ATV

Author: ATVLive

  • ​Mitrovicasit të ndarë në dysh për faturat e energjisë

    ​Mitrovicasit të ndarë në dysh për faturat e energjisë

    Qytetarët e Mitrovicës janë ndarë në dysh sa i përket faturave të energjisë elektrike. Derisa disa thonë se ato janë shumë të larta dhe se po faturohen më shumë sesa duhet, të tjerët besojnë se faturimi po bëhet korrekt dhe se po paguajnë aq sa po harxhojnë.

    Lavdim Behrami, qytetar nga Mitrovica, ka bërë të ditur për KosovaPress, se çmimi i faturës së energjisë është tejet i lartë. Ai dyshon se qytetarët e jugut po vazhdojnë të paguajnë energjinë për serbët e veriut, njëjtë si në të kaluarën.

    Përkundër ankesave që ka bërë, shtoi ai, energjinë po e paguan sërish me çmim shumë të lartë.

    ‘Jo pak, por është shumë shtrenjtë. Herë vjen 80 euro, 90, herë vjen 40, kur bëjmë ankesë thonë e ke harxhuar, por nuk e kam harxhuar sepse të njëjtat pajisje i kemi… Faji po ma merr mendja se është veriu. Ata s’janë duke paguar që 30 vjet, e pastaj po na rrisin faturat këndej deri të bëhet një zgjidhje për andej. Tjetër s’ka shans, sepse gjithmonë kanë ardhur faturat normal, tash e disa muaj dyfishi… Me dru ngrohemi, një televizor, bojler, lavatriqe, edhe ato para orës 11 të natës nuk lëshohen kurrë. Sot isha të bëj një ankesë, bile këtë muaj që kanë qenë fëmijët në pushim, s’kemi qenë në shtëpi dhe shumë më pak është përdorur rryma. Kam menduar se do të vijë shumë më lirë, ndërsa veç më shtrenjtë ka ardhur sesa muajin e kaluar kur kemi qenë në shtëpi të gjithë anëtarët. S’e di’, ka thënë Behrami.

    Edhe Idriz Rrustemaj, tha se çmimi i energjisë është shumë i lartë dhe se muajin e kaluar e ka ‘shkatërruar’ atë. Sipas tij, një kW duhet të ketë çmimin dhe qytetarët të paguajnë sado kW që harxhojnë njëjtë, dhe jo që ata të penalizohen nëse tejkalojnë 800 kW, e të paguajnë dyfishin e çmimit.

    “Muajin e kaluar na ka shkatërruar. Çka domethënë, nëse i harxhoj 800 kW, ose 200, 1 mijë kW, ta faturojnë rrymën qysh dëshiron ai – 100 për qind. Kilovati e ka çmimin e vet, prandaj si është e mundur? Kjo është veç se po mund t’ia bëjë popullit… Na i dha nga 100 euro neve pensionistëve, pas dy ditësh na i mori”, tha ai.

    Në anën tjetër, Nazmi Qaushi, një mitrovicas tjetër, theksoi se çmimi i faturave të energjisë nuk është i lartë, dhe se qytetarët po paguajnë aq sa po harxhojnë. Ai tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos tejkalojnë 800 kW, sepse sipas tejkalimit dyfishohet çmimi.

    “Jo, nuk janë faturat e larta, aq sa kemi harxhuar janë duke u faturuar. Bëhet tejkalimi i 800 kW, dhe sipas tejkalimit është dyfishuar vlera… 130 euro kam paguar muajin e kaluar dhe këtë muaj gati njëjtë… Ngrohemi me stufa elektrike’, u shpreh për KosovaPress Qaushi.

    Smajl Kajtazi thotë po ashtu se çmimi i faturave të energjisë është normal dhe se është duke paguar vetëm aq sa po harxhon.

    “Faturat që më kanë ardhur dy muajt e fundit, janë normale si gjithmonë, as më pak dhe as më shumë, vetëm sa kam harxhuar… Muajin e kaluar kam paguar 33 euro, këtë muaj 32 euro… Unë i kushtoj goxha vëmendje… Jemi dy persona dhe ngrohemi me dru më shumë… Mua më ka lënë amanet gjyshi, ‘djalo shyme dritën sa herë të dalësh dhe të hysh, se për atë punë e kanë lënë”, tha ai.

    Ndryshe, përveç qytetarëve, reagime për dyshime nëse ka pasur rritje të çmimeve apo fryrje të faturave ka pasur edhe nga KMDLNJ, partitë opozitare dhe shoqëria civile.

  • Dorëhiqet kryeministri i Maqedonisë së Veriut

    Dorëhiqet kryeministri i Maqedonisë së Veriut

    Shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut njoftojnë se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka deponuar në Kuvend dorëheqjen e tij. Para se të dorëzoj mandatin, Kovaçevski deklaroi:

    “Talat Xhaferi ka përvojë në drejtimin e parlamentit, unë kam ardhur me një përvojë tjetër, në drejtimin e korporatave dhe ne kemi një stil tjetër si politikanë, por shteti me siguri do të mbajë të njëjtin drejtim, orientim properëndimor dhe synime strategjike, qeveria teknike do të kujdeset mirë për qytetarët. Kjo është diçka që e parashikon ligji dhe më 9 maj qeveria e re do të udhëhiqet nga unë dhe koalicioni që do ta çojë Maqedoninë në BE deri në vitin 2030.

    Më vonë gjatë ditës pritet edhe dorëheqja e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, i cili të dielën pritet të marrë funksionin e kryeministrit teknik.

  • Mitrovica e Veriut dorëzon në KQZ mbi 4 mijë nënshkrimet e peticionit

    Mitrovica e Veriut dorëzon në KQZ mbi 4 mijë nënshkrimet e peticionit

    Nexhat Ugljanin, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se ka dorëzuar në KQZ nënshkrimet e peticionit me mbi 4000 mijë nënshkrime për rrëzimin e kryetarit të kësaj komunë Erden Atiq, raporton EO.

    Ugljanin, ka thënë se dorëzimi i nënshkrimeve të peticionit në KQZ, është bërë në mënyrë të rregullt.

    Sipas tij, tash mbetet në duart e KQZ që procesi i shkarkimit të vazhdoj me procedura të tjera.

    “Faza përfundimtarë ka përfunduar ne e kemi kryer obligimin sipas Udhëzimit Administrativ dhe krejt në rregull ka kaluar dorëzimi në KQZ peticioni nga grupi iniciues. Janë 423 faqe, nënshkrimet janë 4148 edhe ajo procedura nga KQZ-ja ka qenë e rregullt, tash është në duart e ministrisë përkatëse dhe KQZ-së që të shkoj me tutje”, tha ai.

  • ​Vajza që u lëndua nga shembja e kulmit vazhdon të mbetet në respirator

    ​Vajza që u lëndua nga shembja e kulmit vazhdon të mbetet në respirator

    Po bëhen tetë ditë prej kur po trajtohet në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pacientja e cila mori lëndime të rënda si pasojë e shembjes së kulmit në ndërtesën e Komunës së re në Prishtinë. Ndërkaq, gjendja e saj vazhdon të mbetet e njëjtë, pa ndonjë përmirësim. Derisa nesër pritet që t’i bëhen ekzaminime të tjera, duke përfshirë një CT të kokës, për të vendosur nëse pacientja të vazhdojë të mbetet në respirator apo të bëhet ndonjë ndryshim.

    Kështu tha mjeku kujdestar në Mjekimin Intensiv Qendror në QKUK, Mentor Alimusaj, në një prononcim për KosovaPress, derisa tregoi se pas ekzaminimeve të bëra, neurologu dhe anesteziologu kanë ardhur në një përfundim që ajo të vazhdon të mbetet e kyçur për respiratori.

    Alimusaj theksoi se nesër pritet që pacientja t’i nënshtrohet ekzaminimeve të reja, për të vendosur mënyrën e trajtimit të mëtutjeshëm.

    “Gjendja e pacientes, pacientja realisht vazhdon të jetë në sedacion, e kyçur për respiratori. Kjo ka ardhur si përfundim pas ekzaminimeve që janë bërë më herët, në konkludim të përbashkët të anesteziologut dhe neurokirurgut është vendosur që të vazhdohet sedacioni, së paku deri nesër, kur pritet që të bëhen ekzaminimet e tjera shtesë. Varësisht prej rezultateve që marrim nga ekzaminimet që bëhen nesër, atëherë vendosim edhe për rrjedhën e procedurës mjekësore… Ekzaminimi nënkupton një CT koke për shkak se pacientja lëndimet kryesore i ka në kokë, andaj nesër do t’i bëhet një CT koke dhe varësisht prej rezultateve të marra vendosim për mënyrën e trajtimit të mëtutjeshme”, tha Alimusaj.

    Më 18 janar, një vajzë 23-vjeçare mori lëndime të rënda si pasojë e shembjes së kulmit në ndërtesën e Komunës së re në Prishtinë. Ajo fillimisht u trajtua në Qendrën Emergjente në QKUK, pastaj u dërgua në Mjekimin Intensiv për të vazhduar trajtimin.

    Ndërkaq, nga komuna u tha se dyshimet e para janë që shembja e kulmit ka ndodhur si shkak i erërave të forta atë3 ditë, derisa hetimet po vazhdojnë.

