ATV

Author: ATVLive

  • Aksident te “Bill Clinton” në Prishtinë – katër të lënduar, dy prej tyre zyrtarë policorë

    Aksident te “Bill Clinton” në Prishtinë – katër të lënduar, dy prej tyre zyrtarë policorë

    Katër persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën “Bill Klinton”, në Prishtinë.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se në aksident janë përfshirë dy vetura në lëvizje, njëra nga to veturë e policisë.

    Dy nga të lënduarit janë zyrtarët policorë.

    “Sot rreth orës 03:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura në lëvizje ( njëra nga to veturë e policisë).

    Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona ( dy nga ta zyrtar policor).”

    Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

  • ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorit

    ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorit

    Administrata Tatimore e Kosovës ka publikuar sot versionin e ri të sistemit elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.

    Sipas njoftimit, shërbimi i ri elektronik për lajmërimin e punëtorit është funksionalizuar në Sistemin Elektronik EDI duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, gjegjësisht nenin 43, paragrafin 5.

    “Përmes këtij shërbimi, çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”. Më konkretisht përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listëpagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofroj edhe informatat shtesë, si: Data e fillimit të punës; Data e ndërprerjes së punësimit; Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm; Niveli i shkollimit të punëtorit; Profesioni i punëtorit; Pozita e punës së punëtorit, etj. Për plotësimin e saktë të informatave për të punësuarin, ATK-ja ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, të cilin do ta gjeni në dritaren përkatëse në të cilën bëhet plotësimi i formularit, andaj ju sugjerojmë që paraprakisht ta shfletoni udhëzuesin. ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve”, thuhet në njoftim.

  • Burri rrah gruan në Gjakovë, i ndihmon edhe djali i tyre i mitur

    Burri rrah gruan në Gjakovë, i ndihmon edhe djali i tyre i mitur

    Policia e Kosovës ka raportuar se në Gjakovë, janë arrestuar babai dhe djali i tij i mitur, pasi dyshohet se më datë 9 shkurt të këtij viti kanë ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë 09.02.2024 – 22:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babai dhe djali i tij i mitur) nën dyshimin se të njëjtit me datën e cekur kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare bashkëshortes përkatësisht nënës së tij. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Fletushkat kërcënuese për Kurtin e Policinë në veri, hapet rast për nxitje të urrejtjes e rezistencë

    Fletushkat kërcënuese për Kurtin e Policinë në veri, hapet rast për nxitje të urrejtjes e rezistencë

    Pas shpërndarjes së disa fletushkave kërcënuese në veri të vendit ndaj kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe Policisë së Kosovës, është hapur rast për incident kriminal “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor, etnik”, raporton KP.

    “Mitrovicë Veri 12.02.2024 – 21:40. Raportohet se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën e lartë cekur. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Fletushkat janë shpërndarë mbrëmë nga e një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, përmbajtja e të cilave është nxitëse dhe inkurajon qytetarët serbë të mos binden ndaj Policisë së Kosovës.

    Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

  • ​Prishtinë: Sulmohet nga bashkëshorti, më pas gruaja tenton të bëjë vetëvrasje

    ​Prishtinë: Sulmohet nga bashkëshorti, më pas gruaja tenton të bëjë vetëvrasje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij në Prishtinë.

    Në raportin 24-orësh bëhet e ditur se viktima e shqetësuar ka tentuar të bëjë vetëvrasje, duke përdorur preparate higjienike.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Këtë javë, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare

    Këtë javë, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare.

    Fillimisht, deputetët do të mblidhen të mërkurën për të shqyrtuar një varg pikash të mbetura nga seancat e kaluara.

    Ndërkaq marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk u votuan javën e kaluar në mungesë kuorumi si dhe plotësim-ndryshimet kushtetuese për procesin e vetingut do të shqyrtohen në seanca të ndara ditën e enjte.

    “Nga mbledhja e rregullt e Kryesisë me GP u dakorduam qe për këtë jave Kuvendi të mbaj 3 seanca plenare. E para është të mërkurën e cila do të vazhdojmë me seancën e papërfunduar”, tha shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Në këtë seancë, PDK-ja ka paralajmëruar se do të iniciojë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore dhe për tekstet shkollore.

    “Ajo që ishte me e habitur ishte refuzimi për votimin e Komisionit për hetimin në lidhje me humbjen e mostrave të rastit Dehari. Është një rast që është keqpërdorur shumë nga VV-ja. I bëj thirrje kësaj mazhorance që të votoj një Komision të tillë. Kërkoj që të mos refuzohet sepse ne do ta përsërisim një gjë të tillë. Do t’i iniciojmë edhe dy Komisione hetimore tjera”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vuri në pah nevojën për miratimin e disa ligjeve.

    “Kemi mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Mos e bë Zot me iu sëmurë dikujt prindi apo fëmija, krejt kursimet duhet me i shkri, me hy në borxh për shërimin. Paga në sektorin publik”, tha Tahiri.

    Ndërkaq, të shtunën është paraparë të mbahet seancë solemne për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

  • 10 persona të lënduar nga zjarri në një ndërtesë në Ferizaj

    10 persona të lënduar nga zjarri në një ndërtesë në Ferizaj

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Uji që u përdor për të fikur zjarrin, që përfshiu mbrëmjen e së dielës një pjesë të kësaj ndërtese 7 kateshe në Ferizaj, ka mbetur ende në korridorin e ndërtesës.

    Si pasoj e flakës dhe tymit 10 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në qendrën kryesore të mjekësisë familjare, ndërsa 6 prej tyre u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Në nivelin terciar janë pranuar 6 të lënduar, katër prej tyre janë liruar për në shtëpi ndërsa, dy të tjerë po vazhdojnë të marrin tretman mjekësore dhe u janë nënshtruar disa analizave laboratorike në klinikën e Biokimisë. Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë”, tha drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

    Policia që së bashku me ekipet emergjente dolën menjëherë në vend të ngjarjes, janë duke hetuar shkaktarët e zjarrit.

    “Policia rajonale e Ferizajt, njësitet e hetimit po punojnë që të zbardh rastin”, tha zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

    Nga zjarri, dëme pati edhe në lokalet e gastronomisë. Madje disa prej tyre, këtë të hënë nuk patën mundësi të punojnë fare.

    “Kam qenë pak në vend të ngjarjes por nga fundi, e kam qel lokalin kish pas tym të madh, deri në 2-3 të mëngjesit kom qëndrua këtu. Sot kur erdha sërish rrymë s’ka tym është ende. Dëmet nuk po mundemi me i ditë se cilat janë sepse nuk po e di pa pas rrymë”, tha Bedri Bushi, pronar.

    Bushi, e pronarët e tjerë të gastronomisë janë të shqetësuar se problemet me energji elektrike do të zgjasin, si rrjedhojë kërkojnë nga organet kompetente që sa më parë t’iu bëhet një zgjidhje.

  • Mashtrimet me subvencionet, dy fermerë e pranojnë fajësinë

    Mashtrimet me subvencionet, dy fermerë e pranojnë fajësinë

    Përgatiti: Nora Luta

    Duke e paraqitur pronën e komunës së Istogut në sipërfaqe prej 22 ha, dhe kooperativës së Dubravës prej 20 ha, si pronë në emër të Eduard Musollaj, Gjon Musolli kishte përfituar subvencione në vlerë prej 12 mijë e 600 euro.

    Se nuk përputhet gjendja faktike me të dhënat në aplikim e kishin gjetur gjatë inspektimit dy zyrtarët ,Bajram Gashi dhe Musa Nivokazi, por që të dy sipas Prokurorisë Speciale e kishin hartuar rrejshëm raportin në tetor të vitit 2020.

    Gashi e Nivokazi nuk e kanë pranuar fajësinë mbi këto akuza, ndryshe nga Gjon Musolli, i cili sipas Prokurorisë, i shkaktoi dëm buxhetit të shtetit afër 26 mijë euro.

    Në shqyrtimin fillestar që u mbajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Musolli tha se ka qenë i shtyrë të kryejë veprën penale.

    Fajësinë e pranoi edhe fermeri Halit Berisha, i cili kërkoi sqarim nga PSRK-ja rreth precizimit të dëmit të shkaktuar.

    Përveç Berishës e Musollit, fajësinë në janar të këtij viti, e kishte pranuar edhe Bajram Gashi, me të cilin PSRK-ja kishte arritur marrëveshje, por e njëjta u refuzua nga Gjykata.

    Prokuroria Speciale i akuzon edhe tetë persona të tjerë, zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, por që të gjithë të hënën e mohuan fajësinë, përfshirë edhe Bajram Gashin.

