ATV

Author: ATVLive

  • ​WatchOS 12 mund të vijë me veçori inteligjence, çfarë të pritet nga Apple

    ​WatchOS 12 mund të vijë me veçori inteligjence, çfarë të pritet nga Apple

    Apple po planifikon të sjellë mbështetje për Apple Intelligence në modelet Apple Watch me përditësimin e gjeneratës së ardhshme, watchOS 12.

    Sipas një raporti nga 9to5Mac, watchOS 12 do ta bëjë Apple Intelligence një funksion “zyrtarisht të mbështetur” në Apple Watch. Megjithatë, shumica e këtyre veçorive do të varen nga iPhone-i i lidhur për përpunim, shkruan Business Standard, përcjell KosovaPress.

    Sipas raportit, Gurman tha se kompania do të markojë grupin e ri të veçorive në përditësimin watchOS 12 si të “fuqizuara nga Apple Intelligence”.

    Megjithatë, pajisja nuk do të ekzekutojë direkt modelet e inteligjencës artificiale, çka sugjeron se funksionet me AI në Apple Watch do të varen nga iPhone i lidhur, të paktën në një masë të caktuar.

    Apple tashmë e përdor këtë metodë në watchOS 11 për të paraqitur përmbledhje të njoftimeve në Apple Watch, kur është lidhur me një iPhone që përputhet me Apple Intelligence.

    Veçoria Reduce Interruptions Focus (fokusi i reduktimit të ndërprerjeve) funksionon gjithashtu mbi të njëjtin parim.

    Aktualisht, nuk ka informacione të sakta mbi funksionet specifike të fuqizuara nga inteligjenca artificiale që do të vijnë në Apple Watch me përditësimin watchOS 12.

    Përveç funksioneve të bazuara në AI, pritet që watchOS 12 të përfshijë edhe ndryshime estetike të ngjashme me ato që priten për iOS 19, duke përfshirë ikona më të rrumbullakosura të aplikacioneve, meny të reja sistematike dhe efekte dinamike në gjithë softuerin.

    Apple pritet të ndajë më shumë detaje gjatë Konferencës Botërore të Zhvilluesve (WWDC) 2025 në qershor, ku do të prezantojë versionet e reja të sistemeve operative.

  • ​Çmimet e naftës bien mes tensioneve tregtare SHBA-Kinë

    ​Çmimet e naftës bien mes tensioneve tregtare SHBA-Kinë

    Çmimet e naftës ranë të mërkurën pasi tregjet reflektuan pasigurinë e krijuar nga ndryshimet në politikat doganore të SHBA-së dhe përshkallëzimi i tensioneve tregtare SHBA-Kinë, raporton agjencia turke e lajmeve AA.

    Indeksi ndërkombëtar, Brent, ra me rreth 1.47%, duke u tregtuar me $63.44 për fuçi në orën 09:42 me orën lokale (0642GMT), nga $64.38 që ishte në mbylljen e sesionit të mëparshëm.

    Indeksi amerikan West Texas Intermediate (WTI) ra me 1.58%, duke u vendosur në $60.06 për fuçi, nga $61.03 në mbylljen e mëparshme.

    Ngërçi i shkaktuar nga tarifat midis dy ekonomive më të mëdha në botë mbetet një shqetësim kryesor global, raporton KosovaPress.

    Në një konferencë për shtyp, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Presidenti Donald Trump ishte i hapur për një marrëveshje tregtare me Kinën. “Topi është në fushën e Kinës: Kina duhet të bëjë një marrëveshje me ne, ne nuk kemi nevojë të bëjmë një marrëveshje me ta”, deklaroi Leavitt.

    Ajo shtoi se SHBA po zhvillon bisedime me disa vende që nuk kanë reaguar me tarifa, dhe se priten së shpejti marrëveshje të reja tregtare.

    Kina iu përgjigj tarifave të rritura amerikane me masa të njëjta. Si rezultat i përplasjes tregtare, SHBA rriti tarifat për mallrat kineze në 145%, ndërsa Kina i rriti tarifat për mallrat amerikane në 125%.

