ATV

Author: ATVLive

  • Kurti e vlerëson “historike” hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë

    Kurti e vlerëson “historike” hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Aterrimi i parë nga Tirana në Kosovë, përmes korridoreve ajrore të reja u bë.
    Më të arritur në Aeroportin “Adem Jashari”, i gjithë ekuipazhi shkrepi fotografi, për ta kujtuar gjatë momentin që u quajt historik.

    Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë u cilësua historike edhe nga Kryeministri I Kosovës Albin Kurti.

    “Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimit sjell benefite edhe për mërgatën tonë. Rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave, si dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti i Prishtinës ‘Adem Jashari”, tha Kurti.

    Hapja e këtyre korridoreve, sipas ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu, shton edhe një mundësi tjetër për hyrje ajrore në Kosovë.

    Më parë ishte mundësia e vetme për hyrje në Kosovës nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, tash i kemi shtuar edhe korridoret e reja e që krahas punëve që janë bërë në zgjerimin e pistës dhe avancimin e sistemeve të navigimit, personeli dhe mundësitë e agjencive tona tashmë janë të shtuara”, tha Aliu.

    Derisa shtoi se do të punojnë për hapjen e korridoreve ajrore edhe me Malin e Zi, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se kjo ngjarje është tregim suksesi.

    “Kjo është një storje suksesi e përbashkët. Kjo hapje e hapësirës ajrore duhet të ishte hapur më herët. E planifikueshme për fluturim ku të gjithë do të përfitojnë shumë. Kjo është një e mirë edhe për mjedisin, por edhe për çmimet e biletave. Sot kemi një arsye për të festuar dhe dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontribute dhe do të punojmë për hapjen e një korridori me Malin e Zi”, tha Rohde.

    Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020. Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

  • Mbi 300 aplikime të pashqyrtuara në KPMM, s’ka bord për t’i shqyrtuar ato

    Mbi 300 aplikime të pashqyrtuara në KPMM, s’ka bord për t’i shqyrtuar ato

    Përgatiti: Armand Hoti

    Makineritë i mbetën të fikura.

    Në mungesë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, aplikimi për shfrytëzim të resurseve, i biznesmenit, Daut Fazlija, i cili është pronar i një gurthyesi në Caralevë të Shtimes, ka mbetur pa u shqyrtuar.

    Rrjedhimisht, Fazlija nuk mund ta shfrytëzojë gurin në pronën e tij.

    “Mua më është ndërprerë puna në qershor të vitit të kaluar, mirëpo, duke falënderuar policinë dhe drejtorinë për miniera më janë lejuar dy minime speciale për rehabilitim të zonës… Jo, jo nuk sjell shumë përfitime, sepse janë minime të vogla, por të më lejojnë që gjatë kësaj me e rehabilitu këtë zonë, unë do e kisha përfundu këtë zonë dhe do e prisja Bordin”, tha Fazlija.

    Në mungesë të licencës për shfrytëzim, ai detyrohet ta blejë gurin, pasi që kompania e tij është fituese e projektit për kryerjen e punëve anësore në hekurudhën Fushë Kosovë – Hani Elezit.

    “Unë e kam një projekt ndërkombëtar, hekurudhën e trenit, d.m.th. Han i Elezit Fushë Kosovë, e kom marrë shumë të “Alba” në Kaçanik dhe disa kompani në Kaçanik, pra janë çmimet asi soji që nëse nuk e kam gurin tim është problem të fitoj, po duhet me humb nga pak”, tha Fazlija.

    Por aplikimi i Fazlijës nuk është i vetmi që nuk është shqyrtuar. Referuar të dhënave të KPMM-së, saktësisht 303 aplikime të kategorive të ndryshme ende s’janë shqyrtuar.

    “Po, ka ndërmarrje që kanë projekte kapitale nga Bashkimi Evropian dhe janë peng i mospajisjes me licencë dhe leje. Kemi shumë ndërmarrje që e kanë dorëzuar aplikacionin e kompletuar në KPMM për vazhdim të Licencës /Lejes. Në mungesë të Bordit nuk mund të pajisen, çka nënkupton se ndërmarrjet nuk e kanë statusin aktiv, por të skaduar. Nëse ato zhvillojnë aktivitet konsiderohet veprim i jashtëligjshëm, si veprime të tilla ka disa tek lejet për aktivitete të veçanta”, thuhet në njoftimin KPMM-së.

    Më 20 janar ka përfunduar afati për aplikimin e kandidatëve që synojnë pozitën e anëtarit të bordit të KPMM-së.

