ATV

Author: ATVLive

  • Kolonat mbi 2 kilometra të gjata, deri 4 orë pritje në Merdarë

    Kolonat mbi 2 kilometra të gjata, deri 4 orë pritje në Merdarë

    Në Merdarë ku mërgimtarët pasi përfunduan pushimet e tyre në Kosovë janë duke u kthyer në vendet ku ata jetojnë.

    Pritjet në këtë pikë kufitare janë të gjata.

    Kolonat janë mbi dy kilometra në këtë pikë kufitare, derisa pritja për mërgimtarët për të kaluar këtë pikë kufitare është mbi katër orë.

    Një mërgimtar thotë për ATV-në se pritjet tashmë janë të zakonshme, mirëpo ai kërkon të ketë pak më shumë mirëkuptim sidomos për veturat që kanë me vete gra dhe fëmijë.

    “Ne kemi ardhur në ora 8:00 këto. Jemi tu pritë, kohë e gjatë, si zakonisht diçka që dihet. Problemi më i madh është që personat po janë shumë të pa ndërgjegjshëm, nuk po e shikojnë që ka gra, ka fëmijë, veç del mundohet me e futë kryet diku, veturën e fut brenda dhe këto po janë këto tollovitë më të mëdha. Po bëhet një kallabllak shumë i pa kuptueshëm. Vijnë Policia, ndoshta keni dëgjuar më herët, edhe këta nuk po dinë në atë formën, por munden me ba ma mirë diçka në këtë drejtim”, thotë ky mërgimtar.

    Për shkak të radhës së gjatë të veturave, disa mërgimtarë kanë tentuar t’i tejkalojnë kolonat për të kaluar më shpejt këtë pikë kufitare.

    Kjo ka çuar edhe një përleshje mes disa mërgimtarëve dhe Policisë së Kosovës, për shkak të tejkalimit të kolonës. Në pamjet e ATV-së, shihen edhe gra duke u përleshur me Policinë.

    Momentalisht nuk dihen detaje tjera lidhur me rastin dhe as a ka persona të lënduar, apo të arrestuar. /atvlive.tv

  • Po vjen dimri i vërtetë: Një agjenci shtetërore paralajmëron borë e acar në Kosovë

    Po vjen dimri i vërtetë: Një agjenci shtetërore paralajmëron borë e acar në Kosovë

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror – ASHNA ka paralajmëruar se nga java e ardhshme në Kosovë do të mbajë mot dimëror.

    Sipas parashikimit të tyre, temperaturat maksimale do të zbresin në -8 gradë celsius, ndërsa ato minimale në -1 gradë celsius.

    Nga kjo agjenci thonë se do të ketë reshje bore, përfshirë edhe zonat urbane.

    “Devijimi stratosferik që tashmë ka ndodhur dhe ka afektuar vendet nordike të cilat po përjetojnë temperatura të ulëta madje deri -43°C, nga e hëna e javës së ardhshme për disa ditë me radhë pritet të shtrihet edhe në zonat e gadishullit ballkanik, duke sjellur edhe shtresa bore të cekëta të cilat do të mbulojnë edhe zonat urbane. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -08°C, ndërsa ato maksimale deri në -1°C. Erërat e furishme veri – verilindore me shpejtësi deri në 20m/s, do të shkaktojnë ndjesinë e një acari të vërtetë, tipik për muajin janar, duke rezultuar me vështirësi në zhvillimin e aktiviteteve normale jetësore të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

  • ​Harrohet zona ekonomike amerikane, Zeka: Kosova, partnere joserioze

    ​Harrohet zona ekonomike amerikane, Zeka: Kosova, partnere joserioze

    Për t’u hequr masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të cilat po i sjellin dëme të mëdha vendit, institucionet duhet të tregohen më bashkëpunuese ndaj kërkesave nga komuniteti ndërkombëtar, pasi që duhet të dëshmohet se vendi është shtet serioz dhe që mund të mirëmbajë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera.

    Kështu vlerëson drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka i cili kërkon nga qeveria të tregohet më e përkushtuar në takimet me përfaqësuesit e BE-së.

