ATV

Author: ATVLive

  • DASh konfirmon: Kosova mund t’i vazhdojë procedurat për blerjen e “Javelin”-ve

    DASh konfirmon: Kosova mund t’i vazhdojë procedurat për blerjen e “Javelin”-ve

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se ka përfunduar periudha 30 ditore e njoftimit të Kongresit Amerikan rreth kërkesës së Kosovës për të blerë sistemin anti-tank “Javelin”.

    Një zëdhënës i DASH-it, në një përgjigje për Klankosova.tv tha se tani i takon Kosovës që të vendosë lidhur me planet e tyre për blerjen e “Javelin” nga ShBA.

    Këtij lajmi iu gëzua edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai tha se janë në pritje të ofertës nga Shtetet e Bashkuara.

    “Javelin, sistem me të cilin do të pajiset FSK, tashmë fakt i kryer”, shkroi Maqedonci në Facebook.

    Sistemi anti-tank “Javelin”

    Më 11 janar, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin”, që kap vlerën e 75 milionë dollarëve.

    Po të njëjten ditë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Cristopher Hill, e kishte njoftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth këtij hapi të ndërmarrë nga Kosova, të cilin Vuçiq sipas raportimit të mediave se kishte pritur fare mirë.

    Nëse gjithçka do të shkojë mirë, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i ketë në radhët e arsenalit të vet, 246 raketa anti-tank “Javelin”, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

  • Profesori rus dënohet me pesë vjet burg për kritikat ndaj Putinit

    Profesori rus dënohet me pesë vjet burg për kritikat ndaj Putinit

    Një gjykatë ruse dënoi me pesë vjet burgim një profesor dhe shkencëtar politik, i cili shprehu një qëndrim kritik ndaj regjimit në pushtet, njoftuan agjencitë ruse.

    Boris Kagarlicki fillimisht u dënua me një gjobë prej rreth 6,160 euro për shkak të “thirrjeve publike për terrorizëm”.

    Në procedurën e apelit, gjykata e ndryshoi dënimin me pesë vjet burg.

    Kagarlitsky, profesor në Shkollën e Lartë të Shkencave Sociale dhe Ekonomike në Moskë, u mor në paraburgim nga salla e gjyqit.

  • ​SBAShK: Mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës në vitet e 90-ta

    ​SBAShK: Mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës në vitet e 90-ta

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK) ka kërkuar që Ligji për Skemat Pensionale të ndryshohet në mënyrë që mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës qysh nga vitet e 90-ta.

    Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për KosovaPress ka deklaruar se punonjësit e arsimit janë të pakënaqur me ndryshimin e ligjit për skemat pensionale. Sipas Jasharaj me këtë ndryshim të gjithë mësimdhënësve puna në vitet e 90-ta nuk do t’u numërohet si pension, por vetëm si numër.

    “Nuk kemi pasur qasje kur është punuar në ndryshimin e skemave pensionale të financuara nga shteti. Ato fjalë që kanë qenë ne i kemi duartrokitur duke menduar sepse edhe jemi angazhuar që përveç punëtorëve të arsimit, që ligji që ishte aktual u ka pranuar vitet e 90-ta vite kontributdhënëse, duke u bazuar në faktin se ata edhe në atë kohë kanë punuar dhe e kanë mbrojtur sistemin arsimor shqip. Duke u bazuar në një vendim të Hekuran Muratit kemi analizuar se këto ndryshime nuk janë bërë për të mirë, për të keq e veçmas për punëtorët e sektorit të arsimit, të pensionuarit por edhe ata që do të pensionohen, ngase vitet 90-ta ndryshimeve të ligjit e largon që e përcakton sa vite kontribut dhënëse i’u njihen punëtorëve të arsimit që kanë punuar. Vitet 90-ta tani më edhe atyre edhe neve na numërohen vetëm si numra, ndërsa përshkallëzimi dhe vlera e pensionit bazohet vetëm në vitet që kinse të punësuarit paskan dhënë kontribute gjatë ekzistimit të krahinës autonome të Kosovës”, potencoi Jasharaj.

