ATV

Author: ATVLive

  • Specialja refuzon apelin e Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Specialja refuzon apelin e Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se Paneli i Gjykatës së Apelit e ka refuzuar apelin e Isni Kilajt që t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

    Ish-kryetari i Malishevës vazhdon të mbahen në paraburgim pasi i njëjti akuzohet për pengim të drejtësisë.

    Kilaj u arrestua më 3 nëntor pas një urdhërarresti të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.

    “Kilaj u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës… dhe shkeljen e sekretit të procedurave”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

  • Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Nga 1 mijë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Shengen në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë migruar 338 mijë qytetarë apo 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Kështu u tha në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”.

    Sipas raportit të prezantuar të premten, arsyet kryesore që i përmendin qytetarët janë kushtet ekonomike, ndërsa sektorët që do të preken më shumë janë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia.

    Blendi Hasaj, hulumtues i lartë në GAP, tha se Instituti ka bërë një hulumtim ku ka anketuar mbi 1000 persona, ku sipas kësaj gjetje pritet që 28 për qind e popullësi të emigroj gjatë periudhës së parë të këtij viti.

    “Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se liberalizimi i vizave e gjen Kosovën në një dinamikë më ndryshe se shtetet tjera të rajonit në kohën kur atyre i’u ofrua lëvizja e lirë në BE.

    Në vitin e parë pas liberalizimit të vizave për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e emigrimit nuk ishte shumë e lartë, duke arritur në maksimum 2.9% të popullsisë së një shteti, por tendenca për të emigruar është bërë shumë më e theksuar në tërë Ballkanin Perëndimor pas vitit 2015.

    Kjo kryesisht si rrjedhojë e kërkesave të mëdha dhe zbutjes së kritereve nga shtetet e BE-së për punëtorë të huaj”, tha Hasaj.

    “Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore jo-aktive është zvogëluar për 14,698 persona.

    Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore jo-aktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm.

    Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”.

    Anisa Zogaj, hulumtuese e lartë në GAP, tha se sektorët që do të preken më shumë nga emigrimi i popullsisë janë sektori i ndërtimtarisë, sektori i hotelerisë dhe gastronomisë, sektori i tregtisë dhe sektori i prodhimtarisë.

    Sipas saj, Gjermania është destinacioni kryesor i emigruesve dhe se kushtet ekonomike janë ndër arsyet kryesore që i nxisin qytetarët që të emigrojnë.

    “Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%).

    Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë.

    Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, deklaroi ajo.

    “Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.

    Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%).

    Destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%”, u shpreh ajo.

  • 5 gabimet ushtarake që kanë vendosur fatin e Luftës së Dytë Botërore

    5 gabimet ushtarake që kanë vendosur fatin e Luftës së Dytë Botërore

    1. Vonesa aleate në mbrojtjen e Skandinavisë
    Tashmë nuk kishte më çfarë të bëhej. Trupat aleate më 18 qershor 1940 ua rihipën anijeve me ngut dhe lanë prapa krahëve Norvegjinë, preja e radhës e nazistëve. Dy muaj më parë ushtarët e Londrës dhe Parisit kishin nxituar drejt vendit skandinav për ta mbrojtur nga Hitleri, por kishin dështuar në detyrën e tyre. Aty, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ishte luajtur një lëvizje e rëndësishme strategjike dhe loja u vendos nga qëndrimet e kundërta që e mbajtën Berlinin nga njëra anë dhe Londrën e Parisin nga ana tjetër ndaj vendeve skandinave, teorikisht neutrale. Duke respektuar rregullat e diplomacisë ndërkombëtare, Londra dhe Parisi u mundën në elementin kohë nga nazistët, që nuk ndjeheshin të detyruar prej këtyre rregullave. Norvegjia ishte shumë e rëndësishme, pasi ofronte dy avantazhe domethënëse:

    – nga njëra anë, tranzitin e hekurit suedez drejt industrive luftarake gjermane, nëpërmjet Portit të Narvik kur Deti Balltik ishte i mbuluar nga akujt,

    – nga ana tjetër, prania e porteve që shikonin nga Britania e Madhe nga veriu dhe mundësonin një rrugëdalje më pak të kontrollueshme të La Manshit drejt Oqeanit Atlantik dhe rrugëve tregtare të tij.

