ATV

Author: ATVLive

  • Autoriteti i Konkurrencës i shqipton gjobë MTS-së mbi 1.5 milion euro

    Autoriteti i Konkurrencës i shqipton gjobë MTS-së mbi 1.5 milion euro

    Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës njofton se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, më saktësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1 milion e 563 mijë e 959 e 26 cent.

    “AKRK njofton se Ndërmarrja MTS d.o.o ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International”, thuhet në komunikatë.

    Në fund thuhet se Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës si institucion publik, i pavarur në kryerjen e detyrave të veta të përcaktuara në ligj, do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të ligjit të konkurrencës.

  • Rama publikon draft propozimin për masterplanin e fshatit olimpik në Prishtinë

    Rama publikon draft propozimin për masterplanin e fshatit olimpik në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar draft propozimin për masterplanin e fshatit olimpik në Prishtinë.

    “Draft propozimi per Masterplanin e fshatit Olimpik ne Prishtinë”, ka shkruar ai.

  • Musliu: Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste serbe

    Musliu: Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste serbe

    Sulmi në Banjskë ishte me rrezikshmërinë më të lartë për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe si i tillë mund të përsëritet. Kështu ka deklaruar kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas mbledhjes ku kishte raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

    Në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes, Musliu tha se siguria në vend për këtë vit ka qenë sfiduese si për institucionet ashtu edhe për qytetarët. Porse, siç tha ajo, falë punës profesionale të AKI-së është arritur që t’iu jepet epilog rasteve që cenuan sigurinë kombëtare.

    “Konstatuam se ka qenë një vit i vështirë dhe jashtëzakonisht sfidues për qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi e me theks të veçantë për institucionet e sigurisë në vend. Gjatë këtij viti, Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste te organizuara nga aparatura shtetërore serbe. Në nivelin e sigurisë kombëtare rasti i Banjskës është një nga rastet e nivelit më të lartë të rrezikshmërisë së shtetit të Kosovës dhe ky rast ende vazhdon në mënyra të veta të paraqesë rrezik për vendin tonë”, tha ajo.

    Por, krahas sigurisë kombëtare deputetja Musliu tha se institucionet e sigurisë duhet të jenë vigjilente edhe për çështje të tjera.

    “Si institucione të sigurisë nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lëmë pa vëmendje edhe kërcënimet e tjera të sigurisë siç janë prezenca e madhe e lëndëve narkotike dhe shpërndarja tek grupmoshat e reja në theks të veçantë ose me fokus tek nxënësit dhe shkolla. Futja nga jashtë e Kosovës e monedhës dy euro false po ashtu në tregun financiar ekonomik po ashtu ka dëmtuar rëndë qytetarët e Republikës së Kosovës ka shkaktuar probleme financiar ne ekonomi edhe ashtu të varfër të Kosovës.

  • Ambasada gjermane me çokollata festive informon në Graçanicë e Prishtinë si udhëtohet pa viza

    Ambasada gjermane me çokollata festive informon në Graçanicë e Prishtinë si udhëtohet pa viza

    Ambasada gjermane i është bashkuar kampanjës zyrtare për informimin mbi udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.

    Ambasadori Jorn Rohde ka thënë se informatat po i shpërndajnë bashkë me ëmbëlsi përmes disa çokollatave festive.

    “Sot, ambasada gjermane u bashkua me fushatën zyrtare informative për liberalizimin e vizave. Duke shtuar një shije festive, ne ndamë informacionin “si të udhëtoni pas liberalizimit të vizave” mbi çokollata, duke shpërndarë ëmbëlsi në Graçanicë dhe Prishtinë!”.

  • Molliqaj me parti vizitojnë familjen e Sali Mustafës

    Molliqaj me parti vizitojnë familjen e Sali Mustafës

    Gjatë ditës së sotme kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj së bashku me partinë e tij ka zhvilluar një vizitë në familjen e Sali Mustafës (Calit).

    Molliqaj tha se barra e rëndë për Calin në Hagë mundet me u kuptu edhe me lehtësinë me të cilën përjetohet secili lajm për UÇK-në këtu.

    ‘’Bashkë me aktiviste e aktivistë të PSD-së e kemi vizituar familjen e Salih Mustafës. Cali është dënuar me 22 vite burg krejt arbitrarisht. Cali ka qenë veprimtar e i burgosur politik edhe para fillimit të luftës. Sakrificën e bartë veç vetëdija e lartë.Barra e rëndë për Calin në Hagë mundet me u kuptu edhe me lehtësinë me të cilën përjetohet secili lajm për UÇK-në këtu. Rrethanat shoqërore janë rrethana politike. Cali është i vetëdijshëm për këtë, e mbaj mend nga vizita’’, ka shkruar Molliqaj.

    Sipas Molliqajt në vend të shpresave për vendimet e mira, Kosova duhet të gjejë rrugë për ta mbrojtur luftën dhe njerëzit.

  • Rasti “Veteranët”, ish-anëtari i Komisionit thotë se numri i veteranëve luftëtarë mund të jetë rreth 31 apo 32 mijë

    Rasti “Veteranët”, ish-anëtari i Komisionit thotë se numri i veteranëve luftëtarë mund të jetë rreth 31 apo 32 mijë

    Avdi Raci, i cili ishte anëtar i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, gjatë dëshmisë së tij në rastin e njohur si “Veteranët”, tha se numri i veteranëve luftëtarë mund të jetë rreth 31 apo 32 mijë.

    “Muj me gabu në saktësi. Përafërsisht, janë kanë diku tri herë që kanë ardhë dokumentet në TMK. Mundet me kanë te 31 mijë- 32 mijë, muj me gabu në saktësi por e përafërt mund të jetë aty”, ka thënë dëshmitari Raci.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Fillimisht, dëshmitari Raci ka qëndruar pranë të gjitha deklaratave të dhëna më parë, ndërsa ka pohuar se ka qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe se kjo e fundit është marrë me regjistrimin e veteranëve luftëtarë dhe me numrin e tyre.

    Raci tha se ka qenë anëtar i Komisionit nga fillimi deri para përfundimit të procesit, kur edhe kishte dhënë dorëheqje meqenëse tha se nuk ishte pajtuar me shumë gjëra.

    “Unë kam dhënë dorëheqje sepse ka fillu procesi i vlerësimit të ankesave. Kemi qenë një komision prej pesë anëtarëve dhe në fillim të shqyrtimit të ankesave e mospajtimi im ka qenë që mos me qenë anëtar të komisionit komandat i zonave, mos me qenë të pranishëm në vlerësim në mbledhjen e komisionit dhe kjo s’e ka gjet përkrahjen e komisionit dhe kjo ka qenë arsyeja që unë jam dorëheq”, ka thënë Raci.

    Sipas tij, aplikacionet janë shqyrtuar prej nënkomisioneve të zonave, ndërkaq komisioni i ka aprovuar.

    Dëshmitari theksoi se Komisioni nuk kishte mundësi për verifikimin e aplikacioneve një nga një për shkak të volumit të madh, por që këtë e kishte bërë nënkomisioni. Kurse, ka mohuar të ketë pasur ndonjë aplikacion në komision që është shqyrtuar apo diskutuar për emra të përveçëm apo të përgjithshëm derisa ai ka qenë në komision.

    Në fund, dëshmitari Raci ka thënë se listat beson që kanë qenë shumë të sakta dhe se sistemi i listave që ata kanë administruar në TMK, kanë qenë lista të ardhura nga zonat.

    Ndërsa, pas dëshmisë së tij, i akuzuari Faik Fazliu ka thënë se kjo që tha dëshmitari është diçka e re rreth listave të TMK-së, sepse në ato lista sipas tij nuk kanë qenë të përfshira asnjëherë Ministria e Mbrojtjes që ka qenë edhe pjesë e komisionit me ligjin.

    Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Rrahman Rama, i cili ka qëndruar pranë të gjitha deklaratave të dhëna paraprakisht, me ç’rast prokurori special Valdet Gashi nuk kishte pyetje të tjera.

    Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Rama ka sqaruar se ai ka qenë anëtar i komisionit vlerësues shtetëror nga fillimi deri në përfundim.

    Sa i përket vlerësimit të aplikacioneve të aplikantëve për përfitimin e statusit të kategorive të dala nga lufta, dëshmitari tha se për aq sa i kujtohet ata kishin bërë rregulloren e brendshme se si do të veprohet bazuar në ligj.

    “Secili prej nesh që ka qenë pjesëtar i UÇK-së, kemi pas për obligim m’i jep të dhënat personale, aktivitetet që i ka pas, shërbimet që i ka bo qoftë në zonë qoftë në nivele të ndryshme”, ka thënë dëshmitari Rama.

    Ai ka sqaruar se kishin hartuar aplikacionin dhe kategorizimin e kategorive veteran, luftëtar, pjesëmarrës dhe kontribues, duke dërguar më pas aplikacionet në të gjitha zonat në të gjithë Kosovën.

    Sipas Ramës, në mbledhje të komisionit me vendim ishte ndarë përgjegjësia tek zonat për të bërë vlerësimin dhe verifikimin. Ndërkaq, tha se komisioni nuk kishte shqyrtuar aplikacionet një nga një.

    “Për secilin aplikant jo, asnjëherë. Në moment që janë ba aplikacionet dhe janë shpërnda unë si komanadat i asaj zone i asaj kohe, unë kam kalu tani e kam ba verifkimin dhe vlerësimin me gjithë eprorët e mi dhe vartësit e mi. Në Qeveri i kemi ba në zyret e Qeverisë, ku pjesë e atij procesi ka qenë edhe sekretariati i atij komisioni”, ka thënë dëshmitari Rama.

    Ai ka mohuar të ketë pasur në zonën e Shalës aplikacione që në bazë të të dhënave personale kishte rezultuar që në kohën e UÇK-së ka qenë i mitur.

    Kurse, arsyeja pse ai kishte qenë edhe anëtar i komisionit shtetëror edhe anëtar për shqyrtimin e ankesave tha se ishte bërë për shkak se askush nuk i kishte njohur ata persona më mirë se ata.

    “Kjo ka qenë arsyeja sepse askush ma mirë se ne nuk i ka njohur ata njerëz ose edhe komandatat e tyre në të gjitha nivelet që i kanë njoft ma mirë në zonën ku ka vepruar ose njësinë ku ka vepruar”, ka thënë dëshmitari Rama.

    Sipas tij, secili individ që e ka ndjerë veten të pakënaqur me statusin që e ka gëzuar, ka pasur të drejtë ankese në komisionin qendror në Qeveri ose sekretariat dhe se totali i tyre ka qenë rreth 10% prej të cilave tha se janë aprovuar vetëm 1 apo 2%.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri bëri të ditur se në këtë seancë ka qenë i ftuar në cilësi të dëshmitarit Sami Lushtaku, i cili e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

    Mirëpo, në fund të seancës Lushtaku është kontaktuar përmes telefonit nga i akuzuari Faik Fazliu, i cili ka thënë se për sot nuk kishte pranuar ftesë, ndërkaq ka konfirmuar pjesëmarrjen për seancën e radhës.

    Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.

    Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar. Ndërsa, ajo e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

  • Profesori Ramë Buja nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga rektori i Kolegjit AAB

    Profesori Ramë Buja nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga rektori i Kolegjit AAB

    Me titullin “Profesor Nderi” është nderuar profesori i Fakultetit të Administratës Publike, Ramë Buja, nga rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa. Titulli është ndarë me motivacion për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë si dhe merita të jashtëzakonshme për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    Tafa tha se përmes kësaj ceremonie shënohet një moment i rëndësishëm, ai i pensionimit të profesorit Ramë Buja dhe në anën tjetër vlerësohet puna e angazhimi që ka shfaqur në Kolegjin AAB, duke e falënderuar për kontributin e tij që ka dhënë për studentët.

    “Gjatë karrierës ju keni ndërtuar një biografi që nuk e ka çdokush, jeni bërë emër i njohur i arsimit, shkencës dhe emër historik. Asnjë histori e re nuk do të shkruhet as sot dhe as në të ardhmen pa emrin tuaj”, tha Tafa ndër të tjera për profesorin Buja.

    Ky i fundit nën emocione e cilësoi si privilegj të jashtëzakonshëm të qenurit bashkë me familjarët, miqtë dhe kolegët në ditën e pensionimit duke shtuar se kontributi i tij në arsim është gjëja të cilën e ka bërë me plot vullnet.

    “Arsimin e dua skajshmërisht, sepse nëse duam ta ndërtojmë shtetin përveç arsimit nuk ka ilaç tjetër. E falënderoj Kolegjin AAB pafundësisht për faktin se në asnjë moment nuk kanë kufizuar hapësirën time dhe kanë vlerësuar kontributin tim”, u shpreh profesori Buja.

    Edhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim në Kolegjin AAB, Petrit Bushi, shprehu mirënjohjet më të larta për Bujën, për të cilin tha se është model se si duhet të jetë një profesor.

    Familjarët uruan Bujën, ndërsa vëllau i tij Shukri Buja përmendi rolin e rëndësishëm që kishte ai në etapa të ndryshme jetësore për ta dhe shtetin në përgjithësi.

  • Punëtorë të pesë institucioneve publike bëhen bashkë në protestë

    Punëtorë të pesë institucioneve publike bëhen bashkë në protestë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Punëtorë të pesë institucioneve kulturore u bënë bashkë për një qëllim.

    Dhjetëra persona erdhën para komunës së Prishtinës për të protestuar për shkak të pakënaqësive që kanë në vendet e punës. Kërkesat ndërkaq i vlerësuan minimale.

    Sipas tyre, kërkesat janë të njëjta tash e dy vjet, por asnjëherë nuk u bë asgjë në plotësimin e tyre.

    Nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre dhe nuk ka ndonjë reflektim nga ana kryetarit Përparim Rama, ata thanë se do të vazhdojnë me masa të tjera, duke përmendur edhe grevën.

    Në protestën e së martës morën pjesë punëtorë të Teatrit “Dodona”, Arkivit të Komunës së Prishtinës, Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Qendrës Kulturore për Rini dhe Zjarrfikësit.

  • S’respektohet kontrata, shtëpizat e tregut të fundvitit mbesin pa rrymë

    S’respektohet kontrata, shtëpizat e tregut të fundvitit mbesin pa rrymë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për disa orë, të hënën shtëpizat e tregut të fundvitit ishin pa energji elektrike.

    Si pasojë e kësaj, disa nga afaristët u detyruan ta hedhin në mbeturina mallin që kishin planifikuar ta shisnin.

    “Krejt çfarë kam pasur është dashur me i hedh, kemi qenë për 6 orë pa energji elektrike…”, tha Shpat Hashani, pronar.

    “Prej se jemi vendos ne këtu nuk jemi bërë rehat, asnjëherë me energji elektrike, gjë e cila po ndikon drejtpërsëdrejti në punën tonë, financa, numrin e klientëve e shumë faktorë të tjerë, ndërkohë që pagesat i kemi kryer”, tha Shkëlzen Rugova, pronar.

    Mirëpo, KEDS-i, ekipet e të cilëve dolën në terren pasi ATV-ja u interesua për një përgjigje në lidhje me shqetësimin e pronarëve, tha se reduktimet janë si pasojë e mbingarkesës.

    “Nuk bëhet fjalë për ndërprerje të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, por për instalime elektrike të brendshme në ato shtëpiza”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

    Për t’i evituar këto telashe, edhe në kontratën e Komunës së Prishtinës ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse të tregut të Vitit të Ri, potencohet se përgatitjet e ushqimeve dhe pijeve duhet të bëhen me anë të lëndës së gazit.

    Duke u nisur nga kjo edhe vetë pronarët i bëjnë thirrje njëri-tjetrit që të mos përdorin pajisje që nuk parashihen në kontratë.

    “Ata që nuk duan të punojnë le të del inspektorati le t’i kontrollon edhe t’i dënojë kush nuk është ligjshëm le t’i gjobit edhe asgjë askujt, se për të punuar kemi dal t’i shfrytëzojmë këto kohë të mira, pasi klientët nuk vijnë të qëndrojnë në terr”, tha Adnan Sylejmani, pronar.

    “Tregu i Fundvitit” është aktivitet i organizuar nga Komuna e Prishtinës, i cili ofron shërbime për qytetarët deri më 8 janar 2024.

  • Inagurohet parku industrial në Viti

    Inagurohet parku industrial në Viti

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në hapësirë prej 15.5 hektarësh është inauguruar parku industrial në Budrigë të Vitisë.

    Përmes këtij investimi kapital në vlerë prej 1.7 milion eurove po synohet mbështetja për investime në biznese dhe nxitja e veprimtarisë prodhuese.

    Për investime të ngjashme nga ekzekutivi u premtuan edhe 33 milionë euro gjatë tri vjetëve të ardhshme.

    Investimi u bë në kuadër të Ministrisë së Industrisë.

    Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kërkoi që kjo zonë ekonomike të rritet.

    Në këtë park industrial në Budrigë, do të vendosen 30 biznese.