    Megjithëse SHBA-ja i shtyu tarifat për vendet e tjera për 90 ditë, tarifat ndaj Kinës hynë në fuqi menjëherë. Tregjet vazhdojnë të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të ri në këtë përplasje tregtare.

    Në një paraqitje pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC), prodhuesi i çipave Nvidia zbuloi se SHBA tani kërkon një licencë eksporti për të dërguar çipat e saj H20 në Kinë dhe disa vende të tjera.

    Kompania vlerëson se kufizimet mund t’i kushtojnë 5.5 miliardë dollarë në të ardhura.

    Raportime të tjera sugjerojnë se Kina mund të ketë urdhëruar linjat e saj ajrore të ndalojnë blerjet e avionëve Boeing, duke shtuar më tej frikën për një luftë tregtare më të thelluar. Lufta tregtare SHBA-Kinë ka dobësuar pritshmëritë për kërkesën globale të naftës.

    Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) uli parashikimin e rritjes së kërkesës globale për naftë për vitin 2025 me 300,000 fuçi në ditë (bpd), duke parashikuar tani një rritje prej 726,000 bpd. Muajin e kaluar, IEA priste një rritje prej 1.03 milionë bpd.

    Edhe OPEC e rishikoi me ulje parashikimin e rritjes së kërkesës globale, me 150,000 bpd më pak.

    Ndërkohë, Instituti Amerikan i Naftës (API) raportoi një rritje të papritur të rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA—me 2.4 milionë fuçi javën e kaluar. Tregjet kishin pritur një rënie prej 1.68 milionë fuçish.

    Rritja e papritur e stokut ka forcuar shqetësimet për kërkesën në vendin me konsumimin më të madh të naftës në botë, duke kontribuar në presionin për ulje të çmimeve.

    Administrata e Informacionit për Energjinë e SHBA pritet të publikojë të dhënat zyrtare të rezervave më vonë gjatë ditës së sotme.

  • Letra e Avni Deharit arrin në Presidencë – çfarë kërkohet nga Osmani për situatën në Kuvend?

    Letra e Avni Deharit arrin në Presidencë – çfarë kërkohet nga Osmani për situatën në Kuvend?

    Një ditë pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi i saj, Avni Dehari, i është drejtuar me letër zyrtare Presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme përpara, pas dështimit për të votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

    Letra siguruar nga ATV-ja, që mban firmën e Deharit, i drejtohet Presidentes për interpretim institucional mbi një situatë që ai e cilëson si të paprecedentë. Ai shpjegon se rendi i ditës i seancës përfshinte formimin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit. Por procesi u bllokua që në pikën e parë.

    “Ky Raport nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi”, thuhet në letrën drejtuar Presidentes.

    “Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara.”

    Nga Presidenca konfirmuan pranimin e letrës, duke shtuar se ekipi ligjor është duke e analizuar për të propozuar veprimet e mëtejme.

    “Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, deklaroi për ATV këshilltari për media, Bekim Kupina.

    Çfarë ndodhi në seancën e djeshme?

    Seanca konstituive u ndërpre pasi opozita – PDK, LDK dhe AAK – votuan kundër verifikimit të mandateve, ndërsa Lista Serbe abstenoi. Arsyetimi i opozitës ishte se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij nuk kishin dhënë dorëheqje nga funksionet qeveritare para betimit si deputetë, gjë që ata e cilësuan si shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë të vitit 2022.

    Sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje para ditës së certifikimit të rezultateve, për të shmangur konfliktin e interesit. Ky ligj, i miratuar në vitin 2022, përcakton edhe se një Qeveri në dorëheqje mund të vazhdojë ushtrimin e funksioneve, por me kufizime të qarta – si ndalimi i emërimeve të reja, miratimit të projektligjeve dhe nismave ndërkombëtare, përveç rasteve emergjente.

