ATV

Author: ATVLive

  • ​ASK: Deficit tregtar më i lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023 krahasuar me dhjetor 2022

    ​ASK: Deficit tregtar më i lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023 krahasuar me dhjetor 2022

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2023.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë Euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 12,0%.

    Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023 kishte vlerën 65,4 milionë Euro, ndërsa importi 543,1 milionë Euro, që është një rënie prej (-9,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 4,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

    Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,6% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,5% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; 8,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18,7 milionë Euro, ose rreth 28,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0%), Italia (4,2%), Holanda (2,1%), etj.

    Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 225,3 milionë Euro, ose 47,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,5%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,8%), Greqia (5,6%), Italia (4,3%), etj.

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,0 milionë Euro, ose 42,7% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-5,9%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,3%), Maqedonia e Veriut (12,5%), Serbia (5,8%), Mali i Zi (4,9%).

    Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,1 milionë Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-25,5%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,4%), Maqedonia e Veriut (4,4%), Serbia (1,8%).

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 18,7 milionë Euro, ose 28,7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (13,2%) dhe Zvicra (8,9%).

    Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 218,7 milionë Euro, ose 40,3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,9%) dhe Kina (10,1%).

  • KQZ pranon kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

    KQZ pranon kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq dhe Zubin Potok, për largimin e kryetarëve.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, derisa ka shtuar se në përputhje me legjislacionin në fuqi do të verifikohet lista e nënshkrimeve.

    “Mund t’ua konfirmoj se gjatë ditës së sotme kemi pranuar edhe kërkesat për verifikim të nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Ndërkaq, siç kemi njoftuar, më parë kemi pranuar edhe kërkesën të njëjtë edhe nga Zubin Potoku. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, ka thënë ai.

  • ​Ndalohen dy persona për narkotikë në Han të Elezit

    ​Ndalohen dy persona për narkotikë në Han të Elezit

    Mbrëmë rreth orës 23:50 policët e stacionit në Han të Elezit, gjatë patrullimit në rrugën “Dëshmorët e Kombit” kanë ndaluar një veturë me targa vendore dhe gjatë kontrollit janë gjetur sasi e substancave narkotike, tetë doza të mbështjella marihuanë me peshë 11 gramë.

    Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë dhe janë njoftuar njësia për hetimin e narkotikëve.

    Pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, dy personat e dyshuar janë liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa në cilësinë e provave materiale sasia e narkotikëve është sekuestruar.

  • ​Rritet çmimi i naftës

    ​Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të enjten pas të dhënave që tregojnë kërkesë më të lartë në SHBA, vendi më i madh konsumues i naftës në botë, dhe vendimi i bankës qendrore të Kinës për të ulur raportin e rezervës së bankave, duke treguar më shumë masa mbështetëse që do të vijnë.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 80.41 dollarë për fuçi në orën 10:20 të mëngjesit, një rritje prej 0.46% nga çmimi i mbylljes prej 80.04 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 75.49 dollarë për fuçi, 0.53% më shumë nga mbyllja e së mërkurës prej 75.09 dollarë për fuçi.

    Çmimet e naftës u rriten në tregtinë aziatike për shkak të pritjeve të mëdha të kërkesës së SHBA pas një rënieje më të madhe se sa pritej në rezervat e naftës së papërpunuar.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA) të mërkurën, inventarët komercialë të naftës së papërpunuar në SHBA u ulën me rreth 9.2 milionë fuçi në 420.7 milionë fuçi, krahasuar me pritjet e tregut për një rënie prej rreth 3 milionë fuçi. /AA

  • ​Kriza e Detit të Kuq kushton 95 milionë në ditë

    ​Kriza e Detit të Kuq kushton 95 milionë në ditë

    Kriza e sigurisë në Detin e Kuq ka shkaktuar 8.8 miliardë euro dëm në tregtinë e jashtme italiane që nga nëntori 2023, tha të enjten grupi i artizanëve të vetëpunësuar Confartigianato.

    Kjo është ekuivalente me 95 milionë euro në ditë, nga të cilat 35 milionë euro në eksporte të humbura dhe 60 milionë euro në furnizime të humbura.

    Ndikimi i ndërprerjeve në Detin e Kuq për shkak të sulmeve kundër anijeve civile nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen do të ndihet veçanërisht në rajonet veriore të Lombardisë, Emilia Romagna, Veneto, Toscana, Piemonte dhe Friuli Venezia Giulia, të cilat transportojnë mallra me vlerë 12.9 miliardë euro, 9.4 miliardë euro, 5.7 miliardë euro, 4.7 miliardë euro, 4.2 miliardë euro dhe 2 miliardë euro.

    Ekziston rreziku i “pasojave të rënda në rritjen ekonomike të Italisë”, paralajmëroi presidenti i Confartigianato, Marco Granelli. /ANSA

  • ​City siguron shërbimet e një tjetër argjentinasi

    ​City siguron shërbimet e një tjetër argjentinasi

    Manchester City ka nënshkruar me mesfushorin e Argjentinës U-17, Claudio Echeverri nga River Plate.

    City do të paguajë rreth 12.5 milionë funte për Echeverrin, i cili ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare e gjysmë që zgjat deri në vitin 2028.

    18-vjeçari, i cili ka bërë gjashtë paraqitje në ekipin e parë për River Plate, do të qëndrojë me klubin argjentinas gjatë gjithë vitit 2024, përcjellë KosovaPress.

    City ra dakord për një marrëveshje të ngjashme me Riverin për sulmuesin argjentinas Julian Alvarez në janar 2022.

    Echeverri ishte kapiteni i Argjentinës në Kupën e Botës U17 në nëntor dhe shënoi një hat-trick teksa mposhti Brazilin 3-0 në çerekfinale.

    Ai e përfundoi turneun me pesë gola, ndërsa Argjentina doli e katërta pasi humbi në play-off për vendin e tretë.

  • ​Instagrami forcon politikat për adoleshentët

    ​Instagrami forcon politikat për adoleshentët

    Meta po çaktivizon mundësinë për fëmijët nën 18-vjeç për të marrë mesazhe në Instagram dhe Messenger nga kushdo që nuk e ndjek ose nuk është i lidhur, si pjesë e një përditësimi të sigurisë.

    Gjigandi i mediave sociale tha se ndryshimi është pjesë e punës së vazhdueshme për të ofruar ‘përvoja të përshtatshme për moshën për adoleshentët’ nëpër aplikacionet e tij.

    Ndryshimi zgjeron një politikë ekzistuese të Meta e cila nuk i lejon të rriturit t’u dërgojnë mesazhe adoleshentëve që nuk i ndjekin.

    Kjo do të thotë se askush në Instagram ose Facebook Messenger tani nuk do të jetë në gjendje t’i dërgojë mesazhe të drejtpërdrejta një adoleshenti që nuk i ndjek.

    Ky cilësim i parazgjedhur do të zbatohet për të gjithë adoleshentët nën 16-vjeç (ose nën 18-vjeç në vende të caktuara). Ata që janë tashmë në Instagram do të shohin një njoftim duke i bërë të ditur se po i bëjnë këto ndryshime në cilësimet e mesazheve të tyre.

    Përditësimi vjen pasi platformat e mediave sociale vazhdojnë të përballen me shqyrtimin e ndikimit të tyre tek përdoruesit e rinj.

    Të mërkurën, kryeministri britanik Rishi Sunak u përball me një thirrje për të konsideruar ndalimin e mediave sociale dhe telefonave inteligjentë për moshat nën 16-vjeç.

    Deputetja konservatore Miriam Cates tha se kishte pasur një ‘rritje të dukshme’ të shëndetit të dobët mendor të adoleshentëve që nga viti 2010 dhe bëri thirrje për masa më të rrepta. /DailyMail

  • ​Kurti pret në takim Pendarovskin

    ​Kurti pret në takim Pendarovskin

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit, raporton KosovaPress.