    “Numri i kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të bordit të KPMM-së është gjashtëdhjetegjashtë (66). Anëtarët e komisionit janë njoftuar për mbylljen e konkursit për anëtarë të Bordit të KPMM-së, dhe komisioni do të takohet në ditët në vijim për fillimin e shqyrtimit të CV-ve. Komisioni posa t’i përfundojë procedurat, do t’ia propozojë Qeverisë kandidatët për miratim. Pas miratimit në Qeveri, kandidatët e përzgjedhur do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

    Tashmë është bërë mbi një vit që KPMM-ja ka mbetur pa bord aktiv që do t’i shqyrtonte aplikimet. Bordi i KPMM-së përbëhet nga pesë anëtarë.

  • Ndarja e dialogut nga procesi i integrimit në BE “përplas” Bislimin me Dvorakun

    Ndarja e dialogut nga procesi i integrimit në BE “përplas” Bislimin me Dvorakun

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ideja për ndarjen e procesit të dialogut nga ai i integrimit në Bashkimin Evropian, nuk mbeti veç në Shkup.

    Pas kryeministrit Kurti, nevojën për këtë ndarje e theksoi edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, madje në krah të Martin Dvorakut, ministrit për çështje Evropiane të Çekisë, shtet ky që për 6 muaj të vitit të shkuar mbajti presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

    “Duhet të ndahet procesi i dialogut nga Bashkimi Evropian. Sepse masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, po na pengojnë në punën për t’u integruar”, tha Bislimi.

    Por, përgjigjja e 67-vjeçarit çek për këtë propozim qe e shpejtë dhe me pak shpresë për Bislimin.

    “Një shprehje e miqësisë përfshin gjithashtu të qenit i hapur dhe i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me Beogradin dhe dialogun. Pyetja e mbylljes së lidhjes së fqinjësisë së mirë dhe procesit të integrimit evropian kanë të bëjnë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Martin Dvorak.

    Në pjesën tjetër të konferencës, nuk pati divergjenca mes politikanëve. Të dy, folën për raportet mes dy shteteve dhe rëndësinë e heqjes së vizave për Kosovën.

    “Më vjen mirë që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht në shtetet e BE-së, sikurse unë kam ardhur në Kosovë. Mbështetja e vazhdueshme e Çekisë në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, janë disa nga to. Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt i Kosovës”, tha Dvorak.

    “Kemi histori të mirë me Çekinë, sidomos për kohën kur ishte në krye të presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian…”, tha Bislimi.

    Ministri çek me profesion ekonomist, pak minuta pas aterrimit në Prishtinë u prit në takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Një orë më vonë u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi e pastaj edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

  • Përsëritet premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë- Gjilan

    Përsëritet premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë- Gjilan

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, punimet për të cilën filluan gati 6 vjet më parë, u përsërit. Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, brenda këtij viti do të përfundojë kjo autostradë dhe projekte të tjera.

    “Do të fillojë këtë vit vazhdimi i autostradës së Gjilanit deri në Dheun e Bardhë. Pra nga Gjilani, nga Bresalci deri në Dheun e Bardhë do të fillojmë autostradën e cila qytetarët e Kosovës, e po ashtu ata të rajonit e në veçanti qytetarët e Shqipërisë do të mund t’i lidhë me korridorin 10 përmes Prishtinës. Respektivisht përmes lidhjes së dy autostradave drejt Bujanovcit dhe me këtë rast edhe shqiptarët në komunën e Bujanovcit do të mund të bëhen pikë e rëndësishme e transitit, edhe të mallrave edhe të qytetarëve”, tha Aliu.

    Gjatë konferencës për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Aliu tha se 120 milionë euro janë paguar tashmë e që ishin borxh i shpronësimeve.

    “Kemi arritur që mbi 120 milionë euro t’i bëjmë pagesa të viteve të shkuara, dhe tani presim edhe me 20 milionë të tjera… Vetëm në fushën e pronave private kemi pasur mbi 102 milionë euro borxh dhe këto kanë mbetur në më pak se 17 milion euro”, tha Aliu.

    Mes tjerash, Aliu i ka komentuar edhe raportimet rreth shkëmbimit të pronave komunale në Prishtinë me prona në Badoc, të cilat ishin në pronësi të një ish-klienti të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

    Aliu ka theksuar se nuk është në dijeni të këtij vendimi e as se çfarë përmban ai.

  • Qeveria ia rekomandon Kuvendit dy emra për një pozitë në bordin e OSHP-së

    Qeveria ia rekomandon Kuvendit dy emra për një pozitë në bordin e OSHP-së

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Prioritetet e vitit të fundit të mandatit, kryeministri Albin Kurti i paraqiti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

    Përpos prioriteteve, qeveria mori edhe disa vendime, sikurse plotësim-ndryshimi i ligjit, me ç’rast shqiptarëve të Luginës iu mundësohet blerja e pronave në Kosovë.
    Gjithashtu, në këtë mbledhje ekzekutivi i propozoi Kuvendit dy emra për anëtarë të bordit të OSHP-së dhe emëroi anëtarët e Bordit të kompanisë “Drini i Bardhë”.

    Lidhur me investimet në shëndetësi më gjerësisht foli ministri Arben Vitia. Sipas tij, 7 milionë euro do të investohen këtë vit në Sistemin Informativ Shëndetësor.

    “Përveç në disa pjesëve harduerike të cilat duhet patjetër në implementimin e SISh-it, zgjerimit të rrjetit qeveritar, deri te ambulanca e fundit në secilin cep të Kosovës, janë edhe disa produkte të tjera që e vendosin bazën për Sistemin Informativ Shëndetësor, e cila pastaj do të jetë e mjaftueshme për të kaluar në krijimin e sistemit dhe si parakusht për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, tha Vitia.

    Jo më larg se muajin që po vjen pritet të arrijë edhe aparatura për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të sëmundjeve të tjera.

    Gjithashtu, Vitia foli edhe për furnizimin me barna për të cilin tha se asnjë kompani s’ka marrë pjesë në procesin tenderik të 2023-ës, për shkak të shumës së vogël që ishte ofruar, derisa shtoi se tashmë është rritur buxheti për 10%.

  • ShBA- ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin

    ShBA- ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ambasada amerikane në Kosovë kërkoi nga Qeveria e Kosovës rishikimin e vendimit të BQK-së për paratë e gatshme, me anë të të cilit nga 1 shkurti ndalohet përdorimi i dinarit serb.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Evropës së Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë te banorët.

    “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

    Kërkesës së SHBA-së i është kundërpërgjigjur të mërkurën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.

    Ndërsa, përkundër insistimit, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka treguar të mërkurën nëse do ta rishqyrtojë vendimin që thotë se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë, është Euro.

    Megjithatë, njohës të fushës vlerësojnë se afati është shumë i shkurtër, andaj duhet të shtyhet sepse mund t’i dëmtojë shumë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

    Ndërsa, për ish-guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, ky institucion nuk ishte dashur të nxjerrë rregullore kur një gjë e tillë është e shkruar në ligj.

    Në rregulloren për operacionet për paratë e gatshme, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”.

  • Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

    Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ministria e Mbrojtjes nuk ishte fare në dijeni se ndaj kompanisë “BENI DONA” e cila përfitoi tenderë milionësh ka kallëzim penal aktiv.

    Në fund të vitit të kaluar, kjo ministri me procedurë të negociuar, tenderin me mbi 2 milionë euro, për t’i ushqyer pjesëtarët e Forcës së Sigurisë ia dha kompanisë e cila dyshohet se më parë kishte furnizuar Policinë e Kosovës, me ushqim me afat të skaduar.

    “Ne si Autoritet Kontraktues nuk kemi qenë në dijeni për ndonjë kallëzim penal ndaj Operatorit Ekonomik në fjalë dhe nuk jemi të informuar për një gjë të tillë prej asnjë nga institucionet përkatëse apo kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Ministria e Mbrojtjes nga “BENI – DONA” kishte kërkuar: Vërtetimin nga Administrata Tatimore dhe nga Gjykata Themelore, por jo edhe ndonjë dëshmi nëse është subjekt i ndonjë hetimi.

    Ardit Dragusha, nga Demokraci Plus, thekson se kompanitë që dyshohen për keqpërdorime vazhdojnë të marrin miliona euro nga Autoritetet Kontraktuese për shkak të mangësive që ka Ligji për Prokurimin Publik.

    “Do të thotë Ligji i Prokurimit Publik parasheh që vetëm nëse ka ndonjë vendim të formës së prerë që rezulton me dënim, sepse nëse kompania është subjekt i hetimit nga Prokuroria, atëherë Autoritetet Kontraktuese nuk kërkojnë dëshmi sepse edhe ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ka një hendek ligjor këtu, andaj kompanitë që dyshohet se kanë falsifikuar ose janë subjekt i hetimit vazhdojnë të marrin miliona euro”, tha Dragusha.

    Megjithatë, sipas tij, autoritetet kontraktuese e kanë një rrugë tjetër të cilën mund ta ndjekin.