    Megjithatë, Qeveria ka publikuar një dokument zyrtar të dorëheqjes së Kurtit dhe kabinetit të tij, e cila figuron e pranuar nga KQZ më 27 mars 2025, para certifikimit të rezultateve, siç kërkohet me ligj. Në këtë pikë ka lindur edhe mospajtimi kryesor mes Qeverisë dhe opozitës, pasi kjo e fundit nuk e ka njohur vlefshmërinë e dorëheqjes, duke pretenduar se ajo është dorëzuar te një autoritet jokompetent.

    Hasani: Presidentja s’ka kompetencë, dorëheqja e Kurtit s’është valide

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Presidentja nuk ka kompetenca kushtetuese për të vepruar pas dështimit të seancës dhe se më e mira do të ishte të mos përgjigjej fare ndaj letrës së Deharit.

    “S’ka këtu presidentja kurgjo. S’ka çfarë. Presidentja veç mundet të mos me u përgjigjë, që do të ishte ma e mira”, tha Hasani.

    Ai e cilësoi dorëheqjen e paraqitur nga Kurti si të pavlefshme, pasi ishte drejtuar te Glauk Konjufca, të cilin e quajti “jokompetent”. Sipas Hasanit, KQZ-ja nuk është dashur të certifikojë kandidatët e Qeverisë pa një dorëheqje formale, siç e kërkon Ligji për Qeverinë.

    “Nuk është dorëheqje. Absolutisht. Ajo është hajgare, tallje me institucionet, sepse ai i drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë”, tha Hasani.

    Hasani shtoi se precedentët nga e kaluara nuk mund të përdoren si justifikim për shkeljet aktuale.

    VV i referohet vitit 2014, por ligji i ri ndryshon gjithçka

    Pas mosvotimit të raportit për verifikimin e mandateve nga opozita, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, publikoi një video të vitit 2014 ku shihet Hashim Thaçi duke votuar si deputet, ndërkohë që ende ushtronte funksionin e kryeministrit.

    “Për opozitarët dhe hipokrizinë me veprimin e sotëm… Ja një shembull tipik për të kuptuar që situata e sotme nuk përbën asgjë ndryshe nga praktikat e mëhershme,” shkroi ajo në reagimin e saj publik.

    Sipas Haxhiut, opozita po vepron me standarde të dyfishta duke kërkuar dorëheqje nga Kurti dhe ministrat, ndërkohë që në të kaluarën, veprimet e njëjta nuk ishin problematizuar. Por ajo nuk përmendi Ligjin për Qeverinë, të miratuar nga qeveria aktuale në vitin 2022, ku neni 26 përcakton qartë se një anëtar i Qeverisë duhet të japë dorëheqje para ditës së certifikimit të rezultateve, nëse dëshiron të marrë mandatin si deputet. Kjo e bën situatën e tanishme ligjërisht të ndryshme nga praktikat e mëhershme, të cilave Vetëvendosje po i referohet.

    Pas letrës së Deharit, topi formalisht kalon te Presidentja, por njohësit e Kushtetutës vlerësojnë se ajo nuk ka asnjë kompetencë për të vepruar. /atvlive.tv

  • ​Murati: Seanca e radhës për kontituimin e Kuvendit besoj se do të bëhet me kohë

    ​Murati: Seanca e radhës për kontituimin e Kuvendit besoj se do të bëhet me kohë

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se nuk ka informata nëse është dërguar letra në Presidencë se si do të vijohet me seancën konstituive pas dështimit të djeshëm, pro ka shprehur besimin se ajo do të mbahet me kohë.

    Ai nuk ka treguar nëse kanë votat për votimin e kryeparlamentarit, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur, por edhe të formimit të qeverisë, për të cilën aktualisht Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e nevojshme, veçse tha se një gjë e tillë do të shihet gjatë “proceseve të ardhshme”.

