ATV

Author: ATVLive

  • Në vend të policëve kufitarë, në pikëkalimet me Shqipërinë dërgohen ata të rendit

    Në vend të policëve kufitarë, në pikëkalimet me Shqipërinë dërgohen ata të rendit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Policia e Kosovës detyrohet të angazhojë pjesëtarë nga njësitë e rendit, në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë, në mungesë të policëve kufitarë.

    Kjo është njëra nga gjetjet e raportit të përbashkët të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të Shqipërisë dhe Inspektorit Policor të Kosovës, për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

    “Bie në sy edhe angazhimi në radhët e policisë kufitare, të palës kosovare, të punonjësve nga stacionet e rendit, që nuk e kanë ndonjë përgatitje adekuate për kontrollin kufitar. Këto lëvizje janë si rezultat i transferimeve të përkohshme, për t’i mbuluar mungesat e personelit pas operacioneve Pika 1 dhe 2, ku nga radhët e stacioneve kufitare ishin suspenduar numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë”, thuhet në raportin e AMP & IPK.

    Situata vlerësohet se paraqet problem serioz.

    “Është shumë problematike, sepse policët e rendit mund të mos i lexojnë drejt dhe saktë dokumentet, sidomos ato që kalojnë përmes data-bazës dhe mund të kalojnë në kufi njerëz me të kaluar kriminale”, tha ish drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

    Ndërkaq, marrëveshja e vitit 2018 për pikëkalimet kufitare të përbashkëta, sipas raportit nuk zbatohet me korrektësi. Mes tjerash u vërejt edhe mungesa e bashkëpunimit mes dy policive për luftimin e krimit.

    “Veprimtaria në lidhje me bashkëpunimin operacional lë për të dëshiruar, pasi përveç strukturave në pikëkalimin Morinë – Vermicë nga dy pikëkalimet e tjera kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë, për periudhën janar – gusht 2023, nuk ka pasur asnjë operacion të përbashkët për goditjen e veprimtarisë kriminale”, thuhet më tej në raportin e AMP & IPK.

    Në raportin e publikuar, të mërkurën, theksohet edhe gjendja jo e mirë e kabinave ku punojnë zyrtarët policorë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Serbia me “rezerva” ndaj deklaratës për të cilën u pajtua

    Serbia me “rezerva” ndaj deklaratës për të cilën u pajtua

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër se në deklaratën e përbashkët në Samitin BE – Ballkani Perëndimor u pajtua për zbatim të plotë, pa vonesa dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit, Serbia dërgoi letër anësore për kundërshtim të pjesshëm.

    Në letrën dërguar Shërbimit të Jashtëm Evropian, kryeministrja serbe Ana Brnabic shpreh rezerva ndaj deklaratës së pajtuar në prani të liderëve të BE-së, teksa e cilëson politike dhe ligjërisht joobliguese.

    Në të ajo shkroi se Marrëveshja për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Shtojca Zbatuese “janë të pranueshme vetëm brenda një konteksti që nuk i përket njohjes de-fakto ose de jure të Kosovës”.

    Rreshtimi i Serbisë në deklaratën e përbashkët, sipas Brnabic, “nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së e as (të ashtuquajturin) integritetin territorial të Kosovës”.

    Në takimin e 12 Dhjetorit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, ministrat e shteteve anëtare miratuan konkluzionet në të cilat kërkohet që, urgjentisht – para fundit të Janarit 2024, rruga e Serbisë për anëtarësim në BE të lidhet direkt me zbatimin e marrëveshjes dhe shtojcës.

    Kërkesa për obligime shtesë në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë, drejtuar Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, duhet t’u propozohet liderëve të shteteve anëtare në Këshillin Evropian.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rohde e Guerot flasin për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Rohde e Guerot flasin për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Përgatiti: Benita Zeneli

    15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme u shënuan nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës me ambasadorë të akredituar në Kosovë.

    Kjo tryezë diskutimi ishte e para e këtij lloji që nga themelimi i Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, në prill të këtij viti.

    Derisa marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë i quajti unike, ambasadori Jorn Rhode tha se vendin megjithatë e pret rrugë e gjatë drejt anëtarësimit në BE.

    “Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Si do të arrijnë aty? Përmes detyrave të përbashkëta të shtëpisë. Ne dhe gjashtë vendet duhet t’i bëjmë detyrat tona”, tha Rhode.

    Pengesë në këtë rrugë është edhe mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, por për të ndryshuar qëndrimin e tyre kusht është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

    “Duhet të tregoni se jeni të interesuar për normalizim sepse ky është çelësi për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet anëtare jonjohëse, të Bashkimit Evropian. Mos jeni të fiksuar te pala tjetër, sepse nëse ata nuk bëjnë asgjë, ju nuk duhet të bëni asgjë”, tha ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot.

    Megjithatë, që nga hapja e ambasadës në Uashington, Kosova, megjithatë, ruajti raportet e mira me SHBA-në, tha i pari ambasador i Kosovës në kryeqytetin amerikan.

    “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën, në pjesën më të madhe secila qeveri e Kosovës ka qenë e mirë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara…”, tha ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu.

    Në mesin e shumë arritjeve të Kosovës, gjatë kësaj tryeze u përmend edhe liberalizimi i vizave që për kosovarët fillon nga 1 janari 2024.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zjarrfikësit në protestë, kërkojnë kushte më të mira të punës

    Zjarrfikësit në protestë, kërkojnë kushte më të mira të punës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Urgjencë të natyrës tjetër, zjarrfikësit po e vlerësojnë mosplotësimin e kërkesave të tyre.

    Kësisoj, duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe pagesë për rrezikshmërinë në punë, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës protestoi sërish këtë të enjte para Qeverisë.

    “Ftojmë qeverinë që ta analizojë gjendjen e krijuar në shërbimin e zjarrfikësve dhe të sigurojë mjete, të përmirësojë gjendjen e krijuar, sepse kështu në këtë formë nuk i konvenon askujt, as neve, as qytetarëve, as institucioneve të shtetit, kjo është e pakuptimtë, u kemi dhënë hapësirë dhe kohë. Ju kemi drejtuar prej vitit 2021 me këtë qeveri dhe qeveritë e tjera prej vitit 2008 dhe kjo gjendje që asnjë hap para mos të shkojë nga kjo revoltë e cila me të vërtetë e arsyeshme dhe presim që sot të na ftojnë një takim”, tha kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.

    Meqë, protesta zhvillohej në kohën kur brenda Kuvendit të Kosovës shqyrtohej projektligji për buxhetin, ata shtuan edhe një kërkesë tjetër.

    “Zjarrfikësit nuk pajtohen me vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës për eliminimin e zjarrfikësve nga rrezikshmëria, d.m.th. nga shtesa pagë për rrezikshmërinë në punë, gjithashtu kemi kërkuar që në bazë të ligjit për zjarrfikësit shpëtim të shtohet numri i zjarrfikësve të rinj, sipas kriterit në 1500 banorë një zjarrfikës dhe gjithashtu kemi kërkuar buxhet shtesë për 2024 dhe mos të kemi probleme të njëjta, sepse ende nuk janë kompensuar për 2022, 2023 disa komuna duke ia hedhur fajin, qeveria komunave e komuna qeverisë”, tha Beka.

    Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.

    Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës, mirëpo në vend janë rreth 800 zjarrfikës.

    Zjarrfikësit nuk kanë sigurime shëndetësore dhe paga e tyre bazë është 520 euro.

  • Apeli ul dënimin në 22 vjet burgim për Salih Mustafën

    Apeli ul dënimin në 22 vjet burgim për Salih Mustafën

    Përgatiti: Nora Luta

    Plot dhjetë muaj e kishte në shqyrtim Gjykata e Apelit ankesën e Salih Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë, e cila e dënoi për krime lufte me 26 vjet burgim.

    Të enjten, Apeli gjatë një seance publike në Hagë, ku ishte i pranishëm Mustafa, i njohur me nofkën Cali, publikoi vendimin, duke i ulur dënimin për katër vjet.

    Ankesa e ish-pjesëtarit të UÇK-së, përmbante nëntë pika të ndara në 51 nënpika, prej të cilave paneli i Apelit i rrëzoi tetë, e miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.

    “8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3, për torturë, dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë, Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njësuar. Në lidhje me këtë, paneli gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja, Mishele Pikar.

    Gjykata tha se mori për bazë politikën ndëshkimore për krimet e luftës në Tribunalin e Hagës dhe të gjykatave të Kosovës.

    “Paneli i Apelit thekson se ka lënë në fuqi verdiktet e fajësisë së z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, (për të cilat u konstatua se mbante përgjegjësi penale individuale), as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor dhe nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime”, tha Pikar.

    Ndërkohë, Mustafa kishte kundërshtuar cilësimin e trupit gjykues se konflikti në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës ishte konflikt i armatosur jondërkombëtar.

    Ish-komandanti i UÇK-së, gjithashtu, kishte pretenduar se trupi gjykues nuk i vlerësoi në mënyrë të drejtë dhe të paanshme dëshmitë e dëshmitarëve, por për këto dhe kundërshtimet e tjera Apeli konstatoi se gjykata e shkallës së parë veproi drejt.

    Ky është aktgjykimi i parë i Apelit i Dhomave të Specializuara.

    Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim nga shkalla e parë për vrasje, torturë dhe ndalim arbitrar, ndërsa i pafajshëm ishte shpallur për akuzën për trajtim mizor.

    Sipas aktakuzës, në prilli të 1999-s Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash.

    Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë në 24 shtator të vitit 2020, ndërsa një vit pas nisi procesi gjyqësor, gjatë të cilit dëshmuan 29 dëshmitarë dhe pjesëmarrës ishin tetë viktima.

    Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë rreth kompensimit të viktimave në vlerë prej 207 mijë eurosh, pasi as Mustafa nuk e kishte apeluar.

  • Vdes një pjesëtar i Policisë së Kosovës

    Vdes një pjesëtar i Policisë së Kosovës

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Muhamet Hajdini.

    Në një telegram ngushëllimi, sindikata ka njoftuar për vdekjen e Hajdinit dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

    “Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të policisë, Muhamet Hajdini, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta” thuhet në njoftimin e sindikatës.

  • Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i bëjnë thirrje Qeverisë: Angazhohuni në normalizim, ky është çelësi

    Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i bëjnë thirrje Qeverisë: Angazhohuni në normalizim, ky është çelësi

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, sot në Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës të mbajtuar në Kolegjin AAB, tha se Kosova duhet të dëgjojë këshillat e partnerëve. Sipas tij, Kosova duhet të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Këto komenete ai i bëri në tyezën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme.

    “Partneriteti ynë është unik, i ngushtë dhe ne jemi një nga partnerët më besnikë do të thosha, por jemi edhe një partner që ndonjëherë dëshiron të dëgjohet. Dhe mendoj se kjo është edhe në këndvështrimin tim kur shoh marrëdhëniet mes Kosovës edhe Gjermanisë, përdore partnerin tënd më të afërt, ke besim tek ai, duhet të kesh vetëbesim, dhe kur shoh, nga pikëpamja gjermane, jo vetëm Kosova por edhe vendet e tjera e përdorin shumë shpesh këtë rolin viktimë që mendoj se viktima nuk është kurrë një rol largpamës”.

    “Ju duhet të jeni të sigurt në vetvete, gjithashtu të sigurt në vetvete në kuptimin që duhet të shpenzoni kapitalin tuaj politik me mençuri, dhe me mençuri do të thotë, e dini, Kosova është gjithashtu në një pozitë unike dhe Gjermania dhe Franca u përpoqën ta mbështesin këtë proces për të hyrë në strukturat euroatlantike konkretisht që do të thotë të bëhesh anëtar i Këshillit të Evropës në këtë moment dhe për t’u bërë anëtar duhet të bësh disa gjëra. Dhe publikisht dhe privatisht po i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo, qoftë kjo qeveri apo qeveritë e mëparshme. E kam fjalën si partnerë dypalësh, ne lëshojmë deklarata për vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mendoj se duhen dëgjuar nëse dëshiron të bëhesh anëtar, duhet të bësh detyrat e shtëpisë”.

    Kritik u shpreh edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, i cili tha se çelësi është normalizimi.

    Ai kërkoi që Kosova të angazhohet në normalizim, pasi ky është çelësi.

    “Ju duhet të ngriheni në këmbë, të lini vendin tuaj të shkoni në pistën e vallëzimit dhe të sinjalizoni se dëshironi të kërceni. Dhe kjo është ajo që po na mungon nga Kosova tani. Pra, bëni gjërat dhe të gjithë e dini se çfarë është, ose kolegët e dinë saktësisht se çfarë pritet. Bëhet fjalë për asociacionin, depërshkallëzimin, ka gjëra që priten por në një çështje më të përgjithshme tregohet se ju intereson normalizimi, sepse ky është çelësi. Dhe ky është çelësi, një nga çelësat ose shume çelësat për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet mos njohëse të BE-së. Shkoni dhe kërceni”.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

    “…e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në organizatat euroatlantike, NATO, Këshillin e Evropës, e kështu me radhë. Ne kurrë nuk biem dakord për mënyrën e duhur për ta bërë atë, por jemi dakord që qëllimi përfundimtar është padyshim aty. Pra, mbështetja bilaterale e Belgjikës, por edhe e vendeve të tjera në realizimin e këtij vullneti ka qenë e domosdoshme që nga ekzistenca e Kosovës si shtet”.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, tha se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ruajtur mirë.

    “Kosova gjithmonë mund të dërgojë mesazhe të qarta, duke përfshirë një marrëdhënie më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës. Si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Uashington, unë personalisht i jam mirënjohës shtetit dhe popullit amerikan dhe ndihem krenar që munda të bëj një ndryshim në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit të plotë midis dy vendeve gjatë”.

  • ​Shfuqizohet vendimi pas 20 vitesh burg për gruan e cila u dënua për vrasjen e katër fëmijëve të saj

    ​Shfuqizohet vendimi pas 20 vitesh burg për gruan e cila u dënua për vrasjen e katër fëmijëve të saj

    Një gruaje e quajtur dikur “nëna më e keqe e Australisë” i është shfuqizuar dënimi për vrasjen e katër fëmijëve të saj.

    Gjykata e Lartë e Uellsit të Ri Jugor vendosi të enjten se provat e përdorura fillimisht për të burgosur Kathleen Folbigg ishin “jo të besueshme”.

    56-vjeçarja u fal dhe u lirua nga qeveria e shtetit në qershor, pas 20 vitesh burg.

    Zonja Folbigg mirëpriti lajmet e fundit, por tha se provat e pafajësisë së saj ishin “injoruar dhe hedhur poshtë” për dekada të tëra.

    “Sistemi preferoi të më fajësonte mua në vend që të pranonte që ndonjëherë fëmijët mund të vdesin dhe vdesin papritmas” tha ajo jashtë gjykatës të enjten.

    Rasti i zonjës Folbigg është përshkruar si një nga gabimet më të mëdha të drejtësisë në Australi.

    Ajo kishte të bënte me vdekjen e katër fëmijëve të saj të mitur Caleb, Patrick, Sarah dhe Laura – secili prej të cilëve vdiq papritur midis 1989 dhe 1999, në moshën 19 ditë deri në 18 muaj. Prokurorët në gjyqin e saj pretenduan se ajo i kishte mbytur ata.

    Rasti u mbështet në prova rrethanore, duke përdorur ditarët e zonjës Folbigg – të cilët nuk u ekzaminuan kurrë nga psikologët apo psikiatër – për ta përshkruar atë si një nënë të paqëndrueshme.

    Në vitin 2003, ajo u dënua me 40 vjet burg për vrasjen e Sarës, Patrikut dhe Laurës dhe vrasjen e Calebit.

    Në fillim të këtij viti, një hetim historik në rastin e saj arriti në përfundimin se kishte dyshime të arsyeshme mbi fajin e saj, për shkak të gjetjeve shkencore se fëmijët e saj mund të kishin vdekur nga shkaqe natyrore për shkak të mutacioneve tepër të rralla të gjeneve.

    Dhe ishin këto prova të reja që çuan në lirimin e zonjës Folbigg nga të gjitha akuzat të enjten, tha shefi i drejtësisë Andrew Bell.

    Ekipi ligjor i zonjës Folbigg konfirmoi se tani do të kërkonin kompensim në emër të saj, por nuk tha se sa.

    Rasti ka tërhequr vëmendjen globale dhe ka çuar në akuza se sistemi ligjor i Australisë është i ngadalshëm për t’iu përgjigjur shkencës së përparuar.

    “Jam mirënjohëse që shkenca dhe gjenetika e përditësuar më ka dhënë përgjigje se si vdiqën fëmijët e mi,” tha zonja Folbigg.

    “Megjithatë, edhe në vitin 1999 kemi pasur përgjigje ligjore për të vërtetuar pafajësinë time.

    “[Prokurorët] i nxorën fjalët e mia jashtë kontekstit dhe i kthyen kundër meje… Shpresoj se askush tjetër nuk do të duhet të vuajë ndonjëherë atë që pësova unë.”

  • “Trafiku Urban” në mbështetje të maratonës “Vrapo Babadimër”

    “Trafiku Urban” në mbështetje të maratonës “Vrapo Babadimër”

    Në kuadër të edicionit të 8 të maratonës “Vrapo Babadimër”, e cila mbahet më 17.12.2023, “Trafiku Urban“ liron nga pagesa të gjithë pjesëmarrësit që janë të veshur me kostumin e Babadimrit.

    Ky organizim synon të ofrojë ndihmë për fëmijët e repartit të Onkologjisë-Pediatrisë dhe familjet në nevojë gjatë festave të fundvitit.

  • Korporata “Rugove” i dhuron fotografit Arian Mavriqi, një veturë të tipit Ford Ranger

    Korporata “Rugove” i dhuron fotografit Arian Mavriqi, një veturë të tipit Ford Ranger

    Korporata “Rugove”, ka dhuruar fotografit Arian Mavriqi, një veturë të tipit “Ford Ranger”.

    Mavriqi përmes një shkrimi në Facebook, ka falënderuar korporatën “Rugove” për donacionin.

    Ndërsa ka thënë se vetura do t’i ndihmojë për të promovuar botën e egër në Kosovë.

    Të dashtun, kam kënaqësinë të ju njoftoj që kjo Makinë “Ford Ranger” më është dhuruar Donacion nga “Korporata Rugove” të cilët dua ti falënderoj për këtë dhuratë, sepse do lehtëson shumë punën time për promovimin dhe dokumentimin e Botës së Egër. Njerëzit si ju u shtofshin dhe mbi të gjitha Zoti ju shpërbleftë”, shkroi Mavriqi.

    Korporata Rugove është prodhues vendor i ujit dhe djathit të paketuar 100% natyral.