ATV

Author: ATVLive

  • Hoti: Marrëveshja e Ohrit një gropë ku ra Kosova, si nuk e kuptuan Qeveria e Presidentja juriste

    Hoti: Marrëveshja e Ohrit një gropë ku ra Kosova, si nuk e kuptuan Qeveria e Presidentja juriste

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë qeverisjes së Isa Mustafës është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian që shtron rrugën për integrim drejt BE-së. Hoti thotë se kjo është marrëveshja e parë kontraktuale Kosovë-BE, me status të veçantë për shkak të vendeve mosnjohëse në BE.

    Por Hoti thotë se Qeveria Kuti e ka degraduar këtë marrëveshje dhe gjithë procesin integrues të Kosovës, duke ia nënshtruar MSA-në zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që sipas ish-kryeministrit Hoti ka nene problematike për rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.

    Hoti kujton se Marrëveshja e Ohrit është bërë me vullnet të lirë e madje Kurti ka insistuar nëpër korridoret e hotelit në Ohër për të marrë nënshkrimin e marrëveshjes. Megjithatë thotë se tashmë kur është shkaktuar dëmi e kur Kosova po vuan nga sanksionet e BE-së, Kurti po kërkon të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit.

    Deputeti i LDK-së pyet se si gjithë ajo Qeveri, me gjithë këshilltarët e me Presidenten Osmani si juriste, s’kanë arritur ta kuptojnë gropën ku kanë rënë kur është pranuar Marrëveshja e Ohrit. Sipas Hotit, tashmë është normale që BE-ja injoron një kërkesë të tillë të Qeverisë.

    Reagimi i plotë:

    Në vitin 2015, Qeveria Mustafa ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, e cila e trason rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Kjo mbetet marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, sigurisht me status të veçantë pasi kishte dhe ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën.

    Qeveria aktuale e degradoi MSA-në dhe gjithë procesin e integrimit evropian të Kosovës duke ia nënshtruar atë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka disa nene shumë problematike për rendin kushtetues dhe ligjor së Kosovës. Marrëveshja e Ohrit u bë me vullnet të lirë, bile Kryeministri insistonte nëpër korridoret e hotelit në Ohër për nënshkrim të marrëveshjes.

    Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup, Kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë, e me Presidenten juristen, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që iu bënë BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

  • ​Komisioni për rezervat shtetërore diskuton për ekspertët e buxhetin

    ​Komisioni për rezervat shtetërore diskuton për ekspertët e buxhetin

    Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore ka diskutuar në lidhje me buxhetin dhe angazhimin e ekspertëve. Për pretendimet se ka pasur keqpërdorime e abuzime me rezervat shtetërore, pritet që të angazhohen tre ekspertë. Ndërkaq, për buxhetin u tha se do të definohet mbledhjen e ardhshme të komisionit.

    Fillimisht është diskutuar sa i përket nënshkrimit të një deklarate nën betim për mos shpërndarjen e dokumenteve që mund të sillen pranë komisionit hetimor.

    Kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj tha se ende nuk posedojnë asnjë dokument, për çka presin në të ardhmen që t’i sigurojnë nga institucionet e Kosovës.

    Tutje, komisioni ka diskutuar edhe sa i përket buxhetit dhe angazhimin e ekspertëve.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se angazhimi i anëtarëve të komisionit nuk mund të kompensohet më shumë se në dy komisione.

    “Deputetët nuk mund të kompensohen më shumë se dy komisione, që në këtë rast kjo duhet të jetë të jetë e paraparë me buxhet. Ky është komisioni i tretë, për vete e di që nuk mund të paguhem edhe është e rëndësishme që të gjithë ta potencojmë në planifikimet tona. Puna që bëhet nuk paguhet përtej dy komisioneve, me sa e di është rregull. E dyta është cilat kanë qenë tarifat që i kemi aplikuar për ekspertët, të definohet qartë edhe e treta, se cili do të jetë varësisht prej planit të punës, duhet të parashohim sa shpenzime. Sa i përket ekspertëve, këshilla ime është që të jemi më fleksibil sa i përket kohëzgjatjes së angazhimit, për shkak se herëve të kaluara ka pasur ca sfida për shkak se tarifat kanë qenë më të ulëta dhe ishte vështirë të gjejmë ekspertë”, deklaroi Muja.

    Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi tha se ekspertët e angazhuar duhet të jenë në tri fusha.

    “Unë mendoj që të paktën duhet të jenë në tri fushat, si auditori, jurist dhe në fushën e prokurimit që në veçanti kjo lëndë specifike për çështjen e prokurimit. Unë nuk jam i mendimit që të ketë dy ekspertë, por mendoj që duhet të jenë tre ekspertë. Këto janë tri fushat të cilat do të na hyjnë në punë gjatë procesit të këtij komisioni”, shtoi ai.

    Me këtë është pajtuar edhe kryetari i komisionit, Rashit Qalaj, por jo edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    “Sa i përket rezervave shtetërore nuk shkohet me prokurim publik, dihet ligji si e përcakton edhe të shkohet me negocim por jo me prokurim publik. Dhe këtu nuk besoj që na hyn diçka që na ndihmon eksperti i prokurimit publik”, theksoi Lekaj.

    Lekaj tha se ngecja e punës në këtë komision është bërë për shkak të partisë në pushtet.

  • Nga 1 shkurti, pjesëtarët e PK-së në kryeqytet do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor

    Nga 1 shkurti, pjesëtarët e PK-së në kryeqytet do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka njoftuar të martën drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK), Gazmend Hoxha, për të gjitha shërbimet që do të jepen falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë për të gjithë pjesëtarët e Policisë, raporton Ekonomia Online.

    Sadiku bëri të ditur për gazetarët se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti 2024, pas vendimit që ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës.

    Ai tha se ka njoftuar drejtorin e policisë në detaje për shërbimet që do t’i ofrohen pjesëtarëve të Policisë.

    “Ne e kemi njoftuar drejtorin e policisë në detaje rreth shërbimeve të marrëveshjes se nga 1 shkurti do të përcjellin një mesazh tek të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit në Prishtinë, edhe shërbimi shëndetësor i policisë do të bashkëpunoj me neve”

    Ndërkaq, drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha, tha se ky është një vendim i drejt dhe i mirëpritur për policinë.

    Ai tha se shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve të Prishtinës.

    “Ne u njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur, ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që ti shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti, po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha ai.

  • Ministrja Gërvalla fillon vizitën zyrtare në Monako, në fokus anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

    Ministrja Gërvalla fillon vizitën zyrtare në Monako, në fokus anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

    Gjatë vizitës dy ditore, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, do të zhvillojë takime me krerët e institucioneve më të larta shtetërore të Principatës së Monakos.

    Ministrja Gërvalla do të pritet në takim nga Ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Isabelle Berro-Amadeï, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, z. Fabrice Notari dhe përfaqësues të tjerë.

    Vizita e Ministres Gërvalla në Monako është një mundësi e mirë e zhvillimit dhe fuqizimit të raporteve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.

    Principata e Monakos ka mbështetur Kosovën në fushën e telekomunikimit, duke i mundësuar përdorimin e kodit telefonik, asistencë në instalimin dhe funksionalizimin e telefonisë mobile në Kosovë, në procesin e deritanishëm të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, mbështetje në fushatën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, anëtarësimin në Kartën Rinore Evropiane – EYCA etj.

  • Gjenden produkte medicinale pa origjinë në veri

    Gjenden produkte medicinale pa origjinë në veri

    Policia e Kosovës ka gjetur një depo në afërsi të stacionit të Mitrovicës së Veriut, që thuhet se ka produkte medicinale dhe nuk iu dihet origjina.

    Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, i ka thënë KOHËS se ka njoftuar Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) për të kuptuar rreth përmbajtjes.

    Ai ka bërë të ditur se janë duke verifikuar nëse i takojnë Spitalit Rajonal të Mitrovicës.

    “Pas pranimit të informacioneve se në një depo/magazinë në afërsi të stacionit të autobusëve mund të kemi mall të kontrabanduar. Policia ka reaguar dhe kemi kuptuar se aty ka produkte medicinale për të cilët nuk dihej origjina. Sot kemi thirrur Doganën dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale, ndërsa në ndërkohë kemi kuptuar se kjo depo mund të kishte produkte medicinale brenda, e që menaxhohen nga Spitali Rajonal i Mitrovicës Veri. Tani së bashku me personelin e spitalit jemi në proces të verifikimit të kësaj depoje”, ka thënë Elshani.

  • Azemi: 150 mijë punëtorë me ikë për një muaj, unë po ua kam lakmi Qeverisë dhe kompanive që nuk po ndërmarrin asgjë

    Azemi: 150 mijë punëtorë me ikë për një muaj, unë po ua kam lakmi Qeverisë dhe kompanive që nuk po ndërmarrin asgjë

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, duke iu referuar raportimeve se 400 autobusë nisën për vendet e BE-së çdo ditë nga Kosova, tha se sikur te jenë edhe vetëm 100 autobusë, është një shqetësim i madh.

    “Po të shohësh, brenda dite hajde ta lëmë që po thuhet 400 autobusë, por vetëm 100 autobusë nëse ikin jashtë nga Kosova, llogaritne që për çdo ditë ikin 5 mijë vetë, brenda 30 ditë i ke 150 mijë vetë, që me të vërtetë është një shqetësim për të cilin unë po ua kam lakmi institucioneve shtetërore, por edhe pronarëve të kompanive që nuk po ndërmarrin asgjë”, tha Zemi.

    Ai tha se procesi i ikjes së punëtorëve nuk ka filluar nga janari i këtij viti, por dy vite më parë.

    “Tash për tash nuk është në pyetje kontrata e punës, por ndalesa e punëtorëve si t’i joshim. Por, me politikat që i kemi edhe nga Qeveria, edhe nga pronarët e kompanive, për derisa tek pronarët ka një lëvizje. Unë vërtetë ndoshta mund të jem pak skeptik, por po e shoh një frikë shumë të madhe që procesi i punës te kompanitë në nivel të Kosovës, do të dëmtohet dita ditës, sepse ky proces nuk ka filluar që nga janari, por proces ka filluar me të madhe që nga dy vitet e fundit dhe ne nuk kemi bërë asgjë, as për pagën minimale, as për krijimin e kushteve të punëtorëve në sektorin privat të Kosovës dhe realisht jemi në një stuhi për të cilën të jeni të bindur që do të ketë mungesë katastrofale për një kohë bukur të shkurtë”, tha Azemi. /atvlve.tv

  • Azemi: Nuk po them do të mbesim pa punëtorë, por po them se tashmë veç se kemi mbetur

    Azemi: Nuk po them do të mbesim pa punëtorë, por po them se tashmë veç se kemi mbetur

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, deklaroi se në Kosovë, tani veç se po ndihet mungesa e punëtorëve.

    “Unë nuk po them që do të mbesim, por po them se veç se kemi mbetë. Realisht ne duhet të dalim nga zyrat tona dhe të shkojmë nëpër kompani e të shohim se asnjë kompani në nivel të Kosovës nuk e ka procesin e punës të garantuar sepse për çdo ditë kemi ikje të punëtorëve edhe të atyre me kualifikime të larta, nuk ka siguri”, tha Azemi. /atvlive.tv

  • ​Kosova pritet ta themelojë Agjencinë e Rrugëve

    ​Kosova pritet ta themelojë Agjencinë e Rrugëve

    Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim me 6 vota pro ka kaluar në parim projektligjin për rrugët i cili ka për qëllim rregullimin e rrugëve publike të kategorizuara dhe të pa kategorizuara, planifikimin, ndërtimin, financimin, menaxhimin, mirëmbajtjen si dhe mbikëqyrjen e tyre. Derisa, pjesë e këtij projektligji ishte edhe themelimi i Agjencisë së Rrugëve të Kosovës.

    Ky komision, përveç këtij projektligji, ka miratuar procesverbale si dhe ka shqyrtuar Raportin e punës për vitin 2023 dhe nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

    Kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli tha se ky projektligj ka ardhur në kuvend dhe i ka 60 nene, derisa potencoi se ka për qëllim të rregullojë pozitën juridike, mënyrën e rregullimit të rrugëve publike të kategorizuara dhe të pa kategorizuara, planifikimin, ndërtimin, financimin, kategorizimin, menaxhimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen, masat për mbrojtjen e rrugëve, trafikut që zhvillohet në to dhe themelimin e Agjencisë së Rrugëve të Kosovës.

    “Ky projektligj ka ardhur në Kuvend dhe i ka 60 nene dhe ka për qëllim të rregullojë pozitën juridike, mënyrën e rregullimit të rrugëve publike të kategorizuara dhe të pa kategorizuara, planifikimin, ndërtimin, financimin, kategorizimin, menaxhimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen, masat për mbrojtjen e rrugëve, trafikut që zhvillohet në to dhe themelimin e Agjencisë së Rrugëve të Kosovës. Opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave do të ketë kosto shtesë buxhetore për vitin 2024 dhe 2025 për 24 mijë euro. Në kategorinë e pagave dhe shtesave që ndërlidhet me diferencën në pagë, nga kalimi prej pozitës së drejtorit të departamentit në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Menaxhimin e Rrugëve”, tha Pacolli.

    Gjatë kësaj mbledhje, Pacolli shtoi se opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave do të ketë kosto shtesë 24 mijë euro për vitin 2024 dhe 2025.

  • Nga imitimi i këngëtarëve e deri te Gold AG, Arian Agushi rrëfen historinë e tij me muzikën

    Nga imitimi i këngëtarëve e deri te Gold AG, Arian Agushi rrëfen historinë e tij me muzikën

    I ftuar në rubrikën “Profil” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, këtë të martë ishte i ftuar reperi i njohur Arian Agushi, i njohur për publikun si “Gold AG”.

    Në bisedën e zhvilluar me gazetaren e ATV-së, Jeta Povataj, reperi me prejardhje nga Presheva rrëfeu historinë e tij me muzikën.

    Talentin për muzikën, ai e cilëson se e ka dhuratë prej Zotit, ndërsa si i vogël thotë se kishte imituar këngëtarë të ndryshëm.

    “Talentin e krejt këto mirësi që i kam, e kam cilësu edhe më herët se i kam dhuratë prej Zotit. Si i vogël kam imitu këngëtarë të ndryshëm të asaj kohe, kështu që kushdo që më njeh prej asaj kohe si Arian i vogël, e di që unë gjithmonë kam qenë ky që jam, sa i përket punës së muzikës, sa i përket punës së imitimeve, kam qenë pa marre, a kam qenë në klasë, a kam qenë në shëtitje, gjithmonë kam qenë që kam dalë, kam këndu e kamë bërë atmosferë me ato mundësitë që i kemi pasë atëherë. Kjo gradualisht është rritë, prej imitimeve të ndryshme deri sa ka ardhë një moment kur e kam bërë edhe këngën e parë dhe kam vazhdu si Gold AG”, rrëfen Ariani.

    Bisedën e tij të plotë për ATV-në e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova dhe Shqipëria së shpejti me objekt për trajnimin e forcave të policisë

    Kosova dhe Shqipëria së shpejti me objekt për trajnimin e forcave të policisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është duke qëndruar për vizitë në Shqipëri.

    Ai bashkë me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, sot ishin në Vlorë për të ndarë një objekt për trajnime të përbashkëta të policisë.

    “Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me Ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë”, ka thënë Balla.