të gjitha raportet kanë kritika për sundimin e ligjit”, tha Arifi.

    Derisa, kryeministri e kishte quajtur ditë historike 15 dhjetorin e 2022-s, një vit pas rrugën drejt anëtarësimit e pengojnë edhe masat që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës.

    “Nuk mund të flasim për anëtarësim kur prej vendeve që presim përkrahje jemi të sanksionuar. Anëtarësimi mund të jetë vetëm dëshirë aktualisht”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

    “Kosova gjendet nën masat e BE-së, me ç’rast edhe më shumë është larguar Kosova nga rruga evropiane në qeverisjen Kurtit”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    Në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia dhe Mali i Zi mund të lavdërohen sa i përket progresit.

    Derisa Kroacisë iu deshën 10 vjet për anëtarësim të plotë, Mali i Zi qysh në vitin 2008 paraqiti kërkesën për anëtarësim. Deri më tani ka të hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave dhe zyrtarisht është shtet kandidat për anëtarësim.

  • Haxhi Shala del para trupit gjykues, nuk deklarohet për akuza

    Haxhi Shala del para trupit gjykues, nuk deklarohet për akuza

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një ditë pas arritjes në Hagë, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, u ul në bankën e të akuzuarit, në paraqitjen e tij të parë, para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.

    Sipas rregullores së punës dhe provave, Shalës iu lexua aktakuza, sipas të cilës ai akuzohet për frikësim dhe kërcënim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.

    “Në aktakuzën e konfirmuar, prokuroria e specializuar akuzon zotëri Haxhi Shalën për tentimin e pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi e ndëshkueshme në bazë të Nenit 401, dhe pika 3 frikësim i procedurës penale. Marrëveshje për të kryer së bashku me zotërinë Ismet Bahtijari dhe zotërinë Sabit Januzi vepra penale në pikat 1 dhe 3. Këto vepra penale u kryen më së paku mes 5 dhe 12 prillit të vitit 2023”, tha sekretarja e Gjykatës Speciale.

    Në këtë seancë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nikola Giju, e ka njoftuar të pandehurin se mund të paraqitet për pafajësinë e tij brenda 30 ditësh, mirëpo ai
    nuk është deklaruar lidhur me fajësinë, apo pafajësinë e tij.

    “Pa i marr materialet nga prokuroria nuk mund të deklarohem sot, po e lëmë për seancën tjetër”, tha Haxhi Shala.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Giju, tha se Shalës i është caktuar një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

    “E drejta juaj për mbrojtje do të respektohet, për këtë qëllim, duke marrë parasysh parashtrimin e protokolluar të zyrës administrative, ku më informojnë për caktimin e avokatit kujdestar, në kohën që presim emërimin e avokatit tuaj përfundimtar, ju është caktuar si avokat kujdestar zotëri Lorens Imbrug”, tha Giju.

    Në fund të kësaj seance gjyqtari i procedurës paraprake, Nikola Giju, tha se do të caktohet një seancë e re për vetëdeklarimin e Shalës lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij.

    Derisa tha se do të caktohet edhe data kur do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes.

    Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

  • Qeveria i konsideron dezinformata pretendimet se komunat po diskriminohen

    Qeveria i konsideron dezinformata pretendimet se komunat po diskriminohen

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pretendimet se Qeveria ka ndarë më shumë mjete financiare për investime të reja kapitale për komunat në të cilat udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur të pavërteta.

    Megjithatë, Instituti GAP vlerëson se gjysma e mjeteve buxhetore të parapara për investime kapitale nga niveli qendror janë dedikuar për katër komunat që i udhëheq LV-ja.

    Ndarjet buxhetore për vitin 2024 për investimet e reja kapitale për komunat po konsiderohen diskriminuese në baza partiake edhe nga kryetari i Rahovecit që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Duke e konsideruar si diskriminimin më të egër institucional ndaj qytetarëve që nga paslufta, kryetari i PDK-së tha se për katër komunat që udhëhiqen nga subjekti i tij – Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik e Han i Elezit, nuk është ndarë asnjë cent.

    Ndryshe, nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja nga ministritë, mbi 13 milionë janë dedikuar për katër komunat që i udhëheq LV-ja.

  • Qeveria ndan 54 mijë euro buxhet për institutin e Leposaviqit, i cili s’e njeh shtetin e Kosovës

    Qeveria ndan 54 mijë euro buxhet për institutin e Leposaviqit, i cili s’e njeh shtetin e Kosovës

    Përgatiti: Nora Luta

    Një Institut kulturor paralel i ashtuquajtur i Kulturës Serbe-Prishtinë me seli në Leposaviq, i akredituar nga Serbia, po financohet edhe nga buxheti i Kosovës.

    Institutit, i cili ndodhet rreth 300 metra larg objektit të Komunës së Leposaviqit, nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm i janë ndarë 54 mijë e 778 euro.

    Ky Institut, i cili para periudhës së luftës kishte pasur selinë në Prishtinë, financohet nga Serbia dhe funksion me ligje të këtij shteti, e në hyrje të tij ndeshesh me simbole të strukturave paralele, sikurse Kosova dhe Metohija.

    Në ndarjen e buxhetit, vetëm për paga dhe shtesa për pesë të punësuar, siç thuhet për vitin 2024, janë planifikuar 38 mijë euro.

    Brenda tij janë më shumë se 5 punëtorë, të cilët refuzojnë të ndajnë informacione me televizionin.

    Ai është akredituar ndër vite nga Serbia si institut shkencor në fushën e shkencave sociale dhe humane, e së fundi në vitin e kaluar.

    “Përgjatë historisë së tij dhjetëvjeçare, Instituti ka evoluar në një institucion serioz shkencor që merret kryesisht me studimin e kulturës serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, thuhet ndër të tjera në përshkrimin rreth veprimtarisë së këtij institutit në web-faqen e tij.

    Në të, në mesin e linçeve të përdorshme, është bashkangjitur edhe ai që të dërgon në faqen elektronike të Ministrisë së Arsimit të shtetit serb.

    E ndër projektet e përfunduara gjatë dhjetë vjetëve të fundit është edhe ai, sikurse “Kultura materiale dhe shpirtërore e Kosovës dhe Metohisë”.

    Ministria e Arsimit e Kosovës, në një përgjigjeje për ATV ka thënë se kjo linjë buxhetore është e trashëguar tash e më shumë se 10 vjet, duke shtuar se buxhetin për vitin e ardhshëm Insitutit mund ta shfrtyëzojë vetëm nëse e njeh Republikën e Kosovës.

    “Për njohurinë tuaj, që nga koha kur e kemi marrë mandatin si Qeveri, këtij Instituti nuk i është ndarë asnjë cent. Buxheti për Institutin e Leposaviqit vazhdon të qëndrojë edhe për vitin e ardhshëm në mënyrë që nëse janë të gatshëm ta njohin Republikën e Kosovës, sistemin e arsimit në Kosovë si dhe të veprojnë sipas legjislacionin tonë, ta kenë buxhetin në dispozicion. Në të kundërtën nuk mund ta shfrytëzojnë këtë buxhet”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

    Deri në vitin 2026 vlera e buxhetit për këtë institutit sipas ndarjes buxhetore që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës parashihet të arrijë deri në shumën prej rreth 74 mijë eurosh.

  • Qeveria ndau nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Qeveria ndau nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Mbledhjen me më së shumti vendime deri më tani dhe më të gjatën në 33 muaj qeverisje, kabineti qeveritar e mbajti këtë të mërkurë.

    Në mbledhjen e 178-të Qeveria miratoi nga 100 euro shtesa për fëmijët. Po ashtu, u miratua edhe ndarja e një shtese njëherëshe prej 100 eurove për pensionistët.

    “Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve bazuar në të ardhurat e familjes. Besoj u kujtohet premtimi që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100, apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Për të gjithë pension marrësit, këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këto kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Për t’i marrë nga 100 euro, prindërit nuk kanë nevojë për aplikim, pasi mjetet do të kalojnë në xhirollogarinë e tyre.

    Qeveria e Kosovës, gjithashtu, ndau edhe 4 milionë euro për bizneset dhe bujqit që u prekën nga përmbytjet gjatë shtatorit 2022 dhe janarit 2023. Në mbledhjen e parafundit për këtë vit, ekzekutivi shqyrtoi edhe projektligjin për kontrollin e kufirit shtetëror.

    Kabineti qeveritar votoi edhe për themelimin e një Mekanizmi që do të mbikëqyrë lëvizjet e qytetarëve të Kosovës pas liberalizimit të vizave.

  • Serbisë mund t’i shtohet një kusht i ri për anëtarësim në BE

    Serbisë mund t’i shtohet një kusht i ri për anëtarësim në BE

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian ka bërë një hap drejt kushtëzimit të rrugës së anëtarësimit të Serbisë me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

    Në konkluzionet për zgjerim, të miratuara të martën në Këshillin për Çështje të Përgjithshme, kërkohet që “Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë urgjentisht t’i propozojnë Këshillit, para fundit të Janarit 2024, t’i ndryshojë kriteret në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim të Serbisë, për të pasqyruara detyrimet e Serbisë, të cilat rrjedhin nga Marrëveshja dhe Shtojca për Zbatim.”

    Konkluzionet pritet t’u paraqiten për diskutim dhe miratim liderëve të shteteve anëtare në kuadër samitit të Këshillit Evropian, më 14 dhe 15 dhjetor.

    Përkundër paralajmërimeve për bllokim nga Hungaria të këtij propozimi, konkluzionet kaluan hapin e parë.

    Shtimi përfundimtar i këtij detyrimi në Kapitullin 35 të negociatave për Serbinë, sipas Fitim Mulollit, do të bënte të pashmangshëm zbatimin.

    “Në qoftë se do të kemi miratim final dhe këto obligime do t’i futen Serbisë në kapitullin 35 për anëtarësim në BE, atëherë i bën të gjitha debatet për nënshkrim apo mosnënshkrimit jorelevant, sepse Serbia detyrohet që të zbatojë të gjitha marrëveshjet që i ka arritur me Kosovën”, tha Mulolli.

    Kjo kërkesë-propozim, sipas politologut Fidan Ukaj, tregon se Bashkimi Evropian është i vendosur që ta detyrojë Serbinë në zbatim, përkundër taktizimeve të saj.

    “BE-ja po mundohet të gjejë mekanizma dhe forma për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe tashmë e ka gjetë zgjidhjen duke e futur marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit në Kapitullin 35 dhe duke i treguar Serbisë se rruga për në BE është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit”, tha Ukaj.

    Javën e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vucic tha se marrëveshja e 27 Shkurtit dhe shtojca e 18 Marsit, mund të shtohen si kushte për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.