    Në një intervistë për KosovaPress, Zeka kërkon nga institucionet të bëjnë më shumë në promovimin e potencialeve që ka vendi për tërheqjen e investitorëve të huaj. Derisa shton se investimet amerikane për periudhën janar-shtator 2023 janë rreth 50 milionë euro më origjinë nga ShBA-të.

    Në anën tjetër, ai thotë se edhe vitin që lamë pas, fatkeqësisht qeveria nuk i ka dhënë prioritet zonës ekonomike amerikane. Kështu, ai thotë se Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve amerikanë por edhe para partnerëve tjerë.

    Ai konsideron se shteti ka dështuar në promovimin e potencialeve për investime të huaja në vend.

    “Ne në Oden Amerikane pavarësisht rritjes së vëllimit të investimeve të huaja direkte përgjatë periudhës janar-shtator të këtij viti për të cilën tashmë kemi të dhëna, besojmë se duhet të bëhet shumë më tej në promovimin e potencialeve që Kosova i ofron për tërheqjen e investitorëve të huaj. Këto potenciale nuk janë thjesht pjesë e një diskursi i cili nuk bazohet diku, realisht ekzistojnë potenciale të shumta dhe nuk po arrijmë t’i materializojmë, kjo është fatkeqësi. Natyrisht njëra prej arsyejeve kryesore pse nuk arrijmë t’i tërheqim investimet e huaja direkte është pashmangshëm edhe çështja e hapur me Serbinë, tensionet dhe konfliktet e armatosura që kanë ndodhur kohë pas kohe gjatë vitit 2023 në pjesën veriore të vendit. Për të mos e normalizuar gjithë këtë çështje, ajo çfarë mungon në vend është njëfarë balancimi i diskursit… Por çfarë shtetet bëjnë në anën tjetër që këto situata të mos i ndëshkojnë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik është që ata e balancojnë me një diskurs pozitiv, d.m.th promovim të investimeve, këtu ne po dështojmë. Po dështojmë, në rend të parë përgjegjësia rendon mbi institucionet e vendit, por natyrisht edhe mbi organizatat e tjera të cilat duhet t’i bashkohen njëfarë mënyrë promovimit të pozitivitetit edhe gjërave tjera pozitive që ky vend i ofron për investitorët, për turistet potencial”, thotë ai.

    Duke folur për masat që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës tash e disa muaj, Zeka konsideron se ky është një dëm i madh për vendin, për çfarë thotë se institucionet e vendit duhet të tregohen më bashkëpunuese sa i përket kërkesave të komunitetit ndërkombëtar.

    “Natyrisht pamundësia e institucioneve të vendit që të aplikojnë dhe përfitojnë nga këto instrumente financiare të para hyrjes, është një dëm jashtëzakonisht i madh. Ne kemi mjete të kufizuara buxhetore, edhe për investime infrastrukturore, por natyrisht edhe për ndërtim të kapaciteteve të shërbimit publik në përgjithësi. Kështu, secili cent, secili mjet shtesë të cilin ne jemi në gjendje ta observojmë, do të ishte jashtëzakonisht i mirëseardhur në rrethana ku buxheti i vendit është jashtëzakonisht i kufizuar. Uroj që institucionet e vendit tonë të tregohen më bashkëpunuese për sa i përket kërkesave që komuniteti ndërkombëtar i ka, edhe besoj që në anën tjetër nuk na leverdisë që ne të mundohemi t’i fshehim këto kërkesa, meqenëse të njëjtat janë aty dhe kohë pas kohe na rikujtohen nga zyrtaret më të lartë të BE-së ose edhe të ShBA-ve. Institucionet e këtij vendi, qeveritë e ndryshme përgjatë viteve kanë marrë përsipër zotime të cilat ne duhet t’i zbatojmë që të mund të tregojmë që jemi shtet serioz dhe që mund të hymë dhe të mirëmbajmë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera dhe institucione ose organizata ndërkombëtare tjera”, thotë Zeka.

    Sipas tij, situata aktuale e sigurisë ka ndikuar tek investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë.