    Sipas aktakuzës veprat penale janë kryer gjatë periudhës gusht të vitit 2020 deri më 24 shkurt të 2021-s.

    Kjo është aktakuza e katërt e PSRK-së rreth mashtrimeve me subvencione.

  • Ragip Gashi dënohet me 25 vjet burg për vrasjen e gruas së tij

    Ragip Gashi dënohet me 25 vjet burg për vrasjen e gruas së tij

    Përgatiti: Nora Luta

    25 vjet burgim unik i ka shqiptuar Gjykata Themelore e Prishtinës, Ragip Gashit për vrasjen e bashkëshortes së tij M.G.

    Gashin, Gjykata e ka gjetur fajtor për vrasje të rëndë, e cila kishte ndodhur në vitin 2016 në lagjen “Mati 1”, të Prishtinës. Për këtë pikë të aktakuzës, Gjykata e dënoi Gashin me 24 vjet burgim. Ndërsa për armëmbajtje pa leje, me dy vjet.

    Sipas kryetares së trupit gjykues Fatime Dermaku, gjykata në këtë rast, e ka shqyrtuar edhe shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

    Ragip Gashi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake e privon nga jeta gruan e tij, M.G.

    Ai që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim, dhe të hënën nuk u soll në Gjykatë për ta dëgjuar vendimin.

    Sipas aktit akuzues, në ditën kritike, Gashi i kishte thënë të ndjerës se do ta priste në rrugë, pasi i kishte thënë fillimisht se do të shkonte për ta marrë në shtëpinë e disa familjarëve ku ishte për vizitë.

    Sipas aktakuzës vëllai i saj i e kishte përcjellë, por papritmas atyre iu kishte dalë në pritë Gashi me revole në dorë, i cili me dashje që ta privojë nga jeta, kishte shtënë në drejtim të viktimës M.G.

  • Protestë kundër rregullores, serbët duan të paguhen me dinarë

    Protestë kundër rregullores, serbët duan të paguhen me dinarë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Praktikën e marrjes së pensionit në dinarë nuk duan të ndërrojnë.

    Kjo qe edhe arsyeja që shoqata e pensionistëve serb në Kosovë, thirrën protestë në Mitrovicë të Veriut për ta kundërshtuar rregulloren e Bankës Qendrore, që ndalon qarkullimin e çfarëdo valute tjetër në vend përveç euros.

    “Duhet që vendimi të revokohet dhe të mundësohet dorëzimi i dinarëve në postë dhe banka. Ne kemi nevojë për atë që të jetojmë si çdo botë normale. Na duhet sot, jo nesër”, tha Dushanka Gjorovic nga shoqata e pensionistëve.

    Në organizimin që u mbajt në sheshin kryesor të qytetit, u bashkuan edhe civilë e politikanë. Në rend të parë u vunë përfaqësuesit e Listës Serbe, që akuzuan kryeministrin Albin Kurti për tentim-spastrimi etnik ndaj serbëve të Kosovës.

    “Ky është rasti të themi që nuk pajtohemi me vendimet e Albin Kutit, të cilat vendime vetëm sa e përkeqësojnë këtë situatë në veri. Ky vendim është kundër popullit serb që të mbijetojnë në këto treva, është që t’i ndal institucionet serbe në Kosovë”, tha Dragisha Milloviq, nënkryetar i Listës Serbe.

    Sipas tyre, largimi i dinarit nga qarkullimi po i varfëron serbët e këtushëm.

    “Heqja e dinarit, i cili për herë të parë është prerë në vitin 1214 në territorin e Kosovës, më saktë në Novibërdo, do të thotë heqje e jetës për popullin tonë. Ky vendim vë në pikëpyetje se si prindërit do të blejnë ushqime për fëmijët e tyre, si do të marrin studentët bursa, si dhe nga çfarë do të paguajnë tarifat e shkollës, do të paguajnë provimet”, tha Dragana Milenkoviq, profesoreshë e Fakultetit Ekonomik.

    Këta e thirrën bashkësinë ndërkombëtare ta ndalojnë një person si Albin Kurti të mos e shkatërrojë gjithçka që përfaqëson Bashkimi Evropian.

    Pas afro një ore, protesta përfundoi derisa qytetarët u shpërndanë qetësisht.