ATV

Author: ATVLive

  • Ministrja Rizvanolli, për herë të parë në horizontet e “Trepçës”

    Ministrja Rizvanolli, për herë të parë në horizontet e “Trepçës”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Prej tri vjetësh është ministre e këtij sektori, por tek të hënën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e vizitoi për herë të parë nëntokën e Stan Tërgut.

    Ajo thotë se as nuk e ka imagjinuar më përpara atë që pa në horizontin e 10-të në minierën e Trepçës, ku pa nga afër kushtet në të cilat punojnë minatorët.

    “Sigurisht që e dimë në nivel racional që puna e minatorëve është shumë e vështirë dhe se kushtet janë të vështira dhe të jashtëzakonshme, mirëpo është e paimagjinueshme deri sa nuk i sheh vetë. Është fatmirësi që në masë të madhe siguria në punë është e mirë, megjithëse ende ka problem”, tha Rizvanolli.

    Andaj, e para e ekonomisë thotë se përmirësimi i kushteve do të vendoset lart në listën e prioriteteve të ministrisë, por edhe të menaxhmentit të “Trepçës”, që tash ka kryeshef të ri.

    Gjiganti metalurgjik vazhdimisht është mbështetur nga Qeveria e Kosovës me subvencione milionëshe, që kryesisht janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve operative.

    “Deri më tani shumica e subvencioneve kanë shkuar për shpenzime operative, për mbulim të pagave në radhë të parë, por edhe kriza energjetike dhe rritja e shpenzimeve për energji elektrike tejet e madhe për shkak të krizës, ka bërë që pjesa më e madhe e subvencioneve të jetë për shpenzime operacionale, por kjo absolutisht që duhet të ndryshojë, sepse ua kemi borxh punonjësve të “Trepçës” që të investojmë, që të përmirësojmë edhe kushtet e punës, edhe produktivitetin e punës”, tha Rizvanolli.

    Në të njëjtën linjë me ministren është edhe kryeshefi Bashkim Kurti.

    “Vetëqëndrueshmëria financiare është prioriteti ynë i parë, por në këtë prioritet t’parë realisht tonin si menaxhment i lartë, normalisht që lidhet apo është një nënkusht i parë i kësaj, është siguria në vendin e punës”, tha Kurti.

    Si sfidë e cila do të trajtohet, sipas ministres, është numri i vogël i minatorëve.

    Për këtë vit, Trepça me dy njësitë e saj që udhëhiqen nga shqiptarët synon t’i eksploatojë mbi 195 mijë tonë xehe të plumbit dhe zinkut.

  • Punëtorët teknikë të 16 shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë

    Punëtorët teknikë të 16 shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Prej kësaj të hëne e deri në plotësimin e kushteve, kjo derë nuk do të hapet.

    Madje, nëse kërkesa për rritje të pagës nuk plotësohet, dera rrezikon të mos hapet më nga punëtorët teknikë të shkollës fillore “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

    “Na këtë grevë, nuk e kemi filluar me dëshirën tonë, por komuna na ka shty me bë këtë grevë për arsye se protestën më 23 nëntor që e kemi pas, nënkryetari Alban Zogaj na ka premtuar që do të ketë rritje të pagave prej muajit janar 2024, por kjo nuk ka ndodhur. Ato kanë qenë vetëm fjalë të tyre edhe tjetër opsion na nuk kemi pasë, kemi fillu me grevë”, tha Fazli Idrizi, kryepunëtor në shkollën e mesme “Pjetër Bogdani”.

    Në grevë kanë hyrë edhe punëtorët teknikë të shkollës fillore “Naim Frashëri”.

    “Çdo herë na kanë thënë shtator, tetor do të këqyrim dhe për këtë arsye pa dëshirën tonë se po na vjen keq prej nxënësve, sepse nxënësit janë duke e pësu, por na u ka imponu”, tha Nazmi Veseli, punëtor teknik në shkollën “Naim Frashëri”.

