ATV

Author: ATVLive

  • Arrin në 30 numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Arrin në 30 numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Numri i njerëzve të vrarë nga një tërmet i fuqishëm në Japoni, i cili shkaktoi shembjen e shtëpive dhe shkaktoi paralajmërime për cunami, tashmë ka arritur në 30.

    Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, thotë se tërmeti ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha, shkruan BBC.

    Rreth 1000 shpëtimtarë janë duke kërkuar për njerëz që mendojnë se mund të jenë të bllokuar nën rrënoja

    Ushtria japoneze ka shpërndarë furnizime duke përfshirë ushqim, ujë dhe batanije për ata që u është dashur të largohen nga shtëpia

    Të gjitha paralajmërimet për cunami tani janë hequr përgjatë Detit të Japonisë, që do të thotë se nuk ka më rrezik për një ngjarje të tillë.

    Presidenti Joe Biden thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme.

  • Pasaporta e Kosovës fuqizohet për 34 vende, këto janë shtetet që mund të lëvizni pa viza

    Pasaporta e Kosovës fuqizohet për 34 vende, këto janë shtetet që mund të lëvizni pa viza

    Qytetarët e Kosovës kanë filluar të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pasi që më 1 janar filloi zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen – duke përjashtuar Spanjën që nuk e njeh pavarësinë e as pasaportën e Kosovës.

    Kështu, fuqia e pasaportës është rritur ndjeshëm. Në kuadër të liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm në 91 shtete të botës, një rritje prej 34 shteteve në krahasim me periudhën para vendimeve për lirimin e vizave.

    Kjo rritje në numrin e vendeve që mund të vizitohen pa nevojën e vizës paraqet një lëvizshmëri dhe liri individuale më të madhe.

    Sipas të dhënave të fundit nga Indeksi Botëror i Pasaportave, Republika e Kosovës tani zë një pozitë ku qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza në 48 vende të botës, me të drejtën për të marrë vizë në pikën e hyrjes (Visa on Arrival) në 41 shtete të tjera.

    Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

    Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

    Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

  • Eurodeputeti: Pas liberalizimit, hapi i radhës procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë

    Eurodeputeti: Pas liberalizimit, hapi i radhës procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka thënë se hapi i radhës i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën pas liberalizimit të vizave duhet të jetë procesimi tutje i aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Union.

    “Pas vonesave krejtësisht të panevojshme që nga sot ka hyrë në fuqi udhëtimi pa viza në BE për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi i radhës: procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë”, ka shkruar Reuten në platformën sociale, X.

    Kosovarët tanimë do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen. Kjo liri e lëvizjes vjen saktësisht 16 vjet pas pavarësisë së vendit, dhe shumë premtimeve të politikanëve.

    Ndërkaq po gjatë ditës së djeshme Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian- Brukseli, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, e mori kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian.

    Gjatë kryesimit të Spanjës nuk pati asnjë hap të vetëm për sa i përket shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Skepticizëm ka nëse do të ketë hapa përpara tani gjatë kryesimit të Belgjikës.

    Një vit më parë, Kosova dorëzoi zyrtarisht dokumentet e nevojshme për aplikim për anëtarësim në Union.

    Dorëzimin e aplikimit në Pragë të Çekisë, e cila udhëhiqte Presidencën e radhës së BE-së, e bëri kryeministri Albin Kurti më 15 dhjetor 2022, ndërsa ai ishte nënshkruar një ditë më parë nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

    Pas sigurimit të statusit të vendit kandidat, procedura parasheh hapjen e negociatave që pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim midis BE-së dhe vendit kandidat. Më pas nevojitet të bëhet ratifikimi i tij nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

    Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

  • Ditëlindja e 25-të e valutës Euro, kur e vuri në përdorim Kosova

    Ditëlindja e 25-të e valutës Euro, kur e vuri në përdorim Kosova

    Dje janë bërë 25 vjet që nga prezantimi i valutës Euro. Euro ishte prezantuar për herë të parë më 1 janar 1999. Tri vite më vonë ishin lansuar monedhat dhe kartëmonedhat që i përdorim edhe sot.

