ATV

Author: ATVLive

  • Sëmundjet e rënda, rritet për 20 për qind numri i kërkesave për ndihmë në Prishtinë

    Sëmundjet e rënda, rritet për 20 për qind numri i kërkesave për ndihmë në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar që mbi dy mijë persona kanë kërkuar ndihmë vitin e kaluar nga komuna e Prishtinës për trajtimin e sëmundjeve malinje dhe atyre kronike të rënda.

    “Më shumë se 2000 persona vitin e kaluar, kanë përfituar subvencion nga Kryeqyteti për trajtimin e sëmundjeve të rënda, kjo i bie një rritje prej 20% më shumë në krahasim me 2022-ën”, ka shkruar Rama në Facebook.

    “Sot punëtorët e zellshëm të Sektorit të Shërbimit me Qytetarë, janë mbingarkuar nga kërkesat e qytetarëve për subvencionimin nga Drejtoria e Shëndetësisë për sëmundjet malinje dhe kronike të rënda”.

    Rama tha se kërkesat e njerëve në nevojë do të pranohet gjatë tërë vitit.

    “Në lidhje me këtë, ju njoftoj se kërkesat e juaja pranohen GJATË GJITHË VITIT dhe ato do t’i shqyrtojë komisioni profesional”.

    “Ne jemi të vetëdijshëm se jetesa me një sëmundje kronike sjell sfida të mëdha, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të mos ndiheni të vetmuar në këtë luftë dhe të ofrojmë një dorë ndihme aty ku është më e nevojshme.”.

  • ​Malisheva barazon me skuadrën e Faruk Statovcit

    ​Malisheva barazon me skuadrën e Faruk Statovcit

    Skuadra e Malishevës ka barazuar në ndeshjen e sotme miqësore me skuadrën e trajnerit Faruk Statovci, FC Phoenix.

    Pas 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin në Vitomiricë, Phoenix ka barazuar 2:2 me Malishevën, raporton KosovaPress.

    Malisheva ishte në epërsi 2:0 pas pjesës së parë, ndërsa Phoenix arriti të rikthehej në lojë në pjesën e dytë, kur edhe gjeti golat e barazimit përmes Festim Krasniqit dhe Enbija Shehut.

    Rezultati final, 2:2.

  • ​Prishtina e mposht Prishtinën e Re

    ​Prishtina e mposht Prishtinën e Re

    Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë miqësore të këtij viti, të cilën e zhvilloi kundër Prishtinës së Re.

    Në stadiumin “Flamurtari”, Prishtina e mposhti Prishtinën e Re me rezultat solid 2:0, raporton KosovaPress.

    Golat për skuadrën e Emmanuel Egbos i shënuan Hyseni (minuta e 8’) dhe Pefqeli (minuta e 28’).

    Po ashtu, Egbo provoi të gjithë futbollistët që i kishte në dispozicion, ndër ta edhe dy lojtarë të huaj që gjenden në prova te Prishtina.

    Rezultat final, 2:0 në favor të Prishtinës.

  • ​Llapi i fortë për Ulpianën

    ​Llapi i fortë për Ulpianën

    Sot u zhvillua ndeshja miqësore mes Ulpianës dhe Llapit, ku ky i fundit ka shënuar fitore bindëse si mysafirë.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Llapi e ka mposhtur Ulpianën 4:2, raporton KosovaPress.

    Golat për skuadrën e Tahir Batatinës i shënuan Muhamet Hyseni (minuta e 37’), Trimror Selimi (minuta e 67’), Mërgim Cërnavërni (minuta e 82’) dhe Arbër Bytyqi (minuta e 89’).

    Rezultati final, 4:2 në favor të Llapit.

  • ​Google përballet me një gjobë 2.4 miliardë euro për monopol në BE

    ​Google përballet me një gjobë 2.4 miliardë euro për monopol në BE

    Këshilltari i Gjykatës së Bashkimit Evropian kërkon nga Google që të paguajë një gjobë prej 2.4 miliardë eurosh për shkak se ka përdorur pozicionin e saj monopol në treg për të ofruar mallra.

    Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Julian Kokot, kërkon që të refuzohet ankesa e kompanisë kundër vendimit të vitit 2017 dhe të konfirmohet gjoba prej 2.4 miliardë euro e vendosur ndaj Google nga Komisioni Evropian (KE).

