ATV

Author: ATVLive

  • Arrestohet Dardan Molliqaj, PSD kërkon lirimin e menjëhershëm

    Arrestohet Dardan Molliqaj, PSD kërkon lirimin e menjëhershëm

    Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, duke e cilësuar këtë veprim si të pajustifikueshëm dhe të motivuar politikisht, raporton ATV.

    Përmes një postimi në Facebook, Kuçi ka bërë të ditur se Molliqaj është ndaluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë teksa ishte rrugës për një takim, pa marrë më parë asnjë ftesë nga gjykata.

    “Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti… kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveçse presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike”, shkroi Kuçi.

    Sipas saj, përqendrimi i rasteve ndaj anëtarëve të PSD-së – të cilët, sipas saj, kanë raste të përbashkëta edhe me anëtarë të Vetëvendosjes – tregon se përndjekja është selektive dhe e drejtuar ndaj partisë që ajo përfaqëson.

    “Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik”, tha Kuçi, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Molliqajt. /atvlive.tv

  • ​BQE ul normën e interesit në 2.25%, përgjigje e tarifave të Trump

    ​BQE ul normën e interesit në 2.25%, përgjigje e tarifave të Trump

    Banka Qendrore Evropiane (ECB) uli normën e saj kryesore të interesit në 2.25% të enjten për 20 shtetet e Eurozonës, të cilat përdorin vlerën euro.

    Si pasojë e kësaj, kostoja e huamarrjes ra në të gjithë këtë zonë, shkruan The Guardian, transmeton KosovaPress.

    Banka e bazuar në Frankfurt uli normën e saj të depozitave me një çerek pikë përqindje, në përputhje me pritshmëritë e ekonomistëve të City-t, për të trajtuar ngadalësimin në bllok dhe ndikimin nga taksat kufitare të vendosura më herët këtë muaj për të gjitha importet e BE-së në SHBA.

    Tregjet financiare presin që bankat qendrore në të gjitha ekonomitë kryesore të ulin normat e interesit këtë vit, pasi tarifat dëmtojnë tregtinë globale dhe ngadalësojnë rritjen, sipas The Guardian.

    Investitorët presin që Banka e Anglisë të ulë koston e huamarrjes me një çerek pikë kur politikanët të mblidhen në maj dhe dy herë më shumë në vitin 2025, kryesisht për shkak të pasigurisë të shkaktuar nga tarifat dhe ndikimi i tyre negativ në besimin e biznesit dhe konsumatorëve.

    Jerome Powell, kreu i Rezervës Federale, tha të mërkurën se tarifat amerikane për rreth 60 vende do të rrisin çmimet vendore dhe do të pakësojnë punësimin.

    Duke folur në Klubin Ekonomik të Chicago-s, ai tha se nuk ishte e qartë se cili do të ishte ndikimi i përgjithshëm në ekonomi dhe nëse banka do të kishte nevojë të rrisë normat e interesit për të frenuar inflacionin ose të ulë normat për të stimuluar rritjen.

    “Ne do të marrim në konsideratë sa larg është ekonomia nga çdo qëllim, dhe horizontet e ndryshme kohore për të cilat këto hendeke do të pritet të mbyllen”, tha Powell, duke shkaktuar një shitje të madhe aksionesh në tregjet e SHBA-së.

    Të dhënat e publikuara nga agjencia e BE-së, Eurostat, treguan se inflacioni në zonën e euros u rrit me 2.2% në mars, krahasuar me 2.3% në shkurt. Një masë e inflacionit bazë, që përjashton artikujt e paqëndrueshëm si benzina dhe ushqimi, ra nga 2.6% në 2.4% gjatë të njëjtës periudhë.

  • Haradinaj: Kurti po e mban peng Kosovën, nëse s’mund të formojë Qeverinë – të lëshojë rrugë

    Haradinaj: Kurti po e mban peng Kosovën, nëse s’mund të formojë Qeverinë – të lëshojë rrugë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive të Kuvendit, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për bllokim të qëllimshëm institucional, raporton ATV.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se politikat e Kurtit janë bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese, dhe se veprimi i sotëm në Kuvend është dëshmi e qartë e kësaj qasjeje.

