ATV

Author: ATVLive

  • “OSHP-ja po i amniston shkelësit e ligjit”

    “OSHP-ja po i amniston shkelësit e ligjit”

    Përgatiti: Artoni Hamiti

    Tenderin 2 milionësh “Për furnizim me Çizme për nevoja të FSK-së” Ministria e Mbrojtjes ia dha operatorit ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”

    Në dokumentet e siguruara nga ATV-ja, del që kjo kompani është regjistruar në ARBK, vetëm tre muaj para hapjes së tenderit.

    Televizioni, po ashtu, posedon dëshmi që njërit prej aksionarëve i ndalohej pjesëmarrja në aktivitete të prokurimet, meqë sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, ai paraprakisht falsifikoi dokumente në një tender të Policisë.

    Vetë Sabit Makiqi, aksionar në kompaninë fituese, tha se kjo nuk paraqet asnjë problem, pasi në kohën kur është hapur tenderi, ai nuk ishte i sanksionuar nga OSHP-ja.

    “Në biznesin “Runway SHPK” është e vërtetë që jam bashkëpronar, por kjo është krejtësisht ligjore. Ndërkaq, biznesi Sabit Makiqi B.I., asnjëherë nuk ka qenë në listën e zezë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me ketë biznes nuk është ofertuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Çizme”. Në këtë aktivitet është ofertuar në konsorcium me kompani mjaft serioze turke”, tha Makiqi.
    Sidoqoftë, për Diana Metushin nga KDI-ja, situata është dashur të merret parasysh nga Ministria e Mbrojtjes.

    Sipas saj, Organi Shqyrtues i Prokurimit duke shqiptuar ndëshkime të buta, po i amniston shkelësit e ligjit.

    Teksa operatorit ekonomik “Sabit Makiqi B.I” për falsifikim të dokumenteve iu ndalua pjesëmarrja në aktivitet të prokurimit për 9 muaj, ditë më parë Gjykata Komerciale pezulloi punimet në “Rrugën A”, ndërkaq Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Naim Sallahut pikërisht për të njëjtën arsye.

  • Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Normalizim të raporteve me Serbinë s’mund të ketë derisa ka mungesë të përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur gjatë luftës, tha kryeministri Albin Kurti.

    Gjatë prezantimit të raportit për këtë vit të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Kurti gjithashtu shtoi se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistikash, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.

    “Shumë varre të hapura e të zbrazëta anekënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar”, tha Kurti.

    Derisa, gjatë këtij viti, respektivisht më 2 maj, Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për një Deklaratë për Personat e Zhdukur, më shumë është gërmuar në Kosovë sesa në Serbi.

    “Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë tash e 24 vite. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë të tjera kockore”, tha kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

    Zbardhja e fatit të të zhdukurve është proces që ecën shumë ngadalë e sipas Qeverisë së Kosovës, faji qëndron te pala tjetër, e cila nuk është e gatshme për bashkëpunim.

  • Përplasja në distancë e Kurtit me Lajçakun për draftin e asociacionit

    Përplasja në distancë e Kurtit me Lajçakun për draftin e asociacionit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Gati dy muaj pasi në prani të liderëve evropianë shprehu gatishmërinë për nënshkrim në pako të draft-statutit të Asociacionit, kryeministri Albin Kurti është gati që vitin e ardhshëm ta shkruajë një draft tjetër.

    Këtë propozim, kryeministri kosovar e shpalosi në reagimin e tij, pas deklaratës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

    “Draft-statutin e Asociacionit, mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vucici). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian, Miroslav Lajcak, meqë draft-statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës. Në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi, Nenad Rasic (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, tha Kurti.

    Por, ideja e shkrimit të një drafti nga Kosova, po konsiderohet si e vonë nga dy partitë më të mëdha opozitare.

    Tash, pasi që i ka parë rezultatet shkatërruese të politikës së tij të jashtme dhe udhëheqjes amatoreske të dialogut, Kryeministri çohet dhe propozon 7 pika dhe kthehet pikërisht aty ku kemi qenë para 3 vitesh, duke thënë se vetë do ta draftojë statutin”, tha nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

    “Dy muaj më pas, te pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, del me propozim që tani Kosova ta shkruajë statutin e Asociacionit vetë. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Megjithatë, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se është e vështirë që të shkruhet një draft nga Kosova, meqenëse Bashkimi Evropian tash është në pritje të zbatimit të marrëveshjes.

    “Mendoj se janë deklarata për konsum publik e jo një mundësi reale. Mendoj se faktori ndërkombëtar ua ka bërë të qartë se marrëveshja duhet të zbatohet në terren, pavarësisht se nuk ka nënshkrim”, tha njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj.

    Në statusin e titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, Kurti po ashtu kërkoi të publikohen konkluzionet e hetimeve për sulmin në Bansjkë. Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës dhe krahas ndëshkimit të Serbisë, evropianët të merren më shumë me Vucicin, i cili, sipas Kurtit, i vodhi zgjedhjet e fundit.

  • Presidenti bullgar: S’do ta lëmë Kosovën në plan të dytë

    Presidenti bullgar: S’do ta lëmë Kosovën në plan të dytë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Vizitën e tij dyditore në Kosovë, Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e nisi duke takuar homologen e tij, presidenten Vjosa Osmani.

    Dialogu Kosovë-Serbi, procesi integrues, por edhe siguria, ishin disa prej temave që u diskutuan në takimin e dy presidentëve.

    Sipas presidentit bullgar, shteti i tij do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e anëtarësimit dhe sa i përket dialogut, Radev tha se pala që nuk e respekton marrëveshjen duhet të ndëshkohet.

    “Ne vazhdojmë të ngulim këmbë për dialogun si mënyrën e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe paralelisht zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani. BE-ja duhet të ketë një rol aktiv për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për të gjitha palët. Për çdo palë të përfshirë duhet të ketë masa ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimet”, tha Radev.

    Po ashtu, ai ka theksuar se Serbia nuk duhet të harrojë që është në proces integrues në BE dhe kjo mund të ndikojë varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.

    Në konferencë u përmendën edhe masat e BE-së ndaj Kosovës për të cilat Presidentja Osmani ka thënë se ka tendencë që ato janë të vendosura nga Bashkimi Evropian, të përdoren për ta kushtëzuar Kosovën për çështje të ndryshme.

    “Gjithashtu, u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë”, tha Osmani.

    Presidenti i Bullgarisë është takuar gjatë të premtes edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka dorëzuar presidentit bullgar “Çelësin e Qytetit”.

  • Protestojnë sërish punëtorët e KEK-ut

    Protestojnë sërish punëtorët e KEK-ut

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës përsëri kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

    Kërkesa e tyre ishte e njëjta, rritja e pagave.

    Në rast se nuk arrihet një marrëveshje sa i përket kërkesës së tyre, ata kanë paralajmëruar grevë.

    “Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, përveç se të mbulojmë pagën bazë të inflacionit… po na detyrojnë për grevë”, tha kryetari i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

    Veç rritjes së pagave, në këtë protestë u kërkua dorëheqje e menjëhershme e menaxhmentit të KEK-ut.

    “Po të kisha qenë si ta, kisha dhënë dorëheqje menjëherë, mos t’u dalin zot punëtorëve”, tha nënkryetari i sindikatës së KEK-ut, Selatin Sadiku.

    Në mbështetje të punëtorëve të KEK-ut, kishin dalë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera në vend.

    “Në këtë shi pe dini kush na ka detyruar të dalim këtu sot…”, tha kryetari i Sindikatës së Sigurimit Fizik, Avni Mziu.

    “Marre, gjithë ky inflacion, ndërkohë që pagat e punëtorëve të KEK-ut nuk u rriten nga viti 2018…”, the kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi.

    Protesta e radhës nga punëtorët e KEK-ut është paralajmëruar për të mërkurën.

  • Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Përgatiti: Nora Luta

    Përveç këtyre arsyeve që i dha të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Komisioni i Venecias ka argumentuar edhe një tjetër se pse nuk e përkrah rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial në 21.

    Në opinionin e publikuar nga ky komision, nuk kontestohet fakti që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, por theksohet se shtimi i tetë anëtarëve rrit rrezikun e politizimit të Këshillit.

    “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme, e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, (më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet një “KPK” e reduktuar. Dhe më e rëndësishmja, siç theksohet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është rritja e ndjeshme e anëtarëve dhe rreziku potencial që vjen nga politizimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës që rrjedh nga rritja e mundshme e anëtarëve, por e cila do të zbehte kërkesën për integritet, pavarësi dhe stabilitet të mandateve të organeve kushtetuese, si KPK-ja, ushtrimi i funksioneve i të cilit s’duhet varur nga shumica kontingjente apo vullneti i shumicës parlamentare”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni ka dhënë rekomandime rreth kuorumit dhe përzgjedhjes së tre anëtarëve që do të zgjidhen nga Kuvendi, pasi thekson se nuk është bindur që është janë marrë parasysh rekomandimet e kaluara rreth procedurës.

    “Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve joprokurorë”, thuhet më tej në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni i Venecias ka rekomanduar, gjithashtu, që ligji të parashohë masa disiplinore më të rrepta për anëtarët që do të mungonin në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm.

    Ligji i kaluar për KPK-në u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se do të nisë ndryshimet bazuar në rekomandimet e Venecias për projektligjin e ri.

  • “Më pëlqen që UEFA u trondit pak”, Klopp e komenton projektin e Superligës Evropiane

    “Më pëlqen që UEFA u trondit pak”, Klopp e komenton projektin e Superligës Evropiane

    Edhe Liverpooli e ka refuzuar krijimin e Superligës Evropiane.

    Klubi anglez doli me një komunikatë zyrtare ku tha se qëndrimi i tyre nuk ndryshon nga ai i dy viteve më parë.

    E trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp e ka komentuar këtë situatë

    “Jam 100% dakord me deklaratën dhe verdiktin. Më pëlqen gjithashtu që kuptojmë se UEFA dhe federatat e tjera nuk mund të bëjnë atë që duan… duke luajtur më shumë lojëra me njerëz që nuk u dëgjohet fjala. Më pëlqen që UEFA u trondit pak”, tha Klopp.

  • Drizan Shala paralajmëron padi për shpifje ndaj Jablanoviqit

    Drizan Shala paralajmëron padi për shpifje ndaj Jablanoviqit

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, përmes një statusi në facebook, ka pralajmëruar padi për shpifje ndaj ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanoviq.

    “Një politikan nacionalist e kontravez, i cili punon dhe vepron nën direktivat e Aleksander Vuçiqit më paska etiketuar si bashkëpunëtor i opozitës serbe, kinse unë paguhem për deklarata në favor të opozitës në Serbi”, ka shkruar Shala.

    Postimi i plotë i tij:

    Jabllanoviq përgaditu, ti do të përballesh me padi, shihemi në gjykatë

    Një politikan nacionalist e kontravez, i cili punon dhe vepron nën direktivat e Aleksander Vuçiqit më paska etiketuar si bashkëpuntor i opozitës serbe, kinse unë paguhem për deklarata në favor të opozitës në Serbi.

    E verteta është se, unë nuk kam ndonjë kontakt apo lidhje me opozitën serbe në Beograd, sepse fundja une jam shtetas i Republikës se Kosovës dhe nuk është çështje e imja se kënd ta ndihmojë, sepse deri me sot, pozite e opozite kanë qendrim të njëjte për Republikën e Kosovës.

    Sa i përket Jabllanoviqit i cili pa të drejtë shpifë ndaj meje, ky do të përballet me padi dhe do të shihemi në gjykatë së shpejti.

    Nga ky monstrum asgjë nuk pritet mire, sepse është po ky i njejti i cili vite më parë ofendojë nënat Gjakovare, madje ky është përpjekur që ti njollosë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke tentuar që në Koshare të vendos flamurin e shtetit kriminal Serb.

    Jabllanoviq vendin e ke në burg.

  • UEFA qëndron e vendosur kundër Superligës Evropiane

    UEFA qëndron e vendosur kundër Superligës Evropiane

    Në një konferencë për shtyp online duke iu përgjigjur vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (ECJ) të së enjtes, presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin dhe aktorët kryesorë që përfaqësojnë të gjithë komunitetin e futbollit, nënvizuan kundërshtimin e tyre të bashkuar ndaj të ashtuquajturës Super Ligë Evropiane (ESL).

    Kjo është deklarata e Presidentit të UEFA-s në konferencë:

    “Futbolli mbetet i bashkuar. Kjo konferencë për shtyp që përfshin të gjithë palët e interesuara që flasin së bashku është dëshmi e kësaj. Ne kemi gjithashtu qeveritë kombëtare dhe institucionet krah nesh.

    Ka një kontrast të thellë midis deklaratës për shtyp dhe gjykimit. Gjykimi është në të vërtetë pozitiv, pasi përfshin tiparet kryesore të piramidës së futbollit evropian: konkurrenca e hapur, meritokracia sportive dhe solidariteti.

    GJED sigurisht nuk ka dhënë dritën jeshile dhe as nuk ka miratuar një projekt si e ashtuquajtura Super liga. Ne mirëpresim qartësinë që GJED-ja ka dhënë sot duke përfshirë një miratim të sistemit të para-autorizimit dhe rolin e dyfishtë të UEFA-s si organizator dhe autorizues.

    Ne u bëmë të vetëdijshëm se sistemi ynë i autorizimit ishte i papërsosur, filluam të punonim për këtë në vitin 2021 dhe e konkluduam në vitin 2022 me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ne kemi besim se rregullat tona janë plotësisht në përputhje me vendimin e GJED-së. Thënë kjo sigurisht që do të shqyrtojmë më tej pasi të lexojmë vendimin në detaje dhe të shohim nëse duhet të zbatojmë ndryshime të mëtejshme.

    Është e rëndësishme të theksohet se GJED ka miratuar modelin sportiv evropian, bazuar në meritat sportive, që mund të garantohet vetëm nëse të gjitha skuadrat gëzojnë një nivel të caktuar mundësish të barabarta. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se klube nga shumë vende – si p.sh. Anglia, Gjermania dhe Franca – e kanë të ndaluar të bashkohen me një projekt që është jashtë sistemit.

    Sigurisht, UEFA është e lirë të organizojë garat e veta dhe të shesë ekskluzivisht të drejtat komerciale. Pra, çdo garë duhet të përshtatet brenda sistemit dhe të jetë në përputhje me rregullat tona të reja të autorizimit, dhe ndër të tjera duhet të respektojë meritat sportive, kalendarin ndërkombëtar dhe solidaritetin. Këto rregulla mbrojnë gjithashtu kompeticionet për klube të UEFA-s.

    Futbolli mbetet i bashkuar siç e shihni sot, i mbrojtur mirë nga ligat e shkëputura. Futbolli nuk është në shitje, ne e treguam këtë shumë herë si palë të interesuara së bashku. Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë”, – tha Presidenti i UEFA-s, Ceferin.

    Nasser Al-Khelaifi, Kryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane (European Club Association)

    “Ndoshta disa njerëz nuk e kanë vënë re se çfarë ka bërë futbolli në dy vitet e fundit. Reforma e kompeticioneve, sipërmarrja e përbashkët mes UEFA-s dhe klubeve. Unë nuk e shoh fare këtë si një fitore të Super Ligës. Ky gjykim ka të bëjë me rregullat juridike, që kanë ndryshuar.

    Ne po shohim të njëjtat prezantime, të njëjtat deklarata që flasin për lirinë – por nuk ka të bëjë me lirinë, është një ligë e mbyllur. Kjo është një kontratë sociale. Klubet janë kaq krenare që janë partnerë me UEFA-n dhe luajnë në garat e UEFA-s… Të gjitha palët e interesuara në Evropë po punojnë së bashku për të njëjtin qëllim”.

    Javier Tebas, President i LA LIGA

    “Dëshiroj të shpreh mbështetjen tonë totale për UEFA-n si rregullator i futbollit evropian. UEFA ka 69 vjet që organizon garat evropiane dhe futbollin evropian. Gjatë kësaj periudhe, UEFA-s i është dashur të përshtatet me kohën, me ndryshimet ekonomike dhe realitetet sportive.

    Kjo është ajo që ata kanë bërë vazhdimisht me aktorë të ndryshëm dhe vitin e kaluar krijuan rregulla të reja se si të krijohet një garë e re”.

    Pedro Proença, President i Ligave Evropiane

    “Për ne ky vendim i gjykatës nuk ndryshon mendimin tonë se cili duhet të jetë formati i garave evropiane. Në emër të Ligave Evropiane ne besojmë plotësisht në parimet e hapjes dhe kualifikimit për garat ndërkombëtare përmes garave vendase. Ne besojmë në balancën ndërmjet ligave vendase dhe klubeve ndërkombëtare.

    Ne mbetemi plotësisht kundër modelit të Super Ligës dhe jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur këtë linjë së bashku me palët e tjera të interesit. Ky vendim sot nuk ndryshon asgjë për sa i përket asaj që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja e garave ndërkombëtare”.

    Ronan Evain, Football Supporters Europe (FSE)

    “Nga ana e tifozëve, nuk ka asgjë të re. Është ende i njëjti projekt që pamë dy vjet më parë – i njëjti konkurs privat, i mbyllur, i drejtuar nga paratë. Është thjesht ripaketimi dhe riciklimi i një ideje të tmerrshme pa marrë parasysh meritat sportive.

    Superl Liga nuk dështoi për shkak të rregulloreve ekzistuese në atë kohë – ajo ra sepse ne të gjithë ishim kundër projektit. Ne i përkasim një ekosistemi të futbollit evropian që nuk është perfekt, por të paktën ka një sërë rregullash.

    Nuk ka vend për shkëputje brenda futbollit evropian. Ne shpresonim që cirku të ishte një histori e shkuar. Do të ishte më mirë për futbollin evropian nëse ata thjesht do të dorëzoheshin tani”.

    David Terrier, President i FIFPRO Europe

    “Lojtarët tashmë janë pozicionuar përballë këtij projekti dhe ata janë njëzëri kundër tij. Si Fifpro ne përfaqësojmë të gjithë lojtarët, jo vetëm ata që potencialisht do të luanin në një kompeticion të vetëm në një strukturë të fragmentuar.

    Jam dakord me presidentin Čeferin se ky vendim përforcon pozicionin tonë të përbashkët dhe nënvizon rëndësinë e meritave sportive dhe strukturës piramidale të futbollit Europian”.

  • Turqi: Më shumë se 300 persona arrestohen për lidhje të dyshuara me ISIS

    Turqi: Më shumë se 300 persona arrestohen për lidhje të dyshuara me ISIS

    Policia turke ka arrestuar më shumë se 300 persona për lidhje të dyshuara me grupin militant të Shtetit Islamik (ISIS) gjatë një bastisjeje gjithëpërfshirëse në 32 qytete, ka njoftuar ministri i Brendshëm turk.

    “304 persona u arrestuan gjatë operacionit “Hero-34” i zhvilluar njëkohësisht në 32 qytete kundër organizatës terroriste “Daesh”, shkroi Ali Yerlikaya në X, raporton Euronews.

    “Daesh” i referohet akronimit arab për organizatën Shteti Islamik.

    Stambolli dhe Ankara ishin ndër 32 lokalitetet ku u krye operacioni i policisë. Rreth 86 persona u arrestuan vetëm në qytetin e Stambollit, tha Yerlikaya.

    Turqia ishte skenë e sulmeve të shumta mes viteve 2015 dhe 2017 – disa prej të cilave i atribuoheshin Shtetit Islamik.

    Në janar 2017, një sulm në një klub nate në Stamboll, i pretenduar nga ISIS, la 39 të vdekur, ndërsa 109 persona u vranë në tetor 2015 në një sulm tjetër që i atribuohet grupit xhihadist.