    Për muaj me radhë gjermanë dhe anglo – francezë kërkuan që ta tërhiqnin Oslon nga ana e tyre ose të paktën të garantonin një neutralitet të saj. Por shpejt qe e qartë për të gjithë se Norvegjia nuk ishte në gjendje ta ruante neutralitetin me forcat e sah. Për këto motive anglezët dhe francezët menduan që të dërgonin trupa për ta “mbrojtur” dhe rrethuar vendin. Prej kohësh Churchill ishte një mbështetës i ndërhyrjes së armatosur, por u dëgjua shumë vonë. Nga ana e tij, Gjenerali gjerman Nikolaus von Folkenhorst realizoi operacionin e parë të kominuar të historisë ushtarake moderne, me përdorimin e njëkohshëm dhe masiv të forcabe detare, ajrore dhe tokësore për ta marrë Norvegjinë. Sulmi arriti që ta paraprijë për një qime projektin e zbarkimit britanik. Më 9 prill, skuadrat detare gjermane nisën operacionet e pushtimit. Vetëm më 15 prill anglofrancezët zbarkuan nga ana e tyre për t’ju bashkangjitur forcave norvegjeze që mezi po rezistonin. Por planifikimi aleat, përveçse pak i vrullshëm, ishte edhe i keqorganizuar dhe ushtarëve u mungonin deri pajimet e nevojshme për të luftuar dhe vepruar në zona me një klimë që mund të ishte shumë e ashpër. Kurse nazistët e patën kapur me shpejtësi kontrollin e hekurudhave dhe superioritetin ajror. Sidomos ky i fundit rezultoi vendimtar duke mundësuar që të mitraloheshin trupat armike dhe të mbaheshin larg anijet angleze. Më 21 prill në Lillehammer u verifikua përplasja e parë midis trupave gjermane dhe atyre britanike të Luftës së Dytë Botërore: një betejë shumë e ashpër, e zgjatur 24 orë, pas të cilës ushtarët britanikë dhe norvegjezë, tashmë të mundur, nisën të tërhiqeshin nga qyteti. Në ditët në vazhdim gjermanët morën një e nga një pozicionet në duart e armiqve në pjesën e mbetur të Norvegjisë, duke mbetur padronë të vendit që u braktis nga anglo – francezët në qershor. Ndërhyrja e tyre shumë e vonuar kishte rezultuar e kotë.

    Çfarë do të kishte ndodhur sikur… Pa pushtimin e Norvegjisë, Hitleri do të kishte humbur furnizimet e çmuara me mineralet e hekurit nga Suedia, duke i parë kështu të rritura vështirësitë gjermane në furnizimin me lëndë të para. Kjo patjetër që do të influenconte zgjedhjet strategjike dhe ecurinë e luftës së Hitlerit, që më pas gjithsesi u desh të përballej me mangësitë e këtyre lëndëve. Veç kësaj, Norvegjia luajti një rol të rëndësishëm në Betejën e Atlantikut, në të cilën nëndetëset gjermane vunë në provë të vështirë rrugët e furnizimit drejt Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik. Sikur të kontrollonte Norvegjinë të kishte qenë Londra në vend të Berlinit, atëhere i gjithë ekuilibri në dete do kishte ndryshuar në disavantazh të Gjermanisë.

