Vendimi i Ministrit të Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit, kategoritë e dala nga lufta të aplikojnë, për të qenë përfitues të subvencionit të energjisë, sipas juristëve është i kundërligjshëm.
Këtyre familjeve, të drejtën për subvencionim ua garantonte Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, që është në fuqi edhe më tutje.
Vendimi i Qeverisë, sipas të cilit familjet që kanë të ardhura mujore më të ulëta se 150 Euro në muaj për anëtar të familjes, mund të aplikojnë për subvencionim të shpenzimeve të energjisë elektrike, u publikua dje, ndonëse u miratua para dy muajve.
Publikimit të vendimit i parapriu raportimi i ATV-së për përjashtimin e familjeve të kategorive të dala nga lufta nga skemat për subvencionim të rrymës.
Sipas juristëve, Ministri Murati shkeli ligjin edhe më herët pikërisht për këto kategori, kur u kërkoi që në rast se duan pensionin si kategori të luftës duhet të heqin dorë nga pensioni i pleqërisë apo punës.
Ministri Murati e ka pranuar se një numër i konsiderueshëm i familjeve që kanë përfituar nga subvencionimi në të kaluarën, nuk kanë aplikuar fare për subvencion sipas skemës së re.
Kosova ishte në qendër të mesazhit të fund-vitit, të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa foli për tensionet në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së paqes në kohën kur, siç tha, bota është më e rrezikshme, Stoltenberg falënderoi ushtarët e KFOR-it.
“Muajin e kaluar, takova trupat e NATO-s në veri të Kosovës. Ndihma në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelës i stabilitetit të gjerë, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Stoltenberg.
Pa treguar nëse ka informacione për sulme të mundshme nga Serbia, presidentja Vjosa Osmani theksoi se Kosova është vigjilente.
“Unë jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që ta mbrojmë Kosovën, që ta mbrojmë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë. Me rëndësi është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, tha Osmani.
Krahas shtimit të numrit të përgjithshëm të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, NATO-ja shtoi praninë në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist-paramilitar e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojcic, i cili vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.
NATO-ja kishte rritur përkohësisht kapacitetet në veri edhe në muajin Qershor, pas ngjarjeve të dhunshme në të cilat grupe serbësh plagosën dhe lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it, sulmuan policinë dhe mediat.
Mbi 50 mijë vetura më shumë, pritet të lëvizin rrugëve të Kosovës gjatë ditëve të ardhshme. Ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit, sipas Byrosë Kosovare të Sigurimeve, do të shtojë me të madhe qarkullimin rrugor.
“55 mijë bashkatdhetarë, kur themi kështu duhet të përfshijmë numrin e veturave duke i përfshirë të gjitha llojet e kategorive, mirëpo rreth 52 mijë deri 55 mijë polica lëshohen gjatë kësaj periudhe”, tha Sami Mazreku, drejtor i BSK-së.
Andaj me shtimin e veturave thuhet se automatikisht shtohen edhe rreziqet për aksidente. E të tilla ndodhën shumë gjatë këtij viti.
Sipas Policisë, plot 104 qytetarë vdiqën në aksidente trafiku brenda një viti kalendarik. Andaj edhe ajo paralajmëron se do ketë masa më të rrepta, për siguri të përgjithshme.
Sipas statistikave të përgjithshme, që nga viti 2002 e deri tash, plot 2930 qytetarë vdiqën në 2573 aksidente trafiku.
Salla qe gati, andaj në orën 10:00 pritej të niste seanca ndaj Glauk Konjufcës, i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.
E para erdhi avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri.
Disa minuta më vonë arriti edhe dëshmitari Sabri Hamiti, i cili në kohën kur ka ndodhur vepra ishte nënkryetar i Kuvendit.
Por, i akuzuari Konjufca nuk ishte prezent, e për fatin e tij nuk dihej gjë, derisa pas disa tentimeve, asistentët ia hapën telefonin avokates.
“Sapo me njoftuan që Konjufca nuk e ka vendosë në agjendë seancën, meqë nuk ka pasë fesë të rregullt…”, tha Zeqiri.
Kështu, gjykatësja mori vendim ta shtyjë seancën.
“Meqenëse mungon i pandehuri dhe disa dëshmitarë: Pal Lekaj, Valdete Bajrami e Slobodan Petrovic…”, tha gjykatësja Edita Çanta.
Por, me vendimin nuk u pajtua dëshmitari Sabri Hamiti.
“Pse kam ardh? Unë dua të flas sot…”, tha Hamiti.
Prokuroria akuzon Konjufcën për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe për veprën “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Sipas aktit akuzues, në seancën e 10 gushtit të 2016-ës, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, duke pamundësuar qëndrimin në sallë.
14 kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive të tjera, Sindikata e Policisë ia paraqiti të mërkurën ministrit të Brendshëm.
Kreu i sindikatës, takimin me Xhelal Sveçlën e cilësoi konstruktiv dhe shpresëdhënës, por shtoi se kërkesat e parashtruara nuk mund të plotësohen menjëherë.
“Është shumë normale që të gjitha këto kërkesa, edhe ne po deklarohemi që nuk mund të realizohen menjëherë. Mirëpo, ne kërkuam dhe u dakorduam bashkë me ministrin që në takimin e ardhshëm të vendosim se prioritete për të cilat kërkesa janë të mundshme që të realizohen për Policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë konstruktive dhe shpresëdhënëse, të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog. Unë po shpresoj se kështu do të rrjedhë edhe situata në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do t’i vendosim prioritet për cilat kërkesa mund të realizohen tani e cila nuk munden”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Deklarime nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, pas takimit nuk pati, por paraprakisht në një konferencë për media, thanë se do t’i shqyrtojnë mundësitë se cilat kërkesa mund të realizohen e cilat jo.
Teksa ky takim u mbajt pas dy protestave të mbajtura nga NJSI-ja, përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, rritja e shtesave për rrezikshmëri, ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare dhe sigurimi jetësor janë disa prej kërkesave që sindikata i ka paraqitur.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se viti i ardhshëm do të jetë po aq kompleks sa edhe viti që po lëmë pas.
Ajo këto komente i bëri në një mesazh drejtuar Konferencës së Ambasadorëve në Ministrinë e Jashtme në Romë.
“Viti që po përfundon ka qenë veçanërisht i ndërlikuar në nivel ndërkombëtar. Dhe gjithçka sugjeron që viti 2024 nuk do të jetë ndryshe. Kjo është gjithashtu arsyeja pse ne kemi nevojë për një Evropë gjithnjë e më të fortë që është një lojtar kryesor. Një lojtar global i aftë për të parandaluar mbushjen e vakumeve strategjike nga të tjerët, duke e projektuar veten si një gjigant gjeopolitik, jo thjesht burokratik”, tha Meloni.
Ajo tha se me marrjen e Presidencës G7 nga Italia vitin e ardhshëm, migrimi do të jetë në agjendën e saj për herë të parë.
Kryeministrja italiane përshëndeti gjithashtu marrëveshjen e arritur së fundmi Romë-Tiranë për ngritjen e qendrave të migrantëve të drejtuar nga italianët në Shqipëri.
“Protokolli Itali-Shqipëri është një tjetër pjesë e strategjisë sonë për të luftuar trafikantët dhe për të lejuar vetëm ata që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare të hyjnë në territorin evropian”, thuhet në mesazhin, të cilin Meloni nuk mundi ta jepte personalisht për shkak të gripit.
“Është një marrëveshje që ka një frymë të madhe evropiane, e cila do të na lejojë të eksperimentojmë me një model të virtytshëm të bashkëpunimit operacional ndërmjet një shteti të BE-së dhe një shteti jo-BE, dhe që, jo çuditërisht, po ngjall interes të vërtetë edhe te vendet e tjera të BE-së. Është një sinjal i rëndësishëm që kundërshton ata që argumentuan se gjërat në frontin e politikës së imigracionit nuk mund të ndryshojnë dhe se nuk kishte hapësirë për zgjidhje novatore dhe të guximshme”, ka thënë Meloni. /ANSA
Këngëtarja Sidorela Kelmendi në emisionin STUDIO A në ATV, ka folur për prapaskenat e pjesëmarrjes në festivalin “Eurovision 2023”, ku Familja Kelmendi përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Duje”.
