ATV

Author: ATVLive

  • Human Rights Watch: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

    Human Rights Watch: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

    Në raportin për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nëpër botë, organizata Human Rights Watch e cilëson “vënien para përgjegjësisë për krime serioze dhe cenimin e lirisë së mediave si shqetësime urgjente” lidhur me Kosovën.

    Organizata me seli në New York thekson se gazetarët në Kosovë ishin në shënjestër të “sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengesave në kryerjen e punëve të tyre,” duke cituar statistikat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që ka regjistruar 60 incidente ndaj gazetarëve, në mesin e të cilave 16 sulme dhe 22 kërcënime.

    Raporti gjithashtu dokumenton ngjarjet e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës nga maji deri në shtator të vitit të kaluar dhe tensionet politike mes Kosovës dhe Serbisë që përshkuan këtë periudhë.

    Human Rights Watch po ashtu vlerëson se kërcënimet dhe aktet diskriminues ndaj komunitetit LGBT vazhduan edhe gjatë vitit 2023, përfshirë nga familjarët e tyre dhe reagimi i autoritetet shtetërore është gjysmak. Njëkohësisht, sipas raportit, të mbijetuarat e dhunës në familje “vazhdojnë të përballen me vështirësi të kërkojnë drejtësisë dhe përkrahje kur braktisin ambientet abuzive.”

    Human Rights Watch nënvizon edhe dështimin e organizatës së Kombeve të Bashkuara për “t’u kërkuar falje dhe për t’u paguar kompensim individual viktimave të komunitetit rom, ashkali dhe egjyptian për helmimin me plumb në kampet e kontaminuara për të zhvendosurit”, që po menaxhoheshin nga misioni i kësaj organizate në Kosovë.

    Në raportin e saj global, organizata Human Rights Watch e veçoi vitin 2023 si “një vit që do të mbahet mend jo vetëm për shtypjen e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, por gjithashtu për veprime të njëanshme të disa qeverive dhe diplomacisë të bazuar në interesa të veçanta që pati një kosto të rëndë për të drejtat e atyre që nuk ishin pjesë e këtyre marrëveshjeve.”

    Por sipas organizatës, “megjithë pamjes së zymtë, shohim shenja shprese” për ndryshime. /VOA

  • ​Kaçanik: Publikoi video duke shtënë me pistoletë, arrestohet nga policia

    ​Kaçanik: Publikoi video duke shtënë me pistoletë, arrestohet nga policia

    Një person në Kaçanik është arrestuar për përdorim të armës së zjarrit.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi kishte publikuar një video duke shtënë me armë të zjarrit, teksa pistoleta është konfiskuar.

    “Fsh. Dubravë, Kaçanik 11.01.2024 – 14:30. Është shoqëruar në stacionin policore i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte publikuar një video duke shtënë me armë zjarri. Pistoleta është konfiskuar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • ​Jeff Bezos, investitori me rol kyç në e-tregti

    ​Jeff Bezos, investitori me rol kyç në e-tregti

    Më 12 janar 1964, në Nju Meksiko, u lind Jeffrey Preston Jorgensen, i njohur si Jeff Bezos, një sipërmarrës dhe investitor me rol kyç në e-tregti.

    Bezos themeloi Amazon.com, fillimisht për shitje librash; më vonë për shumëllojshmëri mallrash, duke u bërë dyqani më i madh në World Wide Web (www), dhe model i shitjeve në internet.

    Jeff Bezos bëri bujë më 2013, kur bleu gazetën “Washington Post” për 250 milionë dollarë. Por historia e tij bëhet edhe më interesante. Jeff u lind në Albuquerque, Nju Meksiko nga prindër adoleshent, Jacklyn Gise dhe Ted Jorgensen, kur të dy ishin ende 17, përkatësisht 18-vjeçar.

    Ata u martuan dhe pas dy vjetësh u ndanë. Kaluan edhe dy vjet të tjera dhe Jacklyn u martua me një emigrant politik kuban, Mike Bezos, dhe Jeff mori mbiemrin e njerkut, Bezos. Lidhjet me të atin biologjik u ndërprenë.

    Në vitin 2010, gazetari Brad Stone, i revistës “Businessweek” në San Francisko vendosi të shkruajë një libër mbi jetën dhe karrierën e Jeff Bezos.

    Brad filloi kërkimet për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me Ted Jorgensenin, prindi biologjik i Jeffit, ku ndodhej ai? Përfundimisht, gazetari e gjeti Tedin në Glendale, një qytezë e largët në shtetin Arizona, ku ai kishte një dyqan biçikletash.

    Gazetari shkoi nga Kalifornia për ta intervistuar dhe pyetja e parë që i bëri ishte – A keni fëmijë? – Tedi i tha – Jo, kam pasur një djalë, por ka vdekur kur ishte i vogël. Gjatë viteve të ndarjes, Ted Jorgensen ishte interesuar për të birin, por emri Jeff Jorgensen nuk figuronte në asnjë vend.

    Dhe imagjinoni se çfarë ndjeu kur mësoi se Jeff Bezos, një nga miliarderët më të mëdhenj të Amerikës, ishte djali i tij.

    Libri “The Everything Store: Jeff Bezos and the Age of Amazon” i autorit Brad Stone doli nga shtypi në tetor 2013. Disa të dhëna në libër janë kontestuar a kundërshtuar nga Jeff Bezos, megjithatë libri është në shitje në dyqanin amazon.com.

  • ​14 vjet nga tërmeti shkatërrues në Haiti

    ​14 vjet nga tërmeti shkatërrues në Haiti

    316 mijë njerëz kanë vdekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Haitin më 12 janar 2010.

    Qytetet më të shkatërruara dhe më të prekura nga tërmeti në Amerikën qendrore Leogane dhe Port-o-Princ (kryeqyteti i Haitit), kjo bëri që në Haiti një e katërta e popullatës të vdisnin dhe një pjesë tjetër e tyre të zhduket.

    Banorët e Haitit jugor, sidomos të rrethinës së kryeqyteti, kanë humbur vendet e tyre.

    Tërmeti i fuqishëm prej 7 shkallë Rihter, ishte më i rëndi në 200 vjetët e fundit.

    Haiti ka nëntë milionë banorë dhe është njëri nga vendet më të varfra në hemisferën perëndimore.

  • Dy të dyshuar për plagosjen në Prishtinë në arrati, dy të tjerë lirohen në procedurë të rregullt

    Dy të dyshuar për plagosjen në Prishtinë në arrati, dy të tjerë lirohen në procedurë të rregullt

    Një tentim vrasje ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.

    Siç ka njoftuar Policia, në këtë rast janë përfshirë katër persona të dyshuar, nga të cilët ka pasur të shtëna me armë zjarri. Si rezultat i kësaj, njëri prej të dyshuarve është plagosur dhe është duke u trajtuar në QKUK.

    Policia ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke arrestuar dy nga të dyshuarit, të cilët më pas janë liruar.

    Ndërsa, dy prej dyshuarve të tjerë gjenden ende në arrati.

    Vendimi për lirimin e dy të arrestuarve është marrë në procedurën e rregullt nga prokurori.

    “Raportohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri në mes katër të dyshuarve meshkuj kosovarë. Si pasojë, një i dyshuari është plagosur dhe është trajtuar në QKUK. Dy të dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit tjerë gjenden në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Nga QKUK-ja është bërë e ditur se viktima është jashtë rrezikut për jetë.

    “Po, një i plagosur ka ardhur, lëndime me armë zjarri, gjendja e tij është stabile, është në trajtim stabil, mandej vendosim nëse do të lirohet apo çfarë do të ndodhë. Jashtë rrezikut për jetë ka marrë plagë në këmbë”, ka thënë për Dukagjini, doktori kujdestar, Ejup Govori.

  • ​O’Brien: Nuk do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës

    ​O’Brien: Nuk do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.

    Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR në pjesën veriore të Kosovës, teksa rikujtoi se prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë në këtë pjesë është rritur muajve të fundit.

    “Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.

    O’Brien iu referua sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh. Ky grup vrau një polic, ndërkaq gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.

    Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje.

    Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropiane, stabile dhe e sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.

    Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

    O’Brien përsëriti se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Ai u bëri thirrje palëve që të zbatojnë përgjegjësitë e tyre që dalin nga ky proces. Ai tha se ka pasur përparim në zbatimin e zotimeve të dialogut, sikurse ishte çështja e targave të makinave.

    Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore që Serbia mbajti më 17 dhjetor 2023. Ai tha se Uashingtoni pret që të punojë me Qeverinë serbe që të adresohen këto shqetësime, ndërkaq tha se SHBA-ja mbështet protestat paqësore në Serbi “nga njerëzit që ndiejnë se zgjedhjet ishin jofer dhe që rezultatet nuk ishin ashtu siç ata prisnin”.

    Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka mbajtur një sërë protestash në Serbi për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor, sipas të cilave, Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka dalë fituese në të gjitha nivelet. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se gjatë procesit zgjedhor ka pasur parregullsi të shumta.

    O’Brien foli edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë, duke kritikuar Millorad Dodikub, udhëheqësin e entitetit serb, Republika Sërpska.

    Ai tha se Dodik me shënimin e Ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, po tenton të largohet nga temat e rëndësishme.

    Duke folur për kërcënimet e Dodikut se entiteti serb do të shpallë pavarësinë nga Bosnja, O’Brien tha se ai ishte në Dejton – ku më 1995 u arrit Marrëveshja e Dejtonit – dhe se ka punuar së bashku me Bosnjën për të hartuar Kushtetutën e Bosnjës.

    “Diskutimet e tij për ndarje janë refuzuar në mënyrë eksplicite në Marrëveshjen origjinale të Dejtonit”, tha ai, duke shtuar se përpjekje të tilla ndarëse janë jokushtetuese.

    Në fillim të vitit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë vlerësoi se politika e Millorad Dodik është e rrezikshme dhe se “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.

    Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Britania e Madhe, për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

    Ndryshe, O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

    Nga viti 2022, Jim O’Brian ka punuar si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

    O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

    O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

    Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. /rel/

  • DASH: Vlera e raketave kundërtanke që Kosova dëshiron t’i blejë është 75 milionë dollarë

    DASH: Vlera e raketave kundërtanke që Kosova dëshiron t’i blejë është 75 milionë dollarë

    Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

    Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja.

    DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

    “Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.

    Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për REL-in.

  • Familja treanëtarëshe që jeton në garazh të veturave

    Familja treanëtarëshe që jeton në garazh të veturave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kjo është mënyra e vetme që kjo 5-vjeçare i ngroh duart. Me aq mundësi sa ka, babai i saj sigurohet që vajza edhe këmbët t’i ketë të ngrohta.

    Ky cep i një garazhi nëntokësor në Prishtinë, për familjen treanëtarëshe Bunjaku nga Komuna e Obiliqit, tash e një muaj është strehë e vetme.

    Në këto ditë të ftohta, vogëlushja 5-vjeçare e ka vetëm një dëshirë.

    “Po veç me shku në një vend të nxehtë se këtu e kam shumë ftohtë”, thotë vogëlushja 5-vjeçare.

    Meqë, familja Bunjaku qe një kohë jeton në kushte të vështira, vajza ishte sëmurë disa herë.

    “Çika m’u ka sëmu disa herë, dorën krejt zi e ka prej injeksioneve, e kam çu te mjeku, i kanë thanë që është e ftoftë. Beso, na kemi flejt në fushë. Mbi neve shi na flejshim në tokë”, tha nëna e 5-vjeçares, Egzona Zeqiri.

    Garazhi në lagjen “Kalabria” nuk ishte i vetmi vend, i improvizuar për familjen treanëtarëshe.

    Bunjaku pretendon se ka mbetur rrugëve pas një problemi familjar.

    Për rastin e kësaj familjeje janë të informuar edhe në Komunën e Obiliqit.

    “Çfarë kemi kuptuar deri më tani është se familja jetonte në ndërtesat kolektive në Plemetin. Familjes Bunjaku iu nda një banesë dhe në kohën kur mori banesën ishte familje me 7 anëtarë e që atëherë ishin të mitur. Por para disa ditësh kuptuam që një pjesë e familjes u largua e kryefamiljari mbeti në banesë. Ne biseduam me prindërit e djalit dhe, sipas tyre, ai vetë deshi të largohej meqë ka krijuar familjen e vet”, tha shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Obiliqit, Slavisa Adzancic.

    Sidoqoftë, Komuna është e hapur për t’iu ofruar ndihmë.

    “Si komunë ne përpiqemi t’iu ndihmojmë sidomos qytetarëve nga komunitetet por kushtet janë të këtilla. Sidoqoftë atyre iu bëj thirrje që të vijnë të kërkojnë ndihmë për të parë, nëse mund t’ju ndihmojmë duke ua gjetur një vend për strehim”, tha Adzancic.

    Në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta lidhur me varfërinë ekstreme. Por, sipas të dhënave të papërditësuara kohëve të fundit nga Agjencia e Statistikave dhe Banka Botërore mbi 10 për qind e popullsisë jeton në varfëri.

  • Gjykimi për krime lufte në Kamenicë, dëshmon i dëmtuari kryesor

    Gjykimi për krime lufte në Kamenicë, dëshmon i dëmtuari kryesor

    Përgatiti: Nora Luta

    Për dhunën fizike që pretendon se ia shkaktoi Zlatan Arsiq, gjatë periudhës së luftës, Besim Muhaxheri ka rrëfyer të enjten, para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Derisa po lëvizte rrugëve të Kamenicës, në mars të 1999-s, me pako cigaresh në duar, policia serbe e kishte ndaluar, sipas tij, duke i thënë se i ka marrë për UÇK-në.

    Në mesin e policëve ishte Arsiq, i cili akuzohet për krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit.

    Ai është arsyetuar se ka qenë për shumë vjet jashtë Kosovës, kur është pyetur nga prokurori Atdhe Dema, se pse kishte pritur deri në vitin 2015 për ta denoncuar Arsiqin, kur edhe e kishte parë për herë të parë që nga dita kritike.

    “Kur e pashë Zlatanin m’u dok që më ra tavani në kry”, tha Besim Muhaxheri, dëshmitar.

    Por ekipi mbrojtës i Arsiqit, e ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e Muhaxherit, duke e ballafaquar me deklaratat e tij të dhëna më herët në Polici dhe të enjten gjatë gjykimit.

    “Në deklaratën e datës 16.04.2015, rrahja dhe maltretimi keni thënë që ka zgjatur 1 orë e gjysmë, sot thatë 5 deri 10 minuta, keni thanë Zlatani ua ka djegë shpinë, e këtu po thoni që nuk e dini, thatë që as emrin niherë nuk ia dinit”, tha Vasilja Arsiq, avokat i Zlatan Arsiqit.

    Për deklaratat kundërthënëse dëshmitari u sfidua me pyetje edhe nga trupi gjykues.

    Muhaxheri mund të ulet sërish në bankën e dëshmitarit, pasi Gjykata e ka rezervuar të drejtën ta ftojë nëse dëshmohet që është një deklaratë e tij e dhënë në Polici, në Kamenicë, më 18 mars të 2015-s.

    Kjo erdhi pasi mbrojtja kërkoi të verifikohet nëse e njëjta është edhe me shkrim, apo vetëm verbalisht siç pretendon dëshmitari.

    Zlatan Arsiq, i cili gjatë 20 vjetëve të kaluara shërbeu në Policinë e Kosovës, u arrestua në mars të vitit të kaluar.

  • Irlanda mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE

    Irlanda mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në Kosovë erdhi për herë të parë. Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, homologu kosovar, Albin Kurti e mirëpriti me ceremoni shtetërore.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Varadkar shprehu mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Madje, potencoi se masat kufizuese që BE-ja ia ka vënë Kosovës, duhet të hiqen.

    Unë do ta përkrah Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane. Keni harmonizuar edhe politikat e sigurisë me ato të BE-së, që është shumë me rëndësi”, tha Varadkar.

    Ai përmendi edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të cilin tha se duhet themeluar por jo si mikroshtet.

    “Dua ta shoh Asociacionin që po themelohet, mirëpo kjo duhet të bëhet në koordinim e jo të krijohet një mikro-shtet brenda Kosovës. Kjo nuk do të ishte e dobishme për të ardhmen”, tha Varadkar

    Por, për Asociacionin, sipas Kurtit, nuk mund të flitet derisa nuk ka zbatim të marrëveshjeve.

    “Marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa dhe ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike. Të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos i nxjerrin nga paketa draft-statutin apo Asociacionin si një çështje”, tha Kurti.

    Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.