ATV

Author: ATVLive

  • ​Fushata informuese për liberalizimin e vizave, Kurti takoi komunitetin turk në Prizren

    ​Fushata informuese për liberalizimin e vizave, Kurti takoi komunitetin turk në Prizren

    Në kuadër të fushatës së informimit për liberalizimin e vizave, kryeministri Albin Kurti takoi sot komunitetin turk në Prizren, me të cilët bashkëbisedoi dhe ndau informacione për ushtrimin e të drejtës së lirisë së lëvizjes në zonën Shengen nga e cila na ndajnë vetëm 10 ditë.

    Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët, liberalizimi i vizave siç tha kryeministri, ka edhe një dimension njerëzor sepse duke qenë se 1/3 e qytetarëve janë në mërgatë, liberalizimi na dhuron mundësinë për të mos munguar në momentet më të çmueshme të jetës e për të qenë aty për njëri-tjetrin në kujtimet që zgjasin gjatë gjithë jetës.

    Kundrejt kësaj çështjeje, Qeveria e Kosovës ka bërë një fushatë informimi në gjithë vendin, ku përgjatë tetorit dhe nëntorit kamioneta me informata ka vizituar mbi 30 komuna të Kosovës, me materiale të shtypura në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome.

    Në kuadër të saj është gërshetuar edhe kuizi i BE-së për qytetarët, i cili ka mundësuar që një grup të fitojë udhëtimin e parë pa viza më 1 janar në Vjenë të Austrisë.

    Fushata e informimit, përveçse në terren, është realizuar edhe në aeroport e pika kufitare, TV/radio e rrjete sociale. Pyetjet e qytetarëve janë drejtuar në numrin e telefonit pa pagesë në 0800 77 001, të lansuar enkas për shpjegimin e rregullave që duhet respektuar nga 1 janari 2024 kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave.

    Kriteret për lëvizje të lirë janë pasaporta biometrike, udhëtimi vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës, si dhe dëshmi të mjaftueshme financiare e biletë kthyese.

    “Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Kjo është arritje e përbashkët, pasi progresi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve”, tha Kurti.

    Fushata e informimit për liberalizim të vizave iniciuar nga Qeveria, ka filluar më 5 tetor në Prishtinë, dhe ka vazhduar në mbi 30 komuna, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës.

  • ​Ekonomia amerikane rritet 4.9% në tremujorin e tretë, pak më dobët se sa ishte vlerësuar

    ​Ekonomia amerikane rritet 4.9% në tremujorin e tretë, pak më dobët se sa ishte vlerësuar

    Rritja ekonomike e SHBA-së ishte pak më e ulët në tremujorin e tretë sesa raportohej më parë, por ishte ende rritje e fuqishme, duke nënvizuar fuqinë e madhe të ekonomisë amerikane gjatë verës.

    Prodhimi i Brendshëm Bruto, masa më e gjerë e prodhimit ekonomik, u rrit me një normë vjetore 4.9 për qind nga korriku deri në shtator, njoftoi të enjten Departamenti i Tregtisë. Ky është një ritëm më i ngadaltë i rritjes sesa 5.2 për qind e raportuar në vlerësimin e dytë.

    Rritja në tremujorin e tretë ishte më e madhja në gati dy vjet pasi amerikanët shpenzuan për koncerte, filma dhe mallra. Ekonomia amerikane është ngadalësuar nga ritmi i vendosur në fillim të vitit, por si punësimi ashtu edhe shpenzimet mbeten solide.

    Investitorët janë të kënaqur që Rezerva Federale është e gatshme të ulë normat e interesit në vetëm disa muaj, megjithëse zyrtarët kohët e fundit e kanë kundërshtuar këtë optimizëm.

    Disa besojnë gjithashtu se ekonomia është në mes të një uljeje të butë, një skenar në të cilin inflacioni kthehet në objektivin prej dy për qind të FED-it pa një rritje të mprehtë të papunësisë. /CNN

  • Ambasada e Kosovës del me reagim pas sulmit në Pragë

    Ambasada e Kosovës del me reagim pas sulmit në Pragë

    Lidhur me të shtënat me armë zjarri në Pragë, në Fakultetin e Filozofisë, Universitetin e Karlit, ka reaguar Ambasada e Kosovës në Pragë.

    Përmes një njoftimi, kjo ambasadë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

    “Pas raportimeve për një sulm të armatosur në qendër të Pragës, përkatësisht në Fakultetin e Filozofisë, Universitetin e Karlit. Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në njoftim.

    Policia çeke ka njoftuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendër të Pragës, nga të cilat raportohet se janë vrarë një numër i paspecifikuar njerëzish dhe janë plagosur të tjerë.

    Policia nuk ka dhënë detaje rreth viktimave apo rrethanave të të shtënave me armë zjarri të së enjtes në kryeqytetin e Republikës Çeke.

  • Pamje të rënda nga sulmi në Pragë, momenti kur studentët dolën në çati për t’iu shmangur sulmuesit

    Pamje të rënda nga sulmi në Pragë, momenti kur studentët dolën në çati për t’iu shmangur sulmuesit

    Çekia është tronditur sot nga një sulm i armatosur që po raportohet se ka lënë disa të vdekur dhe disa të plagosur. Sulmi ka ndodhur në një universitet që ndodhet në qendër të qytetit, ndërkohë që sulmuesi është eliminuar.

    Në media dhe rrjete sociale janë duke qarkulluar fotografi të studentëve të cilët kanë dalë në çati të objektit të universitetit për t’iu shmangur sulmuesit.

  • ​Memli Krasniqi: Qeveria aktuale i ka sjellë regres Kosovës

    ​Memli Krasniqi: Qeveria aktuale i ka sjellë regres Kosovës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar në Komunën e Gjakovës, ku ka takuar sipërmarrës, prodhues dhe udhëheqës të qendrave inovative në këtë komunë.

    Krasniqi i shoqëruar nga kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, deputeti Hajdar Beqa dhe nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbënesha Kuqi, në vizitat që i kanë bërë qendrave “BoneVet” e “Jakova Inovation Center”, si dhe ndërmarrjes “KoBa”, kanë diskutuar për sfidat me të cilat po përballen ata dhe të gjithë qytetarët e Gjakovës, si pasojë diskriminimit që po ua bën Qeveria Kurti, duke mos ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për këtë komunë.

    “Fatkeqësisht edhe Gjakova është ndër komunat e ndëshkuara nga Qeveria Kurti, sepse edhe për Gjakovën nuk është ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për vitin 2024. Është për keqardhje që nuk ka një mbështetje për qytetarët e Komunës së Gjakovës, ashtu siç nuk ka pasur as për qytetarët e komunave të tjera. Por, është po ashtu për keqardhje që s’ka mbështetje as për ndërmarrësit e Komunës së Gjakovës, të cilët vërtetë me sfida të shumta, po arrijnë që të krijojnë vende pune, të mbajnë njerëzit në Gjakovë dhe po ashtu, të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, tha Krasniqi.

    Përkundër kësaj, kreu i PDK-së u nda i kënaqur nga të arriturat e ndërmarrësve dhe inovatorëve dhe u zotua që PDK do ta rikthej në nivel qendror modelin efektiv të qeverisjes, që mban fjalën, kryen punë edhe ua lehtëson jetën e qytetarëve.

    “Unë jam i impresionuar nga puna që është bërë në të gjitha këto qendra e ndërmarrje të cilat i vizitova sot dhe me të vërtetë, na takon secilit, pavarësisht pozicionit, që të jemi pranë ndërmarrësve, të jemi pranë inovatorëve, që të jemi pranë qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre, sepse modeli qeverisës ekzistues është model, i cili ka sjellë vetëm regres. Ndërsa, ne besojmë që do të rikthejmë modelin efektiv të qeverisjes, si një qeveri e cila e mban fjalën, që kryen punë edhe që lehtëson jetën e qytetarëve, ashtu siç po bëjmë në të gjitha komunat të cilat udhëhiqen nga kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës”, theksoi Krasniqi.

    Ndërkaq, kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa tha se ndërmarrësit po ballafaqohen me shumë sfida, andaj është e rëndësishme të krijohet një strategji bashkë me ekspertët dhe ndërmarrësit, që PDK t’i përfshijë këto objektiva në alternativat për zhvillim ekonomik në të ardhmen.

    “Fatkeqësisht, edhe komuna jonë ka pësuar nga buxheti qeveritar për vitin 2024. Jemi diskriminuar dhe kemi zero investime kapitale për Gjakovën. Tash konkretisht jemi në ndërmarrjen “KoBa”, është një ndërmarrës i suksesshëm, një shembull i mirë, Zenun Bajrami, i cili ka pasur një aktivitet të madh në diasporë dhe tash ka ardhur dhe ka investuar në Kosovë. E ka një treg të mirë edhe jashtë vendit, edhe brenda Republikës së Kosovës, por fatkeqësisht nuk ka pasur mbështetje institucionale. Bashkë me kryetarin Memli Krasniqi kemi ardhë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen që ta mbështesim me një infrastrukturë ligjore përmes nivelit qendror”, tha Beqa.

    Gjatë qëndrimit të tij në Gjakovë, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe organizatën joqeveritare “Medika” dhe verarinë “Risons”.