    KE akuzoi Google për drejtimin e përdoruesve në Google Shopping pa të drejtë kërkimi, duke shkaktuar dëme tek ofruesit konkurrues të të njëjtave shërbime.

    Është një nga tri gjobat shumë miliardë dollarëshe që KE i ka vendosur kompanisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit të luftës për të rregulluar industrinë e teknologjisë.

    Google apeloi në gjykatën më të lartë të BE-së pasi Gjykata e Përgjithshme e ulët e refuzoi sfidën e saj.

    Mendimet e Avokatit të Përgjithshëm të Gjykatës së Drejtësisë nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por gjyqtarët shpesh i ndjekin ato. Vendimi përfundimtar i tyre pritet pas disa muajsh.

    Kompania Google ka deklaruar më parë se ka prezantuar ndryshime në vitin 2017 në mënyrë që të jetë në përputhje me vendimin e Komisionit Evropian.

    “Do të shqyrtojmë mendimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe do të presim vendimin përfundimtar të gjykatës. Pavarësisht apelit, ne vazhdojmë të investojmë në ndryshimin tonë, i cili funksionon me sukses prej disa vitesh dhe vazhdojmë të bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive me Komisionin Evropian”, thuhet në deklaratën e Google.

  • ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për procedurën për miratimin e kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin.

    Me këtë rast, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e “Javalin”.

    Siç ka thënë ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin Amerikan, i cili do të fillojë procedurën zyrtare, raporton Danas.

    Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se ata do të punojnë me SHBA-në për ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Ai më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Christopher Hill.

    “Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Serbi-SHBA”, ka shkruar Vuçiq.

  • Në katër komuna, pacientët mund ta përzgjedhin mjekun e përhershëm familjar përmes E-Kosova

    Në katër komuna, pacientët mund ta përzgjedhin mjekun e përhershëm familjar përmes E-Kosova

    Qytetarët e katër komunave të Kosovës, Prishtinës, Prizrenit, Lipjanit dhe Istogut kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e mjekut të tyre familjar. E kjo u është mundësuar përmes katër shërbimeve të reja të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat u lansuan në Platformën eKosova.

    Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prizren, Fadil Bajraktari, në një prononcim për ATV-në tregoi se për dallim nga katër komunat e tjera, ky pilot projekt në Prizren do të implementohet në 52 objekte të kujdesit primar shëndetësorë.

    “Ky është një pilot projekt që Ministria e Shëndetësisë do ta zhvillojë në katër komuna të Kosovës. Në mesin e komunave që do ta zhvillojmë këtë projekt jemi edhe ne si Prizren, jemi përzgjedhur nga Ministria, është Prishtina me dy objekte dhe është Istogu dhe Lipjani. Për dallim të Komunës së Prishtinë e cila do t’i ketë vetëm dy objekte, ne do ta implementojmë këtë pilot projekt në 52 objekte që i kemi, do të thotë i kemi në gjithë territorin e kujdesit primar të Prizrenit”, tha Bajraktari.

    Ai tha se implementimi i këtij pilot projekti do të jetë një lehtësim për qytetarët, por edhe për mjekun që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij.

    “Unë mendoj se implementimi i mjekësisë familjare është lehtësim sepse nëse ti do ta zgjedhësh mjekun, edhe slogani i jonë që është gjatë kësaj kampanje është “Mjeku i im, shëndeti i im”, kështu që ne do të lehtësohemi. Nëse do ta kesh mjekun tënd të përzgjedhur. Kjo do të bëhet për të gjithë qytetarët të cilët duhet ta hapin një adrese përmes platformës në eKosova, e në atë adresë mundët që një individ, një anëtar i familjes t’i regjistrojë të gjithë familjen te mjeku, të cilën dëshiron ta përzgjedhë, sepse nëse ti mund ta përzgjedhësh mjekun, je i kënaqur me shërbimet që ofron ai mjek, me cilësinë edhe me kujdesin që ofron, kështu që kjo është në të mirën edhe te qytetarëve, por është edhe në të mirën e mjekut që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij”, tha Bajraktari. /atvlive.tv

  • ​Situata me grip sezonal, Hashani: Gjendjes aktuale po i kontribuon Covid-i dhe gripi i derrave

    ​Situata me grip sezonal, Hashani: Gjendjes aktuale po i kontribuon Covid-i dhe gripi i derrave

    Shumë mjekë e infermierë janë detyruar që të kthehen nga pushimet e tyre për shkak të fluksit të madh të pacientëve me grip sezonal. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, rreth 300 pacientë brenda natës po marrin shërbime shëndetësore. Ndërkaq, gjendja me barna esenciale, nuk është e mirë, ngase të njëjtit po detyrohen që shumicën prej tyre t’i blejnë vetë.