    “Pashmangshëm nuk ka as edhe një sekret, qoftë nëse udhëtojmë në ShBA apo në shtete tjera të Azisë, kishim mundësinë që këtë vit të ishim me një grup të bizneseve që u mbajt në Singapor, dhe kishim edhe dy forume dialogimi, dhe bizneset e atyre vendeve kanë pak informata për Kosovën dhe pyesin se sa sigurtë realisht është ky promovimi që po ja bëjmë dhe si mund të rrezikohen investimet e tyre të mundshme. Nuk ka asnjë dilemë, por në përgjithësi edhe sikur të mos ishin tensionet dhe rasti i vrasjes së policit dhe konflikti i armatosur në pjesën veriore, Kosova në përgjithësi gëzon një profil të ulët kur bëhet fjalë për brendin e saj në fushën ndërkombëtare. Këtu nuk po bëjmë sa duhet, dhe nuk po e balancojmë atë diskursin negativ që ndërtohet në dhe përreth Kosovës”, vijon ai.

    I pyetur për investimet direkte amerikane, tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë vitit të kaluar, ai thotë se vetëm për periudhën janar-shtator, janë rreth 47 milionë euro me origjinë nga ShBA-të.

    “Nëse shohim totalin e investimeve nga periudha janar-shtator të vititi 2023 që është diku pak më pak se 613 milionë euro, diku rreth 47 milionë e kësaj shume janë më origjinë nga ShBA-të. Vitin 2022 realisht investimet amerikane janë renditur në vendin e 10 dhe vitin 2023 deri në fund të shtatorit renditen diku aty. Si përqindje është 7 për qind e totalit të investimeve të huaja që Kosova ka pranuar gjatë vitit 2022. Në dhjetor të viti 2022, në 3 mujorin e fundit ka pasur një rritje të menjëhershëm të investimeve amerikane. Presim që e njëjta të ndodhë edhe këtë vit, por shqetësimi kryesor mbeten sektorët ku bëhen këto investime. Sërish pas shumë viteve, ne me gjithë reformat që janë bërë në mjedisin e të bërit biznes, Kosova tërheq investime vetëm në sektorin e patundshmërive dhe ndërtimeve. Kjo nuk mjafton që ne të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të krijojmë vende afatgjate të punës. Realisht hapja e impianteve prodhuese, industriale në vend është goxha e mangët përgjatë tërë vitit dhe sërish kjo na sjell tek kjo pasqyrë e investimeve të huaja të cilën e kemi”, thotë Zeka.

    Ndërkaq, zonën ekonomike amerikane në Gjakovë, Zeka e quan fatkeqësi nga ana e qeverive që nuk e kanë marrë me prioritetjetësimin e saj. Ai thotë se qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë të zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake.

    “Për fatkeqësi është që megjithatë nuk është fare si prioritet, as nuk është përmend asnjëherë nga ana e kësaj qeverie, d.m.th prej periudhës së vitit 2021 e tutje, edhe pse gjithmonë ka zënë vend si njëri prej rekomandimeve të Odës Ekonomike Amerikane drejtuar Qeverisë. Ne nëse për hiç gjë, atëherë besojmë se vendimet e qeverive paraprake duhet të jetësohen, përndryshe Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve potencial, në këtë rast amerikanëve, pra dhe para partnerëve tjerë. Qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake, përndryshe dalim jashtëzakonisht qesharak”, thotë Zeka.

    Duke renditur sfidat në aspektin e zhvillimit të vendit, Zeka konsideron se shteti duhet të investojë më shumë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, pasi sipas tij është më lehtë për bizneset në të bërit biznes.

    “Si sfidë gjatë vitit 2023 është mungesa e investimeve kapitale, nuk është thjesht se sektori privat nuk arrin të ruaj qoftë qarkullimin, qoftë profitabilitetin, ky nuk është i vetmi problem. Ne nuk arrijmë të përmirësojmë infrastrukturën tonë rrugore, hekurudhore, për shkak të moszbatimit të investimeve kapitale të cilat janë planifikuar për këtë vit. Pastaj vinë problemet tek ndërmarrjet e sektorit privat të cilat humbin mundësi të zhvillimit dhe të rritjes së tyre”, thotë ai për KosovaPress.

    Ndonëse Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Zeka thotë se nevojiten vite e dekada që Kosova të arrijë në nivelin e rritjes ekonomike të shteteve të BE-së.

