ATV

Author: ATVLive

  • Japonia jep donacion në vlerë prej 140 mijë eurosh për Dragashin dhe Mamushën

    Japonia jep donacion në vlerë prej 140 mijë eurosh për Dragashin dhe Mamushën

    Dy projekte në vlerë prej 140 mijë euro, të cilat përfshijnë projektin për sigurimin e deponimit të mbeturinave në Restelicë të Dragashit dhe sigurimin e një radiografie në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mamushë, u nënshkruan sot përmes një ceremonie nga Ambasada e Japonisë dhe kryetarët e këtyre dy komunave.

    Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka tha se përmes këtij projekti, Komuna e Dragashit do të përkrahet për ndërtimin e Deponimit të Mbeturinave dhe vendosjen e kontenjerëve për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Restelicë.

    Ai shtoi se ky projekt do të përmirësojë shërbimin e grumbullimit të plehrave dhe do të kontribuojë për ta bërë qytetin më të pastër dhe më komod për të jetuar banorët e kësaj zone.

    Yamanaka theksoi se me këtë projekt do të përfitojnë rreth 4700 banorë që jetojnë në këtë fshat.

    Ndërkaq, në lidhje me donacionin për Komunën e Mamushës, Yamanaka potencoi se me nënshkrimin e këtij projekti, qytetarët e Mamushës nuk do të kenë nevojë më të udhëtojnë nëpër komuna të tjera për ta bërë radiografinë, ngase QKMF-ja do të pajiset me një aparat të tillë në kuadër të Grantit Ndihmës Japonez për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore për vitin 2023.

    Nga ky projekt për sigurimin e pajisjes me rreze X, pritet që të përfitojnë afro 1500 pacientë në vit.

    Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini derisa falenderoi ambasadorin e Japonisë në Kosovë për këtë donacion, tha se kjo iniciativë nuk paraqet vetëm mbështetje financiare për këtë komunë, por është edhe një eksperiencë profesionale për të aplikuar praktikat më të mira të popullit japonez.

    Xheladini potencoi se kjo mbështetje nga Japonia, nuk është e para për Dragashin, për çka përmendi se para pak kohësh, kanë pranuar katër kamionë e mjete të tjera për transportin dhe mbledhjen e mbeturinave, një pikë grumbullimi për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave në fshatin Brod si dhe rregullimin e vendit të goditur nga orteku u borës në fshatin Restelicë.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç tha se ky është nënshkrimi i projektit të parë mbështetës me Ambasadën e Japonisë, për çka shtoi se pret edhe përkrahje të tjera në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

    Ai shtoi se është kënaqësi që përmes këtij donacioni të kenë mundësinë të njoftohen nga afër me disiplinën dhe kulturën e njerëzve nga Japonia.

    Gjatë kësaj ceremonie të nënshkrimit, u tha se Ambasada e Japonisë do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për të zhvilluar vendin dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve. /KP

  • ​“Nuk jam trajner normal, jam lideri këtu”, flet Pochettino

    ​“Nuk jam trajner normal, jam lideri këtu”, flet Pochettino

    Mauricio Pochettino ka thënë se ai është lideri te Chelsea, ndërsa edhe zbuloi mesazhin që e morri nga pronarët pas humbjes këtë vikend nga Wolverhampton.

    Chelsea u mposht në “Stamford Bridge” nga Wolves me rezultat 4:2, humbje kjo e cila e thelloi edhe më shumë krizën e skuadrës së Pochettinos këtë sezon, raporton KosovaPress.

    Kjo humbje spekulohej se e ka lëkundur tej mase pozitën e Pochettinos te Chelsea, por trajneri i “Bluve” zbuloi se ende e ka përkrahjen pronarëve të klubit.

    “Morra një mesazh të mirë nga pronarët. Jemi të gjithë së bashku në këtë gjë. Kjo është më e rëndësishmja. Ata janë në kontakt me mua, çdo ditë. E ndjej përkrahjen e tyre. Ju thash lojtarëve në një takim të ri që ju besoj atyre më shumë se kurrë. Do të ju përkrah më shumë se kurrë”, tha Pochettino.

    “Nuk jam një trajner normal, unë jam lideri këtu. Tifozët duhet të kenë durim. Ne duhet të gjejmë një mënyrë që të kemi sukses. Neve na duhet përkrahja, sigurisht, dhe ne po e kërkojmë përkrahjen për skuadrën, për lojtarët tanë. Merr kohë për ta ndërtuar një skuadër dhe ne duhet të kemi besim së bashku në projektin tonë. Është e vështirë por një projekt tejet emocionues”, shtoi më tej Pochettino.

  • Caktohen tre ekspertë për hetimin e furnizimit me rezerva shtetërore

    Caktohen tre ekspertë për hetimin e furnizimit me rezerva shtetërore

    Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rezervat shtetërore ka angazhuar tre ekspertë. Hilmi Jashari është angazhuar për fushën juridike, Hasim Krasniqi, në atë të prokurimit publik, ndërkaq, Lulzim Beqiri sa i përket financave, raporton EO.

    Anëtarët e komisionit, në mbledhje të martën, u pajtuan unanimisht që nga shtatë kandidatët që kishin aplikuar të zgjidhen tre të lartcekurit.

    Kryetari i komisionit, Rashit Qalaj bëri të ditur se grupi punues sipas mandatit ka mbajt takimin e pare me prezencë të dy anëtarëve duke shqyrtuar aplikimet.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, tha se e vlerëson punën e Grupit Punues.

    Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valetina Bunjaku, u shpreh e bindur se nuk do dal ndonjë problem gjatë këtij miratimi.

    “Unë pajtohem me këto propozime, grupi punues meqë kanë propozuar emrat është mirë që bashkërisht me i votu pasi nuk mendoj se do dal ndonjë problem”, deklaroi ajo.

    Ndërkaq Hartimi i planit të punës u shtye për të hënën kur do jenë të pranishëm ekspertë të fushës, pa pjesëmarrje të mediave.

  • Vuçiq: Ju dërgova letra vendeve të fuqishme, Perëndimi dëshiron ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjes me Kosovën

    Vuçiq: Ju dërgova letra vendeve të fuqishme, Perëndimi dëshiron ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjes me Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka dërguar 15 letra për vende me ndikim të BE-së, SHBA-së, ashtu si në Kinë e Rusi për situatën me Kosovën.

    Vuçiq tha në TV Happy se u ka thënë këtyre vendeve se Serbia do paqe dhe jo luftë.

    “Ju gjithmonë mendoni se njerëzit e dinë, na takon ne t’i njohim ata, të përpiqemi të themi se ne duam paqe dhe stabilitet, se ne nuk duam luftëra, se ne nuk i bëmë ato”, tha ai.

    Vuçiq tha se elitat politike të vendeve perëndimore do të përpiqen ta përshpejtojnë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

    Sipas tij, elitat politike në Europë “po nguten”, pasi “vlerësohet se partia e gjelbër dhe e majta do të marrin më pak vota se sa kanë pasur deri më tani”.

    Vuçiq po ashtu theksoi se Perëndimi po nxiton ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse “nuk janë plotësisht të sigurt se Ukraina mund ta mposht Rusinë”.

    “Meqë nuk janë të sigurt, ata e dinë se mund të ndodhë që dikush të dalë me një rrëfim për precedentët që janë arritur në Kosovë. Prandaj duhet futur Serbinë në atë hinkë dhe ta përfundojë atë histori”, tha Vuçiq.

  • Blinken pritet ta vizitojë Shqipërinë më 16 shkurt

    Blinken pritet ta vizitojë Shqipërinë më 16 shkurt

    Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, pritet që ta vizitojë Shqipërinë më 16 shkurt.

    Kështu raporton mediumi shqiptar Top Channel, sipas të cilit është duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite.

    Vizita në Shqipëri e Blinkenit do të jetë e para, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane.

    Qëllimet e kësaj vizite nuk dihet, por thuhet se sekretari amerikan i Shtetit, vjen si një vlerësimin për Shqipërinë, si një aleate e SHBA-së dhe në NATO.

    Vizita e Anthony Blinken, është e katërta e një sekretari amerikan në Shqipëri.

  • Hyn në fuqi rregullorja: Konsumatorët kanë të drejtë t’i shkëpusin kontratat me operatorët

    Hyn në fuqi rregullorja: Konsumatorët kanë të drejtë t’i shkëpusin kontratat me operatorët

    Ka hyrë në fuqi rregullorja e cila ua mundëson konsumatorëve të shkëpusin kontratat me operatorët kabllorë, për shkak të ndryshimit të njëanshëm të kushteve kontraktuale. Siç ka bërë të ditur Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përdoruesit kanë të drejtë të shkëpusin kontratat pa kosto shtesë.

    ARKEP-i ka thënë se rregullorja është në përputhje me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe qëllimi kryesor i saj është fuqizimi i mëtutjeshëm i të drejtave të konsumatorëve. Për të gjitha rastet si, ndryshimi i njëanshëm i kushteve kontraktuale, funksionimi i dobët i shërbimit, apo shkeljeve tjera të kushteve kontraktuale nga ofruesi i shërbimit, konsumatori ka të drejtën e shkëputjes së parakohshme të kontratës.

    Sipas ARKEP-it, përdoruesit duhet të njoftohen jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe duhet të informohen për të drejtën për shkëputje nëse nuk i pranojnë kushtet e reja.

    “E drejta për shkëputjen e kontratës mund të ushtrohet brenda dy (2) muajve pas njoftimit të tillë. Ofruesit e shërbimeve duhet të sigurojnë që njoftimi të bëhet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme në një medium të qëndrueshëm (sms, e-mail apo përmes adresës postare)”, thuhet në nenin 10 të rregullores.

    Në rregulloren e re është përfshirë edhe mundësia e shkëputjes së kontratës për shkak të funksionimit të dobët të shërbimit, pra nëse konsumatorët nuk marrin performancën siç bëhet e ditur në kontratë.

    Rregullorja ka sqaruar se periudha e vendosur kur ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për shkëputjen e parakohshme të kontratës (gjatë 9 muajve të parë kur kontrata është lidhur për 12 muaj, përkatësisht 12 muajt e parë kur kontrata është lidhur për 24 muaj), vlen vetëm për rastet kur janë përmbushur të gjitha kushtet e kontratës nga ofruesi i shërbimit.

    Një ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor, njoftoi se ka vendosur për t’i obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke ua lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës në rast se operatori nuk i përmbushë obligimet sipas kontratës.

    Sipas njoftimit të MINT-it, detyrimi që i vihet konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të saj edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/kanaleve, është në kundërshtim me ligjin.

  • ​Salvini: Protestat me traktorë detyruan BE-në të kthejë mbrapshtë ‘çmendurinë’ e saj

    ​Salvini: Protestat me traktorë detyruan BE-në të kthejë mbrapshtë ‘çmendurinë’ e saj

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit të Italisë Matteo Salvini shprehu kënaqësinë të martën pasi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi tërheqjen e një ligji të propozuar që synonte të pakësonte përdorimin e pesticideve në BE, mes protestave me traktorë nga fermerët në shumë pjesë të Evropës, duke përfshirë Italinë.

    “Rrofshin fermerët, traktorët e të cilëve po e detyrojnë Evropën të kthejë mbrapshtë çmendurinë e imponuar nga shumëkombëshet dhe e majta”, tha Salvini, kreu i partisë së djathtë Liga.

    Von der Leyen i tha Parlamentit Evropian në Strasburg se Rregullorja e Përdorimit të Qëndrueshëm (SUR), e cila synonte të zvogëlonte përgjysmë përdorimin e pesticideve deri në vitin 2030, po tërhiqej, duke thënë se ajo ishte “bërë një simbol i polarizimit”.

    Megjithëse politikat e BE-së dhe Marrëveshja e Gjelbër, pjesë e së cilës është SUR, janë një faktor i madh në protestat e traktorëve, përfshihen edhe elementë të tjerë, si zemërimi i fermerëve për çmimet e larta të karburantit dhe vështirësitë me të cilat përballen shumë prej tyre, dhe pakënaqësia me disa politikat kombëtare.

    Traktorë nga e gjithë Italia janë përdorur për të ardhur në Romë ditët e fundit dhe fermerët synojnë të organizojnë një demonstratë të madhe në kryeqytetin italian.

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të hënën nga Tokio se qeveria ka bërë gjithçka që është e mundur për të mbështetur fermerët dhe sektorin bujqësor.

    “Ne jemi takuar gjithmonë me fermerët, një nga sektorët kryesorë të cilit i kushtojmë vëmendje,” u tha Meloni gazetarëve në kryeqytetin japonez.

    Faktet, tha ajo, flasin vetë, duke përmendur “ligjet buxhetore përmes të cilave janë rritur burimet”, rinegocimin e planit kombëtar të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë pas Covid-it të financuar nga BE (NRRP) për të rritur fondet e disponueshme “nga 5 në 8 miliardë euro” dhe “përpjekja për të ofruar naftën”.

    “Ne gjithmonë mund të punojmë për të bërë më mirë dhe më shumë, unë jam gjithmonë e gatshme të dëgjoj kërkesat”, përfundoi ajo.

    Edhe ministri italian i Bujqësisë Francesco Lollobrigida përshëndeti njoftimin e von der Leyen.

  • Psikologu Havolli: Jetesa me dy gra nuk është aspak e shëndetshme, rritë stresin dhe ankthin

    Psikologu Havolli: Jetesa me dy gra nuk është aspak e shëndetshme, rritë stresin dhe ankthin

    Psikologun Ilir Havolli, në emisionin A LIVE në ATV, tha se në perspektivën e psikologjisë, bashkëjetesa me dy gra nuk është aspak e shëndetshme.

    Ai tha se kjo bashkëjetesë shkakton stres dhe ankth tek njëri nga këta persona.

    “Faktikisht jetesa me dy gra brenda një shtëpie tradicionalisht ka qenë e kushtëzuar për arsye të ndryshme, qofshin sëmundje të ndryshme, qofshin aspekte të ndryshme , por që në aspektin psikologjik ka ndikim shumë negativ tek njëra nga ata dy persona, sepse ndikon në rritjen e stresit dhe ankthit tek këta persona, pastaj ndikon në uljen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit te këta persona dhe pastaj në luhatjen e identitetit personal të individëve. Prandaj, si diçka e tillë nuk është aspak e shëndetshme që brenda një familje të jetojnë dy apo më tepër qifte”, tha psikologu Havolli. /atvlive.tv

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

  • Avokatja Bytyqi: Po të ndëshkohej tradhtia bashkëshortore, nuk do të kishte burgje në Kosovë që t’i zinte njerëzit

    Avokatja Bytyqi: Po të ndëshkohej tradhtia bashkëshortore, nuk do të kishte burgje në Kosovë që t’i zinte njerëzit

    Avokatja Fehmje Bytyqi ishte e ftuar në emisionin A LIVE në ATV, për të diskutuar lidhur me ndryshimet e Kodit Penal në Shqipëri, që në media u ndërlidh me tradhtinë bashkëshortore.

    Madje ajo tha me shaka se, në rast se do të ndëshkohej tradhtia bashkëshortore, s’do të kishte burgje në Kosovë e as në Shqipëri që do t’i zinte njerëzit.

    “A duhet të ndëshkohet? Po të ndëshkohej shkelja e besnikërisë martesore, siç e definon ligji mbi familjen s’do të kishte burgje as në Kosovë e as në Shqipëri që do t’i zinte njerëzit. Mirëpo, shumë e qartë, ligji mbi familjen e shpjegon se kur mundet me u lidh martesa edhe njëra ndër shkaqet që nuk e lë dy herë të hezitojë gjykatën për me e zgjedhë, është edhe shkelja e besnikërisë martesore”, tha avokatja Bytyqi. /atvlive.tv

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

  • ​Popullsia e medias sociale arrin në pesë miliardë

    ​Popullsia e medias sociale arrin në pesë miliardë

    Numri i përdoruesve aktivë në median sociale është rritur në mbi pesë miliardë, e barabartë me afërsisht 60% të popullsisë së botës, e cila, sipas vlerësimeve zyrtare të OKB-së, ka tejkaluar tetë miliardë njerëz.

    Sipas një studimi kjo daton që kur Facebook nisi aktivitetin, tashmë 20 vjeçar, platformë që nisi epokën e medias sociale.

    Sipas studimit numri i përdoruesve të medias sociale është rritur me 5,6%, duke tejkaluar rritjen prej 0,9% të popullsisë botërore.

    Rrjeti social më i populluar është Facebook me 2,19 miliardë përdorues.

    Instagram, gjithashtu nga Meta, është i dyti me 1,65 miliardë, i ndjekur nga afër nga TikTok me 1,56 miliardë.

    Përdoruesi mesatar i medias sociale shpenzon dy orë e 23 minuta në ditë në platformën e tij të preferuar, duke përdorur 6,7 platforma çdo muaj. /ANSA/