ATV

Author: ATVLive

  • Blerja e armatimit dhe fuqizimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas njohësve të sigurisë është investim

    Blerja e armatimit dhe fuqizimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas njohësve të sigurisë është investim

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, blerja e raketave amerikane, Javelin, është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Lajmi për blerjen e raketave ngjalli reagime pozitive në mesin e establishmentit kosovar e sipas njohësve të sigurisë, rasti i 24 shtatorit në Banjskë i ka hapur rrugë Kosovës të investojë më shumë në ushtri.

    Për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit, ekzekutivi këtë vit ndau rreth 370 milionë euro apo 22 për qind më shumë se sa në vitin 2023. Fakti që Qeveria është duke i dhënë prioritet ushtrisë dhe mbrojtjes po vlerësohet.

    Menjëherë pas publikimit të lajmit që Kosova ka kërkuar t’i blejë raketat Javelin, edhe Departamenti amerikan i Shtetit e konfirmoi duke thënë se vlera e tyre arrin në 75 milionë dollarë. Fjala është për 246 raketa kundërtanke që prodhohen nga vetë Amerika.

    Kosova, edhe më herët është furnizuar me armë amerikane. Në vitin 2018, Qeveria e atëhershme kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General, për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

  • Konjufca pret Von Cramon: Diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon

    Konjufca pret Von Cramon: Diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon

    Në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, shkruan lajmi.net.

    Po ashtu ata diskutuan edhe për rëndësinë e përshpejtimit të procesit integrues në Bashkimin Europian.

    Njofitmi i plotë:

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon Taubadel, me të cilin diskutoi për proceset aktuale politike në vendin tonë dhe çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës.

    Kryetari Konjufca e njoftoi raportuesen von Cramon për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve që lidhen me këtë proces, ndërsa shprehu kënaqësinë që tashmë edhe qytetarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen.

    Në takim gjithashtu u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

  • ​FSK merr pjesë në operacionin për trajnimin e ushtrisë së Ukrainës

    ​FSK merr pjesë në operacionin për trajnimin e ushtrisë së Ukrainës

    Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) do të zbarkojë në Britaninë e Madhe gjatë këtij muaji për të marrë pjesë në operacionin Interflex, i cili ka për qëllim trajnimin e trupave të Ushtrisë së Ukrainës.

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se ministria që ai drejton dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë ofruar gatishmërinë që të angazhojnë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

    Kësisoj, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i bashkëngjisë një kontingjent të instruktorëve profesionistë njësisë së Ushtrisë së Britanisë së Madhe që realizon operacionin Interlfex, ka shkruar ai në Facebook.

    Sipas tij, ky angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në linjë me qëndrimin e Institucioneve të Kosovës në mbështetje të popullit dhe luftës së drejtë të Ukrainës.

    “Si pjesë e përgatitjeve që po bëhen për këtë operacion, sot takova një grup gazetarësh ukrainas të cilët kanë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim diskutimin rreth situatës aktuale në Ukrainë dhe ofrimin e njohurive kulturore dhe gjuhësore për pjesëtarët e FSK-së, të cilët do të qëndrojnë për gjashtë muaj nën ombrellën e ushtrisë britanike për të kontribuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas”, ka shkruar Maqedonci.

  • Nga sot, të gjitha patrullat e policisë do të pajisen me armë të gjata

    Nga sot, të gjitha patrullat e policisë do të pajisen me armë të gjata

    Nga sot të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisen me armë të gjata, ka bërë të ditur sot ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Armët e gjata, të blera nga një fabrikë e armëve në Kroaci, do të shpërndahen anekënd Kosovës.

    “Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, ka thënë Sveçla.

    “Falënderoj edhe shtetin mik kroat për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri.

    Ndërkohë, ATV raportoi dy ditë më parë se armë të reja të modelit QBZ, gjatë këtij viti pritet të vihen në shërbim të Policisë së Kosovës.

    LEXO EDHE:

    Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

  • Erdogan: SHBA-ja dhe Britania po e shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”

    Erdogan: SHBA-ja dhe Britania po e shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se sulmet amerikane dhe britanike ndaj rebelëve Huthi në Jemen përbënin përdorim joproporcional të forcës, duke i akuzuar këto dy shtete se po tentojnë ta shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”.

    Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka kritikuar ashpër Izraelin për luftën në Gazë, që sipas Izraelit synon të shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe udhëheqësi turk vazhdimisht ka kritikuar shtetet perëndimore se po mbështesin fushatën e Izraelit.

    I pyetur nga gazetarët lidhur me sulmet ajrore dhe detare gjatë natës që u kryen nga forcat amerikane dhe britanike në mbarë Jemenin, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve Huthi – që mbështeten nga Irani – ndaj anijeve në Detin e Kuq, Erdogan tha se këto sulme nuk ishin proporcionale.

    “Ajo çfarë është bërë ka qenë përdorim joproporcional i forcës”, tha Erdogan pas lutjeve të së premtes në Stamboll.

    “Për momentin ata po tentojnë ta shndërrojnë Detin e Kuq në det gjaku dhe Jemenin për shkak të Huthive, dhe duke përdorur të gjithë forcën e tyre, duke thënë se po bëjnë përgjigjen e duhur në rajon”, shtoi ai, duke përmendur SHBA-në dhe Britaninë.

    Turqia në përgjithësi mbështet Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe mbështet procesin e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara që synon paqen midis ekzekutivit dhe rebelëve Huthi të cilët kontrollojnë shumicën e shtetit.

    Në të kaluarën, Ankaraja ka dënuar sulmet me raketa të kryera nga rebelët Huthi në Arabinë Saudite.

    Rebelët Huthi kanë sulmuar anijet që transportojnë mallra përmes Detit të Zi, duke thënë se sulmet janë në mbështetje të palestinezëve. /rel

  • Organizatat e shoqërisë civile: Qeveria të hap të dhënat e Fondit të Sigurisë

    Organizatat e shoqërisë civile: Qeveria të hap të dhënat e Fondit të Sigurisë

    Organizatat jo-qeveritare të poshtëshënuara ftojnë Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke deklasifikuar këto informata.

    Përmes vendimit nr.12/2022, ish-drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismajli, i kishte klasifikuar si “KONFIDENCIALE” të gjitha informatat në lidhje me “Fondin e Sigurisë”. Me 13 korrik 2023, z. Ahmet Ismajli është zgjedhur Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “Mjetet qe mblidhen ne fondin e sigurisë janë donacione te dedikuara, që do të pranohen nga brenda dhe jashtë vendit nga individë dhe organizata, ku përveç tjerash tregohet gatishmëria dhe mobilizimi financiar mbarëkombëtar, faktin se këto mjete janë ekskluzivisht të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, dhe të njëjtat në procesin e shpenzimit janë të klasifikuara nga Ministria e Mbrojtjes si Organizatë Buxhetore, dhe bazuar në situatën aktuale të sigurisë, konstatohet se hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

    Klasifikimi i këtij dokumenti ishte bërë, duke bazuar në Ligjin tashmë të shfuqizuar për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë Nr. 08/L-175. Nënvizimi se “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë” është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte. Interpretimi kaq i gjerë i cënimit të “sigurisë rajonale dhe më gjerë” përmes informatave në lidhje me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar, është qartazi i pabazuar. Për më tepër, një deklarim i tillë, është edhe paradoksal meqenëse të gjitha ligjet për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu, është paradoksale që buxheti bazë i Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i publikuar në detaje derisa shumë e një fondi vullnetar të jetë konfidenciale.

    Sa i përket “sigurisë kombëtare”, jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [e aplikuar në Kosovë sipas nenit 53 të Kushtetutës] ka përcaktuar se përkundër faktit se nocioni i sigurisë kombëtare nuk mund të përkufizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ka një dimension të gjerë vlerësimi, kufijtë e këtij kuptimi nuk mund të shtrihen përtej kuptimit të saj natyror (Rasti C.G dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 1365/07).

    Standardet e mira ndërkombëtare përcaktojnë se në rastin e klasifikimit të informacioneve duhet të tregohet kategoria e ngushtë e informacionit dhe të përshkruhet dëmi që mund të rezultojë nga zbulimi, duke përfshirë edhe nivelin e seriozitetit dhe probabilitetin[1]. Vendimi në fjalë, as për së afërmi nuk përmbush këto standarde.

    Në rastin konkret, kemi të bëjmë me fonde vullnetare të qytetarëve, të cilët më pas dedikohen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu, në rastin konkret, paratë e mbledhura konsiderohen para publike [Neni 2 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë]. Kushtetuta e Republikës së Kosovës [neni 120.1.] ka përcaktuar se “Shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës”. Ndërsa, Ligji Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike [Neni 17.3.3.1] ka përcaktuar se “Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse: 3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike”.

    Kështu, nuk është në tekstin dhe frymën e rendit juridik kosovar që me vendime, të cilat përmbajnë arsyetime abstrakte, të cënohen parimet bazë. Andaj, OJQ-të e poshtëshënuara vlerësojnë se klasifikimi i informatave lidhur me “Fondin e Sigurisë” nga ish-drejtori i Thesarit, tani Guvernator i BQK-së, z. Ahmet Ismajli, është në kundërshtim me ligjin dhe standardet e mira ndërkombëtare.

    AIP ka pranuar kërkesë për iniciminin e deklasifikimit të informacionit më 8 qershor 2022. Mbetet e paqartë përse AIP deri më tani nuk ka nxjerrë një vendim përfundimtar për këtë kërkesë, në mënyrë që publiku ta realizojnë të drejtën e tyre për t’u informuar. Mbyllja hermetike e të dhënave për Fondin e Sigurisë është dëshmi e fortë e mungesës së transparencës së qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne ftojmë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që brenda mandatit që ka, ta mbrojë ligjshmërinë dhe të drejtën e qytetarëve për qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke dëshmuar përmes këtij rasti pavarësinë institucionale dhe politike.

    Nëse Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk nxjerr një vendim meritor për këtë rast, OJQ-të e poshtë shënuara do të shqyrtojnë mundësinë e inicimit të procedurave gjyqësore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për tu informuar.

  • ​NATO: Irani ka përgjegjësi të veçantë në përfundimin e sulmeve Houthi

    ​NATO: Irani ka përgjegjësi të veçantë në përfundimin e sulmeve Houthi

    NATO tha të premten se Irani ka një përgjegjësi të veçantë në përfundimin e sulmeve Houthi, duke i quajtur sulmet e kryera nga SHBA dhe Britania e Madhe mbrojtëse.

    “Gjatë muajve të fundit, ne kemi parë forcat Houthi të tentojnë dhjetëra sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. Këto sulme janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë detare dhe tregtinë ndërkombëtare,” tha zëdhënësi Dylan White në një deklaratë për Anadolu.

    Duke vënë në dukje se sulme të tilla tashmë ishin dënuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, White tha se komuniteti ndërkombëtar “e bëri të qartë se do të kishte pasoja nëse këto sulme nuk përfundonin”.

    “Këto sulme ishin mbrojtëse dhe të dizajnuara për të ruajtur lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më vitale në botë,” tha ai në lidhje me sulmet e kryera nga SHBA dhe Britania e Madhe të enjten vonë kundër një numri objektivash Houthi në Jemen, me mbështetjen e Kanadasë, Holandës, Australisë dhe Bahrejnit.

    “Sulmet Houthi duhet të marrin fund. Forcat Houthi mbështeten, furnizohen dhe pajisen nga Irani. Kështu që Teherani ka një përgjegjësi të veçantë për të mbretëruar në përfaqësuesit e tij,” shtoi White.

    Sulmi vjen si përgjigje ndaj goditjeve të vazhdueshme me dronë dhe raketa nga grupi jemenas, i cili mbështetet nga Irani, në linjat ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq që filluan në nëntor në përgjigje të luftës së Izraelit në Gaza.

    Deti i Kuq është një rrugë ujore kritike për tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht për dërgesat e naftës dhe karburantit, duke lidhur kanalin e Suezit në Egjipt me Gjirin e Adenit nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab.

    Sipas ushtrisë amerikane, Houthi-t kanë kryer 27 sulme në Detin e Kuq qe nga 19 nëntori. /AA

  • ​Paralajmërohen klubet e Serie-A: Duart larg nga gjyqtarët

    ​Paralajmërohen klubet e Serie-A: Duart larg nga gjyqtarët

    Përcaktuesi i arbitrave Gianluca Rocchi ka paralajmëruar klubet e Serisë A që zyrtarët e ndeshjes nuk do të pranojnë më kritika të njëpasnjëshme, por gjithashtu ka pranuar se ka pasur disa gabime që mund të shmangeshin në disa prej ndeshjeve të fundit në kampionat dhe kupë.

    Rocchi mbajti një konferencë shtypi të premten pasi presioni ndaj gjyqtarëve të Serie A dhe VAR po rritet me protesta të përsëritura nga klubet dhe lojtarët.

    “Ne bëmë gabime të shmangshme gjatë dy raundeve të fundit dhe unë u zemërova”, pranoi Rocchi, një ish-arbitër i Serisë A, përcjellë KosovaPress.

    “Që tani e tutje, megjithatë, ne nuk do të pranojmë më gjithçka. Ne jemi njerëz të respektuar, djemtë janë njerëz të respektuar. Larg duart prej tyre. Nëse unë jam problemi, mund të largohem menjëherë.”, ka shtuar ai.

    Ai ka shtuar më tutje se veprimet e gjyqtarëve shpjegohen javë pas jave, por gabimet janë diçka që mund të ndodhin ën një ndeshje.

    “Ne shpjegojmë gabimet tona çdo javë, sepse duam t’u bëjmë të ditur njerëzve se si punojmë. Të dish se pas një gabimi, mund të ketë diçka sipërfaqësore ose një vlerësim të pasaktë, por asgjë më shumë.”

    “Kërkoj respekt për rolet tona; ne nuk fshihemi kur gabojmë, por nuk do të pranojmë më dhunën dhe agresionin.”, theksoi ai.

    Në fund, Rochi ka thënë se ka dallime të shumta nga ndeshja në ndeshje, sepse në disa prej tyre presioni është shumë më i madh.

