ATV

Author: ATVLive

  • Kurti në mbështetje të listës së Shaip Kamberit

    Kurti në mbështetje të listës së Shaip Kamberit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte mbrëmë i ftuar dhe folës në tubimin e mbajtur në mbështetje të listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit në Serbi.

    Duke folur për koalicionin e përbërë nga pesë parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, që po garojnë së bashku në një listë, kryeministri tha se ai përbëhet me figurat që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë.

    “Ky bashkim i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në këto zgjedhje është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar, mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë, dhe se beteja e këtillë politike është e drejtë për nga karakteri i saj dhe se e gëzon mbështetjen tonë”, tha Kurti.

    Për Shaip Kamberin tha se është një zë i fuqishëm i reciprocitetit. Ai i ftoi të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin atë dhe listën e përbashkët për t’iu kundërvyer regjimit autoritar e antishqiptar në Serbi, dhe për t’i dale në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje.

  • Projekti SMART Balkans ndau më shumë se 18 milionë Kruna norvegjeze për 11 grante rajonale

    Projekti SMART Balkans ndau më shumë se 18 milionë Kruna norvegjeze për 11 grante rajonale

    Me dhënien e njëmbëdhjetë granteve rajonale në shumën totale prej 18,542,365 NOK (Kruna norvegjeze) dhe një shtesë prej 4,831,800 NOK për grante operative për organizatat e shoqërisë civile nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, sot nisi konferenca rajonale dyditore “SMART Balkans – Shoqëria Civile për një Ballkan të lidhur Perëndimor” me temën “Paqja dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor: Çfarë kërcënon rajonin dhe si të përdoren mundësitë”.

    Fokusi i SMART Balkans është forcimi i demokracisë pjesëmarrëse dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, përmes forcimit të organizatave dhe rrjeteve civile në rajon dhe pjesëmarrjes së tyre më aktive në ndërtimin e një shoqërie paqësore dhe gjithëpërfshirëse, me synimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

    Konferencën e hapi ambasadorja e Mbretërisë së Norvegjisë për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Christine Melsom, e cila në fjalën e saj përshëndetëse bëri një pasqyrë për rëndësinë e shoqërisë civile në forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të rajonit, me qëllim të arritjes së stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Temat e diskutuara këtu sot janë thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe unë përgëzoj partnerët tanë nga SMART Balkans për punën e tyre të palodhshme në fuqizimin e shoqërisë civile për transformim dhe reforma në Maqedoninë e Veriut. Qeveritë dhe shoqëritë civile janë shtyllat e demokracisë. Dialogu i hapur kontribuon në debate publike gjithëpërfshirëse dhe të informuara, duke e çuar shoqërinë përpara. Duke rritur bashkëpunimin, ne mund të përshpejtojmë progresin për të mirën e të gjithë qytetarëve. Bashkëpunimi rajonal është gur-themeli për stabilitet dhe prosperitet. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbësore për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin ekonomik. Bashkëpunimi Nordik ka sjellë përfitime ekonomike, risi teknologjike dhe rritje të besimit te qytetarët. Mezi pres të shoh se si mund të zhvillohet një model për integrimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor për të zgjidhur sfidat ndërkufitare dhe për të krijuar besim”, tha ambasadorja Melsom.

    Një Ballkan i qetë dhe i sigurt është i mundur vetëm nëse kemi një Ballkan të integruar. Është treguar shumë herë se proceset integruese për ne janë edhe procese të pajtimit brenda secilit prej vendeve tona, por edhe mes nesh, tha Ministrja e Mbrojtjes e RNM-së, Slavjanka Petrovska në konferencën e sotme rajonale SMART Balkans.

    “Çështja e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, zhvillimi i tij, integrimi i vendeve të këtij rajoni, është një çështje që vlen edhe për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e vendeve të rajonit e konsiderojnë atë prioritet. Ne themi se siguria nuk ka çmim, sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri demokratike dhe të begatë që ofron një të ardhme për brezat tanë. Kur flasim për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, flasim për një Evropë të bashkuar, nuk mendojmë për Bashkimin Evropian vetëm si ide, po flasim për diçka që na udhëheq në jetën tonë të përditshme. Pra flasim për mundësinë që të punojmë së bashku si anëtarë të barabartë të Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.

    Për Marija Risteskën, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje, në një kohë kur polarizimi i përgjithshëm i skenës globale ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sektori civil luan një rol kyç në ndërtimin e elasticitetit dhe promovimin e paqes në rajon.

    “Puna e tyre në promovimin e tolerancës, mirëkuptimit dhe unitetit bëhet jo vetëm një imperativ lokal, por një domosdoshmëri globale për të parandaluar efektet destabilizuese të ekstremizmit. Duke u angazhuar në mënyrë aktive me komunitetet lokale, duke mbrojtur iniciativat për ndërtimin e paqes dhe duke promovuar bashkëpunimin ndërkufitar, organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të krijojnë elasticitet kundër forcave përçarëse që burojnë nga polarizimi gjeopolitik. Prandaj, jemi veçanërisht krenarë që sot SMART Balkans do të ndaj 11 grante rajonale në vlerë prej 18,542,365 kruna norvegjeze”, tha Risteska.

    Me dy sesione panelesh dhe dhjetëra folës, dita e parë e konferencës rajonale SMART Balkans u fokusua në temat “Paqja, stabiliteti dhe qeverisja e mirë si parakusht për prosperitetin ekonomik (dhe të tjera)” dhe “Ekstremizmi politik, etno-nacionalizmi dhe krimi i organizuar si kërcënim për paqen dhe prosperitetin”.

    Qëllimi, siç u diskutua nga panelistët, është të theksohet roli i paqes dhe stabilitetit si faktorë kyç për prosperitetin ekonomik dhe social të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në një mënyrë që flet për rolin e shoqërisë civile në të gjitha proceset dhe fazat e veprimit. . Paneli i dytë bëri një pasqyrë të arsyeve të rënies demokratike, rritjes së propagandës partiake, ekstremizmit politik dhe nacionalizmit si kërcënime për paqen, prosperitetin dhe demokracinë, duke dhënë mënyra të mundshme veprimi se si vendet e Ballkanit do të kundërshtonin ndikimin e tyre.

    Projekti rajonal SMART Balkans i zbaton aktivitetet e tij kryesisht përmes programeve të granteve për përfshirjen dhe rrjetëzimin e organizatave të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi për veprim të përbashkët. Gjatë ditës së parë të konferencës rajonale u ndanë gjithsej 11 grante rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe 10 grante operative, 4 për organizata të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, 4 nga Serbia dhe 2 grante të tjera për organizata nga Mali i Zi.

    Konferenca rajonale është pjesë e projektit SMART Balkans – Shoqëria Civile për Ballkanin Perëndimor të lidhur, i cili synon të kontribuojë në forcimin e demokracive pjesëmarrëse dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, dhe zbatohet në partneritet ndërmjet Qendrës për Promovimin e Shoqërisë Civile nga Bosnja dhe Hercegovina, Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje nga Maqedonia e Veriut dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim nga Shqipëria. Projekti financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.

  • ​Athina bllokon negociatat me “Belerin”, Rama: Integrimi s’varet nga raporti ynë me Greqinë

    ​Athina bllokon negociatat me “Belerin”, Rama: Integrimi s’varet nga raporti ynë me Greqinë

    Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Greqia po sillet në mënyrë joevropiane sa i përket qëndrimit të saj për të bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimit Evropian të Shqipërisë duke e kushtëzuar atë me çështjen Beleri.

    Në një konferencë për mediat, Rama tha se çështja e Fredi Belerit është një problem midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe nuk ka pse transferohet në tryezën e Brukselit.

