ATV

Author: ATVLive

  • ​Podujevë: Gruaja keqtrajton fëmijët e saj, arrestohet nga policia

    ​Podujevë: Gruaja keqtrajton fëmijët e saj, arrestohet nga policia

    Një rast i keqtrajtimit të fëmijëve është raportuar të ketë ndodhur në Podujevë.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet një femër (shtetase e Kosovës) është arrestuar pasi dyshohet se ajo ka keqtrajtuar tre fëmijët e saj.

    Në njoftim thuhet se me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar dhe se rasti shkon në procedurë të rregullt.

    “Podujevë 21.01.2024-10:30. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare nën dyshimin e bazuar se e njëjta ka keqtrajtuar tre fëmijët e saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia e Kosovës.

  • Ademi diskuton me ambasadorin e Kosovës në Japoni për bashkëpunim në fushën e sportit

    Ademi diskuton me ambasadorin e Kosovës në Japoni për bashkëpunim në fushën e sportit

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi po qëndron në shtetin e Japonisë, atje ku po zhvillohet një seminar me federatat anëtare të FIFA-së.

    Me këtë rast i pari i FFK-së është takuar me ambasadorin e Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, me të cilin ka thënë se kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve edhe në fushën e sportit, transmeton KosovaPress.

    “Gjatë vizitës në Tokio, ku po qëndroj me ftesë të FIFA-s, për një seminar me federatat anëtare, pata kënaqësinë ta vizitoj Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku u prita ngrohtësisht nga ambasadori Sabri Kiçmari. Me këtë rast diskutuam për zhvillimin e futbollit në Kosovë si dhe për futbollin nëpër breza, kur edhe vetë ambasadori ishte futbollist i Llapit. Po ashtu diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit edhe përmes sportit me një shtet tejet të zhvilluar si Japonia”, ka shkruar Ademi në Facebook.

    Me këtë rast, ambasadorit Kiçmari, presidenti i FFK-së ia ka dhuruar një fanellë të Kombëtares së Kosovës.

  • ​Haradinaj pritet në Pentagon: Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare e NATO-s në krah me Amerikën

    ​Haradinaj pritet në Pentagon: Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare e NATO-s në krah me Amerikën

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka takuar sot Drejtorin kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, Alton V. Buland.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

    “Nder i madh të vizitoj prap Pentagonin dhe të takohem me z. Alton V. Buland, Drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Shfrytëzova rastin ta falënderoj z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka tash e 25 vite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë forcimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se në 25-vjetorin e intervenimit të NATO-së, do të ishte hapi i duhur që Kosova të bëhet anëtare e saj.

    “Gjatë takimit me z. Buland kërkova që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO. Tash që jemi 25 vjet pas intervenimit të kësaj organizate të rëndësishme, ky do të ishte hapi i duhur i cili e ndihmon edhe sigurinë e brendshme, njëkohësisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

    Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare në krah me Amerikën dhe shtetet tjera që janë pjesë përbërëse e Aleancës veri-atlantike të NATO-s”, është shprehur Haradinaj.

  • Neymar u kundërpërgjigjet me video zërave se ka shtuar peshë

    Neymar u kundërpërgjigjet me video zërave se ka shtuar peshë

    Sulmuesi brazilian Neymar së fundi është goditur nga pretendimet se ai ka kaluar në mbi peshë që nga lëndimi i rëndë që ka pësuar.

    Gjatë afatit kalimtar të verës, Neymar u largua nga gjiganti francez i Ligue 1, Paris Saint Germain për në Ligën Profesionale Saudite teksa nënshkroi për Al Hilal.

    Megjithatë, pas vetëm pesë paraqitjeve, Neymar pësoi një dëmtim të rëndë në gju ndërsa ishte i angazhuar me Brazilin dhe do të jetë jashtë fushës për pjesën e mbetur të sezonit.

    Ditët e fundit, fotografitë e shfaqura në mediat sociale sollën dyshime se Neymar ka shtuar pak peshë, përcjellë KosovaPress.

    Megjithatë, 31-vjeçari është kundërpërgjigjur me një video në rrjetet e tij sociale duke mohuar diçka të tillë.

    “Mbipeshë, yndyrë? Unë nuk mendoj kështu! Ja ku më keni, urrejtës! Largohuni.”, ka thënë Neymar.

    Braziliani më pas ngriti kamerën lart për të treguar fizikun e tij.

