ATV

Author: ATVLive

  • Kosova renditet e 83- ta në luftën kundër korrupsionit

    Kosova renditet e 83- ta në luftën kundër korrupsionit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Njësoj si një vit më parë, edhe në 2023-tën për Kosovën në raportin e indeksit për perceptim të korrupsionit, është dhënë vlerësimi i njëjtë, me 41 pikë.

    Ndërkohë, në ranglistën botërore zë vendin e 83-ta.

    Megjithatë, sa i përket luftës kundër korrupsionit, Kosova qëndron më mirë se Shqipëria, Serbia e Bosnjë Hercegovina, ndërkohë që para saj janë Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

    Gjithashtu, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, është vlerësuar se reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

    Në indeksin e Transparency International radhiten çdo vit 180 shtete dhe territore të botës, në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

    Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    Sipas këtij indeksi, Shqipëria është vlerësuar me 37 pikë, Serbia me 36, Mali i Zi me 46 dhe Maqedonia e Veriut me 42 pikë.

  • Për shkak të mospagesave, Thaçi mund të mbetet pa tre avokatë

    Për shkak të mospagesave, Thaçi mund të mbetet pa tre avokatë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Përballë akuzave nga Prokuroria Speciale, gjasat janë që Hashim Thaçi të mbrohet pa avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder dhe pa anëtarët e shoqërisë së avokatëve Greenberg.

    Juristët kanë paralajmëruar tërheqjen për shkak të mospagesave.

    “Z. Thaçi nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës, andaj z. Thaçi i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkojnë përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thotë njoftimi i Dhomave të Specializuara.
    Mospagesa e avokatëve është konfirmuar edhe nga vetë familja e ish-presidentit, e cila i kishte angazhuar vetë.

    ”Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Mishetiq, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës”, tha Idriz Thaçi, vëlla i Hashim Thaçit.

    Pikërisht ndaj Luka Mishetiqit që është i angazhuar, sipas detyrës, Ministria e Drejtësisë thotë se i ka kryer të gjitha pagesat.

    “Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

    Sidoqoftë, njohës të fushës vlerësojnë se pa avokatët e sipërpërmendur, mbrojtja e ish-presidentit mund të jetë më e dobët.

    Të mërkurën pas mbarimit të seancës, trupi gjykues ka planifikuar takim mes Hashim Thaçit dhe ekipit mbrojtës që ka kërkuar të tërhiqet për shkak të mospagesës.

  • MKRS-ja s’ia del ta përzgjedhë projektin për ndërtimin e teatrit të operës

    MKRS-ja s’ia del ta përzgjedhë projektin për ndërtimin e teatrit të operës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Lokacioni iu ricaktua. Por, pas më shumë së një viti procedurë, Ministria e Kulturës nuk arriti ta bëjë hapin e parë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, objekt të cilin qeveritë e njëpasnjëshme e synojnë tash e dy dekada. Tenderi për përzgjedhjen e projektit ideor është anuluar, njoftoi vetë MKRS-ja, pas vendimit final të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Gjykata e Tenderëve konstatoi disa shkelje ligjore në konkursin e hapur nga Ministria e Kulturës në tetor të vitit 2022.

    “Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, ka shkelur nenin 80 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të ofertës. Njësoj kanë vepruar edhe dy operatorët e tjerë të përfshirë në listën finale të rezultateve, duke dhënë informata të zbulimit të identitetit, përmes të cilave komisioni ka mundur të kuptojë qartë se kujt i përket projekti ideor”, thuhet në njoftimin e OSHP-së.

    Duke i marrë parasysh këto fakte, ekspertët besuan se juria e formuar nga MKRS-ja nuk mund të bëjë vlerësim të drejtë, andaj kërkuan anulimin e tërësishëm të kësaj procedure.

    “Duke u bazuar në gjendjen reale të krijuar, të dy ekspertët vlerësojnë se tashmë rrethanat të cilat janë krijuar e bëjnë të pamundur që juria profesionale të bëjë vlerësim objektiv dhe të barabartë mes Operatorëve Ekonomikë, pasi që është shkelur rregulli bazik, parimi kryesor që vlerësimi i drejtë të bëhet përderisa identiteti i asnjërit pjesëmarrës nuk dihet, por qëndrojnë anonim”, thuhet më tej në njoftimin e OSHP-së.

    Teksa komunikimi me zyrtarë nga Ministria e Kulturës gjatë ditës nuk ishte i mundur, Besa Luzha anëtare e këshillit për funksionalizimin e institucionit të Operës kërkoi të merren parasysh vërejtjet.

    “Për neve është shumë i rëndësishëm ky objekt. Por, meqë është objekt madhor me rëndësi shumë të madhe nuk është mirë që ministria të ngutet. T’i merr parasysh vërejtjet që të mos i përsërisë shkeljet”, tha Luzha.

    Ndërkohë, Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të këtë kosto deri në 2.5 milionë euro.

    Ndryshe, në vitin 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, por pa epilog. Kurse më 2 dhjetor të 2009 ishte vënë gurthemeli për këtë ndërtesë. Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.

  • Britania e Madhe po e shqyrton njohjen e shtetit palestinez

    Britania e Madhe po e shqyrton njohjen e shtetit palestinez

    Britania e Madhe është e gatshme për ta njohur formalisht një shtet palestinez, ka lënë të kuptohet të martën sekretari i Jashtëm David Cameron.

    Cameron theksoi se palestinezëve duhet t’u jepet një horizont politik për ta nxitur arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

    Britania e Madhe e ka përgjegjësi ta paraqesë se si do të dukej një shtet palestinez, sipas tij.

    Popullit palestinez duhet t’i shfaqet “përparim i pakthyeshëm” drejt një zgjidhje me dy shtete, shtoi ai.

    “Derisa kjo ndodh, ne – bashkë me aleatët – do ta konsiderojmë njohjen e një shteti palestinez, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara”, tha ai i Këshillin Konservator për Lindjen e Mesme.

    “Kjo mund të jetë njëra nga gjërat që ndihmojnë ta bëjë këtë proces të pakthyeshëm”, tha i.

    Ai i bëri thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma ndërkombëtare në Rripin e Gazës dhe e cilësoi “qesharake” kthimin mbrapsht të ndihmave jetike britanike dhe ndihmave të tjera në kufi.

    Cameron theksoi se 30 vjetët e fundit kanë qenë histori dështimi për Izraelin për shkak se ka dështuar të ofrojë siguri për qytetarët e vet.

    Vetëm duke e pranuar këtë dështim, shtoi ai, do të ketë paqe dhe përparim.

    Britania ka kohë të gjatë që e mbështet një zgjidhje me dy shtete, ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë krah për krah në vende të ndara.

    Por, Cameron sugjeroi se Britania mund t’i ofrojë njohje formale dhe diplomatike një shteti palestinez, jo si pjesë e një marrëveshjeje finale për paqe, por më herët, gjatë bisedimeve.

    Në të njëjtën kohë, duhet të ketë edhe një autoritetet të ri palestinez me “liderë të mirë dhe teknokratikë” që janë në gjendje ta udhëheqin Gazën, nënvizoi ai.

    Në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë, Cameron tha se ndërprerja e luftimeve është e nevojshme tani dhe se ka “shenja shpresëdhënëse” për bisedimet që po zhvillohen.

    “Tani po shohim hapjen e një rruge ku ne mund të shënojmë përparim vërtet, jo vetëm për t’i dhënë fund konfliktit, por përparim në gjetjen e një zgjidhjeje politike, e cila mund të nënkuptojë paqe për vite, e jo për muaj”, tha ai.

    Lufta e Izraelit në Rripin e Gazës e ka shkatërruar shumicën e territorit të vogël dhe i ka vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

    Kjo luftë u nxit nga një valë sulmesh të luftëtarëve të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ku u vranë rreth 1.300 njerëz dhe u rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite. /rel

  • Presidenca jep detaje për takimin e Osmanit me Lajçakun

    Presidenca jep detaje për takimin e Osmanit me Lajçakun

    Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák

    Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.

    Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.

    Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

    Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë.

