ATV

Author: ATVLive

  • ​Murati tregon ndryshimet për skemat pensionale dhe sociale, kritikohet nga opozita për reformat

    ​Murati tregon ndryshimet për skemat pensionale dhe sociale, kritikohet nga opozita për reformat

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se ligji për skemën sociale është drejt finalizimit dhe së shpejti do të jetë në Kuvend, porse është kritikuar nga opozita për reformat në pensionale dhe sociale.

    Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me strategjinë legjislative për skemat sociale dhe pensionale për vitin 2024, si dhe planet dhe prioritetet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024, Murat tha se Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen me Bankën Botërore, edhe pse me vonesë nga ana e Kuvendit.

    Me anë të ligjit, ai shtoi se do të ketë edhe përmirësim sa i përket zbatimit duke shtuar se ideja është që mbështetja të jetë e bazuar në madhësinë e familjes, por edhe në aftësinë për të gjeneruar të ardhura në mënyrë graduale.

    “Sivjet do të fillojë pilotimi, siç është paraparë me njërën nga kompanitë e atij projekti, dhe paralelisht jemi duke punuar edhe në ligj. Ligji pak a shumë është drejt finalizimit për skemat apo mbështetjen sociale, dhe do ta kemi shumë shpejt para jush. Por, po presim edhe pilotimin që të ketë informim të bazuar në informacion konkret nga terreni se si do të mund të dukej zbatimi në praktikë, por edhe si mund të informohej nga përvoja që mund të marrim nga pilotimi. Ligji parasheh heqjen e kritereve diskriminuese siç kanë qenë në kategori, ose me ligjin ekzistues janë dy kategori, njëra është familjet që kanë fëmijë nën moshën pesë vjeçare, mund të përfitojnë, është si kriter diskriminues, kurse kriteri tjetër është se nëse nuk plotësojnë kriterin e një fëmije nën moshën pesë vjeçare, i bie që askush nga familjet mos të jetë i aftë për punë… Ka edhe mekanizma tjerë që kemi synuar t’i përfshijmë në ligj e që janë edhe inkurajimi për të punuar, pra familjet të cilët duan të regjistrohen për përfitim në asistencën sociale duhet fillimisht të regjistrohen anëtarët aktiv të aftë për punë dhe të moshës së punës të regjistrohen si punëkërkues aktiv në zyret e punësimit”, deklaroi Murati.

    Duke folur për skemat sociale, ai tha se këtë vit do të adresojnë skemat pensionale sa i përket moshave. Siç tha ai do të bëhet një reformë sa i përket kritereve të përfitimit, derisa shtoi se do të ketë përmirësim në zbatimin e tyre.

    “Sa i përket skemave pensionale janë disa, mirëpo do t’i konsideroja në disa kategori, por fillimisht çka ne kemi synim që këtë vit të adresojmë dhe që kemi konsideruar më emergjente është çështja e skemave pensionale të moshës. Pra që ka të bëjë me kontributet apo pensionet bazike si dhe pensionet e financiare nga shteti, edhe këtu parashihet të bëhet një reformë sa i përket kritereve të përfitimit, por edhe të bëhet një ridizajnim, ashtu që fondet e pensionit apo kontributet pensionale në Fondin pensional që janë në Trust aktualisht të jenë epiqendra e një pensionisti, kurse shteti të ofertojë sublementimin, apo mbështetjen shtesë për ato raste që kanë nevojë. Kemi raste ku mund të ketë dikush kontribute të larta në findin pensinal dhe kur del në pension e merr edhe pensionin bazik që është në vlerë 100 euro, njësoj sikur ai që s’ka fare kontribute në Trust, ideja është që të riorientohet dhe të bëhet në përshtatje në bazë të nevojës. Mirëpo, këtu ende jemi në konceptim dhe sapo që kemi një koncept përfundimtar do të mund të lëvizim edhe në draftimin e ligjit të cilin do ta sjellim para jush”, tha Murati.

    Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka akuzuar ministrin Murati për mosmbajtje të premtimeve që kanë dhënë tash e tre vite.

    “Keni premtuar ristrukturimin e skemave social dhe pensionale për të ulur varfërinë, por ky projektligj për skemat sociale dhe personale prej vitit 2021 vazhdon të bartet në çdo program legjislativ të qeverisë. Keni premtuar skema për punësim sezonal për familjet që janë asistencë sociale, keni premtuar punësimin e së paku një anëtari të të çdo familje që janë me asistencë sociale, zero deri më tani. Mbështetja përmes subvencionimit, më shumë ka përfitim për bankat sesa për ta. Të varfrit vazhdojnë të përkeqësohet gjendja, ndërsa oligarkët e bankave në Kosovë kanë shifra rekorde për përfitimet në dy vitet e fundit. Keni premtuar ndryshimin e pushimit të lehonisë dhe prindëror, keni premtuar se këtë do ta bëni me ligj, dhe po hymë në vitin e katër të qeverisë tuaj dhe ligj nuk ka… Këtë model që e prezantuat sot nuk e keni në program qeverisës…Me ligjin për pagën minimale keni diskriminuar, veteranët, pensionistët e Trepçës, paraplegjikët, të verbrit dhe tetraplegjikët, si do ta evitoni këtë pabarazi dhe diskriminim ndaj këtyre kategorive, a mund këto kategori të ushqejnë familjen me 170 euro, pasi me këtë shumë nuk iu dalin të blejnë barna për vete”, tha Haxhiu.

    Derisa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka pyetur ministrin se sa pensionist kanë përfituar nga skema e re pensionale, pasi sipas tij, janë vonuar në pilotimin e këtij programi.

    “Sa pensionist kanë fituar nga kjo reformë që keni bërë… Për skema sociale duhet të ngrihet zhurmë dhe të debatojmë. A po iu duket që është vonë që pas 3 viteve të pilotoni një program”, tha ai.

    Anën tjetër, deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se asnjëherë nuk është saktësuar se sa është dhënë nga buxheti i vendit përtej numrit të përgjithshëm të fondit të skemës sociale.

    “E kam një konstatim që është politik, kjo është fusha kryesore më të cilën ju keni abuzuar me pushtetin të mos trajtimit adekuat të skemës pensionale, por edhe të trajtimit të qytetarëve me nevojë që janë pjesë e skemave të ndryshme sociale. Tri vite të kësaj qeverisje ju fare nuk i keni kushtuar vëmendje as në kuptimin legjislativ as përmbajtjesor, por e keni shndërruar në sektor të shpërndarjes së parasë publikë, një lloj lëmoshë për gjitha këto kategori, asnjëherë nuk është saktësuar sa është dhënë nga buxheti i Kosovës përtej numrit të përgjithshëm të fondit të skemës sociale”, tha Zemaj.

    Ndërsa, deputeti nga LVV, Mirsad Shkreta është shprehur i shqetësuar me ligjin për skemat sociale, për çfarë thotë se duhet të ketë një sistem të menaxhimit të dhënave. Sipas tij, nga një numër enorm i përfitueseve të skemave, ka rënë numri në mënyrë rapide.

    “Ajo që më shqetëson mua është ligji edhe për skemat sociale, a do të kemi mundësi të kemi një sistem të menaxhimit të te dhënave. Ne kemi qenë dëshmitar që në momente të caktuara për një periudhë kohore shumë të vogël nga një numër enorm i përfitueseve të skemave, ka rënë numri në mënyrëe rapide. Tash a ka rënë skema sociale, nevojtarët, apo ka pas abuzime”, ka pyetur Shkreta.

    Lidhur me akuzat nga opozita, ministri Murati tha se një pjesë e madhe e premtimeve janë duke i realizuar, porse sipas tij, jo gjithçka mund të realizohet në vitin e parë.

    “Një pjesë të madhe të tyre (premtimeve) po i realizojmë, jo gjithçka mund të realizohet në vitin e parë, aq më tepër kur ka probleme të akumuluara…Ne kemi bërë mjaftë politika që të ofrojmë mundësi të punësimit, duke filluar me masën qeveria për familjet, që është një masë e cila ka rezultuar deri më tani me rreh 2600 të punësuar, pra, anëtar të familjes të cilët nuk e kanë asnjë të punësuar, janë ndërmjetësuar nga Agjencia e Punësimit, dhe punësimi tyre është subvencionuar në mënyrë që ata të gjejnë një vend të punës të rregullt…Çështje tjera ishin edhe disa prej ligjeve te cilat janë në procedurë e sipër, ka disa ligje që merr më shumë kohë reforma, e disa që janë kryer më herët”, ka thënë Murati.

  • ​Vdekja e të burgosurit me iniciale H.M shqetësim për KMDLNJ

    ​Vdekja e të burgosurit me iniciale H.M shqetësim për KMDLNJ

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me vdekjen e 54 vjeçarit me inicialet H.M nga Mamusha, duke vlerësuar se kishte mungesë të përkujdesjes shëndetësore.

    KMDLNj thotë se është informuar se me datë 12.02.2024 në Emergjencën e Spitalit në Pejë, në ora 19.00, ishte konstatuar vdekja e të burgosurit H.M., 54 vjeçar i lindur në Mamushë.

    “I burgosuri ishte sjellur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore nga NjSHB, stacionari i Q.K. në Dubravë ku trajtohej sipas udhëzimeve të specialistëve të fushës. Fillimisht, para se të transferohej në Stacionar në Dubravë ishte vendosur në Q.P. në Prishtinë ku nuk kishte kapacitete e as mundësi të trajtohej në përputhje me problemet e rënduara shëndetësore që i kishte”, thuhet në reagim.

    Reagim i KMDLNj – së:

    VDEKJA E TË BURGOSURIT H.M. SHQETËSIM PËR KMDLNJ

    Nga burime të sigurta, KMDLNj- ë ishte informuar se me datë 12.02.2024 në Emergjencën e Spitalit në Pejë në ora 19.00 ishte konstatuar vdekja e të burgosurit H.M., 54 vjeçar i lindur në Mamushë. I burgosuri ishte sjellur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore nga NjSHB, stacionari i Q.K. në Dubravë ku trajtohej sipas udhëzimeve të specialistëve të fushës. Fillimisht, para se të transferohej në Stacionar në Dubravë ishte vendosur në Q.P. në Prishtinë ku nuk kishte kapacitete e as mundësi të trajtohej në përputhje me problemet e rënduara shëndetësore që i kishte. Në ndërkohë ishte lajmëruar edhe gjyqtari i rastit për pamundësinë e trajtimit shëndetësorë si dhe menaxhimit të rastit por se nuk kishte asnjë përgjigje, as sa i përket ndryshimit të masës së shqiptuar apo rekomandimit për trajtim shëndetësorë kashtë institucionit mbajtës.

    KMDLNj- ë edhe më heret ka reaguar se NjSHB përkatësisht stacionari në Dibravë nuk ka as kapacitete materiale e as profesionale për të trajtuar rastet e rënda përkundër përpjekjeve maksimale që e bënë stafi shëndetësorë. KMDLNj- ë e rithekson domosdoshmërinë e formimit të një Spitali që do të pajisej profesionalisht dhe materialisht e që do të përkujdesej për shëndetin e personave të privuar nga liria siç e kanë vendet e rajonit. KMDLNj- ë e rikujton opinionin se në institucionet e mbajtjes në Kosovë një numër i konsiderueshëm i të burgosurve mbahen në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut shkaku se vuajnë nga sëmundje të pashërueshme apo kanë çrregullime të rënda të shëndetit mendor prandaj kërkojnë mbikëqyrje 24 orëshe apo të pjesshme. Në këto raste kemi të bëjmë me shkelje të rënda të njeriut dhe personave të privuar nga liria përkatësisht shkelje të Konventës për Parandalim të Torturës dhe Trajtim Degradues. Nëse një qytetar bjen në kundërshtim me ligjin nuk nënkupton se privohet nga të drejtat e personave të privuar nga liria. Për shkak të mungesës së kushteve materiale dhe profesionale për trajtim të plotë shëndetësorë të burgosurve iu mohohet e drejta kryesore njerëzore, e drejta për jetë sikur që ishte rasti mr H.M.dhe rastet e mëparshme. Që nga çasti i privimit nga liria, shteti e merr tërë përgjegjësinë për përkujdesjen dhe trajtimin e të burgosurve dhe me asgjë nuk mund të arsyetohet për humbjen e jetëve të personave të privuar nga liria për shkak të mungesës së trajtimit të duhur shëndetësor. Në këto raste hallka e fundit e zinxhirit të përgjegjësisë është Njësia Shëndetësore e Burgjeve që është në gërshërë midis ministrive përkatëse dhe gjykatave e që janë adresat kryesore të përgjegjësisë. KMDLNj- ë i shprehë ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit H. M. duke kërkuar hetime profesionale pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia e mundshme, disiplinore apo penale.

    Që paradoksi të jetë edhe më i madh në ditën kur të burgosurit kosovarë vdesin, H.M. për shkak të mungesës së përkujdesjes shëndetësore, ministri i Drejtësisë së Danimarkës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare i bënë presion partive opozitare të Kosovës që ta votojnë Marrëveshjen kriminale raciste që i përshtatet shtetit racist danez dhe që e dëmton rëndë Kosovën. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kërkojnë formimin e një Komisioni Hetimor për vdekjet dhe vetvrasjet e të burgosurve në Kosovë sikur edhe të mos e votojnë marrëveshjen për burgje me Danimarkën. Në kohën kur të burgosurit kosovarë vdesin apo vetvriten për mungesë të trajtimit të duhur shëndetësorë, në Burgun e Gjilanit po bëhen renovime me të cilat përkujdesja shëndetësore për të burgosurit jodanezë që do të blihen nga Danimarka, do të jetë sipas standardeve të Danimarkës. Çfarë diskriminimi.

  • Haxhiu flet për marrëveshjen e burgjeve me homologun danez

    Haxhiu flet për marrëveshjen e burgjeve me homologun danez

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në takim në ministrinë e Drejtësisë, homologun danez, Peter Hummelgaard.

    Gjatë takimit u diskutua rreth rëndësisë së ratifikimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës për marrjen në shfrytëzim të hapësirave të burgut në Gjilan.

    Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se që nga muaji korrik, për shkak të bllokimit me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare, kjo marrëveshje ka mbetur pa u ratifikuar.

    Në anën tjetër, Haxhiu ka njoftuar Hummelgaard se Shërbimi Korrektues i Kosovës veçse ka filluar procedurat për hartimin e specifikave teknike për adoptimin e hapësirave banuese si dhe rekrutimin e stafit shtesë.

  • Ahmeti: Së shpejti fillon subvencionimi për fermerët me 0. 4 cent për litër qumështi

    Ahmeti: Së shpejti fillon subvencionimi për fermerët me 0. 4 cent për litër qumështi

    Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me Drejtorin e Bujqësisë, Rexhep Rexhepi sot kanë vizituar një nga fermat e blegtorisë, të cilëve u ka dhënë një lajm të mirë.

    Gjatë kësaj vizite Ahmeti ka potencuar se së shpejti do të filloj me subvencionimin për fermerët me 0.4 cent për litër qumështi dhe se këto ditë pritet të shpallet thirrja publike nga Komuna e Lipjanit për të gjithë fermerët prodhues të qumështit.

    Kryetari Ahmeti ka thënë se me këtë po fillojmë të mbështesim edhe këtë kategori të fermerëve me qëllim të nxitjes së prodhimit të qumështit dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe me mbështetjen e kategorive të tjera të sektorit të bujqësisë.

  • Franco Foda trajner i Kosovës? Ja çfarë thotë Muharrem Sahiti, drejtori i kombëtares

    Franco Foda trajner i Kosovës? Ja çfarë thotë Muharrem Sahiti, drejtori i kombëtares

    Drejtori i Kombëtares së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, ka folur për pozitën e selektorit të Kosovës.

    Sahiti nuk përmendi emra, por nuk e mohoi mundësinë që Franko Foda të bëhet trajner i Kosovës.

    ‘ Kush do të bëhet përzgjedhës, ende nuk e di emrin. Megjithatë, shumë shpejtë do të bëhet publike zyrtarizmi i përzgjedhësit të ri’ tha Sahiti.

    Kujtojmë se Franco Foda është kandidati numër një për të marrë këtë pozicion. Foda është ish-trajneri i kombëtares austriake.

    Emisionin ku ishte i ftuar Sahiti mundeni me shiku më poshtë.

  • Senati amerikan miraton paketën e ndihmës për Ukrainën

    Senati amerikan miraton paketën e ndihmës për Ukrainën

    Senati amerikan ka miratuar paketën e ndihmës në vlerë prej 95.34 miliardë dollarësh, ku përfshihet edhe ndihma ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

    Megjithatë, fati i këtij legjislacioni mbetet i paqartë, pasi republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kanë sinjalizuar se nuk do të mbështesin këto masa.

    Senatorët amerikanë votuan me 70 vota për dhe 29 ishin kundër këtij projektligji, duke tejkaluar 60 votat e nevojshme për miratim. Kjo u arrit pasi 22 senatorë republikanë iu bashkuan atyre demokratë për të mbështetur këtë paketë të ndihmës.

    Në paketën e miratuar përfshihen edhe 14 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin dhe ndihmë për shtetet e tjera.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, falënderoi Senatin amerikan për miratimin e këtij legjislacioni.

    “Për ne në Ukrainë, vazhdimi i ndihmës së SHBA-së na ndihmon të shpëtojmë jetë nga terrori rus. Kjo nënkupton se jeta do të vazhdojë në qytetet tona dhe do të triumfojë ndaj luftës”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

    “Ndihma amerikane sjell më afër paqen në Ukrainë dhe rivendos stabilitetin botëror, duke rezultuar në rritje të sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë”.

    Ndihma financiare dhe ushtarake amerikane ka qenë thelbësore për Ukrainën, shtet që po lufton kundër pushtimit që Rusia nisi pothuajse dy vjet më parë.

  • Kurti thotë se Vuçiq po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”

    Kurti thotë se Vuçiq po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit, protestat e majit në veri të Kosovës rritja e pranisë ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor e bëjnë më “urgjente se kurrë” nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, me refuzimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, sipas Kurtit, ai po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”.

    Shkurtin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel për këtë marrëveshje, ndërkaq në prill në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por blloku evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ajo është obliguese për palët.

    “Nuk mund të shoh asnjë arsye tjetër për refuzimin e nënshkrimit [nga Serbia]. Atëherë, ata duan të mbajnë hapur këtë derë [të pushtimit të Kosovës] dhe të kenë një dritare mundësie për t’u rikthyer dhe për të kryer agresion”, tha Kurti gjatë një paneli diskutimi të organizuar nga instituti Chatham House më 13 shkurt.

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Në panelin e diskutimit, Kurti tha se “regjimi autoritar” i Serbisë “po mban prapa të gjithë rajonin. Sipas tij, Beogradi në një masë të madhe e njeh Kosovën de facto, por jo de jure.

    Kryeministri kosovar tha se Serbia përdor Kosovën për të mbajtur raporte të mira me Rusinë dhe Kinën.

    “Ekziston një tezë e përgjithshme se Serbia po mban raporte të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, në mënyrë që t’i përdorë ato në agresivitetin kundër Kosovës. Por, unë mendoj se është e kundërta. Gjegjësisht, Serbia përdor agresivitetin e saj ndaj Kosovës që të mbajë raporte të mira me Federatën Ruse dhe Kinën. Sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt, ju duhet ta tregoni veten vazhdimisht. Mendoj se këtë po e bën Vuçiqi. Me agresivitetin e tij ndaj Kosovës ai po mundohet të mbajë raporte të mira me Kremlinin”, tha Kurti.

    Duke folur për ngjarjet e shtatorit në Banjskë, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës duke vrarë një rreshter, Kurti sërish akuzoi Serbinë për këtë ngjarje, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

    Gjatë përleshjeve më 24 shtator u vranë edhe tre sulmues serb. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kurti tha se përmes Serbisë, Rusia po rrit praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

    “Pra, aleanca e Serbisë me Rusinë nuk është vetëm kërcënim në aspektin teorik për Evropën dhe Ballkanin. Është kërcënim real të cilin Kosova, por jo vetëm, e përjeton vazhdimisht. Përmes Serbisë, ne kemi parë rritjen e pranisë ruse në Ballkan, qoftë përmes mediave, inteligjencës, apo formave të tjera të ndërhyrjes.

    Autoritetet në Kosovës kishin deklaruar pas sulmit në Banjskë se po hetonin për përfshirjen e mundshme ruse në të.

    Fundin e vitit të kaluar, në një raport të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ishte thënë se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina, të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë. /rel

  • Thyhet tradita, parakalimi i FSK-së nuk do bëhet më 17 shkurt

    Thyhet tradita, parakalimi i FSK-së nuk do bëhet më 17 shkurt

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova po i bënë 16 vite si Republikë e Pavarur dhe Demokratike.

    Siç e do tradita, më 17 shkurt qytetarëve të Republikës më të re në Evropë, iu mundësohet të shohin parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në sheshin kryesor të kryeqytetit.

    Por, këtë herë parakalimi i trupave të Forcës, nuk është në listën e aktiviteteve të parapara për 17 shkurt.

    Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci thotë se parakalimi i ushtarëve kosovarë, është shtyrë për datën 12 qershor, respektvisht në 25 Vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

    “Komisioni ndërqeveritar për shënimin e festimit të tri datave kyçe gjatë këtij gjashtë mujori që është dita e Pavarësisë, Epopeja e UÇK-së dhe Dita e Çlirimit të vendit tonë, ka vendosur që parakalimi për këtë vit të vendoset më 12 qershor për shkak që 12 qershori do jetë vit jubilar, pra është 25 vjetori i çlirimit të vendit tonë”, tha Maqedonci.

    17 shkurtin, krerët shtetërorë do ta fillojnë në tetë të mëngjesit, me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës.

    Pas ngritjes së flamurit në ora tetë e 20 minuta, pushtetarët do bëjnë nderime e homazhe përkujtimore tek varret e figurave që prijnë procese historike të shtet ndërtimit të Kosovës.

    Në mes të ditës, pritet të mbahet seanca solemne e Kuvendit. që pasohet nga pritjet shtetërore dhe koncerti i Pavarësisë.

    Dita do mbyllet me performimin e Filharmonisë së Kosovës.

  • Paralajmërimi i inteligjencës estoneze: Rusia po bëhet gati për përplasje ushtarake me Perëndimin

    Paralajmërimi i inteligjencës estoneze: Rusia po bëhet gati për përplasje ushtarake me Perëndimin

    Rusia është duke u përgatitur për një përballje ushtarake me Perëndimin brenda dekadës që vjen. Informacionet janë publikuar nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, të cilët shtojnë se një përballje e mundshme mund të frenohet nga një kundërngritje e forcave të armatosura.

    Një numër në rritje e zyrtarëve perëndimore kanë paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm nga Rusia ndaj vendeve përgjatë krahut lindor të NATO-s, duke bërë thirrje që Evropa të përgatitet duke u riarmatosur.

    Agjencia e lajmeve Reuters citon shefin e shërbimit të inteligjencës të jetë shprehur se vlerësimi bazohet në planet e Rusisë për të dyfishuar numrin e forcave të stacionuara përgjatë kufirit të saj me anëtarët e NATO-s, Finlandën dhe shtetet baltike të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

    “Rusia ka zgjedhur një rrugë që është një konfrontim afatgjatë… dhe Kremlini me siguri po parashikon një konflikt të mundshëm me NATO-n brenda dekadës së ardhshme…,” u tha Kaupo Rosin gazetarëve në publikimin e raportit të kërcënimeve të sigurisë kombëtare të Estonisë.

    Një sulm ushtarak nga Rusia është “shumë i pamundur” në trema afatshkurtër, tha ai, pjesërisht sepse Rusia duhet të mbajë trupa në Ukrainë.

    “Nëse nuk jemi të përgatitur, gjasat për një sulm ushtarak do të ishin shumë më të larta se pa ndonjë përgatitje,” shtoi Rosin.

    Estonia dhe shtetet e tjera baltike kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake në mbi 2% të vlerës së ekonomive të tyre pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe aleatët e NATO-s kanë rritur praninë e tyre në ato vende.

  • Tre prokurorë pensionohen së shpejti – KPK-ja gati procedurat për rekrutim

    Tre prokurorë pensionohen së shpejti – KPK-ja gati procedurat për rekrutim

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka formuar grupin teknik për mbështetjen e komisionit për rekrutimin e prokurorëve të rinj, pasi tre prokurorë do të pensionohen këtë muaj dhe muajin mars, raporton EO.

    Prokurorët që pensionohen në muajin shkurt dhe mars janë: Merita Lumezi dhe Besa Limani nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Shefik Ahmeti nga Prokuroria e Gjilanit.

    Propozimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e udhëheqësit në Departamentin të Përgjithshëm u propozua Arianit Salihu, më ç’rast një kundërshtim e pati zëvëndëskryesyesja Jehona Grantolli ku si pas saj nuk duhej të ngarkohej askush përtej normës.

    Në këtë mbledhje u propozuan edhe Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore në Pejë dhe Gjakovë për mentor në Akademinë e Drejtësisë.

    Në Pejë si propozim për mentor në kuadër të trajnimit fillestar u propozua Arlinda Nallbani-Gacaferi si mentor të Prokurorit Ermal DemHasaj ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë në Gjakovë e ka propozuar kryeprokurorin Kastriot Mema si mentor të Prokurores Uridia Cakaj.