ATV

Author: ATVLive

  • Sondazhi: Kosova, më e padëshiruara nga evropianët në BE, Ukraina më e pranueshme

    Sondazhi: Kosova, më e padëshiruara nga evropianët në BE, Ukraina më e pranueshme

    Evropianët janë përgjithësisht të hapur ndaj idesë për anëtarësimin e Ukrainës në BE pavarësisht nga kostot dhe rreziqet, por më të ftohtë ndaj pranimit të Gjeorgjisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosovës, sipas një ankete.

    Komisioni Evropian muajin e kaluar e rekomandoi fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë. Qeveritë e 27 vendeve të BE-së pritet që ta diskutojnë këtë propozim në një samit në Bruksel javën e ardhshme, edhe pse kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, disa herë ka thënë se e kundërshton hapjen e bisedimeve me Kievin, raporton gazeta “The Guardian”.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të hënën se do të ishte “shkatërruese” për Kievin dhe për BE-në, nëse në samitin e bllokut nuk mbështetet fillimi i bisedimeve për anëtarësim. “Nuk mund ta imagjinoj… Nuk dua as të flas për pasojat”- tha kryediplomati ukrainas.

    Sipas anketës së zhvilluar në gjashtë shtete të BE-së për Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme [ECFR], pjesëmarrësit shfaqën përkrahje të konsiderueshme për kandidaturat e Ukrainës dhe, në nivel më të ulët, për ato të Moldavisë dhe Malit të Zi, por edhe shqetësime të thella ekonomike e të sigurisë.

    Megjithatë, në anketë pati kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Turqisë në veçanti, si dhe përgjigje dukshëm të ftohta ndaj anëtarësimit të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Gjeorgjisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

    Piotr Buras, zyrtar i lartë i politikave në ECFR, tha: “Retorika gjeopolitike nga Brukseli po i maskon shqetësimet e thella në shtetet anëtare rreth pasojave të mundshme të zgjerimit dhe skepticizmin e gjerë për aftësinë e BE-së për të absorbuar anëtarë të rinj.”

    Sipas anketës, përkrahja më e lartë për anëtarësimin e Ukrainës është në Danimarkë (50 për qind) dhe në Poloni (47 për qind). Mendimet janë më të përçara në Rumani (32 për qind për, 29 për qind kundër), Gjermani (37 për qind për, 39 për qind kundër) dhe Francë (29 për qind për, 35 për qind kundër). Në Austri, shumica e pjesëmarrësve në anketë (52 për qind) ishin kundër hyrjes së Ukrainës në BE.

    Në bazë të të dhënave të sondazhit, 51 për qind e pjesëmarrësve në gjashtë shtetet e BE-së ishin kundër hyrjes së Turqisë në Bashkimin Evropian.

    Evropianët u shfaqën të ftohtë edhe ndaj Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në përgjithësi, më pak se 30 për qind përkrahje u dha në anketë për anëtarësimin e këtyre tetë shteteve në BE.

    Përkrahja më e ulët ishte për anëtarësimin e Kosovës. Vetëm 20 për qind e të anketuarve e përkrahën hyrjen e vendit tonë në BE, ndërsa 37 për qind ishin kundër. Për Shqipërinë, 24 për qind e përkrahën anëtarësimin, ndërsa 35 për qind kundër këtij veprimi. Për Serbinë, 25 për qind ishin për, ndërsa 35 për qind kundër.

    Për Maqedoninë e Veriut, 26 për qind e përkrahën anëtarësimin, ndërsa 27 për qind ishin kundër. Për Malin e Zi, 30 për qind e përkrahën anëtarësimin e këtij vendi në BE, ndërsa 25 për qind ishin kundër kësaj mase.

  • Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

    Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

    Ministrat e Bashkimit Evropian janë duke diskutuar të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian.

    Pritet që më vonë gjatë ditës në këtë takim të miratohen edhe konkluzat, ndonëse ka pasur paralajmërime se ato nuk do të kalojnë, pasi Hungaria ka paralajmëruar se do t’i bllokojë me veto.