    Të papranueshme e diskriminuese, çështjen e pagës e cilësoi edhe kryetari i Sindikatës së pavarur të punëtoreve të sektorit privat, Jusuf Azemi.

    “Nëse nuk ka negocime, atëherë javën tjetër të gjithë punëtorët do të lirojnë vendet e tyre të punës dhe do të sillen punëtorët tjerë. Është një diskriminim i llojit të tillë përderisa në të njëjtin vend në të njëjtën shkollë këta punojnë dhe marrin dikush 230 e dikush 270 euro, po të njëjtit punëtorë marrin 405 euro, ka buxhet por nuk ka ndershmëri”, tha Azemi.

    ATV-ja gjatë ditës ka provuar të marrë një përgjigje në Komunën e Prishtinës në lidhje me kërkesat e punëtorëve teknikë, por ajo ka qenë e paqasshme.

    Grevë e njëjtë është mbajtur edhe gjatë vitit të kaluar, në 16 shkolla fillore e të mesme në kryeqytet, punëtorët e të cilave janë nën menaxhimin e kompanive të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës.

  • Zlatan Arsiq, në mungesë të provave, lirohet nga akuzat për krime lufte në Kamenicë

    Zlatan Arsiq, në mungesë të provave, lirohet nga akuzat për krime lufte në Kamenicë

    Përgatiti: Nora Luta

    Pothuajse një vit prej kur u arrestua nën dyshimet për krime lufte në Kamenicë, Zlatan Arsiq nga kjo e hënë është në liri.

    Gjykata Themelore e Prishtinës, Arsiqin, në mungesë të provave, nuk e ka gjetur fajtor për krime lufte.

    Gjatë shqyrtimit gjyqësor, sipas Gjykatës Prokuroria Speciale nuk ka arritur të argumentojë se ishte Arsiq, ai që e maltretoi e kanosi me jetë Besim Muhaxherin.

    Megjithatë, sipas gjykatës, aktgjykimi lirues për Arsiqin nuk e konteston faktin se Muhaxheri ishte keqtrajtuar gjatë luftës.

    Mbrojtja e familja e Arsiqit e kanë mirëpritur vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

    “Asnjë provë nuk e ka konfirmuar faktin se Zlatani kreu një krim lufte. Këtë e kemi pretenduar si mbrojtje në fillim dhe gjatë kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe gjatë procedurës së provave. Është e padiskutueshme se Zlatan Arsiqi ka pasur alibi dhe se ai nuk ka qenë aty kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja”, tha Vasilije Arsiq, avokat i Zlatan Arsiqit.

    Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Arsiqit, i cili kishte shërbyer në Policinë e Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.

    Sipas aktakuzës, Arsiqi në mars të 1999-ës, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, e kishte ndaluar Besim Muhaxherin, të cilin më pas e rrahin, e keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore duke e kanosur edhe me jetë.

    Por, gjatë dëshmisë, Muhaxheri kishte dhënë deklarata kundërthënëse, e kishte identifikuar Arsiqin, por nuk ishte shprehur i sigurt për mënyrën dhe kohëzgjatjen e keqtrajtimit.

    I kontaktuar nga televizioni, Muhaxheri ka thënë se nuk dëshiron ta komentojë vendimin e gjykatës.

  • “TELEGRAM”, platforma ku po keqpërdoren fotografi dhe video intime të vajzave shqiptare

    “TELEGRAM”, platforma ku po keqpërdoren fotografi dhe video intime të vajzave shqiptare

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Grupe të shumta, me qindra-mijëra pjesëtarë.

    Por mesazhet që shkëmbehen mes tyre nuk janë fare të rëndomta.

    Këtu vazhdimisht shpërndahen të dhëna personale, fotografi e video intime e eksplicite të vajzave kosovare, të cilat në shumicën e rasteve po shantazhohen.

    Eksperti i sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahaj, thotë se për veprimtari të tilla po përdoret kryesisht platforma “Telegram”, për t’u fshehur identiteti, meqë kjo konsiderohet edhe vepër penale.

    “Një program si ky mundëson kushte anonimiteti për çka edhe ka marrë hov të zhvillimit në këtë aspekt…”, tha Fetahaj.

    Ka raste nëpër botë, që vajzat kanë kryer vetëvrasje për shkak të grupeve si këto. Andaj, që të mos ketë raste të tilla shantazhi, komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, kërkon reagim institucional.

    “Kjo nuk është në dorën tonë sado shqetësuese të jetë, të gjithë e dimë sa e rëndësishme është mbrojtja e të dhënave personale, por po presim hapa nga policia, prokuroria…”, tha Sogojeva.

    Në një përgjigje për ATV-në, duke mos dhënë shumë detaje, nga prokuroria themelore në Prishtinë thuhet se rasti është në shqyrtim e sipër.
    Por deri në një afat të pacaktuar prej kur do të përfundonte frika për keqpërdorimin e fotografive të vajzave, apelohet për kujdes gjatë shfrytëzimit të aplikacioneve.

    “Të mos postojnë shumë fotografi, të mundohen sa më tepër të kenë kujdes kur japin të dhëna sidomos personale gjatë blerjeve, pasi ato mund të shpërndahen…”, tha Sogojeva.

    “E vetmja gjë që mund të bëhet në këtë rast është që të jemi të vëmendshëm me kë komunikojmë, çfarë lloji të fotografive kemi, dhe t’i shmangemi sidomos përdorimit të tepërt të teknologjisë në aspekte kur aplikacionet që përdorim janë të dyshimta”, tha Fetahaj.

    Aktualisht ka grupe duke filluar prej 20 mijë e deri në më shumë se 100 mijë pjesëmarrës, të cilët janë aktiv nga viti 2022.

  • Aktakuzë kundër dy personave për pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi

    Aktakuzë kundër dy personave për pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi

    Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet R.P dhe D.O. të nacionalitetit serb.

    Prokuroria Speciale njofton ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.

    Me këto veprime të pandehurit R.P dhe D.O. akuzohen për veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Kryeministrja e Estonisë: Mbështesim plotësisht rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s

    Kryeministrja e Estonisë: Mbështesim plotësisht rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s

    Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, e ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

    Pas takimit, Kallas tha se vendi i saj i mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s.

    “Dialogu dhe integrimi evropian do të ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

    Kreu i Kuvendit po e zhvillon një vizitë zyrtare në Estoni.

    Më herët, Glauk Konjufca, u takua edhe me homologun e tij Lauri Hussar.

  • EULEX-i e zhvendos selinë nga ish-Farmedi në Zonën Industriale

    EULEX-i e zhvendos selinë nga ish-Farmedi në Zonën Industriale

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka përfunduar sot zhvendosjen e Selisë së tij në Zonën Industriale në Prishtinë.

    Selia i re e EULEX-it do të vendoset në katin e pestë të ndërtesës së Capital Gate, ngjitur me Kompleksin ekzistues të EULEX-it për operacione dhe mbështetje, ku ndodhen elementet kryesore logjistike dhe operacionale të Misionit.

    Kjo zhvendosje, sipas kumtesës nga EULEX-i, po i forcon sinergjitë ekzistuese duke sjellë kështu përfitime të dukshme operacionale, logjistike dhe financiare.

    “Për më tepër, ajo do të kontribuojë në zvogëlimin e gjurmës mjedisore të EULEX-it, pasi 60 për qind e nevojave totale të energjisë së ndërtesës së Capital Gate plotësohen nga gjenerimi prej paneleve diellore”, thuhet në njoftim.

    Numrat e telefonit dhe adresat e postës elektronike të EULEX-it mbeten të pandryshuara.

    Misioni vazhdon të jetë i përkushtuar për zbatimin e mandatit të tij: t’i mbështesë institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikave më të mirat evropiane.

    Ndërtesa ku ka qenë e vendosur deri tani selia e EULEX-it (e njohur si Farmed) do t’i dorëzohet pronarit të vet.

  • Dogana kap mallra të kontrabanduara në veri

    Dogana kap mallra të kontrabanduara në veri

    Njësitë e Antikontrabandës së Doganës së Kosovës, të mbështetura nga Policia e Kosovës, kanë organizuar ndalesa rrugore dhe kontrolle në lokacione të dyshimta në pjesën veriore respektivisht në afërsi të Zubin Potokut.

    Si rezultat i këtyre aktiviteteve të përbashkëta (3 dhe 4 shkurt) të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, është arritur zbulimi i katër rasteve me mallra të kontrabanduara, si dhe është sekuestruar malli si në vijim:

    • Birra 30 pako x 24 copë,
    • Majonez– 7 pako x 12 cope x 500ml,
    • 24 komplete x 4 bidone x 5 litra – 580 litra alkool të koncentruar (Origjina Serbi).
    • Pije joalkoolike– 150 komplete x 24 cope x 0.33 litra (Origjina Serbi)
    • Pije joalkoolike– 202 komplete x 24 cope x 250 ml
    • Automjet transportues IVECO me targa të huaja/i pazhdoganuar.

    Ky veprim i përbashkët ka për qëllim zbatimin e ligjit dhe luftimin e kontrabandës në këtë pjesë.

    Aktivitetet e përbashkëta vazhdojnë dhe janë një shenjë e përkushtimit të vazhdueshëm të autoriteteve për sigurinë dhe ligjin në vend.

    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të bashkëpunojnë në përforcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në territorin e vendit.

  • Serbia dëbon rusen që ishte kundër luftës, Stradner apelon diplomatët perëndimorë që të reagojnë

    Serbia dëbon rusen që ishte kundër luftës, Stradner apelon diplomatët perëndimorë që të reagojnë

    Analistja amerikane, Ivana Stradner ka reaguar pasi Serbia ka dëbuar nga vendi një shtetase ruse pasi e njëjta ishte shprehur kundër luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë.

    Ajo ka apeluar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë karshi kësaj situate, veçmas.

    “Serbia ka dëbuar një shtetase ruse sepse ka nënshkruar një deklaratë kundër luftës! Ku janë tani diplomatët perëndimorë që avokojnë që Vuçiq të thotë diçka? Në dhjetor, thirra miqtë e mi në Serbi dhe u thashë të largoheshin nga vendi pasi gjërat vetëm do të përkeqësohen”, ka shkruar ajo në X.

    Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati Cedomir Stojkoviq, i cili ka thënë se ka biseduar me rusen e dëbuar nga Serbia, Lena Koposova.

    “Sapo fola me rusen Lena Koposova, të cilën Serbia po e dëbon sepse nënshkroi një deklaratë në Serbi kundër luftës, në shkurt të vitit 2022, kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Prandaj në vitin 2024 u shpall si ‘kërcënim për sigurinë kombëtare’”, ka shkruar ai në X.

  • Zhegrova në ekipin e javës në Ligue 1, merr notën më të lartë

    Zhegrova në ekipin e javës në Ligue 1, merr notën më të lartë

    Edon Zhegrova e bëri një tjetër paraqitje solide për Lillen në fundjavën që shkoi.

    Ylli kosovar shënoi një gol dhe një asistim në fitoren 4:0 ndaj Clermont Foot.

    Dhe, kjo bëri që 24 vjeçari ta shohë veten në ekipin ideal të kampionatit francez të futbollit, Ligue 1.

    Faqja e specializuar për vlerësimin e lojtarëve, “Sofascore” e vlerësoi më së larti përfaqësuesin kosovar në xhiron e 20-të.

    Më saktësisht, futbollisti ofanziv e mori notën 8.9, që ishte më e lartë në ekipin ideal të javës në kampionatin francez.

    Zhegrova i ka shënuar 8 gola dhe i ka bërë 8 asistime në të gjitha garat në këtë edicion me Lillen.