    “Dy raundet e fundit ishin më sfiduese sepse kishte më shumë faulle. Ndeshjet e Ligën e Kampionëve janë më të lehta sepse skuadrat luajnë futboll dhe arbitri nuk i bie shumë bilbilit. Juventus-Inter ishte e lehtë sepse ata luanin futboll dhe nuk kishte tension apo shumë faulle”, përfundoi Rocchi.

  • ​Papa anulon audiencën për shkak të bronkitit

    ​Papa anulon audiencën për shkak të bronkitit

    Papa Françesku të premten anuloi audienca e tretë dhe të fundit të ditës për shkak të bronkitit.

    “Do të doja ta lexoja të gjithë fjalimin, por kam një problem: pak bronkit”, tha Papa në audiencën e tretë këtë mëngjes, me një grup komunikues francezë.

    Megjithëse zëri i tij ishte i munduar, Papa e kishte dorëzuar fjalimet e planifikuara në dy audiencat e mëparshme. /ANSA

  • ​BE do të zgjerojë zonën Schengen nga marsi 2024

    ​BE do të zgjerojë zonën Schengen nga marsi 2024

    Më 30 dhjetor 2023, Presidenca spanjolle e Këshillit të BE-së njoftoi se Rumania dhe Bullgaria do të integrohen pjesërisht në zonën Schengen në mars 2024.

    Rumania dhe Bullgaria, të dyja anëtare të BE që nga viti 2007, u refuzuan në fund të vitit 2022 nga blloku në zonën e gjerë Schengen, brenda të cilës më shumë se 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm.

    Edhe pse Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian ka vite që siguron që të dyja vendet janë të përgatitura për të hyrë në Schengen, Austria dhe Holanda bllokuan pranimin e tyre deri më tani.

    Pas negociatave të ndërlikuara, Bullgaria dhe Rumania arritën një marrëveshje me Austrinë për t’u bashkuar me zonën Schengen për ajrin dhe kalimet detare si fillim, por jo nga toka.

    Së bashku, të tri vendet më vonë do të bien dakord për datën se kur do të përfundojnë kontrollet në kufijtë tokësorë të Rumanisë dhe Bullgarisë.

    Holanda bllokoi hyrjen e Bullgarisë për më shumë se 10 vjet mbi shqetësimet për sundimin e ligjit. Parlamenti holandez votoi më 21 dhjetor 2023 për të miratuar qëndrimin në favor të hyrjes së Bullgarisë në Schengen.

    Në Rumani, vendimi i pjesshëm i anëtarësimit u mirëprit nga koalicioni qeverisës dhe mjedisi i biznesit por i kritikuar nga opozita. Kryeministri Marcel Ciolacu e përshkroi këtë vendim si një hap i madh përpara, duke theksuar se Qeveria rumune do të vazhdojë të punojë për të përfunduar procesin këtë vit.

    Nga ana tjetër, disa eurodeputetë rumunë shprehën pakënaqësi me këtë aderim të pjesshëm në Schengen.

    Eurodeputeti Eugen Tomac beson se Komisioni Evropian dhe Presidenca spanjolle e BE-së luajtën “kartën e kompromisit” me Austrinë, ndërsa eurodeputeti Dacian Cioloș, i cili është edhe ish-komisionar evropian për Bujqësi, vuri në dukje se rumunët trajtohen si qytetarë evropianë të rendit të dytë.

    Komisioni Evropian ka premtuar të mbështesë Bullgarinë dhe Rumaninë në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Bullgaria, në veçanti, do të merr mbështetje të konsiderueshme financiare nga Komisioni Evropian, si dhe ndihmë operacionale dhe teknike nga agjencia evropiane e kufirit, Frontex, veçanërisht në kufirin me Turqinë dhe Serbinë.

    “Kërkesat e Austrisë do të plotësohen”, ka shkruar kancelari austriak Karl Nehammer në rrjetin social X në fund të dhjetorit.

    “Misioni i Frontex në Rumani dhe Bullgari do të rriten dhe të dyja vendet do të marrin më shumë fonde të BE-së”.

    Ministrja e Jashtme bullgare Mariya Gabriel shpresonte që një datë për heqjen e kontrolleve kufitare tokësore do të konfirmohej në 2024.

    Qeveria e Bullgarisë, nga ana e saj, është e përkushtuar duke zbatuar në mënyrë rigoroze Rregulloren e Dublinit, e cila përfshin ripranimin e personave të regjistruar si azilkërkues në vend, në përputhje me rregullat e Komunitetit për vendin e parë përgjegjës.

    Ndërkohë, ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq tha se qëkur Kroacia iu bashkua Schengenit, në vitin 2023 mbi 1.850 trafikantë të migrantëve u arrestuan nga policia kroate ose 90 për qind më shumë krahasuar me 2022. /ANSA