ATV

Author: ATVLive

  • ZPS-ja dorëzon dosjen e procedurës paraprake në çështjen Januzi dhe Bahtjari

    ZPS-ja dorëzon dosjen e procedurës paraprake në çështjen Januzi dhe Bahtjari

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar dosjen e procedurës paraprake në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit.

    Sipas njoftimit të ZPS-së, më 2 shkurt 2024, kjo dosje u procedua si konfidenciale.

    “Në përputhje me Rregullën 95 (4), Dokumenti i Procedurës Paraprake përbën një përmbledhje të provave që ZPS synon të paraqesë për të provuar rastin e saj, dhe provat e cituara aty nuk janë shteruese. Dokumenti i Procedurës Paraprake depozitohet si konfidencial për të mbrojtur masat mbrojtëse të autorizuara më parë. ZPS do të paraqesë një version publik të redaktuar në kohën e duhur”, thuhet në parashtrimin e Kryeprokurores së Specializuar, Kimberly West.

    Për t’u dorëzuar kjo dosje, gjyqtari i procedurës paraprake ka dhënë urdhër më 3 nëntor 2023.

    Ndryshe, në konferencën e tretë me radhë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, kishte nxjerrë një urdhër gojor, ku ZPS-në e urdhëroi që aktakuzën e përbashkët ndaj Bahtjarit, Januzit dhe Haxhi Shalës, ta dorëzojë jo më vonë se 12 janari 2024.

    Andaj, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

    Në njoftimin e DhSK-së, thuhet se aktakuza e përbashkët për këto dy çështje është konfidenciale.

    Ndryshe në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

    Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

    Ndryshe, më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Jonuzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.

  • Kosova i zyrtarizon tri miqësore, këta do të jenë kundërshtarët e “Dardanëve”

    Kosova i zyrtarizon tri miqësore, këta do të jenë kundërshtarët e “Dardanëve”

    Kombëtarja e Kosovës i ka aranzhuar tri ndeshje miqësore, dy për muajin mars dhe një për muajin qershor, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.

    Fillimisht më 22 mars, Dardanët do të luajnë kundër Armenisë në Yerevan, derisa më pas më 26 mars do të përballen me Hungarinë, në Budapest.

    Ndërkaq, testin e radhës, Kosova do ta ketë më 5 qershor, ku do të luajë kundër Norvegjisë, në Oslo.

    Federata e Futbollit e Kosovës është në bisedime për aranzhimin edhe të miqësores së dytë për qershor dhe shumë shpejt do të konfirmohet edhe kundërshtari tjetër.

    Këto miqësore do të shërbejnë që ekipi dardan të përgatitet sa më mirë për ndeshjet zyrtare në vjeshtë në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Vlen të përmendet se të trija këto miqësore Kosova do t’i zhvillojë në udhëtim pasi stadiumi “Fadil Vokrri” ende nuk është në dispozicion, derisa FFK-ja ka njoftuar se do të ndërrohet komplet bari i fushës, për t’u vendosur fusha me bar hibrid, por që ende nuk ka nisur kjo lëvizje.

    Kosova e kaloi një kampanjë dëshpëruese në kualifikimet e Euro 2024, ndërsa do ta kërkojë këndelljen këtë vit, derisa ende nuk e angazhuar selektorin e ri.

    Pjesën e parë të vitit “Dardanët” do ta kalojnë me ndeshje miqësore, ndërsa nga shtatorit do ta nisin kampanjën e Ligës së Kombeve, me ç’rast do t’i mësojnë kundërshtarët e kësaj gare pasnesër, më 8 shkurt pas hedhjes së shortit.

  • D4D: Mediat në Serbi publikojnë lajme për figurat publike në Kosovë, ato kosovare i përkthejnë pa e bërë verifikimin

    D4D: Mediat në Serbi publikojnë lajme për figurat publike në Kosovë, ato kosovare i përkthejnë pa e bërë verifikimin

    Instituti D4D ka lansuar të martën dy raporte lidhur me lajmet e shpërndara me qëllim të keqinformimit, synimit për ndasi politike, përfitime personale dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se qëllimi i këtij raporti është monitorimi i çrregullimeve në mediat online në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe, rreth zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë katër muajve të fundit të vitit 2023 në Kosovë.

    E shqetësuese u pa një dukuri në mediat kosovare, të cilët disa prej tyre bëjnë përkthimin e lajmeve nga Serbia, pa u bërë fare verifikimi i tyre.

    Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, drejtore e organizatës D4D, tha se raporti ka të bëjë me monitorimin e mbi 100 mediave online, në gjuhën shqipe dhe serbe.

    Ajo përmendi disa raste, kur lexuesit bien pre e manipulimit dhe keqinterpretimit.

    “Ne monitorojmë me shumë 110 mediave online në paralel në gjuhen shqipe dhe serbe. Si D4D kemi lansuar edhe një punim mbi gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale si dhe në mediume të ndryshme. Muajt e fundit të monitorimit të raporteve tona na tregojnë që karakterizohen më shumë me lajmet qe janë konspirative, për sulme të mundshme të tjera që po hapin më shume pasiguri tek lexuesit, dhe bazohen në mendime subjektive, kryesisht janë me titujt të ekzagjeruar të cilat na qojnë neve me lexu këto artikuj. Kemi raste që titulli nuk ka fare lidhje me mirëmbajtjen që ne e lexojmë, apo fotografia që e kemi parë te lajmi nuk korrespondon me tekstin që e lexojmë brenda lajmit”, tha ajo.

    “Në mostrën e gjuhës serbe vazhdon ende narrativa e njëjtë. E kemi vërejtur se kryesisht janë të ndërtuar për figurat publike në Kosovë për personat zyrtar, me të cilën gjithashtu shpërndajnë një numër i madh i mediave në Serbi, e të cilat përkthehen pastaj në gjuhën shqipe dhe shpërndahen në portale të ndryshme pa u bërë verifikimi i tyre”, deklaroi ajo.

    Ajo tha se në rritje është edhe një dukuri tjetër, ajo e kërcënimeve të gazetarëve dhe politikanëve.

  • Prej sot, nipi i kriminelit Slobodan Millosheviq zë vend në parlamentin serb

    Prej sot, nipi i kriminelit Slobodan Millosheviq zë vend në parlamentin serb

    Seancën e parë konstituive të Parlamentit të Serbisë do ta udhëheq Nada Matsura ndërsa do të ndihmohet nga Marko Millosheviq, nipi i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq.

    Millosheviqi u zgjodh deputet i listës “Ivica Daçiq – Kryeministër i Serbisë” (SPS) ndërsa ka lindur më 14 janar të vitit 1999.

    Nipi i Millosheviqit zuri vendin e tretë në listën zgjedhore “Ivica Daçiq – Kryeministër i Serbisë”, që ishte një koalicion i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Serbisë së Bashkuar (JS) dhe të Gjelbërve të Serbisë (ZS), i cili mbështeti ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

    Më e reja ndër deputetët e sapo zgjedhur është Nastasja Bakoviq, e cila vjen nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”.

  • Autobusët e Trafikut Urban me Wi-Fi falas, Maraj: 30 autobusët e rinj vijnë brenda vitit

    Autobusët e Trafikut Urban me Wi-Fi falas, Maraj: 30 autobusët e rinj vijnë brenda vitit

    Të martën është bërë lëshimi i Wi-Fi-së në autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë, duke iu mundësuar udhëtarëve të shfrytëzojnë falas shërbimet e internetit.

    Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Burim Maraj, në një deklarim për media tha se kostoja e këtij shërbimi është 2 mijë e 500 euro në muaj, ndërsa theksoi se kjo është iniciativë për ta bërë sa më atraktiv transportin publik.

    “Kjo pasi mendoj se transporti publik duhet të jetë mjet i transportit që na ndihmon të gjithëve të kemi një qytet të pastër. Po ashtu, kjo do të ndikojë në mirëqenien ekonomike të të gjithë qytetarëve”, u shpreh Maraj.

    Ai shtoi se ky lajm është pritur mirë nga udhëtarët.

    “Sot të gjitha shtresat e qytetarëve mund ta shfrytëzojnë Trafikun Urban për transport e me të edhe internetin pa pagesë. Është diçka që është pritur shumë mirë kur e kemi dhënë lajmin vitin e kaluar. Ta gëzojmë të gjithë”.

    Maraj po ashtu përmendi flotën prej 30 autobusëve të rinj, të cilët tha se shpreson që të vijnë deri në fund të këtij viti.

    “Shpresoj që autobusët e rinj të vijnë deri në vitin 2024. Jam I angazhuar që ky proces të përshpejtohet edhe në fund të vitit të kemi flotën e 81 autobusëve. Pra 51 autobusëve që i kemi të i shtohen edhe 30 autobusë të rinj e në këtë mënyrë të kemi mundësi të ofrojmë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët”.

    “Kemi fëmijë dhe të moshuar që e përdorin autobusin tonë. Ne kemi filluar bashkëpunimin edhe me ndërmarrje të mëdha që për punëtorët e tyre të kemi lehtësira dhe ata të shfrytëzojnë transportin publik si mjet për hyrje-dalje nga qyteti”, deklaroi ai.

  • Toka e re? NASA ka zbuluar një planet që mund të ketë jetë

    Toka e re? NASA ka zbuluar një planet që mund të ketë jetë

    Nuk jemi vetëm. NASA ka zbuluar një planet që mund të ketë potencial për jetë.

    Ndodhet 137 milionë vite dritë larg dhe deklarata e agjencisë hapësinore foli për një “super-Tokë” që rrotullohet rreth një ylli të kuqërremtë, i cili, në astronomi, duket mjaft i ngjashëm me sistemin tonë diellor.

    Ishte teleskopi hapësinor TESS që zbuloi këtë planet të ri. Orbita e tij rreth yllit të kuq e bën më të lehtë për shkencëtarët ta gjurmojnë atë, dhe kështu ta studiojnë atë. NASA planifikon të studiojë më tej planetin, duke përdorur teleskopin James Webb, për të parë se sa më shumë mund të mësojmë rreth veçorive të tij.

    E quajtën TOI-715b -po, pasi ka një diametër rreth një herë e gjysmë më shumë se diametri i Tokës dhe ndodhet strategjikisht brenda zonës “konservative” të banueshme që rrethon yllin qendror.

    Sipas NASA-s, një sërë faktorësh duhet të arrijnë një marrëveshje, por gjërat duken optimiste.

  • Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime, tregon se mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

    Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime, tregon se mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

    Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së pastër.

    Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se do të ulet barra për sistemin energjetik por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.

    “Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total.

    “Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, tha Kurti.

    Më tej, ai tha se për kapacitet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 600 euro në total.

    “Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro”.

    “Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.

  • Sulm terrorist para Gjykatës në Stamboll, dy të vrarë dhe pesë të plagosur

    Sulm terrorist para Gjykatës në Stamboll, dy të vrarë dhe pesë të plagosur

    Dy persona janë qëlluar për vdekje teksa tentonin të sulmonin një gjykatë në Stamboll ditën e sotme.

    Këtë lajm e ka bërë të ditur tha ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya.

    Një burrë dhe një grua u vranë pasi tentuan të sulmonin në një pikë kontrolli të sigurisë në gjykatën e Caglayan në mëngjes vonë, tha Yerlikaya në mediat sociale.

    Në këtë incident mbetën të plagosur pesë persona, mes të cilëve tre policë.

    “Përgëzoj policët tanë heroikë. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve tanë”, shtoi ministri.

  • Një vit nga tërmeti shkatërrues në Turqi

    Një vit nga tërmeti shkatërrues në Turqi

    Më 6 shkurt u bë një vit nga tërmeti shkatërrues në Turqi.

    Në orët e para të mëngjesit, një dridhje toke me magnitudë prej 7.8 shkallësh e më pas disa goditje pasuese, lanë 53.537 viktima e 107.213 të lënduar, derisa dridhja kishte prekur edhe zonën siriane, ku ishin regjistruar mijëra të vdekur.

    Epiqendër e tërmetit ishte zona Antakia, e ky ishte konsideruar tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1939.

    Dridhjet ishin dëgjuar edhe në disa shtete të tjera. Më pas ishin regjistruar mbi 30.000 pasgoditje përgjatë tre muajve të pasues, e ekspertët e Kombeve të Bashkuara vlerësuan se 1.5 milionë persona mbetën të pastrehë.

    Autoritetet turke kishin regjistruar edhe shumë rrugë të dëmtuara e ndërprerje të linjave të komunikimit.

    Për dridhjet patën reaguar edhe autoritetet e Kosovës, duke shprehur gatishmëri për ndihmë.

  • Grabitje e armatosur në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë

    Grabitje e armatosur në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur dje në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur në një pikë shitëse.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.

    “ Rr. Agim Ramadani, Prishtinë/ 05.02.2024-16:43. Viktima mashkull kosovar, në një pikë shitëse ka raportuar se gjersa ai ishte në vendin e tij të punës, një i dyshuar duke e kanosur me armë i ka grabitur para nga arka dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në njoftim.