    Jasharaj tregoi se si sindikatë kanë paraqitur ankesën e tyre tek Avokati i Popullit dhe se presin që kjo çështje të adresohet te Gjykata Kushtetuese në mënyrë që e gjithë puna e mësimdhënësve të vlerësohet si pension.

    “Kemi pas takime me Avokatin e Popullit dhe i kemi adresuar këto ankesa tona. Problem tjetër është dhe viti 2001 deri në vitin 2002 kur ka filluar trusti pensional nuk janë përfshirë, kanë mbetur në vakuum dhe se këto vite duhet pranuar si kontributdhënëse, njerëzit duhet të dalin me pensionin e merituar e jo vetëm për një javë dhe një muaj të humbin këtë të drejtë. Jemi të bindur se Avokati Popullit do të dërgojë në Kushtetuese çështjen dhe prapë do të obligojë qeverinë që të përmirësojë këto lëshime që të njihen si vite kontribuuese vitet e 90-ta. Ne nuk kemi faj pse dikush nuk e krijoj në atë kohë as trustin e as ndonjë sistem tjetër për të ndal kontributin për ato vite”, tha Jasharaj.

  • Komandanti amerikan pyetet nëse Serbia duhet të ndihet e rrezikuar që SHBA po i shet “Javelin” Kosovës, kështu përgjigjet

    Komandanti amerikan pyetet nëse Serbia duhet të ndihet e rrezikuar që SHBA po i shet “Javelin” Kosovës, kështu përgjigjet

    Komandanti i Gardës Kombëtare të Ohajos, John Harris, është pyetur nga mediat serbe nëse Serbia duhet të shqetësohet me faktin që SHBA-ja po e armatos Kosovën me raketat “Javelin”.

    Harris ka thënë se pajisjet ushtarake amerikane mund të gjenden kudo.

    Ai tutje ka shtuar se është e rëndësishme që partneriteti të ndërtohet mes ushtrive dhe politika t’iu lihet politikanëve.

    “Gjëja më e rëndësishme është që ne ushtarët të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe të ndërtojmë partneritetin tonë mbi këtë, dhe ua lëmë politikën politikanëve”, ka thënë Harris për Tanjug në Uashington, ku mori pjesë në një pritjen e organizuar me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

  • Kurti: 40% e deputetëve serbë kanë lidhje me Rusinë

    Kurti: 40% e deputetëve serbë kanë lidhje me Rusinë

    Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, ka shpërndarë një video të kryeministrit Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në institutin “Chatham House”, ku foli për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe për rrezikun që vie nga Serbia.

    Bielamowicz në llogarinë e tij në X, tha se Kurti ka shpjeguar se pse infiltrimi i Kremlinit në Serbi është kërcënim hibrid për Ballkanin Perëndimor.

    “40% e deputetëve serbë janë anëtarë të grupit të miqësisë me Rusinë. Gjatë dekadës së fundit, më shumë se 3000 njerëz janë trajnuar nga “Qendra Humanitare” ruso-serbe në Nish. Qendra rajonale e Sputnik ndodhet në Beograd. Ka fluturime të përditshme ndërmjet Moskës dhe Beogradit, shumë biznese ruse po krijohen në Serbi. Sipas sondazheve, qytetarët e Serbisë besojnë se marrin më shumë mbështetje financiare nga Rusia sesa nga BE-ja”, ishin disa prej citateve të Kurtit që analisti polak i shpërndau në llogarinë e tij në X.

    Ndërkaq, në fjalën e tij, Kurti tha se parlamenti i mëparshëm i Serbisë, nga 250 deputetë, 99 prej tyre ishin në grupin e miqësisë të federatës Serbi-Rusi.

