ATV

Author: ATVLive

  • PDK kërkon që Ligji për Fondin Sovran të shpallet jokushtetues

    PDK kërkon që Ligji për Fondin Sovran të shpallet jokushtetues

    Përgatiti: B. Zeneli & A. Hamiti

    Pas LDK-së, Projektligjin për Fondin Sovran për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e dërgoi edhe një parti tjetër. Partia Demokratike e Kosovës, ndryshe partia më e madhe opozitare, këtë projektligj po e cilëson si anti-kushtetues.

    Sipas përfaqësuesit ligjor të kësaj partie, 11 nene të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën.

    Ndërkohë, për deklarimet e pushtetit se opozita po e përdor Gjykatën Kushtetuese për t’i bllokuar reformat e ekzekutivit, deputeti Shala e pati sqarim.

    Projektligji për Fondin Sovran është miratuar edhe në lexim të dytë me 62 vota për.

    Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit e të PTK-së.

  • Për vetting në Kuvend duhet të votojë edhe Lista Serbe

    Për vetting në Kuvend duhet të votojë edhe Lista Serbe

    Përgatiti: Nora Luta

    Kushtetuesja dha dritën e gjelbër për vetingun në sistemin e drejtësisë, megjithatë për të nisur në praktikë ky proces fillimisht amendamentet duhet të miratohen në Kuvend.

    Ndryshimi i Kushtetutës, përveç shumicës kërkon edhe votat e 2/3 të deputetëve që i kanë vendet e rezervuara nga komunitetet, në këtë rast ata të Listës Serbe.

    Kryetari i Komisionit Ad-hoc parlamentar për zhvillimin e këtij procesi, Adnan Rrustemi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se është një proces sfidues.

    Deputetët serbë nuk kishin marrë pjesë as në këtë komision.

    Juristët thonë se i takon pushtetit për t’i bindur deputetët e pakicës.

    Megjithatë, Rrustemi thotë se nuk ka më argumente për ta penguar këtë proces.

    Sipas tij, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses do të nisin punën për hartimin e projektligjit për veting.

    Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve është konsideruar ndër prioritetet e ekzekutivit për reformën në drejtësi.

    Por, Ministria e Drejtësisë pas opinionit të Komisionit të Venecias hoqi dorë nga vetingu i plotë, duke e reduktuar në një veting të pjesshëm që do të përfshijë vetëm udhëheqësit e prokurorive, gjykatave dhe anëtarëve e kryesuesve të Këshillave përkatës.

  • Vrasja e Donjeta Pajazitaj, prova kryesore në duart e FBI-së

    Vrasja e Donjeta Pajazitaj, prova kryesore në duart e FBI-së

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pas 8 vjetësh hetime, Gjykata Supreme e liroi Naser Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Por, Prokuroria e Pejës nuk i ka ndalur hetimet për rastin.

    Së fundmi, njëra prej provave është dërguar për ekzaminim të mëtejmë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Provën kryesore të kësaj çështjeje penale, e kemi dërgu për ekzaminim në SHBA, në institucionin më të lartë, pasi ta pranojmë raportin, do të merren veprimet ligjore konform gjetjeve të raportit”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    Televizioni merr vesh se bëhet fjalë për videon në të cilën shihet Naser Pajazitaj duke e marrë me veturë një vajzë në qendër të fshatit. Ndryshe nga ekzaminimi i parë në një shtet tjetër që nuk dha rezultat, analiza tani pritet më me optimizëm.

    “Kjo provë është ekzaminuar në Turqi, por nuk kemi pranuar rezultate të detajuara. Jemi optimist se do ketë gjetje”, tha Nikçi.

    Donjeta Pajazitaj u gjet e vrarë në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit, më 17 dhjetor të 2015-ës. Për vrasjen e saj u akuzua kushëriri, Naser Pajazitaj. Por me vendim të Gjykatës Supreme, ai përfundimisht u lirua nga akuzat për vrasje më 6 prill, me arsyetimin se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.