    Kështu bën të ditur, në një intervistë për KosovaPress, kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë, Valdet Hashani, derisa u bënë thirrje pacientëve që janë të prekur nga simptomat e gripit të mos përdorin antibiotikë pa përshkrimin e mjekut.

    Ai potencon se fëmijët janë më të prekurit nga kjo virozë, derisa përmend edhe të moshuarit e ata me probleme kronike.

    Hashani thekson se gjendjes aktuale po i “kontribuojnë” edhe rastet pozitive me Covid-19 dhe ato me grip të derrave.

    “Prej kohës së festave të fundvitit e deri më sot, fluksi i pacientëve ka filluar të rritet. Kjo nuk nënkupton që ka qenë edhe numër për shkak të ardhjeve të shumta që kanë qenë. Sigurisht ndërlidhet edhe me gripin sezonal që këtyre ditëve e ka rritur fluksin e pacientëve…Pacientët vijnë me simptoma që janë të rëndomta për gripin, këtu ndërlidh edhe faktorin që disa prej punëtorëve e kanë bërë testin dhe kanë rezultuar pozitiv në SArsCov2, pra edhe Covid-in e kemi prezent. Në disa raste kemi njoftime edhe prej QKUK-së, prej Klinikës së Infektives kanë raportuar se ka edhe të infektuar edhe me AH1N1 (gripin e derrit). I kemi të involvuara disa lloje ose tipe të viruseve këtyre ditëve…Të gjitha moshat janë të prekura, por më tepër rritje kemi tek fëmijët dhe tek të moshuarit, shto numrin e atyre pacientëve që kanë probleme kronike për shkak të imunitetit të tyre të dobësuar, kemi simptomatologjinë pak më të rënduar”, thotë Hashani.

    Kryeshefi Valdet Hashani bën apel që pacientët mos të përdorin antibiotikë për trajtim të gripit, vetëm në raste se u përshkruhen nga mjeku, e që në vend të kësaj bën thirrje që të marrin sa më shumë lëngje dhe të pushojnë.

    Hashani thekson se po përballen edhe me numrin e kufizuar të stafit shëndetësor, për t’iu përgjigjur kërkesave të pacientëve për ndihmë mjekësore. Ai shton se janë detyruar që të thirrin mjekë dhe infermierë që kanë shkuar për pushime edhe jashtë vendit për shkak të gjendjes aktuale me grip.

    “Apelojmë që pacientët në asnjë mënyrë, në këtë simptomatologji të mos përdorin antibiotikë, meqë kjo rezulton se është virozë. Është infeksion ngjitës ose infektive virale. Por, të qëndrojnë në shtëpi, të marrin sasi të mëdha të lëngjeve, antipiretik kundër temperaturës, kundër dhimbjes. Në qoftë se këto nuk pushojnë brenda 3-4 ditësh, të lajmërohen tek mjeku dhe pas ekzaminimeve ose nëse ka nevojë edhe analizave laboratorike, meqë shumica e qendrave tona i posedojnë laboratorët dhe kanë shërbime të shumta. Kohët e fundit këto edhe janë rritur, por fatkeqësisht sepse kemi në numër të vogël, të kufizuar të punëtorëve shëndetësor. Jemi detyruar që kohën e fundit edhe t’i tërheqim nga pushimet mjekët dhe infermierët…Shumica prej kolegëve tanë kanë qenë jashtë vendit, meqë është liberalizuar dhe kanë dalur, janë detyruar që të vijojnë për shkak të fluksit të madh që është rritur”, thekson Hashani.

    Ndër të tjera, Hashani u bën thirrje pacientëve që mos t’u drejtohen vetëm QKMF-së për të marrë shërbime, por të shkojnë tek QMF-të e tyre më të afërta, në mënyrë që mos të rritet fluksi.