    “E dini, ne kemi grupet e miqësisë së Parlamentit, Kosovë-MB prej dhjetëra deputetësh maksimumi, por jo 40 për qind të parlamentit në një grup miqësie. Fluturime direkte çdo ditë Beograd-Moskë, shumë biznese janë të hapura dhe baza rajonale e Sputnik për Ballkanin është në Beograd. 100 milje larg Kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Serbo-Ruse. Me dhjetëra spiunë dhe agjentë që trajnojnë njerëzit për situata emergjente. Mbi 3000 njerëz shkuan në trajnime në atë Qendër në pak më shumë se një dekadë. Pra, kush janë këta 3000 njerëz që shkuan në atë trajnim. Atëherë lufta hibride është shumë e pranishme në akademi, në universitet”, tha Kurti në fjalën e tij.

    Tutje, Kurti tha se ambasadori rus në Serbi fton për takime studentë serbë të cilët sipas tij e mësojnë përrallën ruse se si do të duket bota.

    “Ambasadori rus në Beograd fton në darka, studentë të Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, shkencave politike, sociologjisë e kështu me radhë, kështu që BE-ja derdh shumë para, dhe në mbrëmje, ata marrin përrallën ruse se si duket dhe do të jetë bota”, tha ai.

    Duke folur për atë se sa i besojnë serbët BE-së, Kurti tha se shumica prej tyre besojnë se më shumë marrinë fonde nga Rusia sesa nga BE, gjë që sipasj tij është një gënjeshtër.

    “Ju mund të jepni shumë para dhe nëse pyesni tani, nëse bëni një sondazh në Serbi, ata do t’ju thonë se po marrin më shumë mbështetje financiare nga Rusia sesa nga BE, që është absolutisht e rreme”, tha Kurti.

  • Dënohet me 300 euro gjobë personi i cili hodhi mbeturinat në një rrugë në Prishtinë

    Dënohet me 300 euro gjobë personi i cili hodhi mbeturinat në një rrugë në Prishtinë

    Inspektorati i kryeqytetit ka dënuar me 300 euro një qytetar i cili kishte hedhur mbeturinat anash një rruge në Prishtinë.

    Në njoftimin e bërë nga Inspektorati i kryeqytetit thuhet se qytetari po ashtu është detyruar të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat.

    “Të gjithë jemi dëshmitarë të veprimeve të papërgjegjshme të disa qytetarëve të cilët zbrazin mbeturinat kudo në kryeqytet, duke e ndotur ambientin por edhe duke e krijuar një imazh të shëmtuar të kryeqytetit. Inspektorati i kryeqytetit duke ndjekur ankesat e qytetarëve të shfaqura edhe në rrjete sociale, ka arritur të identifikojë personin si në videon e mëposhtme. Inspektorët kompetentë kanë gjobitur të njëjtin në vlerë prej 300 eurosh dhe e kanë detyruar të njëjtin që të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat”, thuhet në njoftim.

  • ​Dita Ndërkombëtare e Radios, IMK: Rrjetet sociale po dëmtojnë radiostacionet lokale

    ​Dita Ndërkombëtare e Radios, IMK: Rrjetet sociale po dëmtojnë radiostacionet lokale

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, Instituti i Mediave në Kosovë, organizoi konferencë për media me temën “Efekti i mediave sociale në radio”.

    Kryetari i Institutit të Mediave në Kosovë, Fazli Veliu tha se transformimet teknologjike dhe dinamika e re e tranzicionit kanë prekur gjithë spektrin e medies në gjithë botën, përfshirë edhe mediet lokale në Kosovë, e në veçanti radiot.

    Ai shtoi se rrjetet sociale i kanë dëmtuar në masë të madhe disa radiostacionet lokale, pasi që sipas tij interesimi i kompanive për reklamim në radio është gjithnjë e më i vogël.

    Veliu potencoi se radiot të vetmin shpëtim mund ta gjejnë përmes integrimit në rrjetet sociale, por që shtoi se edhe kjo formë lidhjeje, sipas tij, kërkon investime në platformën e këtyre rrjeteve.