Ajo tha se është e zhgënjyer prej Eurovisionit për shkak se sipas saj, në këtë festival, më së paku kanë pasur rëndësi vlerat e artistit.
“Për neve ka qenë shumë e rëndësishme për me shku, me e marrë votën e publikut për me shku deri në Eurovision, sepse atje pastaj dihet si shkojnë gjërat. Ndoshta një grimë jam zhgënjy prej Eurovisionit si emër, sepse kam mëndu që kanë rëndësi shumë vlerat muzikore, paraqitja skenike, këngëtari, talenti gjithçka që ka të bëjë rreth muzikës, por më së paku kanë pasur rëndësi këto gjëra. Kështu që fatkeqësisht për një artist që duhet me i kalu rrugën nëpër të cilën ne e kemi kalu, që e di që ka me e kalu edhe artisti që ka me shku këtë vit”, tha Sidorela.
Sipas saj, në këtë fëtival, më shumë rëndësi kanë lidhjet se si i krijojnë shtetet se sa paraqitja e pjesëmarrësve në skenë.
“Gjithçka tjetër, lidhjet shtetërore për të cilat shteti i Shqipërisë as që është lodhur me punu. Ne e kemi bërë të pamundurën edhe për organizim edhe për gjithçka. Fatmirësisht e kemi pasë një ekip shumë të mirë që e ka Albina që na ka ndejtë gati, janë mundu me e kry punën që është dashtë edhe shteti i Shqipërisë për me i kry e që s’i kanë kry e që i kemi kry na. Dmth aty ka më shumë rëndësi se si krijohen lidhjet mes shteteve se sa paraqitja e jote në skenë, sepse paraqitja e jonë në skenë u tregua në gjysmëfinale, kemi pasë më së shumti vota për me shku, prej publikut për me shku në finale. Në finale nuk ka qenë publiku”, u shpreh Sidorela.
Ajo thotë se me pjesëmarrjen e tyre në këtë festiva, fillimisht kanë pasur komente të mira nga të gjithë, mirëpo kur ka ardhur çështja e votimit, secili e ka shikuar interesin e vendit të vet.
“Absolutisht jo, disa gjëra më së paku janë në dorën e artistit dhe artisti krejt çka duhet me e ba është që ta japë maksimumin e tij sa i përket këndimit e skenës, e çka i takon atij, pjesa tjetër, e votimeve të jurisë, janë politika të ndryshme të cilat ne nuk mundemi ndoshta me i kuptu e as nuk e dimë se qysh kanë me shku. Ne kemi pasë fjalë tepër te mira prej krejtve që kanë qenë aty. Kanë qenë shumë të befasume, me organizimin tonë, me përpikërinë tonë, për gjithçka, për këngën, për paraqitjen skenike, janë befasu të gjithë, por që në fund secili e kqyr interesin e shtetit të vet dhe ne jemi një shtet i vogël, edhe Kosova edhe Shqipëria, nuk është që luajmë shumë rol në botë. Ajo dihet, unë nuk jam as e para as e fundit që po ethëm që dihet se votat e jurisë si shkojnë e tek shkojnë”, tha Sidorela. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të saj në STUDIO A e gjeni ën videon më poshtë:
Fatmire Musliu nga Sindikata e Punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme është ankuar për zhvillimet brenda ministrisë. Ajo ka pasur vërejtje për procesin e fuzionimit të Ministrisë së Diasporës tek ministria e Jashtme dhe ka potencuar se janë bërë shumë emërime politike dhe janë vendosur nëpër pozita njerëz jo-adekuat.
Musliu ka thënë së punëtorët e karrierës që janë në Ministri të Jashtme janë tepër në gjendje të keqe.
“Zyrtarët e karrierës, nuk e di si të them, të them depresion është fjalë e rëndë. Ata janë duke menduar që ta lejnë punën fare”, ka thënë ajo në FRONTAL.
“Normal se kur përballesh me shkelje, për barazi në punë, ngritje në detyrë, atëherë kënaqësia që fillimisht te ka secili, zbehet”, ka shtuar ajo tutje.