    Ditëlindjes së Euro’s i ka kushtuar një postim Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ku theksohet se si monedha ka lidhje të veçantë me Ballkanin Perëndimor, derisa përmendet se në Kosovë kjo monedhë ka hyrë në përdorim në vitin 2002.

    “Që nga viti 1999, euro ka qenë monedha e 20 shteteve të BE-së që përbëjnë Eurozonën, si dhe shteteve të tjera evropiane si Andorra, Vatikani, San Marino dhe Monako. Për më tepër, Euro ka një lidhje të veçantë me Ballkanin Perëndimor dhe ka qenë valutë në Mal të Zi, dhe – siç e dini të gjithë – Kosovë. Në këto dy vende, marka gjermane u miratua për arsye ekonomike dhe politike, dhe për rrjedhojë vendet, së bashku me Gjermaninë, kaluan nga përdorimi i Markës në Euro në 2002. Ky udhëtim e ka kthyer euron në një histori suksesi, duke e bërë të lehtë si tregtinë ashtu edhe udhëtimin🤩. Urime Euro e dashur!🍾”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

  • Rast i rëndë në Prizren: Një burrë gjendet i vdekur në banesën e tij, jetonte i vetëm

    Rast i rëndë në Prizren: Një burrë gjendet i vdekur në banesën e tij, jetonte i vetëm

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në Prizren, ku një person, i cili jetonte i vetëm, është gjetur pa shenja jete dhe nuk dihen rrethanat në të cilat ka vdekur. Lidhur me rastin, Policia tashmë ka nisur hetimet për rastin, raporton Gazeta Sinjali.

    Vdekjen e të ndjerit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.

    Pas ekzaminimeve për shenja vitale, mjeku konstatoi se viktima ishte pa shenja jete dhe më pas trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, me ç’rast është bërë e ditur se rasti është cilësuar si ‘Vdekje e dyshimtë’.

    “Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në banesë ku jetonte i vetëm. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.”

  • Presidentja Osmani ngushëllon Japoninë për jetët e humbura si pasojë e tërmetit

    Presidentja Osmani ngushëllon Japoninë për jetët e humbura si pasojë e tërmetit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ngushëlluar Japoninë për jetët e humbura si pasojë e tërmetit shkatërrues që ndodhi dje.

    Osmani thotë se populli kosovar solidarizohet me atë japonez në këtë kohë të vështirë.

    ”Zemrat tona shkojnë për të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Japoni.

    I shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve që humbën të dashurit e tyre.

    Populli i Kosovës solidarizohet me popullin japonez në këtë kohë të vështirë”.

  • Moti për ditën e marte

    Moti për ditën e marte

    Për të martën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët deri në pjesë e parë të ditës, ku priten reshje shiu gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në mëngjes.

    Reshjet lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, ndërsa në zonat e larta malore reshje bore. Dita do të vijojë me diell dhe vranësira.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në regjionin e Gjakovës mund të jetë e fuqishme, sidomos në orët e mbrëmjes, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 13°C.

  • Kosovarët më 2023 i dogjën 1.4 miliardë euro në derivate e duhan

    Kosovarët më 2023 i dogjën 1.4 miliardë euro në derivate e duhan

    Hiç më pak se 1,4 miliardë euro ka arritur vlera e importuar e naftës, benzinës, si dhe duhanit gjatë gjithë vitit 2023. Kjo shumë është gati sa gjysma e buxhetit të shtetit për vitin që tashmë po e lëmë pas.

    Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga një janari i këtij viti e deri më 28 dhjetor, në Kosovë janë importuar 727 milionë e 791 mijë litra naftë, e ku baza doganore për naftën e importuar ka qenë 499 milionë e 435 mijë euro, pra gjysmë miliardë euro.

    Gjithnjë referuar të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës shihet se për naftën e importuar kompanitë që merren me import të derivateve kanë paguar mbi 255 milionë euro akcizë, si dhe 134 mijë euro TVSH. Pra, vlera totale e taksave të paguara për naftën e importuar ka qenë 389 milionë euro, raporton Front Online.

    Sipas statistikave të siguruara shihet se gjatë vitit më së paku naftë është importuar gjatë muajit shkurt, deri sa më së shumti është importuar gjatë muajit gusht e vitit që lamë pas.

    Rreth 900 milionë € shpenzime për naftë, mbi 102 milionë € për benzinë

    Deri sa për naftë kosovaret gjatë vitit që lamë pas shpenzuar rreth 900 milionë euro, vlera e shpenzimeve për benzinë është rreth nëntë herë më e vogël. Pra, gjatë vitit 2023 sipas të dhënave të Doganës së Kosovës shihet se gjithsejtë janë importuar 85 milionë litra benzinë, e ku baza Doganore për benzinën e importuar ka qenë mbi 54 milionë euro. Më tutje gjithmonë referuar të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës shihet se për benzinën e importuar kompanitë importuese kanë paguar mbi 32 milionë euro në emër të akcizës si dhe mbi 15 milionë euro në emër të TVSH-së. Pra, të vlera totale e taksave të paguara për benzinën e importuar gjatë vitit që tashmë po e lëmë pas ka qenë mbi 48 milionë euro.

    Mbi 294 milion € u dogjën për duhan

    Gati sa një e dhjeta e buxhetit të shtetit për vitin që tashmë e lemë pas është shpenzuar nga kosovaret gjatë vitit 2023 për duhan. Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës shihet se gjatë vitit që tashmë po e lemë pas në Kosovë janë importuar hiç më pakë se 4,1 milionë kilogram duhan, e ku baza Doganore për duhanin e importuar ka qenë më shumë se 117 milionë euro. Gjithnjë referuar të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës shihet se për duhanin e importuar kompanitë importuese në emër të Doganës kanë paguar hiç më pakë se 9,3 milionë euro, në emër të akcizës kanë paguar 222 milionë euro, si dhe në emër të TVSH-së kanë paguar mbi 62 milionë euro. Pra, vlera totale e taksave të paguara për duhanin e importuar ka qenë gati 300 milionë euro.

    Nafta

    727,791,986.33 litra naftë janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

    499,435,621.23 euro ka qenë baza Doganore e naftës së importuar.

    255,573,671.16 euro ka qenë akciza për naftën e importuar.

    134,241,061.99 ka qenë TVSH-ja për naftën e importuar.

    389,814,733.15 është vlera totale e taksave që kompanitë importuese kanë paguar për naftën që kanë importuar gjatë vitit 2023.

    Benzinë

    85,182,118.00 litra benzinë janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

    54,724,626.31 euro ka qenë baza Doganore e benzinës së importuar.

    32,557,904.84 euro ka qenë akciza për benzinën e importuar.

    15,640,785.17 ka qenë TVSH-ja për benzinën e importuar.

    48,198,690.01 është vlera totale e taksave që kompanitë importuese kanë paguar për benzinën që kanë importuar gjatë vitit 2023.

    Duhani

    4,140,934.60 kilogram duhan janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

    117,641,461.60 ka qenë baza Doganore e duhanit të importuar gjatë vitit 2023.

    9,343,812.44 ka qenë vlera e Doganës për duhanin e importuar gjatë vitit 2023

    222,475,487.30 ka qenë vlera e akcizës për duhanin e importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

    62,757,617.49 ka qenë vlera e TVSH-së për duhanin e importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

    294,576,917.23 ka qenë vlera e taksave për duhanin e importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

  • Pesë parashikime për vitin 2024

    Pesë parashikime për vitin 2024

    Ndërsa hyjmë në vitin 2024, ajo çfarë duket në skenën globale është më e pasigurt se sa ka qenë në vite.

    1. Lufta Izrael-Hamas kërcënon të përhapet

    Viti i ri fillon me Izraelin që po e shtrin aksionin e tij në Rripin e Gazës si një kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

    Ndërkohë presioni ndërkombëtar po rritet mbi Izraelin për të kufizuar intensitetin e luftës së tij.

    Pavarësisht kësaj, Izraeli ka dyfishuar aksionin dhe ka premtuar se lufta kundër Hamasit do të zgjasë për shumë muaj. Rreziku i një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet.

    Ka rritje të shkëmbimeve ndërkufitare midis grupit paraushtarak islamik Hezbollah të mbështetur nga Irani dhe Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në kufirin Liban-Izrael.

    Sulmet proxy nga fraksionet e mbështetura nga Irani në Irak – si sulmi i fundit në ambasadën amerikane në Bagdad – po bëhen më të guximshme dhe më të zakonshme.

    Dhe sulmet e mëtejshme nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani në rrugët globale të anijeve përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit mund të bëjnë që çmimet e energjisë të rriten.

    Mbështetja e qartë e Shteteve të Bashkuara për sulmet izraelite në Gaza ka dëmtuar imazhin që ajo projekton si një garantues i të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar, një goditje reputacioni nga e cila Uashingtoni nuk ka gjasa të rimëkëmbet në afat të shkurtër, pavarësisht një ndryshimi vendimtar, shkruan CNN.

    Duke shkuar drejt vitit 2024, SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të vendosin një ekuilibër midis hakmarrjes dhe parandalimit të sulmeve, duke i mbajtur përgjigjet e tyre nën një prag që do të shkaktonte një konflikt më të gjerë.

    2-Bllokimi pasi konflikti Rusi-Ukrainë hyn në vitin e tretë

    Në shkurt, pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin do të hyjë tashmë në vitin e tretë.

    As Rusia dhe as Ukraina nuk po tregojnë ndonjë shenjë të arritjes së fitores apo gatishmëri për kompromis për t’i dhënë fund luftës.

    Ukraina po lufton për mbijetesën, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, ndërsa Rusia synon atë që e quan “denazifikim” dhe çmilitarizimin e Ukrainës dhe parandalimin e aspiratës së saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe organet e tjera perëndimore.

    Inkuadrimi rus i pushtimit të saj të paprovokuar si “denazifikim” është hedhur poshtë nga historianët dhe vëzhguesit politikë. Putini e nis vitin me më shumë besim sesa një vit më parë.

    Armatimet e luftës të Rusisë po plotësohen si nga Irani ashtu edhe nga Koreja e Veriut.

    Plus, vendi më i madh në botë sipas zonës ka gjithmonë avantazhin e tij numerik për t’u mbështetur përsa i përket trupave, ndryshe nga Ukraina, e cila do të vuajë gjithnjë e më shumë nga mungesa e fuqisë punëtore vitin e ardhshëm.

    Evropa është e kufizuar në municionet dhe pajisjet ushtarake që mund t’i ofrojë Ukrainës. Frika më e madhe e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për përplasje të unitetit perëndimor është materializuar, gjithashtu: ndarja politike në SHBA dhe Evropë tani po pengon dhënien e ndihmës ushtarake dhe ekonomike.

    3. Zgjedhjet, të sigurta dhe të pasigurta

    Zgjedhjet janë gjithmonë të rëndësishme, sidomos për një këtë paqëndrueshmërie globale me të cilën përballemi. Në vitin 2024, 2 miliardë njerëz do të shkojnë në qendrat e votimit.

    Zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të 5 nëntorit mund të bëjnë që Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump ka një epërsi ndaj rivalëve të tij republikanë për nominimin e partisë së tyre, por vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados se ai nuk mund të kandidojë në shtet për shkak të rastit të kryengritjes së vitit 2021, i ndjekur nga një vendim i ngjashëm në Maine, mund të sjellë pengesa.

    Nuk ka asnjë precedent që një kandidat të kandidojë nën aktakuzë.

    Nga ana tjetër presidenti Joe Biden nuk po i jep energji demokratëve, sondazhet e opinionit sugjerojnë se shumica e votuesve mendojnë se Biden është shumë i vjetër për t’u rizgjedhur dhe vlerësimet për të janë të ulëta .

    India do të mbajë zgjedhjet më të mëdha demokratike në botë përgjatë prillit dhe majit.

    Kryeministri aktual Narendra Modi së bashku me Partinë e tij nacionaliste hindu Bharatiya Janata (BJP), pritet të sigurojë një mandat të tretë me një markë politike popullore, por fetare përçarëse, shkruan CNN, transmeton abcneës.al.

    Pavarësisht çështjeve rreth inflacionit dhe fuqisë blerëse, Modi gëzon mbështetje të gjerë në mesin e shumicës hindu të Indisë bazuar në patriotizmin dhe një politikë të jashtme të sigurt.

    Kritikët kundërshtojnë se morali themelues i dikurshëm laik dhe demokratik i Indisë po zë vendin e dytë dhe se pakicat ndihen të pasigurta.

    Rusia shkon në zgjedhje më 17 mars. Me liderin e opozitës Alexey Navalny të burgosur në një koloni të largët penale siberiane dhe shtypjen gjithëpërfshirëse të medias së pavarur, këtu nuk pritet të ketë surpriza.

    Autokracitë e tjera Bjellorusia dhe Irani gjithashtu mbajnë zgjedhje.

    Do të ketë një pikë ndezjeje të zgjedhjeve të parakohshme kur, në më pak se dy javë, Tajvani të votojë, duke vendosur situatën me Kinën për katër vitet e ardhshme.

    Nëse fituesi është Lai Ching-te i Partisë Progresive Demokratike, më parë një avokat i linjës së ashpër të pavarësisë së Tajvanit, marrëdhëniet me Pekinin pritet të përkeqësohen ose të mbeten të ngrira.

    Diku tjetër, që kur erdhi në pushtet tre dekada më parë, Kongresi Kombëtar Afrikan i Afrikës së Jugut (ANC) përballet me një rrezik real për të humbur shumicën e tij parlamentare në zgjedhjet e vitit 2024.

    Papunësia, një ekonomi e paqëndrueshme dhe krimi kanë thyer dominimin e ANC.

    Udhëheqësi i partisë dhe presidenti Cyril Ramaphosa, i cili mori detyrën në vitin 2018 pasi paraardhësi i tij Jacob Zuma u largua nga detyra.

    4. Mosmarrëveshjet territoriale

    Siç tregojnë luftërat në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, ne jemi në pikën “e lakimit” në gjeopolitikë.

    Ka pasur një zhvendosje përfundimtare nga unipolariteti amerikan, me Kinën dhe Rusinë duke përfituar nga kjo tërheqje.

    Akset gjeopolitike të pushtetit po riorganizohen, me SHBA-në dhe BE në njërën anë dhe një bosht anti-SHBA të Kinës, Iranit, Rusisë dhe Koresë së Veriut në anën tjetër.

    Kjo po çon në veprime më të guximshme, më pak të parashikueshme dhe një mjedis global më të rrezikshëm dhe të pasigurt.

    Ne do të vazhdojmë të dëshmojmë këtë ndryshim, i cili mund të përkeqësohet nga qëndrimi i vendeve të paangazhuara dhe rritja e blloqeve konkurruese si BRICS.

    Mosmarrëveshjet territoriale dhe revanshizmi janë në rritje. Kapja e rrufeshme nga Azerbajxhani i rajonit të diskutuar prej kohësh Nagorno-Karabakh është vetëm një shembull.

    Pse eksodi armen nga Nagorno-Karabakh mund të mos u japë fund ambicieve të Azerbajxhanit?

    India dhe Kina vazhdojnë të luftojnë dhe militarizojnë kufirin më të diskutueshëm në botë, i cili i ndan ato.

    Paaftësia e politikëbërësve rajonalë dhe ndërkombëtarë për të negociuar një kthim të shpejtë në sundimin civil në përgjigje të një vale grushtesh shteti në Afrikë sinjalizon gjithashtu mungesën e sanksioneve dhe udhëheqjes efektive .

    5-Inteligjenca Artificiale

    Viti 2024 duket se do të sjellë një tension midis rritjes eksponenciale të inteligjencës artificiale (AI) dhe përpjekjeve për ta rregulluar atë, nga institucionet qeverisëse që u mungon dukshëm njohuria e teknologjisë.

    Inteligjenca artificiale e cila gjeneron të dhëna të reja, si tekst, imazhe apo dizajne, duke mësuar nga të dhënat ekzistuese – daton në vitet 1950. Por vetëm tani jemi dëshmitarë të vërtetë të paradigmës ndryshim pasi teknologjia AI është gjerësisht e disponueshme dhe ndikon në të gjitha aspektet e jetës sonë.

    Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Është një përparim i madh në gjenerimin e imazheve, dizajnimin, sintezën e të folurit, përkthimin dhe automatizimin. Në vend që modelet e tekstit si ChatGPT, modelet që gjenerojnë imazhe si DALL-E 2 dhe modelet e të folurit të jenë të ndara, ato do të kombinohen për një ndërfaqe më holistike.

    Siç e dimë, avancimi i shpejtë i AI sjell gjithashtu sfida të reja etike.

    Ndërsa sistemet e AI bëhen më të avancuara, pyetjet rreth privatësisë, paragjykimit dhe llogaridhënies bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.

    Si sigurojmë që sistemet e AI të respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut? Si e monitorojmë dhe parandalojmë ndërhyrjen e AI në proceset demokratike?

    Si ta zbusim rrezikun e njëanshmërisë në vendimmarrjen e AI?

    Këto janë vetëm disa nga pyetjet me të cilat duhet të përballen politikëbërësit, studiuesit dhe shoqëria në përgjithësi.

    Sistemet gjithnjë e më të sofistikuara të AI kërkojnë fuqi serioze përpunuese që do të nënkuptojë një angazhim të industrisë në çipat e shtrenjtë dhe llogaritjen kuantike.

    Ky i fundit prej tyre është kufiri tjetër në kërkimin pionier që mbështetet në parimet e veçanta dhe kundërintuitive të fizikës nënatomike.

    Shpejtësia e përpunimit të informacionit të llogaritjes kuantike dhe analiza e tij e të dhënave është në një stratosferë të ndryshme.

    Integrimi i llogaritjes kuantike në AI do të nënkuptojë që modelet të trajnohen më shpejt me aftësi shumë të zgjeruara për vetë-evolucion./abcnews.al/

  • Media zvicerane: Kosovarët kanë rezervuar biletat për të vizituar familjarët në Zvicër

    Media zvicerane: Kosovarët kanë rezervuar biletat për të vizituar familjarët në Zvicër

    Media zvicerane RTS “Radio Télévision Suisse” ka shkruar për liberalizimin e vizave.

    “Që nga e hëna, kosovarët nuk kanë më nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Ky fund i vizave ishte premtuar prej vitesh nga liderët evropianë. Dhe, shoqëria e re kosovare e priste me padurim”, thuhet në shkrimin e botuar të hënën.

    Tutje thuhet se përpos gëzimit të ndërrimit të moteve, për kosovarët rëndësi kishte “çlirimi” i shoqërisë.

    “1.8 milionë kosovarët po prisnin me padurim 1 janarin e vitit 2024. Kalimi në vitin e ri është sinonim i një çlirimi të vërtetë për këtë shoqëri të re dhe shumë eurofile: që nga kjo e hënë qytetarët e këtij vendi të vogël ballkanik nuk kanë më nevojë për vizë. për të udhëtuar në kontinentin e tyre”.

    Përpos kësaj, bëhet e ditur edhe padrejtësia me të cilën për vite me radhë u ballafaquan shtetasit e Kosovës në këtë aspekt.

    “Kosova ishte i vetmi vend në rajon që nuk e kishte marrë këtë liberalizim të vizave dhe situata kishte krijuar një ndjenjë padrejtësie, veçanërisht tek të rinjtë që ndiheshin disi të izoluar në një vend 4 herë më të vogël se Zvicra. Deri më tani, vetëm Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Turqia kishin akses pa vizë. Megjithatë, Kosova i kishte përmbushur prej kohësh kërkesat administrative të vendosura nga Brukseli: masa ishte rekomanduar në vitin 2016 nga Parlamenti Evropian. Por bllokimet politike e kanë shtyrë këtë hapje, veçanërisht për shkak të konfliktit me Serbinë”.

    “Sot, procesi i gjatë dhe i kushtueshëm i marrjes së vizës është një gjë e së kaluarës: kosovarët mund të lëvizin lirshëm brenda Evropës, dhe shumë prej tyre tashmë kanë rezervuar biletat e tyre për të vizituar familjen e tyre në Zvicër”, shkruan RTS.