    “Pezullimi i seancës në mënyrë arbitrare, edhe pse ishin numrat për vazhdim, e shfaq edhe një herë qartë se kush janë këta njerëz që e mbajnë peng Kosovën tash e më shumë se katër vjet”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka kërkuar nga Kurti që të japë dorëheqje nëse nuk arrin të formojë institucionet, duke theksuar se Kosova nuk mund të jetë peng i një qeverisjeje që nuk ka shumicën.

    “Është fare e thjeshtë: Dorëhiqu – nuk mundesh t’i kesh dy pozita. Propozojeni dhe formojeni kryesinë e Kuvendit. Formo Qeverinë. Nëse nuk mundesh – ik, lësho rrugë,” ka thënë Haradinaj, duke paralajmëruar se pushteti do t’i rikthehet sovranit nëse situata nuk zgjidhet. /atvlive.tv

  • Avdullah Hoti: Kuvendi nuk u konstituua sepse VV s’ka shumicë

    Avdullah Hoti: Kuvendi nuk u konstituua sepse VV s’ka shumicë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive edhe në tentativën e dytë për ta funksionalizuar Kuvendin e ri, raporton ATV.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se shkaku i vetëm pse Kuvendi nuk po konstituohet është fakti se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat.

    “Kuvendi as sot nuk u konstituua, pasi partia që ka dalë e para nuk e ka shumicën. Kjo është arsyeja e vetme. Asnjë arsye tjetër nuk ka,” ka shkruar Hoti.

    Ai ka kritikuar deklaratat nga përfaqësues të VV-së, duke i cilësuar si përpjekje politike që, sipas tij, nuk i kontribuojnë funksionalizimit të institucioneve.

    “Çdo interpretim tjetër është deklarim për qëllime politike, që vetëm shtetit dhe institucioneve nuk i kontribuon,” përfundon reagimi i deputetit të LDK-së. /atvlive.tv

  • Deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpërndajnë një skenar për seancën e sotme

    Deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpërndajnë një skenar për seancën e sotme

    Deputetë të LDK-së dhe të PDK-së janë duke shpërndarë një skenar, që sipas tyre është dashur të ndiqej sot në vazhdimin e seancës konstituive, që sërish u ndërpre, raporton ATV.

    Në këtë dokument, të publikuar nga deputetët Hykmete Bajrami dhe Artan Behrami, parashihej që seanca të vazhdonte me rivotimin e raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve, i cili më 15 prill nuk mori votat e nevojshme për të kaluar.

    “Deputetët luten që me ngritje dore të deklarohen edhe një herë për Raportin e Komisionit të përkohshëm,” thuhet në skenarin e publikuar.

    Pikërisht mungesa e këtij votimi në seancën e fundit, sipas deputetëve opozitarë, dëshmon synimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

    “Kjo dëshmon përfundimisht se VV nuk ka dashur të ecet përpara. Skenari ishte i qartë dhe kishte të gjitha elementet për të vazhduar aty ku kishte mbetur seanca më 15 prill,” ka shkruar Bajrami.

    Ndërkohë, Behrami e quajti zhvillimin e sotëm “një seancë e udhëhequr nga VV për zvarritje e pazare politike”, duke thënë se VV-ja e refuzoi qëllimisht votimin, ndonëse ishin të pranishëm 100 deputetë – numër i mjaftueshëm për të pasur kuorum.

    Deputetët e LDK-së dhe PDK-së e cilësojnë si të paligjshme thirrjen për konsultime nga kryesuesi Avni Dehari, dhe kërkojnë që në seancën e radhës të respektohet skenari zyrtar dhe të votohet raporti i komisionit, si hap i parë drejt konstituimit të Kuvendit. /atvlive.tv

  • Shkencëtarët zbulojnë prova se në planetin e largët mund të ketë jetë

    Shkencëtarët zbulojnë prova se në planetin e largët mund të ketë jetë

    Shkencëtarët nga Universiteti i Kembrixhit kanë zbuluar prova të reja premtuese për ekzistencën e jetës në një planet të largët të quajtur K2-18b. Duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb (JWST), ata kanë identifikuar në atmosferën e këtij planeti shenja të molekulave që në Tokë prodhohen vetëm nga organizma të thjeshtë.

    Kjo është hera e dytë që zbulohen gjurmë kimike të lidhura me jetën në këtë planet, por shkencëtarët theksojnë se ky zbulim është më premtuesi deri më tani. Molekulat e identifikuara, dimetil sulfid (DMS) dhe dimetil disulfid (DMDS), prodhohen në Tokë kryesisht nga fitoplanktoni detar dhe bakteret.

    “Sasia që ne vlerësojmë të këtij gazi në atmosferë është mijëra herë më e lartë se ajo në Tokë. Nëse kjo lidhet me jetën, atëherë planeti do të jetë i mbushur me organizma të gjallë”, u shpreh Prof. Nikku Madhusudhan, studiuesi kryesor i ekipit.

    K2-18b është një planet ekzoplanet, rreth 2.5 herë më i madh se Toka dhe ndodhet rreth 700 trilion milje larg, duke u rrotulluar rreth një ylli të vogël të kuq. Sipas shkencëtarëve, mungesa e amoniakut në atmosferën e planetit mund të tregojë për praninë e një oqeani të gjerë me ujë të lëngshëm – një mjedis ideal për jetën.

    Megjithatë, disa studiues paralajmërojnë se këto rezultate, sado premtuese, duhet të konfirmohen me më shumë të dhëna.

    “Jemi shumë pranë, por nuk mund të themi ende me siguri se kemi gjetur jetë. Duhen një ose dy vjet vëzhgime të mëtejshme për të konfirmuar sinjalin”, shtoi Prof. Madhusudhan.

    Ky zbulim ngjall shpresë se jeta në galaktikë mund të jetë më e zakonshme se sa është menduar deri tani.

  • KDI: Dështimi i seancës konstituive, shkelje procedurale dhe mungesë vullneti politik

    KDI: Dështimi i seancës konstituive, shkelje procedurale dhe mungesë vullneti politik

    Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar duke theksuar shqetësimin për situatën e krijuar dhe shkeljet procedurale që kanë shoqëruar këtë proces.

    “Pra, ashtu siç ka qenë deri diku e pritur, në mungesë të numrit të nevojshëm të votave pati sërish ndërprerje të seancës konstituive të kuvendit. Por që kësaj here, si ndërprerje u karakterizua nga një shkelje tjetër procedurale, ku kryesuesi i seancës, Dehari, e ndërpreu seancën pa pasur votim formal dhe pa i konsumuar pikat e rendit të ditës, gjë që përbën shkelje proceduriale,” deklaroi Cakolli.

    Ai vlerësoi se bllokimi i procesit vjen si pasojë e mosdorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit, duke i cilësuar këto dorëheqje si obligim ligjor.

    “Në anën tjetër, tashmë është e qartë se situata është e bllokuar për shkak të mosofrimit të dorëheqjeve, obligim ligjor ky për kryeministrin dhe 15 ministrat tjerë në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në detyrë dhe gjithë ministrave që, në funksion të zhbllokimit të punës së kuvendit, të dorëzojnë dorëheqjet e tyre formale, siç ua kërkon ligji për qeverinë që është miratuar po nga legjislatura e kaluar, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit dhe të evitohen bllokada të panevojshme,” tha ai.

    Cakolli gjithashtu kritikoi mënyrën e menaxhimit të seancës nga kryesuesi Dehari, duke e konsideruar se nuk janë respektuar procedurat parlamentare dhe janë anashkaluar hapat e domosdoshëm ligjorë për vijimin e punës.

    “Në radhë të parë, kryesuesi i seancës sot nuk ka pasur fare nevojë që t’i ftojë në konsultim subjektet politike. Ekzistimi i afatit 48 orësh është pikërisht për çështjen e konsultimeve mes subjekteve politike. Unë vlerësoj se në vend që të shkruheshin letra për presidenten, përgjigjet e së cilës veçse dihej – ndonëse unë vlerësoj pozitivisht qasjen e presidentes – besoj që është dashur që të mbaheshin konsultimet e nevojshme në mënyrë që të trajtohej dhe të zgjidhej kjo çështje,” shtoi ai.

    Sipas tij, edhe mungesa e një votimi për raportin e komisionit për verifikimin e mandateve ka krijuar vakum juridik dhe ka penguar vijimin e punës parlamentare.

