ATV

Author: ATVLive

  • Prishet koalicioni mes PDK-së e LDK-së në Prishtinë

    Prishet koalicioni mes PDK-së e LDK-së në Prishtinë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Vendimi për këmbimin e pronave në Badoc, u shfuqizua këtë të enjte nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Pikërisht këtë vendim e priti Partia Demokratike e Kosovës, për të prishur dhe koalicionin me Lidhjen Demokratike, pas dy vjetëve.

    Kryetari i PDK-së, në Prishtinë, Uran Ismajli, përmes një shkrese tha se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik.

    “Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK-ja mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionarët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre. Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka njoftuar Ismajli.

    Megjithatë, pak para votimit për këtë vendim kryetari i komunës së Prishtinës, paralajmëroi këshilltarët komunalë se barrën e pasojave do ta bartin vetë.

    “Ju e dini saktë çka thotë manuali për këmbim të pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç më obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatojë vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Madje, kryetari bashkë me drejtoreshën e pronave, fajin për këtë këmbim ia hodhën qeverisjes së kaluar.

    Para votimit, seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit komunal të Prishtinës e braktisën asamblistët e LDK-së.

    Vendimi u miratua me 27 vota për.

  • Marrëveshja e Stilit SEPA mes Kosovës e Serbisë mund ta shmangë importin e dinarit

    Marrëveshja e Stilit SEPA mes Kosovës e Serbisë mund ta shmangë importin e dinarit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Filiali i Thesarit të Serbisë në Leposaviq, punoi edhe të enjten. Mirëpo, në kasafortën e këtij institucioni paralel nuk janë 117 milionë dinarët, që u kthyen në kufirin në Jarinjë, një ditë më parë.

    Me hyrjen në fuqi të rregullores së BQK-së, që e delegjitimon monedhën serbe, as nuk do të lejohet importi i keshit nga Banka Popullore e Beogradit.

    Për më tepër, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se institucionet në Prishtinë duhet të urdhërojnë mbylljen e këtij filiali në komunën më veriore të Kosovës, i cili mund të ketë shërbyer edhe për veprimtari të errëta.

    Si zgjidhje e mundshme në këtë situatë, të mërkurën, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e përmendi Zonën e Pagesave Vetëm me Euro, e njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.

    Ekonomisti Erton Bega thotë se Bankat Qendrore të Kosovës e Serbisë do të përfitonin nga principet e këtij sistemi të pagesave.

    Në këtë skenar, sipas Begajt, nuk do të kishte më nevojë për import të dinarëve, siç ka ndodhur deri tash.

    Banka Qendrore dhe Qeveria nuk janë përgjigjur nëse kanë në plan të veprojnë në Thesarin serb brenda Republikës, siç nuk është bërë e ditur nëse ka ndodhur ende komunikimi me Bankën Nacionale Serbe, lidhur me rregulloren që është në ditën e shtatë fuqiplotë.

  • Xhaka e Shaqiri do të përballen me Serbinë në Ligën e Kombeve

    Xhaka e Shaqiri do të përballen me Serbinë në Ligën e Kombeve

    Është hedhur shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, e ndër kombëtaret që ka mësuar fatin e saj është edhe ajo e Zvicrës.

    Në shortin që u hodh në Francë, Zvicra është pozicionuar në Grupin 4 të Ligës A, raporton KosovaPress.

    E së bashku me Zvicrën, në këtë grup gjenden edhe Spanja, Danimarka e Serbia.

    Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri do të përballen sërish me Zvicrën.

    Grupi A4

    Spanja

    Danimarka

    Zvicra

    Serbia

  • Kosovës i buzëqesh fati në shortin e Ligës së Kombeve, këto kombëtare do t’i ketë përballë

    Kosovës i buzëqesh fati në shortin e Ligës së Kombeve, këto kombëtare do t’i ketë përballë

    Ceremonia e hedhjes së shortit të Ligës së Kampionëve është duke u zhvilluar aktualisht në Francë, dhe Kombëtarja e Kosovës tanimë ka mësuar grupin dhe kundërshtarët e saj.

    Shorti e ka pozicionuar Kosovën në Grupin 2 të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, raporton kp.

    Përveç grupit, “Dardanët” kanë mësuar edhe kundërshtarët e tyre.

    Së bashku me Kosovën, në Grupin 2 të Ligës C janë pozicionuar edhe Rumania, Qipro dhe fituesi i ndeshjes mes Lituanisë dhe Gjibraltarit.

  • ​Kartoni i kaltër po i bashkohet futbollit

    ​Kartoni i kaltër po i bashkohet futbollit

    Momentalisht, kartoni i verdhë dhe ai i kuq janë ndëshkimet e vetme në futboll gjatë lojës, por kjo pritet të ndryshojë sipas “The Telegraph”.

    Kartoni i kaltër do të përfshihet në futboll, dhe funksioni pas ndëshkimit me të është interesant.

    Cilido lojtar që ndëshkohet me karton të kaltër, lojtari do të largohet nga fusha për 10 minuta.

    Lojtarët do të ndëshkohen me karton të kaltër për ndërhyrje cinike apo mospajtim.

  • Xhaferi: Maqedonasit s’janë gati për një president shqiptar

    Xhaferi: Maqedonasit s’janë gati për një president shqiptar

    Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, deklaroi se perceptimi i shtetasve maqedonas ndaj shqiptarëve atje ka ndryshuar ndjeshëm.