    Pas lirimit, Naser Pajazitaj kërkoi mbi 1 milion euro kompensim për kohën që qëndroi në burg. Këshilli Gjyqësor ia ofroi atij 60 mijë euro, shumë të cilën ai e refuzoi.

  • Kushtetuesja vendos për Ligjin e pagave, rrëzon nenet e Ligjit që zvogëlonin pagat e larta të zyrtarëve publikë

    Kushtetuesja vendos për Ligjin e pagave, rrëzon nenet e Ligjit që zvogëlonin pagat e larta të zyrtarëve publikë

    Gjykata Kushtetuese ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit i cili e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

    Për këtë Ligj, Avokati i Popullit kishte pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

    Sot, është publikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë kërkesë, ku bëhet e ditur se gjykata ka rrëzuar disa nga nenet e Ligjit të Pagave, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës, e që u hartua nga Qeveria Kurti.

    Kushtetuesja së pari ka sqaruar, se me këtë Aktjgykim nuk do të afektohen, të gjithë ata zyrtarë, të cilëve u është ngritur paga.

    Ndërsa, ulja e pagave, për disa funksione, është konsideruar anti-kushtetuese. Kushtetuesja, i ka kërkuar Kuvendit që brenda 6 muajve, ta ndryshoj Ligjin.

    Gjykata, në njoftimin për media, thotë se njëzëri ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë, njëzëri, që: “(i) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafin 5 të nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafin 4 të nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) paragrafi 2 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 3 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (v) paragrafi 4 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (vi) paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 (Shtesa tranzitore) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të Aktgjykimit; (vii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; (viii) deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, paragrafi 3 i nenit 2 (Fushëveprimi), paragrafi 2 i nenit 22 (Shtesat), paragrafi 5 i nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafi 8 i nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafi 7 i nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafi 4 i nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës), zbatohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (ix) ky Aktgjykim hyn në fuqi më 1 shkurt 2024”.

    “Aktgjykimi fillimisht sqaron që Ligji i kontestuar është publikuar në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, ndërsa ka hyrë në fuqi më 5 shkurt 2023. I njëjti është miratuar pasi ligji paraprak, përkatësisht Ligji nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, pas kërkesës së Avokatit të Popullit, ishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën përmes Aktgjykimit të Gjykatës KO219/19. Aktgjykimi, më tej, sqaron që Ligji i kontestuar, me qëllim të krijimit të një “sistemi të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik”, shfuqizon (i) Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civilë; (ii) dispozita të caktuara të ligjeve të veçanta ndërlidhur me institucione dhe agjenci të pavarura; si dhe (iii) çdo ligj dhe akt tjetër nënligjor që është në kundërshtim me përcaktimet e tij. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, i njëjti përmes Shtojcave përkatëse, kategorizon të gjithë funksionarët/zyrtarët dhe nëpunësit publikë që bien në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar, në pozita, grupe, klasa dhe koeficientë. Efekti i këtij kategorizimi në ndërlidhje me vlerën e koeficientit të përcaktuar përmes Ligjit nr.08/L-213 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, ka rezultuar në ngritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese të zyrtarëve të sektorit publik dhe zbritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese tjetër. Kategoritë e afektuara nga zbritja e nivelit të pagave, përfitojnë nga një periudhë tranzitore dy (2) vjeçare pas hyrjes në fuqi të ligjit, përkatësisht (i) gjatë vitit të parë, njëqind përqind (100%) të shtesës tranzitore dhe rrjedhimisht, përgjatë këtij viti nuk afektohen nga zbritja e nivelit të pagës; ndërsa, (ii) gjatë vitit të dytë, pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që nga të drejtat e periudhës tranzitore, janë përjashtuar (i) anëtarët e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilët për pasojë janë afektuar me zbritje të menjëhershme pagash përmes hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) të gjithë personat që janë punësuar në sektorin publik pas hyrjes së tij në fuqi. Më tej, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar gjithashtu (i) delegon përcaktimin e vlerës së koeficientit në një ligj tjetër, përkatësisht Ligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës; (ii) saktëson që zbritja e nivelit të pagës në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm në rast të dy rrethanave përjashtimore, përkatësisht një “tronditje makroekonomike” apo shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme; (iii) saktëson rregullat e përcaktimit të kategorive të shtesave dhe kompensimeve, përfshirë tavanet/kufijtë përkatës buxhetor, duke saktësuar gjithashtu që këto çështje rregullohen ekskluzivisht me këtë ligj dhe mund të rregullohen më tej vetëm me akte të tjera nënligjore; dhe (iv) përcakton kompetencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), për të miratuar, ndër tjerash, çështjet që ndërlidhen me strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve në institucionet publike të Republikës së Kosovës”.

