ATV

Author: ATVLive

  • ​Arrestohet një person i dyshuar për bixhoz të paligjshëm në Vushtrri

    ​Arrestohet një person i dyshuar për bixhoz të paligjshëm në Vushtrri

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Vushtrri 39-vjeçarin me inicialet A.S. për organizim të lojërave të bixhozit dhe atyre të fatit, si dhe armëmbajtje pa leje.

    Arrestimi ka ardhur pasi policia pranoi informatën se në një lokal në Vushtrri ishte duke u zhvilluar aktivitet i bixhozit dhe lojërave të fatit.

    Policia ka shkuar në lokacion dhe përpos provave që në atë lokal ishte organizuar bixhoz i paligjshëm, gjatë kontrollit kanë gjetur edhe një armë për të cilën personi i dyshuar nuk posedonte leje e gjithashtu është gjetur edhe një sasi e municionit.

    39-vjeçari është intervistuar në polici, ndërsa arma, municioni dhe dëshmitë e ushtrimit të kundërligjshëm të bixhozit janë sekuestruar.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rasti për dyshimin e kryerjes së veprave penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

  • Bideni pajtohet që Trumpi të jetë në fletëvotimet e vitit 2024

    Bideni pajtohet që Trumpi të jetë në fletëvotimet e vitit 2024

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka thënë të martën se nuk ka asnjë problem që Donald Trump të jetë në fletëvotimet për zgjedhjen e presidentit të shtetit në fund të vitit. Sipas Bidenit, kundërshtarët e Trumpit do të punojnë për ta diskualifikuar nga postet publike nën amendamentin për kryengritje.

    “Për sa më përket mua, është në rregull”, ka thënë Bideni, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Trumpi duhet të jetë në fletëvotim. Më parë, Bideni ka thënë se Trumpi mbështeti një kryengritje më 6 janar 2021, por se kjo i takon sistemit gjyqësor të vendosë nëse duhet ta diskualifikojë atë nga kandidimi për president.

    Pyetja nëse Trumpi duhet të jetë në fletëvotim u është shtruar gjykatës shtetërore dhe zyrtarëve zgjedhorë në të gjithë vendin. Colorado dhe Maine e kanë hequr Trumpin nga fletëvotimet e 2024-s, duke cituar aktivitetet e Trumpit rreth 6 janarit, megjithëse këto vendime janë pezulluar në pritje të rezultatit të apelit të Trumpit për çështjen e Colorados në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, e cila është planifikuar të dëgjojë argumentet javën e ardhshme.

    Amandamenti i 14-të, i ratifikuar pas Luftës Civile, thotë se amerikanët që betohen të mbështesin Kushtetutën, por më pas “përfshihen në kryengritje”, u ndalohet posti.

    Dispozita është e paqartë dhe nuk thotë se si duhet të zbatohen ndalime të tilla dhe ekspertët ligjorë presin Gjykatën e Lartë të SHBA-së të vendosë sa i përket kësaj çështjeje.

    Në dhjetor, pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Colorados, Bideni ka thënë se “ishte e qartë” që Trumpi është një kryengritës, por ia la gjykatave nëse Amandamenti i 14-të është zgjidhje e përshtatshme.

    “Por ai mbështeti një kryengritje. Nuk ka asnjë dyshim për të. Zero,” ka thënë Bideni. “Ai duket se do të përsëritë gjithçka”.

    Trumpi, që humbi mandatin në zgjedhjet e shkuara, po konsiderohet kandidati kryesor i Partisë Republikane për zgjedhjet e fundvitit.

  • Presidentja e pret në takim kryetarin e KQZ-së, flasin për zgjedhjet e reja në veri

    Presidentja e pret në takim kryetarin e KQZ-së, flasin për zgjedhjet e reja në veri

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

    Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje.

    Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

    Ndryshe, ndaj katër kryetarëve shqiptarë të zgjedhur legalisht në komunat veriore të banuara me shumicë serbe tashmë veçse është përmbushur faza e parë – në bazë të Udhëzuesit Administrativ – për inicimin e shkarkimit të tyre.

    Baza ligjore për largimin e kryetarëve të komunave

    Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

  • Kurti: Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar

    Kurti: Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Zahir Pajazitin, në datën e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997.

    Me anë të një postimi në Facebook, Kurti përshkroi ditët kur heronjtë e jetonin jetën në mënyrë intensive e të jashtëzakonshme, duke i shërbyer atdheut kundër armikut.

    “Sivjet u bënë 27 vite nga atëherë! Mëngjesin e sotëm, bëmë homazhe te varri i Zahir Pajazitit, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, te vendlindja e Zahirit. Pastaj, nga Orllani u ndalëm në Podujevë, ku në sheshin qendror të qytetit vendosëm lule te shtatoret e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Ilir Konushevcit dhe Edmond Hoxhës. Ato ishin ditët e fundit të jetës së tij, që ai e jetoi në një mënyrë aq autentike, intensive dhe të jashtëzakonshme. Njëmbëdhjetë ditë më parë, më 20 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte kthyer nga Shqipëria. Si gjithmonë, ilegalisht, e kishte kaluar kufirin në Shishman të Gjakovës, për tu ndalur te Xhemë Jakupi”, shkroi Kurti.

    Kryeministri thekson se bashkë me të ishin edhe Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi.

    “Kishin shkuar t’i merrnin Hakif Zejnullahu me Ilir Konushevcin dhe Shaip Hazirin. Hera e parë që e kishte kaluar kufirin për të dalë nga Kosova në Shqipëri, kishte qenë viti 1980, për çka si i mitur që ishte, Zahirin e kishin burgosur 18 ditë në Shkodër dhe 15 ditë kur ishte kthyer në shtëpi. Shtatëmbëdhjetë vite më pas, tani ai po kthehej nga Shqipëria si një nga prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të nesërmen më 21 janar, ai i takoi shokët që t’i dëgjonte rrëfimet e tyre për dy aksione guerile që i kishin kryer gjatë kohës sa ai kishte qenë në Shqipëri. Në pesë vitet e fundit, vet ai kishte organizuar dhe kishte kryer dhjetëra aksione guerile duke shënjestruar disa nga figurat më famëkeqe të policisë së Serbisë dhe sigurimit shtetëror që e terrorizonin popullin e Kosovës në ato vite. Atentatet pothuajse perfekte të Zahirit me shokë, e kishin krijuar një mit për grupin e tij: ata bënin plane, sulmonin, kryenin aksione pa lënë shumë gjurmë dhe zhdukeshin deri në aksionin tjetër”, shtoi ai.

    Sipas tij, kjo lloj jete prej guerilësh, ua kishte imponuar Zahirit dhe shokëve të tij që të organizoheshin në grupe të vogla, të thirreshin me nofka mes tyre, të komunikonin edhe me kode, të ndërronin shpesh vendbanim si dhe të jetonin në një formë gjysmë ilegale.

    “Mes tyre vet Zahiri që e njihnin si “Ismeti” nga emri i Ismet Abdullahut; Ilir Konushevci apo “Mërgimi”, Rexhep Selimi që e njihnin edhe si “Agroni”; Qerim Kelmendi – “Dema”, Rrustem Mustafa – “Remi”, Shaip Haziri – “Cima”, Avni Ajeti – “Sokoli”, Selim Haziri – “Bekriu”, Fatmir Humolli – “Baci”, Naim Haziri – “Dilaveri, Sejdi Rama, Nebih Balaj, Nazmi Zuka, Isak Shabani, Lahi Brahimaj, Muharrem Ismajli dhe shumë shokë të tjerë që ishin pjesë e organizimeve të kohës. Kur qëllonte që ndonjëri të pikasej a të arrestohej, grupet riorganizoheshin për të mos u dekonspiruar shokët e grupit. Por kësaj radhe, gjurmimet e shërbimit sekret të Serbisë kishin gjetur kanalet e tyre të komunikimit deri te rrethet e grupeve të armatosura të UÇK-së në zonën e Llapit, të përqendruar mes Prishtinës dhe Podujevës”.

    Natën mes 25 dhe 26 janarit, Zahiri me vëllain e tij Bajramin, si dhe Hakif Zejnullahu me dy vëllezërit e tij Bajramin dhe Sabedinin, e kaluan në shtëpinë e familjes së Zahirit.

    Ajo natë ishte hera e fundit që Zahiri fjeti në shtëpinë e tij.

    Më 30 janar, Zahiri i takoi sërish disa nga shokët në Podujevë dhe u kërkoi të bënin kujdes. Si Zahiri ashtu edhe Hakifi, kishin filluar të dyshonin që shërbimi sekret i Serbisë u kishte rënë në gjurmë.

    Fatkeqësisht, dita e nesërme e vërtetoi këtë.

    “Atë ditë të premte, më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte bashkë me Shaip Hazirin në banesën e Zahirit në lagjen “Tophane” të Prishtinës. Nga mesdita deri pasdite, Zahiri bashkë me Shaipin, me Ilir Konushevcin dhe me Hakif Zejnullahun, qëndruan te një pikë e njohur për ta, në një çajtore afër tregut të gjelbër të kryeqytetit. Pasdite vonë, ata u ndanë: Shaipi me Ilirin mbetën në Prishtinë kurse Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, morën udhë duke u nisur në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Të përcjellur nga shërbimi sekret i Serbisë, ata ishin nxjerrë në pritë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, prej ku nisën të shtënat duke mbetur të tre të vdekur. Rënia e Zahirit ishte aq tronditëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sa që u dashën gjashtë muaj riorganizime deri të aksionet e para pas rënies së tij”.

    I lindur më 1 nëntor 1962 në fshatin Turiqicë të Llapit, Zahir Pajaziti ishte rritur duke marrë një edukim patriotik në familje. Në vendlindje, ai ishte nxënës i shkëlqyer te mësuesi i tij Musa Sylejmani. Pas dy vitesh të kaluara në Shkollën e Policisë në Vushtrri (1976-’78), ai u përjashtua për arsye politike. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Podujevë dhe pasi e kreu, në vitin 1981 ai i regjistroi studimet për gjuhë angleze në të sapoemëruarin Universiteti i Kosovës në Prishtinë.

    Në tetor të vitit 1991, ai ishte një nga 54 vullnetarët e grupit të parë të atyre që u stërvitën ushtarakisht nga oficerë në Shqipëri. Politikisht, ai ishte i formuar nga veprat dhe bisedat me Adem Demaçin si dhe literatura e ndaluar e marrë nga Shqipëria. Idealisht, ai ishte i vendosur në rrugën e rezistencës së armatosur dhe luftës deri në çlirimin e Kosovës, duke e kthyer jetën e tij në një shembull të angazhimit dhe sakrificës më totale për atdheun.

    “Për gjithë këto, Zahiri me shokë do të kujtohet ndër mote nga populli shqiptar dhe do të studiohet nga historia moderne e tij! Lavdi u qoftë për veprën dhe gjithë jetën e tyre Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe dëshmorëve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës”.

  • Hill nga Lugina: Duhet të ketë llogaridhënie për sulmin në Banjskë

    Hill nga Lugina: Duhet të ketë llogaridhënie për sulmin në Banjskë

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vizituar sot Komunën e Preshevës me ç’rast është pritur në takim kryetari i kësaj komune Shqiprim Arifi.

    Ai ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ka theksuar se personat e përfshirë në këtë sulm duhet të japin llogari.

    “Të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar, unë jam një përkrahës shumë i madh i Ballkanit të Hapur dhe i konceptit të bashkëpunimit rajonal. Këtu në Presheve, çështja e Ballkanit të Hapur nuk është vetëm një teori, pra ka të bëjë me zgjidhje të problemeve të qytetarëve”, ka thënë ai.

    “Kështu që ne sot kemi diskutuar se si mund të bashkëpunojmë të ecim përpara dhe të gjejmë zgjidhje. Ajo çka është më e rëndësishme janë investimet dhe zhvillimi ekonomik i rajonit. Kjo që të arrihet duhet të fillojë nga niveli i arsimit e tutje”, ka shtuar ai.

    I pyetur rreth rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës përmes së cilës është ndaluar përdorimi i dinarit serb në territorin e Kosovës, ai ka thënë se e mbështetë plotësisht deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të QUINT-it, ku i bëhet thirrje BQK-së që ta pezullojë vendimin.

    “Nuk do të ju befasoj se unë e përkrahi fuqishëm deklaratën e ambasadave të vendeve të Quint-it. Kështu që dialogu është platforma ku mund të zgjidhen problemet, edhe ajo sa i përket transaksioneve. Për çështjet e të drejtave fundamentale, duhet të ketë diskutime në mes të palëve”, është shprehur ambasadori Hill.

  • Miratohen dy marrëveshje ndërkombëtare, njëra për ujërat e tjetra për energji solare

    Miratohen dy marrëveshje ndërkombëtare, njëra për ujërat e tjetra për energji solare

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Zvicrën për Projektin e “Qëndrueshmëria klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë” si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferove, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë Solare i (solar4kosovo), raporton EO.

    Për të prezantuar këto marrëveshje i pranishëm për raportim ishte ministri i Financave, Hekuran Murati,

    Duke folur për projektligjin e parë, Murati tha se ky është një projekt i rëndësishëm që do të ketë ndikim tek KRU-të në vend.

    Sipas tij, ky projekt parasheh që të këtë mbi 8 milionë franga zvicerane. Ai po ashtu përmendi edhe punën dhe investimet që janë duke u bërë në impiantet e ujërave të zeza në komunat e vendit.

    “Kosova është e ndejshëm nga ndryshimet klimatike. Jemi të varur edhe nga burimet e brendshme ujore. Për këtë arsye konsideroj që ky projekt është i rëndësishëm. Projekti parasheh që të ketë 8.34 milionë franga zvicerane. Ky projekt do të udhëhiqet në nivel strategjikë”, tha ai.

    Sa i përket marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferove, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë Solare i (solar4kosovo), Murati tha se bëhet fjalë për një projekt në vlerë prej rreth 29 milionë euro për financim.

    Sipas tij, projekti në përgjithësi parasheh që të kushtoj mbi 100 milionë euro. Ai tha se synimi kryesor i projektit është ngritja e prodhimit të energjisë elektrike.

    “Bëhet fjalë për një marrëveshje të kredisë në vlerë për 29 milionë euro për financimin e projektit për energjinë Solare. Ky projekt në tersi parasheh një investim të paneleve solare, është një park i ri solar që do të bëhet me djerrinat e KEK-ut ku është ku do të përshtatet toka dhe bëhet fjalë për një projekt me kapacitet të instaluar deri në 100 megavatë, e i cili përgjatë vitit parashihet që të prodhoj 152 gigavatë ore energji elektrike në vit. Synimi kryesor i projektit është ngritja e prodhimit të energjisë elektrike. Projekti në tersi parashihet që të këtë kosto rreth 103.7 milionë euro, 31.7 milion euro i kemi të siguruara nga korniza investuese e Ballkanit perëndimor, 33 milionë euro të tjetra parashihen që të jenë kredi nga Banak Evropian për Investime të BE-së, si dhe 10 milionë euro parashihet që të jetë kontribut i vetë KEK-ut”, tha Murati.

    Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku pyeti ministrin se çfarë ka bërë ekzekutivi sa i përket investimeve për shfrytëzimin e thëngjillit në vend.

    Ndërsa ministri tha se vitin e kaluar janë investuar 60 milionë euro, për të rinovuar turbinat në dy blloqet e Kosovës B, si dhe premtoi edhe 100 milionë euro të tjera të bëhet edhe ndërrimi i filterave në dy blloqet e termocentralit Kosova B.

    Ai tha se e gjithë ideja është që vendi të shkojmë nga një tranzicion i gjelbërt. Këtë projektligj e ka abstenuar deputeti i VV-së Eman Rrahmani, duke shpjeguar edhe arsyet e këtij abstenimi. Por që sipas tij në Kuvend nëse ky projektligj do të mbetet pa kaluar për një votë, ai do të mbështesë.

  • ​Osmani: Nëse partitë politike pajtohen, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve

    ​Osmani: Nëse partitë politike pajtohen, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se dje në takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ia ka paraqitur disa shqetësime sa i përket disa neneve të asociacionit, për çka theksoi se ky i fundit i ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin se shumica prej tyre, së paku do të akomodohen. Osmani foli edhe për çështjen e dinarit, derisa tha se Kushtetuta e Kosovës kërkon që në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë, për çka shton se është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri më tani.

    Për këto dhe mundësinë për të pasur zgjedhe të reja, Osmani foli pasi bëri homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit , me rastin e 27 vjetorit të rënies heroike të tre heronjve të parë të UÇK-së.

    E para e shtetit, Vjosa Osmani derisa foli për takimin e zhvilluar dje me Lajçak, ku edhe ia ka shprehur disa shqetësime lidhur me nenet e draftit të asociacionit, tha se Gjykata Kushtetuese është institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendos për përputhmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të mund t’i jep drejtim se si mund të zbatohen në praktikë këto dispozita pa u shkelur kushtetuta.

    Ajo shtoi se kurdo që ky draft pas formalizmit të marrëveshjeve, shkon në Gjykatën Kushtetuese, secili institucion do të ketë mundësinë që të tregojnë argumentet e tyre se dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit.

    Ndërkaq, lidhur me atë se a ka dhënë ndonjë kohë të caktuar Lajçak, lidhur me diskutimin për këto shqetësime, Osmani tha se beson që kjo procedurë mund të shkojë deri në verë, por që nuk ka diçka konkrete.

    “Këto i kemi diskutuar edhe dje në takimin me zotrin Lajçak, ai ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin se shumica dërmuese prej tyre së paku, do të mund të akomodohen. Megjithatë, mendoj se institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendos për përputhmërinë me Kushtetutën e Kosovës do të mund t’i jep drejtim se si mund të zbatohen në praktikë pa u shkelur Kushtetuta e Kosovës këto dispozita, është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë. Dhe jam e bindur që kurdo që ky draft pas formalizmit të marrëveshjeve, shkon në Gjykatën Kushtetuese, në atë moment secili prej nesh si institucione do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona se dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit. Jam e bindur se gjykata duke marrur për bazë tekstin e kushtetutës dhe njëkohësisht edhe vendimin e vitit 2015, që paraqet një udhërrëfyes sa i përket asociacionit do t’i jep drejtim kësaj çështje dhe të eliminojë edhe këto probleme në praktikë”, tha Osmani.

    Ndërkaq, lidhur me qarkullimin e dinarit serb në Kosovë, Osmani tha se dje nuk patën mundësinë që të diskutonte për këtë çështje me Lajçakun, derisa potencoi se Kushtetuta e Kosovës kërkon që në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë, për çka shton se është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri më tani.

    Presidentja Osmani, shtoi se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë, kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, ajo theksoi se janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të kushtetues dhe në anën tjetër do ta lë një kohë për informimin e qytetarëve.

    “Sa i përket dinarit, dje me zotrin Lajçak nuk kemi arritur ta diskutojmë këtë sepse ka pasur edhe shumë tema të tjera që lidhen me dialogun. Sa i përket kësaj çështje ju keni plotësisht të drejtë që neni 11 i kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tani siç e kërkon kushtetuta. Banka Qendrore e Kosovës ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë siç edhe kërkohet nga ky institucion, kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të kushtetues, por në anën tjetër do ta lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre në llogari të reja, që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tonë në krahë, atëherë realizohen edhe këto sfida, tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e kushtetutës tonë në tërësi “, theksoi Osmani.

    Përveç këtyre, Osmani e pyetur nga gazetarët se a mendon që do të ketë zgjedhje të parakohshme sivjet, tha se sipas afateve të rregullta ato duhet të mbahen në fillim të vitit 2025, për cak shtoi se nëse partitë politike kanë darkordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës.

    Për këtë, Osmani potencoi se po të ketë pajtim dhe dakordim ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës, për një datë më të hershme, ajo do të shpallë datën e re të zgjedhjeve brenda 30 deri 45 ditëve.
    “Zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025, në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhet 2/3 e votave, duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në kuvendin e Kosovës, për një datë më të hershme. Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, në onëtin ata që dakordohen dhe e shpërndajnë kuvendin, si presidente unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 deri 45 ditëve. Nuk ndërhyjë në proceset e tilla”, tha Osmani.

  • ​Gërvalla e njofton ministrin gjerman të Mbrojtjes për veprimet kërcënuese të Serbisë

    ​Gërvalla e njofton ministrin gjerman të Mbrojtjes për veprimet kërcënuese të Serbisë

    Bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO, ishin temat kyçe të takimit të punës që sot Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati me Ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorious, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës.

    Në kuadër të këtij takimi, Ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon.

    Ministrja Gërvalla falënderoi Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it. Në këtë drejtim Ministrja Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon.

    Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke krijuar mundësi për një të ardhme të sigurtë dhe prosperuese në rajon.

  • Reagon Pal Lekaj: Jam i pafajshëm, të mos gëzohen para kohe kundërshtarët politikë

    Reagon Pal Lekaj: Jam i pafajshëm, të mos gëzohen para kohe kundërshtarët politikë

    Pal Lekaj ka reaguar për herë të parë pas dënimit të sotëm nga gjykata. Ish-ministri u dënua me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e “53 milionëshit”.

    Lekaj për Indeksonline ka thënë që mos të gëzohen para kohe kundërshtarët politikë sepse shpejt e drejta do t’i zhgënjejë.

    “Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”! Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL.

    Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafaësinë time dhe në drejtësi” ka thënë Pal Lekaj.

  • ​Guvernatori i BQK-së për dinarin: Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar

    ​Guvernatori i BQK-së për dinarin: Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili mohon të shtyhet apo të anulohet rregullorja që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti i këtij viti.

    Ai theksoi se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.

    I pyetur nga KosovaPress nëse do të shtyhet ky vendim, ai ka thënë se e njëjta mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serb janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës.

    “Qysh me shty, çka me shty, a i bien që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin , ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.

    Ai po ashtu tha se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.

    “Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshme, është çështje që për neve këto janë rregulluat. Bile deri dje, se ka plot lloj deklarimesh që thonë se ka qenë e rregulluar, deri dje e sot, dhe në fund të janarit kanë mund të hyjnë mjete transportues në Kosovë me bo kesh dhe si ta fusin në Kosovë ta dërgojë ku ka dashtë. Për fatin e keq edhe Banka që ka qenë e licensuar e Komerciana Banka, e që tash është në proces të përmbylljes, është përdorur si arsyeje për transport, por në të vërtet në bazë të të dhënave që ka deklaruar në BQK, nuk përputhen me volumin e transkasionit që ka deklaruar. Që i bie që BQK nuk ka arritur ta shikojë në mënyrë efektive edhe operimin e vet bankës që ka operuar në atë kohë”, shtoi Ismaili.