ATV

Author: ATVLive

  • Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

    Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

    Rusia e ka “humbur Ukrainën përgjithmonë” dhe nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj të luftës, pavarësisht përpjekjeve masive ushtarake që ka bërë që kur pushtoi vendin shkurtin e kaluar, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    “I gjithë qëllimi i këtij pushtimi ishte të parandalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe Bashkimit Europian. Ukraina tani është më afër se kurrë me NATO-n dhe Bashkimin Europian”, theksoi ai.

    “Kjo është një humbje e madhe strategjike për Rusinë. Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë,” shtoi ai, duke iu referuar faktit se Rusia e ka konsideruar Ukrainën pjesë të sferës së saj të influencës për dekada.

    Stoltenberg refuzoi të komentojë perspektivën e një mandati të dytë për Donald Trump si president i SHBA-së, pasi ish-presidenti aktualisht kryeson pjesën tjetër të kandidatëve republikanë në sondazhet për nominimin e partisë. ndërsa ka mbetur më pak se një vit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

    Gjatë mandatit të Trump si president i SHBA-së, tensionet me NATO-n janë rritur, veçanërisht për shpenzimet e mbrojtjes.

    “Jam i bindur se kushdo që zgjidhet president, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit transatlantik”, përfundoi Stoltenberg.

  • BBC: Sulmuesi që kreu dje sulmin në Çeki, ka vrarë veten

    BBC: Sulmuesi që kreu dje sulmin në Çeki, ka vrarë veten

    Policia çeke bëri të ditur se sulmuesi që vrau 14 persona dje në universitetin e Pragës kreu vetëvrasje.

    Një zyrtar policor tha se sulmuesi vrau veten pasi pa policinë që e rrethonte “nga të gjitha anët”, raporton BBC.

    Siç ka thënë ai, kjo ka ndodhur rreth orës 15:19 me orën lokale.

    BBC raporton se 25 persona të tjerë u plagosën në sulmin kur një student hapi zjarr në kryeqytet

    Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles. Besohet se sulmuesi D.K. (24) ka vrarë babanë e tij në një vend tjetër.

  • U bë promovimi i Botimeve “Rea” dhe i librave të parë të kësaj shtëpie botuese

    U bë promovimi i Botimeve “Rea” dhe i librave të parë të kësaj shtëpie botuese

    Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery u promovuan pesë libra të rinj të Botimeve REA, ku morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe kulturore si profesorë, shkrimtarë, gazetarë, studentë e dashamirë të shumtë të librit.

    Me këtë rast u promovuan librat: “Mahnitja e parë” (Demë Topalli), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Binak Kelmendi), “Mëkati i buzëqeshjes” (Sali Bashota), “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti (përkthyer nga Naim Kryeziu) dhe “Sytë flasin në heshtje” (Afërdita Bashota-Podvorica).

    Aktivitetin e moderoi Rozafa Bashota, ku fillimisht falënderoi drejtoreshën e KultPlus Ardianë Pajazitin dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm. Rozafa, ndër të tjera, foli për projektet kryesore të Botimeve REA: “Padyshim se qëllimi ynë është të botojmë libra që janë në interes të lexuesve, si ata nga fusha e psikologjisë, letërsisë, libra biografikë, si dhe ribotime të autorëve të njohur të Kosovës që gjeneratat e reja kanë pak ose fare informacion për to.

    Unë vetë jam nga fusha e Psikologjisë dhe e them me bindje që librat psikologjikë dhe përkthimet nga gjuhët e huaja do të jenë një shtesë e padiskutueshme e Botimeve REA. Përveç se janë të rëndësishëm ta ngrisim kulturën e leximit në vendin tonë, janë po ashtu të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijesimit për çështje të ndryshme psikologjike, të cilat për fat të mirë po iu shërbejnë lexuesve në vendin tonë në gjetjen dhe njohjen e vetvetes”, tha Rozafa e cila tutje tregoi se një nga prioritetet e kësaj shtëpie botuese do të jenë edhe aktivitetet e ndryshme që ndërlidhen me arsimimin kulturor. Natyrisht bashkëpunimi me shkrimtarët dhe përkthyesit do të jetë një kaptinë me vete në realizimin e synimeve të tyre.

    “Do të përpiqemi që t’i ndjekim standardet më të reja në praktikën botuese me qëllim të afirmimit të së drejtës së autorit, në kthimin e dinjitetit të autorit, duke respektuar mundin e tyre krijues.”