    2. Urdhri i Hitlerit për të mos i asgjësuar anglezët në Dunkerk

    Premtimet e kreut të Luftwaffe Hermann Wilhelm Göring, iluzioni i Hitlerit për t’i lënë një derë hapur Britanisë së Madhe, preokupimet e komandantit të Frontit Perëndimor Marshallit Gerd von Rundstedt: qenë këta elementë që bënë të mundur “mrekullinë e Dunkerkut”. E dielë, 26 maj 1940 – kur ushtria franceze ishte në rrugë në frontin verior të pushtimit nazist – nisi Operacioni “Dinamo”, domethënë tentativa britanike për të shpëtuar sa më shumë ushtarë që të ishte e mundur duke i imbarkuar me shpejtësi drejt Anglisë. Trupat anglo – franceze në tërheqje u grumbulluan në plazhin e Dunkerque, që shpejt u rrethua nga divizionet gjermane. Të cilat u ndalën vetëm pak kilometra larg bregdetit. Motivi mbetet mister. Vendimi kontradiktor u mor nga Adolf Hitleri personalisht, por nuk janë kuptuar asnjëherë arsyet e vërteta e atij ngurrimi për t’u dhënë goditjen vdekjeprurëse armikut në tërheqje. Ndoshta Marshalli von Rundstedt e bindi se ndoshta ishte më mirë që t’u jepej pushim trupave dhe të çlodheshin panzerët që qenë cfilitur në garën e çfrenuar e nisur dy javë më parë. Sigurisht që Hermann Göring e siguroi Fyhrerin për faktin se vetëm aviacioni do të mjaftonte për t’i asgjësuar armiqtë. Hitleri kishte edhe një qëllim tjetër: synonte që të bindëte Londrën që të arrinte një marrëveshje me të dhe, ka mundësi edhe për këtë, preferoi që të mos ndërhynte ndaj ushtarëve anglezë. Ato ditë pushimi i mundësuan kështu Britanisë së Madhe që të krijonin një flotë të improvizuar me çdo mjet lundures në dispozicion. Kështu, kundër çdo parashikimi të vetë strategëve britanikë, më 2 qershor u evakuua i fundit i 338000 ushtarëve. Midis tyre edhe 120000 francezëve që do të përbënin bërthamën e Francës së Lirë të drejtuar nga Gjenerali Charles De Gaule. Mund të thuhet me siguri se gabimi i Dunkerkut vendosi fatet e luftës.

    Çfarë do të kishte ndodhur sikur… Asgjësimi i trupave anglo – franceze në Dunkerk do të kishte vendosur një hipotekë serioze mbi luftën. Duke vepruar kështu, Hitleri do të kishte nxjerrë nga konflikti qindramijëra ushtarë armiq ekspertë dhe të stërvitur mirë, që në vijim u përdorën me sukses në betejë nga aleatët. Të njëjtit francezë formuan bërthamën e ringjalljes së mëpasme të Francës. Por sidomos asgjësimi i Trupës Ekspedicionare Britanike do të përfaqësonte një goditje psikologjike të rëndësishme në kuadër të luftës së nervave që Hitleri bënte me Britaninë për ta shtyrë që të kërkonte paqen.

    3. Urdhri i Mussolinit për të sulmuar Greqinë në dimër

    Qe Adolf Hitleri ai që theksoi se sulmi jo i koordinuar italian ndaj Greqisë kishte influencuar negativisht ndaj Operacionit “Barbarossa” (pushtimit të Bashkimit Sovjetik) duke e vouar aq shumë sa duhej për t’i penguar gjermanët për të pushtuar Moskën. Për hir të së vërtetës, historianët kanë shumë dyshime lidhur me një interpretim të tillë, por ky ishte mendimi i Fyhrerit. Ajo që është e sigurtë është se agresioni ndaj Greqisë qe një ndërthurje gabimesh të bujshme që e ndryshoi përfundimisht rolin e Italisë në luftë dhe në botë. Sulmi u dëshirua personalisht nga Mussolini, edhe për të kryer një luftë paralele ndaj asaj të Gjermanisë, duke u hakmarrë kështu ndaj Hitlerit për shpërfilljen e treguar në marrjen e iniciativave luftarake pa u këshilluar me aleatin. Italianët i nisën operacionet ushtarake më 26 tetor, në vigjilje të sezonit të ftohtë, që do ta bënte të vështirë luftimin në malet e Epirit, ku u përqëndruan duke lëvizur nga Shqipëria. Veç kësaj, u rreshtuan më pak ushtarë nga sa u konsideruan të nevojshëm (nja 10 divizione respektivisht 20 të parashikuarve) dhe me një logjistikë katastrofike: portet shqiptare qenë të mbingarkuar dhe në konfuzion të plotë, rrugët e pakalueshme, mjetet e transportit të papërshtatshme. Aviacioni italian nuk arriti kurrë që të ketë peshë për shkak të kohës së keqe dimërore. Ministri i Jashtëm Galeazzo Ciano theksoi se grekët qenë të korruptuar dhe se do t’i cedonin goditjes, por faktet e nxorrën gabim. Bullgaria dhe Turqia nuk ndërhynë në mbështetje të Italisë. Duke i dhënë ultimatumin qeverisë së Kryeministrit grek Ioannsi Metaxas dhe, për pasojë, sulmin e bërë, Italia ka shpejt që t’i zhdukej iluzioni se “do t’ia thyenin brinjët Greqisë”. Përkundrazi, pësoi një kundërsulm shkatërrimtar që i çoi grekët deri brenda Shqipërisë. Në valën e dështimit italian, në Jugosllavi pati një grusht shteti antiBosht. Në këtë pikë gjermanët i detyruan që të ndërhyjnë në Ballkan. I nënshtruan me shpejtësi, por vonuan me disa javë sulmin ndaj Bashkimit Sovjetik. Kështu që patën më pak kohë në dispozicion për pushtimin përpara se të ngecnin në dimrin rus. Ndërkohë, çdo besueshmëri e mbetur e Italisë ishte zhdukur.

    Çfarë do të kishte ndodhur sikur… Fushata e Greqisë do të mund të fitohej. Mjaftonte të planifikohej më mirë dhe të mos bëheshin të gjitha gabimet që u bënë, duke filluar nga çmobilizimi i divizioneve rezervë që në mënyrë të pashpjegueshme u bë në verë. Sikur Italia ta kishte kontrolluar Greqinë, do të kishte pasur një impakt më të madh ndaj Mesdheut, me reperkusione edhe ndaj luftës në Afrikën Veriore. Veç kësaj, ndoshta do ta kishte sjellë Turqinë nga ana e Boshtit dhe, në këtë pikë, do të ishte hapur një rrugë tjetër drejt Lindjes së Mesme dhe Kaukazin, me rezervat e tyre të naftës. Së fundi, duke fituar në Greqi, Italia nuk do të ishte bërë vasale e Hitlerit, siç edhe ndodhi në fakt. Pastaj, për sa i përket Gjermanisë, sikur të mos kishte qenë e detyruar të ndërhynte në Ballkan, ajo do të kishte mundur të përqëndrohej më parë dhe më shumë me fushatën e Rusisë. Disa mendojnë se do ta kishte marrë Moskën dhe kjo do të kishte qenë një goditje vdekjeprurëse për Stalinin. Por, gjithsesi, ndoshta Bashkimi Sovjetik nuk do të ishte dorëzuar.

    4. Vendimi i Japonisë për të përfshirë në luftë Shtetet e Bashkuara

    Berlini, Roma dhe Tokio qenë bindur se herët a vonë do të shpërthente lufta kundër Shteteve të Bashkuara. Në një farë mënyre, Amerika e kishte bërë tashmë zgjedhjen e saj me furnizimet masive për Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik, por njëkohësisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 1941 partia neutraliste ishte e fortë dhe Karta Atlantike e gushtit të atij viti nuk përmendte asnjë ndërhyrje të drejtëpërdrejtë ushtarake të amerikanëve në teatrat e luftës. Kështu, për Gjermaninë, Japoninë dhe Italinë nuk ishte patjetër e domosdoshme ta zgjeronin përplasjen tek Shtetet e Bashkuara. Hitleri kishte menduar gjithmonë se shtyrja sa më shumë të ishte e mundur hyrjes në luftë e kolosit amerikan do të ishte një avantazh. Lideri nazist e kishte ekspozuar shumë herë idenë e tij lidhur me nevojën për t’i eliminuar një e nga një kundërshtarët europianë përpara se të hynin në luftë Shtetet e Bashkuara. Veç kësaj, për të ekzistonte një mundësi e largët marrëveshjeje me amerikanët për t’i ndarë kontinentet në dëm të fuqive të vjetra koloniale europiane. Vetë Pakti Tripalësh, duke ndarë sferat e influencës botërore midis Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, i linte zbuluar Amerikat. Nga ana e saj, Japonia ishte e impenjuar tashmë në luftën e saj në Kinë dhe ndoshta do t’i kushtohej pushtimit të posedimeve koloniale angleze, franceze e hollandeze në Azi pa marrë iniciativën e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara. Por Japonia dyshonte se në rastin e sulmit ndaj domeneve anglo – hollandeze, amerikanët nuk do të qëndronin duarkryq dhe e dinte se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një politikë riarmatimi qysh nga viti 1940. Qe kështu që më 7 dhjetor 1941 vendosi që t’i godasë befasisht Pearl Harbor. Por edhe në këtë pikë Gjermania dhe Italia nuk qenë të detyruara ta sfidonin Uashingtonin: Pakti Tripalësh me Japoninë nuk parashikonte një shpallje lufte automatike. Për ta demonstruar është fakti se Tokio nuk e sulmoi kurrë Bashkimin Sovjetik për të mbështetur aleatët europianë. Pavarësisht kësaj, më 11 dhjetor 1941 edhe Gjermania dhe Italia u shpallën luftë Shteteve të Bashkuara. Pse e bënë mbetet ende sot një enigmë.

