ATV

Author: ATVLive

  • Ministria e Drejtësisë: Ne e paguajmë vetëm një avokat për Thaçin

    Ministria e Drejtësisë: Ne e paguajmë vetëm një avokat për Thaçin

    Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate për shtyp të martën, tha se të gjitha pagesat për mbrojtjen e ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, i cili akuzohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës për krime të pretenduara lufte, janë realizuar me kohë.

    Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e deritanishëm të ish-presidentit kosovar në procesin gjyqësor, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Thaçit për shkak të mosrealizimit të pagesave. Ministria e Drejtësisë njoftoi se realizon pagesa vetëm me avokatet më të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Aktualisht, sipas njoftimit, MD-ja ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ku sipas MD-së në përputhje me marrëveshjen, janë realizuar të gjitha pagesat me kohë.

    Njoftimi i plotë:

    Ministria e Drejtësisë përmes këtij njoftimi, dëshiron të mirë-informojë publikun e gjerë dhe të sqarojë lajmet lidhur me pagesat e avokatëve të personave të cilët akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në përputhje me Udhëzimin Administrativ numër 08/2022 për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar Potencial për Krimet e Pretenduara në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka lidhur marrëveshje për përfaqësim me avokatët përkatës të personave të akuzuar, në këtë rast, me mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, për të cilin rast, raportohet tërheqja e mbrojtjes për shkak të mos realizmit të pagesave.

    Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro.

    Pagesa për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023.

    Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro.

    Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro.

    Për sqarim tutje, Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatet më të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me Marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë.

    Ndërsa për avokatet tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave.

    Pra, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Udhëzimin e tillë dhe legjislacionin në fuqi, ka realizuar me kohë të gjitha pagesat dhe obligimet për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi.

  • Policia e Kosovës gjen thasë me rërë në një objekt në Zveçan

    Policia e Kosovës gjen thasë me rërë në një objekt në Zveçan

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), është duke e kontrolluar një objekt në qendër të Zveçanit, ku janë gjetur thasë me rërë.

    Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajoni e veriut, Veton Elshani.

    Elshani tha se autoritetet kanë marrë informacione se potencialisht ka “diçka të paligjshme” në objektin që gjendet në hyrjen e Zveçanit nga drejtimi i Mitrovicës së Veriut.

    Pas hyrjes së forcave të rendit në këtë objekt, janë gjetur thasë me rërë.

    “Ajo që e dimë është se [thasët me rërë] ose janë planifikuar për ose janë përdorur për barrikada. Njësia [e Policisë së Kosovës] nga Prishtina ka ardhur për të përcaktuar se për çfarë objekti bëhet fjalë dhe pse janë [thasët me rërë] aty”, tha Elshani.

    Në fasadën e objektit ku po kryhen kontrolla shihet edhe logoja e “Brigadës së Veriut”, që Qeveria e Kosovës më herët e ka shpallur organizatë terroriste.

    Zveçani është një ndër katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

    Në të kaluarën, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë, duke përdorur mjete të ndryshme të rënda, sikurse kamionët, për të bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendime të ndryshme të Qeverisë së Kosovës.

  • ​Ministri gjerman i Mbrojtjes viziton Kosovën më 5 shkurt

    ​Ministri gjerman i Mbrojtjes viziton Kosovën më 5 shkurt

    Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius dhe një delegacion i deputetëve të parlamentit gjerman, më 5 shkurt do të realizojë vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Kjo është bërë e ditur në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtje, ku u theksua se kuadër të agjendës është paraparë një takim pune i përbashkët një orësh ndërmjet delegacionit të deputetëve të parlamentit gjerman dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, specifikisht anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha tregoi edhe qëllimin e Projektligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

    “Shqyrtimi në parim i Projektligjit Nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, edhe ky projektligj është në fushëveprim, fushëveprimin e komisionit tonë, qëllimi i tij është bashkërendimi dhe bashkëpunimi institucional në fushën e sigurisë kombëtare përmes Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës”, tha Berisha.

    Komisioni vazhdoi mbledhjen pa praninë e mediave, ku do të shqyrtohet projektligji për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës, projektligji për shtetësinë e Kosovës, projektligji për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, por gjithashtu do të shqyrtohet edhe plani i punës së Komisionit për sesionin pranveror 2024.

  • ​Kjo është paga mesatare në vende të botës, prin Zvicra

    ​Kjo është paga mesatare në vende të botës, prin Zvicra

    Zvicra, Luksemburgu, Singapori, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe katari janë venet që kanë pagën mesatare mujore neto më të madhe në botë.

    Sipas një postimi të World of Statistics, Zvicra ka pagën mesatare neto prej 6687 dollarë, Luksemburgu me 5,256 dollarë, Singapori me 5,118 dollarë, SHBA me 4673 dollarë dhe Katari 4,079 dollarë.

    Kjo është paga mesatare mujore neto në 96 vende:

    Zvicra 6687 dollarë

    2. Luksemburg 5,256 dollarë

    3. Singapor 🇸🇬: 5,118 dollarë

    4. SHBA 🇺🇸: 4673 dollarë

    5. Katar 🇶🇦: 4,079 dollarë

    6. Danimarkë 🇩🇰: 3630 dollarë

    7. Hong Kong 🇭🇰: 3,591 dollarë

    8. Holandë 🇳🇱: 3,459 dollarë

    9. Norvegji 🇳🇴: 3,420 dollarë

    10. Emiratet e Bashkuara Arabe 🇦🇪: 3,388 dollarë

    11. Australi 🇦🇺: 3,386 dollarë

    13. Gjermani 🇩🇪: 3,023 dollarë

    14. MB 🇬🇧: 2,941 dollarë

    16. Kanada 🇨🇦: 2,911 dollarë

    18. Finlandë 🇫🇮: 2,873 dollarë

    19. Suedi 🇸🇪: 2710 dollarë

    22. Austri 🇦🇹: 2600 dollarë

    23. Francë 🇫🇷: 2,495 dollarë

    24. Koreja e Jugut 🇰🇷: 2,466 dollarë

    26. Japoni 🇯🇵: 2,255 dollarë

    28. Arabia Saudite 🇸🇦: 2,112 dollarë

    29. Spanja 🇪🇸: 1,914 dollarë

    31. Itali 🇮🇹: 1704 dollarë

    39. Afrika e Jugut 🇿🇦: 1,285 dollarë

    45. Kinë 🇨🇳: 969 dollarë

    46. Greqi 🇬🇷: 966 dollarë

    53. Meksikë 🇲🇽: 761 dollarë

    60. Turqi 🇹🇷: 618 dollarë

    62. Indi 🇮🇳: 591 dollarë

    65. Rusia 🇷🇺: 574 dollarë

    73. Brazil 🇧🇷: 452 dollarë

    75. Argjentinë 🇦🇷: 421 dollarë

    82. Kolumbi 🇨🇴: 376 dollarë

    86. Indonezi 🇮🇩: 316 dollarë

    91. Bangladesh 🇧🇩: 246 dollarë

    93. Venezuela 🇻🇪: 194 dollarë

    95. Egjipt 🇪🇬: 180 dollarë

    96. Pakistan 🇵🇰: 179 dollarë

  • Dyshimet për konsumim të drogës në Komunën e Leposaviqit, prokuroria autorizon policinë të nisë hetimet

    Dyshimet për konsumim të drogës në Komunën e Leposaviqit, prokuroria autorizon policinë të nisë hetimet

    Prokuroria Themelore ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e rastit të nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq, që dyshohet se ka konsumuar drogë.

    Pamjet u publikuan nga Nacionale dhe sipas tyre dyshohet se nënkryetarja serbe këtë vepër e kreu në ambientet e zyreve të objektit komunal, bashkë me një pjesë të stafit të saj.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

  • Hendboll, Kosova organizon dy kampionate evropiane

    Hendboll, Kosova organizon dy kampionate evropiane

    Federata e Hendbollit të Kosovës ka fituar të drejtën që në vitin 2024 t’i organizojë dy kampionate Evropiane.

    Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian U20 dhe atë për grupmoshat U18.

    Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraqini.

    Ai në një konferencë për media ka thënë se kjo është arritja më madhe e kësaj federate deri më tani.

    Gjithashtu është bërë e ditur se në Evropianin për U20 do të marrin pjesë 12 ekipe evropiane, kurse në atë për U18 marrin pjesë 8 ekipe.

  • ​Përkujtohen dëshmorët Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku në 34 vjetorin e Masakrës së Malishevës

    ​Përkujtohen dëshmorët Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku në 34 vjetorin e Masakrës së Malishevës

    Në datën e sotme, 34 vite më parë, në Malishevë kishte ndodhur “Masakra e Malishevës”, ku u vranë Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, ndërsa u plagosën, u rrahën e u maltretuan dhjetëra qytetarë të tjerë, në të katër hyrje-daljet e Komunës së Malishevës.

    Në nderim të të rënëve, sot, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, bashkë me qeverinë komunale, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarë të tjerë, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku.

    “Ai popull që nderon dhe respekton dëshmorët e rënë për liri dhe vlerat e luftës, e ka rrugën e trasuar për të ecur tutje, prandaj ne gjithmonë do ti nderojmë dhe respektojmë dëshmorët dhe vlerat e luftës për liri. Kjo ngjarje, ndonëse e dhimbshme për ne si popull, shënon edhe reagimin e parë institucional apo kthesën e madhe historike, ku në mënyrë të hapur, nga udhëheqësit e komunës dhe përfaqësuesit e saj në Kuvendi e Kosovës, ngjarja është cilësuar si gjenocid e terror mbi popullatën shqiptare dhe është kundërshtuar sistemi dhe regjimi i asaj kohe, duke i hapur rrugë përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, që është kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liri të cilën sot e gëzojmë”, ka thënë mes tjerash, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e rastit, në përkujtim të 30 janarit të vitit 1990.

  • Jusuf Azemi: Nuk mbijetohet me pagë 250 euro, edhe sikur të bëhet 600 euro, fuqia punëtore ka ikur

    Jusuf Azemi: Nuk mbijetohet me pagë 250 euro, edhe sikur të bëhet 600 euro, fuqia punëtore ka ikur

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se me një pagë minimale prej 250 euro nuk mbijetohet.

    “Ne edhe sot e kemi një pagë minimale 170 euro, pavarësisht që ka kaluar në Kuvend të Kosovës që paga minimale të bëhet 264 euro bruto, por edhe të ishte në fuqi faktikisht me 250 euro nuk mbijetohet. Ne realisht e kemi humb betejën po se po, por edhe luftën e kemi humb”, është shprehur Azemi.

    Ndërsa, tregon për kohën kur kanë kërkuar që paga minimale të bëhet 450 euro, por se nuk janë dëgjuar nga askush.

    Pasi, siç thotë kjo kërkesë është menduar se po bëhet për t’i plotësuar apetitet tona.

    “Ne kur kemi kërkuar që paga minimale së paku të jetë 450 euro, këta nuk e kanë bërë dhe kanë mëndu që ne po e bëjmë për apetitet tona. Realisht edhe tani edhe nëse e bën 450 euro, edhe 500 edhe 600 njerëzit e kanë ndarë mendjen, fuqia punëtore ka ikë”, ka shtuar ai për Front Online.

    Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

    Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

    Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

    Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill të vitit të kaluar, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale.

    Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat.

  • Tërhiqen avokatët e Thaçit, ankohen për mospagesë

    Tërhiqen avokatët e Thaçit, ankohen për mospagesë

    Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale. Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.

    “Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

  • Platforma “X” bllokon disa kërkime nën emrin e Taylor Swift – Kjo është arsyeja

    Platforma “X” bllokon disa kërkime nën emrin e Taylor Swift – Kjo është arsyeja

    Platforma e mediave sociale X e Elon Muskut, ka bllokuar disa forma kërkimi me emrin Taylor Swift, pas qarkullimit në internet të imazheve të rreme pornografike të këngëtares.

    Nëse kërkohet emiri i saj pa thonjëza, përdoruesve u thuhet se kanë kërkuar gabim dhe të provojnë përsëri. Më vonë, kërkimi u shoqërua me njoftimin: “Mos u shqetësoni – nuk është faji juaj”.Megjithatë, nëse emri i saj vendoset në thonjëza, atëherë në platformë shfaqen postime që përmendin emrin e saj.

    Imazhet e rreme seksuale të këngëtares Swift filluan të qarkullojnë gjerësisht javën e kaluar në platformën X .

    “Ky është një veprim i përkohshëm që është marrë me shumë kujdes, pasi ne i japim përparësi sigurisë për këtë çështje,” tha në një deklaratë Joe Benarroch, nga platforma X.

    Imazhet e këngëtares Swift duket se janë krijuar duke përdorur Inteligjencën Artificiale.

    Pasi imazhet filluan të përhapeshin në internet, mbështetësit e përkushtuar të këngëtares, të njohur si “Swifties” u mobilizuan shpejt, duke nisur një fushatë në platformën X shoqëruar me thurjen #ProtectTaylorSwift me qëllim përhapjen e sa më shumë imazheve pozitive të yllit të muzikës pop.

    Disa thanë se po raportonin llogaritë e atyre që po shpërndanin imazhet e rreme të këngëtares.

    Rrjeti i zbulimit të imazheve të rreme, Reality Defender tha se gjurmoi një sërë imazhesh të rreme këngëtares Swift, veçanërisht në platformën X. Disa imazhe depërtuan gjithashtu në Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale.

    Disa imazhe të krijuara nga Inteligjenca Artificiale lidheshin me futbollin dhe e tregonin këngëtaren të gjakosur, ose të lyer.Kërkuesit kanë thënë se përhapja e përmbajtjeve të rreme është rritur në vitet e fundit, pasi teknologjia e përdorur për të prodhuar imazhe të tilla është bërë më e lehtë për t’u përdorur.

    Në vitin 2019, një raport i publikuar nga kompania e teknologjisë DeepTrace Labs tregoi se këto imazhe kishin kryesisht si objektiv gratë.Shumica e viktimave, sipas raportit, ishin aktorë të Hollivudit dhe këngëtarë të muzikës pop në Korenë e Jugut.