  • Rusët në Mal të Zi mbledhin nënshkrime për kundërshtarin e Putinit

    Rusët në Mal të Zi mbledhin nënshkrime për kundërshtarin e Putinit

    Aktivistë rusë në Mal të Zi organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e politikanit opozitar rus, Boris Nadezhdin, në zgjedhjet presidenciale në Rusi, të cilat do të mbahen në mars.

    Sipas tyre, ai është i vetmi kandidat që e kundërshton luftën e Rusisë në Ukrainë.

    “Kjo është një mënyrë për të treguar qëndrimin tonë kundër luftës, duke e mbështetur atë”, tha për Radion Evropa e Lirë Olga Stepanova, e cila u zhvendos në Budvë të Malit të Zi pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, gati dy vjet më parë.

    Deri më tani, për Nadezhdinin janë mbledhur rreth 1.700 nënshkrime.

    Njëri prej organizatorëve, Illija Gureviç, beson se mesazhi që dërgohet, është më i rëndësishëm se numri.

    “Të gjithë këta njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë ardhur në Mal të Zi, për shkak të regjimit rus dhe luftës. Mesazhi i tyre është se ata duan ndryshime”, tha Gureviç për Radion Evropa e Lirë dhe shtoi se rusët po mbledhin mbështetje për Nadezhdinin edhe në disa vende të tjera evropiane.

    Një pjesë e aktivistëve rusë kundër luftës që mblodhën nënshkrime për të mbështetur politikanin opozitar, Boris Nadezhdin. Budva, 26 janar 2024.
    Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen nga data 15 deri më 17 mars dhe kandidat kryesor në to është presidenti aktual, Vladimir Putin.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i tha REL-it se Ambasada e Federatës Ruse e ka njoftuar se, në mes të marsit, do të organizojë votime për zgjedhjet presidenciale ruse në ndërtesën e ambasadës në Podgoricë.
    Në Mal të Zi banojnë zyrtarisht rreth 27.000 rusë.

    Më 26 janar, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se rusët jashtë vendit do të mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale edhe në vendet “armiqësore”.

    Mali i Zi është në listën e vendeve “armiqësore” të Rusisë që nga marsi i vitit 2022, kur u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë.

    REL-i konfirmoi më herët se votimet në vendet e rajonit do të organizohen në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë. Në Serbi nuk konfirmuan ende, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë thanë se nuk do ta pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve nëse ato janë në përputhje me ligjet e tyre.

    Nënshkrime për Nadezhdinin kanë nisur të mblidhen edhe në vende të tjera të rajonit, përfshirë Serbinë.

    Kush është Boris Nadezhdin?

    Boris Nadezhdin, 60 vjeç, angazhohet për fundin e luftës në Ukrainë dhe fundin e mobilizimit ushtarak, si dhe për dialog me Perëndimin.

    “Njerëzit nënshkruajnë për mua, jo sepse u pëlqej në mënyrë të veçantë, por sepse është një shans për të bërë diçka për paqen, për t’i dhënë fund gjithë kësaj historie dhe për t’i ndalur vrasjet e njerëzve”, tha Nadezhdin për agjencinë e lajmeve Reuters, më 24 janar.

    Afati i fundit për dorëzimin e nënshkrimeve të mbështetjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Rusi është data 31 janar. Ato, pastaj, kontrollohen dhe kandidatura ose miratohet, ose refuzohet.

    Bashkëbiseduesit e REL-it nuk deshën të thonë publikisht se si do t’ua dorëzojnë nënshkrimet nga Mali i Zi autoriteteve në Rusi, sepse dyshojnë se mund të pengohen.

    Rusët i ndjek frika edhe kur janë jashtë Rusisë

    Pavarësisht faktit se vetëm pak më shumë se 6 për qind e rusëve në Mal të Zi e nënshkruan mbështetjen e tyre për Nadezhdinin, organizatorët janë të kënaqur me pjesëmarrjen në peticion, sepse, siç thonë, shumë rusë hezitojnë t’i shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike.

    Në Rusi është e ndaluar që lufta kundër Ukrainës të quhet luftë. Në vitin 2022, Putin nënshkroi një ligj që përcakton se kundërshtimi publik ndaj luftës, mund të rezultojë me 15 vjet burgim.

