ATV

Author: ATVLive

  • ​Nis sot Liga Unike për femra

    ​Nis sot Liga Unike për femra

    Në mesjavë, të martën dhe të mërkurën do të zhvillohet xhiroja e parë në Ligën Unike Femrat për edicionin e ri.

    Qysh në javën e parë do të kemi ndeshje interesante, ku liga hapet me sfidën me kampionit dhe ish-kampionit. Partizani është mikpritës i Prishtinës, ku të dyja skuadrat synojnë fitoren. Skuadra tiranase është kampione aktuale, derisa ajo prishtinase e kishte fituar titullin e parë.

    Takim po ashtu interesant shihet mes Bashkimit dhe Flamurtarit, dy skuadra me ambicie të mëdha në këtë edicion.

    Të mërkurën zhvillohet sfida e fundit, ku do të ndeshen Tirana me Penzën.

    Edhe në këtë edicion do të marrin pjesë gjashtë skuadra, tri më të mirat e Kosovës dhe Shqipërisë, të renditura për edicionin e kaluar në ligat e tyre vendore.

    Gjithsej do të zhvillohen dhjetë xhiro, ku secila do të përballet me secilën, si vendas dhe si mysafir. Më pas do të zhvillohet Final 4, me katër skuadrat më të mira në renditje. Final 4 do të zhvillohet më 2/3 prill në Kosovë, ku do të përcaktohet kampioni i kësaj lige.

  • Parlamenti Evropian kërkon reforma të BE-së para zgjerimit

    Parlamenti Evropian kërkon reforma të BE-së para zgjerimit

    Bashkimi Evropian duhet t’i përshtatë kapacitetet e veta institucionale dhe financiare teksa bëhet gati për zgjerim, dhe ky proces duhet të monitorohet më shumë nga Parlamenti Evropian.

    Kështu vlerëson një raport që është votuar të martën në takimin e përbashkët të dy komisioneve në Parlamentin Evropian, atij për Çështje Kushtetuese dhe atij për Punë të Jashtme.

    Në raportin me titullin “Thellimi i integrimeve në BE në dritën e zgjerimit“, vlerësohet rëndësia e madhe e procesit të zgjerimit si një proces gjeo-strategjik, i cili do të forcojë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin evropian.

    Shprehet mbështetje për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, të cilat synojnë anëtarësimin në BE.

    Raporti është miratuar me 56 vota për, 20 kundër dhe gjashtë abstenime, në takimin e përbashkët të Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe atij për Politikë të Jashtme.

    “Nënvizojmë se reformat institucionale dhe financiare për të promovuar qeverisjen e mirë, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë, janë të nevojshme për të siguruar që BE-ja të ketë kapacitete për të absorbuar anëtarët e rinj dhe të promovojë integrimin e tyre të suksesshëm“, përmendet në raport.

    Raporti propozon edhe nevojën për reforma institucionale, të cilat do të përfshijnë edhe thjeshtëzimin e procedurave të miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti dhe duke e zëvendësuar atë me shumicë të kualifikuar në fushat si mbrojtja e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, sanksionet dhe vendimet relevante në politikën e jashtme.

    Me anë të këtij propozimi synohet të parandalohet bllokimi i disa vendimeve nga vendet anëtare.

    Nga vendet kandidate kërkohet që ta kryejnë punën e tyre para se të bëhen anëtare të BE-së.

    Aty përfshihet dëshmia e qartë e përkushtimit për anëtarësim në BE, por edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe mospajtimeve bilaterale e rajonale.

    Mes tjerash, në raport përmendet se janë të nevojshme disa reforma në BE, para zgjerimit, pas mekanizmat ekzistues institucionalë nuk janë të mjaftueshëm për një bllok evropian që potencialisht mund t’i ketë 37 vende anëtare.

    Parlamenti Evropian kërkon që kornizat e ardhshme financiare shumëvjeçare të BE-së të marrin parasysh edhe zgjerimin, i cili do të jetë barrë e madhe financiare për Bashkimin Evropian.

    Formalisht në procesin e zgjerimit tash janë 10 vende.

    Gjashtë vende nga Ballkani Perëndimor; Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat e kanë statusin e vendit kandidat.

    Kosova nuk e gëzon këtë status, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022.

    Së fundi, statusin e vendit kandidat e kanë marrë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

    Turqia është një rast tjetër. Ajo i ka nisur negociatat e anëtarësimit në tetor të vitit 2005, por procesi është ngrirë, megjithëse edhe Turqia vazhdon të trajtohet si vend kandidat dhe përfshihet në procesin e zgjerimit.

  • Tomë Gashi pranon zyrtarisht kërkesën e xhaxhait të Lulzim Fejzullahut, i drejtohet Prokurorisë

    Tomë Gashi pranon zyrtarisht kërkesën e xhaxhait të Lulzim Fejzullahut, i drejtohet Prokurorisë

    Avokati Tomë Gashi e ka pranuar zyrtarisht kërkesën e familjarëve të Lulzim Fejzullahut për ta përfaqësuar lëndën e vrasjes së 18-vjeçarit.

    Kërkesa, avokatit Gashi iu bë të hënën nga Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i 18-vjeçarit.

    Sot, Gashi e ka marrë përsipër përfaqësimin e familjes në këtë lëndë.

    Ai e ka dorëzuar autorizimin e tij në Prokurori, Gjykatë dhe IPK dhe ka kërkuar përgjigje nga këto institucione lidhur me shkresat e lëndës.

    “Ne cilësi te avokatit-perfaqesuesit juridik te Rrahim Fejzullahut – axha i te ndjerit Lulzim Fejzullahu, sot kam dorëzuar autorizimin ne Prokurori, Gjykate dhe IPK. Tani, po presim përgjigje nga këto institucione”, ka shkruar Gashi.

  • Polici shkel me veturë këmbësoren, arrestohet dhe suspendohet nga puna

    Polici shkel me veturë këmbësoren, arrestohet dhe suspendohet nga puna

    Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se është arrestuar një zyrtar policor si dhe është suspenduar nga puna, i cili të hënën gjatë kohës që nuk ishte në orar të punës, me veturë private ka goditur një këmbësore.

    Në komunikatë thuhet se IPK ka pranuar informatat të hënën në orët e mbrëmjës lidhur me një aksident trafiku me lëndime trupore mes një automjeti dhe një këmbësori.

    Sipas hetimeve, IPK ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 17:00 në Obiliq dhe dyshohet se polici i cili ishte drejtuesi i automjetit, ka goditur këmbësoren që në ato momente ishte duke e kaluar rrugën.

    “Pasi që ka ndodhur aksidenti, vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në QKUK Prishtinë”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

    IPK ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, dhe ndaj tij prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë, si dhe është suspenduar nga puna.

  • 23 vjeçari në SHBA vret 8 persona

    23 vjeçari në SHBA vret 8 persona

    Ka marrë fund arratia e personit të armatosur përgjegjës për vrasjen e 8-fishtë që u regjistruan në zona të ndryshme të qytetit Joliet të Illinois, fundjavën e kaluar.

    Autori, 23-vjeçari Romeo Nance, u qëllua për vdekje pranë qytetit Natalia në Teksas gjatë një konfrontimi me forcat e policisë, të cilat ishin ngritur në këmbë për kapjen e tij.

    Romeo i kreu vrasjet në vende të ndryshme të qytetit të vogël. 7 nga viktimat u gjetën në 2 shtëpi, teksa e 8 u zbulua të dielën.

    Në një deklaratë, departamenti i policisë Joliet tha se Nance ishte pikasur nga Marshallët e SHBA-së, pranë Natalias rreth orës 20:30, shkruan A2CNN.

    Motivi i sulmit nuk është bërë menjëherë i qartë, por i dyshuari besohet se i ka njohur viktimat.

  • Konjufca dhe Basha takohen në Këshillin e Evropes, Basha: Do ngrejmë zërin që edhe Kosova të jetë pjesë e saj

    Konjufca dhe Basha takohen në Këshillin e Evropes, Basha: Do ngrejmë zërin që edhe Kosova të jetë pjesë e saj

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputeti i parlamentit shqiptar, Lulzim Basha janë takuar këtë të martë në objektin e Këshillit të Evropes, raporton Ekonomia Online.

    Kjo është bërë e ditur nga vet Basha i cili ka postuar fotografi ku shihen së bashku.