    “Çështja e vështirësisë që krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale në tryezën e BE-së. Ka një sensibilizim të vendeve me eksperiencë, lidhur me faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e BE-së krijojnë pengesa të paarsyeshme. Sepse çështjet bilaterale duhet të zgjidhen midis dy vendeve dhe është e pakuptueshme dhe është e paarsyeshme në një proces integrimi ku një vend hyn në negociata dhe hyn në një fazë përfundimtare të shtet-bërjes evropiane duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE të pengohet apo vonohet sepse ka një çështje bilaterale,” tha Rama.

    Sipas Ramës, Athina po krijon një pengesë që jo vetëm nuk është evropian por nxjerr në pah një mentalitet ballkanik. Ndërsa nënvizoi se Shqipëria nuk e sheh anëtarësimin në BE të lidhur me nivelin e raporteve me Greqinë.

    “Mbase do të ishte e kuptueshme që kur të ishte vetëm vota për t’u anëtarësuar atëherë mund të thotë; jo unë s’jam dakord! Por kjo pengesë është jo vetëm e paarsyeshme dhe jo evropiane në frymë. Në raport mes dallimit aktual mes nesh dhe Greqisë kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që ne duhet trajtojmë mes nesh. Për sa na takon ne si Shqipëri nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave as me përmbajtjen e raporteve tona me Greqinë. Ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan dhe jo një shtet ballkanik në BE”, tha Rama. /RTSH

  • ​Begaj në Sofje, diskuton me homologun bullgar për minoritetet

    ​Begaj në Sofje, diskuton me homologun bullgar për minoritetet

    Vijimi i politikave ndaj minoriteteve për të dyja vendet u diskutua këtë të enjte mes presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj dhe homologut të tij bullgar, Rumen Radev.

    Begaj, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Sofje, shprehu vullnetin dhe interesin e Shqipërisë për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik me Bullgarinë, përfshirë edhe shkëmbimet tregtare.

    Ai tha se sot janë të gjitha kushtet dhe mundësitë, si të kuadrit ligjor, edhe të klimës së favorshme të biznesit, që ky bashkëpunim të fuqizohet edhe më shumë.

    “Sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët Ekonomik do t’i adresojë me shumë kujdes dhe mirë të gjitha mundësitë dhe do t’i vendosë në lëvizje të gjithë mekanizmat përkatës”, deklaroi presidenti Begaj.

    Sipas kreut të shtetit shqiptar, duhet shfrytëzuar sa më mirë projekti i Korridorit 8.

    “Një vlerë e shtuar në këtë drejtim dhe që duhet shfrytëzuar sa më mirë, është dhe projekti gjeostrategjik i Korridorit 8, për të cilin shpreha mirënjohje për lobimin domethënës të Bullgarisë në përfshirjen e tij në rrjetin e transportit Trans-Evropian”, tha Begaj.

    Presidenti Begaj e përgëzoi Bullgarinë për mbështetjen e integrimit evropian të Shqipërisë, të cilin e vlerësoi si “projektin më madhor strategjik”, ndërsa shprehu besimin se e njëjta qasje do të jetë edhe gjatë negociatave të anëtarësimit në BE. /tch

  • ​Tri pianiste nga Kosova me koncert në Ulqin

    ​Tri pianiste nga Kosova me koncert në Ulqin

    Tri pianiste kosovare Zana Badivuku-Basha, Nezahate Shala-Zeka dhe Florita Raifi-Ajdini, do të mbajnë këtë të premte, 15 dhjetor, një koncert për piano duo dhe trio në Ulqin.

    Para publikut të qytetit bregdetar malazez, artistet nga Kosova do të interpretojnë vepra me piano për katër dhe gjashtë duar të kompozitorëve botërorë, Cecile Chaminade, Maurice Ravel, Claude Debussy dhe Sergei Rachmaninoff, si dhe të kompozitorëve bashkëkohorë kosovarë, Dafina Zeqiri-Nushi dhe Kreshnik Aliçkaj.

    Koncerti, me fillim në orën 18.30, do të mbahet në Galerinë e Qendrës për Kulturë Ulqin, i cili institucion publik është edhe organizator i kësaj mbrëmjeje të muzikës klasike.

