ATV

Author: ATVLive

  • Kate Winslet: Jeta ime ishte e tmerrshme pas filmit “Titanic”

    Kate Winslet: Jeta ime ishte e tmerrshme pas filmit “Titanic”

    Kate Winslet ka folur së fundmi për revistën “Porter” dhe është shprehur se fama që mori pas suksesit të menjëhershëm të filmit të “Titanic” e bëri atë të ndihej “e tmerrshme”.

    “Ndihesha sikur duhej të dukesha në një mënyrë të caktuar ose të isha një gjë e caktuar, dhe për shkak se ndërhyrja mediatike ishte kaq e rëndësishme në atë kohë, saqë jeta ime ishte mjaft e pakëndshme”, tha Winslet., teksa më tej vijoi, “Gazetarët gjithmonë thoshin: “Pas ‘Titanic’, ju mund të kishit bërë gjithçka dhe megjithatë keni zgjedhur të bëni këto gjëra të vogla. Dhe unë thashë, ‘po sepse të jesh i famshëm është e tmerrshme’”.

    “Unë isha mirënjohëse, sigurisht”, shtoi Kate. “Isha në fillim të të 20-ave dhe munda të merrja një shtëpi, por nuk doja të më ndiqnin duke ushqyer rosat”.

    Pavarësisht se e urrente famën që erdhi së bashku me luajtjen në filmin 11-herë fitues të Oscarit së bashku me mikun më të mirë, Leonardo DiCaprio, Winslet zbuloi se niveli i saj aktual i famës “nuk është më një barrë”.

    Kjo nuk është hera e parë që aktorja e “Divergent” shprehet për mospëlqimin e saj ndaj gjithë vëmendjes që mori pas suksesit të filmit. Në vitin 2021, ajo u shfaq në një episod të podcast-it “WTF With Marc Maron” ku zbuloi se shkoi “menjëherë në modalitetin e vetëmbrojtjes”, pasi pretendoi se u ndje e “ngacmuar” nga disa tabloidë në Mbretërinë e Bashkuar.

  • ​Osmani: Mbështetëm sportin me 25 milionë euro vitin e kaluar

    ​Osmani: Mbështetëm sportin me 25 milionë euro vitin e kaluar

    Zëvendësminitrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 sporti ka marrë mbështetjen më të madhe sportive ndër vite.

    Sipas Osmanit, sporti u mbështet me mbi 25 milionë euro, 10 milionë prej të cilave ishin si mbështetja direkte nga ana e MKRS-së dhe 15 të tjera nga Ligji i Sponsorizimit.

    Këto shifra ajo i bëri të ditura në Tryezën e Sportit, e pesta e radhë e cila po organizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Komitetit Olimpik tl Kosovës e cila ka për qëllim hartimi e infrastrukturës ligjore për hapat e mëtejshëm në zhvillimim e sportit, me theks të veçantë tek përgatitjet për Lojërat Meadhetare që zhvillohenë në Kosovë në vitin 2030.

    “Vitin 2023 e përmbyllëm e mbi 25 milionë euro mbështetje direkte për aktivitetet sportive në vend, 10 milionë mbështetje direkte nga Ministria e Sporti dhe 15 milionë të tjera nga Ligji i Sponzorizimit. Kjo është mbështetja më e madhe të cilën e ka marr sporti vendor ndër vite e të cilën këtë vit po synojmë ta rrisim edhe më shumë”, tha Osmani.

    Ajo shtoi se MKRS ka nënshkruar memorandume bashkëpunim me të gjitha fedeatat dhe përmes tyre synohen edhe investime më të mëdha në infrastrukturën sportive.

    Në këtë tryezë do të diskutohet për Ligjin e ri të Sportit, Ligjin Antidoping si dhe ndikimin e reformës sportive në komunitetin sportiv.

  • Samiti i Paqes në Tiranë/ Presidenti Zelensky për herë të parë në Shqipëri

    Samiti i Paqes në Tiranë/ Presidenti Zelensky për herë të parë në Shqipëri

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy dhe liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të marrin pjesë në Samitin e Paqes në Tiranë, të ndarë në dy ditë, më 28 dhe 29 shkurt.

    Më 28 shkurt në Tiranë merr pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të parë në Shqipëri.

    Një ditë më pas më 29 shkurt, kryeqyteti do të presë liderët e Ballkanit Perëndimorë, ku fokusi do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimi i Planit të Ritjes Ekonomike.

    Fokusi i këtij samiti do të jetë lufta prej dy vitesh që po zhvillohet nga forcat ruse, ndërsa Ukraina ndodhet në luftë që prej 24 shkurtit të vitit 2022.

    Kujtojmë se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që më parë paralajmëroi samitin në Tiranë dhe vizitën e Zelenskyt.

    Gjatë mandatit dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria luajti një rol aktiv në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si një prej vendeve që ka mbështetur Ukrainën.

    Shqipëria ishte krah Shteteve të bashkuara të Amerikës si bashkëpenëmbajtëse e çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

  • Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

    Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar zhvillimet e fundit, me hyrjen në fuqi të rregulloreS së BQK-së që përjashton përdorimin e dinarit në Kosovë.

    Emisari amerikan tha se palët e kanë plotësisht të qartë se nuk mund të ketë lëvizje të njëanshme dhe se lëvizje të tilla do të kenë pasoja.

    Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk prekin popullatën. Ai përsëriti se palët duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet

    “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

    Sipas tij, shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Esobar tha se SHBA-të e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e BE-së dhe investojnë të gjitha përpjekjet për ta vazhduar atë, si dhe dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e “çështjeve dypalëshe”.

    “Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspiratat tona më të mëdha janë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Dhe të zhvillojnë marrëdhënie bilaterale paqësore, produktive dhe efikase në ndërkohë”, tha Escobar.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ritheksuar dje se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

    Kurti tha se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

    “Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi sot Kryeministri Kurti.

    E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.

  • Shala: Mund të kemi përshkallëzim të situatës në veri, protestës i priu Lista serbe e mbështetur nga Beogradi

    Shala: Mund të kemi përshkallëzim të situatës në veri, protestës i priu Lista serbe e mbështetur nga Beogradi

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Ekonomia Online se protesta e djeshme në veri të vendit nuk ishte e organizuar nga pensionistët serb por nga krerët e Listës serbe të mbështetur nga Beogradi. Synim sipas Shalës e kanë kundërshtimin e çdo vendimi legale të institucioneve të Kosovës.

    Shala ka folur mbi kundërshtitë e serbëve mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, me ç’rast nuk e përjashton ndonjë përshkallëzim të situatës në veri.

    “Tanimë mbrapa protestës së organizuar de-facto nuk është shoqata e pensionistëve serbë të pjesës veriore, por mund të themi që mbrapa protestës së ditës së djeshme ishte Lista Serbe respektivisht Beogradi zyrtar të cilët me çdo kushte po tentojnë që të kundërshtojnë çdo vendim legal dhe legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala.

    Duke folur për mbledhjen në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, Shala e ka parë si “kërkesë” të ndërkombëtarëve që Brukseli është vendi i duhur për t’i diskutuar çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe çështjen e dinarit.

    “Sa i përket çështjes se a mund të kemi ndonjë përshkallëzim eventual në ditët dhe javët në vijim kjo varët gjithmonë nga konturat politike të cilat i ka paraparë dhe interesat që i ka Beogradi zyrtar në kontekstin e pengimit të mëtutjeshëm të Kosovës drejtë integrimit euroatlantike. Nëse i referohemi edhe çështjes së takimit në Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara ku patë një debat në kontekstin e bashkërendimit të veprimeve të pretenduara të Serbisë me partnerët dhe aleatët tanë, de-facto është kundërshtuar në forma të ndryshme si; Këshilli i Sigurisë së OKB-së nuk është vendi i duhur për të diskutuar dhe ne do të duhej të rikthehemi në pjesën e dialogut sa i përket çështjes së Brukselit dhe pikërisht në kudër të këtij dialogu të diskutohet edhe sa i përket vendimeve të ndërmarra për çështjen e dinarit por sa është me rëndësi të potencohet dhe të theksohet është çështja se organet e sigurisë kanë ndërmarrë veprimet e tyre preventive por njëkohësisht gjatë ditëve dhe javëve në vijim, mund të kemi ndonjë përshkallëzim eventual të situatës së sigurisë, por kjo do të mbetet për t’u parë dhe për të analizuar nga informatat që mund të merren përmes rrugëve operative nga institucionet tona të sigurisë”, deklaroi Shala.

  • Euro mbush 25 vjet

    Euro mbush 25 vjet

    Megjithë papërsosmëritë, euro është dëshmuar të jetë më e mirë se alternativa e mospasjes dhe e ka krijuar një zonë stabiliteti.

    Euro u konceptua në Madrid në dhjetor të vitit 1995, si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës së mekanizmit të kursit të këmbimit të Sistemit Monetar Evropian (EMS) që kishte filluar në shtator të vitit 1992 me krizën e sterlinës. Dhe pati një zhvillim të gjatë, deri katër vjet më vonë, kur, më 1 janar 1999, barazitë e monedhës u fiksuan në mënyrë të pakthyeshme dhe BQE mori kontrollin e politikës monetare.

    Lindja e euros zgjati 24 muaj – një periudhë kalimtare gjatë së cilës qarkullonin vetëm monedhat kombëtare.

    Që atëherë kanë ndodhur shumë zhvillime. Ndryshe nga parashikimet e tmerrshme të ekonomistëve të njohur, si Milton Friedman apo Martin Feldstein, të cilët parashikuan dështimin e euros për shkak të papërsosmërisë së strukturës së saj dhe rrezikut ekonomik dhe politik që sillte kjo, monedha e përbashkët jo vetëm që ka mbijetuar, por ka anëtarë të shtuar në mënyrë të vazhdueshme në klubin e tij: inkorporimi i fundit i Kroacisë e çon numrin e vendeve të euros në 20, pothuajse dyfishi i 11 vendeve fillestare.

    Dhe katër vende të tjera – Andorra, San Marino, Vatikani dhe Monako – përdorin euron dhe mund të nxjerrin monedhat e tyre euro. Por nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë. Janë bërë gabime, disa të shmangshme, të tjera rezultat i papërvojës apo dinamikave të çoroditura politike, të cilat e afruan euron shumë pranë greminës gjatë krizës dhe që e kanë kufizuar kapacitetin e eurozonës për rritje.

    Nga një këndvështrim historik, historia e euros është historia e krizave të saj. Bumi ekonomik gjerman i gjeneruar nga bashkimi i dy Gjermanive ishte një goditje asimetrike për Evropën, duke e shtyrë Bundesbankën ta adoptonte një pozicion të fortë anti-inflacioni në vitet 1991-92, i cili, edhe pse i nevojshëm për Gjermaninë, përfundoi të jetë tepër i ngushtë për pjesën tjetër të Sistemit Monetar Evropian, dhe që çoi në largimin e sterlinës nga ky sistem dhe zhvlerësimin e disa prej monedhave të Sistemit Monetar Evropian.

    Euro filloi tregtimin më 1 janar 1999, me një kurs këmbimi 1.18 kundrejt dollarit amerikan, por u zhvlerësua shpejt me pothuajse 30 për qind, në një nivel më të ulët prej 0.82 euro për dollar në tetor të vitit 2000 – për shkak të normave të larta të interesit në SHBA dhe ribalancimi i rezervave valutore të vendeve të euros, i cili bëri që Banka Qendrore Evropiane, BQE të ndërhyjë në tregjet valutore për ta stabilizuar monedhën e porsalindur.

    Prej aty, një vlerësim pothuajse i pandërprerë, i nxitur nga euforia në periferi të eurozonës që inkurajoi flukset e kapitalit, por edhe akumulimin e çekuilibrave deri në 1.60 euro për dollar në vitin 2008. Shenjat e para të krizës financiare globale, me pezullimin e tërheqjeve të likuiditetit në disa fonde franceze dhe mungesën e kapitalit të disa bankave gjermane si pasojë e humbjeve në investimet e tyre në hipotekat subprime amerikane, shënuan maksimumin e euros.

  • ​Theren dy persona në Prizren, dërgohen në QKUK për mjekim

    ​Theren dy persona në Prizren, dërgohen në QKUK për mjekim

    Në orët e vona të së hënës, dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit, pasi dyshohet se janë therur me thikë nga një i dyshuar.

    Policia e Kosovës njoftoi se viktimat janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

    “Rr. Ibrahim Rugova, Prizren 12.02.2024 – 23:20. Dy viktima meshkuj kosovarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit, pasi që dyshohet se janë therur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia e Kosovës.

  • Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i akuzuar për marrje ryshfeti, duke e dënuar me 2 vite burgim efektiv dhe 5 mijë euro gjobë.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, Latifit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

    Në dënimin e shqiptuar me 2 vite burgim, Latifit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Kurse, dënimin me gjobë në shumën 5 mijë euro, obligohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, ky dënim i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar brenda afatit ligjor.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

    Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

    Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

    Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

    Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

    Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkonte Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

  • Kurti nga Britania: Siguria është themeli mbi të cilin vendi ynë vazhdon të rritet

    Kurti nga Britania: Siguria është themeli mbi të cilin vendi ynë vazhdon të rritet

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet.

    Kurti përmes një postimi në platformën X, ka njoftuar se ka marrë pjesë në në panelin ku u diskutua mbi Kosovën dhe gjeopolitikën evropiane, që u organizua nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House’’.

    “Siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet”. Falenderoj ChathamHouse dhe UCL që më më keni në një panel për të diskutuar mbi Kosovën, gjeopolitikën evropiane dhe më shumë”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, kryeministri Kurti të hënën ka udhëtuar për në Mbretëri të Bashkuar dhe në qëndrimin e tij njëditor atje ka pasur takime me zyrtarë të institucioneve.

  • Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë

    Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se qeveria amerikane ishte shumë e qartë për shqetësimet e saj rreth vendimit për ndalimin e dinarit në Kosovë.

    Në Uashington, ku mori pjesë në një pritje me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, Hill, i pyetur nga për çështjen e dinarit. Ai tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje se çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë, por se duhet të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    “Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim pjesën tjetër”, tha Hill.

    I pyetur nëse dialogu është në errësirë ​​pas lëvizjeve të fundit rreth vendimit të BQK-së, ambasadori Hill thotë se nuk dëshiron ta karakterizojë dialogun dhe se këtë ia lë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe dinarin, duhet të zgjidhen me dialog.