    “Kënaqësi të takoja në KiE kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes shqiptarëve në këto kohë sfidash, është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    Unë dhe PD do të jemi në krah të Kosovës dhe do të ngremë zërin në institucionet ndërkombëtare, që Kosova të bëhet sa më parë pjesë dhe të ndalet përpjekja e Serbisë për destabilizim”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Pejë: Vjehrra dhe kunata ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

    Pejë: Vjehrra dhe kunata ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

    Një rast i dhunes ndodhur në një familje në fshatin Loxhë të Pejë, ku dy grua dyshohen se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së djalit/vëllait të tyre.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 47-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se vjehrra dhe kunata kanë ushtruar dhunë psikike ndaj saj, duke i bërë presion.

    Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se ndër të tjera, nëna dhe motra e burrit të saj edhe e kanë ofenduar me fjalë si “oj lapericë, kurvë…”

    Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarat, të cilat janë intervistuar lidhur me rastin.

    Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është marrë edhe dëshmia e bashkëshortit të viktimës.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të dyshuarave është iniciuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

  • NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

    NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

    NATO-ja ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliardë eurove për municion artilerie 155 milimetrash, ka thënë të martën aleanca.

    Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të këtij vendi se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus.

    “Lufta në Ukrainë është bërë betejë municionesh”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e aleancës në Bruksel.

    NATO-ja e ka nënshkruar marrëveshjen në emër të shumë aleatëve që ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.

    Blerja e muncioneve me shumicë u garanton atyre çmime më të ulëta.

    Vendet e NATO-s pritet të pranojnë rreth 220.000 pjesë municionesh artilerie, dhe dërgesat e para pritet të lëshohen në fund të vitit 2025, ka thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ato do të prodhohen prej kompanisë franceze Nexet dhe asaj gjermane Junghans.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

  • Berisha për herë të parë në SPAK: Nuk u mor vesh kush pyeti më shumë, ata apo unë

    Berisha për herë të parë në SPAK: Nuk u mor vesh kush pyeti më shumë, ata apo unë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është paraqitur për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri për t’u marrë në pyetje sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”.

    Ai ka dalë nga banesa e tij i shoqëruar nga forca policie, por i buzëqeshur duke thënë një fjali të vetme: “Beteja pa kthim vazhdon!”

    I pyetur nga gazetarwt se cilat ishin pyetjet që i drejtuan prokurorët e SPAK, ish-kryeministri Berisha tha se “nuk u mor vesh kush drejtoi më shumë pyetje, ata mua apo unë atyre”.

    “Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Se ligji thoshin… ku u tregova ligjin e 2004 dhe nenin për shpronësimet. Por ata e kanë fshehur… Rama është personi… nëse Berisha s’ka asnjë firmë në procesin e blerjen, ia ka një sërë firmash. Akuza që më bëhet se e ndryshova destinacionin për të favorizuar Malltezin, është njësoj si të thuash se bleva Ramën për të favorizuar dhëndrin. Rama ka firmosur ndryshimin e destinacionit, kur ishte pronë shtetërore. Si ka mundësi që Rama firmos lejen e sheshit të ndërtimit dhe ju nuk guxoni ta përmendni. Si ka mundësi që injoroni emrin e Ramës, kur gjykata e ka dënuar”, ka thënë Berisha, shkruan Top channel, transmeton KosovaPress.

    Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 Dhjetorit. Nuk dihet ende nëse ai do pranojë të shkojë në SPAK, pasi në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues.

    Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.

  • Të hyrat nga interesi, bankat e Kosovës fituan 123.7 milionë euro për tre muaj

    Të hyrat nga interesi, bankat e Kosovës fituan 123.7 milionë euro për tre muaj

    Bankat e Kosovës raportohet se po vazhdojnë të përformojnë me fitime të larta. Në tremujorin e tretë të vitit 2023, bankat kanë pasur një profit neto prej 123.7 milionë eurove, sipas BQK-së.

    Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të rritjes të së hyrave, që kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

    “Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e lartë se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë…” – thuhet në raport mes tjerash.

    Ndërkaq, sipas BQK-së, gjithsej të hyrat kanë arritur vlerën prej 317 milionë eurove, që është një rritje prej 17.2 për qind prej vitit të kaluar.

    Në këtë rritje, kryesisht kanë ndikuar të hyrat nga interesi, që përfaqësijnë 74.0 për qind të të hyrave.

    “Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317.1 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 17.2 përqind (13.6 përqind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 përqind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tri vitet e fundit, si dhe rritjes së normave të interesit në kredi. Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.” – thuhet tutje.