    “…prandaj, edhe kur janë në një vend tjetër, shumë rusë nuk duan të ekspozohen, sepse kanë frikë për të afërmit e tyre në Rusi, të cilët mund të vuajnë nga qëndrimet e tyre”, tha Gureviç.

    Ai kujton se në Bullgari ka pasur raste të ekstradimit të aktivistëve kundër luftës në Rusi.

    “Autoritetet në Rusi mashtrojnë dhe mund të trillojnë një rast, mbi bazën e të cilit mund të kërkojnë ekstradimin e një rusi nga jashtë. Dhe shumë mendojnë se është më mirë të heshtin”, sipas tij.

    Kjo është një nga arsyet përse ky tridhjetëvjeçar nuk është shumë optimist kur flet për të ardhmen e vendit të tij.

    Ai beson se nuk do të ketë ndryshime rrënjësore për së paku dhjetë vjetët e ardhshëm.

    “Ata që janë larguar nga Rusia, do të kenë gjithnjë e më pak shanse për t’u kthyer. Hapësira e opozitës është boshe dhe duhet të mbushet nga disa politikanë të rinj. Detyra e atyre që janë larguar, është t’i mbështesin ata dhe kjo është ajo që po ndodh tani”, tha Gureviç.

    Megjithatë, sipas tij, për opozitën në Rusi nuk ka shpresë nëse nuk ndryshon diçka brenda vendit.

    “Ne mund të ndihmojmë, por ndryshimi mund të ndodhë vetëm nga brenda”, u shpreh ai.

    Stepanova beson se mbështetja për Nadezhdinin është njëkohësisht mesazh i qartë edhe për Putinin.

    “Në këtë mënyrë, qytetarët i thonë: Jemi lodhur me këtë që po bëni”, u shpreh Stepanova.

    Edhe pse dyshohet për krime lufte, Putin në garë për mandat të ri

    Siç ka raportuar deri më tash Radio Evropa e Lirë, për shumicën e analistëve, fitorja e Putinit nuk është në dyshim, sepse figurat kryesore të opozitës ruse, si Aleksei Navalny, janë në burg ose jashtë vendit, për shkak të rrezikut të arrestimit.

    Putin, 71 vjeç, i cili do të garojë si kandidat i pavarur, ka në duart e tij të gjitha levat e pushtetit.

    Ai garon për mandatin e tij të pestë. Këtë ia kanë mundësuar ndryshimet në Kushtetutën ruse, të bëra në vitin 2020, të cilat e kanë shfuqizuar dispozitën se posti i presidentit nuk mund të mbahet për më shumë se dy mandate radhazi.

    Paraprakisht, mandati presidencial është zgjatur nga katër në gjashtë vjet.

    Nëse e përfundon mandatin e ri gjashtëvjeçar, Putin do të ishte sundimtari më jetëgjatë rus që nga shekulli XVIII.

    Perëndimi e konsideron Putinin diktator dhe për shkak të dyshimeve për përfshirje në krime lufte në Ukrainë, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti për të në mars të vitit 2023. /REL

  • Personi që vdiq në aksident në Bresje ishte i burgosur i Smrekonicës, kishte dal për të punuar

    Personi që vdiq në aksident në Bresje ishte i burgosur i Smrekonicës, kishte dal për të punuar

    Shërbimi korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot në një aksident trafiku ka humbur jetën një i burgosur.

    Në njoftim bëhet e ditur se i njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku dhe kishte dalë dal në mëngjes për të shkuar në vendin e punës.

    Njoftim nga SHKK:

    Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik, se sot në një aksident trafiku ka ndërruar jetë i burgosuri, F.A.

    I njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku kishe dalë sot rreth orë 06:35 për të shkuar në vendin e punës, ku sipas Udhëzimit Administrativ për punë jashtë institucioneve korrektuese, MD-nr. 04/2023, po punonte jashtë në një biznes privat.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës u shprehë ngushëllime familjes dhe gjithë të të afërmve.

  • ​100 emigrantë të vdekur në Mesdhe gjatë vitit 2023

    ​100 emigrantë të vdekur në Mesdhe gjatë vitit 2023

    Pothuajse 100 emigrantë kanë vdekur tashmë në përpjekje për të kaluar Mesdheun Qendror dhe Lindor këtë vit, pothuajse dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023, tha drejtoresha e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Amy Pope, në faqen e internetit të agjencisë së OKB-së, të martën.

    Viti i kaluar mbetet një rekord për vdekje që nga viti 2016, tha ajo.

    Shumica e vdekjeve kanë ndodhur gjatë rrugës për në Itali. /ANSA/

  • ​Konfirmohet se në Evropë u regjistrua temperatura rekord prej 48.8 gradë në vitin 2021

    ​Konfirmohet se në Evropë u regjistrua temperatura rekord prej 48.8 gradë në vitin 2021

    Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) konfirmoi të martën se në Evropën kontinentale u regjistrua një temperaturë rekord prej 48.8 C (119.8 F) në vitin 2021.

    Sipas gjetjeve të publikuara në Gazetën Ndërkombëtare të Klimatologjisë, temperatura u regjistrua në ishullin e Siçilisë të Italisë më 11 gusht 2021, tha zyrtarja për media e WMO, Clare Nullis në një konferencë për shtyp të OKB-së në Gjenevë.

    Nullis deklaroi se rekordi i mëparshëm për Evropën kontinentale prej 48.0 C u mbajt nga qytetet greke të Athinës dhe Elefsinës më 10 korrik 1977 bazuar në burimet zyrtare të qeverisë.

    Në një deklaratë për shtyp, raportuesi i WMO Randall Cerveny tha: “Ekstremet e paraqitura përpara WMO për gjykim janë “fotografi” të klimës sonë aktuale. Është e mundur, me të vërtetë e mundshme, që ekstreme më të mëdha të ndodhin në të gjithë Evropën në të ardhmen.”

    “Ky studim tregon tendencën alarmante për vazhdimin e rekordeve të temperaturave të larta që do të vendosen në rajone të veçanta të botës,” tha Cerveny. /AA/

  • Jashari: Është e pakuptimtë me shku me kërku besë, termat kanunor janë të palogjikshme të përdoren në kohën moderne

    Jashari: Është e pakuptimtë me shku me kërku besë, termat kanunor janë të palogjikshme të përdoren në kohën moderne

    Avokati Arbër Jashari, në emisionin A LIVE në ATV, tha se e sheh të pakuptimtë shkuarjen për të kërkuar besë dhe një gjë të tillë me e proklamu si diçka pozitive.

    “Unë e shoh si të pakuptimtë më së pari me shku me kërku besë, pastaj e shoh si të pakuptimtë edhe me proklamu si diçka pozitive, si diçka fisnike për arsye se në kohën tonë është e pa implementueshme”, tha Jashari.

    Këto deklarata ai i bëri lidhur me rastin e para tri dite, ku axha i Lulzim Fejzullahut u kishte dhënë një mauj besë familjeve të dorasve të vrasjes së nipit të tij.

    Avokati thotë se në kohën kur nuk ka funksionu shteti, janë dashtë mekanizma të tjerë për të vendosur rregull, mirëpo sipas tij, në kohën moderne, janë të pakuptimtë dhe të palogjikshme të përdoren terma kanunor.

    “Por, tash në kohën moderne mendoj se është krejtësisht e pakuptimtë dhe e palogjikshme që të përdoren edhe këto terma kanunor. Unë dua të bëj një dallim. E mirëpres çdo inciativë që çdokush e ndërmerr për pajtimin edhe uljen e gjakrave të dy familjeve, por jo në kuptimin që ti me i jep besë që për një muaj ditë s’ke me dalë me e vra, që në njëfarë forme, po e paragjykon që pas një muaje ti e ke ndërmend me dalë me e ba një të keqe, duke qenë se tash kemi shtet, kemi ligje dhe ne ia kemi besu, kur është kriju shteti si një mekanizëm shumë i sofistikuar dhe ne ia kemi besu disa të drejta dhe liri tona, dhe ia kemi besu që ai me vepru në emër tonin për me i realizu edhe ato të drejta dhe eventualisht nëse na bëhet ndonjë dëm i caktuar që shteti e ka për obligim që ai të veprojë dhe ai të ndërmarrë masat adekuate”, tha Jashari. /atvlive.tv