    Krejt në fund, Zeka vlerëson se nevojitet një dialog i sinqertë ndërmjet sektorit privat dhe atij publik. Sipas tij, ka takime, mirëpo rekomandimet e sektorit privat rrallë merren parasysh, për çfarë kërkon më shumë mbështetje për këtë sektor.

  • Rrahje mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, shkak tejkalimi i kolonës

    Rrahje mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, shkak tejkalimi i kolonës

    Përleshje masive mes Policisë së Kosovës dhe disa mërgimtarëve ka ndodhur para pak çastesh në Merdarë.

    Në videon e siguruar nga ATV shihen disa mërgimtarë duke u përleshur me Policinë, në mesin e tyre edhe gra.

    ATV mëson se arsyeja e këtij konflikti është tejkalimi i kolonës.

    Momentalisht nuk dihen detaje tjera lidhur me rastin dhe as a ka persona të lënduar, apo të arrestuar.

  • Cameron – Kurtit: Duam të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni

    Cameron – Kurtit: Duam të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili po e viziton për herë të parë Kosovën.

    Në takim u fol për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve, teksa Kurti e njoftoi Cameronin me progresin dhe arritjet e Kosovës.

    “Ai e falënderoi Sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Cameron, gjatë takimit bëhet e ditur se është shprehur krenar për mbështetjen e tij që Mbretëria e Kosovës i ka dhënë Kosovës edhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

    “Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, është shprehur Cameron.

  • Cameron mbërrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla

    Cameron mbërrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla

    Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë ku është pritur nga homologia e tij, Donika Gërvalla.

    Vizita e Cameron do të jetë njëditore, ku përveç me Gërvallen, ai do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.

  • Spahiu: 500 mijë kosovarë do të largohen nga Kosova

    Spahiu: 500 mijë kosovarë do të largohen nga Kosova

    Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, rreth 500 mijë qytetarë të Kosovës këtë vit do të shkojnë në vendet e Europës Perëndimore.

    Spahiu këtë deklaratë e dha për agjencinë të lajmeve serbe “Beta” se shumica e qytetarëve të Kosovës do të përpiqen të gjejnë punë në Perëndim, por edhe se shumë do të largohen nga frika e luftës.

    “Pothuajse çdo familje nga Kosova ka të paktën një anëtar që jeton dhe punon në Perëndim. Në Kosovë pagat janë shumë të ulëta dhe papunësia është e lartë, kështu që shumë të rinj e shohin të ardhmen e tyre në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Unë pres që kjo vetëm në një vit, rreth gjysmë milioni banorë të Kosovës të shkojnë në Perëndim”, tha Spahiu.

    Sipas tij, pasojat e valës së madhe të migrimit, e cila pritet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, do të ndikojë negativisht në zhvillimin e shoqërisë kosovare.

    “Liberalizimi i vizave do të shkaktojë tërmet në Kosovë. Largimi i një numri të madh të të rinjve do të ndikojë në shoqërinë kosovare në shumë fusha. Pritet që një numër i konsiderueshëm i pensionistëve të largohen nga Kosova dhe të shkojnë të jetojnë me fëmijët e tyre në perëndim ”, tha Spahiu.

    Ai ka pretenduar se edhe frika nga lufta do të jetë arsye që, sipas tij, do të largohen shumë qytetarë.

    “Frika nga lufta do të ekzistojë derisa të zbatohet plotësisht plani franko-gjerman. Për shkak të frikës së luftës, dukshëm më pak njerëz erdhën në Kosovë nga Perëndimi për festat e Vitit të Ri sesa në vitet e kaluara”, tha ai.

    Spahiu thotë se këtë vit do të jetë formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës, e cila, sipas tij, mund të zvogëlojë numrin e personave që planifikojnë të largohen nga Kosova.

    “Pres që në të njëjtën ditë të formohet Asociacioni i Komunave Serbe dhe të valojë flamuri i Kosovës në Beograd në objektin e misionit diplomatik. Shumë nuk besojnë se Beogradi do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kur Beogradi e njohu pavarësinë e Kroacisë në fillim të viteve nëntëdhjetë, atë që nuk e prisnin atëherë as serbët e as kroatët, me siguri Aleksandar Vuçiq tani edhe de favto edhe de jure do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, theksoi Spahiu.