    “Tash është paksa problematike kur supozimet e vetëndërtuara tentohet të bëhen konstatimet tona. Dje u pa që nuk ishim ne ata që bllokuam, apo jo? Domethënë ishte opozita, në këtë rast PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe, të cilët e ngritën dorën për ta bllokuar procesin, jo ne. Faktet janë këtu. Pra, nuk ka fakte që dëshmojnë deri më tani që ne kemi qenë të interesuar për bllokim të institucioneve, është e kundërta. Dhe fakti është që opozita dje votoi kundër marrjes së mandatit të deputetit. Opozita dje tha, pa dhënë dorëheqje Qeveria, ne s’e formojmë Kuvendin. Çka i bie kjo? Kjo i bie që ata s’po donë të marrin mandat. Nuk e di cila është arsyeja pse po hyn opozita në këto teknikalitete duke refuzuar mandatin. Por prodhimi, rezultati është ky, kemi ngërç procedural dhe institucional aktualisht”, deklaroi Murati.

    Murati ka deklaruar se nuk ka informata nëse është dërguar ndonjë letër në Presidencë, për të sqaruar hapat e mëtejmë pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit. Ai theksoi se dërgimi i një qëndrimi të tillë është në kompetencën e kryesuesit dhe se ka afat ligjor 48 orë deri në ftesën për seancën e radhës.

    “Faktet tregojnë që opozita është e pa interesuar të formojë institucionet e vendit. Kështu që, ne veprojmë sipas ligjit, por ne nuk mund të veprojmë se çfarë kërkesa mund të ketë secili gjatë rrugës që e takojmë…Dhe letra, qëndrimi është paraqitur i tillë, njoftimi është bërë me kohë, ligji e parasheh që Qeveria me rastin e skadimit të mandatit të Kuvendit kalon në funksionin e Qeverisë kujdestare, pra Qeveri në detyrë dhe përkujdeset deri në ardhjen e Qeverisë së re. Dje kishim situatën ku opozita e tregoi se është e pa interesuar ose ndoshta e interesuar që të mos ketë krijim të institucioneve…Çështja tjetër, sa i përket letrës, nuk kam informata nëse është dërguar ose jo, por besoj që deputeti Dehari, kryesues i seancës, do ta dërgojë në kohë, ka 48 orë deri në ftesën e seancës së radhës, besoj që do të bëhet në kohë”, ka thënë Murati.

    Sa i përket votave, Murati tha se procesi i votimit të djeshëm ka pasur të bëjë me një çështje procedurale, ku rëndom kanë votuar të gjitha subjektet, të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët

    “Procesi i votimit të djeshëm ka pasur të bëjë me një çështje procedurale, ku rëndom kanë votuar të gjitha subjektet, të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët. Pra, ajo nuk është kurrfarë vërtetimi apo shpërfaqje se sa vota apo kush sa vota ka, meqenëse nuk ka qenë as situatë e tillë, ku ne është dashur të përkujdesemi që t’i mbledhim të gjithë deputetët, në mënyrë që të sigurohemi se kalon, sepse ne as që kemi as që kemi imagjinuar që do të ketë deputetë të opozitës që do të tentojnë bllokimin e institucioneve…Besoj që gjatë proceseve të ardhshme, siç e thashë, pra është rasti i konstituimit të Kuvendit, votimit për kryetarë dhe nënkryetarë, aty duhet të shihet pra sa vota janë për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, pastaj është mandatari i Qeverisë, i cili ka 15 ditë, siç e parasheh Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë të radhës, në mënyrë që të shfrytëzojë atë kohë për të siguruar votat e nevojshme, të cilat ia paraqet seancës dhe votohet Qeveria e re Kurti 3”, ka thënë Murati.

    Kujtojmë, Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari pasi ditën e martë është ndërprerë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës.

    “Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë Kupina për KosovaPress.

    Të martën, kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës për shkak të mos votimit të raportit për konfirmimin e mandatave.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar “sulm brenda institucional dhe zgjedhjeve demokratike”. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan të martën. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës.