  • Shërbimet e shpëtimit në Pragë: 11 të vdekur përfshirë sulmuesin, 9 të plagosur rëndë

    Shërbimet e shpëtimit në Pragë: 11 të vdekur përfshirë sulmuesin, 9 të plagosur rëndë

    Shërbimet e shpëtimit mjekësor të Pragës ndanë informacione të reja për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve:

    “11 të vdekur përfshirë sulmuesin, 9 të plagosur rëndë, 5-6 të plagosur mesatarisht të rëndë, deri në 10 të plagosur lehtë. Numrat mund të ndryshojnë ende.”

    LEXO EDHE:

    Sulmi në Pragë lë disa të vdekur e dhjetëra të plagosur: Eliminohet sulmuesi

  • Koopman: I lumtur që liberalizimi i vizave do të bëhet realitet për Kosovën

    Koopman: I lumtur që liberalizimi i vizave do të bëhet realitet për Kosovën

    Zyrtari i Lartë i Komisonit Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se është i lumtur që liberalizimi i vizave do të bëhet realitet për Kosovën nga janari 2024.

    Ai ka thënë se kosovarët do të mund të udhëtojnë nëpër gjithë BE-në pa viza për tre muaj.

    Koopman ka shkruar se kjo do të forcojë lidhjet dhe do të lehtësojë shkëmbimet mes njerëzve nga Kosova në BE.

    “I lumtur që nga janari 2024, liberalizimi i vizave do të bëhet realitet për Kosovën. Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpër Evropë pa vizë, deri në 90 ditë. Kjo do të ndihmojë shumë për të nxitur lidhjet më të ngushta dhe për të lehtësuar shkëmbimet mes njerëzve mes Kosovës dhe Evropës”, ka shkruar ai në “X”.

  • Dalin pamje të sulmuesit i cili dyshohet se ka vrarë disa persona në Pragë

    Dalin pamje të sulmuesit i cili dyshohet se ka vrarë disa persona në Pragë

    Një sulm i rëndë ka ndodhur në një institucion arsimor në Pragë. Një person i armatosur ka vrarë dhe plagosur disa persona.

    Sipas informacioneve paraprake nga policia bëhet fjalë për një numër të viktimave dhe të të plagosurve në këtë rast.

    Në anën tjetër, në rrjetin social “X” është publikuar edhe një fotografi e sulmuesit i cili shihet në një ndërtesë në pozicion të lartë.

    Gjithashtu, në rrjete sociale janë publikuar edhe fotografi të studentëve duke ikur me vrap pas sulmit.

  • Sulmi në Pragë lë disa të vdekur e dhjetëra të plagosur: Eliminohet sulmuesi

    Sulmi në Pragë lë disa të vdekur e dhjetëra të plagosur: Eliminohet sulmuesi

    Policia çeke ka thënë se disa persona kanë të vdekur pas sulmit në Pragë, teksa personi që përgatiti këtë sulm tashmë është eliminuar.

    “Sulmuesi është eliminuar”, ka thënë policia çeke në rrjetet sociale.

    E gjithë ndërtesa aktualisht është duke u evakuuar dhe ka disa të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, raporton The Guardian.

  • Sot është dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë e vitit

    Sot është dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë e vitit

    Sonte është solstici dimëror, domethënë momenti kur Dielli në lëvizjen e tij të dukshme arrin pikën e tij më jugore.

    Zyrtarisht ka nisur dimri, që do të thotë se duke filluar nga sot na presin ditë më të gjata dhe ditë me më shumë dritë dite.

    Nata e sonte në hemisferën veriore është më e gjata, dhe dita është më e shkurtra.

    Data e solsticit të dimrit, dita më e shkurtër e vitit në hemisferën veriore, zakonisht përkon me ditën e parë të dimrit.

    Por data e solsticit të dimrit mund të ndryshojë nga 20 deri më 23 dhjetor.

    Solstici dimëror shënon një pikë kthese të madhe vjetore, fillimin astronomik të dimrit dhe kalimin në një periudhë kur ditët bëhen më të gjata dhe më të ndritshme dhe netët shkurtohen.

    Termi solsticë vjen nga latinishtja solstitium, që do të thotë “pushimi i diellit”.

    Solstici i dimrit është një ngjarje e festuar nga popujt e lashtë dhe ky fenomen i trembi ata.

    Për shkak të ditës së shkurtër në shumë kultura të lashta, 21 dhjetori festohej si dita e vdekjes dhe rilindjes së hyjnive që simbolizonin pjellorinë, dritën dhe Diellin.

    Ndërsa këtu sot është dita më e shkurtër, situata është krejtësisht ndryshe në hemisferën jugore, ku jeton vetëm dhjetë për qind e popullsisë së botës.

    Prandaj, atje solstici i dhjetorit shënon ditën më të gjatë të vitit dhe fillimin e verës.