    “Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, Ligji i kontestuar tashmë ka prodhuar efektet e tij tek kategoritë të cilave u është ngritur niveli i pagës, si dhe tek kategoritë që u është zbritur niveli i pagës e që nuk i janë nënshtruar mbrojtjes përmes periudhës tranzitore, përkatësisht (i) për të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para të përvojës së punës, sepse lartësia e shtesës për përvojën e punës është përgjysmuar me hyrjen në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili është përjashtuar nga e drejta në shtesë tranzitore. Me përfundimin e afatit një (1) vjeçar të periudhës/shtesës tranzitore, përkatësisht nga 5 shkurti 2024, me zbritje prej pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore, do të afektohen të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit që hyjnë në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar dhe të cilëve u është zbritur niveli i pagës sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar”, thotë mes tjerash Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin mund ta lexoni të plotë më poshtë:

    Njoftim për vendim në rastin KO 79/23

  • VV: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë t’i pranoj targat RKS

    VV: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë t’i pranoj targat RKS

    Të hënën Qeveria e Serbisë vendosi që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

    E, për këtë vendim ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se këmbëngulja e tyre e detyroi Qeverinë serbe ta pranojë këtë marrëveshje, teksa e vlerësojnë si arritje të rëndësishme të shtetit e qeverisjes.

    Vetëvendosje po ashtu shtoi edhe disa sugjerime të radhës për qeverinë në fjalë.

    “Këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranoj targat RKS. Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet. Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thanë nga kjo parti.

  • Shfaqja “Bretkosa” mbush gjysmë dekade në skenë

    Shfaqja “Bretkosa” mbush gjysmë dekade në skenë

    Shfaqja “Bretkosa”, prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, e cilësuar si shfaqja më e mirë në Kosovë, sot mbush pesë vjet nga dhënia e premierës së saj.

    E krijuar nën regjinë e Burbuqe Berishës dhe me aktorët, Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, rëndësia e kësaj shfaqje vazhdon të mbetet e pazbehur edhe pas gjysmë dekade nëpër skenat teatrore mbarë kombëtare.

    Më 26 dhjetor 2018, ishe ditë e mërkurë kur për herë të parë në Teatrin Kamertal në ambientet e Kolegjit AAB u dha premiera e shfaqjes “Bretkosa”, e cila magjepsi publikun menjëherë me portretizimin e saj prekës të pasojave të luftës së fundit të Kosovës.

    Me skena të ndryshme herë – herë komike, e më shumë tragjike, shfaqja “Bretkosa” ballafaqon përpjekjet e njerëzve për të shpëtuar nga traumat dhe pasojat që ka lënë lufta.

    Përmes dialogjeve të personazheve, shpaloset historia e dhimbshme e kryepersonazhit të shfaqjes, Zekës, një ish luftëtari idealist, i cili shfaq traumat dhe pasojat e trashëguara nga lufta, gjatë bisedave më të tjerët, pavarësisht, arsyetimeve të veprimeve të tij dhe kërkimfaljeve të rralla.

    E ndërtuar mbi dramën e kroatit Dubravko Mihanoviç, me të njëjtin titull, por e adaptuar në mënyrë brilante për realitetin kosovarë, shfaqja “Bretkosa” rrëfen një realitet, ku askush nuk ka durim për të dëgjuar tjetrin dhe komunikimi duket i pamundur, edhe për gjerat që janë më të thjeshta. Mbi të gjitha, shfaqja është e liruar nga monotonia dhe tematika, e cila në fakt, siç janë shprehur kritikët dhe krijuesit skenik, shpërfaq nuanca të zhanreve të ndryshme, andaj edhe po e mbush sallën kamertale të AAB, sa herë shfaqet.

    “Kuarteti” i aktorëve, i prirë nga Ilir Tafa, “berberi”, kryepersonazhi i kësaj drame, rolin e të cilit e luan Ilir Tafa, gjatë shfaqjes, këtë rol e ndërtoi me ritme dhe kundër-ritme.

    Variacionet e interpretimit të tij shquheshin edhe me të folurit, sa me turp, sa me plasje të herëpashershme që shënjonin baticat dhe zbaticat e oqeanit të dhembjes që buburitë në shpirtin e “Berberit”, ish luftëtarit të cilit i ishin vrarë shokët e togut, e ai e mallkonte veten që ka shpëtuar.

    Në shfaqje, Toni, të cilin e interpreton aktori Donat Qosja, përballet me humbjen e vendit të punës për shkak të privatizimit të ndërmarrjes, proces ky që la shumë punëtorë pa punë, duke i zhytur ata në pasiguri. Roli i taksistit të cilin e interpreton aktori Basri Shala, vjen si rol përplotësues, përmes të cilit ai ndërfutë situata, zhvillime, ngjarje e kuptime të ndryshme, gjë që e bën lojën teatrore të jetë më dinamike.

    Duke i shtuar ngjarjes së shfaqjes, personazhi i librashitësit të cilin e interpreton aktori Valmir Krasniqi vjen si një pikë e re fokale. Ai është një student, që shet libra për të siguruar jetën.

    Gjatë gjithë shfaqjes, personazhet thurin situata nga më të ndryshmet, ku secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, dëshmuan në mënyrën më njerëzore për pasojat që lufta dhe paslufta kishte lënë vragë të mëdha në personazhet që ata luanin.

    Ndërsa sot shënon pesë vjetorin e dhënies së premierës, trashëgimia e shfaqjes “Bretkosa” vazhdon të qëndrojë si një testament i vizionit artistik të regjisores së madhe, Burbuqe Berisha. Me dhjetëra repriza nëpër teatrot mbarë kombëtare dhe rëndësinë e saj të palëkundur, Teatri AAB “Faruk Begolli”, vazhdon të nderojë kujtimin e regjisores Burbuqe Berisha.

    Repriza e radhës e shfaqjes “Bretkosa” do të jepet këtë të enjte më datën 28 dhjetor 2023 në ora 19:30. /atvlive.tv


    Posteri i premierës së shfaqjes “Bretkosa” më 26 dhjetor 2018.

  • Çollakaj: E them me përgjegjësi profesionale se nuk do të ketë luftë as në Kosovë, as në Ballkan

    Çollakaj: E them me përgjegjësi profesionale se nuk do të ketë luftë as në Kosovë, as në Ballkan

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, po ashtu edhe deklaratat të ndryshme për mundësi agresioni nga ana e Serbisë, vlerësoi se nuk do të ketë luftë në këtë pjesë të vendit.

    Ai thotë se një situatë e ngjashme si ajo e 24 shtatorit nuk përjashtohet, për shkak se sipas Çollakajt, kjo do t’i konvenonte edhe presidentit Vuçiq për shkak të revoltës së qytetarëve kundër tij.

    “Unë në krejt paraqitjet e mia deri më sot, them me përgjegjësi profesionale se luftë nuk do të ketë në atë pjesë të vendit e as në Kosovë, e as në Ballkan. Përpjekje eventuale për ndonjë sulm të ngjashëm si të 24 shtatorit, nuk përjashtohet ajo mundësi, çka mund të mos ndodh por nuk përjashtohet mundësia që të ndodh, sepse Serbisë i konvenon dhe i nevojitet sidomos në këtë fazë ku Vuçiqi po sfidohet seriozisht në Beograd me protesta të dhunshme që për mua një tregues i një mllefi dhe një revolte të madhe të akumuluar me diskursin e vet politik neo-diktatorial”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni në videon më poshtë:

  • Çollakaj: Policisë së Kosovës ia kanë zili policitë e vendeve të rajonit

    Çollakaj: Policisë së Kosovës ia kanë zili policitë e vendeve të rajonit

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar situatën e sigurisë në veri të vendit, thotë se Policisë së Kosovës, me aksionet e saj është duke e kryer punën më një përformancë shumë cilësore në atë pjesë të vendit.

    “Aksionet e Policisë duhet të përcjellin mesazh tek ne se duhet me qenë rehat e jo mos me na lënë rehat, ndonëse ata tjerët nuk na lënë rehat, kurse Policia e Kosovës e kryen punën deri më tani me një përformancë shumë cilësore dhe ia kanë zili policitë e vendeve të tjera të regjionit”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Haxhiu takohet me drejtorët e institucioneve korrektuese

    ​Haxhiu takohet me drejtorët e institucioneve korrektuese

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani sot kanë mbajtur takimin e fundvitit, në të cilin kanë marrë pjesë drejtorët e burgjeve, ku është diskutuar për punën, sfidat dhe të arriturat gjatë vitit 2023.

    Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu kërkoi që të punohet me seriozitet në parandalimin e kontrabandës në burgje, ngritjen e sigurisë, krijimin e kushteve dhe për respektimin e të drejtave të të burgosurve.

    Tutje ministrja Haxhiu shprehu mbështetje për Shërbimin Korrektues të Kosovës në aspektin ligjor dhe atë financiar, ndërsa kërkoi që tu jepet mbështetje edhe grave të punësuara në institucionet korrektuese.

    Ndërsa drejtorët e burgjeve kanë raportuar për arritjet, sfidat dhe synimet të cilat janë përkitazi me planin e punës dhe realizimin e strategjive dhe planifikimeve për vitin 2024.

    Sipas tyre çështje shqetësuese mbetet trajtimi i të burgosurve të cilët kanë vendim për trajtim psikiatrik. Drejtorët shprehen vullnetin që me përkushtim të pakursyer dhe përgjegjësi të plotë, t’i permbushin obligimet në perputhje me përgjegjësitë e tyre.

  • ​Superliga nuk ndalet, mesjava sjell ndeshje interesante

    ​Superliga nuk ndalet, mesjava sjell ndeshje interesante

    Në mesjavë, përkatësisht të mërkurën dhe të enjten zhvillohet xhiroja e 15-të në Prince Caffe Superligë, që është e fundit për vitin 2023.

    Sfida e parë zhvillohet ndërmjet vendit të fundit, Istogut dhe lideres Trepçës. Istogasit kanë një fitore e 13 humbje, kurse mitrovicasit kryesojnë me 12 fitore e dy humbje.

    Takimi i dytë i së mërkurës zhvillohet mes Sigal Prishtinës dhe Proton Cable Prizrenit. Bardhekaltrit janë në formë të lartë me nëntë fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit renditen në vendin e gjashtë me pesë fitore e nëntë humbje.

    Të enjten do të përballen Golden Eagle Ylli me Bashkimin. Therandasit kanë tetë fitore e gjashtë humbje, ndërsa prizrenasit kanë katër fitore e dhjetë humbje, andaj të dy skuadrat synojnë fitoren, që të kenë plasman sa më të mirë në garat e rregullta.

    Peja-Vëllaznimi është sfida e fundit, që njëkohësisht pritet të jetë më interesantja e kësaj xhiro. Kampionët e Kosovës janë në vendin e dytë me dhjetë fitore e katër humbje, ndërsa kuqezinjtë kanë shtatë fitore e shtatë humbje, duke u renditur në vendin e pestë.

    Prince Caffe Superliga-Java 15

    E mërkurë

    17:00 Istogu-Trepça

    19:30 Sigal Prishtina-Proton Cable Prizreni

    E enjte

    19:00 Golden Eagle Ylli-Bashkimi

    19:00 Peja-Vëllaznimi