ATV

Author: ATVLive

  • Gjakovë: Burri plagos veten në dorë

    Gjakovë: Burri plagos veten në dorë

    Policia e Kosovës ka raportuar se një burrë në Gjakovë rreth orës 05:15 të mëngjesit të se enjtes, ka plagosur veten me armë të gjuetisë në dorë.

    Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës.

    Ndërkaq rasti vazhdon nën hetime.

  • Zhduket një burrë nga Fushë-Kosova

    Zhduket një burrë nga Fushë-Kosova

    Të enjten një grua ka raportuar se një person në Fushë-Kosovë ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, personi në fjalë është larguar nga shtëpia nga data 19.12.2023.

    “Fushë Kosovë / 19.12.2023 – 10:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se viktima mashkull kosovar, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime.

  • Biznesmeni nga Zvicra dhe të akuzuarit e tjerë për vrasje me pagesë dënohen me mbi 47 vjet burgim

    Biznesmeni nga Zvicra dhe të akuzuarit e tjerë për vrasje me pagesë dënohen me mbi 47 vjet burgim

    Edhe në rigjykim, janë dënuar me 47 vjet e gjysmë burgim katër të akuzuarit, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

    I akuzuari Bekim Raja është dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim, Avni Sinanaj me 8 vite 6 muaj burgim, Murat Sinanaj me 18 vite e 6 muaj burgim, kurse Gjon Pnishi me 6 vite burgim, të cilin dënim ai e ka mbajtur.

    Ky aktgjykim është shpallur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

    Akuza e Prokurorisë së Pejës e cila pretendon se i ndjeri Ferdinand Gjini u privua nga jeta për shkak të hakmarrjes, nuk kishte marrë epilog pranë gjykatave të rregullta që nga viti 2018.

    Kjo pasi për të dytën herë me radhë rasti penal ndaj të akuzuarve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të cilët ngarkohen për këtë vrasje, ishte prishur nga gjykatat e instancës më të lartë, të cilat kanë konstatuar shkelje procedurale.

    Fillimisht Gjykata Supreme, kurse më pas edhe Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit këtij viti kishte gjetur fajtor të pandehurit për vrasjen e të ndjerit Gjini.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe të përmirësuar me 15 prill 2021, thuhet se i pandehuri Bekim Raja në muajin maj 2012, në Zvicër, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka shtyrë të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

  • Presidenti i Bullgarisë sot në Kosovë

    Presidenti i Bullgarisë sot në Kosovë

    Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, sot dhe nesër (22 dhe 23 dhjetor) do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Ai me këtë rast do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani me ceremoni shtetërore, në orën 10:00, në sheshin “Ibrahim Rugova”.

    Presidentët Osmani dhe Radev do të mbajnë edhe një konferencë për media, njofton Presidenca e Kosovës.

    Ndërsa takim është paralajmëruar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimit, Radev do të pritet nga Kurti në ora 12:00.

  • Sindikata e KEK-ut proteston sot para zyrave të korporatës

    Sindikata e KEK-ut proteston sot para zyrave të korporatës

    Sindikata e Korporatës Energjetike të Kosovës sot do të protestojë para zyrave të KEK-ut.

    Sipas sindikatës, kjo protestë vjen pas dështimit të marrëveshjes mbi ngritjen e pagave për punëtorët.

    Sindikata e KEK-ut vlerëson se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve, dhe paralajmëron hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

    Protesta fillon në orën 11:00 para zyrave të KEK-ut.

  • Rregullorja e re, “Prishtina Parking” nuk do të shqiptojë më gjoba

    Rregullorja e re, “Prishtina Parking” nuk do të shqiptojë më gjoba

    Florian Dushi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, ka treguar ndryshimet që do të ndodhin me aprovimin e rregullores së për parkingjet në Prishtinë.

    Në fakt, kjo rregullore u aprovua gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Komunës së Prishtinës.

    Sipas prezantimit, kjo rregullore parasheh që për makinën e parë për rezidentët nuk do të ketë tarifë mujore.

    Një tjetër ndryshim është se Prishtina Parking më nuk do të vërë gjoba.

    Siç njoftoi Dushi, tash e tutje “Prishtina Parking”, në vend të gjobës, do t’i detyrojë klientët të paguajnë biletët ditore, pra 24-orëshe.

    “Gjoba dhe masat e tjera ndëshkuese tanimë janë zëvendësuar me detyrim për të paguar biletë 24-orëshe, e cila parkuesve të parregullt dhe atyre që nuk paguajnë, u mundësojnë të parkojnë në mënyrë të rregullt brends 24-orëve në vijim në të gjitha zonat në kryeqytet” – deklaroi Dushi.

    Postimi i plotë i Dushit:

    “Rregullorja e re për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingieve në kryeqytet është aprovuar sot në Kuvendin e Prishtinës.

    Ndryshimi dhe plotësimi i kësaj rregulloreje ka ardhur si rezultat i kërkesave të shumta të qytetarëve.

    Zonat e parkimit do të jenë mirë të definuara, të shenjëzuara, qytetarët – banorët rezident nuk do të paguajnë më për veturën e tyre të parë etj.” – shkroi ai.

  • Çekia në zi për viktimat e sulmit në universitetin e Pragës

    Çekia në zi për viktimat e sulmit në universitetin e Pragës

    Republika Çeke ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare pasi një person i armatosur vrau 14 persona dhe plagosi 25 në një universitet në Pragë.

    Presidenti Petr Pavel shprehu “trishtimin e tij të madh” dhe “zemërimin për humbjen krejtësisht të panevojshme” të jetëve, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

    Personi i armatosur, për të cilin policia tha se ishte “eliminuar”, besohet të ketë vrarë edhe babanë e tij dhe mund të jetë i lidhur me vdekjen e dy personave javën e kaluar.

    Është një nga të shtënat masive më të këqija në historinë e fundit evropiane.

    Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles në qendër të kryeqytetit çek.

    Personi i armatosur hapi zjarr në korridoret dhe klasat e ndërtesës, ndërsa stafi dhe studentët përdorën orendi për të barrikaduar veten në dhoma.

  • ​Qeveria ndan mjetet për shtesat 100 euro për fëmijët e pensionistët

    ​Qeveria ndan mjetet për shtesat 100 euro për fëmijët e pensionistët

    Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sonte mbledhje elektronike në cilën ka marrë një sërë vendimesh.

    Kabineti qeveritar ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin e Qeverisë numër 05/128 të datës 16 shkurt 2023, vendimin numër 02/157 të datës 30 gusht 2023 dhe atë me numër 05/169 të datës 27 tetor 2023.

    Po ashtu, është miratuar vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore, si dhe janë ndarë mjetet për shtesat e njëhershme prej 100 eurove për fëmijët nën 16-vjeç dhe pensionistët.

    Qeveria ka miratuar edhe vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacionin humanitar, sipas kërkesës së Republikës së Shqipërisë, me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim.

    Po ashtu, u aprovua nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunimin policor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj Çeke.

  • Dekorimi i qytetit për festat e fundvitit, Idrizi: Ne bëjmë dekorim edhe për Ramazan

    Dekorimi i qytetit për festat e fundvitit, Idrizi: Ne bëjmë dekorim edhe për Ramazan

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin CONTEXT në ATV, iu është përgjigjur kritikave të asamblistëve për dekorimin e qyteti të Vushtrrisë për festat e fundvitit ku janë shpenzuar afër 19 mijë euro, për pak drita.

    Ai thotë se dekorimin e qytetit e ka bërë për hir të fëmijëve që e presin vitin e ri, për të cilin nuk është bërë ndonjë shpenzim i madh.

    Kryetari Idrizi thotë se dekorimin e qytetit të Vushtrrisë e kanë bërë edhe për muajin e Ramazanit, për festat e Bajramit, etj.

    “Edhe ata duhet me folë diçka, por kushdo që të kish qenë, një dekorim të lehtë, për hir të atyre fëmijëve që e presin dhe tash kjo çështja e vitit të ri ka kuptime të ndryshme në vende të ndryshme. Te na e ka kuptimin që ndërron një vit, vjen viti tjetër dhe është një festë. Tek të tjerët e ka edhe kuptimin e krishtlindjeve, etj. Megjithëse, ne shumica absolute e qytetarëve janë të besimit islam, këtë e bëjmë një dekorim të lehtë, nuk është bërë ku e di ndonjë shpenzim, por për hir të atyre fëmijë që kanë pyet aq shumë, më kanë shkruar edhe qytetarët se a do të ketë dekorim qyteti dhe na dekorim bëjmë edhe për Ramazanin, e kemi bërë, edhe për festat e Bajramit e kështu më radhë dhe nuk është ndonjë shpenzim që kemi bërë tepër”, tha Idrizi. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmi i armatosur në Pragë: Nuk ka viktima e as të lënduar nga Kosova

    Sulmi i armatosur në Pragë: Nuk ka viktima e as të lënduar nga Kosova

    15 persona raportohet deri më tani se kanë vdekur si pasojë e një sulmi të armatosur në Universitetin e Pragës.

    Në mesin e viktimave është edhe autori i kësaj ngjarje të rëndë, 24-vjeçari David Kozak.

    Nga sulmi i armatosur janë edhe dhjetëra persona të plagosur.

    Lidhur me rastin, është deklaruar ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Ibërhysaj.

    Iberhysaj tha për Klankosova.tv se nuk ka viktima e as të lënduar nga Kosova.

    “Për fat të mirë nuk ka shtetas tonë në mesin e viktimave dhe as të lënduarve”, tha ajo për Klankosova.tv

    Më herët, Ambasada e Kosovës në Pragë, me anë të një njoftimi i kishte ftuar shtetasit e Kosovës, që gjenden atje, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.