  • Filharmonia e Kosovës e nis vitin 2024 me ngritjen historike sa i përket buxhetit

    Filharmonia e Kosovës e nis vitin 2024 me ngritjen historike sa i përket buxhetit

    Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se viti 2024 ka shënuar një ngritje historike sa i prket buxhetit.

    Ai thotë se me rritjen e buxhetit për këtë institucion, këtë vit do të ketë shumë më shumë aktivitete koncertale.

    “Vitet e fundit, Filharmonia e Kosovës, e ka dyfishuar dhe trefishuar aktivitetin koncertal. Natyrisht edhe viti 2024 nuk përjashtohet nga kjo, me që mund te them që kjo ka bazë pikërisht në përkrahjen e madhe ky institucion e gëzon nga Ministria e Kulturës, natyrisht ne jemi institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, por me rritjen e buxhetit, dukshëm bazuar natyrisht në përformancat e Filharmonisë në dy vitet e kaluara, viti 2024 shënon një ngritje të themi historike sa i përket buxhetit që nga themelimi Filharmonisë në vitin 2000”, tha Jashari.

    Ai tregoi se deri në 2-3 vitet e fundit, buxheti për Filharmoninë e Kosovës ka qenë 200-300 mijë euro, ndërsa sivjet, për herë të parë ky institucion ka një buxhet prej 1 milionë euro.

    “Që nga themelimi i Filharmonisë, sigurisht ato fillimet kanë qenë shumë modeste me buxhet, por deri 2-3 vitet e fundit buxheti ka qenë 200-300 mijë euro që është një buxhet relativisht i vogël në krahasim me institucionet në rajon dhe vitin e kaluar është kaluar në një shifër mbresëlënëse në 800 mijë euro dhe ajo çka natyrisht na bënë të lumtur që mund të realizojmë më shumë aktivitet këtë vit me këtë buxhet, është që buxheti për vitin 2024 është plotë një milion euro”, tha Jashari. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Baki Jasharit në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • Zanatin e servisimit të çelësave e mësoi nga dajtë, sot trashëgohet nga djemtë e tij

    Zanatin e servisimit të çelësave e mësoi nga dajtë, sot trashëgohet nga djemtë e tij

    Ndonëse punët mund të jenë të natyrave të ndryshme, por ato përvetësohen kur e bënë me përkushtim.

    Lodhja nuk ndjehet kur zgjohesh me dëshirën e vullnetin për të dalë në punë, ku e kalon pjesën më të madhe të ditës.

    Hydaverd Bojku që kur e kishte marrë këtë zanat nga daja i tij në një moshë shumë të re, ka vazhduar duke u rritur edhe me biznesin e tij në shumëzimin e çelësave dhe riparimin e biçikletave.

    “Unë kam fillu në vitin 1972 te dajtë e mi dhe kam punu deri në vitin 1979, tani kam dalë në dyqan timin edhe deri sot jam duke punuar këtu. Kam qenë shumë i ri, 9-vjeçar kur kam fillu punën te dajtë edhe më nuk jam ndalë asnjëherë, s’kam mëndu kurrë për me e ndërru”, thotë ai në një bisedë për ATV-në.

    Ai thotë se si çdo punë tjetër, edhe ky zanat këkon përkushtim e korrektësi.

    Bisedën e plotë të Hydaverd Bojkut për ATV-në e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani në takim me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut, jo vetëm fqinje por edhe partnere e Kosovës

    Osmani në takim me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut, jo vetëm fqinje por edhe partnere e Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në vizitë pune presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Në takim me homologun e saj, sipas njoftimit të zyrës së presidencës thuhet se Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut.

    “Shqiptarët në Maqedonisë së Veriut, sipas Presidentes Osmani janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Pendarovski për përkushtimin e tij personal për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Presidentes Osmani, të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE”, thuhet në njoftim.

    Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.

    Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, citohet të ketë thënë presidentja.

    Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj ajo thekson se meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.

    Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.

    “Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, ka theksuar ajo.

    Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

    Të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

  • Maqedonci: Ambasadori Abbott do të mbetet mik i përjetshëm i Kosovës

    Maqedonci: Ambasadori Abbott do të mbetet mik i përjetshëm i Kosovës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në NATO, si dhe ambasadorin e MB-së në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Takimi me Abbottin është njëherësh edhe takim lamtumirës pasi ai për pak ditë do të largohet nga Kosova, për t’u zëvendësuar nga Jonathan Hargreaves.

    Maqedonci tha se Abbott, “me punën e tij të shkëlqyer i shërbeu rritjes së bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.

