Deputetët e rinj të Kuvendit të Serbisë do të mblidhen këtë të martë në seancën konstituuese.
Në rend të ditës janë gjashtë pika, ndërkaq e para prej tyre është konfirmimi i mandatit të deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit.
Më pastaj vijnë zgjedhja e kryetarit të kuvendit, zgjedhja nënkryetarit, emërimi i sekretarit të përgjithshëm, zgjedhja e trupave punuese dhe e anëtarëve të përhershëm të delegacioneve në institucione ndërkombëtare, raporton Euronews.rs.
Nga zgjedhjet e fundit në parlamentin serb kanë hyrë 10 lista zgjedhore, pesë prej të cilave janë nga minoritetet.
Në këtë seancë si deputet do të betohet edhe Shaip Kamberi, që do të jetë shqiptari i vetëm në kuvendin serb.
Komiteti Olimpik i Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për sportistët, ku këtë herë ka përzgjedhur 42 bursistë “Shpresa Olimpike 2024”.
Bursistët, që vijnë nga 19 sporte olimpike, i takojnë moshës deri në 21 vjet.
Sportistët do të mbështeten nga KOK-u me nga 150 euro në muaj për gjatë gjithë vitit 2024.
Përzgjedhja e 40 të tillëve është bërë nga komisioni i sportit, pas nominimeve të dërguara nga federatat, ndërsa dy bursistë u shtuan me propozim të Bordit Ekzekutiv. Listës iu shtua edhe notarja Hana Beiqi, përkundër mos nominimit nga Federata e Notit e Kosovës!
Gjatë vitit të kaluar, KOK kishte ndarë 25 bursa për sportistët e rinj. Javë më parë, KOK përzgjodhi edhe 10 bursistë tjerë, të cilat mbështeten nga MKRS, sipas rregullores nr 03.2013 për ndarjen e bursave për shpresat olimpike dhe paralimpike.
Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit gjatë kontrolleve në trafik, kanë hasur në dy kundërvajtës, njëri në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar është 40 km/h duke vozitur me 127 km/h dhe tjetri në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar është 50 km/h duke vozitur me shpejtësinë 133 km/h.
Sipas një njoftimi për media të dy kundërvajtësve veç e veç u janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 300 euro, tri pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes së mjeteve motorike në afat prej tre muaj.
“Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, apelon vozitësit që të i respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor, po ashtu inkurajon mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë Stacionin më të afërm të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kundestarë:192; 0385045047001”, thuhet në njoftim.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në emisionin LIBERO në ATV, tha se gjendja e arsimit në Kosovë nuk mund të ndryshojë me revolucion e as me shkop magjik, por me shumë punë të gjatë dhe sistematike nga niveli parashkollor deri në universitet.
“Gjërat bëhet në rrënjë nga fillimi që nga niveli parashkollor, shkolla fillore cikli i ulët, pastaj te shkolla e mesme e deri në universitet. Dy gjëra i kam hetuar, gjërat ne arsim nuk bëhen as me revolucion e as me shkop magjik. Duhet shumë punë të gjatë, shumë punë sistematike, sot të ndërmerren veprime që pas disa viteve të shihen”, tha rektori Tafa.
Ai tha se në vendin tonë kanë mbetur në këmbë edhe dy shtylla të komunizmit, të cilat assesi nuk po mund ta rimarrin veten, e ato sipas tij janë arsimi dhe shëndetësia.
“Po dëgjoj herë pas here qoftë në parlament, qoftë çarqe të ndryshme intelektuale, në shkrime se komunizmin duhet dënuar. Po flas me dozë kompetencës profesionale edhe të juristit kur jemi të dënimi i komunizmit. Dënimi është masa e cila i shqiptohet për fajin e shkaktuar, për fajin e bërë. Faji i komunizmit është aq i madh sa që nuk ka dënim që kish me qenë i baras vlefshëm me peshën e fajësisë të cilën e ka komunizmi. Komunizmit në vendin tonë i kanë mbetur në këmbë edhe dy shtylla, fatkeqësisht. Arsimi dhe shëndetësia janë ato dy oazat e fundit, të cilat assesi të kthjellen dhe ta rimarrin veten. Kur është themeluar AAB-ja, kemi pasur veç një universitet edhe ai ka qenë Universiteti Publik i Prishtinës dhe ideja ka qenë që të bëjmë një universitet alternativ të mos ketë monopol universiteti publik dhe të nxisim paksa konkurrencën. E kam thënë edhe në rastet e tjera, Amerika është një superfuqi e madhe ushtarake, industriale, financiare dhe pasurinë më të madhe e ka ekonominë e lirë të tregut, konkurrencën”, u shpreh Tafa.
Pas rezultateve të PISA-s, ai thotë se disa persona të cilët nuk e njohin fushën e arsimit, padrejtësisht filluan të drejtojnë gishtin edhe te arsimi i lartë.
Problemi me arsimin në Kosovë, sipas rektorit Tafa, nuk qëndron tek arsimi i lartë, por tek ai para universitar.
“Ne e kishim arsimin pa konkurrencë dhe tash kur dolën rezultatet e PISA-s, filluan të merren me këtë temë edhe ata të cilët nuk e njohin fushën e arsimit dhe të drejtojnë gishtin padrejtësisht edhe te arsimi i lartë. Nuk e kam zakon ta citoj asnjëherë veten, por diku në vitin 2004 ose 2005, kam qenë në një emision në RTK dhe aty kam thënë që problemet me arsimin në Kosovë nuk janë te arsimi i lartë, por problemet me arsimin në Kosovë janë te arsimi para universitar. Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, qofshin ato publike, qofshin kolegjet private, punojnë me ato resurse me ata nxënës të cilët na përgatitin në arsimin para universitar. Edhe në universitetet publike, edhe në kolegjet private vinë nxënës me notën shembullore, me të gjitha 5-she, numër maksimal të pikëve në testin e maturës, ndërsa në zbrazësi pothuajse elementare në fusha të caktuara. Shpesh herë kanë thënë se studentët e Kosovës bëjnë gabime, nuk dinë me shkru, universiteti nuk të mëson me shkru, universiteti nuk të mëson me lexu. Me shkru e me lexu të mëson shkolla fillore”, tha Tafa.
Në raport me ranglistat botërore, rektori Tafa tha se universitetet e Kosovës, qofshin publike apo private, qëndrojnë më mirë se në vendet e rajonit. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të rektorit Lulzim Tafa në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është lidhur live në emisionin ‘EKIPI A’
Batatina i cili në ndeshjen e Kupës së Kosovës bëri shtatë zëvendësime përballë Trepçës 89, ka deklaruar me shaka se edhe klubi i tij ka dashur të zbulojë diçka.
Po ashtu Batatina ka theksuar se ai është eliminuar nga Kupa, pasi që klubi i tij do të luftojë për titullin e Kampionit dhe Kupën ua la Ballkanit dhe Dritës.
Presidenti i klubit FC Liria, Valon Osmani ka deklaruar që trajnerët kosovar nuk e patën guximin të marrin drejtimin e klubit nga Prizreni.
Ne kemi tentuar të marrim një trajnerë kosovar, por janë 5 trajnerë që kanë kërkuar 10 mijë euro, ne nuk mundemi me pagu 10 mijë euro për trajnerë të Ligës së Parë apo ata që janë pa punë. Disa tjerë nuk e patën guximin me marrë klubin tonë’ tha Osmani.
Emisionin e plotë ‘Ekipi A’ mundemi me shiku live në linkin e më poshtëm.
Lulzim Tafa, njëri ndër poetët kosovar më të njohur në botë, ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV, ku bëri një rrëfim më ndryshe për jetën e tij private, rrugëtimin profesional si dhe pasionin për poezi.
Në këtë emision, në prani të poetit, u shfaqë interpretimi i poezisë “ANDËRR”, e cila është një nga poezitë më të bukura të tij.
Në poezinë “ANDËRR”, poeti Tafa me mjeshtëri i bën thirrje lexuesve të heqin prangat e të menduarit konvencional, duke sfiduar vetë strukturën e realitetit.
Në videon e më poshtme ju ftojmë të dëgjoni këtë interpretim të mrekullueshëm të poezisë “ANDËRR”, të autorit Lulzim Tafa:
ANDËRR
Mos u dëshpëro e dashur
As mos u zhgënje
Sapo e mora vesh
Unë fare nuk ekzistoj
As ti
E tëra është një andërr.
Askush nuk ekziston
Më e keqja
As bota
Asgjë që mendojmë se është
Nuk është.
Nuk ekzistojnë malet, detet, oqeanet
As qiejt
Nuk ekzistojnë Planetet
Dielli Toka e Hana
Hana hiç se hiç.
(Logjikë), diçka kaq e bukur
S’mund të ekzistoj.
Ashtu siç nuk ekzistojnë
vitet e dritës
Kashta e Kumtrit,
Atmosfera, hidrosfera.
Biosferë nuk ka
As që ka pasë
As që do të ketë
Harroje
PIKË.
Astronautët kanë gënjyer edhe pse
As ata nuk ekzistojnë
Mos beso më në galaktika,
Big bengu andërr ka qenë
Si andrrat ma,
Të trishta të bukura
Plot zjarr.
Lindja e vdekja
Ferri e parajsa
Andrra janë.
Mos u dëshpëro
As rruga e qumështit
As gjithësia.
Më vjen keq e dashur
Nuk ekziston
As dashuria.
Edhe pse të dua
As Prindërit tanë kurrë nuk kanë ekzistuar
(ku janë pra?)
Veç për Zotin e di
Ai është diku,
Mbase është i vetmi që mohohet
Mbase është ai
“Që po na sheh në andërr”.
Se Zoti
Është një fëmijë i vogël
Që luan me yje.
————–
Intervistën e plotë të poetit Lulzim Tafa në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:
Shtyrje të zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, në raport me ndikimet te komuniteti serb, respektivisht çështjen e dinarit, dhe koordinim për periudhën tranzitore kërkuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit që kryeministri Albin Kurti pati me korin diplomatik ndërkombëtar, ambasadori amerikan, Jeffery Hovenier, tha se problemi me rregulloren qëndron te mënyra e zbatimit, siç vlerësoi ai, pa informim të mjaftueshëm paraprak.
“Derisa, absolutisht respektojmë, mbështesim dhe mirëpresim zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës, njohim dhe respektojmë rolin e BQK-së në rregullimin e sektorit financiar – dhe, në fakt, SHBA-ja ka luajtur rol të rëndësishëm duke mbështetur dhe ndihmuar këto institucione, që të jenë të afta të kryejnë funksionet e tyre efektivisht dhe me zotësi, përmes trajnimeve, këshillave të ekspertëve e të tjera. Dhe, sigurisht, i mbështesim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe gjëra të tilla. Ne kemi shqetësime të thella për mënyrën sesi kjo rregullore po zbatohet, sepse besojmë se nuk merr në konsideratë disa realitete dhe shqetësime nga komunitetet”, tha Hovenier.
Pasi tha se pret plan dhe strategji të qartë nga Qeveria, ambasadori paralajmëroi se vazhdimi pa koordinim me SHBA-në mund të përcillet me pasoja.
“Mund të flas vetëm për kërkesën SHBA-së, e cila është shtyrja, në mënyrë që të bëhet më shumë punë për ta zbatuar atë (rregulloren), në një mënyrë që ne besojmë se është në përputhje me standardet evropiane dhe një periudhë të mjaftueshme informimi. Qeveria ka folur për një tranzicion dhe shpresojmë që ky tranzicion i merr në konsideratë këto çështje. Lidhur me veprimet nga SHBA-ja, mund të them se do të shpresonim që Qeveria të jetë partnere me ne në këtë. Kjo është diçka që presim në partneritete. Vullneti i Qeverisë për t’i adresuar këto shqetësime do të përforconte partneritetin tonë të gjerë. Dhe, nëse Qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne në këtë çështje shumë të ndjeshme, do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”, tha Hovenier.
Krahas thirrjes për kthim në dialog, Bashkimi Evropian theksin e vuri te rreziku i përkeqësimit të situatës së sigurisë.
“Gjatë javës së shkuar, kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës, këto zakonisht nuk janë të koordinuara, janë veprime të njëanshme apo të ndërmarra pa nivelin e nevojshëm të konsultimit paraprak, në mënyrë që të parandalohet ndikimi negativ që mund të kenë te njerëzit”, ka thënë zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore për Operacionet me Para të Gatshme, e cila njeh euron si valutë të vetme për pagesë, hyri në fuqi më 1 Shkurt.
Lulzim Tafa, njëri ndër poetët kosovar më të njohur në botë, ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV, ku bëri një rrëfim më ndryshe për jetën e tij private, rrugëtimin profesional si dhe pasionin për poezi.
Në këtë emision ai foli edhe për çmimet e shumta që ka marrë gjatë karrierës së tij në letërsi, ndërsa për çmimin e fundit që mori nga presidenti francez Emmanuel Macron, thotë se ka qenë ndër çmimet më të veçanta për të.
“Në karrierën time pothuajse tërë jetësore me poezinë, me letërsinë, kam marrë shumë mirënjohje, çmime, dekorata, tituj nderi, mirëpo kjo që më erdhi nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, që realisht është dekorata më e lartë të cilën e ndanë shteti francez në fushën e artit dhe letërsisë, përveç që më ka gëzuar, më ka tunduar shumë. Edhe për faktin se ndoshta lidhjet e mia me Francën janë pak më të veçanta, unë kam të botuara dy libra në gjuhën frënge, po ashtu kam qenë pjesëmarrës shumë herë në festivalet e letërsisë edhe të poezisë në Francë, jam anëtar i Akademisë Franceze të Letërsisë dhe të Arteve me seli në Paris dhe Parisin e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj si kryeqendrën botërore të artit dhe të kulturës”, u shpreh poeti Tafa.
Ai thotë se ky çmim e ka bërë atë që të ndihej njësoj si shumë vite më parë kur merrte çmime ndërkombëtare.
“Kur më kanë pyet, a gëzohesh kur merr çmime ndërkombëtare dhe cili është gëzimi të cilin e ke përjetuar më përpara dhe cilin tash, unë them edhe atëherë, edhe tash jam gëzuar shumë, mirëpo gëzimi e ka njëfarë lloj ndryshimi. Gëzimi që e përjetoja dikur më tundonte, kurse këto tani më japin një qetësi. Përjashtimisht, sepse unë vetëm vitin e kaluar kam marrë shumë çmime, mirënjohje, dekorata, po flas vetëm gjatë vitit 2023 pa e llogaritë pjesën tjetër, por kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që edhe më ka tunduar”, rrëfeu poeti Tafa. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të poetit Lulzim Tafa në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:
Ministri Gjerman i Mbrojtjes të hënën qëndroi për vizitë në Kosovë, ku u prit nga krerët e shtetit. Pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, Boris Pistorius nuk kishte si të mos fliste për një temë mjaft aktuale në Kosovë.
Për të, vendimi i BQK-së, që vendos euron si valutë të vetme për kryerje të pagesave në Kosovë, është krejtësisht i ligjshëm, megjithatë, sipas tij, duhet të jepet kohë për zbatimin e tij.
“Jemi të vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bën pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros, si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, ashtu që askush të mos ketë frikë dhe ketë mosinformim”, tha Pistorius.
Përtej ligjshmërisë, Presidentja Vjosa Osmani theksoi nevojën për dakoordim me aleatët ndërkombëtarë.
“Nga të gjitha kontaktet e mia me kryeministrin mund t’iu siguroi që qëllimet i kemi të njëjta dhe ajo është mbrojtja e kushtetutës së vendit, mbrojtja e sovranitetit, sundimi i ligjit, por njëkohësisht edhe arritja e dakordimit me aleatët tanë sa i përket kësaj çështjeje. Metodat mund t’i kemi të ndryshme, por qëllimet asnjëherë”, tha Osmani.
Duke kërkuar shtensionim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe duke bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Ministri Pistorius njoftoi se Gjermania do të rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë, qysh në pranverë.
“Gjermania pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës. Ne bashkëpunojmë me sukses në shumë fusha. KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri. Sa u përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është kërkesë deeskalimi. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por parakusht është dialogu. Duke marrë parasysh tensionet aktuale bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha Pistorius.
Osmani u kujdes ta informojë më shumë ministrin gjerman, veçanërisht për sulmin terrorist në Banjskë për çka tha se terroristët serbë përdorën simbolet e KFOR-it, madje edhe atyre gjerman për ta kryer më lehtë sulmin.
Vizitën zyrtare ministri gjerman e vazhdoi për në kryeministri me shefin e qeverisë, për ta përmbyllur më pas në një takim me homologun kosovar Ejup Maqedonci.