    “Ekziston “Lista e Zezë” që në këto raste duhet të aplikohet, sepse nga OSHP-ja mund të kërkosh që një kompani të futet në këtë listë vetëm nëse ka dyshime për ndonjë keqpërdorim. Pra nuk ka nevojë të pritet për ndonjë vendim të prerë nga Gjykatat Kompetente. Por, këtë rrugë Autoritetet Kontraktuese e ndjekin shumë pak”, tha Dragusha.

    “BENI DONA” me procedurë të negociuar mori tender edhe në fillim të vitit 2023. Vlera e tenderit paraprak, gjithashtu, ishte mbi 2 milionë euro, që i bie vetëm nga Ministria e Mbrojtjes i fitoi rreth 5 milionë euro brenda një viti.

  • Moderatori Resul Sinani po shijon pushimet në Kilimanxharo, ngjitet në majën më të lartë në kontinentin afrikan

    Moderatori Resul Sinani po shijon pushimet në Kilimanxharo, ngjitet në majën më të lartë në kontinentin afrikan

    Moderatori i njohur kosovar, Resul Sinani, ka disa vite që ka filluar të merret me alpinizëm.

    Drejtuesi i emisionit LIBERO në ATV, i shtyrë nga pasioni për alpinizëm, këtë fillimvit zgjodhi si destinacion Tanzaninë në Afrikën Lindore.

    Në profilin e tij në facebook, ai ka ndarë pamje nga maja Uhuru të malit Kirimanxharo.

    “”Nuk është mali që ne pushtojmë, por veten tonë”, ka shkruar ai në facebook.

    Maja Uhuru, xhevahiri i kurorës së malit Kilimanjaro, qëndron si pika më e lartë në kontinentin afrikan, me në një lartësi prej 5,895 metrash (19,341 këmbë) mbi nivelin e detit.

    E vendosur në majë të Kibos, konit qendror vullkanik të Kilimanxharos, maja Uhuru ofron një pamje panoramike mahnitëse që shtrihet në hapësira të gjera të peizazhit të Afrikës Lindore. /atvlive.tv

  • Rrustemi: Ende nuk duket në horizont shkuarja e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese

    Rrustemi: Ende nuk duket në horizont shkuarja e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çështja e Asociacionit së pari duhet të trajtohet në proces të dialogut dhe se ende nuk duket në horizont shkuarja në Gjykatë Kushtetuese.

    “Çështja e Asociacionit së pari duhet të trajtohet në proces të dialogut, në kuptimin, duhet të shihet dhe të diskutohet si proces. Jemi larg një veprimi jo të përfilljes ose jo të vlerësimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, por nuk duket në horizont shkuarja në Gjykatë Kushtetuese”, tha Rrustemi.

    Ai tha se draft statuti nuk është pranuar nga Kosova, sipas tij në aspektin e marrjes për sipër për zbatimin e tij.

    “Do ta shohim procesin në tërësi. Është e vërtetë që zoti Kurti në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel me kancelarin Gjerman, presidentin francez dhe kryeministren italiane dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, edhe për shkak të si rrjedhojë e vlerësimit të vetë treshes së të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian për shkak të urgjencës, ka shprehur gatishmërinë për t’i nënshkruar ato tri dokumentet, Marrëveshjen bazë të Brukselit, Aneksin e Ohrit edhe Draftin e statutit për pikën 7 të Marrëveshjes së propozuar nga fasilituesit, por Serbia ka refuzuar nënshkrimin, respektivisht pranimin dhe zbatimin. Draft statuti nuk është pranuar. Po të pranohej nuk ka nevojë me shku në Kuvend, por nuk është pranu”, tha Rrustemi. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Kërkohet të mos afatizohet procesi për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale

    Kërkohet të mos afatizohet procesi për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë vetëm 2009 prej tyre kanë aplikuar për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale.

    Prej tyre që nga viti 2018 kur zyrtarisht u hap aplikimi të drejtën e këtij pensioni e kanë fituar 1617 gra.

    Afati për aplikim, në vitin e kaluar u shty deri më 15 maj të viti 2025, por nga Qendra Kosovare për Rehabilitimn e të mbijetuarve të torturës, për shkak të numrit të ulët të aplikimit kërkojnë të mos ketë afate ligjore fare.

    Në mes tjerash proceduarat për të fituar të drejtën e pensionit nuk janë të lehta pasi hapen plagë të mëdha.

    Të hënën, thirrje grave viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës për aplikimin për njohje të statusit të viktimës u ka bërë edhe presidentja, Vjosa Osmani.

    Ajo tha se zëri i grave të dhunuara ka rëndësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet.

    Afati paraprak për aplikimin për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës kishte skaduar më 5 shkurt 2023, por më pas në gusht të viti të kaluar është shtyrë për maj 2025.

    Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj.