ATV

Author: ATVLive

  • Bislimi: Të jeni të sigurtë që nuk do të ketë koalicion LVV-LDK në qeverinë e ardhshme

    Bislimi: Të jeni të sigurtë që nuk do të ketë koalicion LVV-LDK në qeverinë e ardhshme

    Opozita nuk duhet të brengoset për mbajtjen ose jo të premtimeve nga pushteti, thotë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    Ai tha se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku “nuk do të votojë për Albin Kurtin”, ndërsa u shpreh i sigurt se partia e tij s’do të jetë në koalicion me LDK-në në qeverinë e ardhshme.

    “Ne e kemi marrë mandatin me qeverisë me Kosovën. Në qoftë se ne gjatë kësaj qeverisje bëjmë diçka të cilën votuesi thotë ‘kjo nuk është në linjën e asaj që na keni premtu neve’, ata na çvotojnë. Por unë kam brengën që më së shumti të brengosur për mbajtjen ose jo të premtimeve tona janë opozita. Ata s’na kanë votu. S’kanë me na votu as në 2025-ën. Lumir Abdixhiku nuk do të votojë për Albin Kurtin, të jeni të sigurt”, tha Bislimi në një intervistë për RTK-në.

    “Veç nëse hyni në koalicion bashkë”, i tha gazetarja.

    “Edhe kjo të jeni të sigurtë që nuk do të ndodhë”, tha Bislimi.

  • “Mobilizim” i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit

    “Mobilizim” i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit

    “A mund të llogaris në mbështetjen tuaj për presidentin [Aleksandar] Vuçiq?”… “Mbështetje duhet t’i jepet presidentit [Aleksandar Vuçiq]”…

    Fjali të tilla, punonjësit e institucioneve serbe në Kosovë dëgjojnë, ditëve të fundit, nga eprorët e tyre.

    Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë disa burime në institucione të ndryshme, që funksionojnë në sistemin serb në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, por ato nuk duan të flasin publikisht.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bën fushatë aktive për Partinë Përparimtare Serbe nën sloganin “Serbia nuk duhet të ndalet”.

    Në Serbi, më 17 dhjetor, mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por serbët nga Kosova do të mund të votojnë vetëm në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë, të organizuara nga Serbia, nuk janë mbajtur që nga viti 2012, kur Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka refuzuar t’i zhvillojë ato.

    Megjithatë, komunat sipas sistemit serb nuk janë shfuqizuar dhe Qeveria e Serbisë, rregullisht, i emëron kryetarët e të ashtuquajturave autoritete të përkohshme komunale.

    Këto organe “janë angazhuar” sidomos tash para zgjedhjeve serbe, për t’i ofruar “mbështetje” Vuçiqit, përkatësisht Partisë Përparimtare Serbe, thonë burime të REL-it nga komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Thuhet se dhjetëra punëtorë janë punësuar pa konkurs në institucionet e Serbisë.

    Disa burime, po ashtu, thonë se persona me banim në Serbi, që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, janë udhëzuar që t’u lajmërohen autoriteteve të përkohshme, në mënyrë që t’u “mundësohet” që të votojnë së bashku me të tjerët që kanë vendbanim në Kosovë.

    Nga “thirrni më vonë” deri te mbyllja e telefonit

    Radio Evropa e Lirë u përpoq t’i verifikonte këto pretendime me kryetarët e disa autoriteteve të përkohshme, por pa sukses.

    Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Ivan Zaporozhac, nuk ishte i qasshëm në numrin e telefonit dhe nuk iu përgjigj mesazhit që iu dërgua përmes aplikacionit Viber.

    Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Leposaviq, Zoran Todiq, tha se është i zënë dhe “thirrni më vonë”, por më vonë nuk ishte i qasshëm.

    Novak Zhiviq, kryetar i autoritetit të përkohshëm në Prishtinë, pasi e dëgjoi pyetjen, e mbylli telefonin dhe nuk u përgjigj më.