    Por, në versionet e fundit të draftit të konkluzave janë hequr rekomandimet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe i është lënë Këshillit Evropian, i cili takohet të enjten dhe të premten, që të vendosë për një hap të tillë.

    Hungaria ka kërkuar që ky vendim për Ukrainën të hiqet tërësisht nga rendi i ditës, pasi nuk ka konsensus mes vendeve anëtare, ndonëse të 26 vendet tjera anëtare janë të gatshme të marrin një vendim të tillë.

    Në konkluzat e përgatitura për takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, BE-ja do të përsërisë përkushtimin për zgjerim, si një proces gjeostrategjik të rëndësishëm për forcimin e paqes në Evropë.

    Ajo do t’iu bëjë ftesë të gjitha vendeve të përfshira në këtë proces që të vazhdojnë procesin e reformave të nevojshme për të përparuar në këtë proces, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit.

    Në pjesën e konkluzave, ku flitet për Kosovën, Këshilli i BE-së do të ftojë Kosovën që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

    Pjesa më e madhe e konkluzave, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri dhe me dialogun me Serbinë.

    Këto porosi janë edhe në pjesën e konkluzave për Serbinë.

    “Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.

    Këshilli do të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023. Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në këtë draft.

    Sa u përket masave, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

    “Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekst.

    Këshilli, edhe përmes këtyre konkluzave, do të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunën, dhe do të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.

    “Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst dhe i bëhet thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse.

    Rikujtohet se BE-ja mund të ndërmarrë masa edhe ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, në rast se nuk përmbahen nga nxitja e tensioneve.

    “Këshilli pret nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila do të garantonte siguri dhe demokraci përfaqësuese për të gjithë qytetarët”, thuhet në tekst.

    “Këshilli kërkon nga Kosova që të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën, për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit“, thuhet në këtë dokument, dhe rikujtohet se të dyja palët do të rrezikojnë rrugëtimin e tyre evropian, në rast se nuk e shfrytëzojnë këtë rast.

    Këshilli do të shprehë keqardhje për mungesën e implementimit nga të dyja palët të Marrëveshjes dhe aneksit për zbatimin e saj, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.

    “Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa tjera t’i implementojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekst.

    Këshilli do ta ftojë Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, që të plotësojë agjendën për takimin e radhës të Grupit Special për Normalizim, për të marrë parasysh obligimet e Kosovës që dalin nga Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit.

    Kosova do të ftohet urgjentisht, dhe në mënyrë konstruktive, të angazhohet në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, përfshirë edhe duke hequr vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

    Këshilli i BE-së do të përshëndesë orientimin e qartë gjeostrategjik të Kosovës, që është dëshmuar edhe përmes dënimit të ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe përshtatjen vullnetare të qëndrimeve të saj në politiken e jashtme me ato të Bashkimit Evropian.

    Drafti i konkluzave përmban edhe thirrjen që Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë që, sa më parë, më së voni deri në janar të vitit 2024, të bëjë propozimin për ndryshimin e kritereve të kornizës negociuese të Serbisë, për të përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si kusht.

    Pikërisht përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën, në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të BE-së si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel, më 27 shkurt, dhe aneksi i implementimit në Ohër, të bëhen, siç thonë në BE, “ligjërisht obliguese“.

    Por, deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht. /REL

  • Haxhi Shala është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit

    Haxhi Shala është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit

    Gazetarja e ATV-së, Donisa Fazliu, e cila po qëndron në fshatin Bajnë të Malishevës tek shtëpia e Haxhi Shalës, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, raportoi se ai është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit.

    Këtë e ka konfirmuar për ATV-në edhe avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.

    Haxhi Shala është intervistuar gjatë tërë ditës dje nga zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në selinë e EULEX-it në Prishtinë, derisa nga familjarët e tij dje kanë thënë që nuk kanë qenë në dijeni se për çfarë është intervistuar.

    Bastisje në shtëpinë e Haxhi Shalës është kryer në Prishtinë, por edhe këtu në fshatin Bajnë të komunës së Malishevës.

    Kujtojmë se Haxhi Shala është intervistuar edhe gjatë verës nga zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me ç’rast i është konfiskuar vetëm telefoni, derisa për rastin nga ZPS nuk kanë dhënë detaje për ATV-në, përveçse janë duke kryer aksione të vazhdueshme.

    Kujtojmë se zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë kryer bastisje muaj më parë edhe tek pronat e ish-këshilltarit ish-ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, me ç’rast kanë kryer bastisje edhe te prona e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, edhe ky i fundit është arrestuar për pengim të drejtësisë. /atvlive.tv

  • ​Hidhet shorti për 1/8-të e finales së Kupës së Kosovës

    ​Hidhet shorti për 1/8-të e finales së Kupës së Kosovës

    Janë mësuar tashmë edhe çiftet e fazës 1/8 të finales së Kupës së Kosovës në futboll.

    Ballafaqimi më interesant do të jetë ai ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës, por ka edhe ndeshje të tjera interesante si Trepça ’88-Llapi e Ballkani-Vëllaznimi.

    Këto janë të gjitha çiftet e dala nga shorit:

    Trepça ‘89 – Llapi

    Gjilani – Prishtina

    Drita – Rilindja 1974

    Vjosa – 2 Korriku

    Feronikeli – Malisheva

    Suhareka – Prishtina e Re

    Ballkani – Vëllaznimi

    Dukagjini – Dinamo

  • Guvernatori Ismaili zhvillon takim konsultues me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone

    Guvernatori Ismaili zhvillon takim konsultues me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin, Z. Dardan Fusha zhvilloi takim virtual me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Z. Piero Cipollone, duke vijuar takimin e fundit në selinë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt.

    Temë e këtij diskutimi shqyrtimi i opsioneve dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sistemit të pagesave, me theks të veçantë mënyrën e anëtarësimi vendit tonë në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS, projekt që mbështetet edhe nga BQE-ja si pjesë e Procesit të Berlinit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Po ashtu, është diskutuar edhe për rëndësinë që ka avancimi i infrastrukturës teknike dhe kornizës rregullative, për qasje në sistemin e pagesave të Bashkimit Evropian, ku BQK-ja ka bërë përgatitje dhe ka si objektiv strategjik anëtarësimin, me përfitime shumë të mëdha si për qytetarët, bizneset, mërgatën dhe gjithë ekonominë.

    Pjesë e diskutimi ishte dhe bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet BQK-së dhe BQE-së në fushën e menaxhimit të rezervave, mbikëqyrjes së bankave sistemike, si dhe çështje që lidhen me ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimi i përvojave brenda mandatit të BQE-së dhe BQK-së.

    Në fund të takimit u darkordua për intensifikimin e takimeve me propozime konkrete, dhe bashkëpunimit në arritjen e qëllimeve të përbashkëta të dy institucioneve.

    Kontributi i Z. Cipollone mbetet i rëndësishëm, si një mbështes i këtij procesi, i cili para se të emërohej në këtë pozicion ekzekutiv në BQE ka qenë zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Italisë, duke zëvendësuar kështu Z. Fabio Panetta, i cili tashmë është Guvernator i Bankës së Italisë (Banca d’Italia).

    BQK po punon me përkushtim në arritjen e objektivave strategjike afatgjata, që kërkojnë angazhim të përditshëm dhe koordinim të duhur institucional dhe ndërkombëtar.

  • KMDLNj reagon pas bastisjes dhe ndalimit të Haxhi Shalës nga Specialja

    KMDLNj reagon pas bastisjes dhe ndalimit të Haxhi Shalës nga Specialja

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNj) ka reaguar pas bastisjes si dhe ndalimit së ish-deputetit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala nga Gjykata Speciale, në Hagë.

    Përmes një reagimi për media, KMDLNj tha se të hënën persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës kanë bastisur shtëpinë e Shalës dhe më vonë të njëjtin e kanë dërguar tek zyrat e EULEX-it, në Prishtinë.

    Në reagim tutje thuhet se “sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale nuk kanë shenja identifikuese”.

    Po ashtu nga KMLDNj thonë se arsyetimi i Gjykatës Speciale për bastisje dhe arrestime është e njëjta metodë që e ka zbatuar UDB-ja.

    Reagimi i plotë:

    Më 11 dhjetor, persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës bastisën shtëpinë e luftëtarit të UÇK-së dhe më vonë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala të cilin e dërguan në bazën burg të EULEX-it për ta marrë në pyetje. Kohë më parë i kishin konfiskuar telefonin. Haxhi Shala, i privuar nga liria natën e kaloi në bazën burg të EULEX-it, pa u informuar nga askush ai dhe familja e tij për fatin e tij. Dyshimet janë se sot do të dërgohet në Burgun e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë ku po mbahen peng edhe 8 ushtarë të UÇK-së disa prej të cilëve në çastin e arrestimit ishin bartës të posteve më të larta politike dhe institucionale të Kosovës. Sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale që nuk kanë shenja identifikuese po tregohen të kujdesshëm gjatë bastisjeve për të krijuar një përshtypje se po i respektojnë standardet ligjore dhe të drejtave të njeriut gjatë këtyre inkursioneve kundër ushtarëve të UÇK-së dhe përkrahësve të tyre. Gjatë bastisjeve i pranishëm është edhe avokati të cilin e propozon i dyshuari. Është mbase jo vetëm koincidencë e rastit edhe kërcënimi që gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e shpërndau Ekaterina Trandafilova, kryetare e parapaguar e kësaj Gjykate se Hashim Thaçi, president i Kosovës, Jakup Krasniqi për dy mandate kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe Rexhep Selimi, shef i GP të LVV–së mund të dënohen me burg të përjetshëm dhe se bastisjet dhe aksionet tjera inkursuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmën. Ky kërcënimi mbase u sforcua edhe pas takimit publik me disa ambasadorë sikur edhe pas takimit me disa udhëheqës politikë kosovarë e që takimet nuk u bënë publike. Kërcënimet i vazhdoi edhe pasi u kthye në Hagë pas së cilës ishin tre bastisje dhe një arrestim, ky i Haxhi Shalës. Sipas infprmatave të KMDLNj–së nga terreni pakënaqësitë me këto bastisje nga persona të pidentifikuar dhe të panjohur në kohën kur kjo Gjykatë policët e Kosovës i angazhon si “punëtorë krahu“ për të rregulluar trafikun dhe për të krijuar përshtypje krejtësisht mashtruese se edhe Policia e Kosovës është pjesë aktive e këtij inkuzicioni përndjekës është në rritje dhe mund të dalë jashtë kontrollit.

    Arsyetimi i kësaj Gjykate për arrestime dhe bastisje është “pengimi i administrimit të drejtësisë“ paraqet carta bianca për veprime të pakufizuara dhe të pakontrolluara nga askush e, më së paku nga institucionet e Kosovës që nominalisht janë themelues të kësaj Gjykate. Në kohën e regjimit të ish – Jugosllavisë, UDB-ja serbe dhe jugosllave kishte shpikur një nen inkriminues që sanksiononte fjalën e lirë dhe lirinë e mendimit duke dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri më 10 vjet të gjithë ata që flisnin për lirinë e shqiptarëve apo edhe që mendonin se duhet të jenë të barabartë me të tjerët. Ky nen ishte aq fleksibili sa krijonte mundësi të pakufishme për të burgosur, rrahur, vrarë dhe dënuar shqiptarë që e donin lirinë, qoftë edhe si ide, pa e ndërmarrë asnjë veprim konkret.

    Gjykata Speciale Raciste po e përdorë të njëjtën metodë që e ka zbatuar UDB-ja përmes ligjit për pengim të administrimit të drejtësisë mund të bastisë dhe arrestojë të gjithë ata që nuk duan të bëhen dëshmitarë, që përkrahin luftën e UÇK-së apo që nuk pajtohen me këtë Gjykatë. Mjafton që ndonjë dëshmitar i mbrojtur ta përmend emrin dhe paramilitarët e Speciales do t’i keni në shtëpi. Gjykata Speciale po përdorë dëshmitarë me dëshmi të sajuara, informatorë të BIA–së serbe dhe dëshmitarë të rekrutuar nga sigurimi serb, dëshmitarë të prokurorisë serbe dhe dëshmitarë nga Kosova të joshur me shumë përfitime, para, ndryshim të identiteti dhe strehim në një vend tjetër.