    Ai tha se hapja e misioneve diplomatike në Beograd dhe Prishtinë, Kosovë do të hapë dyert për hyrje në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

    “Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është një nga kushtet thelbësore për ardhjen e investitorëve dhe kjo përmes hapjes së vendeve të punës do të zvogëlonte ndjeshëm numrin e largimeve nga Kosova”, tha ai.

    Spahiu thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq me siguri do të zbatojë të gjithë marrëveshjen franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    “Vuçiq ka gjithçka nën kontroll dhe sigurisht që do të lejojë hapjen e misioneve diplomatike të Serbisë dhe Kosovës në Beograd dhe Prishtinë, që do të jetë njohje de jure dhe de facto e pavarësisë”, ka përfunduar ai.

  • Rusia bombardon aksidentalisht fshatin e vet, zotohet të rindërtojë shtëpitë

    Rusia bombardon aksidentalisht fshatin e vet, zotohet të rindërtojë shtëpitë

    Një guvernator rus ka thënë të mërkurën se e ka urdhëruar rindërtimin e nëntë shtëpive në një fshat rus, i cili u bombardua aksidentalisht nga një avion ushtarak rus.

    Incidenti ndodhi të martën, kur agjencia ruse e lajmeve, RIA, e citoi Ministrinë e Mbrojtjes duke raportuar për “shkarkimin jonormal të municionit nga avioni ushtarak” mbi fshatin Petropovlovka në jug të rajonit Voronezh.

    Guvernatori Alexander Gusev tha se nëntë shtëpi do të rindërtohen sa më shpejt, dhe se dëme kanë pësuar edhe një shkollë lokale, një qendër arti dhe një ndërtesë administrative.

    Nuk u raportua për të vrarë, por katër njerëz kërkuan ndihmë për lëndime të vogla, tha ai.

    Pesë vetura dhe një traktor janë dëmtuar, po ashtu, dhe se pronarët e tyre do të marrin dëmshpërblim, sipas tij.

    “Asnjë banor nuk do të ngelë pa ndihma. Ne do t’i mbështesim të gjithë sa më shpejt”, tha Gusev.

    Autoritetet ruse nuk treguan se çfarë e shkaktoi këtë incident. Derisa dëmi ishte i kufizuar, incidenti e turpëroi ushtrinë ruse dhe ndodhi në një kohë kur rajonet jugore të Rusisë në kufi me Ukrainën janë të alarmuara nga bombardimet.

    Gjatë periudhës së Vitit të Ri, Rusia kreu sulmet më të mëdha raketore dhe me dronë në Ukrainë, prej se e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

    Të shtunën, 25 njerëz u vranë në Belgorod, në afërsi të kufirit, në sulmin më vdekjeprurës ukrainas në Rusi, thanë zyrtarët. /rel/

  • “Liberalizimi i vizave ka ndodhë pardje”, deputeti i VV-së: Pas katër viteve po merr kuptim kjo fjali e famshme

    “Liberalizimi i vizave ka ndodhë pardje”, deputeti i VV-së: Pas katër viteve po merr kuptim kjo fjali e famshme

    Deputeti i Lëvizjes Vetëendosje, Agon Batusha, ka përmendur fjalën që e kishte thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në kohën kur ka qenë kryesministër, në lidhje me liberalizimin e vizave.

    “Liberalizimi i vizave ka ndodh pardje”, ka shkruar Batusha, duke shtuar se pas katër viteve ka marrë kuptim kjo “fjali e famshme”.

    “Libereralizimi i vazave ka ndodh pardje. Urime! Po po ka ndodh. Tek pas katër viteve po merr kuptim kjo fjalë e famshme”, ka shkruar deputeti i VV-së.

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjakovë, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjakovë, rasti po hetohet

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në një punëtori në rrugën “Mihal Grameno” në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj, tha për Gazetën Express se vdekja e viktimës është konstatuar në spitalin rajonal në Gjakovë.

    Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

    Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Rreth orës 11:40 është raportuar se viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, në një punëtori në rrugën “Mihal Grameno” -Gjakovë. Vdekja e tij është konstatuar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore . Me vendim të prokurori të shtetit (i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes) është iniciuar rast “hetim i vdekjes”. Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”