    Në vazhdim, Alketa Gashi, interpretoi poezitë: “Koha” dhe “Heshti” të Demë Topallit, tregimin “Te pllaka përkujtimore” të Binak Kelmendit, pjesë nga eseja “Misioni i Shkrimtarit” të nobelistit Elias Kaneti, prozën poetike “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë” të Sali Bashotës dhe poezitë “Ju jeni si qielli si dielli si hëna” dhe “Vetëm unë e kam emrin tim” të Afërdita Bashota-Podvoricës. Ndërsa me kitarë e përcolli Lind Bobi.

    Ky aktivitet promovues i Botimeve REA kishte një organizim të veçantë meqë secili nga autorët foli për krijimtarinë e vet letrare, e sidomos për librin që u promovua.

    Autori Demë Topalli në fjalën e tij u shpreh se për librin e botuar kishte dyshimet e veta për shkak të distancës së madhe kohore nga botimet e tij të fundit si: “Vera e ikur” “Druri i fatit, “Haber i mirë” dhe “Sytë që dinë me pa”.

    “Përzgjedhja dhe bashkimi i këtyre poezive në një libër më dukej punë jo e qëlluar. Mirëpo, megjithatë, libri “Mahnitja e parë’’ doli. Doli me insistimin e gjatë të mikut tim, Sali Bashotës. E falënderoj shumë për këtë”, tha autori i cili tutje foli për përballjen e poetit me gjuhën dhe fjalët, kujtesën, për ndonjë përjetim që pas disa dhjetëra vjetësh vjen e bëhet poezi.

    “Po e nis me fjalën gojëzanë, që vjen nga fëmijëria ime e hershme. Ndoshta shkaku që si fëmijë kam qenë paksa i druajtur dhe i mënjanuar, shpesh iu kam shmangur takimit dhe bisedave me njerëz. Një ditë prej ditësh, një grua e një familjeje fqinje me ne, thotë “ Moti s’e kam pa Demën, kurse një tjetër, plakë, ia pret: “Po ai nuk flet, iu ka nxan goja”. Këtë ma ka thënë më vonë motra ime më e madhe se unë, që nuk jeton më. Shumë herë gjatë jetës m’u kanë kujtuar këto fjalë. Mirëpo, kurrë s’e kam besuar që ato, pas dhjetëra vjetësh, do të vijnë e do të shkrihen në një fjalë-figurë, me një tingëllim e domethënie tjetër”, tha poeti teksa foli pastaj në veçanti edhe për disa nga poezitë e librit të tij e krejt në fund u shpreh shumë i kënaqur që libri i tij është libri i parë i botuar nga shtëpia e re dhe serioze botuese “Rea”, e drejtuar nga Rozafa Bashota.

    Tutje, fjalën e mori autorit Binak Kelmendi. Ai u shpreh se promovimi i një libri mbetet gjatë në mendjen e autorit të tij dhe beson se mbetet gjatë edhe në mendjen e botuesit. Aq më shumë dhe sidomos mbetet gjatë në mendjen e një botueseje të re e plot dhunti, me iniciativë dhe ambicie siç është në këtë rast Rozafa Bashota.

    Ndërsa për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve” e cila u promovua në këtë mbrëmje, Kelmendi tregoi se libri përmban 17 tregime nga gjithsej 55 tregimet e tij, botuar deri më tash në tri përmbledhje tregimesh.

    “Vetëm tregimi “Lexuesit e kartëmortaleve”, nga i cili bart emrin përmbledhja, është tregim i ri që më duket se, siç themi ne nganjëherë, ka fjetur vetëm një vit për ta parë dritën dhe për t’u bashkuar me tregimet tjera që janë botuar edhe para më shumë se tridhjetë vjetësh”, tha autori.

    Tregimet e përfshira në këtë libër janë tregime që përfshijnë periudhat tona kombëtare, madje që nga paraepoka siç është tregimi “Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë”, por edhe periudhat më të hershme e më të vonshme që i kaluam e disa edhe i përjetuam.

    Në radhë, fjalën e mori përkthyesi Naim Kryeziu i cili në këtë mbrëmje promovoi “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti. Sipas tij, kur flasim për Elias Kanetin atëherë kemi të bëjmë dhe flasim për një shkrimtar që ka rrënjët në Ballkan, për një shkrimtar vërtet të madh evropian, për një shkrimtar të përmasave botërore, pra, flasim për një nobelist.

    “Elias Kaneti, të cilin kritika letrare e ka quajtur si një „klasik të gjallë“ dhe si një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, më 1981 iu dha Çmimi Nobel për letërsinë. Në përmbledhjen e eseve me titull „Misioni i shkrimtarit“, Kaneti analizon dhe trajton veprat e shkrimtarëve dhe të filozofëve të kulturave të ndryshme, ku pastaj në eset e veta lexuesit i ofron ajkën e krijimtarisë letrare dhe filozofike të shkrimtarëve dhe filozofëve siç janë: Tolstoji, Byhneri, Kafka, Brehti, Krauzi, Hitleri sipas Shperit, Konfuci, Ditari i dr. Haçijës nga Hiroshima, etj.”, thotë Kryeziu.

    Krejt në fund, fjalën e mori edhe autori Sali Bashota i cili zgjedhi disa fjalë për librin e tij “Mëkati i buzëqeshjes”.

    “Përmes prozës poetike synoj për të shenjuar një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës”, thotë autori.

    Bashota, i cili në këtë mbrëmje po përjetonte një gëzim të dyfishtë, botimin e librit dhe përurimin e shtëpisë botuese të vajzës së tij.

    “Vajza ime Rozafa, tash si botuese do të udhëtojë nëpër kohën e rigjetur, për ta kuptuar edhe më fuqishëm se çka është bota e librit. Tash është një tjetër kohë e imagjinatës që shfaqet në realitetin jetësor përmes veprës dhe që bëhet e pavdekshme”, u shpreh Bashota.

    Librat “Mahnitja e parë” e Demë Topallit dhe “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti, janë përkrahur për botim nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, veprat “Lexuesit e kartëmortaleve” e Binak Kelmendit dhe “Mëkati i buzëqeshjes” e Sali Bashotës janë përkrahur nga Komuna e Fushë Kosovës. / KultPlus.com

  • E rëndë: Vdes 27-vjeçari në QKUK, u rrëzua nga lartësia

    E rëndë: Vdes 27-vjeçari në QKUK, u rrëzua nga lartësia

    Punëtori i kompanisë “N.N.T Çlirimi” që u rrëzua të enjten nga një lartësi prej disa metrash dhe për pasojë mori lëndime të rënda, ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë. Përkundër intervenimeve të mjekëve, 27-vjeçari nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq.

    Posa Policia është njoftuar për rastin, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku është tërhequr trupi i pajetë, për t’u dërguar në IML për obduksion.

    Sinjali mbrëmë raportoi se lidhur me këtë rast, tashmë është arrestuar menaxheri i kompanisë, Avdullah Xhema.

    Xhema është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Rasti ka ndodhur në punishten e kompanisë “Dijari Estate” që e kishte nënkontraktuar kompaninë “Çlirimi” për të kryer punime.

    Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

  • “Isha vetëm një kat më poshtë ku ndodhi sulmi”, ligjëruesja shqiptare rrëfen tmerrin e sulmit në Pragë

    “Isha vetëm një kat më poshtë ku ndodhi sulmi”, ligjëruesja shqiptare rrëfen tmerrin e sulmit në Pragë

    Të paktën 14 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë. Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi.

    Shqiptarja Sidorela Kalemi, ligjëruese në këtë universitet, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tregoi se në momentin kur ndodhi sulmi, ajo ndodhej vetëm një kat më poshtë.

    “Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, unë kam qenë brenda godinës ku kam dhënë mësim, por për fatin tim të mirë kam qenë një kat më poshtë, ngjarja është zhvilluar në katin e katër, unë kam qenë në katin e tretë dhe diku kah ora 3:00 kemi dëgjuar një të shtënë arme, por nuk po bënim dot lidhjen nëse kjo e shtënë ishte jashtë apo ishte brenda godinës sonë edhe pse për të vrojtuar dola në dritare dhe pashë njerëz të cilët po vraponin. Në momentin e parë mendova që kjo ngjarje nuk ishte në fakultet, por më pas filluam dëgjuam të shtëna të tjera brenda godinës, të bërtiturat e studentëve dhe ndërkohë edhe zhurmat e tavolinave dhe karrigeve që më vonë besoj ashtu siç edhe unë me studentët që isha në dhomë, mbyllëm dyert, për të mundësuar edhe izolimin e dhomave”, tha Kalemi.

    Ajo tregoi se autori i sulmit ka qenë student i historisë në këtë universitet, ndërsa motivet vazhdojnë të jenë ende të paqarta.

    “Me thënë të drejtën, askush në këto momente nuk po merret me motivet ekzakte, por po merren më saktësisht me gjendjen tonë psikologjike, por edhe fizike të personave të cilët janë të dëmtuar dhe një numër i tyre janë detyruar që të lënë të gjitha sendet e tyre personale në fakultet dhe është pak e vështirë edhe lidhja që kanë tashmë me familjarët. Për sa i përket motiveve, nuk është se dihet ndonjë informacion i saktë se pse mund të ketë ndodhur kjo gjë”, tregoi Kalemi.

    Ligjëruesja Kalemi rrëfen se në momentin e sulmit, së bashku me studentin e huaj që kishin qenë në zyrë kishin qëndruar për një kohë të konsiderueshme të mbyllur deri në momentin kur kishte
    ardhur policia.

    “Ne kemi qëndruar një kohë të konsiderueshme sepse nuk dinim, nuk dëgjonim trokitje dyersh dhe në dyert tona dhe nuk dinim nëse ishte policia ose edhe dikush sepse shumë studentë kanë kaluar nga dritarja siç i kemi parë dhe kjo na ka bërë të frikësuar sepse nuk kuptonim nëse ishin studentë të tmerruar apo ishte ndonjëri nga studentët që po kryente këtë lloj gjëje, por në momentin që kjo gjë ka përfunduar, policia ka shpërthyer dyert e zyrave ku ishim dhe na ka evakuuar në një vend tjetër. Pasi na u dha ndihma sigurisht, aty u ndamë në personat të cilët e kishin parë ngjarjen dhe studentët të cilët ishin në hapësira të caktuara të fakultetit. Në momentin që ngjarja ka ndodhur, në zyrën në të cilën unë japë leksionet e mia, kam qenë me një student të huaj nga Danimarka, i cili studion për gjuhën shqipe dhe realisht ka qenë tepër vështirë sepse edhe vet studenti pati një gjendje paniku, u transferua tek mua dhe veprimi i tij paraprak ishte i menjëhershëm drejt dritares për shkak se dritaret në pjesën e tyre të jashtë kanë një bordurë goxha të gjerë edhe kjo ishte gjëja kryesore që ne menduam paraprakisht për të bërë, por më pas u strehuam poshtë tavolinave të punës”, rrëfeu Kalemi.

    Mënyra se si personi kishte arritur të futej me armatim në objekt, sipas saj është ende se e paqartë, mirëpo ajo beson se pasi ky ka qenë student, kjo e ka bërë me të lehtë për të që të futet në godinë më me lehtësi.

    Kalemi tregon se autoritetet janë duke u marrë me identifikimin e studentëve të cilët janë lënduar dhe gjenden nëpër spitale të ndryshme.

    “Dimë që një numër i konsiderueshëm janë nëpër spitale, një pjesë e tyre sigurisht që është edhe me plagë shumë të rënda, por për momentin më tepër jemi duke u marrë me gjithë gjetjen e personave, në cilat spitale janë dërguar sepse ka mungesë informacioni, duke qenë se sendet personale si telefonat apo mjetet e identifikimit janë lënë pas”, tha ajo. /atvlive.tv

  • ​Maqedonci në takim Sareq: Prapa sulmit të 24 shtatorit qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë

    ​Maqedonci në takim Sareq: Prapa sulmit të 24 shtatorit qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur në takim bilateral ministrin e mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sareq, ku u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend por dhe më gjerë.

    Maqedonci gjatë këtij takimi theksova se sulmi i 24 shtatorit, është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendecën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor.

    “Krahas situatës së sigurisë ministrin Sarec e njoftova për të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin tonë për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund t’i zhvillojmë përtej planit bilateral. Shpreha qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO. Nga homologu Sarec kërkova mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike, për të cilin objektiv ministri garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven. E kaluara e përbashkët dhe qëndrimi pro vlerave perëndimore janë lidhja e pashkëputshme ndërmjet dy shteteve tona”, ka shkruar ai.

  • ​De Laurentiis i ka rënë pishman që nuk e shkarkoi Garcian qysh në ditën e parë

    ​De Laurentiis i ka rënë pishman që nuk e shkarkoi Garcian qysh në ditën e parë

    Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis i ka rënë pishman që nuk e ka shkarkuar Rudi Garcian nga pozita e trajnerit, qysh në ditën e parë kur ai u emërua në krye të kampionit italian.

    Në një intervistë për “Il Corriere dello Sport”, De Laurentiis tregoi se Garcia nuk ishte zgjidhje e tij e parë për trajner te Napoli, raporton KosovaPress.

    “Thiago Motta ishte i pari që e thirra. Nuk ishte e gabueshme, eh? Sidoqoftë ai nuk ndjehej i gatshëm. E dini se çka ishte problemi? Ai duhej të zëvendësonte dikë që e ka fituar titullin. Ai mendoi: ‘Çfarë do të ndodh nëse nuk shkon mirë? Më pas u takova me Luis Enriquen. Prindërit e tij erdhën në Napoli, dhe ai nuk më dha përgjigje për tri ditë. Ai më kërkoi shumë para. Më pas ishte radha e Nagelsmann. Fola me pesë ose gjashtë kandidatë por thash 40 për t’i parë të gjithë. Zgjodha Garcian i cili kishte përfunduar i dyti dy herë në Serie A, duke udhëhequr zhveshtore përplot me kampionë”, tha De Laurentiis.

    Por kur e kuptoi De Laurentiis se Garcia nuk ishte i duhuri për punën e trajnerit te Napoli?

    “Në ditën kur ai u prezantua në Capodimonte. Ai tha se nuk e kishte parë Napolin të luante dhe unë duhej ta kuptoja. Puna është se ai e përsëriti edhe herë të tjera. Ai duhet të kishte luajtur si Spalletti. Përkundrazi, ai donte që unë të ndahesha me një trajner të përsosur fitnesi. Më kishin paralajmëruar për të riun dhe më duhej të qëndroja në Castel Volturno nga mëngjesi deri në mbrëmje”, tha më tej De Laurentiis.

  • ​Abdixhiku-Kurtit: Je vonuar dy vjet për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, tani e ke pranuar autonominë

    ​Abdixhiku-Kurtit: Je vonuar dy vjet për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, tani e ke pranuar autonominë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është vonuar dy vjet për ta hartuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Abdixhiku ka thënë se LDK dhe të gjithë miqtë e Kosovës ka dy vite që i kërkojnë Kurtit ë të hartojë draft statutin e Asociacionit, si një dokument të brendshëm të Kosovës dhe si obligim ndërkombëtar.

    Numri një i LDK-së duke e quajtur Kurti si “kryeministër të shtetit të përkohshëm”, thotë se tashmë është shumë vonë për ta hartuar një Draft për Asociacionin.

    “Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës. Ka dy vite që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”, ka shtuar ai.

    “Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’”, ka thënë më tej i pari i LDK-së.

    Sipas Abdixhikut, qëndrimi i sotëm i Kurtit për ta shkruar Draftin e Asociacionit vitin e ardhshëm është shumë i vonuar dhe kjo vonesë sipas Abdixhikut është e kushtueshme meqë thotë se Kurti “e ka pranuar autnominë”

    “Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, ka thënë ai.

    “Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë”, ka potencuar i pari i LDK-së.

    “A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”, ka shkruar në fund Lumir Abdixhiku.

  • Alma Kaçi dhe Safet Gjici përballen në gjykatë: E filmova se jam gazetare investigative

    Alma Kaçi dhe Safet Gjici përballen në gjykatë: E filmova se jam gazetare investigative

    Safet Gjici dhe Alma Kaçi i qëndruan kërkesës për gjykim të shkurtuar në seancën paraprake në GJKKO.

    Në kërkesën e prokurorisë thuhet se nga hetimet, rezultoi një bisedë e zhvilluar mes Alma Kaçit dhe Safet Gjicit në zyrën e tij, ku Gjici pas favorit seksual, e drejtori Almën te Granit Gjana, për të folur mbi tenderin për strehimin e qenëve endacakë.

    Në banesën e Kaçit u gjet një USB, që përmbante filmimin bruto të aktit seksual në zyrën e Bashkisë.

    Kaçi kur është marrë në pyetje është shprehur se filmimin e ka bërë në kuadër të një emisioni investigativ, pasi sipas saj ishte gazetare e padeklaruat investigative.

    Në telefonin e Kaçit, që u sekuestrua në kuadër te hetimeve, u gjetën biseda mes saj dhe gazetarëve të emisionit investigativ, ku ajo fliste për këtë filmim. Sipas SPAK, filmimi u bë me vullet të plotë nga ana e Kaçit, për ta dokumentuar.

    Sipas prokurorisë Alma Kaçi ka pretenduar se, Abedin Oruçi, ish kryetar i qarkut Kukës, i ka marrë USB e filmimit me forcë. Por sipas SPAK kjo nuk është konfirmuar.

    Këtë të premte u mbajt seanca e parë ku ishim të pranishem të dy protagonistët. Në seancën e radhës, më 11 janar, do të jepen konkluzionet e prokurorisë.

  • Idrizi e nderon me titullin “Qytetar nderi” drejtorin e “Islamic Relief Kosova”, Moohamed Soliman

    Idrizi e nderon me titullin “Qytetar nderi” drejtorin e “Islamic Relief Kosova”, Moohamed Soliman

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, të premten ia dorëzuar titullin “Qytetar nderi” humanistit dhe drejtorit të “Islamic Relief Kosova”, Dr. Moohamed Soliman, raporton Ekonomia Online

    Idrizi tha se ky çmim u ndahet personaliteteve të shquar për kontributin e tyre në të mirë të qytetarëve. Ai tha se bashkëpunimi me Soliman qe tri vjet ka dhënë rezultate të prekshme për Komunën e Vushtrrisë, sidomos në fushën e shëndetësisë.

    “Me Dr. Moohamed Soliman kemi një bashkëpunim që tri vite, i cili ka dhënë rezultate shumë të mira për Komunën e Vushtrrisë veçanërisht kemi një bashkëpunim të ndërsjellës ku Komuna Vushtrrisë ka përfituar në fushën e mjekësisë ku ata mjekë me programet mobile i shërbejnë Komunës së Vushtrrisë”.

    “Vetëm në këtë vit i kemi nda 273 sera në sipërfaqe me nga një ari ku kam përgatitur kopshtarët e Komunës së Vushtrrisë më tepër kemi nënshkruar për ndërtimin e tregut të gjelbër që shumë shpejt do të nënshkruhet kontrata me operatorin ku do të fillojnë punimet me emër të qytetareve bashkë më ndarjen e këtij çmimi ta falënderojë doktorin përzemërsisht për bashkëpunimin po edhe për stafin që e shoqëroj doktorin andaj duke dëshpëruar shëndet mirësi paqe rrugëtim të suksesshëm në misionin tuaj të uroj edhe çmimin qytetar nderi të Komunës, ky çmim iu ndahet personaliteteve të shquar për kontributin e tyre për angazhimin e tyre të madh. Jam i lumtur që këtë çmim ia ndajmë këtij humanisti një bamirësi, një doktori të palodhshëm siç është doktori Dr. Moohamed Soliman”.

    Mohamed Selman tha se bashkëpunimin me kryetarin Idrizi është shumë domethënës, raporton EO. Duke folur si doktor, ai tha se kujdesi ndaj njerëzve është parësor, raporton EO. Ai shtoi se pret që projekti për tregun e gjelbër të përfundojë shumë shpejt.

    “Sa nder të jem këtu sot. Ky është viti i shtatë i projektit Home Health Care Delivery, i cili ishte projekti i parë me të cilin filluam bashkëpunimin tonë. Jemi krenarë për këtë projekt. Ne jemi shumë krenarë për këtë projekt. Siç tha ajo në fillim, unë jam mjeke, dhe unë e di vlerën e kujdesit shëndetësor për njerëzit, sa është e rëndësishme që kujdesi shëndetësor t’i ofrohet njerëzve”.

    “Me ekipin e kryetarit InshaAllah, shumë shpejt do ta shohim realitet këtë treg të gjelbër. Është një moment historik gjatë punës sonë në ndërtim. Dhe punën që e bëjmë këtu në Kosovë që e kemi filluar në vitin 1999, ne ishim organizata e parë që u regjistruam këtu në Kosovë pas luftës. Pra, përmes këtyre viteve të përulura të punës, në shërbim të qytetarëve të të gjithëve, Në Kosovë, një moment historik shumë i rëndësishëm ishte bashkëpunimi me Bosnjën, sepse siç thashë, ishte ende një moment historik, një shembull për bashkëpunim me të gjithë”.