ATV

Author: ATVLive

  • Arsim Prepolli: Jemi me fat që jetojmë në kohën e Messit dhe Ronaldos

    Arsim Prepolli: Jemi me fat që jetojmë në kohën e Messit dhe Ronaldos

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ në ATV, Arsim Prepolli e ka komentuar fitoren e Messit për çmimet për më të mirin në Botë.

    Sipas Prepollit, Leo Messi e ka merituar plotësisht çmimin që i është dhënë sonte.

    ‘Jemi me fat që jetojmë në kohën e Messit dhe Ronaldos. Messi është ujku i vjetër. Ai është më i mirë se të gjithë tjerët. Fal tij edhe në Amerikë po shikojnë futboll. Kështu që e ka meritu’. tha Prepolli.

    Kujtojmë që Messi sot e fitoi për herë të dytë radhazi çmimin ‘The Best’ nga FIFA.

    Emisionin e plotë mundeni me live më poshtë.

  • Gërvalla e pret në Morinë Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë

    Gërvalla e pret në Morinë Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka arritur në Kosovës sot pas vizitës zyrtare që e ka paralajmëruar.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është pritur nga homologia e tij, Donika Gërvalla-Schwarz.

    “Në pikën kufitare të Morinës, me miken dhe homologen Donika Gërvalla – Schwarz, në nisje të turit tre ditor në rajon”.

    “Ndalesa e parë, Kosova për të vijuar me Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi”, ka shkruar Hasani.

    Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nesër gjatë ditës.

  • Gjykimi për vrasjen e Triumf Rizës, do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë

    Gjykimi për vrasjen e Triumf Rizës, do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë

    Përgatiti: Nora Luta

    Procesi i rigjykimit për vrasjen e policit Triumf Riza është pothuajse në përfundim.

    Por para se të dëgjohet fjala përfundimtare, në rastin në të cilin për nxitje të vrasjes së Rizës akuzohet Enver Sekiraqa, Prokuroria Speciale ka propozuar që të dëgjohet ish-shoku dhe kolegu i tij, Arben Selmanaj.

    Ndonëse, kishte kundërshtime nga mbrojtja me arsyetimin se dëshmia e tij nuk është relevante, gjykata në seancën e së hënës e aprovoi kërkesën e PSRK-së.

    Babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, në seancën paraprake kishte thënë se Arbeni nuk ka dëshmuar më herët, për shkak të frikës.

    Vendimi i gjykatës që Selmanaj të dëgjohet, nxiti mbrojtjen të propozojë dëshmitar të ri, që u kundërshtua nga Prokuroria.

    Megjithatë, trupi gjykues ka vendosur që të dëgjohet edhe dëshmitari i mbrojtjes.

    Ndërkohë, ish-polici Arben Selmanaj pritet të dëgjohet për herë të parë për këtë rast përmes video-linkut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe jeton që nga koha kur kishte mbetur i plagosur, në incidentin në “Swiss Casino”, në vitin 2006, mes grupit të Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës.

    Enver Sekiraqa aktualisht është në arrest shtëpiak dhe këtë të hënë Gjykata refuzoi sërish kërkesën që t’i ndryshohet masa.

    Ai akuzohet se e nxiti vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, ndërsa për vrasjen e Rizës, u dënua me 35 vjet burgim Arben Berisha.

  • Kryeshefi i ri i “Trepçës”: Do të angazhohem për realizimin e kërkesave

    Kryeshefi i ri i “Trepçës”: Do të angazhohem për realizimin e kërkesave

    Përgatiti: Armand Hoti

    Enis Abdurrahmani, në uebfaqen zyrtare të ndërmarrjes “Trepça”, vazhdon të figurojë si ushtrues detyre i kryeshefit. Por, kjo pozitë që nga java e kaluar nuk i takon më atij.

    Konkursi për pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes, rezultoi me emërimin e Bashkim Kurtit, kryeshef të gjigantit të dikurshëm metalurgjik.

    “Pikat e forta, për mua është shumë esencial preciziteti, menaxhimi i kohës, dakordimet paraprake për mua janë shumë të rëndësishme dhe kam monitorim tejet të rreptë ndaj tyre. Goxha detajist, kërkues po në anën tjetër edhe motivues edhe përkrahës”, tha Kurti.

    I biri i minatorit që vdiq në horizontin e dhjetë të minierës së Stan Tërgut gjatë viteve të ‘80-ta, e ka të qartë se në çfarë momentumi po e merr udhëheqjen e “Trepçës”.

    “Nuk ka mundësi të bazohemi në ndihma nga Qeveria as askush, kur “Trepça” ka mundësi ta menaxhojë veten pa ndihmë të askujt. A kemi nevojë për ndihmë në drejtim të investimeve kapitale, besoj se po. Së paku referuar raporteve zyrtare, të publikuara, qoftë raporti i auditorit apo plani i biznesit i kompanisë, gjendja është goxha alarmante, goxha shqetësuese. Por, besoj se me punë dhe angazhim gjithë këto do të tejkalohen”, tha Kurti.

    Ai thotë se do të angazhohet në realizimin e kërkesave të të gjithë punëtorëve të “Trepçës”.

    “Pika kyçe realisht është siguria e stafit. Kjo është pika kyçe. A do të punojmë seriozisht në këtë çështje? Me siguri se po. A është e lehtë të realizohet? Nuk e besoj! Por a është e mundshme? Gjithsesi se po. Sidomos ata në zgafelle do trajtohen me prioritet”, tha Kurti.

    I zgjedhuri si kryeshef në ndërmarrjen “Trepça”, ka një kontratë me kohëzgjatje prej tri vjetësh.

    Enis Abdurrahmani, ish-kryeshefi i padëshiruar për minatorët sindikalist, në shtator të vitit 2023 u shkarkua nga bordi paraprak i ndërmarrjes.

    Më pas Qeveria e Kosovës e shkarkoi atë bord, duke emëruar një Bord të ri, që ktheu përsëri Abdurrahmanin në detyrë.

    Nga viti 2019 deri në atë 2023, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 30 milionë euro subvencione për ndërmarrjen. Me pjesën më të madhe të mjeteve financiare janë mbuluar shpenzimet operative të ndërmarrjes.

    ATV-ja ka raportuar se “Trepça”, me Enis Abdurrahmanin në krye, deri në tetor të vitit të kaluar nuk kishte arritur të realizojë as gjysmën e shitjeve të planifikuara për tërë vitin.

  • Gënjyen se “shkolla është prapa”, nxënësit organizojnë mbrëmje muzikore

    Gënjyen se “shkolla është prapa”, nxënësit organizojnë mbrëmje muzikore

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në pamje të parë duket sikur mbrëmje e maturës.

    Por në fakt janë nxënësit 16 vjeç të shkollave të mesme në Ferizaj, që organizuan mbrëmje muzikore.

    Madje, për këtë organizim gënjyen se po e bënte shkolla, në mënyrë që të marrin leje e para nga prindërit.

    “Ne kemi dalë edhe me njoftim që drejtoria e arsimit nuk është mbrapa këtyre organizime dhe këto janë të jashtëligjshme, jemi munduar që të komunikojmë edhe me këshillin e prindërve që përgjegjësia të mos mbetet mbi ne…”, tha Selim Marevci, zedhënës në Komunën e Ferizajt.

    Nga 25 euro për person, ishte shuma që duhej të mblidhej, që organizimi të mos dështonte.

    Për më tepër ndeja ishte edhe me këngëtar.

    Për këto organizime është i njoftuar inspektorati komunal.

    “Ne natyrisht që sapo e kemi marrë vesh lajmin për organizimin, kemi komunikuar edhe me inspektoratin e punës, pasi pamfletet kanë qenë publike edhe për këngëtarët që kanë marrë pjesë, nuk i di procedurat e tyre por kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjithë, është punë e inspektoratit pjesa tjetër”, tha drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu.

    Organizimet si këto, po e shqetësojnë drejtoreshën Nebihu, e cila thotë se shumica e nxënësve nuk kanë libra shkollorë, derisa japin para të shumta për këso aktivitete.

    “Është tronditëse të thuhet, por është e vërtetë, që nga fillimi i vitit shkollor ka nxënës pa asnjë libër në çantat e tyre, përderisa shpenzimet për mbrëmje të tilla që po i organizojnë, mbrëmjet dihet, veshja, organizimi, transporti e të tjera”, tha Nebihu.

    Organizime të tilla janë mbajtur edhe vitet e kaluara.

    Sipas raportit të policisë që e posedon gjimnazi “Shaban Hashani”, për shkak të konsumimit të tepruar të pijeve alkoolike, disa nxënës kanë përfunduar në emergjencë.

  • “Gabim i madh i BE-së”, Von Cramon theksoi urgjencën për zbatim të marrëveshjes

    “Gabim i madh i BE-së”, Von Cramon theksoi urgjencën për zbatim të marrëveshjes

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me frikën se mund të lihet në harresë, deputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, theksoi urgjencën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, para muajit Qershor.

    Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit, krahas forcimit eventual të partive të djathta në Parlamentin Evropian, sipas saj, mund të ndikojnë në raport me mbështetjen ndaj Kosovës.

    “Po, e kuptoj dëshirën që të kemi njohjen de fakto, para zbatimit. Është kërkesë absolutisht legjitime, e mbështes Qeverinë në këtë dhe, gjithashtu, mendoj vitin e kaluar BE-ja bëri një gabim të madh, në mars, që nuk këmbënguli për nënshkrime nga të dyja palët. Por, shqetësimi është nëse e vonojmë gjithë procesin tani, do të kemi zgjedhje evropiane, mbase mund të ketë president të ri në Shtëpinë e Bardhë që mund të mos e mbështesë vendin aq sa mund ta mbështesë presidenti aktual. Do të kemi situatë ndryshe në BE, do të kemi Gazën, Ukrainën, Tajvanin, Huthi etj., kam frikë se në fund askush nuk brengoset për dialogun dhe njerëzit këtu”, tha Von Cramon.

    Edhe pse rezultatet eventuale nuk i ndërlidh me afatet kohore, ajo theksoi se pesë muajt e ardhshëm në dialog janë jetik.

    “Nuk është tërësisht e drejtë, por sidoqoftë ju lutem bëjeni të mundur në javët dhe muajt e ardhshëm, edhe nëse mendoni se nuk është detyra juaj, edhe nëse mendoni se pala tjetër duhet të përmbushë [obligimet]. Nëse do të isha këtu do të provoja të bindja qytetarët e mi, votuesit e mi, që edhe nëse prisni diçka tjetër nga unë – që unë jam rezistent, që unë jam figura heroike – në interes të qytetarëve, unë do të filloja me zbatimin. Kjo është këshilla ime e sinqertë, por ky është shtet sovran, qeveri sovrane dhe secili mund vendos dhe të bëjë çfarë dëshiron vetë, mos më keqkuptoni”, tha Von Cramon.

    Pa dhënë një cilësim të qartë juridik, ajo foli edhe për atë që Kosova e cilëson “akt agresioni nga Serbia, përmes sulmi terrorist paramilitar në Banjskë”.
    “Ajo që kemi dëgjuar është që kishte përfshirje serioze nga grupe të ndryshme armatosura nga Serbia dhe ishte një test për të parë se si po punojnë forcat e sigurisë, e po ashtu se si do të reagonin BE-ja, perëndimi dhe SHBA-ja. A ishte rrezik për një lufte të menjëhershme, mund të them se, fatmirësisht për ne, kemi KFOR-in këtu, dhe mendoj se është mirë që NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve. Mendoj është siguri, kjo është ajo që rajoni ka nevojë. Mos më keqkuptoni. Mendoj që ka arsye që NATO-ja vendosi të fuqizojë masat e sigurisë. Por, nuk jam e sigurt se fotografia se nesër mund të ketë luftë është reale. Të nxisësh frikë në shoqëri është pak e rrezikshme”, tha Von Cramon.

    Përkundër pretendimeve për paqartësi procedurale, euro-deputetja tha se inicimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri tani varet nga interesimi për mbledhjen e nënshkrimeve.

    Në tema të tjera, Von Cramon i quajti të papranueshme sulmet e Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të drejtësisë.

  • “15 janari 1999” në kujtimet e atyre që ndihmuan shqiptarët gjatë luftës

    “15 janari 1999” në kujtimet e atyre që ndihmuan shqiptarët gjatë luftës

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Lotët i rrodhën posa shkeli në Reçak.

    Ilmi Bardhi, në Kosovë erdhi për herë të parë, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

    Në varret e 45 të masakruarve, për herë të parë i pa edhe emrat e atyre, që ai u kishte ndihmuar gjatë luftës.

    “Për herë të parë kam ardhë në Kosovë, kam shprehë dëshirë me rastin e këtij përvjetori me kolegun tim, për çdo moment kemi qenë në ndihmë të kosovarëve gjatë kohës së luftës. Jemi mundu të mirën e të keqen me e nda bashkë, jemi kanë në rrezik edhe prej maqedonve edhe prej serbëve, por dashti zoti na ka rujt, me gjithë zemër kemi punuar”, tha Bardhi.

    Por ndryshe nga Bardhi, Agron Mehmeti, 25 vjet më parë ishte në Reçak. Ai edhe sot e ka të freskët kujtimin për mëngjesin e kobshëm të 15 janarit të vitit 1999.

    “Ka qenë dita më e dhimbshme për mua, ka qenë një ngjarje shumë tragjike, afër meje është vrarë axha, vajza e tij, është plagosur edhe vajza e tij. Ka pasë sy të nxjerrë, organe të nxjerra. Më e rënda është kur njerëzit i ke afër, i sheh duke u vrarë dhe nuk ke mundësi të bësh asgjë”, tha Mehmeti.

    Dhimbja për të bëhet më e rëndë, kur e di që kryerësit e kësaj vepre ende nuk janë të dënuar.

    “Serbia ka vrarë njerëz të pafajshëm, vetëm se kanë qenë shqiptarë, e 25 vjet pas luftës, Serbia e quan këtë masakër trillim dhe bota po toleron e nuk po e dënon Serbinë për krimet e kryera. Komanda e Serbisë ende nuk është gjykuar dhe ende nuk është dënuar”, tha Mehmeti.

    Në nëntor të vitit të kaluar ka nisur gjykimi në mungesë ndaj Cedomir Aksiqit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

    Ndërsa në po të njëjtin vit, në 24-vjetorin e masakrës që bëri kthesë të madhe Prokuroria Speciale pati njoftuar se ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare ndaj 18 personave serbë, të cilët që nga paslufta nuk ndodhen në Kosovë.

  • Zgjatet përmbushja e kërkesave të policisë

    Zgjatet përmbushja e kërkesave të policisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kërkesat e policëve për rritje pagash nuk mund të realizohen edhe për pak kohë.

    Kështu ka deklaruar, të hënën, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin”, tha Sveçla.

    Kryetari i komisionit, Bekë Berisha, pyeti ministrin Sveçla nëse do të ketë shtesa dhe privilegje për polici.

    “Duke pasur parasysh se çfarë fqinji verior kemi, emergjencat nuk do të kryhen shpejt. Aspiratat e Serbisë vetëm se po vazhdojnë, por edhe aktivitetet e tyre konkrete po vazhdojnë në minimin e shtetit të Kosovës. Nuk pres që këto do të kryhen shpejt”, tha Berisha.

    “Në aspektin e privilegjeve, pres që situata jo të përmirësohet, por të ngrihet. Jemi duke hyrë në procesin e përcaktimit të ekspertizës te policët, duke qenë se ka policisë që kanë ekspertizë të veçantë e të cilët duhet të klasifikohen më ndryshe se që janë klasifikuar deri tani”, tha Sveçla.

    Ministri i Punëve të Brendshme lavdëroi Policinë e Kosovës sërish për rezultatet e treguara në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Ai kërkoi që Prokuroria të ngrejë akuza për këtë rast.

    “Është fakt se PK-ja ka ndërmarrë procesin hetimor më të madhin në historinë e saj me rastin e Banjskës, edhe për ka rëndësia, por edhe nga numri i dëshmive me të cilat është dashtë që të merret apo të procedojë. Një pjesë e këtyre dëshmive tashmë janë publike, një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë fuqishëm besoj se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raporti përfundimtar”, tha Sveçla.

    Sveçla, me këtë rast, tha se nga themelimi i policisë së Kosovës, 24 policë kanë rënë në detyrë.

  • Lajçaku takon Bislimin: Është urgjent zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së normalizimit

    Lajçaku takon Bislimin: Është urgjent zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së normalizimit

    Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është takuar të hënën në Zvicër me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi për të diskutuar për çështjet e ndërlidhura me dialogun.

    Lajçak ka shkruar në X se me Bislimin kanë biseduar për një gamë të gjerë të çështjeve të ndërlidhura me dialogun dhe se janë pajtuar që zbatimi i shpejt i marrëveshjes së normalizimit është urgjent.

    “Përpara takimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, takova zëvendëskryeministrin e pare, Besnik Bislimi për të diskutuar një gamë të gjerë temash të dialogut dhe pritjet për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në periudhën e ardhshme. Ne ramë dakord që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit është urgjent”, ka shkruar Lajçak në X.

  • 10 mijë fermerë “paralizojnë” Berlinin, me traktorë e kamionë në Portën e Brandenburgut

    10 mijë fermerë “paralizojnë” Berlinin, me traktorë e kamionë në Portën e Brandenburgut

    Berlini është shndërruar të hënën në qendrën e protestave të fermerëve nga mbarë Gjermania kundër planit të qeverisë Scholz, për të shkurtuar paketat e subvencionimeve për naftën.

    Pasi prej disa ditësh kanë shprehur revoltën e tyre duke bllokuar hyrjet e autostradave dhe ngadalësuar trafikun në të gjithë Gjermaninë, 10.000 fermerë, me mjetet e tyre bujqësore e nisën javën duke bllokuar simbolin e kryeqytetit, “Portën e Brandenburgut”.

    “Mijëra fermerë po mbushin rrugët e kryeqytetit gjerman për të protestuar kundër reduktimit të subvencioneve bujqësore, një fakt që shumë shpejt mund të rëndojë publikun konsumator”, raporton gazeta “Bild”.

    Sipas gazetës “Bild”, 1300 policë janë vendosur në rrugët e kryeqytetit duke mbikëqyrur demonstratën e fermerëve.