ATV

Author: ATVLive

  • Tabelat e “mençura” lehtësojnë mësimin në shkolla

    Tabelat e “mençura” lehtësojnë mësimin në shkolla

    Përgatiti: Sara Shehu

    Anila Alija, nxënëse e klasës së katërt në shkollën fillore “Tefik Çanga”, punimet e saj po i prezanton në këtë tabelë digjitale.

    Por në fillim, përdorimi i tabelave digjitale nuk ka qenë i lehtë për nxënësit.

    “Ka qenë e vështirë shumë me përdorë në fillim, është dashur të na mësojë mësuesja me përdorë, por tani shumë më lehtë i kuptojmë procesin mësimor, lëndën të gjitha janë më atraktive”, tha nxënësja Anila Alija.

    Drejtori i shkollës, Ali Luzha, tha se as mësimdhënësit nuk kanë probleme sa i përket përdorimit të tabelave digjitale.

    “Nuk kanë vështirësi as mësimdhënësit e asnjërës moshë pasi që kanë mësuar nga profesionistët e teknologjisë nëse kanë pasur ngecje. Kemi pranuar donacione nga Gizzi gjerman e USAID nuk i kemi blerë ne, janë shumë të përshtatshme sidomos edhe për orën e informatikës, pa lënë anash lëndët e tjera”, tha Luzha.

    Por, Luzha thotë se 11 tabelat digjitale nuk janë të mjaftueshme për gjithë shkollën.

    “Kemi tabela digjitale por na vyn edhe 16 tabela digjitale që me u kompletu e gjithë shkolla por prapëseprapë nuk qëndrojmë keq”, tha Luzha.

    Ndryshe nga Lipjani, në Prishtinë më shumë shkolla janë të pajisura me tabela teknologjike, përfshirë edhe pajisje të tjera digjitale, të cilat nxënësit i shfrytëzojnë në klasat mësimore. Por zyrtarë të Komunës nuk kanë treguar nëse kanë në plan pajisjen e të gjitha shkollave me tabela të tilla.

    Ndërkohë, më së miri në këtë aspekt qëndron Komuna e Prizrenit, pasi në fund të vitit 2022 ka ndarë 40 tabela të mençura në 58 shkolla. Një tabelë e tillë kushton 1640 euro.

  • ZRRE-ja bën përshtatje, refuzon kërkesën e KESCO-s për ngritje tarifash

    ZRRE-ja bën përshtatje, refuzon kërkesën e KESCO-s për ngritje tarifash

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në hapin e parë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka hedhur poshtë propozimin e KESCO-s për ngritje të sërishme tarifave.

    Në raportin konsultativ si përgjigje ndaj aplikimit të KESCO-s për të hyrat e lejuara maksimale, Rregullatori refuzoi kërkesën rritjen e hyrave – e cila do të përbënte barrë të re për konsumatorët.

    Por kjo nuk është finale, pasi procesi vijon me hapjen e komenteve nga palët deri më 21 Shkurt.

    “Të hyrat e Lejuara Maksimale caktohen në nivelin që mundëson të licencuarit e rregulluar t’i mbulojnë kostot e arsyeshme operative dhe të mirëmbajtjes së aseteve të tyre dhe të realizojnë kthim të arsyeshëm në investimet e tyre”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

    Referuar praktikave nga e kaluara, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, nuk pret që raporti përfundimtar të ndryshojë.

    “Të hyrat maksimale në bazë të kërkesës së KESCO-s janë rreth 410 milionë euro, ndërsa ato të propozuara nga ZRRE-ja janë diku 401 milionë euro. Nëse i krahasojmë me të hyrat e lejuara maksimale të vitit të kaluar, kemi një diferencë diku 3 milionë euro, që i bie që praktikisht nuk do të ketë rritje ose një rritje shumë e vogël”, tha Bujupi.

    Referuar faktorit korrigjues nga viti paraprak në vlerë 25 milionë euro, Bujupi sqaroi se ZRRE-ja mund të përshtatë të hyrat e akterëve të sektorit për të mos lejuar ngritje tarifash.

    “Faktori korrigjues është bërë te furnizuesi i shërbimit universal për faktin se kemi rritje të vlerës së importit, pra në bazë të bilancit të energjisë janë lejuar 70 gigavatë orë, ndërsa të realizuara janë diku 212 gigavatë orë. Praktikisht, kjo kosto duhet të mbulohet nga tarifat, mirëpo përshtatja e kostove mund të bëhet nga rregullatori”, tha Bujupi.

    Në raportin konsultativ, ZRRE-ja refuzoi edhe kërkesën e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë për KESCO-n, nga 29.5 në 31.5 euro.

    Dy herë radhazi, më 2022 dhe 2023, Kosova pati ngritje të tarifave të energjisë elektrike.

  • Kurti: Është e nevojshme një periudhë tranzicioni për rregulloren e BQK-së

    Kurti: Është e nevojshme një periudhë tranzicioni për rregulloren e BQK-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se komunikimi rreth vendimit për rregulloren e Bankës Qendrore për pagesat vetëm me valutën euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mundur të ishte më i qartë “për të shmangur konfuzion”.

    Pavarësisht se rregullorja e BQK-së për pagesa me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave nga faktori ndërkombëtar dhe serbëve lokalë, Kurti tha se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.

    Kryeministri kosovar tha se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.

    “Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për miratimin e rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake.

    SHBA-ja po ashtu ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hoveriner ka deklaruar se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.

    Kurti sërish përsëriti qëndrimin e tij se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.

    Një ditë më herët, Kurti u takua me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Në takim, sipas një njoftimi, ai u shpreh i gatshëm të adresojë “në mënyrë të shpejtë” shqetësimet lidhur me vendimin e BQK-së për pagesat.

    Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kritikuar vendimin e BQK-së, dhe kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, më 3 shkurt tha se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

    Sipas Ellekut, afër 100.000 serbë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.

  • Hovenier thekson mundësinë e pasojave në cilësinë e partneritetit me Kosovën

    Hovenier thekson mundësinë e pasojave në cilësinë e partneritetit me Kosovën

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar pasoja në cilësinë e partneritetit me Kosovën, në rast se kryeministri Albin Kurti, nuk dëgjon kërkesat e SHBA-së për çështje të ndryshme.

    “Në masën që qeveria është e përgjegjshme për gjërat që ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të cilat besojmë se e avancojnë trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, rrit partneritetin tonë. Në masën që qeveria nuk përgjigjet kjo ndikon në cilësinë e partneritetit tonë”, ka deklaruar Hovenier në RTV 21.

    Ambasadori amerikan ka thënë se nuk po shohin se Qeveria po u përgjigjet shumë kërkesave të tyre.

    “Nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjegjshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë”

    Hovenier ka thënë se procesi i zgjedhjeve në komunat veriore po shkon shumë ngadalë.

    Ai thotë se nuk do të kenë durim të presin shumë gjatë.

    “Unë e di se jemi në përfundim të një hapi të rëndësishëm që është se peticionet janë nënshkruar, kanë indikacione janë se më shumë se 20 për qind e votuesve të regjistruar me të drejtë vote që i kanë nënshkruar këto peticione, por vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund ta konfirmojë këtë. Por sapo të ndodhë kjo, është mjaft e rëndësishme që autoritetet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që hapi tjetër të ndodhë pa vonesa. Dhe ne nuk do të jemi shumë të durueshëm. Hapi tjetër duhet të ndodhë brenda afatit të parashikuar, që mendoj se është 45 ditë”, ka deklaruar Hovenier.

  • “Dikush ka me shku në burg”, Rama flet për rënien kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës

    “Dikush ka me shku në burg”, Rama flet për rënien kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për tragjedinë e rënies së çatisë së Komunës së Re, si pasojë e së cilës u lënduar një 23 vjeç.

    Ai tha se ka kërkuar që hetimi për këtë çështje të shkojë deri në fund dhe të gjenden personat përgjegjës.

    “Është një tragjedi që ka ndodhur aty ku edhe një vajzë 23 vjeçare ka pësuar dhe për fat ë mirë ka shpëtuar dhe tash është çdo ditë e më mirë. Është një moment shumë i keq për kryeqytetin, për komunën kur kulmi i vetë ndërtesës të re të komunës fluturon. Për këtë tragjedi tash e kemi policinë, është duke u marrë me hetimet edhe gjithsesi dikush ka me shku jo në shtëpi, por ndoshta edhe në burg”, tha Rama. /atvlive.tv

  • Përparim Rama flet për herë të parë për aferën e “Badovcit”

    Përparim Rama flet për herë të parë për aferën e “Badovcit”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, ka sqaruar për herë të parë ‘aferën’ Badovci.

    Ai tha se toka afër liqenit Badovci ka pasë kushte ndërtimi, por për shkak të presionit publik për mbrojtje të ujit, është ndalë ndërtimi dhe iu është ofruar ndërrimi i tokës, me një vend ku mund të bëhet ndërtimi.

    “Faktet thonë po ashtu që një tonë e cila në qeverisjen e kaluar është vlerësuar prej ministrisë faktikisht, 13 hektarë afër liqenit janë vlerësuar 8 milionë, edhe ministria i ka kërkuar komunës prapë në qeverisjen e kaluar për me e shty procesin sepse e ka ndalë. Kjo pronë ka pasur leje ndërtimi dhe ka pasë faktikisht kushte ndërtimi edhe për shkak të presionit publik, ka thënë ndaloni mos ndërtoni aty edhe e ka vlerësua tonë, ka thënë ta ndërrojmë t’ia japim diku tjetër sepse e kanë pronocu si pronë me interes publik për mos me e lënë me u ndërtu rreth liqenit, për me e mbrojë ujin. Kjo ka qenë arsyeja pse e kanë ndalë, edhe i kanë thënë po e ndrrojmë po ta japim diku tjetër. Vendin ku ia ka dhënë tash të ri, prapë ministria, komuna ka propozu me ia dhënë diku 6.6 hektarë për me e ndërru 13 hektarshin, ministria atë e ka vlerësuar si 3 milionë. Ministria e ka vlerësu tokën e komunës si 3 milionë 6.6 hektarë, ministria e ka vlerësua tokën private 13 hektarshe 8 milionë, aty s’ka pasë punë Përparim Rama, apo Kuvendi Komunal”, tregoi Rama.

    Ai tha se kanë mbetur edhe 5 milionë që të shpronësohen dhe është kërkuar që procesi të vazhdojë përpara. /atvlive.tv

  • Rama: Zona te Stacioni i Autobusëve do të shndërrohet në zonë të ndërtimit të lartë

    Rama: Zona te Stacioni i Autobusëve do të shndërrohet në zonë të ndërtimit të lartë

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, ka paralajmëruar kompensimin e investitorëve të unazës së jashtme të Prishtinës, me pronë komunale te Stacioni i Autobusëve për ndërtim të lartë.

    Projekti “Join-Venture” (bashkë investim) parasheh që investitorët që do të marrin pjesë në ndërtimin e unazës së jashtme të Prishtinës, do të kompensohen me prona komunale në rrethinën e Stacionit të Autobusëve, zonë kjo e cila do të shndërrohet në zonë të ndërtimit të lartë.

    “Jemi në proces. E kemi bërë konferncën për investitorë. Kemi pasur një numër të madh të të interesuarve për investime. Tani do ta bëjmë thirrjen publike për ofertat më të mira dhe në bazë të atij procesi do të ecim përpara”, deklaroi Rama./atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Problemi me qen endacakë nuk është vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës

    Rama: Problemi me qen endacakë nuk është vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për zgjidhjen e problemit me qen endacakë e ka kërkuar ndihmën e Qeverisë, pasi se siç thotë ai, ky problem nuk është vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës.

    Ai thotë se vetëm Prishtina është duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi.

    “Problemi i qenve endacak është i gjithë Kosovës. Ne kemi kërku ndihmën e Qeverisë. Megjithatë, ne nuk po presim prej askujt, e kemi strehimoren që ka përfundu dhe kemi nda nga 50 euro për secilin person që adopton një qen. Po ashtu kemi kërkuar nga OJQ-të që të bëhen pjesë e ndryshimit, sepse kemi vendin e ndarë për strehimore. Kemi kërkuar të zbatohet Ligji, të ndahet buxhet sepse ka 0 buxhet. Pra nevojitet një bashkëpunim i nivelit qendror dhe komunave, vetëm Prishtina punon për këtë çështje”, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Përparim Rama konfirmon rikandidimin për Kryetar të Prishtinës

    Përparim Rama konfirmon rikandidimin për Kryetar të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në emisionin CONTEXT në ATV, e konfirmoi se do të kandidojë sërish për Kryetar të Prishtinës.

    “Unë kam thënë gjithmonë që më duhen 8 vjet për transfromim të qytetit. Këtë e kemi fillu në fazën e parë dhe e përfundojmë në fazën e dytë“, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Nënkryetaren e shkarkova sepse ajo refuzoi ta shtyjë përpara procesin e dixhitalizimit

    Rama: Nënkryetaren e shkarkova sepse ajo refuzoi ta shtyjë përpara procesin e dixhitalizimit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shkarkimi i nënkryetares së Komunës ë Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka ndodhur për shkak se ajo nuk e ka shtyrë procesin e dixhitalizimit të kryeqytetit.

    Kryetari Rama tha se, nënkryetarja, jo vetëm që nuk e ka shtyrë procesin përpara, por një gjë të tillë edhe ka refuzuar ta bëjë.

    “Unë kërkoj në mungesë të drejtores së Arsimit, e cila ka skuar në pushim të lindjes, e ka marrë pozitën si ushtruese e detyrës nënkryetarja edhe unë bëj kërkesë që ta shtyejë këtë proces përpara, nënkryetarja refuzon me e shty procesin përpara, edhe e tregon këtë publikisht që këtë proces e ka ndërprerë”, tha Rama.

    Ai tha se tani sa janë bërë dy vjet të qeverisjes, kryeqyteti ka ngecje të madhe të dixhitalizimit.

    “Me nënkryetaren duke e njohur që është ardhë si profesioniste në aspektin e dixhitalizimit, këtë e ka pasur edhe si detyrë kryesore për transformimin e kryeqytetit. Pra të gjitha proceset e dixhitalizimit, i ka pasur si pjesë e proceseve transformuese për kryeqytet edhe pika e parë ka qenë, këto janë mundësitë për transformim, për dixhitalizim, janë mundësitë e shumta, të lutëm shtyje përpara. Tash, prapë po them, po bazohem në rezultate. Jemi dy vjet në qeverisje edhe kemi ngecje të madhe të dixhitalizimit edhe përveç kësaj, kur them se në shtatorin evitit të kaluar që e patëm problemin edhe me nivelin qendror në aspektin e librave, unë kam pasur takim me drejtoren e Arsimit edhe me nënkryetaren, i kam thënë “tash duhet me e shty përpara procesin e dixhitalizimit. E kemi mundësinë për me i pasë tremat e referencës, me e ba kërkesën për operatorë ekonomikë që të na mundësojnë ofertën për kurrikulum dixhital”, tha Rama. /atvlive.tv