  • Von der Leyen: Perëndimi siç e dinim nuk ekziston më

    Von der Leyen: Perëndimi siç e dinim nuk ekziston më

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se “Perëndimi siç e dinim nuk ekziston më”. Kjo deklaratë vjen duke folur për ndryshimet “historike” që po ndodhin si pasojë e presidencës së Donald Trump në SHBA.

    Në një intervistë gjermane Die Zeit, ajo theksoi se bota po kalon në një periudhë transformimi të thellë, me ndikime të mëdha nga politika e jashtme amerikane.

    Von der Leyen mbrojti pozicionin e Bashkimit Evropian për rregullimin e shërbimeve dixhitale të SHBA-së, duke theksuar se BE-ja nuk pranon të ketë “vëllezër apo oligarkë që bëjnë rregullat” në këtë fushë. Ajo gjithashtu kërkoi që vendet evropiane të prodhojnë dhe blejnë më shumë në Evropë, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizimet e mbrojtjes, të cilat janë bërë gjithnjë e më kritike.

    Për sa i përket sigurisë evropiane, von der Leyen paralajmëroi se “ndërsa Putini mund të ndalojë herë pas here, nuk ka kufi për ambiciet e tij perandorake”, duke nënvizuar kërcënimet ekzistenciale që BE përballet nga lindja.

    Komentet e von der Leyen vijnë pas një periudhe të tensioneve në marrëdhëniet SHBA-BE, ku Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për mungesën e angazhimit të duhur nga ana e SHBA-së për të zgjidhur çështjet e tarifave dhe për të ruajtur stabilitetin në marrëdhëniet transatlantike.

  • Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq dënohet me shtatë vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq dënohet me shtatë vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dragisha Milenkoviq, duke e dënuar me 7 vjet burgim për krime lufte në Kosovë. Kurse, për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë.

    Në këtë rast, Dragisha Milenkoviq akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Milenkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

    Gjykatësi Krasniqi tha se ndaj Milenkoviqit lidhur me akuzën për krime lufte, Gjykata shpall dënim në kohëzgjatje prej 7 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, ndërsa arma në fjalë urdhërohet të konfiskohet.

    I akuzuari u obligua edhe për shpenzimet e procedurës në shumën prej 300 euro dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

    Të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.

    Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

  • ​Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të dorëzojë mocione për rrëzimin e akuzave

    ​Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të dorëzojë mocione për rrëzimin e akuzave

    Avokatët mbrojtjes të ish-eprorëve të UÇK-së e kanë informuar trupin gjykues se synojnë të dorëzojnë mocione për rrëzimin e akuzave, njoftoi Gjykata Speciale të mërkurën.

    “Përveç kësaj, ekipet e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Njoftimi i mbrojtjes vjen menjëherë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli zyrtarisht çështjen e saj ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Në 2-vjetorin e fillimit të procesit gjyqësor, ekipet mbrojtëse thanë për media se do kërkojnë rrëzimin e pjesëve të aktakuzës derisa u shprehën optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv.

    Rastin e prokurorisë e konsideruan të dobët, ndërkaq, theksuan tejzgjatjen e këtij procesi.

    ZPS-ja i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ai që njihet si gjyqi i madh nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Në njoftimin zyrtar të mërkurën më 16 prill, ZPS-ja tha se thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë. Shumë prej tyre dëshmuan nën masa mbrojtëse dhe pa iu bërë publik identiteti.

    Prokurorisë në Hagë iu deshën dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor që të mbyll çështjen e saj gjyqësore. Pas kësaj do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e caktuar për datën 23 prill.

    Deri më tash dihet se mbrojtësi i viktimave do të thërras disa dëshmitarë.

    Në fillim të procesit gjyqësor, prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

    Ndërkaq, avokatët mbrojtës hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese./KP

  • E konfirmon Presidenca: Letra nga Kuvendi sapo ka arritur, po e analizojmë

    E konfirmon Presidenca: Letra nga Kuvendi sapo ka arritur, po e analizojmë

    Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që ndodhi dje, Presidenca ka konfirmuar se ka pranuar zyrtarisht letrën nga Kuvendi dhe është duke shqyrtuar përmbajtjen e saj për të vendosur për hapat e ardhshëm institucionalë, raporton ATV.

