ATV

Author: ATVLive

  • Përparim Rama thotë se arsyeja e shkarkimit të Ilirik Musliut ka të bëjë vetëm me mos zgjidhjen e problemit me mbeturina

    Përparim Rama thotë se arsyeja e shkarkimit të Ilirik Musliut ka të bëjë vetëm me mos zgjidhjen e problemit me mbeturina

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka qenë mos zgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.

    “Sot jemi në shkurt edhe e kemi problemin e madh me mbeturina. Pra nuk kam pasur në mundësi tjetër përveç që me e ndërrua drejtorin për arsye të mundësisë për me e zgjedhë problemin e mbeturinave”, tha Rama.

    Ai mohoi se shkarkimi i drejtorit Ilirik Musliu ka të bëjë me çështje të tjera apo probleme brenda koalicionit.

    “Unë gjithmonë kam diskutu për rezultate. Rezultatet janë ato aspektet të cilat mua më interesojnë edhe si rezultat i rezultateve, të cilat nuk kanë qenë të nivelit të pritshmërisë time në dikastere të ndryshme, në këtë rast e drejtorisë së Shërbimeve Publike, ku si pjesë e problemeve të mëdha është edhe zgjedhja e problemit të mbeturinave. Kjo është një çështje që e kemi diskutuar vazhdimisht edhe faktikisht kemi pasur një numër të madh të datave të ndryshme ku edhe i kam vendosur për zgjidhjen e problemit të mbeturinave”, tha Rama.

    Ai tha se ka kërkuar që problemi i mbeturinave të zgjidhet edhe duke shikuar mundësinë e prurjes së sektorit privat në pamundësi që ky problem të zgjidhet me kompaninë “Pastrimi”.

    “Kam kërkuar që problemi i zgjedhjes së mbeturinave të menaxhohet, pra te menaxhohen proceset edhe të mundësisë të aspektit të prurjes së sektorit privat në pamundësi që ne ta zgjedhim problemin e mbeturinave me kompaninë “Pastrimi”. Me kompaninë “Pastrimi” kemi pasur probleme shumë të mëdha, edhe përkundër faktit se ne kemi subvencionu me muaj të tërë, kemi dhënë subvencionime shtesë që t’i ndihmojmë kompanisë “Pastrimi””, tha Rama. /atvlive.tv

  • Rreziku për tensione nga “vendimet e drejta”, barrë mbi Kosovën

    Rreziku për tensione nga “vendimet e drejta”, barrë mbi Kosovën

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Krahas brengës se veprimet e institucioneve në raport me dinarin dhe komunat ilegale serbe mund të nxisin tensione, ndërkombëtarët kanë paralajmëruar pasoja për Kosovën nëse lëvizjet e pakoordinuara shkojnë keq.

    Duke i përmendur pasojat eventuale, politologu Fidan Ukaj theksoi rëndësinë e reflektimit të Qeverisë, në raport me rekomandimet e SHBA-së.

    “Tanimë Kosovë gjendet nën masat e BE-së, e po ashtu rreziku i madh është që (mos)përkrahja e SHBA-së në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, plot organizata të rëndësishme për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, e po ashtu rruga për në BE mund të çalojë nga mospërkrahja e aleatëve tanë strategjik, veçmas SHBA-së, do të ishte dëm i madh nëse do të ndodhte një gjë e tillë”, tha Ukaj.

    Teksa përmendi moszbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 nga Serbia, për shuarjen e strukturave ilegale, Ukaj vuri theksin te politizimi i veprimeve.
    “Mendoj se vendimet kanë qenë të drejta dhe legale, mirëpo strategjia, plani i zbatimit të tyre ka qenë gabim nga ana institucioneve të Kosovës, qoftë në rastin e parë kur në krye të aksioneve kemi parë akterë politikë dhe jo ata që kanë detyrë t’i mbyllin këto zyra, prokuroria, hetuesia dhe policia”, tha Ukaj.

    Pasi raportet me partnerët ndërkombëtarë i vlerësoi tashmë të lënduara nga masat ndëshkuese në fuqi, si pasojë e veprimeve të pakoordinuara, opinionisti Bekim Kabashi tha se gjithçka është përpjekje për shtyrje të zbatimit deri pas qershorit.

    “Veprimet e Qeverisë së Kosovës janë në këtë kontekst, për ta penguar implementimin e marrëveshjes, e cila është arritur në Bruksel dhe Ohër e që lidhet me asociacionin. Pra, Qeveria sa herë ta shohë që ka ardhur në pozicionin kur duhet të bëjë veprime para presionit ndërkombëtar nxjerrë temë të re, e cila pastaj e eklipson çështjen e rëndësishme siç është asociacioni”, tha Kabashi.

    Qeveria, e cila përmes letrave ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me shqetësimet e SHBA-së dhe BE-së, se veprimet e saj mund të bëhen shkak i rikthimit të tensioneve.

  • Autobusët e “Trafikut Urban” pajisen me Wi-Fi

    Autobusët e “Trafikut Urban” pajisen me Wi-Fi

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Nga kjo e martë, në çdo autobus të “Trafikut Urban” në Prishtinë, shërbimet e internetit do të jenë falas.

    Kjo pasi që, autobusët janë të pajisur me WI-FI.

    “Sot të gjitha shtresat e qytetarëve mund ta shfrytëzojnë Trafikun Urban për transport e me të edhe internetin pa pagesë. Është diçka që është pritur shumë mirë kur e kemi dhënë lajmin vitin e kaluar. Ta gëzojmë të gjithë”, tha kryeshefi i “Trafikut Urban”, Burim Malaj.

    Por kjo risi, nuk iu bëri përshtypje disa prej qytetarëve, të cilët gjatë të martës po udhëtonin me autobusë.

    “Për të rinjtë po është mirë, por të moshuarit nuk do të mund të kenë qasje…”, tha Arta Maloku, qytetare.

    “Ne nuk dimë si ta shfrytëzojmë, nuk është ndonjë avancim përfshirës për të moshuar”, tha Mustafë Zeqiri, qytetar.

    Sipas tyre, Komuna do të duhej të punonte në shtimin e autobusëve dhe linjave të reja.

    “Gjysma nuk dinë me përdor WI-FI, lë të lëshojë autobusë më shumë, 200 veta në autobus vijnë në mëngjes në 07:00 ora”, thotë një tjetër qytetar.

    Për këtë, kryeshefi i “Trafikut Urban” pati një përgjigje.

    “Shpresoj që autobusët e rinj të vijnë deri në vitin 2024. Jam i angazhuar që ky proces të përshpejtohet edhe në fund të vitit të kemi flotën e 81 autobusëve. Pra 51 autobusëve që i kemi t’u shtohen edhe 30 autobusë të rinj e në këtë mënyrë të kemi mundësi të ofrojmë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët”, tha Malaj.

    Mes tjerash, Malaj ka thënë se nuk do të këtë rritje të çmimit në bileta të qytetarëve edhe pse është shtuar ky shërbim.

    Kostoja për Wi-Fi, është 2 mijë e 500 euro në muaj.

  • Gjykimi ndaj ministrit Sveçla e të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend

    Gjykimi ndaj ministrit Sveçla e të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend

    Përgatiti: Nora Luta

    Për t’u ballafaquar me akuzat rreth veprës penale që, sipas Prokurorisë, e kreu sa ishte deputet, Xhelal Sveçla, tani ministër i Punëve të Brendshme, të martën erdhi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Sveçla, bashkë me deputetët Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe Salih Zyba akuzohen se hodhën gaz lotsjellës në seancën e 21 marsit të 2018-s. Megjithatë, të paktën për të dytën herë me radhë gjykimi ndaj tyre dështoi të fillojë, për shkak të mungesës së Millakut.

    Edhe në rast të prezencës së Millakut, seanca do të mund të dështonte, pasi tre të akuzuarit erdhën pa avokat. Ministri Sveçla, sikurse edhe dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se nuk kanë nevojë për mbrojtës.

    Ndërkohë, nëse deputetja Millaku mungon sërish, gjyqtari njoftoi se mund të veçohet procedura.

    Në qershor të vitit të kaluar për shkak të dështimit të disa seancave, një rast tjetër ku ishte i akuzuar ministri Sveçla që ndërlidhet me vepra penale të huliganizmit, ishte parashkruar.

    Deputetët e Vetëvendosjes, gjatë 2018-s, sa ishin në opozitë, disa herë kishin protestuar, duke hedhur edhe gaz lotsjellës në Kuvend, për të kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

    Sipas aktakuzës, Sveçla dhe të tjerët më 21 mars të po të njëjtit vit, rreth orës 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e Kuvendit, kishin ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, duke pamundësuar vazhdimin e seancës plenare.

  • Lënda edukimi për siguri parasheh 60 orë teori dhe praktikë

    Lënda edukimi për siguri parasheh 60 orë teori dhe praktikë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Nxënësit e shkollave të mesme do të mund të mësojnë më shumë për historikun e institucioneve të sigurisë, qysh nga viti i ri shkollor, si pjesë e lëndës edukimi për siguri.

    Ata do të njoftohen edhe me pajisjet që posedon ushtria, por edhe tema të tjera, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes në një përgjigje për ATV-në.

    “Sillabusi parasheh 60 orë ku shumica janë teori, por një pjesë e temave janë edhe praktikë. Pjesa teorike përfshin historikun e institucioneve të sigurisë së Kosovës, Policisë, FSK-së, AME-së dhe AKI-së. Njohja e pajisjeve të FSK-së, armët për shkatërrim në masë, ndërtimi i ekipit, rekrutimi në institucionet e sigurisë, rreziqet nga inteligjenca artificiale, mbrojtja civile, epidemiologjitë dhe veprimet sanitare, si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Përveç teorisë, lënda parasheh edhe pjesën praktike ku nxënësit do të praktikojnë leximin e hartave, mjetet eksplozive, edukimin fizik, ndërtimin e kampit, kërkim-shpëtimin etj.

    Megjithatë, kërkohet që të ketë përgatitje sa më të madhe nga ana e Ministrisë së Arsimit.

    Ministria nuk tregoi se si do të realizohet kjo lëndë, megjithëse jozyrtarisht televizioni mëson se pjesa teorike do të mbahet në shkolla, ndërkaq ajo praktike me raste në kazermat ushtarake.

    Sidoqoftë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ka mjaft ligjërues e instruktorë që do të mund ta ligjërojnë këtë lëndë.

  • Në projektet e tri stadiumeve, zyra e auditorit gjeti parregullsi

    Në projektet e tri stadiumeve, zyra e auditorit gjeti parregullsi

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në tri projektet për punimet dhe rinovimin e stadiumeve, atij të Mitrovicës, të Gjilanit dhe të Gjakovës, Zyra e Auditorit gjeti parregullsi.

    Po filloj me gjetjet e ZKA-së për Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, MKRS-ja nuk kishte qenë në dijeni që nuk kishte vetëm një titullar të pronës, stadiumi ishte ndërtuar në disa pronat, që i përkisnin kompanive në kuadër të ndërmarrjes, “Trepça”. MKRS-ja nuk ka aplikuar për leje ndërtimore se nuk i plotëson kriteret për t’u pajisur me një leje të tillë. Kjo çështje nuk është zgjidhur ende. Po rinovohet për herën e tretë ky stadium”, tha deputetja e LV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku.

    Derisa tha se është çështje ditësh prej kur do të lëshohet leja për nisje të punimeve në stadiumin në Mitrovicë, Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, foli edhe për shkëputjet e kontratave në disa projekte.

    “Po e filloj me stadiumin e Gjilanit, ku ka ndodhur shkëputja e kontratës me operatorin, është bërë para se të bëhej raporti i auditimit. E kemi bërë analizën e gjendjes dhe kemi nisur procedurë të prokurimit, kemi ndarë 15 milionë euro dhe kemi bërë memorandum me komunën për hapjen e prokurimit. “Rasti më i komplikuar stadiumi Adem Jashari në Mitrovicë. Është çështje ditësh kur do të lëshohet leja përfundimtare para nisjes së punimeve”, tha Çeku.

    Por, diskutimi në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave publike, u përcoll me përplasje ndërmjet ministrit Çeku dhe deputetes së AAK-së.

    “Ministër, a mund ta dimë qe sa jeni në mandat ju, sepse jeni në përfundim të mandatit tuaj, cilin stadium e keni nisur dhe e keni përfunduar? A mund ta di?”, tha deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

    “Unë për diçka jam rehat, pyetjes suaj më së miri mund t’i përgjigjem me këtë: Ministri i ardhshëm i sportit nuk do t’i ketë telashet që i kam pasur unë. Për fat të keq ai nuk do të jetë ministër në mandatin e ardhshëm”, tha ministri Çeku.

    “Nuk ka lidhje deputete a jam a nuk jam. Edhe nëse jeni ju ministre e ardhshme e sportit, unë jam rahat me ju në këtë rast si ministre e ardhshme e sportit nëse do të jeni që telashet që unë i kam trashëguar ju nuk do t’i keni”, shtoi Çeku.

    Megjithatë, Çeku tha se tashmë buxheti është i siguruar për të gjitha stadiumet, dhe se ato do të përfundohen deri në vitin 2025.

  • Projektligji për lirinë fetare mbetet pezull qe 11 muaj, shkak lista serbe

    Projektligji për lirinë fetare mbetet pezull qe 11 muaj, shkak lista serbe

    Përgatiti: Haris Ademi

    Bojkoti i deputetëve të Listës Serbe në seancat plenare, ka bërë që për 11 muaj të mos hidhet fare në votim Projektligji për Lirinë Fetare.

    Kjo nismë ligjore nuk mund të miratohet pa votën e dy të tretave të minoriteteve. Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, thotë se deputetët serbë janë pengesa kryesore në këtë proces, të cilët gjatë 2023-ës kanë qenë në sallë vetëm dy herë, sa për ta vazhduar mandatin.

    “Nuk e di me çfarë qëllimi, unë kam biseduar me ata, veç më kanë thënë që nuk është koha për votim. Sepse brenda komisionit kemi një përfaqësues të Listës Serbe, por asnjëherë nuk ka ardhur në takim dhe është pa sukses. Prandaj sivjet as nuk është në plan fare për miratim”, tha Balje.

    Mirëpo, kjo nuk po shihet thjesht si problem procedural i legjislativit. Pika e nxehtë e projektligjit është statusi i Kishës Ortodokse Serbe, e cila në draft njihet baras me gjashtë bashkësitë e tjera fetare.

    “Kisha nuk përfaqëson vetëm një lloj institucioni religjioz në shoqërinë serbe, por roli i saj politik është i njohur, prandaj rregullimi i statusit të saj lidhet drejtpërdrejt me problemet politike, që nuk duhet të trajtohet si projektligj i zakonshëm”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në KDI.

    Statusi i Kishës Ortodokse është përfshirë edhe në Nenin 7 të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, bashkë me sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë.

    Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se një gjë të tillë tashmë e kishin sponsorizuar në projektligjin për lirinë fetare, duke garantuar se nuk bëhet fjalë për ekstraterritorialitet apo kompetenca speciale për kishat ortodokse.

    “Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse do të bëhet, përkatësisht tashmë është bërë, përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare në ligjin përkatës. Mund t’ju garantoj se asgjë e veçantë, privilegjuese, ose historikisht kontestuese, nuk do të lejoja të përfshihej në këtë marrëveshje”, tha Kurti.

    Deputetja Balje thotë se kjo nismë është shumë me rëndësi për procesin e integrimeve evropiane, andaj duhet të gjendet zgjidhje.

    Risi në projektligjin për lirinë fetare është njohja e Komunitetit Bektashian, si bashkësi e veçantë, dhe auditimi vjetor i pasqyrave financiare të të gjitha përfaqësive fetare.

  • Kurti ishte për vizitë ngushëlluese në familjen e profesorit Kadri Metaj

    Kurti ishte për vizitë ngushëlluese në familjen e profesorit Kadri Metaj

    Kryeministri Albin Kurti, ishte sot për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti shprehu konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit universitar Kadri Metaj në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave.

    Shënimi i kryeministrit Kurti, në librin e kujtimeve:

    “Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë.

    Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet.

    Me mall dhe nderim”.

    Kurti kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë. Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

    Prof. Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë.

    Po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës.

    Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003 derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës.

  • Gjykata e Apelit: Trump nuk ka imunitet presidencial

    Gjykata e Apelit: Trump nuk ka imunitet presidencial

    Një gjykatë federale amerikane vendosi se Donald Trump mund të përballet me gjykim nën akuzat se kishte komplotuar që të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke hedhur poshtë pretendimet e ish-presidentit se ai është imun nga ndjekja penale.

    Ky vendim është i dyti në muajt e fundit që gjykatësit kanë hedhur poshtë argumentet e Trumpit për imunitet dhe gjykata se ai mund të ndiqet penalisht për veprimet e ndërmarra në kohën kur ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe më prag të 6 janarit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

    Ky vendim po ashtu hap rrugën për apele të tjera nga ish-presidenti republikan dhe kjo çështje mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara. Gjykimi ndaj Trumpit, për akuzat që lidhen me përmbysjen e rezultatit zgjedhor, fillimisht ishte paraparë të mbahej në mars, por javën e kaluar u shty dhe gjykatësi i rastit ende nuk ka vendosur një datë të re.

    “Për qëllimin e kësaj çështjeje penale, ish-presidenti Trump është shndërruar në qytetarin Trump me të gjitha mbrojtjet që gëzon çdo i pandehur tjetër”, tha paneli prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit në Qarkun e Kolombias.

    “Por, çdo imunitet ekzekutiv që mund ta ketë mbrojtur atë në kohën sa ka qenë president, më nuk e mbron atë nga ndjekja”.

    Ky vendim, që pritet të apelohet nga Trumpi, hedh poshtë përpjekjet e tij për të shmangur një gjykim nën akuzuat se ai ka minuar demokracinë amerikane dhe transferimin e pushtetit, në kohën kur ai po konsolidon pozicionin e tij si kandidati kyç për të marrë nominimin për president nga republikanët.

    Trump edhe fushatës zgjedhore dhe në mediat sociale vazhdimisht ka pretenduar se ka imunitet. Ai përmes një postimi më 18 janar tha se “të gjithë presidentët duhet të kenë imunitet të plotë presidencial apo autoritet. Vendosmëria e një presidenti të SHBA-së nuk duhet të hiqet kurrë”.

    Çështja e imunitetit ishte trajtuar nga një gjykatë e qarkut në dhjetor, duke hedhur poshtë pretendimet e Trumpit. Vendimin e gjykatëses Tanya Chutkan, Trump e kishte apeluar.

    Më 6 janar, mbështetësit e Trumpit sulmuan Kongresin amerikan në kohën kur po certifikohej fitorja në zgjedhje e Joe Bidenit. Të paktën nëntë presona vdiqën në Kongres gjatë ose pas trazirave të 6 janarit.

    Trump vazhdimisht ka përsëritur pretendimet e tij të rreme se ai kishte fituar zgjedhjet më 2020 dhe i ka cilësuar si patriotë personat që sulmuan Kongresin.

  • ​KPM-ja me rregulla të reja: Synohet monitorimi i mediave televizive dhe rritja e transparencës

    ​KPM-ja me rregulla të reja: Synohet monitorimi i mediave televizive dhe rritja e transparencës

    Objektivat kryesore ndërmarrëse të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2024 përfshijnë monitorimin e transmetimeve televizive, mbrojtjen e qytetarit nga përmbajtjet e ndjeshme mediale, tregun e shëndoshë medial si dhe rritjen e transparencës së mediave të cilat janë të licencuara.

    Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti tha se të gjitha këto objektiva specifike do të realizohen në bazë të rregulloreve të reja, të cilat do të hyjnë në fuqi gjatë këtij viti.

    Mehmeti theksoi se për të zbatuar këto objektiva, KPM-ja ka kapacitet të mjaftueshëm. Ai tha se nëse në fund të vitit realizohet ky plan, situata televizive do të jetë më e mirë, si për qytetarët ashtu edhe për rritjen e transparencës së mediave.

    “Kemi paraparë pesë objektiva strategjike, e para ka të bëjë me mbrojtjen e përdoruesit të mediave, mbrojtja e qytetarit, qoftë nga përmbajtjet e dëmshme të mediave me fokus mbrojtja e fëmijëve, respektimi i të drejtave të tyre, adresimi i shpejtë i ankesave të tyre dhe respektimi kodit te etikës. Kjo do të nënkuptonte shqyrtimin e disa rregulloreve që ne i kemi aktualisht apo edhe rregulloreve të reja që do të nxjerrim gjatë këtij viti. 44:14 Objektivi i dytë ka të bëjë me promovimin e një tregu të shëndoshë medial dhe kjo ka të bëjë me mbrojtjen e të licencuarve tonë nga pirateria e mbrojtjes mediale, luftimi i operatorëve ilegalë.44:37 Objektivi tre ka të bëjë më rritjen e transparencës së mediave të cilat ne i licencojmë dhe si hap të domosdoshëm e kemi parë edhe hulumtimin e tregut medial, informata të cilat janë të nevojshme për neve dhe publikun. 45:05 Objektiv të katërt kemi parë edhe shfrytëzimin efecientë të frekuencave që u përmend edhe më herët dhe ko nënkupton një koordinim më të mirë edhe me vendet fqinjëve dhe rishikimin e planit të frekuencave.46:36 Ky është një plan me objektiva specifike, e kemi diskutuar dhe analizuar dhe besoj që kemi kapacitet të mjaftueshëm, dhe në fund kur të zbatohet ky plan do të kemi një situatë më të mirë edhe në mbrojtjen e qytetarit dhe në mbrojtjen vet subjekteve të licencuara dhe rritjen e transparencës së mediave me të cilat ne i rregullojmë”, tha Mehmeti.

    Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj tha se monitorimi i mediave do të vazhdojë dhe se fokusi më i madh do të qëndrojë tek mediat televizive.

    Rexhaj tha se gjatë këtij viti KPM-ja do të pajiset edhe me disa pajisje teknike të cilat do të mundësojnë monitorim të dyfishtë.

    “Ne do të vazhdojmë më monitorim në çdo pjesë ku kemi operime ilegale dhe si të tillë në momentin që gjejmë shkelje KPM-ja do të ndërmarrë masa të nevojshme për ndaljen e kësaj forme të transmetimit. 23:06 Fokusi tek televizionet me program gjeneralistik, ndërsa nuk është që kemi pasur fokus tek monitorimi radiove, ndoshta në të ardhmen me rritjen e punëtorëve është diçka që duhet të krijohet edhe një grup që do të bëjë edhe monitorimin e radiove, por jemi të fokusuar tek televizionet. Sa i përket kapaciteteve, qeveria e Kosovës ka aprovuar disa projekte që kanë të bëjnë me digjitalizimin e këtyre pajisjeve, po ashtu edhe me zgjerimin e këtyre pajisjeve që mendoj se nëse shkon gjithçka mirë deri në fundvit do të kemi dyfishim të kapacitetit të pajisjeve të monitorimit në përgjithësi po ashtu edhe pajisjeve teknike për matjen e frekuencave digjitale”, tha Rexhaj. /kp