ATV

Author: ATVLive

  • Lajçak deklarohet pas bisedimeve për dinarin

    Lajçak deklarohet pas bisedimeve për dinarin

    Emisari BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka njoftuar për takimet e zhvilluar sot në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkovic, dhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës të prira nga Guvernatori, Ahmet Ismaili.

    Lajcak ka thënë se mirëpret përkushtimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së.

    Emisari sllovak ka thënë se takimi i sotëm ka qenë një hap i parë i rëndësishëm, megjithatë thotë se shumë çështje politike mbesin ende pa përgjigje.

    “Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak.

  • Guvernatori i BQK-së: Në Bruksel diskutuam për modalitetet e financimit nga Serbia

    Guvernatori i BQK-së: Në Bruksel diskutuam për modalitetet e financimit nga Serbia

    Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.

    “Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismaili.

    “Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Para takimit të përbashkët, Lajçak u takua më herët gjatë 27 shkurtit me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në takimet në Bruksel të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

  • Elon Musk shprehet se po krijon një rival të Gmail të quajtur ‘XMail’

    Elon Musk shprehet se po krijon një rival të Gmail të quajtur ‘XMail’

    Sipërmarrësi i teknologjisë ka zbuluar se një produkt i quajtur ‘XMail’ po ‘vjen’.

    Elon Musk tashmë ka lëshuar versionin e tij të ChatGPT.

    Tani duket se sipërmarrësi i teknologjisë do të përballet me Gmail-in e Google duke krijuar një shërbim emaili të tijin.

    Në një shkëmbim në platformën e tij të mediave sociale X, Musk ka zbuluar se një produkt i quajtur ‘XMail’ po ‘vjen’.

    Ai nuk ka ofruar më shumë detaje rreth shërbimit, kështu që është e paqartë se kur mund të jetë i disponueshëm, megjithëse pritet të integrohet brenda aplikacionit X.

  • FSK-ja vazhdon të ofrojë kontribut në trajnimin e rekrutëve ukrainas

    FSK-ja vazhdon të ofrojë kontribut në trajnimin e rekrutëve ukrainas

    Përkrah Mbretërisë së Bashkuar, Kosova si shtet pjesëmarrës në operacionin Interflex, përmes instruktorëve të FSK-së vazhdon të ofrojë kontribut në trajnimin e rekrutëve ukrainas.

    Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovës kanë bërë të ditur se deri më tani në këtë operacion janë trajnuar 34 mijë rekrutë.

    “Mbretëria e Bashkuar dhe 11 kombe partnere qëndrojnë si një për të mbështetur Ukrainën në trajnimin e rekrutëve. Op Interflex, me qendër në Britaninë e Madhe, ka trajnuar mbi 34,000 rekrutë ukrainas me ndihmën e partnerëve tanë, përfshirë edhe anëtarin më të ri Kosovën”, thuhet në njoftim.

  • Hapet xhamia më e madhe në botë pas Mekës dhe Medinës

    Hapet xhamia më e madhe në botë pas Mekës dhe Medinës

    Përpara muajit të shenjtë të Ramzanit, Algjeria ka inauguruar xhaminë e tretë më të madhe në botë dhe xhaminë më të madhe në Afrikë, e cila ishte vonuar për vite me radhë për shkak të ndryshimeve politike.

    Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune të hënën përuroi zyrtarisht Xhaminë e Madhe të Algjerit në bregdetin mesdhetar të kombit të Afrikës Veriore.

    E njohur në vend si Djamaa El-Djazair, ajo përmban minaren më të lartë në botë me 265 metra, mund të strehojë 120,000 njerëz dhe është xhamia më e madhe në botë vetëm pas vendeve më të shenjta të Islamit në Mekën dhe Medinën e Arabisë Saudite.

    Ajo u ndërtua gjatë shtatë viteve në formën e një strukture moderniste që shtrihet në pothuajse 70 hektarë e dekoruar me dru dhe mermer dhe përmban detaje arabe dhe afrikano-veriore. Thuhet se ka një platformë uljeje me helikopter dhe një bibliotekë që mund të strehojë deri në një milion libra.

    Hapja zyrtare e xhamisë e lejon atë të presë shumë besimtarë dhe ngjarje publike gjatë muajit të Ramazanit, i cili fillon rreth datës 10 mars.

    Por ngjarja e inaugurimit të saj ishte kryesisht ceremoniale, pasi ka qenë e hapur për turistët ndërkombëtarë dhe vizitorët shtetërorë në Algjeri për rreth pesë vjet, dhe u hap për herë të parë për lutje në tetor 2020, pasi bota përballej me COVID-19.

    Algjeria tani krenohet me xhaminë më të madhe jashtë vendeve më të shenjta në Islam, por si raporton Al Jazeera projekti është shënuar nga vite vonesa dhe tejkalime të kostove. Gjithashtu është kritikuar se dyshohet se është ndërtuar në një zonë me rrezik sizmik, por qeveria e ka mohuar këtë.

  • Deklarata e Macron, NATO thotë se nuk planifikon dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë

    Deklarata e Macron, NATO thotë se nuk planifikon dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë

    NATO nuk planifikon të dërgojë trupa tokësore në Ukrainë, tha të martën një zyrtar i aleancës, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron tha se asgjë nuk mund të përjashtohet.

    “NATO dhe aleatët po ofrojnë mbështetje ushtarake të paprecedentë për Ukrainën”, tha zyrtari i NATO-s.

    “Por nuk ka plane për trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë”, shtoi ai.

    Presidenti francez tha të martën se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë”.

    “Rusia nuk mund të fitojë luftën”, tha Macron.

    “Sipas ligjit ndërkombëtar, Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe ne kemi të drejtën ta mbështesim atë”, tha zyrtari i NATO-s.

    “Kjo është ajo që aleatët e NATO-s po bëjnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë”, shtoi ai.

    Udhëheqësi francez kishte pritur në Paris, në një samit, liderët e kontinentit.

    Aty, udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma.

    Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron. ​

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

    Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

    Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi

    Njësiti i hetimeve të stacionit policor në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka kërkuar ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.

    E dyshuara kërkohet për përfshirje në një rast, Shpërdorim i pasurisë së huaj , që është raportuar në polici në dhjetor të vitit 2023.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendodhjes së saj, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet mes tjerash në njoftimin zyrtar.

  • Specialja refuzon edhe apelimin e dytë të Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Specialja refuzon edhe apelimin e dytë të Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është hedhur për të dytën herë apelimi i Isni Kilajt kundër mbajtjes së tij në paraburgim.

    Vendimi është marrë me 26 shkurt 2024 nga gjyqtarja Michele Picard.

    “Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës së Apelit: mohon Apelimin; udhëzon ZPS-në të paraqesë një version të redaktuar publik të Përgjigjes (IA005/F00003) ose të tregojë, nëpërmjet një dosjeje, nëse kjo dosje mund të riklasifikohet si publike brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për këtë Vendim; dhe udhëzon Regjistrin që të ekzekutojë riklasifikimin e Përgjigjes me ndikimin nga ZPS, nëse ka, dhe se si ajo mund të riklasifikohet”, thuhet në vendimin e gjyqtares Picard.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se Kilaj kishte pohuar se gjyqtari i vetëm i procedurës paraprake kishte gabuar kur ka konstatuar se propozimi për të paguar garanci në vlerë të 30 mijë euro mund të merret në konsideratë vetëm si faktor zbutës i rrezikut të arratisjes dhe jo për pengim të mëtejmë të procedurave.

    “Sipas Kilajt, gjyqtari i vetëm gaboi në “dallimin e paarsyeshëm” midis efektit dekurajues të një “shumë të madhe parash” që konfiskohet në rast se ai arratiset dhe të njëjtit efekt dekurajues në rast se ai ndërhyn në procedim ose kryen vepra të tjera. Kilaj parashtron se “baza e vetme” për një dallim të tillë është “arsyetimi” i Gjykatësit të Vetëm se “garancia e dorëzanisë është krijuar në parim për të siguruar jo kompensimin e humbjes, por praninë e të Akuzuarit në gjyq”, thuhet në vendim.

    Ndërsa ZPS-ja ishte përgjigjur që Kilaj kishte keqinterpretuar vendimin e kundërshtuar.

    Ndërsa sa i përket vlerësimit që i ka bërë paneli, ata kanë theksuar se janë të vetëdijshëm për faktin se aktakuza nuk është ngritur ende dhe se ngritja e saj sipas ZPS-së është e pashmangshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar më 3 nëntor 2023 në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Përveç kësaj vepre, Kilaj dyshohet edhe për veprën penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Shkelje të sekretit të procedurave”.

  • Kancelari gjerman: Vendet e NATO-s dhe BE-së nuk do të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë

    Kancelari gjerman: Vendet e NATO-s dhe BE-së nuk do të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë

    Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të martën se vendet perëndimore nuk do të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë, duke hedhur poshtë sugjerimin e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron.

    “Ajo që u ra dakord me njëri-tjetrin që nga fillimi vlen edhe për të ardhmen, domethënë që nuk do të ketë trupa tokësore në tokën ukrainase që do të dërgohen atje nga shtetet evropiane, ose shtetet e NATO-s”, u tha Scholz gazetarëve gjatë një vizite në jugperëndim të qytetit Freiburg.

    Komentet e tij erdhën vetëm një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron kishte sugjeruar dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, në mënyrë që të mbështesin ukrainasit në mbrojtjen e vendit të tyre kundër Rusisë.

    “Nuk ka asnjë konsensus sot që trupat tokësore duhet të dislokohen në mënyrë zyrtare… por asgjë nuk duhet të përjashtohet”, tha Macron në një konferencë shtypi në Paris, pasi priti liderët perëndimorë për një konferencë për të diskutuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

    “Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë”, tha Macron./AA

  • Hashani: BQK-ja e ka humbur statusin si e pavarur, tani është shndërruar në një institucion të politikave ditore të Qeverisë

    Hashani: BQK-ja e ka humbur statusin si e pavarur, tani është shndërruar në një institucion të politikave ditore të Qeverisë

    Profesori i ekonomisë, Medain Hashani, në emisionin A LIVE në ATV, tha BQK-ja e ka humbur statusin e pavarur si i pavarur, pasi që sipas tij, tani është shndërruar në një institucion të politikave ditore të Qeverisë.

    Ai tha se nuk mendon se do të ketë zgjidhe nga takimi i sotëm në Bruksel për çështjen e dinarit.

    “Nuk mendoj se ka me u ba zgjidhje për arsye se vullneti politik nuk është që me u largu nga ky pozicion, sepse me vet faktin që BQK-ja deri më herët e ka pasur një status të pavarur dhe është njohur si institucion i pavarur, tani unë mendoj që BQK-ja është shndërruar në një institucion, i cili është duke u marrë me politikat ditore të Qeverisë dhe e ka humbur atë pavarësinë në bazë të veprimit të fundit që e ka bërë dhe vetë takimi i guvernatorit të BQK-së me kryeministrin dhe mos tërheqjen e tij nga kjo çështje që të shtyhet një afat, ka tregu që nuk ka ndonjë vullnet për me u largu nga ky pozicion dhe masat të cilat janë ndërmarrë për një tranzicion, janë ndërmarrë diku rreth 15 pika të cilat i ka prezantuar BQK-ja për fillimin e hapjes së llogarive, integrimin, etj.. e këto është dashur të merren shumë më herët”, tha Hashani. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në A LIVE, e gjeni në videon më poshtë: