ATV

Author: ATVLive

  • Ish-inspektori i AKI-së: Mundësitë e destabilizimit të Ballkanit nga Serbia janë të mëdha

    Ish-inspektori i AKI-së: Mundësitë e destabilizimit të Ballkanit nga Serbia janë të mëdha

    residentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë para gazetarëve në Bruksel se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.

    Ndërsa në fjalimin e fundvitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Ramadani: Serbia mund të nxisë situatë të rrezikshme në Bosnjë, në logjikën e aneksimit

    Mundësinë për destabilizim në Ballkan, nuk e përjashton ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

    Ai në një përgjigje për Front Online ka thënë që gjasat janë të mëdha që Serbia të bëjë veprime ndaj fqinjëve.

    “Mundësitë e destabilizimit të Ballkanit nga ana e Serbisë janë të mëdha, për shkak të qëllimeve që ajo pretendon ndaj vendeve fqinje”, tha ai për Front Online.

    Përveç Kosovës e Malit të Zi, ai thotë që Serbia mund të nxisë “aneksim” në Bosnje.

    “Edhe ndaj Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës dhe ndaj Malit të Zi. Nuk mund të përjashtohet mundësia që Serbia të nxis situatë të rrezikshme të sigurisë në Bosnje, në logjikën e aneksimit apo të ngjashme”, tha ai.

    Ramadani: Prezenca e NATO-s pamundëson agresion klasik ushtarak të Serbisë në Kosovë

    Gjenerali gjerman i NATO-s, Ralf Hammerstein, ka paralajmëruar se më shumë ushtarë do të nevojiten në të ardhmen në Kosovë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin, pasi sipas tij, situata në Ballkanin Perëndimor vazhdojë të jetë e brishtë.

    Këtë e ka komentuar edhe ish-Inspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

    Ai për Front Online ka thënë që prezenca e NATO-s në Kosovë, parandalon agresionin serb.

    Megjithatë, sipas tij kjo është edhe arsyeja që Serbia po financon grupe kriminale.

    “Në ndërkohë, në raport në Kosovën, është e qartë se prezenca e shtuar e ushtarëve të NATOs pamundëson agresion klasik ushtarak të Serbisë. Prandaj, Serbia dhe strukturat e sigurisë së atjeshme po përdorin dhe sponsorizojnë grupe të armatosura paramilitare”, u shpreh ai për Front Online.

    Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

  • Mërgimtarët marrin rrugën drejt Kosovës për fundvit, këto janë pritjet në pikat kufitare

    Mërgimtarët marrin rrugën drejt Kosovës për fundvit, këto janë pritjet në pikat kufitare

    Bashkatdhetarë të shumtë kanë marrë rrugën për në Kosovë për t’i kaluar festat me familjarët e të dashurit e tyre.

    Pritjet në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë, nuk janë shumë të gjata, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë në Merdarë nga 30 deri në 30 minuta dhe njësoj edhe te Dheu i Bardhë.

    Pritjet në pikat tjera kufitare shkojnë nga 5 deri në 10 minuta.

    Qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë e veprojnë në vende të ndryshme evropiane, shumë prej tyre preferojnë që përpos pushimeve të verës, edhe festat e fundvitit t’i kalojnë me familjet e tyre në Kosovë.

  • Një stuhi e fortë e godet Gjermaninë

    Një stuhi e fortë e godet Gjermaninë

    Një stuhi e fortë ka kaluar nëpër Gjermani natën e së premtes. “Zoltan” shkaktoi dëme të konsiderueshme, sidomos në veriun gjerman. Lëvizja e anijeve u ndërpre. Në brigjet veriore ka paralajmërim për përmbytje.

    Stuhia me emrin “Zoltan” kaloi nëpër Gjermani natën e së premtes duke lënë pas dëme të konsiderueshme. Në shumë lande gjermane për shkak të stuhisë u mbyllën tregjet e krishtlindjeve. Lëvizja e anijeve në brigjet veriore të Gjermanisë u ndërpre. Edhe në trafikun hekurudhor pati ndërprerje e vonesa.

    Sot për Hamburgun dhe brigjet e Detit të Veriut ka paralajmërime për përmbytje. Niveli i ujit, sipas autoriteveve i kalon tre metra mbi nivelin normal të ujërave në rast rreziku të përmbytjes. Policia kërkon që të mos ketë qëndrime në zonën e rrezikuar.

    Stuhia që filloi orët e vona të së enjtes pati pasoja të mëdha në trafikun hekurudhor në të gjithë Gjermaninë, si ndërprerje të udhëtimeve apo vonesa të mëdha në trenat rajonalë edhe ata të distancave të gjata. Mjaft lande federale raportojnë për dëme të mëdha e të lënduar. Në landin Renani Veriore-Vestfali forcat e shpëtimit kanë qenë rregullisht të angazhuar gjatë natës në misione për shkak të dëmtimeve në rrugë, automjete, rënie pemësh etj. Në landin Saksoni-Anhalt ka pasur dëme të konsiderueshme dhe dy të plagosur, ndërs landin Shlezvig-Holshtajn një person u plagos rëndë pas përplasjes së automjetit të tij me një pemë të rrëzuar në rrugë. Në landin e Hesenit stuhia ka shkaktuar dëme që kalojnë 130.000 eurot, sipas autoriteteve të landit federal.

  • Weber skeptik për dialogun: Dyshoj se do të ketë progres, Vuçiq po luan dhe s’është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet

    Weber skeptik për dialogun: Dyshoj se do të ketë progres, Vuçiq po luan dhe s’është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet

    Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtori i Lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, është shprehur skeptik për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Weber ka theksuar dyshimet e tij sa i përket progresit në dialog, pasi sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po luan dhe nuk është i interesuar të respektojë marrëveshjet.

    “Dyshoj se do të ketë progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak se Aleksandar Vuçiqit, ka një kohë të gjatë që po luan dhe nuk është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet. Për çdo gjë, presidenti i Serbisë fajëson Kosovën se nuk është e interesuar për dialog, prandaj jam shumë skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Ai madje i rezistoi edhe presioneve të Perëndimit duke mos i vënë sanksione Rusisë”, ka thënë ai.

    Eksperti Weber po ashtu ka komentuar edhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor, duke thënë se ato e dëshmuan qartë se atje bëhet fjalë për një regjim autokratik.

    Ai ka thënë shkelje të mëdha u evidentuan ne kryeqytetin serb në Beograd, ku ishte një garë e ngushtë mes partive opozitare dhe partisë në pushtet.

    “Këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë mënyrën se si ka udhëhequr Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij përgjatë dekadës së fundit. Serbia është demokraci vetëm në letër dhe po bëhet gjithnjë e më autoritare. Mënyra se si po vepron ky regjim autokratik pas vrasjeve në masë dhe pas protestave të shumta, tregon se ky regjim është në prag të kolapsit. Pati shumë shkelje gjatë këtij procesi zgjedhor në Serbi dhe përveç kësaj partia në pushtet gjatë fushatës elektorale ishte shumë agresive. Shkelje të mëdha u evidentuan edhe në Beograd, ku ishte një garë më e ngushtë mes partive opozitare dhe partisë në pushtet. Kurse, në anën tjetër ende nuk kemi parë një reagim të fortë brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për t’i dalë në mbështetje partive opozitare”, ka thënë Weber.

    Ai ka thënë se shumë qytetarë serbë nga Bosnja dhe Kosova shkuan në Serbi për të votuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe, po qëndron e heshtur përballë gjithë atyre që e shkelën ligjin.

    “Tani po shohim protesta të partive opozitare edhe shumë të rinjve në Beograd, janë më mijëra prej tyre që kanë dalë në rrugë për të protestuar. Nga ana tjetër kemi partinë në pushtet që po qëndron e heshtur përballë atyre që kanë bërë shkelje në procesin zgjedhor. Pati shumë qytetarë serbë që erdhën nga Bosnja dhe nga Kosova për të votuar në mënyrë të paligjshme, pra shihet qartë se ka pasur shumë manipulime në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Të gjitha këto shkelje janë të evidentuara në detaje. Tani do të shohim se çfarë qasje do të ketë Perëndimi në raport me Serbinë pas këtyre zgjedhjeve, dhe gjithashtu më intereson të shoh nëse Perëndimi do t’i mbështes partitë opozitare dhe shoqërinë civile në Serbi”, ka thënë Weber për tëvë1.

  • Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, në mbledhjen elektronike që ka zhvilluar mbrëmë.

    “Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e treqind e katër dhjetë euro e gjashtëdhjetë e dy cent (68,994,340.62€) për zbatimin e Masës 3.5 – Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë dhe Masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos për Ringjallje Ekonomike”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti.

    Vendimi për ndarjen e këtyre shtesave është marrë më 13 dhjetor.

    “Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me kod 201 ndahet shuma prej 28,000,000 euro në nën-programet me kod 00100, 00200, 00400, 01100, 01200, 01400, 02700, 02900, 03000, 03100, 00600, 00300, 02500 në zbatim të Vendimit të Qeverisë Nr. 43/178 i datës 13.12.2023. Shumat përkatëse për secilin nën-program sipas kësaj pike precizohen dhe shpërndahen nëpër këto nën-programe sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet tutje në vendim.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha atë ditë se synojnë që vitin e ardhshëm të avancojnë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

    Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.

    Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro.

    Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.

    Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.

    Buxheti i paraparë i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit.

  • Gjendet një person i vdekur në Prishtinë

    Gjendet një person i vdekur në Prishtinë

    Të enjten në orën 05:30 të mëngjesit, është gjetur një person pa shenja jete në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Prishtinë /21.12.2023 – 05:30. Është raportuar se një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Sekuestrohet malli në një depo ilegal në Mitrovicën e Veriut

    Sekuestrohet malli në një depo ilegal në Mitrovicën e Veriut

    Përveç në Leposaviq, aksioni lidhur me kontrabandën e mallrave po zhvillohet edhe në Mitrovicën e Veriut, konfirmohet nga policia.

    Policia së bashku me Doganat e Kosovës kanë inspektuar një objekt në cep të rrugëve Car Dushani dhe Tetovës, në Mëhallën e Boshnjakëve.

    “Dyshohet se në këtë objekt ka mallra për të cilat pronari nuk ka dokumentacionin e nevojshëm, si dhe biznes të regjistruar”, kishte deklaruar për portalin Kossev, Veton Elshani, zëvendës komandant i PK-së për Veri.

    Ai nuk ka mundur të specifikojë nëse ka mallra të sekuestruara dhe as për cilat mallra bëhet fjalë.

    Mirëpo, sipas këtij portali, “në këtë objekt kishte kryesisht produkte të qumështit (qumësht, kos, ajkë)”.

    Personat e këtij “biznesi” janë ankuar këtij portali se gjithçka është konfiskuar.

  • ​Përvjetori i lindjes së Odhise Paskalit

    ​Përvjetori i lindjes së Odhise Paskalit

    Më 22 dhjetor 1903 u lind në Përmet skulptori shqiptar, Odhise Paskali, i cili cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

    Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

    Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti.

    Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronz, në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj.

    Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë.

    Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë.

    Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Odhise Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave.

    Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.

    Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.

    Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985, i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme.

  • Një kontingjent i FSK-së shkon në Shqipëri për ndihmë në kërkim-shpëtim

    Një kontingjent i FSK-së shkon në Shqipëri për ndihmë në kërkim-shpëtim

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbrëmshme të mbajtur në mënyrë elektronike, ka marrë disa vendime.

    Ndër to është edhe dërgimi i një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shqipëri në një operacion humanitar me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim.

    “Miratuar vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacionin humanitar, sipas kërkesës së Republikës së Shqipërisë, me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

  • Opozita serbe i kërkon BE-së të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve të së dielës

    Opozita serbe i kërkon BE-së të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve të së dielës

    Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, krahinore e veçanërisht atyre lokale në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.

    Në një letër dërguar institucioneve kryesore evropiane thuhet që nëse Bashkimi Evropian nuk e shfrytëzon mundësinë për të mbështetur qytetarët e Serbisë që kërkojnë demokracinë dhe vlerat themelore evropiane, atëherë do t’i jap një goditje të rëndë çdo perspektive për një Serbi demokratike si anëtare e ardhme e bllokut.

    Në letër thuhet se koalicioni “Serbia kundër dhunës” nuk i pranon dhe nuk do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit ndërsa kërkohet hapja e një hetimi të plotë ndërkombëtar, posaçërisht të parregullsive të gjetura në zgjedhjet për pushtetin në Beograd.

    Për tre ditë me radhë mbështetësit e opozitës serbe protestuan në Beograd duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

    Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.

    Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.

    Sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare serbe e presidentit Vuçiç doli fituese në zgjedhje, por kundërshtarët e saj kryesorë nga aleanca “Serbia kundër dhunës”, thonë se atyre iu grabit fitorja në Beograd.

    Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit identifikuan gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.

    Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, ndërsa theksuan se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”.

    Por opozita në Serbi thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i jap fund urgjentisht politikës së “përkëdheljes: së qeverisë në Serbi dhe të fillojë të përdorë mjetet në dispozicion kundër anëtarëve të partisë në pushtet të përfshirë në mashtrime zgjedhore, dhe në këtë mënyrë të ndihmojë qytetarët e Serbisë në rivendosjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

    Grupe studentësh që morën pjesë në protestat e opozitës, paralajmëruan radikalizimin e protestave nëse pushteti nuk i përgjigjet një kërkese të tyre për hapjen e listës zgjedhore deri të hënën në mesditë.

    Hapja e listës thonë ata, do të mundësonte largimin e votuesve “fantazmë” që janë përdorur në zgjedhjet e së dielës. Vëzhguesit dhe mediat e pavarura raportuan se serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd dhe rreth 40 mijë dokumente identifikimi u janë lëshuar personave që nuk jetojnë në kryeqytet.

    Presidenti serb tha të enjten se “kurrë nuk ka pasur zgjedhje më të pastra”.

    Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.