    Ministri thotë ta ketë falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe veçanërisht për kontributin në heqjen e vizave për personelin civilë dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

    “Theksova faktin se shteti britanik ka qenë dhe është aleat i Kosovës në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e vendit tonë, si dhe ruajtjen e vlerave demokratike. Ndërsa ambasadori Abbott do të mbetet mik i përjetshëm i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.

  • Papa Françesku: Vera është një dhuratë nga Zoti

    Papa Françesku: Vera është një dhuratë nga Zoti

    Papa Françesku ka thënë se vera “është një dhuratë nga Zoti” dhe “një burim i vërtetë gëzimi” për konsumatorët e saj – fjalë që janë mirëpritur menjëherë nga prodhuesit italianë të verës që kanë luftuar kundër paralajmërimeve shëndetësore evropiane.

    Françesku i bëri komentet gjatë një auditori privat në Vatikan me prodhuesit e verës nga e gjithë Italia. Duke përshëndetur audiencën e tij, ai tha “Vera, toka, aftësitë bujqësore dhe sipërmarrja janë dhurata nga Zoti – krijuesi na i ka besuar ato sepse, me ndjeshmërinë dhe ndershmërinë tonë , ne i bëjmë ato një burim të vërtetë gëzimi.”

    Megjithatë, Papa u bëri thirrje gjithashtu prodhuesve të verës që të reflektojnë mbi “përgjegjësitë morale dhe etike” që sjell puna e tyre, siç është trajtimi me respekt i punëtorëve dhe mjedisit, duke inkurajuar zakone të shëndetshme të pirjes.

    Italia është tërhequr kundër propozimeve për të bërë të detyrueshme paralajmërimet shëndetësore për pijet alkoolike në të gjithë BE-në pasi Irlandës iu dha miratimi nga Komisioni Evropian për të miratuar masën. Lëvizja në Irlandë, e cila u prit me protestë nga Italia, Spanja dhe gjashtë shtete të tjera të BE-së, do të çojë në vendosjen e etiketave paralajmëruese shëndetësore në shishet e verës, birrës dhe pijeve alkoolike nga viti 2026.

    Edhe pse konsumi ditor i verës në Itali ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 15 viteve të fundit, ka pasur një rritje të konsumit më të moderuar, sipas shifrave nga Istat, agjencia kombëtare e statistikave. Shoqatat italiane të verërave shpesh i referohen kësaj për të argumentuar se italianët kanë një marrëdhënie më të shëndetshme me verën në krahasim me homologët e tyre të pijeve në Evropën veriore.

    Vera është gjithashtu një element thelbësor i masës katolike. Në vitin 2014, një studim zbuloi se qyteti i Vatikanit konsumonte më shumë verë për person se çdo vend tjetër. /The Guardian

  • Vjedhja në xhaminë e fshatit Gumnasellë të Lipjanit, dyshohet se hajnat kanë hyrë nga dritarja

    Vjedhja në xhaminë e fshatit Gumnasellë të Lipjanit, dyshohet se hajnat kanë hyrë nga dritarja

    Një rast i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Gumnasellë të Lipjanit. Rasti është iniciuar si vjedhje e rëndë, mirëpo deri më tani asnjë person nuk është ndaluar.

    Gazetarja e ATV-së, Sara Shehu, nga vendngjarja mori një prononcim nga imami i xhamisë, Sadik Sadiku dhe kontribuuesin e xhamisë, Dalip Sadiku.

    “Nuk është hera e parë, na ka ndodh edhe më herët i njëjti rast, mirëpo asnjëherë nuk e kemi lajmëruar policinë. Këtë herën e fundit që ka ndodh, të martën në mbrëmje ose të mërkurën në mëngjes, nuk e dimë saktë, kur e kemi parë rastin, atëherë e kemi lajmëruar policinë”, tha imami Sadik Sadiku.

    Ndërsa kontribuuesi i xhamisë, Dalip Sadiku, thotë se në momentin që ka hyrë brenda xhamisë për namazin e sabahut, e ka vërejtur se kasaforta ka qenë e kthyer në anën e kundërt dhe menjëherë ka dyshuar se dikush e ka thyer atë.

    “Kam ardhë në ora 06:10 ditën e djeshme për ritet fetare. Kur e kam hapur derën, menjëherë me ka rënë në sy protofoli që ka qenë në anën e kundërt e kthyer dhe menjëherë dyshova se ka hyrë dikush këtu, megjithëse dera ka qenë e mbyllur me çelës”, tha Sadiku.

    Ai thotë se dyshojnë që personat që kanë thyer kasafortën kanë hyrë nga dritarja, ndërsa nuk e di sa para kanë qenë në këtë kasafortë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë A LIVE e gjeni në videon më poshtë: