ATV

Author: ATVLive

  • Idrizi thotë se ka raporte të mira me kryeministrin Kurti

    Idrizi thotë se ka raporte të mira me kryeministrin Kurti

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi se dje ishte në takim të kryeministrit me kryetar të komunave, por në këtë takim, ai thotë se nuk ka parë kryetarë të komunave të tjera, me përjashtim të dy kryetarëve ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosje.

    Ai thotë se ka raporte te mira si me ministrat ashtu edhe me kryeministrin.

    “Kur është fjala te bashkëpunimi, unë kur e kanë vizituar komunën e Vushtrrisë, i kam pritur në mënyrën më të mirë edhe ministrit edhe kryeministri kur ka qenë vitin e kaluar në përvjetorin e Masakrës së Studimës, edhe nuk kam hezituar asnjë moment as nuk hezitoj me bashkëpunu me ministra, kam komunikimin e tillë, komunikim qysh po kërkojnë nuk kam pasur edhe nevojë me e pas me kryeministrin, asnjëherë nuk kam pasur nevojë as me ministrin e Financave. Kur ka qenë për me e kritiku, unë kam kritiku. Nuk e bëj për me perfitu, por e bëj për hir të institucionit qysh duhet me funksionu në një shtet demokratik”, tha Idrizi. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Idrizi: Zhurma për ndarjen e mjeteve për invesimte kapitale nëpër komuna, ka qenë e panevojshme

    Idrizi: Zhurma për ndarjen e mjeteve për invesimte kapitale nëpër komuna, ka qenë e panevojshme

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se debati për ndarjen e 13 milionëve për komuna nga ana e Qeverisë, ka qenë i panevojshëm.

    “Këto mjete për të cilat është diskutuar shumë, po më duket kanë qenë diku në afër të 13 milionë, që kur t’i pjesëtojsh për komuna nuk është që kishim përfitu ku me ditë sa. Është evidente ajo domethënë ai hulumtim që u bë dhe ajo pasqyrë, po megjithatë kudo që investohet, investohet në komunat e Republikës së Kosovës dhe tash këto mjete që i ndan Qeveria në këtë formë, këtu duhet të dedikoheshim për projekte nacionale, për rrugë regjionale, për rrugë nacionale, për projekte të mëdhaja. Por, kur ato projekte nuk i ka ose nuk i realizon, mandej pak e lëshon dorën dhe iu jep komunave. Me përkthy në terma real, i bie që këto nuk na i kanë borxh komunave, domethënë, munden me na jep, munden mos me na jep”, tha Idrizi.

    Ai thotë se më relevante ka qenë të diskutohet për kontratën kolektive, e cila sipas tij, i ka dëmtuar shumë komunat.

    “Nuk i ka dëmtu mos dhënia e këtyre 13 milionëve me i përpjesëtu për kokë banori e tjerë, por kontrata kolektive, sepse kontrata prodhon efekte juridike, prodhon obligime dhe ato obligime u dashtë me i marrë me i marrë ministria, jo me ua gjuajt komunave, se vërtet na kanë dëmtue. Na ia kemi arritë këtë vit me i pague, deri dje i kemi pagu 2 milionë e 400 mijë euro”, tha Idrizi. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Idrizi: Komuna e Vushtrrisë ka arritë me e realizu 92 për qind të buxhetit për këtë vit

    Idrizi: Komuna e Vushtrrisë ka arritë me e realizu 92 për qind të buxhetit për këtë vit

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se komuna që ai drejton ka arritur ta realizojë 92 për qind të buxhetit të paraparë për këtë vit.

    “Po këtë vit në Komunën e Vushtrrisë po e përmbyllim suksesshëm, edhe pse ishte një vit vërtet sfidues, një vit me shumë turbulenca, por ia dolëm ta përafrojmë me e përmbyllë. Na kanë mbetur edhe pak ditë derisa të bëhet mbyllja e buxhetit dhe sistemi i pagesave, kështu që deri, deri sot diku ne kemi arritë me realizu buxhetin e 92 të buxhetit me e shpenzu dhe sinqerisht ndihem jashtëzakonisht mirë, sepse ka qenë vazhdimisht ajo frika te investimet kapitale, te mos shpenzimi i buxhetit, por shkak te procedurave që i ofron Ligji i Prokurimit Publik dhe disa procedura burokratike, të cilat i janë ba pengesë vetëm jo vetëm për Komunën e Vushtrrisë, po për gjitha komunat edhe për gjithë vendin”, tha Idrizi. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Thellohet bilanci i viktimave nga të shtënat në universitetin e Pragës

    ​Thellohet bilanci i viktimave nga të shtënat në universitetin e Pragës

    Të paktën 15 persona u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën në një incident me të shtëna në një universitet në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë, të enjten.

    Kreu i policisë Martin Vondrasek tha se personi i armatosur ishte një student 24-vjeçar në Fakultetin e Arteve në Universitetin Charles.

    Sulmuesi jetonte në një fshat, 21 kilometra jashtë Pragës dhe babai i tij u gjet i vdekur më herët sot, tha Vondrasek.

    Duke cituar gjetjet fillestare, shefi i policisë tha se i dyshuari ishte frymëzuar nga incidente të ngjashme që kanë ndodhur jashtë vendit dhe ai nuk ishte i lidhur me ndonjë organizatë terroriste.

    “Trupi i pajetë i personit të armatosur u gjet në Fakultetin e Arteve të universitetit, tha Vondrasek, duke shtuar se ai kreu vetëvrasje pas një shkëmbimi zjarri me policinë.

    “Nuk kemi filluar as të identifikojmë ata që u qëlluan, sepse fillimisht zona duhet të jetë e sigurt”, tha ai.

    Sipas policisë, nuk ka të dhëna që vrasësi nga Fakulteti i Arteve të ketë pasur bashkëpunëtorë.

    Pas incidentit vdekjeprurës, presidenti i vendit Petr Pavel vendosi të ndërpresë udhëtimin e tij në Francë, sipas Radio Prague International.

    Pavel do të takohet me forcat e sigurimit të shtetit, ndërsa kryeministri Petr Fiala gjithashtu anuloi programin e tij të punës në Olomouc dhe po shkon në Pragë.

    Qeveria çeke thuhet se do të mbajë një mbledhje urgjente sonte. /AA

  • Osmani për sulmin në Pragë: Jemi me familjet e viktimave

    Osmani për sulmin në Pragë: Jemi me familjet e viktimave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është me familjet e viktimave që të enjten u vranë nga një sulm me armë në qendër të Pragës.

    Ajo ka shkruar në rrjetin social X se në këto momente të vështira, Kosova solidarizohet me qytetarët e Çekisë.

    “Jemi me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që u përfshinë nga sulmi i tmerrshëm masiv në Pragë sot. Në këto momente pikëlluese, Kosova solidarizohet me qytetarët e Pragës dhe me miqtë e aleatët tanë çekë”, ka thënë Osmani.

    Në qendër të Pragës u vranë të paktën 15 persona e disa të tjerë të plagosur nga një sulm me armë nga një i person i armatosur. Sulmuesi është vrarë nga autoritetet në vendin e krimit.

  • Sulmi në Pragë: Ursula von der Leyen: E tronditur nga ngjarja, qëndrojmë me popullin çek

    Sulmi në Pragë: Ursula von der Leyen: E tronditur nga ngjarja, qëndrojmë me popullin çek

    Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në një universitet në Pragë, ku një person qëlloi me armë zjarri duke lënë të vdekur të paktën 11 persona, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.

    Ursula von der Leyen ka theksuar se është e tronditur nga ngjarja e rëndë, ndërsa ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.

    “Të tronditur nga dhuna dhe të shtënat me armë që morën disa jetë njerëzish sot në Pragë. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe për popullin çek. Ne qëndrojmë me ju”, ka thënë presidentja e KE-së.

  • Mundësohet arrestimi i Sali Berishës

    Mundësohet arrestimi i Sali Berishës

    Përplasja ndërmjet deputetëve të opozitës dhe pushtetit, por edhe ndezja e tymuesve nuk e ndaloi votimin për t’ia hequr imunitetin Sali Berishës.