    “Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë për ATV-në këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina.

    Ky njoftim vjen pas paralajmërimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, se Kuvendi do të njoftojë Presidenten për situatën e krijuar, pas mosvotimit të raportit për verifikimin e mandateve nga ana e opozitës.

    Tashmë pritet reagimi zyrtar nga Zyra e Presidentes, e cila mund të kërkojë interpretim kushtetues apo të thërrasë konsultime shtesë me liderët institucionalë. /atvlive.tv

  • ​Murati për konstituimin e Kuvendit: Jemi në territor të pa shkelur

    ​Murati për konstituimin e Kuvendit: Jemi në territor të pa shkelur

    Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se “jemi në territor të pa shkelur”, kur u pyet sa i përket konstitutimit të kuvendit, duke shtuar se mbetet të shihet se si do të veprohet më tej.

    Sipas Muratit, kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, pritet t’i drejtohet Zyrws sw Presidentws për sqarime mbi rrjedhën institucionale që duhet ndjekur, duke qenë se “një situatë e tillë nuk është parashikuar në praktikat e mëparshme”.

    Ai theksoi se qëllimi i subjektit të tij është të sigurohet që vendi të ketë institucione funksionale dhe një qeveri të re të dalë nga procesi demokratik.

    “Ju ishit dëshmitar të asaj qe ndodhi ditën e djeshme. Pra, për herë të parë Kuvendi në këtë rast si tërësi, megjithëse ne, deputetët tanë votuan pro atij raporti, por, shumica e deputeteve të Kuvendit votuan kundër. Kjo nënkupton refuzim të pranimit të rezultateve të certifikuara nga KQZ. Se si shkohet tutje mbetët të shihet në vazhdim. Kryesuesi i seancës, deputeti Dehari ka paralajmëruar qe do i drejtohet presidentes në lidhje me sqarimet e nevojshme se si të shkohet tutje. Mirëpo, tashmë jemi në territor të pa shkelur sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur më herët. Pra, çka nënkupton kur deputetët, kuvendi, votojnë kundër mandateve të tyre, a i bie kjo që ka dështuar konstituimi i kuvendit dhe nuk mund të vazhdohet tutje, pra duhet të kemi një proces të ri zgjedhor, a i bie kjo se deputetet që kanë votuar kundër tash duhet të tërhiqen dhe të lirojnë vendin për koleget e tyre brenda subjekteve, apo ndonjë zgjidhje tjetër, mbetet të shihet në vijim. Synimi ynë është që të sigurohemi qe vendi ka institucionet e veta dhe sa më parë të ketë një religjitimim përmes një procesi në Kuvend ku do të formohet qeveria e re, Qeveria Kurti, si fitues të zgjedhjeve”, tha Murati.

    Po ashtu Murati është pyetur sot se me kënd do ta formojë qeverinë e re, Vetëvendosje.

    Ai theksoi se “para se të vijë puna te formimi i qeverisë së re, duhet të zgjidhet ngërçi aktual”.

    “Janë procedurat në vijim. Para se të vijmë te votimi i qeverisë, kemi këtë çështjen e raportit, këtë ngërçin që u krijua dje. Në rast se shkohet tutje, mundësohet betimi i deputetëve në një skenar të tillë ku gjendet një mënyrë dhe mundësohet betimi i deputetëve, fillimisht kemi konstituimin e Kuvendit, pra do të jetë vota për kryetarin e kuvendit dhe për kryesinë në tërësi, pastaj kemi mandatin kandidatit për kryeministër nga presidentja dhe tek pastaj është afat i kushtetues 15 ditor që parasheh formimin e qeverisë, tek atëherë mund të flasim për këtë çështje. Ndërkaq, votimi i djeshëm çka paraqet realisht, paraqet vetëm vullnetin e kuvendit si tërësi, të 120 deputetëve se a e pranojnë rezultatin zgjedhor të certifikuar nga KQZ apo jo. Fatkeqësisht dje pamë që dispononi ishte që si në tërësi kuvendi ta refuzojë një gjë të tillë”, ka shtuar Murati.