    Por ai nënvizoi se vendi fqinj nuk është ende gati për një president shqiptar siç kërkohet nga opozita shqiptare.

    Xhaferi shprehu keqardhje për sjelljen e partive opozitare shqiptare në seancën parlamentare ku u votua për kryeministrin e parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut./rtsh/

  • ​Khelaifi: Sapo të vendosim të ardhmen e Mbappes, do t’iu njoftojmë

    ​Khelaifi: Sapo të vendosim të ardhmen e Mbappes, do t’iu njoftojmë

    Presidenti i Paris Saint Germain, Nasser Al Khelaïfi, i rizgjedhur këtë të enjte në krye të ECA-s në Kongresin e UEFA-s në Paris, është pyetur për të ardhmen e Kylian Mbappé, për të cilin ai nuk ka ofruar asnjë detaj të ri dhe është kufizuar duke deklaruar se “do të shpallin një vendim” sapo të jetë përfundimtar.

    “Kur të kemi vendosur të dy, do t’ju bëjmë me dije,” u shpreh Al Khelaïfi për të ardhmen e Kylian Mbappé.

    Sheiku nga Katari, siç mësohet “AS”, ka rënë dakord me lojtarin, disa javë më parë, që të jetë i pari që do të mësojë vendimin e kapitenit të skuadrës franceze, e ardhmja e të cilit mbetet e pa qartë, derisa interesimi i Real Madridit është gjithmonë aty, përcjellë KosovaPress.

    Deri këtë të enjte, ditën kur u mbajt Kongresi i UEFA-s dhe Al Khelaïfi ishte i pranishëm, PSG ende nuk e di se ku do të luajë Kylian Mbappé sezonin e ardhshëm.

  • Arrihet marrëveshje për ndërprejen e grevës së punëtorëve teknik të shkollave në Prishtinë

    Arrihet marrëveshje për ndërprejen e grevës së punëtorëve teknik të shkollave në Prishtinë

    Nënkryetarja e Kryeqytetit dhe U.D së drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku sot gjatë ditës u takua me kryetarin e Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, me të cilin diskutuan për grevën e punëtorëve tenik të mirëmbajtjes të objekteve shkollore në kryeqytet.

    Nënkryetarja Lushaku dëgjoi me kujdes kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknik të prezantuara nga Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, për të cilat tha se do të trajtohen menjëherë.

    Palët gjatë takimit arritën marrëveshje.

    Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit. Nënkryetarja e Kryeqytetit dhe Kryetari i Sindikatës shprehin falënderimin e tyre për të gjithë punëtorët për durimin dhe angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe të sfidave.

    “Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknik në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, z. Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërpreje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”, deklaroi nënkryetarja Lushaku.

    Kjo rritje e pagave është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre dhe një shprehje e vlerësimit të punës së tyre të palodhur dhe të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore.

    Kjo marrëveshje tregon përmirësimin e dialogut social dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve.

    Po ashtu me Azemin, nënkryetarja u dakordua që gjatë javës të takojë punëtorët teknik të shkollave në kryeqytet.

  • Pas shfuqizimit të vendimit për pronat në Badoc, PDK shkëput koalicionin me Përparim Ramën në Prishtinë

    Pas shfuqizimit të vendimit për pronat në Badoc, PDK shkëput koalicionin me Përparim Ramën në Prishtinë

    Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë Uran Ismaili njoftoi që pas shfuqizuan vendimin për këmbimin e pronave në Badoc, ka bërë shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë.

    Para pak minutash përfundoi edhe mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc.

    Pas këtij votimi, Ismaili theksoi që i ka dërguar shkresë zyrtare Përparim Ramës për shkëputjen e koalicionit në mes të PDK dhe LDK në Prishtinë. Ai tregoji që të gjithë drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.

    “Për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë.” tha Uran Ismaili.

  • IKShPK me njoftim: Gripi në Kosovë nën pragun epidemik

    IKShPK me njoftim: Gripi në Kosovë nën pragun epidemik

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gripi në Kosovë është nën pragu epidemik.

    Krahasuar me javët e para të janarit, në muajin shkurt gripi ka filluar të ketë rënie dhe se nuk ka përhapje epidemike, shkruan Sinjali.

    Por, IKShPK thotë se janë duke u regjistruar ende raste të infeksioneve të tjera sezonale sikur Sëmundje të ngjashme me Grip (ILI), raste të Infeksioneve respiratore akute (ARI) dhe raste me Infeksion të rëndë respirator akut (SARI).

    Postimi i plotë i IKShPK-së:

    Gripi në Kosovë nën pragun epidemik

    📉Institituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit sezonal), sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e 05-të të vitit 2024, që paraqet periudhën 29 janar-04 shkurt 2023, ka shënuar rënie prej 16.02% krahasuar me javën paraprake dhe është nën pragun epidemik.

    ℹ️ Megjithatë, janë duke u regjistruar ende raste të infeksioneve të tjera sezonale sikur Sëmundje të ngjashme me Grip (ILI), raste të Infeksioneve respiratore akute (ARI) dhe raste me Infeksion të rëndë respirator akut (SARI).

    📣Prandaj, IKSHPK bën thirrje që, qytetarët, në veçanti grupet e rrezikut, siç janë të moshuarit, personat me sëmundje shoqëruese kronike, profesionistët shëndetësor, shtatzënat, etj., të vaksinohen dhe të zbatojnë masat e tjera të kujdesit.