    Ndërkaq, profesori universitar, Arben Fetoshi tha se për shkak të hegjemonisë së platformave digjitale, trendi e ka sfiduar radion në kuptimin e mundësive financiare për jetesë më të mirë.

    Ai shtoi se mendimi i një producenti që audienca do të informohet nga radio, do të dërgojë atë në një dështim, për çka shtoi se një përpjekje serioze për përshtatje i jep mundësi të mira radios.

    Ai theksoi se radiot hasin në vështirësi për shkak se impakti i digjitalizimit është gjithëpërfshirës.

    Ndërsa, gazetari Gazmend Syla derisa foli për efektet e medias sociale në radio tha se ajo se çfarë ofron dhe përmban një radio ka shumë rëndësi nësë ajo do të dëgjohet dhe pëlqehet nga audienca.

    Ai u shpreh optimist që radioja do të ketë të ardhme, për çka përmendi Podcastët si mundësi të mirë të përshtatjes së radios me digjitalizmin.

  • BE – Qeverisë: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave

    BE – Qeverisë: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

    Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.

    “Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.

    Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në projektligjin, i cili synon rregullimin e mediave online. Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

    I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

    Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

    Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

    Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

    Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Këshilli i Mediave të Shkruara, ka thënë se në shumicën e rasteve videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

    Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”. /REL

  • Bitcoin arrin vlerën në mbi 50,000 dollarë, për herë të parë në më shumë se dy vjet

    Bitcoin arrin vlerën në mbi 50,000 dollarë, për herë të parë në më shumë se dy vjet

    Bitcoin arriti nivelin e 50,000 dollarëve për herë të parë në më shumë se dy vjet, pasi kriptomonedha më e madhe në botë u rrit nga pritshmëritë për ulje të normave të interesit dhe ndryshimi rregullator i muajit të kaluar për fondet e tregtuara në shkëmbim në SHBA, të krijuara për të ndjekur çmimin e saj.

    Kriptovaluta është rritur me 16.3% deri më tani këtë vit duke prekur nivelin më të lartë që nga 27 dhjetor 2021, raporton Reuters.

    Kriptovaluta Bitcoin është aprovuar si aset financiar nga rregullatori financiar amerikan, në fillim të këtij viti.

    Ai do të ketë mundësi të tregohet nëpërmjet sistemit ETF, derisa miratimi do t’iu mundësojë investitorëve institucionalë ekspozim ndaj kriptomonedhës më të madhe në botë pa e poseduar atë fizikisht, si dhe do të nxisë zhvillimin e kësaj industrie.

  • ​Inteligjenca ukrainase: Rusët po blejnë terminale Starlink në vendet arabe

    ​Inteligjenca ukrainase: Rusët po blejnë terminale Starlink në vendet arabe

    Pushtuesit rusë po blejnë sisteme të komunikimit satelitor Starlink në vendet arabe.

    Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR) në Facebook, transmeton Ukrinform.

    Rusia po blen pajisje komunikimi në vendet arabe, duke përfshirë terminalet Starlink, për përdorim në luftë, thuhet në raport.

    Në një përgjim radiofonik të fundit, rusët po diskutojnë mundësitë përkatëse për blerjen e një terminali Starlink, tha agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës.

    Sipas një pushtuesi, “arabët sjellin gjithçka: tela, Wi-Fi, router…”, dhe kostoja e një pajisjeje Starlink është 200,000 rubla.

    HUR më herët konfirmoi se pushtuesit rusë po përdornin gjithnjë e më shumë sistemet e komunikimit satelitor Starlink në vijat e frontit.

    Sipas inteligjencës, bisedat e përgjuara midis forcave ruse zbuluan se terminalet Starlink ishin vendosur midis trupave që vepronin pranë qyteteve Klishchiivka dhe Andriivka në rajonin e Donetsk.

    Elon Musk më vonë deklaroi se SpaceX nuk i kishte shitur terminalet Starlink Rusisë. /Ukrinform/