ATV

Author: ATVLive

  • ​Haradinaj në Kongresin Amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, nënkupton më shumë siguri për rajonin

    ​Haradinaj në Kongresin Amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, nënkupton më shumë siguri për rajonin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri i cili është mbajtur në Kongresin Amerikan.

    Haradinaj me këtë rast ka mbajtur një fjalim lidhur me sigurinë në Kosovë, rajon e botë, duke kërkuar po ashtu edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO si një shans për më shumë siguri.

    “Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht”, ka thënë Haradinaj.

    Fjala e plotë e Haradinajt në Kongresin Amerikan:

    Në Kongresin Amerikan, në Forumin Ndërkombëtar për Siguri, pata nderin që në emër të Republikës së Kosovës të adresohem më një fjalë.

    Të nderuara zonja dhe zotërinj,

    Më lejoni ta filloj fjalën time duke falënderuar Ministrin e nderuar, z. Fatmir Mediu për pasionin dhe angazhimin e tij të madh për organizimin e këtij paneli me këtë temë, me pjesëmarrës kaq të nderuar, që për mua ka një rëndësi të veçantë në këtë kohë – me zhvillimet aktuale në mbarë botën.

    Duke qenë se koha është e mjaft e kufizuar, do të doja të përcjell vetëm një mesazh nga ky panel, i cili besoj se është i rëndësishëm, veçanërisht duke marrë parasysh kohët e vështira dhe sfiduese në aspektin e sigurisë në të cilat po kalon bota momentalisht.

    Për mua, dhe jam i sigurt se për të gjithë ju po ashtu, është e qartë se siguria është parakusht për çdo agjendë politike dhe institucionale. Në këtë linjë, ne të gjithë duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm se sigurinë nuk mund ta marrim si të mirëqenë, por, duhet të punojmë shumë për të mbrojtur dhe për të ruajtur stabilitetin, kudo që të jemi.

    Prandaj, në çerekun e parë të këtij shekulli dhe 25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ka ardhur koha për të marrë disa vendime të mëdha dhe tejet të rëndësishme. Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale, dhe do të luftojë dukshëm agjendat keqdashëse të të tjerëve.

    Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht.

    Ky vendim nuk është asgjë më pak e as më shumë se një angazhim dhe mobilizim i thellë për ne, duke qenë së bashku në një vijë për t’u përballur e luftuar kundër agjendave keqdashëse të vendeve jodemokratike, siç janë Kina e Rusia.

    Të dashur,

    Në rrethanat kur një shtet si Rusia kryen pa asnjë hezitim agresion dhe krim ndaj një shteti, si në rastin e Ukrainës, dhe shtetet tjera si Kina që nuk do të hezitojnë në asnjë moment të mbështesin këtë agresion, ne nuk duhet të qëndrojmë të qetë dhe ‘duke u marrë vesh/kryer punë si zakonisht’, por duhet të jemi të alarmuar për nivelin e kërcënimit dhe këtyre veprimeve.

    Pra, le të bashkohemi në marrjen e këtyre vendimeve, të cilat aq sa janë të rëndësishme, janë njëherazi të vështira, dhe le të qëndrojmë për atë që besojmë e të mbrojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë, pasi nuk kemi një zgjidhje apo opsion të dytë. Këtë e arrijmë vetëm nëse jemi bashkë. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë miqësinë mes popullit Amerikan e Kosovës! Ju faleminderit!

  • ​Qeveria merr dy vendime të reja

    ​Qeveria merr dy vendime të reja

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë dy vendime.

    Me këtë rast janë miratuar ndryshimet në tabelat 3.1 dhe 3.2 të Ligjit Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për 2024, për të përmbushur obligimet e pakryera financiare dhe kontraktuale nga viti paraprak.

    Po ashtu, ka miratuar pasqyrën preliminare financiare për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për 2023.