    Zana Badivuku-Basha, Nezahate Shala-Zeka dhe Florita Raifi-Ajdini, të cilat janë profesoresha në Fakultetin e Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në nëntor të këtij viti u prezantuan edhe para publikut në Maqedoninë e Veriut, me një koncert në Qendrën kulturore “Shift Center” në Tetovë.

  • ​PD padi të re në Kushtetuese, ankesa për kërkesën e SPAK në Kuvend për Berishën

    ​PD padi të re në Kushtetuese, ankesa për kërkesën e SPAK në Kuvend për Berishën

    Në një kohë që Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Kuvendit heqjen e mandatit për deputetin Sali Berisha, për të mundësuar arrestimin e tij, deputetët e Rithemelimit bëjnë një lëvizje për ta penguar ndryshimin e masës ndaj ish-kryeministrit.

    Padia është depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese nga deputeti Oerd Bylykbashi, i shoqëruar edhe nga sekretarët ligjorë të Rithemelimit, Ivi Kaso dhe Fran Nuri.

    Demokratët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të zgjidhë konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.

    Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me aferën Partizani, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi.

    Deputetët e Rithemelimit kërkojnë po ashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. /tch

  • ​Shërbimet ueb Amazon dhurojnë 1 milion dollarë për Institutin për Zhvillimin e Kërkimeve INSAIT

    ​Shërbimet ueb Amazon dhurojnë 1 milion dollarë për Institutin për Zhvillimin e Kërkimeve INSAIT

    Amazon Web Services po dhuron 1 milion dollarë për Institutin për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) në Universitetin e Sofjes, tha të enjten qendra e shtypit e Ministrisë së Arsimit.

    Fondet po vihen në dispozicion për përsosmëri të demonstruar dhe potencial rritjeje, dhe do të përdoren për kërkime në metoda formale. Fondet do të mbështesin gjithashtu pagat për studiuesit dhe bursat për studentët e doktoratës dhe studentët në institut. Krahas kësaj, po fillon edhe një partneritet strategjik midis studiuesve dhe inxhinierëve të INSAIT dhe Shërbimeve të Uebit të Amazon.

    “Ne jemi të kënaqur të mbështesim INSAIT me një dhuratë 1 milion për ngritjen e një posti profesori në arsyetimin e automatizuar, një fushë me rëndësi të jashtëzakonshme për AWS. INSAIT është një iniciativë emocionuese dhe ne mezi presim të krijojmë lidhje më të ngushta kërkimore dhe bashkëpunimi me studentët dhe fakultetin në institut”, tha zëvendëspresidenti i Shërbimeve Ueb të Amazon, Byron Cook, cituar nga INSAIT.

    “Arsyetimi i automatizuar nuk është vetëm një fushë themelore e shkencës kompjuterike me një histori të historisë, por një rëndësi praktike në rritje në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë sigurinë, inteligjencës artificiale të besueshme, robotikën dhe shumë të tjera. Është e vetmja metodë e njohur matematikore në gjendje të ofrojë garanci të plota të certifikimit ndërsa shkallëzohet në sistemet e botës reale. Ne jemi jashtëzakonisht të ngazëllyer që marrim këtë mbështetje fantastike nga AWS dhe të njoftojmë se INSAIT tani po zgjeron shtrirjen e saj në këtë hapësirë,” tha Martin Vechev, themelues dhe drejtor shkencor i INSAIT-it. /BTA

  • ​Sigurimi shëndetësor e pensionimi i parakohshëm për policët, s’kalon amendamenti në Kuvend

    ​Sigurimi shëndetësor e pensionimi i parakohshëm për policët, s’kalon amendamenti në Kuvend

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përkrahur dy amendamente të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) sa i përket sigurimit shëndetësor dhe pensionimit të parakohshëm për policët.

    Duke i prezantuar amendamentet, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se të njëjtat janë të nevojshme për policinë.

    “Propozoj që të shtohet kodi i ri buxhetor në vlerë pesë milionë euro për pagesën e sigurimit shëndetësor të Policisë së Kosovës”, tha ai.

    Për mos kalimin e këtyre dy amendamenteve ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se i vjen turp që është pjesë e kësaj legjislature.

    “Më vjen shumë turp që jam pjesë e këtij parlamenti. Sot e keni pas mundësinë që të përmirësoni gabimet që i keni bërë gjatë gjithë kësaj legjislature ndaj policisë së Kosovës”, tha ajo.

  • ​Këshilli i Ambasadorëve, Rohde: Qeveria ndonjëherë dëgjon, ndonjëherë jo

    ​Këshilli i Ambasadorëve, Rohde: Qeveria ndonjëherë dëgjon, ndonjëherë jo

    “Po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo”, ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ai ka theksuar se Kosova duhet të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kështu u shpreh ai në diskutimin që u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme. Kritik u shpreh edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, i cili tha se çelësi është normalizimi.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se partneriteti mes Kosovës e Gjermanisë është unik, por siç shtoi, Kosova duhet të dëgjojë këshillat e partnerëve të saj.

    “Pra, partneriteti ynë është unik, i ngushtë dhe ne jemi një nga partnerët më besnikë do të thosha, por jemi edhe një partner që ndonjëherë dëshiron të dëgjohet. Dhe mendoj se kjo është edhe në këndvështrimin tim kur shoh marrëdhëniet mes Kosovës edhe Gjermanisë, përdore partnerin tënd më të afërt, ke besim tek ai, duhet të kesh vetëbesim, dhe kur shoh, nga pikëpamja gjermane, jo vetëm Kosova por edhe vendet e tjera e përdorin shumë shpesh këtë rolin viktimë që mendoj se viktima nuk është kurrë një rol largpamës. Ju duhet të jeni të sigurt në vetvete, gjithashtu të sigurt në vetvete në kuptimin që duhet të shpenzoni kapitalin tuaj politik me mençuri, dhe me mençuri do të thotë, e dini, Kosova është gjithashtu në një pozitë unike dhe Gjermania dhe Franca u përpoqën ta mbështesin këtë proces për të hyrë në strukturat euroatlantike konkretisht që do të thotë të bëhesh anëtar i Këshillit të Evropës në këtë moment dhe për t’u bërë anëtar duhet të bësh disa gjëra. Dhe publikisht dhe privatisht po i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo, qoftë kjo qeveri apo qeveritë e mëparshme. E kam fjalën si partnerë dypalësh, ne lëshojmë deklarata për vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mendoj se duhen dëgjuar nëse dëshiron të bëhesh anëtar, duhet të bësh detyrat e shtëpisë”, deklaroi Rohde.

    Rohde shtoi se mënyra për të ndryshuar pozicionin e pesë vendeve mos-njohëse është të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    “Ju nuk mund t’i ndryshoni parametrat që janë pesë vende mos njohëse për momentin, por ajo që mund të ndryshoni është mënyra se si ata ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe mënyra për të ndryshuar pozicionin e tyre është të ecim përpara në procesin e normalizimit, dhe kjo nuk ndodh vetëm duke thënë nëse është e keqe. Ne po punojmë përmes këtij propozimi evropian, i cili fillimisht ishte një iniciativë franko-gjermane, për ta rikthyer këtë proces në rrugën e duhur,… Shikoni, pas dy javësh kemi liberalizimin e vizave… Pra, ishte një proces shumë i vështirë, ne nuk kemi qenë gjithmonë, kemi pasur 27 rreth tryezës dhe nëse Kosova dhe gjashtë vende të tjera do anëtarësoheshin, ne do të ishim 33, kështu tha Olivier, ne duhet të thjeshtojmë procedurat tona të brendshme të vendimit. Por ne ia dolëm dhe të tjerët që janë vetëm në këtë çështje nuk ju ofrojnë liberalizimin e vizave. Pra, është e lehtë të kritikosh mosmarrëveshjet me BE-në”, shtoi Rohde.

    Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot kërkoi që Kosova të angazhohet në normalizim, pasi që sipas tij ky është çelësi.

    “Ju duhet të ngriheni në këmbë, të lini vendin tuaj të shkoni në pistën e vallëzimit dhe të sinjalizoni se dëshironi të kërceni. Dhe kjo është ajo që po na mungon nga Kosova tani. Pra, bëni gjërat dhe të gjithë e dini se çfarë është, ose kolegët e dinë saktësisht se çfarë pritet. Bëhet fjalë për asociacionin, depërshkallëzimin, ka gjëra që priten por në një çështje më të përgjithshme tregohet se ju intereson normalizimi, sepse ky është çelësi. Dhe ky është çelësi, një nga çelësat ose shume çelësat për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet mos njohëse të BE-së. Shkoni dhe kërceni”, deklaroi ai.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe organizatat euroatlantike.

    “Në këtë drejtim, Belgjika, por edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë qenë të pazëvendësueshme kur është fjala për përparimin drejt qëllimeve tona përfundimtare në politikën e jashtme, mendoj se nëse në Kosovë mund të pajtohemi për diçka, mbipartiake por edhe shoqërore, është se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në organizatat euroatlantike, NATO, Këshillin e Evropës, e kështu me radhë. Ne kurrë nuk biem dakord për mënyrën e duhur për ta bërë atë, por jemi dakord që qëllimi përfundimtar është padyshim aty. Pra, mbështetja bilaterale e Belgjikës, por edhe e vendeve të tjera në realizimin e këtij vullneti ka qenë e domosdoshme që nga ekzistenca e Kosovës si shtet”, u shpreh Nikaj.

    Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu foli për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka tha se janë të ruajtura mirë.

    “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën, në pjesën më të madhe secila qeveri e Kosovës ka qenë e mirë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara… Kjo është bindja ime se Kosova gjithmonë mund të dërgojë mesazhe të qarta, duke përfshirë një marrëdhënie më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës. Si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Uashington, unë personalisht i jam mirënjohës shtetit dhe popullit amerikan dhe ndihem krenar që munda të bëj një ndryshim në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit të plotë midis dy vendeve gjatë… në Uashington DC”, u shpreh ai.

    Në diskutimin për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme, kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të tjerë të Kosovës në vende të ndryshme. /kp

  • ​ATK lansoi tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues

    ​ATK lansoi tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lansuar sot tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues udhëzuesi interaktiv tatimor, kalkulatorët tatimorë dhe sistemin për denoncimin e parregullsive tatimore.

    Këto shërbime elektronike do t’u ndihmojnë tatimpaguesve të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësimin e obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.

    Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, tha se tri shërbimet e reja do të mundësojnë përfshirjen e sa më shumë tatimpaguesve nën ombrellën e sistemit tatimor.

    Gjatë fjalimit të tij, zëvendësdrejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se shërbimeve të reja për tatimpagues do të ndikojnë në rritjen e mbledhjes së të hyrave tatimore për buxhetin e Kosovës, në mënyrë më efikase dhe transparente.

    Ai tha se ATK-ja vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rrisë kualitetin dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve për tatimpagues dhe se kujdeset që siguria e tatimpaguesve të jetë në nivel.

    Ndërsa, drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID Kosovë, Alexander Albertine, tha se përmirësimi i shërbimeve për tatimpagues është inkurajues dhe se USAID ka pasur kënaqësinë të jetë përkrah ATK-së në rrugën drejt përvetësimit të digjitalizimit dhe përmirësimit të integritetit institucional të saj.

    Gjatë kësaj ngjarje, përmes një paneli të diskutimit u fol edhe për transformimin digjital të ATK-së në përgjithësi, me theks të veçantë në ndikimin potencial të shërbimeve të reja elektronike për qytetarët, thuhet në komunikatë.