    Paraprakisht, Pendarovski është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

    Policia ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore.

  • ​OBSH përsërit thirrjen për mbrojtje të civilëve në Gaza

    ​OBSH përsërit thirrjen për mbrojtje të civilëve në Gaza

    Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kërkoi të enjten mbrojtjen e të gjithë civilëve, humanitarëve dhe punonjësve shëndetësorë në Gaza, duke përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm.

    Duke përmendur sulmin e së mërkurës në Qendrën e Trajnimit Khan Younis në Gaza, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ekipi i OBSH-së ndihmoi në evakuimin e 45 pacientëve në spitalin Al-Najjar, 15 prej të cilëve ishin në gjendje kritike, por një pacient vdiq gjatë rrugës.

    “Intensiteti i luftimeve ishte rritur dhe ekipi nuk arriti të evakuonte të gjithë të plagosurit”, shkroi Tedros në rrjetin X.

    “Ne kërkojmë mbrojtjen e të gjithë civilëve, humanitarëve dhe punonjësve shëndetësorë. Ne apelojmë për një armëpushim të menjëhershëm”, shtoi ai.

    Më herët, Thomas White, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Gaza, tha se një sulm në Qendrën e Trajnimit Khan Younis ndodhi të mërkurën, gjatë të cilit dy raunde tankesh goditën një ndërtesë që strehon 800 njerëz.

    Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, deri më tani duke vrarë të paktën 25.700 palestinezë dhe duke plagosur 63.740 të tjerë. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

    Lufta izraelite ka lënë 85% të popullsisë së Gazës të zhvendosur brenda në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së. /AA

  • ​Inspektorati i Punës me metoda të reja inspektimi, nga muaji maj me iPad digjital

    ​Inspektorati i Punës me metoda të reja inspektimi, nga muaji maj me iPad digjital

    Inspektorati i Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke përgatitur inspektimin në teren me metoda të reja në formë digjitale.

    Rastet e shumta të shkeljeve të rregullave të punës, kanë shtuar nevojën për rritjen e numrit të inspektorëve, si dhe nevojën për inspektim më të shpejtë në kohë.

    Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, për KosovaPress ka treguar se ka nisur një projekt i ri për inspektim digjital.

    Nikçi thotë se nga muaji maj 2024, inspektorët mënyrën e inspektimit dhe shqiptimin e gjobave do ta bëjnë me iPad digjital në terren, gjë e cila do ta rritë cilësinë e inspektimeve.

    “Procesi i digjitalizimit, krijimi i digjitalizimit ka filluar vitin e kaluar. Në këtë proces jemi mbështetur nga SIDA suedeze dhe projekti i Bashkimit Evropian ESAP 2. Partnerë ekzekutues në Kosovë. Partner implementues në këtë proces e kemi edhe organizatën ndërkombëtare të punës në Kosovë. Ne jemi në fazën e dytë apo në fazën e zhvillimit të sistemit informativ të digjitalizimit. Ky Sistem i Informativ i Digjitalizimit parashihet që të përfundojë në muajin maj dhe në muaj maj gjithashtu të funksionalizohet dhe të vihet në punë. Ky sistem i digjitalizimit parasheh inspektime digjitale nga terreni. Do të kalohet nga letra e fortë në iPad digjital. Ky sistem gjithashtu ngrit numrin e inspektimeve ngrit cilësinë e inspektimeve dhe gjithashtu shkurton kohën e inspektimit. Gjithsesi një sistem i tillë ka qenë patjetër i nevojshëm sepse ka benificionet e tij, siç i përmenda dhe një sistem të tillë nuk kanë as inspektoratet e punës në rajon”, tha Nikçi.

    Nikçi shton se mënyra e inspektimit në formë digjitale është projekt i vetëm më të cilin do të pajiset Inspektorati i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndryshe nga inspektoratet e tjera në rajon.