  • ​Protesta e banorëve të Bellanicës: S’lejojmë që fëmijët tanë të jenë rrogëtarë të shefave të krimit në pronat e tyre

    ​Protesta e banorëve të Bellanicës: S’lejojmë që fëmijët tanë të jenë rrogëtarë të shefave të krimit në pronat e tyre

    Banorët e fshatit Bellanicë dhe fshatrave përreth të Malishevës kanë organizuar sot një protestë paqësore para Prokurorisë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi rreth çështjes së privatizimit të pronave në Dubravë dhe OPB “Mirusha”.

    Kryetari i Këshillit për kthimin e pronave në Dubravë, Hazir Hoxha tha për KosovaPress se ky problem është duke zgjatur qe 13 vjet. Ai ka zbuluar emrat e personave që sipas tij kanë marrë pronat e tyre private pa leje.

    “Kjo vazhdon që 13 vite, gjatë informacioneve që kemi marrë dhe dokumenteve që i kemi në posedim, na del se kemi bërë kallëzim penal. Një grup i mirë organizuar për këtë çështje, interesat e tyre ose kanë qenë personale ose grupore… Kallëzimi penal me ekzekutim të arsyeshëm të këtyre të dyshuarve Ahmet Shala, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Gani Krasniqi ish- kryetar i Komunës të Malishevës, Isni Kilaj ish-kryeshef në komunën e Malishevës, Emrush Kastrati ish-mbikëqyrës i Gjykatës Komunale të Malishevës, Imer Hoxha ish-kryetar i Gjykatës të Qarkut në Prizren, Hazir Hazrolli ish-drejtor i ndërmarrjes së Mirushës në Banjë të Malishevës dhe të tjerë. Këta 9 vetë akuzohen që kanë bashkëpunuar dhe na kanë marrë pronat edhe pse kanë qenë private, tash do të del historia e tyre, këta kanë shkuar dhe e kanë fshehur,” tha Hoxha.

    Banori i fshatit Bellanicë, Halil Hoxha shtoi se askush nuk po i dëgjon ankesat e tyre, e gjithashtu i quajnë edhe “uzurpues”. Ai tregoi që nuk do të ndalen derisa të rikthejnë pronat e tyre.

    “Ne kemi ardhur për një hall tonin, për një pasuri tonën që ishte. Shteti na i ka marrë. Kemi dokumente valide sikur ata që e kanë nxjerrë sepse kanë pasur “të fortin aty”, kryetarin e komunës, pikërisht Gani Krasniqi… Askush nuk po i dëgjon fjalët e tona. Ne që 14 vjet në realitet e quajmë edhe uzurpues. Deri në pikën e fundit, deri kur ekziston gjykata në botë, ne kemi për ta mbajtur,” tha Hoxha.

    Motoja e protestës së banorëve të Bellanicës ishte “Në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë që fëmijët tanë të jenë rrogëtarë të shefave të krimit në pronat e tyre. Nuk kemi nevojë për mëshirë. Duam vetëm drejtësi!”.

    Ndryshe, banorët e Bellanicës kanë problem me tokat që pretendohet se dikur kanë qenë të tyre. Bëhet fjalë për 375 hektarë tokë. Këto prona janë të ndërmarrjes shoqërore “Mirusha” e që banorët thonë se në vitin 1958 pushteti i atëhershëm ua mori me dhunë. Zanafilla e krejt kësaj buron që nga 1958, për të vazhduar me dekada të tëra.

  • Nga Kosova deri në Afganistan, ICG liston 10 konfliktet e mundshme në vitin 2024

    Nga Kosova deri në Afganistan, ICG liston 10 konfliktet e mundshme në vitin 2024

    Grupi Ndërkombëtar për Kriza, i njohur ndryshe si International Crisis Group, ka publikuar raportin më të fundit sa u përket vendeve që rrezikohen nga konfliktet vdekjeprurëse apo për eskalim të situatës dhe rritjes së dhunës.

    Sipas ICG, në këto situata, veprimet e hershme, të nxitura ose të mbështetura nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, mund të gjenerojnë perspektiva më të forta për paqen.

    Në mesin e dhjetë vendeve ku përmendet situata e tensionuar dhe konfliktet e mundshme janë Afganistani, Egjipti, Izraeli-Palestina, Kosova-Serbia, Saheli, Somalia, Filipinet, Ukraina dhe Venezuela, përcjell albinfo.ch.

    Në raport theksohen tensionet e krijuara në veri të Kosovës që nga viti 2021, në katër komunat që janë të banuara kryesisht me shumicë serbe.

    Për të lehtësuar një dinamikë më të mirë ndërmjet Kosovës dhe popullsisë serbe, sipas International Crisis Group, BE-ja duhet të “inkurajon Prishtinën që të rifokusojë policinë në komunat veriore në përmbushjen e nevojave të komunitetit.

    “Prishtina duhet të dërgojë më shumë policë serbishtfolës në rajon dhe të angazhohet për të përmirësuar marrëdhëniet me banorët”, u tha nga ICG.

    “Të punojnë për të siguruar që të plotësohen nevojat e pakicës serbe në veri të Kosovës, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim. Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kornizës për autonomi të pjesshme që ka qenë në diskutim për komunat me shumicë serbe (të cilat serbët i quajnë “komunitet” dhe kosovarët “asociacion”), atëherë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet t’i bëjnë presion partive që të zhvillojnë mënyra alternative për të arritur të njëjtin qëllim”, thuhet ndër tjera.

    Gjithashtu theksohet se Prishtina duhet inkurajuar që të zbusë masat e saj të ashpra të sigurisë në veri, duke përfshirë tërheqjen e njësive speciale të policisë, duke premtuar lehtësim nga sanksionet dhe masa më të vogla në këmbim.

    T’i bëhet presion Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht në përpjekjet, duke përfshirë ato të KFOR-it, forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Kosovë, për të mbyllur kufirin ndaj kontrabandës së armëve dhe për të gjetur armët e rënda që i ka furnizuar paraushtarakët serbë të Kosovës.

  • Kush do ta monitorojë zbatimin e rregullores që ndalon dinarin?

    Kush do ta monitorojë zbatimin e rregullores që ndalon dinarin?

    Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore, Inspektorati i Tregut… Të gjitha përmenden si përgjegjëse të mundshme për monitorimin e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si valutë të vetme për pagesë.

    Vetë rregullorja nuk e specifikon, por thotë se “autoritete kompetente janë autoritetet vendore të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

    Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja, tha se “zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja” dhe përmendi Doganën e Kosovës në mënyrë të veçantë.

    REL-i dërgoi pyetje edhe në institucionin e BQK-së për më shumë sqarime, por nuk mori përgjigje.

    Me rregulloren, që u publikua më 17 janar dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, komunitetit serb në Kosovë do t’i ndalohet përdorimi i dinarit të Serbisë për pagesa me para të gatshme.

    Nga paslufta, më 1999, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe, të inkurajuar nga Beogradi, e kanë shfrytëzuar dinarin për gjithçka – nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.

    Rregullorja e re mundëson që dinarët të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.

    “Nuk ka pasur përgatitje”

    Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, i cili ka qenë edhe anëtar i Bordit të BQK-së, tha se, krahas rregullores, BQK-ja është dashur të nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, i cili do të sqaronte se cilët mekanizma duhet ta zbatojnë rregulloren.

    “Kjo do të thotë se nuk janë bërë përgatitje paraprake, adekuate… që të përgatiten edhe bankat, por edhe qytetarët serbë, të cilët marrin ndihma dhe paga nga Serbia”, tha Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, “është dashur së paku një vit që shitësit dhe konsumatorët të përgatiten për ndryshime”.

    Ai shtoi se, në bazë të praktikës së kontrollit të tregut, zbatimin e rregullores duhet ta monitorojnë: Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore dhe Inspektorati i Tregut.

    Inspektorati i Tregut “është gati”

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua të tria institucioneve të lartpërmendura për komente dhe, deri më tash, mori përgjigje vetëm nga Inspektorati i Tregut.

    Zëvendësi i kryeinspektorit, Naim Hajra, tha se ky organ, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, është i gatshëm me të gjitha kapacitetet që “të reagojë menjëherë” pas hyrjes në fuqi të rregullores.

    Ai theksoi se, nga 1 shkurti, të gjitha çmimet e produkteve në vitrinat e dyqaneve duhet të jenë të ekspozuara me valutën euro dhe, pa precizuar, tha se Inspektorati i Tregut ka numër të mjaftueshëm inspektorësh për ta inspektuar gjendjen.

    Për këtë qëllim tha se ka shërbyer edhe një vizitë e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – më 25 janar.

    “Jemi pajtuar për të ndërtuar kapacitete të Inspektoratit të Tregut, përmes të cilave synojmë ta zbatojmë këtë udhëzim [të BQK-së]”, tha Hajra.

    Ai po ashtu shpjegoi se, në rast se inspektorët hasin në çmime të vendosura në dinarë, bizneset do të ndëshkohen në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

    Ky ligj parasheh gjoba nga 1.000 deri në 20.000 euro, varësisht nga shkelja ligjore.

    Polemikat për dinarin

    Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.

    Por, për vite me radhë, dinarët arritën në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.

    I pyetur nga REL-i se përse është dashur të nxirret tani një rregullore për zbatimin e ligjeve që ekzistojnë, kryetari i Bordit të BQK-së, Nurboja, tha:

    “Nëse nuk është fuqizuar ligji, atëherë nuk e fuqizon as rregullorja. Por, kjo rregullore vetëm i përcakton instrumentet dhe aktorët përkatës që kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit. Deri dje ka qenë ligji që e ka specifikuar, por aktorë përkatës nuk ka pasur. Tash, pasi ka qenë në domenin tonë dhe një ligj – Ligji i BQK-së – e përcakton se institucionet tjera duhet ta ndihmojnë BQK-në në zbatimin e rregulloreve dhe ligjeve, atëherë ne veç i kemi precizuar gjërat. Nuk ka diçka shtesë”.

    Bashkësia ndërkombëtare kërkoi nga Kosova që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke shprehur shqetësim për ndikimin e saj “sidomos në shkolla dhe spitale”, që paguhen me dinarë, e për të cilat, siç tha, “nuk duket i zbatueshëm asnjë proces alternativ, për momentin”.

    Sipas grupit QUINT, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    BE-ja, në anën tjetër, kërkoi marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së.

    Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi të mërkurën dakordim për çështjen e dinarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 24 janar se “Kushtetuta është e shenjtë dheduhet të zbatohet”.

  • Bislimi: Dinari s’ka qenë i lejuar asnjëherë, euroja ka qenë dhe do të jetë e vetmja valutë zyrtare

    Bislimi: Dinari s’ka qenë i lejuar asnjëherë, euroja ka qenë dhe do të jetë e vetmja valutë zyrtare

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb, ka për qëllim parandalimin e aktiviteteve kriminale, financimin e terrorizmit dhe përdorimin e parave false, raporton EO.

    Në konferencën për media të mërkurën, Bislimi tha se rregullorja re e BQK, e cila fillon zbatimin nesër “as nuk e ndal, as e lejon e as nuk merret me dinarin serb”.

    Ai deklaroi se dinari serb nuk ka qenë i lejuar as më herët që të ndalohet tani, teksa ripërsëriti se “euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare”.

    Ai po ashtu i bëri thirrje edhe Bankës Qendrore të Serbisë që të ketë bashkëpunim me BQK-në, në të mirë të qytetarëve.

    “Nuk ka dyshim që qëllimi final i rregullores është edhe mbrojt konsumatorin edhe të sistemit të pagesave. Nuk ka pasur qëllim që të vendos në treg një kartëmonedhë sepse ajo ka qenë e ndaluar edhe më herët. Nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i ndonjë monedhe specifike sepse kjo vazhdon që të jetë e rregulluar me Kushtetutë. Vendos rregullat edhe për kartëmonedhat e dëmtuara. Rregullorja e BQK as nuk e ndal, as nuk e lejon e as nuk merret me dinarin serb, kjo pasi dinari serb nuk ka qenë më herët që ta ndaloj atë tani. Në gjithë këtë proces BQK është institucion i pavarur dhe i përgjigjet Kushtetutës”, u shpreh Bislimi.

    Megjithatë, ai tha se nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

  • Reagon zyrtarisht fondacioni për mbrojtjen e Thaçit: Ministria e Drejtësisë e paguan vetëm një avokat, procesi është stërzgjatur

    Reagon zyrtarisht fondacioni për mbrojtjen e Thaçit: Ministria e Drejtësisë e paguan vetëm një avokat, procesi është stërzgjatur

    Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka reaguar edhe zyrtarisht, pas paqartësive të krijuara në publik lidhur me ndërprerjen e kontratës me disa prej avokatëve të Thaçit në Hagë dhe shqetësimet e krijuara te qytetarët lidhur me procesin gjyqësor.

    Në reagimin e tyre, ky fondacion shpreh shqetësime lidhur me procesin e stërzgjatur përtej çdo parashikimi, duke thënë se shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme.

    Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, sipas komunikatës zyrtare të fondacionit, tregohet se familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vite, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, sipas tyre, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion shprehin shqetësimin për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes.

    Komunikata e plotë e Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”:

    Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, pas njoftimit për ndërprerjen e kontratës së angazhimit me një pjesë të ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi dhe njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, ka pranuar reagime dhe shqetësime të shumta të qytetarëve.

    Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të realizojë pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, pa e specifikuar kufizimin e marrëveshjes vetëm për një avokat, që në rastin e presidentit Hashim Thaçi mund të mbulojë vetëm shpenzimet e avokatit z. Luka Misetiq. Në këtë mënyrë, kufizimi i shpenzimeve të mbrojtjes nga Ministria e Drejtësisë ka pamundësuar vazhdimin e kontratës përkatëse dhe se shuma e kufizuar nga kjo ministri, si e tillë, nuk është e mjaftueshme as për shpenzimet mujore të stafit mbështetës të një avokati ndërkombëtar.

    Duke i falënderuar përultësisht njerëzit vullnetmirë për secilin shqetësim të tyre, e vlerësojmë të nevojshme që lidhur me këtë çështje t’i ofrojmë edhe këto sqarime:

    Si pasojë e rishikimit të akteve nënligjore nga Ministria e Drejtësisë, me të cilat është kufizuar tejmase mundësia për kompensimin e shpenzimeve të ekipeve mbrojtëse në procesin gjyqësor të Hagës, edhe përkundër që ligji në fuqi ka krijuar bazën juridike për të mbuluar këto shpenzime, rrugëzgjidhja e vetme ishte ndërprerja e kontratës me një pjesë të ekipit mbrojtës të z. Thaçi për shkak të pamundësisë financiare për t’i mbuluar këto shpenzime.

    Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të realizojë pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, pa e specifikuar kufizimin e marrëveshjes vetëm për një avokat, që në rastin e presidentit Hashim Thaçi mund të mbulojë vetëm shpenzimet e avokatit z. Luka Misetiq. Në këtë mënyrë, kufizimi i shpenzimeve të mbrojtjes nga Ministria e Drejtësisë ka pamundësuar vazhdimin e kontratës përkatëse dhe se shuma e kufizuar nga kjo ministri, si e tillë, nuk është e mjaftueshme as për shpenzimet mujore të stafit mbështetës të një avokati ndërkombëtar.

    Sidoqoftë, deri më tani, pothuajse i gjithë angazhimi i ekipeve të mbrojtjes të z. Thaçi është mbuluar nga kontributi i familjarëve dhe njerëzve vullnetmirë, të cilët i falënderojmë përzemërsisht për përkrahjen. Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vite, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion jemi të shqetësuar për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes.

    Duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontributdhënësit, kërkojmë që çështja e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga institucionet e vendit.

  • ​Shefi i NATO-s thekson rëndësinë e mbajtjes së fortë të Aleancës përmes rritjes së investimeve në mbrojtje

    ​Shefi i NATO-s thekson rëndësinë e mbajtjes së fortë të Aleancës përmes rritjes së investimeve në mbrojtje

    Një NATO e fortë është në interesin strategjik të SHBA-së, deklaroi shefi i Aleancës, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së fortë të unionit përmes rritjes së investimeve në mbrojtje.

    Jen Stoltenberg ndodhet në turneun gjashtë ditor në SHBA deri të enjten për të diskutuar luftën në Ukrainë, e cila së shpejti do të hyjë në vitin e tretë, dhe mbështetjen perëndimore për Kievin.

    Stoltenberg u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, si dhe udhëheqësin e pakicës së Dhomës së Përfaqësuesve Hakeem Jeffries së bashku me anëtarë të tjerë të Kongresit në Uashington.

    Ai, sipas një deklarate të NATO-s, përgëzoi SHBA-në për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës dhe theksoi se kjo mbështetje mbetet vendimtare për “mbijetesën dhe stabilitetin e Evropës” të Ukrainës.

    Sipas një deklarate të përbashkët pas takimit të tij me Johnson, ata gjithashtu “trajtuan rëndësinë e dërgimit të një mesazhi të qartë dhe vendimtar presidentit Vladimir Putin se ai nuk do të fitojë luftën e tij të agresionit në Ukrainë”.

    Më parë, shefi i NATO-s u takua me sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken, sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, si dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jack Sullivan.

    Miliarda dollarë ndihma amerikane i janë dërguar Ukrainës që nga “operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, por ligjvënësit republikanë thuhet se nuk kanë dëshirë të vazhdojnë të mbështesin Kievin dhe në vend të kësaj kanë kërkuar ndryshime të mëdha në politikën e imigracionit dhe kontrollit të kufirit në këmbim të miratimit të më shumë parave. /AA

  • Nga sot, ‘Komercijalna Banka’ nuk operon më në Kosovë

    Nga sot, ‘Komercijalna Banka’ nuk operon më në Kosovë

    Nga sot, ‘Komercijalna Banka’, një institucion financiar me bazë në Serbi, nuk operon më në Kosovë.

    Në Graçanicë, siç raporton mediumi lokal Kim, dega e ‘Komercijalna Banka’ është mbyllur, si dhe janë hequr tabelat dhe bankomatët që ishin vendosur pranë filialit, transmeton Paparaci.

    Njoftimi për mbylljen e kësaj banke ka mbërritur tek përdoruesit dhe punonjësit e saj në fund të vitit të kaluar, kështu që qytetarët që kanë pasur llogari në bankë janë njoftuar me SMS për mbylljen e saj.

    Punonjësit e institucioneve publike në zonat serbe në Kosovë, të cilët marrin paga nga buxheti i Republikës së Serbisë, është dashur të hapin llogari të reja bankare.

    Deri më tani në Kosovë kanë funksionuar tetë degë të kësaj banke.

    Javën e kaluar u hoq tabela nga filiali i kësaj banke në Mitrovicë dhe pajisjet e tyre elektronike të pagesës u tërhoqën nga dyqani.

    Banka mbyllet zyrtarisht një ditë para shpalljes së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e rregullon euron si monedhën e vetme në Kosovë.

  • Probleme me “Messenger”, qindra përdorues raportojnë ngecje të aplikacionit

    Probleme me “Messenger”, qindra përdorues raportojnë ngecje të aplikacionit

    Aplikacioni i Facebookut për mesazhe, Messengeri, ka dalë përkohësisht nga funksionimi të mërkurën në mesditë.

    Mijëra njerëz në gjithë botën janë ankuar se në versionin kompjuterik, nuk po arrijnë të komunikojnë me njëri-tjetrin sepse aplikacioni po vepron “si i çmendur” duke kthyer bisedat e vjetra, nga shumë kohë përpara.

    Përdoruesit kanë shprehur shqetësimin në rrjete të tjera sociale.

    Sipas “Global Overview Report”, Facebook Messengeri është aplikacioni i katërt më i përdorur në botë me mbi 1.3 miliardë përdorues.