ATV

Author: ATVLive

  • Shkoi për të marrë pensionin, ndërron jetë në zyrën postare i moshuari

    Shkoi për të marrë pensionin, ndërron jetë në zyrën postare i moshuari

    Një 72-vjeçar nga fshati Vërdovë, ka ndërruar jetë në ambientet e një zyre postare në Pogradec, ku kishte shkuar për të marrë pensionin.

    Nga informacionet paraprake bëhet me dije se i moshuari dyshohet se ndërroi jetë si pasojë e një sulmi në zemër.

    Trupi i tij u ransportua në morgun e qytetit ndërkohë që policia dhe grupi hetimor po vijoj në punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së 72-vjeçarit.

  • Heqja e vizave për në Dubai – ambasada e Kosovës në Emirate thotë se vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi

    Heqja e vizave për në Dubai – ambasada e Kosovës në Emirate thotë se vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi

    Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Osmani, ka falënderuar homologun e saj në këtë vend për pranimin e propozimit të saj.

    E Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi, ka deklaruar se për datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, qytetarët do të informohen me kohë.

    “Sot është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për Përjashtimin Reciprok të Kërkesave për Viza Hyrëse në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të gjithë qytetarët e vendit tonë bartës të pasaportës së Republikës së Kosovës. Për datën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, ambasada e jonë do të ju mbajë të informuar në kohë”, thuhet në njoftimin e amabsadës.

    Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka shtuar se deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, qytetarët e vendit tonë, para se të nisen në Emiratet e Bashkuara Arabe , janë të obliguar që të pajisen me viza hyrëse.

  • Kosova dhe Shqipëria opsion i dytë, Diant Ramaj: Jam duke pritur Gjermaninë

    Kosova dhe Shqipëria opsion i dytë, Diant Ramaj: Jam duke pritur Gjermaninë

    Një nga portierët që vlerësohet me të ardhme të ndritur, Diant Ramaj gjatë një interviste për mediat e huaja ka treguar për bisedimet me Kombëtaren e Kosovës dhe Shqipërisë.

    Por, portieri i Ajaxit tregon se përkundër interesimit nga FFK-ja dhe FSHF-ja, objektivi i tij është Kombëtarja e Gjermanisë.

    “Kosova dhe Shqipëria tashmë më janë afruar. Unë u thashë që kam nevojë për kohë, gjithashtu sepse shpresoj dhe pres Gjermaninë”, u shpreh Ramaj.

    22-vjeçari gjatë këtij sezoni në Eredivisie ka zhvilluar 10 ndeshje, ka pranuar 13 gola dhe ka mbajtur tre herë portën e paprekur.

    Portieri shqiptar u transferua te Ajaxi gjatë verës së vitit të kaluar nga Eintracht Frankfurt për pesë milionë euro.

  • Edhe Supremja vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit që vrau vëllain dhe pastaj ia djegu kufomën

    Edhe Supremja vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit që vrau vëllain dhe pastaj ia djegu kufomën

    Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e G.K, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait të tij. Ankesa ishte paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës

    Ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me burgim të përjetshëm, dënim që është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

    Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, precizohet se vet i akuzuari, “në mbrojtjen e tij, në deklaratën e dhënë në polici, nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale në drejtim të vëllait të tij, përkundrazi e ka përshkruar në detaje se si e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.K., pastaj se si e ka djegur kufomën dhe si e ka hedhur të njëjtën me qëllim që të fshihen gjurmët e vrasjes. Përveç kësaj, dëshmitarët e familjes së të dënuarit dhe dëshmitarët e familjes së tani të ndjerit, kanë vërtetuar se pikërisht i akuzuari G.K. është personi që e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B., prandaj konkludimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta të ndjerin janë të drejta dhe të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresat tjera të lëndës.”

    Sipas Supremes, dënimi i gjykata e shkallës së parë, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë, i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të dënuarit, dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit.

  • Osmani pret në takim kryeministrin e Irlandës

    Osmani pret në takim kryeministrin e Irlandës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

    Mediat në këtë takim janë lejuar që të marrin pamje nga pritja si dhe në fillim të takimit.

    Më herët gjatë ditës kryeministri, Varadkar është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

  • Abdixhiku përkujton Enver Malokun, shpalos portretin përkujtimor të tij në LDK

    Abdixhiku përkujton Enver Malokun, shpalos portretin përkujtimor të tij në LDK

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar publicistin dhe anëtarit kësaj partie, Enver Maloku në 25-vjetorin e vrasjes së tij.

    Abdxhiku ka thënë se në mbrëmjen e 11 janari para 25 viteve “u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë”.

    Për nder të tij, në selinë qendrore të LDK-së u shpalosë pllaka e portretin përkujtimor të tij.

    “25 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë. Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45-vjeçare. Sot, një çerek shekulli pas, me familjen e ngushtë Maloku, me zonjën Hava, Doruntinën e Drinin, në selinë qendrore të LDK-së shpalosëm pllakën e portretin përkujtimor të tij. Ky portret e kjo pllakë, e vendosur në Murin e Nderit, do të na qëndrojnë si shenja të rënda që na ekojnë përherë dhe në përditshmëri. Që na rikujtojnë rreshtin e gjatë të patriotëve të Lidhjes dhe vet Republikës, ëndrra fillestare e të cilëve na është bërë udhërrëfimi ynë sot”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

  • Kërkohet që Arbër Sejdiut t’i rritet dënimi në 25 vjet apo burgim të përjetshëm

    Kërkohet që Arbër Sejdiut t’i rritet dënimi në 25 vjet apo burgim të përjetshëm

    Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Apelit, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi, para medieve tha se kanë kërkuar që të akuzuarit Arbër Sejdiu t’i rritet dënimi në 25 vjet burgim ose në burgim të përjetshëm.

    Rexhepi tha se kanë shfaqur pakënaqësi për dënimin e Sejdiut me 15 vjet burgim nga shkalla e parë, raporton Betimi për Drejtësi.

    “Është njëfarë dallimi shumë i madh mes të akuzuarit të parë dhe të akuzuarit të dytë prej burgim të përjetshëm në 15 vite, përkundër që ajo dispozitë thotë që kushdo që i ofron ndihmë dikujt tjetër dënohet më butë, mirëpo konsideroj që 15 vite është pak edhe nuk ndikon në edukimin e shoqërisë që vepra të tilla mos të përsëriten”, tha avokati Rexhepi.

    Ai tha se edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur ankesë, duke kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe ricilësimin e kualifikimit. Rexhepi tha se Prokuroria ka kërkuar që edhe i akuzuari i dytë të dënohet për bashkëkryerje.

    Kurse, theksoi se Prokuroria e Apelit ka dhënë mendimet lidhur me ankesat e palëve.

    Sipas Rexhepit, avokatët e të akuzuarve i kanë shfaqur pretendimet e tyre, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim.

    Rexhepi para medieve tha se nuk beson që rasti do të kthehet në rigjykim ngase provat janë mjaft bindëse, ndërsa shtoi se video-incizimet nuk janë bërë publike me kërkesë të familjes dhe se sipas tij janë më të tmerrshme sesa përshkrimi që i është bërë ngjarjes në tekst.

  • Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

    Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike me Serbinë, të arritur më 27 shkurt në Bruksel, duke thënë se Serbia ka shkelur tetë nga 11 nenet e asaj marrëveshje, raporton EO.

    Shefi i Qeverisë ka theksuar se marrëdhëniet normale me Serbinë janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian.

    Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin irlandez të enjten, Kurti ka thënë se po këmbëngul në nënshkrim pasi po do siguri ligjore që marrëveshja të zbatohet dhe të mos shkelet.

    “Dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior dhe marrëdhëniet normale janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian që paraqet edhe fatin tonë, por edhe synimin tonë. Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për mos ta shkelur. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. I bëj thirrje Bashkimit Evropian që gjithmonë të reagojë, edhe në shkeljet e vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë të shpeshta e jo të vogla”, ka thënë Kurti.

  • Vuçeviq: Nuk është realiste të arrihet marrëveshja me Kosovën këtë vit

    Vuçeviq: Nuk është realiste të arrihet marrëveshja me Kosovën këtë vit

    Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se nuk është optimist se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit.

    Siç ka vlerësuar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), presioni politik ndaj Serbisë vazhdon, si për Kosovën ashtu edhe për marrëdhëniet me Rusinë, shkruan REL.

    Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili po vazhdon prej gati dy vitesh, që nga 24 shkurti 2022, edhe pse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Aspak periudhë e lehtë, mbi të gjitha do të thosha në gjashtë muajt e ardhshëm, jo ​​vetëm deri në fund të janarit, dhe Kosova” sipas tij, “do të jetë tema dominuese”.

    Siç shtoi ai, Beogradi duhet të vazhdojë të jetë maksimalisht konstruktiv, duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe të ketë vija të kuqe të përcaktuara qartë.

    Vuçeviq vlerësoi gjithashtu se “nuk është realiste” që deri në fund të vitit të arrihet diçka që nuk është arritur me dekada.

    Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe Shtabi i Përgjithshëm ushtarak nuk do të heqin dorë nga nisma për të rifilluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, tha më tej Vuçeviq.

    Ai theksoi se është e rëndësishme të theksohet se nuk është thirrje për luftë, por kuptim i të gjitha aspekteve të sigurisë të rrethanave gjeopolitike, gjendjes në vend, situatës në rajon dhe të ardhmes së Serbisë.

    Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe propozimi i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

    Në shpjegimin e saj, Ushtria deklaroi se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

  • Kryeministri i Irlandës: Me shumë endje do të japë përkrahje që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës këtë vit

    Kryeministri i Irlandës: Me shumë endje do të japë përkrahje që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës këtë vit

    Kryeministri i Irlandës, Leon Varadkar, ka folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se është shumë i lumtur që po e zhvillon vizitën e tij të parë në Kosovë duke rikujtuar edhe faktin se Irlanda ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

    Varadkar ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për thellim të raporteve në mes të dy shteteve, derisa ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkim Evropian dhe Këshill të Evropës.

    Kryeministri irlandez ka thënë se më shumë kënaqësi do të japë përkrahjen e tij që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës gjatë vitit 2024, shkruan Gazeta Express.

    “Kënaqësi që jam këtu në Kosovë në vizitën e parë, shpresoj ta vizitoj prapë në të ardhmen. Patëm takim konstruktiv, ishte mundësi e mirë të mësojmë për zhvillimet rajonale. Diskutuam për raportet bilaterale që po thellohen edhe tutje. Irlanda është prej vendeve të para që kemi njohur Kosovën dhe jam krenar për kontributin e ushtrisë tonë që jep në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe civilët që shërbejnë në EULEX. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe Këshill të Evropës. Me shumë endje do të përkrah që Kosova të bëhet pjesë e KiE sivjet. Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane. Keni harmonizuar politikat e sigurisë me ato të BE-së dhe e di që keni pasur presione për ta bërë këtë, dhe kjo do të ndikoj në vlerësimin tonë në të ardhmen. Do të shohim edhe për liritë themelore dhe trajtimin e minoriteteve”, ka thënë Varadkar, raporton Express.

    Ai tutje ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është jetik për të arritur paqe dhe zhvillim të mëtejmë në dy vendet. Varadkar ka thënë se është e rëndësishme që brenda këtij viti të konsolidohet stabiltieti dhe të mos përsëriten më skenat e majit dhe shtatorit 2023.

    “Dialogu Prishtinë-Beograd është jetik për të arritur një harmoni dhe për një zhvillim të mëtejmë, edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ky vit është më rëndësi që ky stabilitet të konsolidohet në Kosovë dhe nuk duam të shohim kthim të skenave të dhunshme që I pamë në shtator dhe në maj. Falënderoj Kurtin për mikpritjen dhe dashamirësinë. Është kënaqësi që vizitova vendin tuaj të bukur”, ka thënë ai.