    Murati tha po ashtu se do të vazhdojë të marrë pagën e ministrit derisa të formohet qeveria e re, pasi Kuvendi nuk është konstituar ende zyrtarisht.

    Ndërsa ka shtuar se me kalimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, automatikisht edhe kabinetit qeveritar i kalon mandati, derisa ka theksuar se dorëheqja ishte e vetëkuptueshme.

    Murati ka shtuar se dorëheqja do të ishte efektive nëse certifikimi i zgjedhjeve do të kryhej para 23 marsit, kur Qeverisë i ka mbaruar mandati.

    “Dorëheqja si akt është i konsumuar me vetë përfundimin e mandatit, më 23 mars. Neni 26 i ligjit do të vlente në rastin kur, zgjedhjet u mbanë më 9 shkurt, e KQZ-ja të ishte më efektive në numërimin e votave dhe certifikimi rezultateve të bëhej më 20 mars. Më 20 mars, Qeveria ka qenë në mandat të plotë dhe do të duhej të jepte dorëheqje në atë rast, por pas 23 marsit dorëheqja është e vetëkuptuar…Deri në Qeverinë Kurti 3 do të ketë Qeveri Kurti 2, sepse nuk mund të ketë vakum institucional… Sa i përket pagave, ne pagat po besoj se do të vazhdojmë të marrim si qeveri në detyrë, përderisa e kryejmë këtë funksion, gjithsesi mund të shohim edhe praktikat e kaluara, qe po besoj reflektojnë të njëjtit , ka thënë Murati.

    Murati u shpreh se disa prej komuniteteve jo-serbe ishin dje jashtë sallës së Kuvendit “duke diskutuar për koordinim mes tyre”.

    “S’ka të bëjë me mungesë të mbështetjes, apo s’ka të bëjë me shpërfaqje të besimit”, u shpreh ai.

    Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur nuk ka kaluar të martën ku pritej të konstituohet Kuvendi. Kjo edhe u bë shkak edhe i dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, punimet e së cilës u pezulluan.

  • ​“Le të kuptohen bllokuesit institucionalë”, Abdixhiku thotë se LDK-ja nesër shkon në seancë

    ​“Le të kuptohen bllokuesit institucionalë”, Abdixhiku thotë se LDK-ja nesër shkon në seancë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se deputetët e zgjedhur nga ky subjekt, më 17 prill do të shkojnë në Kuvend për “seancën që duhet të ndodhë”.

    Ai shkroi në Facebook se Albin Kurti dhe ministrat e tij duhet “të japin dorëheqje dhe dorëheqjet t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës”.

    “Të tjerët anëtarë të Qeverisë që s’janë apo s’duan të betohen si deputetë, vazhdojnë punën në Qeveri; deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, tha Abdixhiku.

    LDK-ja ftoi të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent nesër në Kuvend.

    “Betimi i deputetëve ndodhë. Kushtetuta mbrohet. Shteti funksionon. Logjika dhe demokracia triumfojnë. Zvarritjet e tjera janë veçse kalkulime politike me qëllim të dëmtimit të shtetit, demokracisë dhe rendit kushtetues. Nesër, nga ora 10:00, mblidhemi në seancë. Le të kuptohen qartë bllokuesit institucional e mosrespektuesit e Rregullores, Ligjit e vet Kushtetutës”, tha ai.

    Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet të martën pasi nuk kaloi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur.

    Partitë opozitare nuk e votuan raportin duke thënë se Qeveria Kurti duhet të dorëzojë dorëheqjen te Kuvendi i Kosovës.

    Opozita tha se deputetët e zgjedhur që janë edhe anëtarë të qeverisë nuk mund të betohen si deputetë derisa mbajnë poste qeveritare.

    Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i konsideroi të mërkurën të “pa matura” thirrjet e opozitës për dorëheqje formale.