    Në krye të autoriteteve të përkohshme janë zyrtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila u themelua me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të Vuçiqit.

    Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por ajo nuk u përgjigj.

    Disa banorë të Leposaviqit, në anën tjetër, shpërndanë një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet një grup njerëzish që presin në radhë para objekteve të Partisë Përparimtare Serbe në atë komunë.

    Arsyeja dyshohet se ishte “ndarja e vendeve të punës”. REL-i, megjithatë, nuk arriti të përcaktojë nëse fotografia është autentike.

    Për “ndarjen e vendeve të punës” thotë se ka njohuri edhe politikani Nenad Radosavleviq, i cili aktualisht merr pjesë edhe në punët e Komunës së Leposaviqit në sistemin e Kosovës.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Radosavleviq thotë se serbët nga Kosova, viteve të fundit, “kanë ngecur si komb” dhe vetëm përpiqen “të kapen për buxhetin shtetëror [të Serbisë]”.

    “Njerëzit, thjesht, zgjedhin të mos bëjnë më asgjë, të marrin disa para që nuk janë asgjë, por ata e zgjedhin atë mënyrë jetese”, thotë ai.

    Radosavleviq shton se politikanët nga Lista Serbe, “duke i joshur qytetarët” para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, përpiqen ta ruajnë pushtetin në Kosovë përmes fitores së Partisë Përparimtare Serbe në Serbi.

    Në këtë kontekst, ai thotë se njerëzit në veri, ditëve të fundit, kanë fituar vende pune pa kurrfarë konkursi.

    “E kanë shkatërruar sistemin e një vendi”, thotë Radosavleviq.

    Pagat për punëtorët në institucionet serbe në Kosovë paguhen nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

    Në fund të tetorit, REL-i raportoi se Qeveria e Serbisë planifikon t’i ndajë rreth 11 milionë euro më shumë për Kosovën në buxhetin e vitit 2024, krahasuar me këtë vit.

    “Mos harroni se kush ju dha të gjitha këto”

    Më 7 dhjetor, shefi i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, ndau publikisht mbi 200 kontrata me afat të pacaktuar, përkatësisht mbi 200 punëtorë u futën në marrëdhënie të përhershme pune.

    Ellek u zgjodh kryetar i Listës Serbe në fund të tetorit. Atëkohë, ai tha se kjo parti do të jetë “qendër rreth së cilës do të mblidhet populli serb në Kosovë dhe Metohi”.

    Gjatë dhënies së kontratave për punonjësit e Qendrës Klinike Spitalore, ai e shfrytëzoi rastin për të “shfaqur shpresën” se serbët nga Kosova “nuk do të lejojnë që Serbia të ndalet” më 17 dhjetor.

    “Ju jeni e ardhmja që mbetet këtu falë presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovë e Metohi. Unë, sinqerisht, shpresoj dhe besoj se më 17 dhjetor do të jemi të bashkuar, siç ishim në kohën e pandemisë COVID-19, dhe se nuk do ta lejojmë Serbinë të ndalet”, tha Ellek.

    Me ton të ngjashëm, punëtorëve që morën kontrata, iu drejtua edhe zëvendësshefi i spitalit, Dragisha Milloviq, i cili është edhe zyrtar i Listës Serbe.

    “Gjithmonë duhet ta keni parasysh se kush ju dha të gjitha këto… Unë do të them se këto, në radhë të parë, janë falë Qeverisë sonë [të Serbisë], Ministrisë së Shëndetësisë, Zyrës për Kosovë dhe Metohi. Do ta përmend Aleksandar Vuçiqin – figurën më të rëndësishme sot në skenën politike të Serbisë”, tha Milloviq.

    Takimi i serbëve dhe Petkoviqit

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, zhvilloi në fund të muajit nëntor në Rashkë një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

    Në atë takim, siç u raportua, u bisedua se si t’iu mundësohet votimi në zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor. Përfaqësuesit e serbëve thanë se “është e rëndësishme që t’i mundësohet popullit serb ta shfrytëzojë të drejtën e votës”.

    Hapja e vendvotimeve në territorin e Kosovës nuk u lejua nga Qeveria e Kosovës, e cila për një gjë të tillë tha se duhet kërkesë e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, e jo të ndërmjetësohet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë.

    Më pas, Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë vendosi që, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qytetet kufitare të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Ata votuan në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, më 3 prill, 2022.

    Presidenti serb, Vuçiq, tha më 1 dhjetor se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit “nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti këmbëngul ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i organizoi për komunitetin serb në Kosovë, ishin më 21 qershor, 2020. Ato u mbajtën sipas praktikës së mëparshme, në bazë të së cilës misioni i OSBE-së në Kosovë i mblidhte votat. Më pas, votat numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë. /REL

  • Caktohet vlera e koeficientit të pagave për vitin 2024

    Caktohet vlera e koeficientit të pagave për vitin 2024

    Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro, kështu ka vendosur Kuvendi i Kosovës të enjten në shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.

    Shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos i përfshirë dy deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, kanë votuar kundër propozimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për ngritje të vlerës së koeficientit në 115 euro.

    “Po besoj që kryetari i komisionit duhet me specifiku që amandamenti 7, pika a, është me mbështetje të komisionit funksional dhe ka të bëjë me koeficientin e ligjit të pagave të bëhet 115 euro. Pra, ka kalu në komision dhe ka marrë përkrahjen e komisionit funksional”, tha deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili i dha mbështetje këtij amandamenti, ashtu sikurse kolegu i tij Visar Korenica, i cili votoi po ashtu pro amandamentit.

    Megjithatë, Armend Muja i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se shumica nuk e përkrah këtë amandament.

    Deputetët e opozitës dhe dy deputetët e LVV-së, Rrahmani e Korenica, votuan pro amandamentit.

    Buxheti i shtetit të Kosovës për vitin 2023 ishte 3.2 miliardë euro.

  • Lirohet Nasim Haradinaj

    Lirohet Nasim Haradinaj

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, është liruar nga burgu.

    Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.

    Në vendim thuhet se pasi ka shqyrtuar tërësinë e informacionit që i është paraqitur, përfshirë Raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:

    -garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;

    -të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;

    -të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;

    -Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;

    -të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;

    – të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;

  • Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla në paraburgim: Ja çka thotë Apeli

    Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla në paraburgim: Ja çka thotë Apeli

    Gjykata e Apelit, me vendimin e 13 dhjetorit 2023, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

    Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur sepse ekzistojnë arsye të besueshme se nëse të pandehurit gjenden në liri, do të arratisen dhe do të mund të largohen nga vendi.

    Aty thuhet se pas vendimit të Themeloresm mbrojtësi i të dyshuarit Murseli, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj klientit të tij.

    “Mbrojtësi i të pandehurit N.M avokati A.A, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të KPP-së dhe shkeljes së dispozitave të Konventave Ndërkombëtare, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës ta aprovoj si të bazuar ankesën e tij, ta prish aktvendimin e ankimuar, dhe të mbrojturit tim të ia ndërpres masën e paraburgimit dhe të njëjtit ti mundësohet mbrojtja në liri apo ta ndryshoj, ashtu që t’i shqiptohet ndonjëra nga masat alternative të përcaktuara ne nenin 171 të KPPRK-së”, thuhet në vendim.

    Sipas ankesës së avokatit Ahmeti, në shkresat e lëndës nuk ka prova të cilat do të arsyetonin caktimin e paraburgimit mbi këtë bazë.

    “Arsyeja e dytë e caktimit të paraburgimit bazohet në nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1, se gjoja ekziston rreziku se i pandehuri do të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, duke pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim dhe për shkak të faktit se gjoja i pandehuri ka ikur nga vendi i ngjarjes.”, citohet të thuhet në ankesën e avokatit.

    Tutje, sipas Apelit, mbrojtja e Murselit pretendon se në arsyetimin për masën e paraburgimit në të cilën thuhet se ekziston mundësia për asgjësim, fshehje apo falsifikim të provave, avokati Ahmeti thotë se nuk qëndrojnë këto rrethana.

    “Arsyeja e tretë si arsyetim i mbështetur në nenin 184 paragrafi 1 pika 1.2.2 të KPP-ës për caktimin e masës së paraburgimit-mundësia e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit ose falsifikimit të provave të veprave penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se i mbrojturi do të pengoj rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar eventual, ose në bashkëpjesëmarrësit, nuk qëndron asesi”, thuhet po ashtu në ankesë.

    Por, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Murseli.

    Sipas vlerësimit të Apelit në aktvendimin e ankimuar, gjykata e shkallës së parë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar ndaj të dyshuarve, që sipas gjykatës një gjë e tillë është kusht për masën e caktuar për paraburgim.

    “Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara. Në aktvendimin e ankimuar, gjykata e shkallës së parë drejt ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit N. M., G.P dhe K.K, kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësorë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, konform nenit 184 par 1 nen par 1.1 e 1.2 pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së, sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë e që ky dyshim vërtetohet edhe në bazë të: Raportet policore, Vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve i datës 01.12.2023, CD-ja me video incizime të vendit të ngjarjes, foto dokumentacioni, i vendit të ngjarjes, deklaratat e dëshmitarëve, deklarata e të pandehurve, nga e kaluara kriminale si dhe shkresat e tjera”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Pas të gjitha këtyre provave, Apeli thotë se Themelorja vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se plotësohet kushti i përgjithshëm – dyshimi bazuar i paraparë me nenin 184 par. l. Nën par. 1.l të KPPRK-së, e që është bazë ligjore e përgjithshme, për caktimin e masës së paraburgimi.

    Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

    Ndryshe, të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit.

    I dyshuari i katërt u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Më 3 dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej një muaji tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si organizator i vrasjes, Granit Plava si doras dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe T.D, për shitje të armeve të pandehurve Murseli dhe Plava./BetimipërDrejtësi

  • ​Lajmërohet basketbollisti ‘i zhdukur’ i Pejës

    ​Lajmërohet basketbollisti ‘i zhdukur’ i Pejës

    Jacob Calloëay ishte basketbollisti që tri javë më parë u largua nga klubi i basketbollit Peja pa e njoftuar askënd, madje as pa u përshëndetur me bashkëlojtarët.

    Largimi e tij Kb Peja e kishte cilësuar si të çuditshëm dhe të pa arsyeshëm si dhe shkelje të kontratës ndërmjet palëve.

    Por, tashmë basketbolklisti në fjalë është rikthyer të flas për atë që ndodhi, duke i kërkuar falje klubit pejan për atë që ka ndodhur.

    KB Peja ka publikuar mesazhin e tij në të cilin thuhet:

    “Të dashur tifozë të KB Peja,

    Dua t’iu kërkoj falje për mënyrën se si ndodhën gjërat me largimin tim, u largova vet dhe ishte vendimi im.

    Reagova më shumë se ç’duhej ndaj disa gjërave që ndodhën dhe duke bërë këtë gjë i lash trajner dhe lojtarët e KB Pejës në pozitë të vështirë.

    Pranova disa këshilla të dëmshme nga njerëz të caktuar, dhe tani them që do doja t’i kontrolloja gjërat në mënyrë më të mirë.

    Nuk dua asgjë tjetër pos më të mirën për ekipin, trajnerët, lojtarët dhe tifozët. Ne jemi afër të arrijmë marrëveshje.

    Faleminderit tifozë KB Peja për mbështetjen tuaj dhe iu kërkoj falje për veprimet e mia.”

  • ​Trajneri i skuadrës italiane kërkon Barcelonën në shortin e Ligës së Kampionëve

    ​Trajneri i skuadrës italiane kërkon Barcelonën në shortin e Ligës së Kampionëve

    Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, ka thënë se e dëshiron Barcelonën në shortin e Ligës së Kampionëve që do të zbulohet të hënën.

    Lazio siguroi kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve pasi u rendit e dyta në grupin E me 10 pikë, katër më pas se lideri Atletico Madrid.

    Duke folur për mediat italina, trajneri italian zbuloi se i ka vënë syrin Barcelonës së Xavit, përcjellë KosovaPress.

    “Unë do të doja të përballesha me Barcelonën në raundin e 16-të, sinqerisht”, tha Sarri për “Sky Sport”

    “Do të ishte zgjedhja ime pasi nuk jam përballur kurrë me Barçën si trajner dhe do të ishte një përvojë e mrekullueshme.”, shtoi ai.

    Shorti i Ligës së Kampionëve për fazën 1/16 do të hidhet të hënën e ardhshme.

  • Hoti: 100 euro e zgjidhin problemin vetëm për një vikend

    Hoti: 100 euro e zgjidhin problemin vetëm për një vikend

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se vendimi i Qeverisë për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, ka kosto mbi 50 milionë euro, por se prapë nuk e zgjidh problemin.

    Këtë deklarim Hoti e ka bërë ne seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohet Projekt-buxheti për vitin 2024. Hoti ka propozuar amandament për indeksimin e pensioneve dhe skemave pensionale.

    Hoti tha se përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rritur nga 38 në afër 60 përqind dhe se shtesa prej 100 euro e zgjidh problemin e familjeve vetëm për një vikend.

    “Ne e pamë dje një vendim që e ka marrë Qeveria që buxhetit të Kosovës i kushton mbi 50 milionë euro dhe nuk e zgjidh problemin. Para dy viteve, ju kemi dhënë rekomandime këtu në këtë Kuvend kur kemi pas debat parlamentar për shkak të inflacionit që të indeksohen pensionet dhe skemat sociale në mënyrë që së paku të mbrohet shtesa më e ndishme e kësaj shoqërie dhe tash merren vendime në qeveri duke shfrytëzu buxhetin e fundvitit të cilat e zgjidhin problemin e këtyre familjeve vetëm për një vikend të vetëm. Ndërkohë, që ky amanament kërkon që të indeksohen për normën e inflacionit dhe të mbrohet fuqia blerëse e këtyre familjeve”.

    “Raporte kredibile vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se numri i familjeve në varfëri është rrit me 10 përqind për shkak të inflacionit të lartë në dy vitet e fundit. Përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rrit nga 38 në afër 60 përiqnd, prandaj kjo është e domosdoshme që të bëhet zgjidhje afatgjate. Prandaj ky amandament mundëson që të zgjidhet problemi më afatgjatë e jo me ndihma të njëhrshme që e zgjidhin problemin e këtyre familjeve veç për një vikend”, ka deklaruar Hoti.

    Por, amandamenti i tij nuk gjeti mbështetje, ku vetëm 22 deputetë e përkrahën, 56 votuan kundër dhe tre abstenuan.

    “Konstatoj se Kuvendi nuk e miratoi amandamentin me nr 5”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

  • ​5-vjetori, Haradinaj: Ushtria e Kosovës e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri si anëtare e NATO-s

    ​5-vjetori, Haradinaj: Ushtria e Kosovës e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri si anëtare e NATO-s

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se data 14 dhjetor i vitit 2018 do të mbetet ditë historike për Kosovën.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e 5-vjetorit të Ushtrisë së Kosovës.

    “14 Dhjetori i 2018-së ishte ditë historike për vendin, ditë kur Kosova ka krijoi ushtrinë e vetë, për t’u rreshtuar në krah me ushtritë e paqës, në krye me ShBA dhe NATO”, ka thënë Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    14 Dhjetori i 2018-së ishte ditë historike për vendin, ditë kur Kosova ka krijoi ushtrinë e vetë, për t’u rreshtuar në krah me ushtritë e paqës, në krye me ShBA dhe NATO.

    Sot, në përvjetorin e 5-të të krijimit të saj, Ushtria e Kosovës është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit tonë, si anëtare e NATO-s, që është edhe objektiv i yni madhor. Në këtë përvjetor, po e rikthej në vëmendjen tuaj një fjalë timen, nga zemra, ditën kur u formua Ushtria.

    Mirënjohës për jetë ShBA dhe Sekretarit Mattis!

    Kosovë, urime 5-vjetorin e Ushtrisë!

  • Lushataku: Qeveria po ua humb shpresën qytetarëve për të jetuar në Kosovë

    Lushataku: Qeveria po ua humb shpresën qytetarëve për të jetuar në Kosovë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Merigm Lushtaku tha se asnjë amendament i deputetëve nuk është marrë parasysh nga komisioni për buxhet. Ai tha se kjo qeveri me keqqeverisjen e saj ka bërë që qytetarët të humbin shpresën për të jetuar në Kosovë.

    Lushtaku në seancën e sotme të Kuvendit, ku po shqyrtohet për herë të dytë projektligji për buxhetin e vitit 2024, shtoi se vendimi i qeverisë për t’i ndihmuar kategorinë e pensionistëve dhe fëmijëve, është për t’i mashtruar ata, pasi sipas tij, për 11 muaj nuk është kujtuar t’i ndihmojë qytetarët.

    “Është për fat të keq që duhet të vërtetojmë në kurrizin e qytetarëve se çfarë është në gjendje të bëjë Qeveria Kurti vetëm për t’i mashtruar qytetarët dhe vetëm për të paraqitur hipokrizinë e tyre edhe në fund të vitit, duke bërë që gjoja në fund të vitit po ndihmon qytetarët dhe kategoritë më të ndjeshme. Ndërsa këto 11 muaj nuk është kujtuar t’i ndihmojë ato shtresa”, tha Lushtaku.

    Ai tha se kjo Qeveri do të mbahet mend vetëm për demagogji dhe vetëm për keqqeverisje, për mungesë të transparencës, për bllokim të komisioneve hetimore, për fshehje të hajnive dhe për degradim të çdo institucioni dhe çdo dinjiteti të qytetarëve të vendit.

    Ndërsa, derisa shtoi se asnjë investim kapital nuk është realizuar, apo nuk ka projekte të mëdha që ka investuar kjo qeveri.

    “Kjo Qeveri do të mbahet mend vetëm për demagogji dhe vetëm për keqqeverisje, për mungesë të transparencës, për bllokim të komisioneve hetimore, për fshehje të hajnive dhe për degradim të çdo institucioni dhe çdo dinjiteti të qytetarëve të vendit. Qytetarët po e humbin çdo ditë interesimin për të jetuar në Kosovë dhe të shohin të ardhmen e tyre këtu. Dhe nuk mund t’i mbajnë qytetarët me një shtesë të fund vitit vetëm pse qeveria nuk ka ditur të implementojë projektet kapitale. Qeveria Kurti nuk ka ditur të sjellë një projekt të madh që të zvogëlojë varfërinë në Kosovë. Ne ende kemi qytetarë që jetojnë me nga 45 euro në mua…përkundrazi ju i keni pasuruar njerëzit e juaj, keni pasuruar në kurriz të partisë, të atyre që juve ju kanë besuar që do të ndjeni ndryshimin, por po dëshmohet që ekspertet e juaj po paguhen me 7500 euro, besa edhe me 1 mijë euro në ditë për të vjedhur buxhetin e Kosovës më shumë”, tha mes tjerash ai.

    Ai po ashtu se marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë implementuar qëllimisht. /KP