    Me 75 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë u miratua autorizimi i SPAK-ut, për arrestimin e Berishës.

    Ai vendimin e priti me buzëqeshje dhe i rrethuar nga disa prej mbështetësve të tij.

    Ndërkohë pas daljes nga Kuvendi, Ish-kryeministri i Shqipërisë votimin e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike.

    Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka mirëpritur vendimin për arrestimin e Sali Berishës, ndërsa ish-presidenti Ilir Meta e ka quajtur atë antikushtetues.

    Sipas, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Berisha dyshohet për “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim”, në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. /atvlive.tv

  • Rreth 120 asete të NSH-ve në veri, një pjesë e vogël të uzurpuara

    Rreth 120 asete të NSH-ve në veri, një pjesë e vogël të uzurpuara

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rreth 120 asete që ndodhen në katër komunat veriore, janë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore që administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Por, referuar përgjigjes së AKP-së, një pjesë e tyre nuk janë nën administrimin e AKP-së. Faktikisht, ato janë të uzurpuara.

    AKP-ja tashmë është në proces të identifikimit të këtyre aseteve.

    “Në Mitrovicën e Veriut janë rreth 120 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore, përfshirë edhe Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin. Një numër i vogël i aseteve nuk janë nën administrim të AKP-së, përderisa AKP-JA është në proces të identifikimit dhe ndërmarrjes së veprimeve për vënien në administrim edhe të këtyre aseteve”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

    Sipas ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, mosidentifikimi i aseteve të NSH-ve, përbën pengesa në procesin e privatizimit.

    “Paraqet problem në procesin e privatizimit, pasi pa u identifikuar qartë pronësia e një aseti nuk mund as të iniciohet procesi i privatizimit të një parcele ose një aseti. Fakti që një pjesë e këtyre mbesin pa një status të përcaktuar si duhet, rrjedhimisht përbën edhe telashe në aspektin urbanistik të asaj pjese”, tha ish-drejtori i AKP-së, Ekrem Hajdari.

    Hajdari tregon se shumica e aseteve të NSH-ve në veri janë objekte e lokale, teksa, sipas tij, tani ka kushte që asetet e uzurpuara të kthehen nën kontrollin e agjencisë.

    “Kryesisht në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në komunat e tjera me shumicë serbe në pjesën veriore, janë lokale dhe objekte të ndryshme nuk ka, nuk besoj që ka shumë asete të natyrës tjetër, siç thatë ju bujqësore… me faktin që Policia ka vënë një kontroll të përgjithshëm në atë territor, mendoj që tani edhe ai rrjet i njerëzve që përpara i keqpërdornin këto asete, nuk është në funksion dhe tani është moment i mirë që ato gjëra të vihen nën kontrollin e AKP-së”, tha Hajdari.

    Ndërkaq, dy ditë më parë, me asistencë të policisë, Agjencia Kosovare e Privatizimit mori nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, meqë prona në fjalë i takon Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça Standard”.

  • Rasti “Veteranët”, dëshmon Sami Lushtaku

    Rasti “Veteranët”, dëshmon Sami Lushtaku

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, tani nënkryetar i Skenderajt, Sami Lushtaku, erdhi të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, këtë herë në cilësinë e dëshmitarit.

    Por, dëshmia e Lushtakut në rigjykim në rastin “Veteranët”, nuk zgjati edhe shumë, pasi pati pak pyetje për të.

    Ai tha se qëndron prapa deklaratës së dhënë në gjykimin e kaluar dhe në prokurori.

    Në deklaratën e tij më 2018, dhënë PSRK-së, ai kishte thënë se shifra prej 40 apo 46 mijë veteranëve në Kosovë, nuk përputhet me realitetin.

    Por, Lushtaku thotë se procesi lidhur me listat e veteranëve në zonën ku ai ishte përgjegjës ka qenë në rregull.

    Dëshmitari tjetër, Bujar Shala, është pyetur rreth kategorizimit dhe të dhënave që janë kërkuar në aplikacion. Disa aplikacione ishin pranuar vetëm me emër e mbiemër, pa të dhëna të tjera.

    Gjykata pas propozimit të avokatit Ramë Gashi, për dëgjimin e mbi 2 mijë dëshmitarëve në këtë proces, ku po akuzohen për keqpërdorim me listat e veteranëve Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, dhe dhjetë persona të tjerë, ka vendosur që të ftohen 28.

    Apeli e ktheu rastin në rigjykim, pasi shkalla e parë i kishte liruar të gjithë të akuzuarit.

    Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro.

  • Pa ujësjellës, 21 fshatra të kryeqytetit

    Pa ujësjellës, 21 fshatra të kryeqytetit

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ndonëse me sipërfaqe është një nga fshatrat më të mëdhenj të Prishtinës, fshati Marec asnjëherë nuk është lidhur në sistemin e ujësjellësit.

    200 banorët e këtij fshati, që është rreth 40 kilometra larg nga qendra, ankohen se komuna nuk i ka marrë asnjëherë parasysh kërkesat e tyre.

    “Komuna ka pas plan që një pjesë të madhe të fshatrave t’i lidhë me ujësjellës. Kjo s’ka ndodhë në Marec, pasi që ne ende s’kemi kyçje në ujësjellësin publik. Ne iu bëjmë thirrje që të na bëjnë zgjidhje në mënyrë urgjente, të na krijojë lidhje me ujësjellës, ose të na krijojë lidhje të tjera që të na mundësojë ujë të pijshëm. Banorët furnizohen nga puset, disa prej tyre s’kanë mundësi me pasë transport që me ble ujë ndërkohë e pijnë të puseve të hapura e që kjo dëmton shëndetin publik të banorëve. Ai ujë rrjedh nga diga të ndryshme”, tha Dardan Vrajolli, banor i fshatit Marec.

    “Disa kafshë kanë ngordhë shkaku i ujit të keq se osht i turbullt, kërkesat s’po merren ma parasysh, jemi lodhë. Edhe lumi është turbullu krejt, s’ka ujë të pastër, s’ka ujësjellës, send s’ka”, tha kryetari i fshatit Marec, Besim Cakolli.

    Hiç më e mirë nuk është gjendja as në fshatin Llajshec të Prishtinës.

    Në mungesë të ujit të pijshëm, nxënësit e shkollës fillore “Filip Shiroka” detyrohen ta blejnë atë.

    “Unë ujin e blej sa herë, sepse këtu në shkollë uji është i dëmshëm, nuk është për ta pirë”, tha Lusira Ramadani, nxënëse.

    “Uji oshtë me hidrofor, s’ka as ujësjellës, oshtë një frikë, se uji oshtë i ndotur e nxënësit po duhet me frikë me pi e do tjerë e blejnë e këto pe përdorim për pastrim”, tha drejtori i shkollës “Filip Shiroka” në Llajshec, Jakup Ramadani.

    Nga Komuna e Prishtinës përmes një përgjigje me shkrim thanë se kyçja e gjithsej 21 fshatrave në ujësjellës, është përgjegjësi e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

    “Kyçja e fshatrave në ujësjellësin publik është kompetencë dhe përgjegjësi e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës. Ata duhet të bëjnë vendosjen e gypave të ujësjellësit në fshatrat që nuk kanë ujësjellës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

    Por nga KRU “Prishtina” prapa kamerës i thanë ATV-së, se në projektin për t’i lidhur në ujësjellës këto fshatra janë të përfshirë, përveç ujësjellësit, edhe komuna e Prishtinës dhe Ministria, dhe vetëm pas jetësimit të të gjithë projektit, KRU “Prishtina” e merr nën menaxhim.

    Përveç Marecit e Llajshecit, fshatrat të tjerë të Prishtinës të cilat nuk kanë qasje në ujësjellës janë Mramori, Grashtica, Butoci, Dragoci, Kukaj, Slivova, Radasheci, Siqeva, Rimanishta, Keqekolla, Prapashtica, Dabisheci, Gllogovica, Gregjeniku, Hajkobilla, Sharbani, Koliqi, Nisheci dhe Ballabani.