    Më poshtë mund të shikoni pamjet:

  • ​Ish-kryeministri pakistanez dënohet me 14 vjet burgim për korrupsion

    ​Ish-kryeministri pakistanez dënohet me 14 vjet burgim për korrupsion

    Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij, Bushra Khan, janë dënuar secili me nga 14 vjet burgim lidhur me shitjen e paligjshme të dhuratave shtetërore, tha partia e tij më 31 janar.

    Në këtë vendim po ashtu përfshihet përjashtimi për dhjetë vjet i mbajtjes së ndonjë posti publik, tha partia e Khanit, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI). Bushra Khan, që njihet më shumë si Bushra Bibi, u arrestua pak pas vendimit, tha PTI.

    Dënimi i shqiptuar nga një gjykatë në Islamabad për këtë rast të korrupsionit vjen një ditë pasi Khan u dënua me dhjetë vjet burgim për një rast tjetër, pasi u gjet fajtor se kishte zbuluar sekrete shtetërore.

    Dy dënimet ndaj ish-kryeministrit vijnë një javë para se në Pakistan të mbahen zgjedhjet kombëtare.

    “Edhe një ditë e trishtuar në historinë e sistemit tonë gjyqësor, i cili po shkatërrohet”, tha për mediat ekipi i Khanit, duke mohuar akuzat.

    “[Gjatë gjykimit] nuk u lejua që të merreshin në pyetje dëshmitarët, nuk pati argumente përmbyllëse dhe vendimi doli si i paracaktuar. Ky është vendim qesharak që do të sfidohet”, tha ekipi.

    Në gusht të vitit 2023, një gjykatë tjetër dënoi me tre vjet burgim Khanin pasi e gjeti fajtor se kishte shitur dhurata në vlerë prej 501.000 dollarësh, që ishin në pronësi të shtetit dhe të njëjtat ai i kishte pranuar gjatë mandatit të tij si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022.

    Vendimi i së mërkurës nuk lidhet me rastin paraprak, por ka të bëjë me rastin e iniciuar pas hetimeve të kryera nga trupi kryesor në Pakistan kundër korrupsionit, Byroja Kombëtare e Llogaridhënies, institucion që po ashtu ka ngritur aktakuzë ndaj bashkëshortes së Khanit në këtë rast penal.

  • BQK-ja dhe Banka Qendrore Evropiane dakordohen për vazhdimin e Linjës REPO

    BQK-ja dhe Banka Qendrore Evropiane dakordohen për vazhdimin e Linjës REPO

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) ka aprovuar vazhdimin e Linjës REPO për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës deri më 31 janar 2025.

    Kushtet e saj janë pranuar nga BQK-ja me letër konfirmimin e datës 29 janar 2024, pas kërkesës së BQK-së për vazhdim të linjës para skadimit.

    Linja e përkohshme REPO në vlerë prej 100 milionë euro ofron një shtresë të sigurisë parandaluese për të adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit në euro dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar të Kosovës. Ky veprim nënvizon mbështetjen e fuqishme të BQE-së dhe bashkëpunimin me BQK-në, duke theksuar partneritetin e ngushtë ndërmjet këtyre dy institucioneve.

    Pavarësisht se Linja REPO nuk është shfrytëzuar nga BQK-ja, konsiderohet se ky instrument është mbështetës për stabilitetin monetar dhe financiar, marrë parasysh situatën aktuale globale dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonomitë botërore dhe tregjet financiare.

    Me këtë rast, BQK-ja shpreh mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë për Këshillin Drejtues dhe Presidenten e Bankës Qendrore Evropiane.

  • Hamidi: Shteti i Kosovës e ka për obligim të paguajë avokatët e Hashim Thaçit

    Hamidi: Shteti i Kosovës e ka për obligim të paguajë avokatët e Hashim Thaçit

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shteti i Kosovës e ka për obligim t’i qëndrojë mbrapa me pagesa avokatëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Hamidi thotë të njëjtën gjë e ka vepruar edhe Kroacia me gjeneralët e vet, andaj sipas tij, edhe Kosova duhet ta ndjekë këtë shembull.

    “Ne kemi thënë disa herë se Hashim Thaçi atje ka me luftu edhe me dëshmu pastërtinë e luftës së UÇK-së, do me thanë i tejkalon ata individë që janë në burg atje dhe ky shtet e ka për obligim me i qëndrua mbrapa me pagesa të avokatëve, sepse njëjtë ka vepruar edhe Kroacia me gjeneralët e vet, njëjtë duhet me vepru edhe ne, sepse nuk do të dënohet vetëm Hashimi, por do të dënohet edhe lufta e UÇK-së”, tha Hamidi. /atvlive.tv

  • Hashani: Për shkak të dinarit, Serbia i ka bërë dëm Kosovës 350 milionë euro

    Hashani: Për shkak të dinarit, Serbia i ka bërë dëm Kosovës 350 milionë euro

    Profesori Medain Hashani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se me përdorimin e dinarit, duke u bazuar vetëm në të dhënat zyrtare, Serbia i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 350 milionë euro.

    “Nëse i marrim për bazë të hyrat që janë për 15 vite, që janë marrë deri tani, janë zyrtare prej buxhetit të Serbisë, mirëpo ato para janë shpenzu në veri të Kosovës dhe nëse i marrim këto, del se evazioni tatimor vetëm për TVSH është 324 milionë euro dëm që ka shkaktu Serbia, dmth vetëm pjesën veriore, plus evazioni tatimor në tatim-fitim që është një 10 për qind e këtyre të hyra i bjen 18 milionë. Do të thotë, dëmi që iu ka shkaktu buxhetit të shtetit tek ne është diku rreth 350 milionë euro si evazion tatimor, duke folë vetëm për të dhënat zyrtare”, tha Hashani. /atvlive.tv

  • Zeka: Kurti nuk do ta krijojë Asociacionin!

    Zeka: Kurti nuk do ta krijojë Asociacionin!

    Gazetari dhe analisti, Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është i bindur që kryeministri Albin Kurti nuk do ta bëjë Asociacionin dhe këtë sipas Zekës, do ta shfrytëzojë të fitojë poena tek elektorati i vet.

    “Jam shumë i bindur në bazë të njohurive të mia mbi politikën ndërkombëtare që Albini po e shfrytëzon një vakum të madh në mes të vendeve të QUINT-it. Nuk ka unitet tek shtetet e madhja. Gjermania, ambasadori gjerman është më të madhe duke e përkrahur Albinin, dmth në bisedat e tij private dhe SHBA-të, Italia, Franca janë pastaj krejt në një linjë tjetër dhe më duket, ky po merr turr tu marrë infuzion prej gjermanëve, hajri e daftë se ku do të dalë nuk e di, por e di një diçka që Albin Kurti nuk ka me e ba Asociacionin dhe duke mos dashtë me e ba Asociacionin, tash ky e shikon xhematin e vet, gardën revolucionare të Homeinit në facebook, që thonë “a po e sheh, vetëm ky ia luan nënën Serbisë””, tha Zeka. /atvlive.tv

  • 30 vjet e gjysmë burgim ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm

    30 vjet e gjysmë burgim ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Për armët e blera e të fshehura në një pyll si ky dhe për veprat terroriste që planifikonin t’i kryenin me to, katër persona u dënuan me gjithsej 30 vjet e gjashtë muaj burgim.

    Në seancën e shpalljes së aktgjykimit prezent në gjykatë ishte vetëm Ergim Syla, derisa Ardian Gjuraj, Nehrudin Skenderi dhe Mentor Bellaqa vendimin për dënim e pritën nëpër qeli.

    Për dy vepra penale, dënimin më të lartë e mori Gjuraj – gjithsej 9 vjet e gjysmë burgim.

    “Përgatitja e veprave terroriste, 5 vjet. në bashkëkryerje të armëmbajtjes pa leje 4 vjet”, tha kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj.

    Për financim në blerjen e armëve përfshirë një granatahedhës, 27-vjeçari Nehrudin Skenderi, do të qëndrojë 8 vjet e gjysmë prapa grilave dhe detyrohet të paguajë pesë mijë euro gjobë.

    “Lehtësimi dhe Financimi në kryerjen e terrorizmit…”, tha Musliu-Selimaj.

    Ndërsa, Ergim Syla e Mentor Ballaqa u dënuan me nga 6 vjet e gjysmë heqje lirie.

    Katërshes do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim prej gati dy vjet e gjysmë, prej kur edhe janë arrestuar në vitin 2021.

    Aso kohe, në gjurmë u kishin rënë institucionet e sigurisë, duke e inskenuar shitjen të armëve këtij grupi.

    Megjithëse, nuk dihej caku se ku planifikonin t’i kryenin veprat terroriste, në aktakuzë përmendej komunikimi i Ardian Gjurajt me anëtarë të ISIS-it.