    Ai tregon se muajve të kaluar, afro 8 mijë pacientë janë trajtuar në QKMF, derisa shton se gjatë këtij muaji ky numër është dyfishuar duke arritur në rreth 15 mijë.

    Gjatë intervistës për KosovaPress, Hashani potencon se vetëm gjatë një ndërrimi të natës, nga 3 mjekë po marrin shërbime shëndetësore afro 300 pacientë.

    Këtë, ai e quan ngarkesë, derisa shton se mungojnë edhe barnat esenciale për trajtim.

    Ai thekson se shumica e terapisë duhet të blihet nga vetë pacientët, meqë gjatë vitit të kaluar sipas tij furnizimi nuk ka qenë edhe aq i mirë.

    “Gjatë ndërrimeve të natës gjithashtu është rritur numri. Normalisht kemi pasur në këto tri qe4ndra që kemi shërbime 24 orëshe, me shërbimin nga ora 7 e mbrëmjes deri në 7 mëngjes, normalisht i kemi pasur 50-60 pacientë. Tani është rritur numri 200 e më shumë, kemi edhe 300 pacientë brenda një nate në 3 mjekë i kemi pasur. Kjo është tej ngarkesë, shti këtu edhe faktin që shumica e terapisë duhet të blihet, meqë nuk i posedojmë ne, shkruhen ato shkojnë i blejnë ose marrin infuzione…Vitin e kaluar, nuk ka qenë furnizimi aq i mirë. Shumicën e barnave që i kemi blerë, jemi detyruar. I kemi disa barna esenciale pa të cilat institucionet shëndetësore nuk mund të funksionojnë”, potencon Hashani.

    Përveç tjerash, Hashani vuri në theks rëndësinë e marrjes së vaksinës nga qytetarët, në mënyrë që të mbrohen nga simptomat e gripeve.

    Ai bën të ditur se janë dhënë mbi 10 mijë vaksina deri më tani, derisa shton se vaksinimi vazhdon gjatë tërë vitit.

  • Supremja u hedh poshtë ankesat vjedhësve të Thesarit të dënuar me 21 vite burgim e 41 mijë euro gjobë

    Supremja u hedh poshtë ankesat vjedhësve të Thesarit të dënuar me 21 vite burgim e 41 mijë euro gjobë

    Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të dënuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për avullimin e mbi 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

    Gruda dhe Shala ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 21 vite burgim si dhe 41 mijë e 500 euro gjobë, dënim që është vërtetuar nga Gjykata e Apelit në qershor të vitit të kaluar. Gruda, që ishte punëtor i Thesarit, është dënua me 11 vjet burgim dhe me gjobë prej 8.500 eurosh, ndërkaq Kadri Shala me 10 vjet burgim dhe 33.000 euro gjobë.

    Gruda është dënuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisjes së qasjes dhe shpëlarja e parave, derisa Shala për veprat penale: ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shpëlarja e parave.

    “ Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarve: L.G. për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisjes së qasjes dhe shpëlarja e parave dhe K.Sh. për shkak të veprave penale: ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shpëlarja e parave, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të dënuarve, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Supremes.

    “Ndërkaq, kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e përfaqësuesve të palëve të treta: E SHPK, NTSH “Sh.”, NTP “X.”, G. Shpk”, “G. K. SHPK”, “R.H.” dhe “M. B. G. SHPK” kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, janë hedhur si të palejuara”, thuhet tutje në njoftim.

    Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020. Lajmin e kishte dhënë ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme.

    Ajo kishte bërë të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.

    Gruda, atëbotë punëtor i Thesarit të Kosovës, akuzohej se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk.

    Njëri nga pronarët e këtij biznesi ishte edhe Kadri Shala dhe një person tjetër me inicialet V.Sh.

    Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se lidhur me këtë rast ka bllokuar 34 llogari bankare dhe janë bllokuar 600 mijë euro si dhe janë sekuestruar 4 vetura.

    “Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, kishte bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi.

  • Vuçiq dhe Hill flasin për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

    Vuçiq dhe Hill flasin për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë një takimi që pati sot me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka folur për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

    Vuçiq ka njoftuar në llogarinë e tij në Instagram se në bisedë kanë konfirmuar përkushtimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Amerikës.

    “Një bisedë e hapur me ambasadorin Christopher Hill për përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike serbo-amerikane. Diskutuam edhe pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe zhvillimet gjeopolitike aktuale”, ka shkruar ai.