    KMDLNj –ë denoncon publikisht këto kërcënime nga kryetarja Trandafilova si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që po mbahen në Hagë për faktin se në mënyrë flagrante po e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë pasi i shpallë fajtorë të akuzuarit, ende pa përfunduar procesi gjyqësor.

    KMDLNj–ë denoncon botërisht sajimin e përgjimeve ndaj pengjeve që po mbahen në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë pas së cilave, me propozim të PS ndaj tyre janë marrë masa represive si ndalimi i vizitave të paprivilegjuara dhe bisedave telefonike. KMDLNj–ë denoncon publikisht deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk kërkojnë raport nga kjo Gjykatë për respektimin dhe shkeljen e identifikuara të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria çpasi po ky Kuvend ka votuar themelimin e kësaj gjykate.

  • Dronët ‘Bayraktar’ shumë shpejt pjesë e ushtrisë së Shqipërisë

    Dronët ‘Bayraktar’ shumë shpejt pjesë e ushtrisë së Shqipërisë

    Dronët ‘Bayraktar’ shumë shpejt do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

    Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se Dronët ‘Bayraktar’ janë teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile.

    Peleshi nënvizoi se, kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve ka rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s.

    “Të përkushtuar për të përdorur teknologjinë më të avancuar në mbrojtjen e territorit tonë”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale. /ATSH/

  • A po përmbysen Radojçiq e Vuçiq? Eksperti i sigurisë paralajmëron përçarje në Serbi

    A po përmbysen Radojçiq e Vuçiq? Eksperti i sigurisë paralajmëron përçarje në Serbi

    Në prag të zgjedhjeve në Serbi, drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe i sanksionuari i ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Mila Radoiçiq janë të lidhur fort me njëri-tjetrin dhe se të dy do të përmbysen. Derisa ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Telegram, ku faqja “patriotizamsrb” ka një paranojë në mes të grupeve që akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti.

    Musliu ka shkruar në Facebook se Vuçiq buk do ta sundojë edhe gjatë Serbinë.

    “Megjithëse së bashku mund të sundojnë më gjatë, kur të përmbysen do të përmbysen që të dy. Ndoshta atëherë Perëndimi do ta shohë qartë Serbinë. Ballkani Perëndimor dhe vet qytetarët e Serbisë meritojnë stabilitet të qëndrueshëm. Nuk mund të ledhatohet një njeri si Vuçiqi. Ai nuk është asgjë më shumë sesa një pasardhës i Millosheviqit. Këtë e di shumë mirë edhe ambasadori Kristofer Hill, i cili e njeh mirë Vuçiqin, ashtu siç e ka njohur Sllobodan Millosheviqin”, ka shkruar ai.

    Ai ka shtuar në ditët e fushatës zgjedhore ne Serbi, ka një përçarje mes shërbimit sekret dhe klerikëve fetarë.

    Ai theksoi se faqja serbe në Telegram “patriotizamsrb” është munduar të shfajësoj më kot Vuçiqin nga përgjegjësia që ka për agresionin e 24 shtatorit nga Kosovës, pasi siç tha ai, terroristët që provuan ta okupojnë veriun e Kosovës, kishin ushtruar në poligone të ushtrisë serbe në Serbi.

    “Faqja serbe në telegram, e quajtur ‘patriotizamsrb’, po shfaq zemërimin e thellë të kriminelëve të veriut të Kosovës me, siç e quajnë ata ‘tradhtinë e Vuçiqit’. Duke e vërejtur se po përmbyset, Radoiçiqi si duket nuk do ta lëshojë dorën e Vuçiqit. Nuk dihet saktë se cilët janë aktorët e kësaj përplasjeje. Cilën anë e mban shërbimi sekret dhe cilën anë e mban kisha. Por, një gjë dihet – edhe shërbimet sekrete serbe, e edhe klerikët fetarë në Serbi janë të përçarë. ‘Patriotizamsrb’ thotë se, ‘pas masakrave të tmerrshme në shkollën fillore Vladislav Ribnikar dhe Mlladenovc, ku u vranë dhjetëra fëmijë e të rinj serbë, nis operacioni i dorëzimit të armëve. Ky veprim përbën bazën për gatishmërinë e ardhshme të grupit serb. Shumica e armëve, u transferuan me sukses përmes Milan Radoiçiqit në veri të Kosovës. Këto veprime strategjike synojnë të forcojnë pozitën e grupit’”.

    Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka thënë po ashtu se në faqen serbe të lartpërmendur thuhet se shërbimi sekret serb e ka ditur se Radoiçiqi do ta sulmonte Kosovën, porse shërbimi sekret britanik i ka tradhtuar ata, duke treguar për planet.

    “Është e vërtetë se Kosova ka pasur informacione paraprake për përgatitjen e një sulmi të tillë të Serbisë në Kosovë. Dhe, këtë e ka marrë nga resurset e veta informative – AKI dhe Policia e Kosovës. Jo se Kosova nuk ka bashkëpunim me shërbimet perëndimore, por sepse Kosova ka dëshmuar se ka burime të informacionit edhe në mes të strukturave të sigurisë në Serbi”, ka shkruar ai ndër të tjera.

    Sipas Musliut, vetëm pas demokratizimit të Serbisë do të ketë paqe të mirëfilltë në rajon.

  • Rama nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me pesë komuna

    Rama nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me pesë komuna

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit ndërkomunal e shumëfunksional me pesë kryetarët e komunave, atë të Podujevës, Lipjanit, Fushë Kosovës, Graçanicës e Obiliqit.

    Ai tha se kjo marrëveshje përfshinë planet e veprimit për secilën fushë të bashkëpunimit. Rama u shpreh se së bashku do të diskutojnë për problemet me qen endacak, menaxhimin e mbeturinave dhe për problemin me trafik urban.

    I pari i kryeqytetit, Përparim Rama theksoi se kjo marrëveshje do të paraqes një shembull të mirë të bashkëpunimit të komunave.

    Në marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit ndërkomunal, Rama shtoi se do të diskutohen në thellësi edhe për problemet kyçe të këtyre komunave.

    Tutje, Rama tha se është funksionalizuar projekti për menaxhimin e mbeturinave dhe është ndarë parcela dhe janë buxhetuar mjetet për qendrën e grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave ndërtimore.

    Ndërsa, Meghan McCormack nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE) tha se marrëveshjet ndërkomunale janë mekanizëm i rëndësishëm për qeverisjen lokale.

    Kjo marrëveshje ndërkomunale është nënshkruar nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti dhe i Fushë Kosovës, Besnik Osmani. /kp

  • ​ShBA paralajmëron Izraelin mbi nevojën për të mbrojtur civilët në Gaza

    ​ShBA paralajmëron Izraelin mbi nevojën për të mbrojtur civilët në Gaza

    Siç kemi raportuar, një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA thotë se Uashingtoni po e shtyn Izraelin të mbrojë civilët ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë.

    Nathaniel Tek tha se SHBA beson se është “kritike që Izraeli të vendosë një premium mbi mbrojtjen e jetës njerëzore dhe për aftësinë e organizatave të ndihmës të kenë qasje tek civilët”.

    “Sigurisht që mund të bëhet më shumë dhe civilëve mund t’u jepen udhëzime më të sakta dhe më të qarta për të siguruar që jenë të sigurtë.

    “Ne besojmë se ndërsa qëllimi i Izraelit është atje për të siguruar mbrojtjen e civilëve, rezultatet gjithashtu kanë rëndësi dhe ne po punojmë dhe po i bëjmë presion qeverisë së Izraelit për t’u siguruar që ata ti japin rëndësi jetës së civilëve”.

    Ai tha se kishte “dy palë në këtë konflikt” – duke shtuar se Hamasi gjithashtu kishte një përgjegjësi për të mbrojtur civilët, por se grupi “nuk kishte treguar ndonjë interes apo prirje për ta bërë këtë”.

    Nathaniel Tek tha se Izraeli mund të arrijë një fitore strategjike vetëm nëse do mbronte civilët dhe punonte drejt një paqeje të qëndrueshme./BBC/