    Çfarë do të kishte ndodhur sikur… Beteja e Pearl Harbor hapi premisat e humbjes së forcave të Paktit Romë – Berlin – Tokio. Pearl Harbor përcaktoi hyrjen në konflikt të asaj fuqie që më pas do t’i shënonte ushtarakisht rezultatin. Në Shtetet e Bashkuara ekzistonte akoma një shpirt i fortë izolacionist dhe pas ulmin japonez hyrja në luftë e Uashingtonit do të vonohej. Në këtë pikë ndoshta japonezët do të kishin pasur dorë të lirë në Azi, ndërsa në Afrikë e në Europë italo – gjermanët nuk do të duhej të preokupoheshin për ndërhyrjen amerikane. Për shembull, nuk do të kishte ndodhur Operacioni “Torch”, me të cilin në fundin e 1942 forcat aleate zbarkuan në Marok dhe shkaktuan humbjen përfundimtare të Boshtit në Afrikë. Dhe nga aty të njëjtat trupa nuk do ta pushtonin Siçilinë në korrikun e 1943, duke shkaktuar më 25 të këtij muaji rënien e regjimit fashist.

    5. Urdhri i Hitlerit për Armatën e VI që të mos tërhiqej nga Stalingradi

    3 milion ushtarë i përfshinë në betejën e Stalingradit, ndoshta më e madhe e të gjithë historisë. 2 milion prej këtyre përfunduan të vdekur, të plagosur, të zhdukur apo robër lufte. Me këtë përleshje fatet e Luftës së Dytë Botërore ndryshuan dhe iniciativa kaloi nga gjermanët tek rusët. Beteja u zhvillua midis fundit të gushtit të 1942 dhe shkurtit të 1943: Hitleri vendosi pushtimin e Stalingradit, qendër industriale mbi Vollgë që mbante emrin e diktatorit sovjetik, kishte një domethënie themelore. Për këtë, përdori Armatën e VI e Gjeneralit Friderich Paulis, e mbuluar nga krahët prej rumunëve, italianëve (mbi 220000), hungarezëve dhe aleatëve të tjerë. Për motive të kundërta, Stalini e mendonte në të njëjtën mënyrë: edhe për të Stalingradi nuk duhej të binte, edhe me koston e transferimit në një ferr. Përleshja zgjati për muaj me radhë, shtëpi më shtëpi, me humbje të mëdha nga të dyja palët. Kur rusët i çanë frontet në të dyja krahët e qytetit duke e rrethuar, një lak u mbyll rreth Armatës së VI të Paulus, me mbi 250000 ushtarakë të zënë në kurth. Ishte momenti i tërheqjes. Edhe pse qytetit i afroheshin trupat e Gjeneralit Erich von Manstein, për të provuar të lidheshin divizionet gjermane dhe shpëtuar të shpëtueshmen. Do të kishte qenë e mundur që të mbijetonte një pjesë e njerëzve, por ndërsa tentativa e von Manstein për ta çarë rrethimin nuk ia arriti, forcat e Paulus mbetën të gozhduara në Stalingrado prej vullnetit eksplicit të Hitlerit, i cili dha urdhër që të rezistohej deri në njeriun e fundit. Bile, kur tashmë gjithçka ishte humbur, Fyhreri e gradoi Paulus Feldmarshall. Në fakt, kishte frikë se mos kapej i i gjallë dhe, duke e graduar, shpresonte që nderi i tij do t’i pengonte dorëzimin, duke qenë se ky fakt nuk kishte prekur deri në atë moment asnjë oficer gjerman me gradë kaq të lartë. Për të Hitleri uronte një vetëvrajse për ta luajtur të paktën në planin e propagandës. Por Paulus, deri më atëhere gjithmonë i bindur ndaj urdhërave, zgjodhi që të shpëtojë dhe më 2 shkurt ju dorëzua sovjetikëve. Nga njerëzit e tij, 100000 kishin vdekur dhe po aq qenë kapur si robër lufte. Pjesa më e madhe e tyre nuk u kthye kurrë më në Gjermani.

    Çfarë do të kishte ndodhur sikur… Sikur Hitleri do të kishte lejuar që të shpëtoheshin ushtarët e Armatës së VI ndoshta nuk do të ndryshonte krejtësisht rezultati i luftës në Rusi, por sigurisht që do të kishte pasur pasoja. Më e rëndësishmja ajo e natyrës psikologjike. Stalingradi që humbja e parë e madhe gjermane dhe fitorj e parë e madhe sovjetike. Një rezultat më pak i pastër i asgjësimit të një armate të tërë do të ishte menaxhuar ndryshe nga të dyja palët. Edhe pse rusët nuk ia dolën në planin e tyre të madh për ta rrethuar të gjithë frontin jugor dhe gjermanët demonstruan se qenë në gjendje t’u përgjigjeshin sovjetikëve akoma në 1943. Sikur asaj që ndodhi t’i ishte shtuar dusponueshmëria e Armatës së VI dhe një gjendje psikologjike jo e rënduar nga një ndjesi disfate (të cilës pala sovjetike i kundërvinte mitin e Luftës së Madhe Patriotike të ngritur pikërisht në Stalingrad) rezistenca gjermane në frontin lindor do të kishte mundur të zgjatej më shumë./ bota.al

  • Çmimet e naftës rriten për më shumë se 2% pas sulmeve në Houthis

    Çmimet e naftës rriten për më shumë se 2% pas sulmeve në Houthis

    Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 2% pasi aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi sulmet ndaj Houthis, shkruan BBC përcjell Insajderi.

    Brent, pikë referimi për dy të tretat e naftës në botë, u rrit me 2.5%, duke u ngjitur drejt 80 dollarëve, nga frika se konflikti mund të zgjerohej në një zjarr më të gjerë rajonal.

    Sulmet erdhën disa orë pasi Irani kapi një cisternë që po shkonte drejt Turqisë në brigjet e Omanit të enjten, duke e ndezur më tej situatën.

    Gjiri i Omanit, ku u kap cisterna, është shumë afër ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar për furnizimin me naftë.

    Më shumë se 20 milionë fuçi naftë lëvizin çdo ditë në këtë vendkalim të ngushtë, që është e barabartë me rreth një të pestën e konsumit global.Sulmet nga Huthi të mbështetur nga Irani mbi anijet në Detin e Kuq kanë ndërprerë tregtinë dhe rrjedhën e karburantit në javët e fundit.

    Rreziku më i madh për çmimet e naftës është nëse Irani tërhiqet drejtpërdrejt në konflikt, i cili mund të kërcënojë prodhimin dhe rrjedhjen në një rajon që prodhon një të tretën e naftës së papërpunuar në botë.

  • Ish-ministri i ushtrisë serbe: Armatimi i Kosovës s’është lajm i mirë për Serbinë

    Ish-ministri i ushtrisë serbe: Armatimi i Kosovës s’është lajm i mirë për Serbinë

    Dragan Shutanovac, ish-ministër i Ministrisë së Mbrojtjës në Qeverinë e Serbisë, ka komentuar pranimin e kërkesës së Kosovës nga ana e ShBA-së për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”, në një vlerë të konsiderueshme prej 75 milionë dollarëve.

    Sipas Shutanovacit, militarizimi i Kosovës nuk është lajm i mirë për Serbinë.

    Ish-ministri serb i Mbrojtjes ka bërë edhe një interpretim të çuditshëm, duke thënë se armatimi i Kosovës është rrezik edhe për Maqedoninë e Veriut.

    “Militarizimi i Kosovës nuk është lajm i mirë si për Beogradin ashtu edhe për vendet përreth, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë është përballur me rebelime të armatosura që synojnë shkëputjen e një pjese të territorit dhe formimin e Shqipërisë së Madhe, që është baza e aktivitetet politike të ekstremistëve dhe të Kurtit” – deklaroi ai për Danas, transmeton Nacionale.

  • Bayerni përball një sfide të vështirë sot

    Bayerni përball një sfide të vështirë sot

    Bayerni i Mynihut do të ketë sot një sfidë mjaftë të vështirë në kuadër të xhiros së 17 në Bundesligë.

    Gjiganti bavarez do të ballafaqohet me Hoffenheimin, skuadër kjo mjaftë e papërshtatshme në futbollin gjerman, përcjellë KosovaPress.

    Skuadrës së trajneri Thomas Tuchel i duhen tri pikët e plota për ta mbajtur hapin me liderin e tabelës, Bayer Leverkusen, skuadër në të cilën luan Granit Xhaka dhe që ende nuk di për humbje në këtë edicion.

    Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena” me fillim nga ora 20:30 dhe këto janë formacionet e mundshme:

    Bayern Mynih: Neuer, Laimer, de Ligt, Upamecano, Davies, Kimmich, Goretzka, Müller, Musiala, Sané, Kane.

    Hoffeinheim: Baumann; Kabak, Brooks, Vogt; Stach; Kaderabek, Bulter, Promer, Skov; Bebou, Kramaric.

  • ​Policia jep detaje për rrahjen masive në Suharekë

    ​Policia jep detaje për rrahjen masive në Suharekë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rahjes në një restorant në Suharekë mes disa personave.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se rrahja ka ndodhur rreth orës 10:30, ndërsa si pasojë e rrahjes tre persona kanë kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa gjashtë të dyshuar janë intervistuar.

    Rasti është cilësuar si “lëndim trupor”.

    Rr. Skënderbeu, Suharekë 11.01.2024 – 10:30. Raportohet për një rrahje në mes të disa personave në një restorant. Tre viktima meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë janë intervistuar. Me vendim të prokurorit pestë të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.” – shkruhet në raportin 24-orësh.

  • ​Kurti e Vuçiqi në Forumin Ekonomik Botëror, Rohde i gëzohet pjesëmarrjes së tyre

    ​Kurti e Vuçiqi në Forumin Ekonomik Botëror, Rohde i gëzohet pjesëmarrjes së tyre

    Nesër (e shtunë) nis Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës, i cili do të zgjasë deri më 19 janar.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se ndjehet i gëzuar që pjesëmarrës në këtë forum do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Javën e ardhshme, në Davos do të nisë Forumi Ekonomik Botëror. Me të gjitha temat kryesore të rëndësishme, ‘Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të thyer’ rezonon veçanërisht për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi dhe të gjithë rajonin e Ballkani Perëndimor. Gëzohem që do t’i shoh të dy, Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin të jenë të pranishëm”, ka shkruar Rohde në X.

    Ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë takim bilateral kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

  • Ish-ministri Mehaj thotë se procesi i blerjes së raketave “Javelin” ka nisur një vit e gjysmë më parë

    Ish-ministri Mehaj thotë se procesi i blerjes së raketave “Javelin” ka nisur një vit e gjysmë më parë

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se investimet për blerjen e raketave anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë nisur gjatë kohës sa ai ka udhëhequr ministrinë.

    Mehaj deklaron se përveç këtyre raketave janë bërë edhe disa blerja tjera, por që sipas tij, këto duhet të mbesin pa u publikuar, transmeton Telegrafi.

    “Ky investim për ushtrinë tonë ka nisur tash e dy vite e gjysmë më parë. Nën mandatin tonë, jo vetëm raketat “Javelin” e Dronët Bajraktar, por edhe shumë sisteme e kontingjentet të tjera janë blere e janë në proces, e që konsideroj se duhet të mbesin pa u publikuar e në shërbim të interesit kombëtar”, thekson ish-ministri Mehaj.

    Më tej, në reagimin e tij, Mehaj ka pohuar se për të ka qenë mision kryesorë forcimi me armatim i ushtrisë së Kosovës, ku mes tjerash shkruan se “jam krenar që nën mandatin tonë mbi 292 milion euro i kemi shpenzuar në ketë drejtim”.

    “Dronët, raketat “Javelin” dhe shumë sisteme e kontigjentë të tjera, janë e arritur e jashtëzakonshme e shtetit tonë për ushtrinë e Kosovës. Anëtarësimi në aleancën e NATO-së është pikësynimi i ynë”, ka pohuar ai.

    Mehaj ndër të tjera ka shkruar se miqësia e Kosovës me SHBA-në është e pathyeshme dhe e përjetshme.

    “Një gjë dua të ia konfirmojë popullit tim se siguria e jonë është me e fortë dhe me e mirë se sa duket në shikim të parë dhe shihet në publik. Armatosjen e ushtrisë dhe Kosovës e kemi amanet nga dëshmorët e kombit, martirët, invalidet dhe veteranët e luftës”.

    Ish-ministri thotë se Ushtria e Kosovës është nderi dhe krenaria e jonë.

    Në fund të reagimit, Mehaj ka publikuar edhe një fotografi, e që sipas tij është shkrepur në ditët e para të parashtrimit të kërkesës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin” në SHBA).

  • Rrëfimi i Laura Fazliut: Ëndërroj rezultatet e Majlindës

    Rrëfimi i Laura Fazliut: Ëndërroj rezultatet e Majlindës

    Kanë mbetur më pak se 200 ditë. Është vetëm çështje kohe para se të mbarojë gjithçka. Tensioni po rritet, ndërkohë që fokusi po ngushtohet në një gjë dhe vetëm një gjë, pra tek Lojërat Olimpike Paris 2024.

    Aktualisht, shumica xhudistëve po përgatiten në OTC Mittersill në Austri, duke përfshirë finalisten evropiane të vitit 2022 dhe medaljen e bronzit evropian 2023, xhudisten kosovare, Laura Fazliu.

    Fazliu ka dhënë rrëfimin për karrierën e saj për faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Xhudos, ku tregon hapat e saj drejt majave në sportin e xhudos, derisa pranon se ëndrra e saj është që të arrije rezultate dhe medalje si ato të Majlinda Kelmendit.

    Laura, e cila mban edhe pseudonimin e saj Laki, e ka nisur xhudon 10 vite më parë, pasi kushëriri i saj e nxiste gjatë gjithë kohës se duhet të merrej me xhudo. Nga tre vëllezërit e motrat brenda familjes së saj, ajo është e vetmja që praktikon xhudo në çdo nivel. Laura u lind dhe u rrit në Mitrovicë dhe në moshën 15-vjeçare iu bashkua ekipit të ëndrrave “Ippon” në Pejë.

    “Si fëmijë, unë isha një luftëtare dhe Toni trajneri im e pa talentin tim”, thotw fillimisht Laura.

    Pavarësisht gjithçkaje që shohim është lavdi e vazhdueshme, rruga e re nuk ishte e gjitha me lule.

    “Kur e lashë familjen dhe shkova në Pejë për t’u stërvitur, në fillim ishte shumë e vështirë për mua dhe disa muaj më pas doja të kthehesha në shtëpi sepse më mungonin prindërit. Për fat të mirë, trajneri im dhe shokët e mi më ndihmuan të vazhdoj. Kam punuar shumë dhe rezultati erdhi vetë më pas për shkak të punës serioze të trajnerit tim me mua.”, theksoi tutje Fazliu.

    Për Laurën, kujtimi më i frytshëm deri më sot është Kampionatin Evropian në Sofje 2022 ku ajo fitoi çmimin e saj të parë evropian në formën e një medalje argjendi. Sipas momenteve kryesore të vitit 2023, ajo zgjedh Masters,

    “Sepse fitova kundër dy xhudisteve japoneze.”, thotw ajo.

    “Ajo udhëhiqet nga shembuj të jashtëzakonshëm. Në fakt, ajo ka fatin të udhëhiqet nga idhulli i saj, Majlinda Kelmendi, në baza ditore.

    “Shpresoj që një ditë të arrij rezultatet e saj.”, thekson xhudistja nga Mitrovica.

    Tokio 2020 ishte vrapimi i parë i Laurës në një provë olimpike. Ajo vetë e pranon se është e zhgënjyer, por po ashtu i ka bërë një premtim vetes, që ishte se në Paris, ajo do të jetë atje.

    “Ëndrra për medaljen olimpike është e vazhdueshme dhe dua ta bëj për prindërit e mi, ata janë arsyeja që e lashë shtëpinë time kur isha shumë e vogël dhe iu përkushtova xhudos. Unë jam duke punuar shumë, dhe shpresoj për më të mirën, kam trajnerin më të mirë në botë, kështu që besoj tek ai dhe puna jonë. Xhudo është jeta ime, nuk është vetëm një sport. Është gjithçka. Xhudo më ka bërë kjo që jam sot, për shkak të xhudos kam një karakter të fortë, besoj në veten time dhe jam gati për gjithçka në jetë. Parisin, përpiqem të mos e mendoj shumë, sepse më jep stres. Përpiqem të fokusohem në stërvitje dhe përmirësimin e xhudos dhe të jem në formën më të mirë për Olimpiadën.”, thotw nw fund Fazliu.