    “Zotëri Dehari nuk e administroi seancën siç duhet, sepse në radhë të parë i njëjti nuk shkoi sipas rendit të ditës, e që në këtë rast do të duhej mbledhje edhe një herë e komisionit për verifikimin e mandateve, nxjerrja sërish e një raporti. Sepse raporti i parë nuk është i votuar dhe që i bie që i njëjti më nuk ka asnjë efekt juridik. Dhe që i njëjti të hidhet në votim para deputetëve, sa do që ishte e qartë se nuk janë votat e nevojshme për ta kaluar një raport, për sa kohë që kanë dhënë dorëheqje anëtarët e kabinetit qeveritar,”, tha Cakolli.

  • Tre të akuzuarit në rastin Banjska u deklaruan të pafajshëm

    Tre të akuzuarit në rastin Banjska u deklaruan të pafajshëm

    Të tre të akuzuarit në rastin Banjska janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues, raporton EO.

    I akuzuari Blagoje Spasojeviq nuk e ka pranuar fajësinë.

    “Nuk jam fajtor për veprat penale dhe për këtë aktakuzë”, ka deklaruar ai.

    I akuzuari Vladimir Toliq po ashtu ka thënë se nuk është fajtor për veprat që i vihen në barrë.

    “Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë”, është shprehur ai.

    Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari Dushan Maksimoviq.

    “Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë për këtë aktakuzë”.

    Ndërkohë trupi gjykues në rastin “Banjska” mori vendim që ta largojë nga salla hetuesin e rastit Jeton Jetullahu, me arsyetimin se i njëjti më vonë mund të jetë dëshmitar i rastit.

    Paraprakisht, mbrojtja e të akuzuarve kërkuan të dinë se kush janë stafi mbështetës i prokurorit.

  • Maloku: Nëse vazhdon kjo dramë, pasojat do t’i vuajnë edhe opozita, edhe Qeveria

    Maloku: Nëse vazhdon kjo dramë, pasojat do t’i vuajnë edhe opozita, edhe Qeveria

    Profesori Fadil Maloku, në “Studio e Hapur” në ATV, tha se situata e pezullimit të Kuvendit mund të vazhdojë deri të shtunën, me pasoja politike për të dyja palët.

    Sipas tij, mungon përgjegjësia shtetërore në sjelljen e partive politike.

    Ai tha se përshkallëzimi i ngërçit institucional po shtyn Kosovën drejt një skenari bllokues.

    “Mendoj që kjo saga apo drama e pezullimit do të vazhdojë deri të shtunën. Ajo çfarë mendoj unë që është tepër shqetësuese, është se nuk kanë përgjegjësi shtetërore për rrethanën në të cilën ndodhet Kosova,” tha Maloku.

    Duke komentuar qëndrimet politike të ditëve të fundit, ai paralajmëroi për pasoja serioze për të gjitha palët.

    “Nëse shkojmë tek skenari i tretë, që është skenari i bllokimit, atëherë pasojat do t’i vuajnë të njëjtit – edhe opozita, edhe Qeveria,” shtoi ai. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila: Opozita po e bllokon shtetin – votimi për verifikimin e mandateve është proces teknik, jo politik

    Kusari-Lila: Opozita po e bllokon shtetin – votimi për verifikimin e mandateve është proces teknik, jo politik

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas ndërprerjes së seancës konstituive, akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe mospranim të rezultateve të zgjedhjeve, raporton ATV.

    Në një deklaratë për gazetarët në hollin e Kuvendit, ajo tha se votimi për verifikimin e mandateve nuk ka qenë kurrë më parë i kontestuar.

    “Zgjedhjet kanë qenë me një rezultat të qartë. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë. Votimi për mandatet është proces teknik, jo propozim i Qeverisë apo partisë fituese. Nuk ka asnjë logjikë tjetër përveçse bllokimi i shtetit nga opozita”, deklaroi Kusari-Lila.

    Sipas saj, përfaqësuesit opozitarë kanë refuzuar edhe thirrjen për konsultim nga kryesuesi Avni Dehari, duke mohuar të drejtën elementare për dialog institucional.

    “Nuk mund t’i thuash kryesuesit që s’ka të drejtë të thërrasë për konsultime, kur jemi në krizë funksionale. Ata nuk kanë pasur kurrë forma kreative të opozitarizmit dhe tani po e shterojnë edhe këtë me një bllokadë të thjeshtë të shtetit”, tha ajo. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: